ATV

Category: KULTURË

  • Posta e Kosovës nderon Edi Shukriun

    Posta e Kosovës nderon Edi Shukriun

    Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare dedikuar njërës nga femrat më emblemike të Kosovës, Edi Shukriu.

    Edi Shukriu ishte akademike dhe njëra nga arkeologet dhe historianet e para, por edhe emër i njohur dhe i çmuar në lëmin e letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

    Ajo u lind në Prizren në vitin 1950. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit 1972, ku po ashtu i përfundoi edhe studimet master në vitin 1979.

    Doktoroi në Universitetin e Prishtinës 1990.

    Në Muzeun e Kosovës ka punuar nga viti 1974 deri në vitin 1979, dhe vazhdoi me angazhimin në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e profesoreshës në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.

    Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj.

    Nga viti 2014, u emërua anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

    Më 17 janar 2023 ndërroi jetë në Prishtinë, duke lënë në trashëgimi vepra të shumta nga arkeologjia, historia dhe letërsia.

    Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë kulturore, u dekorua me çmimin “Dea Dardanica” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), si dhe me çmime të shumta për krijimtari letrare.

  • Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit, vajza e tij tregon amanetin që i la

    Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit, vajza e tij tregon amanetin që i la

    Vajza e aktorit të njohur Mirush Kabashi, Mendi Kabashi gjatë një interviste të zhvilluar së fundmi ka zbuluar amanetin e fundit që i la i ati.

    Ajo tha se vazhdimësia në art pas ikjes së tij, ishe edhe dëshira e tij e fundit.

    “Luftoi shumë deri në fund, luftonte për ne, për publikun. Skena ishte jeta e tij. Nuk ishte vetëm profesion por pjesa e jetës. Gjatë gjithë kohës ishte duke përsëritur tekstet, ishte shumë i apasionuar pas kësaj.

    Publiku ishte familja e tij e madhe. U jam shumë mirënjohëse të gjithëve që e kanë mbështetur. Për ne ai ka lënë pasurinë më të madhe në botë që është emri. Kemi qenë shumë të lidhur. Jeta e tij ndahej midis skenës dhe familjes. Me Mirushin nuk ishim vetëm babë e bij por ishim dhe shokë. Unë kam mësuar shumë nga ai. Mirushi thoshte gjithmonë duhet 99% punë dhe 1% talent”, është shprehur vajza e tij.

    “Pasioni që përkushtohej dhe në gjëra të vogla, që e bëri atë një njeri shumë të madh. Ka qenë gjithmonë krenari e madhe sa herë thosha mbiemrin tim. Ne kuptoheshim pa folur. Unë artin e kam pasur shumë pasion por nuk e çova deri në fund ëndrrën time. Mirushi kishte tjera plane për mua dhe unë nuk doja ta mërzisja. Nuk jam bërë pishman, por kjo s’do të thotë se jam vonë. Deri në momentin e fundit më tha do iki unë por do jesh ti, ti do jesh ajo që do më zevëndësosh”- tha ajo.

  • Për herë të katërt në librin “Guinness”, Arbnora Idrizi: Jam krenare që flamuri kombëtar ka hyrë në rekordin si projekti më i madh në botë

    Për herë të katërt në librin “Guinness”, Arbnora Idrizi: Jam krenare që flamuri kombëtar ka hyrë në rekordin si projekti më i madh në botë

    Aktivistja nga qyteti i Skenderajt, Arbnora Idrizi ka arritur të futet në Librin e Rekodeve ‘Guinness’ për të katërtën herë.

    Ajo ka vendosur një rekord të ri në librin e rekordeve Guinness, përmes punimit të Flamurit Kombëtar prej 120 mijë letrave origami të cilën e punoi më 28 nëntor për nder të Ditës së Flamurit, shkruan Sinjali.

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, aktivistja Arbnora Idrizi tha se për të ka qenë një emocion i jashtëzakonshmë, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për flamurin kombëtar që tani ka hyrë në rekordet e ‘Guinness’ si projekti më i madh në botë.

    “Me thanë të drejtën, mbrëmë isha në një emision në një televizion në Shqipëri, dhe në ato momente me erdhi e-maili që nga Guinness -i që tashmë “je përzgjedhur fituese e Guinness-it”. Ka qenë një emocion i pa përshkruar në atë çast sa që nuk e kam pritur që do të vijë një lajm aq i mirë. Kështu që është një ndjenjë e jashtëzakonshme se një punë e madhe, punë gjigande ku ndoshta bëhet përgatitje me vite, po shpërblehet dhe po certifikohet nga zyrtarët Guinness, sidomos flamuri kombëtar ku ne të gjithë jemi rritur me dashurinë ndaj këtij flamuri dhe kam dashur që ky projekt të jetë më i madhi në botë dhe të jetë më i veçantë. Jam shumë e lumtur për këtë arritje”, tha Idrizi.

    Ajo tregoi se për dallim nga projektet e mëparshme, për realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetje nga institucionet.

    “Kam pasur një mbështetje nga Ministria e Kulturës në Prishtinë, ku kisha dashtë me i falënderua shumë se kësaj radhe më kanë mbështetë pak më mirë edhe pse, për me e realizu një projekt të jashtëzakonshëm, patjetër që është një kosto mjaft e lartë dhe mezi e arrin me e finalizua projektin, mirëpo ka qenë një mbështetje pak më e mirë. Kam pasur mbështetje edhe nga disa sponsorë, nga komuna kam siguruar vetëm hapësirën publike ku kam bërë kërkesë për arsye se në Kosovë ka qenë e pamundur të gjendet një hapësirë e tillë, 1300 metra katrorë”, tha Idrizi.

    Për realizimin e projektit të flamurit kombëtar, ajo tregon se janë realizuar 1.2 milionë palosje të letrës.

    Arti ‘Origami’ nuk e praktikojnë shumë në Kosovë dhe jam e vetmja që e kam praktiku dhe e kam zhvillu deri te rekordet botërore. Është një teknikë mjaft e veshtarë për tu realizuar. Në fillim duket shumë e thjeshtë, mirëpo ato palosje, teknikat e punës janë mjaft delikate. Përmes letrës, ti mundesh me realizua diçka të bukur dhe të jashtëzakonshme, siç kam realizu edhe unë projektin e jashtëzakonshëm, flamurin kombëtar me 1 milion e 200 mijë palosje letër, 1300 metra katrorë, ku me thënë të drejtën ka qenë e jashtëzakonshme. Pa dyshim ka qenë shumë e vështirë sepse së pari, në aplikimin e rekordit botëror, ti duhet me e paraqit projektin tuaj, ku, çfarë po synon dhe a pranohet te zyrtarët pjesa e letrës dhe projekti. Pastaj, përgatitja e letrës, ngjyrosja e letrës ku është bërë në fabrikën ‘EuroPrint” në Prishtinë,, ku kisha dashtë me i falënderua për arsye se ka qenë shumë e vështirë të sigurohet një letër e tillë. Me qenes e në rekordin botëror, ti duhet me e pasë një letër origami, rezistente, e butë dhe që palohet lehtë. Kështu që një muaj është dashur përgatitje për letrën për flamur, ku më kanë ndihmuar edhe nxënësit e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë 50 mijë pjesë, ndërsa 70 mijë copa i kam punuar vetë me disa familjarë të mi”, tregoi Idrizi. /atvlive.tv

  • 43 vjet pa ikonën e fuqishme të muzikës, John Lennon

    43 vjet pa ikonën e fuqishme të muzikës, John Lennon

    ”I just shot John Lennon” (”Sapo kam qëlluar John Lennon”), ishin fjalët të shqiptuara me ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, nga Mark David Chapman, i cili i dha fund jetës së ish-Beatles.

    Lennon kishte mbushur 40 vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor.

    Dhe 43 vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe veçanërisht një brez, e cili ishte rritur duke u ushqyer me idealet e paqes, që gjithashtu frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm ”’Imagine”’ (1971), kënga me të njëjtin titull i të cilit u shndërrua në një himn ndërkombëtar të pacifizmit.

    Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqëria e bashkëshortes, Yoko Ono, pasi të dy po ktheheshin në banesën e tyre, brenda ndërtesës ”Dakota”, përballë njërës prej hyrjeve në Parkun Qendror, në rrugën 72.

    Atë mëngjes fotografja e famshme e portreteve, Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një set fotografik për kopertinën e revistës ”Rolling Stone” dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon krejtësisht i zhveshur përqafon dhe puth Onon, e veshur plotësisht në të zeza.

    Rreth orës 22:50, Chapman u afrua në hyrje të ndërtesës ”Dakota”.

    Pas hyrjes së Lennon me Ono, ai nxori një pistoletë të kalibrit 0,38 milimetra dhe gjuajti me pesë fishekë.

    Katër prej tyre kapën Lennon në shpinë, ndërsa një shpoi aortën. Ish-Beatle mezi shqiptoi fjalën ”Më qëlluan…”, para se të ndërronte jetë.

    Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në spitalin ”Roosevelt”, ku u shpall i vdekur në orën 23:15.

    Në 1969 Lennon kishte thënë se ”nuk kam frikë të vdes”.

    Sidoqoftë, 40 vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat.

    Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme ndonjëherë prodhuar nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit për paqen ndryshoi botën. / KultPlus.com

  • ​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

    ​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

    Festivali Tipologjik Folklorik Kombëtar po mbahet aktualisht në Libohovë nën autoritetin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

    Eventi folklorik që vjen në edicionin e tij të 15-të këtë vit sjell bashkë grupe nga shumë treva me qëllim evidentimin edhe të qyteteve më vegjël, krahinave me karakteristika të veçanta etnografike kostumeve, riteve tradicionale dhe pasurinë e botës materiale që i shoqëron ato.

    “Ne jemi përpjekur që pjesë e festivalit të jenë të gjitha trevat, të gjitha zonat që e interpretojnë polifoninë kështu që në këtë skenë do kemi të përfaqësuar jo vetëm zonën e Labërisë por edhe qyteza e fshatra më të vegjël e kultivojnë shumëzërëshin. Jemi përpjekur që të sjellim një program që nuk është i ezauzuar dhe i njohur nga publiku dhe siç u pa kemi prurje shumë të mira”, tha Niko Kotherja, kreu i Qendrës së Veprimtarive Tradicionale.

    Grupet pjesëmarrëse po prezantohen me disa prej aseteve të folklorit dhe isopolifonisë së Jugut që nga polifonia e bregut e këngët e Neço Mukës deri tek vajet e rralla të korit të grave të moshuara të Selosë.

    Guri Rokaj dhe grupi i tij nga Mallakastra sollën në festival motive të restauruara të kostumeve dhe një grup më të kompletuar në numër artisësh si dhe prurje të dedikuara folklorike.

    “Sot për Libohovën e Avni Rustemit do të sjellim dy këngë epike dhe një këngë humoristike. Përveç këngëve ne sjellim kostumet që janë pasqyra dhe karakteri i çdo grupi si pjesë e identitetit të kombit shqiptar,” tha Guri Rokaj nga grupi i Mallakastrës.

    Grupi i Himarës prej 40 vjetësh përcjell traditën e folklorit qindravjeçar të bregdetit. Katina Beleri marrëse e grupit flet për emocionet që përcjell shumëzërëshi i Himarës.

    “Jemi grupi polifonik i Himarës që e përfaqëson këtë zonë prej 40 vjetësh. Në këtë festival sjellim tri këngë, njëra e Neço Mukës, një tjetër këngë të vjetër “Erdhi prilli shkriu bora” dhe këngën e Amazonës që na i kërkojnë përherë,” u shpreh Katina Beleri nga grupi i Himarës.

    Festivali që zhvillohet çdo dy vjet evidenton edhe larminë me karakter etnik të prurjeve folklorike.

    Përzgjedhja e Libohovës për mbajtjen e eventit të këtij viti ishte në funksion të njohjes të qendrave në dukje të vogla administrative por që janë bartëse burimore të folklorit. Eventi i këtij viti po dallohet për numrin e madh të të rinjve dhe për risjelljen e disa prej motiveve të përcjella që prej mesjetës së vonë. /tch

  • Vepra e artistit kosovar mbulon krahët e aeroplanit gjigant Boeing 737

    Vepra e artistit kosovar mbulon krahët e aeroplanit gjigant Boeing 737

    Artisti i njohur nga Kosova, Petrit Halilaj, që jeton në Berlin, po vazhdon të prezantojë projektet e tij të suksesshme nëpër botë.

    Mbishkrimi “Nga Runiku me dashni”, vepra e tij tani mbulon krahët e aeroplanit gjigant Boeing 737 të Aeromexico, dhe kështu fluturon nëpër shumë vende të botës.

    Bëhet fjalë për pikturën e pulave nga fshati i artisti Runik, vepër kjo që është pjesë e ekspozitës së tij „Runik“‚ në Ameriken Latine, në Muzeun Tamayo te Meksikes, e cila është e hapur deri më 7 prill 2024, raporton Albinfo.ch.

    Fotot e avionit me veprën e artistit kosovar Petrit Halilaj i ka ndarë në Instagram edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkruan:

    „Krahët e aeroplanit Boeing 737 të kompanisë ajrore Aeromexico u mbuluan me veprën e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Aeroplani fluturoi mbi Meksikën, Brazilin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikes, duke i dhënë krahë veprë së Halilajt. Me mbishkrimin „Nga Runiku me dashni!“ pulat e fshatit të Runikut, Komuna e Skenderajt, fshatit të artistit, të cilat i trajton shpesh në veprën e tij, fluturuan të lira në tre shtete e dy kontinente, sfiduan ligjet e natyrës, rrethanat politike e pengesat geografike“, shkruan Kurti.

    Përveç suskesve të shumta që arriti në botë, para disa muajve Petriti Halilaj u zgjodh edhe anëtar i Akademisë së Artit Botëror në Koln të Gjermanisë.

  • ​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

    ​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

    Figura e papërsëritshme e Pjetër Bogdanit përbën një nga stadet më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare ndër shekuj.

    Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin 17.

    Pjetër Bogdani prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe filozof, u lind në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac – Bullgari. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes.

    Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike. Aty mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor.

    Më pas emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit 1663–1664.

    Më 1675 shkruan librin “Çeta e profetëve” dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit “Propagandës së Fidesë” për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit. Në 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim.

    Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull ndryshe.

    Libri “Cuneus Prophetarum” apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare.

    Pjetër Bogdani ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë.

  • Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

    Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

    Ka vdekur në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi. 

    Aktori lindi më 17 prill të 1948, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma lëvizës.

    Kush ishte Mirush Kabashi

    Ai ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

    Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

    Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

  • Parlamenti Evropian para 32 vjetësh i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov

    Parlamenti Evropian para 32 vjetësh i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov

    Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

    Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.”

    Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.

    Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

    Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

    Në shkurt 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994, u kandidua sërish – tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos.

    Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencës paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.

    Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.

    Është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

    Në vitin 1958 është dënuar me 5 vjet burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

    Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

    Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

    Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

    Demaçi ishte autor i disa librave: “Fërkime”, “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli e Mimoza”, “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Dashuria Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”, “Politika”, “Pushka” dhe “Tung vargu im”. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018.

  • Vushtrria mirëpret “Takimet e poeteshave shqiptare” – Fituese e edicionit të 41-të është Leonora Lokaj

    Vushtrria mirëpret “Takimet e poeteshave shqiptare” – Fituese e edicionit të 41-të është Leonora Lokaj

    Në Vushtrri është mbajtur edicioni i 41-të tradicional mbarëshqiptar i poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare”, i cili ka mbledhur poeteshat nga të gjitha trojet shqiptare, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë eveniment kulturor-artistik, pjesëmarrës ishin 21 poetesha të cilat recituan poezitë e tyre dhe u vlerësuan nga një juri profesionale.

    Në hapje të manifestimit garues, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur se si ky festival tradicional i poezisë është mbajtur për dekada të tëra nëpër periudha të vështira.

    Idrizi tha se Vushtrria mund të quhet qytet i poezisë.

    “Jam shumë i nderuar që sonte në prezencën tuaj i shpalli të hapura festivalin e poezisë, festival i cili kishte filluar në kohërat më të vështira përmes vargjeve të shkruara, përmes kësaj gjinie të bukur letrare në atë kohë të vështirë të shpreh rezistencën e kësaj pjese të intelektualëve për të vazhduar për t’u bërë tradicional, që i mbledh poeteshat shqiptare anë kënd globit për të sjellë poezinë e bukur shqipe”, u shpreh Idrizi.

    Fituese e këtij edicioni u shpall Leonora Lokaj me poezinë e titulluar “Kallnorët e dhimbtes”.

    Ajo, për Ekonomia Online u shpreh e lumtur që arriti të shpallet fituese në mesin e 21 poeteshave.

    “Po sot pata fatin në mesin e të gjitha këtyre poeteve që unë ta marr trofeun kryesor dhe është një motiv shtesë drejtë veprimtarisë kulturore. Poezia ime ‘Kallnorët e dhimbtes’ i kushtohet një muaji të veçantë që secili gjatë jetës mund ta përjetojë një humbje dhe të jetojë gjatë gjithë jetës duke mos e harruar nga shpirti”.