ATV

Category: KULTURË

  • Poeti Lulzim Tafa dekorohet me titullin “Oficer i Letrave dhe Arteve” nga Presidenti Macron

    Poeti Lulzim Tafa dekorohet me titullin “Oficer i Letrave dhe Arteve” nga Presidenti Macron

    Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, njëherësh një ndër poetët kosovar më të njohur në botë, është dekoruar nga shteti francez me titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”. Kjo dekoratë është më e larta në fushën e artit dhe letërsisë nga Franca, ndërsa është edhe dekoratat më e lartë të cilën e ka marrë deri tani ndonjë shkrimtar nga Kosova.

    Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, ku ambasadori Olivier Guérot, në emër të presidentit të Francës, Emanuel Macron, i dorëzoi poetit dhe profesorit, Lulzim Tafa, titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”.

    Ambasadori Guérot, në fjalën e tij, përgëzoi rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Tafës, duke thënë: “Kombinimi i identitetit profesional të Lulzim Tafës, si poet dhe profesor, është një përzierje e jashtëzakonshme që ndërthur racionalitetin me një ndjeshmëri të thellë. Arritjet e tij akademike në fushën e së drejtës penale, krahas kontributeve të tij në kulturë, ilustron më së miri përkushtimin dhe talentin e tij të shumanshëm”.

    ”I nderuar zoti Tafa, si shumë nga bashkëqytetarët tuaj, lufta ju goditi fort, duke ju shkatërruar shtëpinë, duke shkatërruar bibliotekën tuaj me librat dhe fotografitë e saj, si dhe të gjitha 300 poezitë e shkruara me dorë. Me durimin, këmbënguljen dhe besimin në njerëzim, ju keni gjetur forcën përsëri dhe keni vazhduar punën, duke botuar vepra të shumta shkencore dhe letrare”, tha ambasadori Guérot.

    Ai përmendi se janë të shumta Çmimet Ndërkombëtar për Letërsi, të cilat i ka marrë poeti Tafa, si dhe puna e këtij të fundit që është përkthyer në shumë gjuhë, si në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, serbisht, kroatisht, gjuhën malazeze, boshnjakisht, rumanisht, arabisht, greqisht, turqisht, suedisht, etj.

    Duke reflektuar për nderimin që i është bërë, poeti dhe profesori Lulzim Tafa shprehu mirënjohjen e tij, ku theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë dekoratë prestigjioze, duke shprehur respektin e tij më të lartë për kombin francez, presidentin Macron dhe Ambasadën e Republikës së Francës në Kosovë.

    “Kjo njohje ka një rëndësi të madhe për artin dhe letërsinë franceze, një sferë që unë e admiroj thellësisht, veçanërisht poezinë, ku qartësia dhe pastërtia e shprehjes janë shenja dalluese të shkrimtarëve francezë. Vetëm një shpirt i madh, si ai i kombit francez, di të respektojë dhe nderojë kombet e vogla, të nderojë letërsinë e kombeve të vogla si dhe poetët e tyre. Mua më pëlqen letërsia franceze, veçanërisht poezia. Letërsia, si çdo gjë tjetër, po zhvillohet çdo ditë. Por kam besim se letërsia franceze do të rezistojë në çdo kohë, siç shkruajnë me qartësi dhe pastërti shkrimtarët francezë. Kjo e bën unike edhe letërsinë franceze”, tha poeti Tafa.

    Ai tha se edhe si rektori Kolegjit AAB, është mirënjohës për bashkëpunimin e madh me Ambasadën e Francës në Kosovë.

    Poeti Tafa shtoi se nderime të tilla si ky nder i madh që e mori sot nuk e bëjnë atë një shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por e bëjnë më të sigurt në punën e tij krijuese.

    “Besimi për një poet ka një rëndësi të madhe, veçanërisht kur kjo vjen nga Franca, djepi i kulturës së kontinentit tonë. Unë besoj në fuqinë e poezisë. Gjatë gjithë jetës sime si krijues, kam marrë shumë nderime dhe dekorata, ku nderimet e mia më të fundit janë nga Ukraina. Aty jam nderuar nga Akademia dhe Patriarku i Shenjtë, si dhe nga organizatat e shkrimtarëve. Më nderuan sepse u përpoqa ta ndaloja atë luftë edhe para se të fillonte, me poezi. A mund ta imagjinoni se sa larg mund të shkojë imagjinata e poetit? Një poet nuk ka kurrë problem me imagjinatën. Një poet ka problem me realitetin. Dhe ky realitet nuk është ai që e donim”, u shpreh poeti Tafa.

    Ai tha se ky nder që iu bë nga Faranca, i jep edhe më shumë motivim që ta vazhdojë punën e tij krijuese.

    “Si poet, do të përpiqem që vargjet e mia t’i shërbejnë lexuesit për kënaqësi shpirtërore, ndërsa si jurist, profesor dhe drejtues, do të punoj që vendin tonë ta bëjmë më të jetueshëm, sepse e kemi detyrim ndaj brezave që vijnë. Ne duhet të kujdesemi për të krijuar më të mirën e humbur, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, eko-sistemin dhe të gjitha krijesat e planetit tonë”, tha poeti Tafa.

    Në ceremoninë e ndarjes së titullit “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve” për poetin dhe profesorin Lulzim Tafa që u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura, ndër ta edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, PEN Qendra e Kosovës e ka uruar Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e ka falënderuar Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj dekorate.

    PEN Qendra e falënderoi Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe shumë çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi. /atvlive.tv

  • ​Nesër inaugurohet busti i heroit Hasan Prishtina

    ​Nesër inaugurohet busti i heroit Hasan Prishtina

    Fondacioni “Hasan Prishtina” organizon nesër inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina në Prishtinë.

    Pjesë e këtij inaugurimi do të jenëpresidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë, pasardhësi i Gjergj Kastriotit Loris Kastrioti – Skënderbeu II, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe të ftuar të tjerë.

    Inaugurimi bëhet nga ora 12:00 në rrugën“Hasan Prishtina” – lagjja “Priam Village Prishtina” në Prishtinë.

    Hasan Prishtina (1873-1933), ishte ideolog i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar.

    Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

    Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.

    Ai u vra më 13 gusht të vitit 1933 në Selanik. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës me një vendim të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.

  • Kadare nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Kadare nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar nga Komuna e Gjilanit.

    Në një ceremoni, ku i pranishëm ishte vetë Kadare, artisti mori vlerësimin nga Komuna.

    Ndërkohë, në shtator, Kadare mori nënshtetësinë e Kosovës. Pesidentja Vjosa Osmani i ka dorëzuar dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës shkrimtarit shqiptar me famë botërore.

  • PEN Qendra e Kosovës uron poetin Lulzim Tafa

    PEN Qendra e Kosovës uron poetin Lulzim Tafa

    Poeti i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa, këto ditë, nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, është dekoruar me urdhrin e lartë të këtij vendi “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.

    Kjo është Dekorata më e lartë që deri më tash i është dhënë ndonjë shkrimtari a artisti në Kosovë.

    Me këtë rast PEN Qendra e Kosovës e uron Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e falënderon Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj Dekorate.

    PEN Qendra e falënderon Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi.

  • Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Zef Deda

    Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Zef Deda

    Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori i njohur Julian Deda.

    Ai prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Deda ka vdekur në Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.

    Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si ‘Charlie Chaplin’ i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore.

    Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.

    Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj./tvklan.al

  • Presidenti Macron dekoron poetin Lulzim Tafa me urdhrin e lartë “Oficer i letrave dhe arteve”

    Presidenti Macron dekoron poetin Lulzim Tafa me urdhrin e lartë “Oficer i letrave dhe arteve”

    Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.

    Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.

    “Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.

    Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.

    Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes. Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën.

    Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.

    Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.

    Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.

    Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë.

  • Promovohet libri “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”

    Promovohet libri “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Me një kopertinë që shfaq një fije shkrepëse që digjet, fije shkrepëse që ka në krye një kokë njeriu, simbolikisht- shqiptarët që humbën jetën 8 dekada më parë, është botimi i radhës i autorit Uran Butka.

    Sipas Butkës, në librin “Lufta civile në Shqipëri, vitet 1943 – 1945”, ka të pathëna të historisë.

    Sipas historianit Muhamet Mala, në librin “Lufta civile në Shqipëri 1943 – 1945”, detajet janë të mbështetura në burime të besueshme.

    “Përmban një realitet tjetër, shkence dhe nuk mjaftohet me atë që ka thënë një ideologji. E ky libër është tendencë për ta treguar një realitet të mbështetur në burime dhe interpretime”, tha Muhamet Mala, historian.

    Duke e vlerësuar si vepër të rëndësishme, drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, tha se autori Butka e ka përshkruar më së miri periudhën e luftës civile.

    Përveç librit të tij, Butka është duke punuar në veprat e Mit’hat Frashërit, të cilat do t’i botojë në 12 vëllime.

  • Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

    Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

    Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 115 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

    Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

    Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit 1908. Aty morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

    Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

    Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

    Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

    Për shqiptarët e Maqedonisë kjo është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

  • Dita Botërore e Televizionit

    Dita Botërore e Televizionit

    Sot shënohet Dita Botërore e Televizionit.

    Kjo ditë simbolizon komunikim dhe globalizimin në botën bashkëkohore.

    Kjo ditë është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë, institucionet kryesore të industrisë mediale, Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe EGTA Asociacionin e Radio Televizioneve me bazë në Bruksel.

  • “Ninullë” nderohet me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

    “Ninullë” nderohet me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

    Filmi “Ninullë” i regjisorit të ri shqiptar nga Zvicra, Adrian Asllani, ka rrëmbyer tri çmime në festivalin e filmit në Zvicër, “Zuger Filmtage”.

    Regjisori i filmit, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ALARM në ATV, tregoi se filmi “Ninullë” është edhe projekti i tij serioz të cilin e ka bërë me vet financim.

    Ai tha se për të ka qenë shumë me rëndësi edhe pjesëmarrja në festivalet “PriFest” dhe “Atlanta Film Festival”, ndërsa nuk ka pritur që të ketë kaq shumë jehonë edhe në festivalin “Zuger Filmtage”.

    “Unë jam gëzuar shumë kur i kam marrë çmimet, se për mua ky projekt ka qenë një projekt shumë i veçantë sepse ka qenë projekti i parë në Kosovë që e kam realizu. Është filmi i parë me të cilin kam marrë çmime, dhe thuajse është filmi i parë i imi seioz, sepse përpara kam bërë më shumë filma të shkurtër, por me mjete më të thjeshta, me mundësitë që i kemi pasë, thuajse pa para e pa buxhet. Ky ka qenë projekti i parë që me seriozitet kam punuar dhe jam përkushtuar shumë dhe për mua pjesëmarrja nëpër festivale, edhe në “PriFest” që isha në Kosovë, edhe në “Atlanta Film Festival” në SHBA, tash edhe në “Zuger Filmtage”, nuk e kam pritur që ka me pasë ky film këtë jehonë”, tha Asllani.

    Ai thotë se filmi është bërë me një buxhet modest, si vet financim, por për të ka qenë më me rëndësi që të paguhen njerëzit të cilët kanë kontribuuar në këtë film.

    “E kam vet financuar filmin, me do para. Në fakt nuk e kam pasë buxhetin shumë të lartë, por me ato mjete që kam pasë mundësi… për mua ka qenë me rëndësi që t’i paguaj njerëzit. Për mua, filmi, arti është shumë shtrenjtë për me e krijua, për shkak të teknikës. Shpeshherë, për shkak të teknikës për shkak të pasionit të madh, mundohet njeriu me i ulë çmimet edhe me e ba një kompromis, sidomos kur është i vetë financuem, por për mua ka qenë me rëndësi që t’i paguaj njerëzit dhe me ato mjete që i kam me i pagu mirë edhe me i trajtu mirë”, u shpreh regjisori Asllani. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë në ALARM e gjeni në videon më poshtë: