ATV

Category: KULTURË

  • Filmi “Dua” i Blerta Bashollit prezantohet sonte në Festivalin FEMA në Francë

    Filmi “Dua” i Blerta Bashollit prezantohet sonte në Festivalin FEMA në Francë

    Filmi artistik me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji të regjisores kosovare Blerta Basholli, do të shfaqet sonte në edicionin e 54-t të Festivalit FEMA në Francë.

    Shfaqja është planifikuar të nisë në orën 20:30, ku filmi do të prezantohet para publikut ndërkombëtar të festivalit. “Dua” vjen pas suksesit të arritur në Festivalin e Kanës, ku u nderua me çmimin SACD Semaine de la Critique – Cannes 2026.

    Sipas organizatorëve, pas prezantimit në festival, filmi pritet të nisë së shpejti edhe shfaqjet në kinema.

    Ngjarja zhvillohet në Kosovën e viteve ’90 dhe sjell historinë e popullit shqiptar përmes personazhit kryesor, Dua, rol i interpretuar nga aktorja Pinea Matoshi.

  • Romain Gavras do të sjellë në film grabitjen misterioze të Luvrit

    Romain Gavras do të sjellë në film grabitjen misterioze të Luvrit

    Romain Gavras do të realizojë një film të bazuar në grabitjen e famshme të bizhuterive me vlerë rreth 100 milionë euro nga Muzeu i Luvrit, një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve të fundit në Francë.

    Projekti do të mbështetet në librin investigativ Main basse sur le Louvre, i cili trajton detajet dhe prapaskenat e grabitjes së ndodhur më 19 tetor 2025. Të drejtat për adaptimin filmik janë blerë nga kompania e produksionit Iconoclast.

    Edhe pse autoritetet kanë arrestuar disa nga të dyshuarit kryesorë pas një hetimi disamujor, bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur, duke e kthyer rastin në një nga misteret më të mëdha kriminale në Francë.

    Sipas autorëve të librit, grabitja tregon se vjedhja e veprave të artit dhe objekteve me vlerë është kthyer në një biznes të organizuar dhe shumë fitimprurës për botën e krimit.

    Detajet për kastin dhe titullin e filmit ende nuk janë zbuluar, por projekti tashmë ka nisur fazën e zhvillimit dhe pritet të tërheqë vëmendje të madhe në botën e kinemasë.

  • Qershori i Bekim Fehmiut – 90 vjet nga lindja e ikonës së kinematografisë shqiptare

    Qershori i Bekim Fehmiut – 90 vjet nga lindja e ikonës së kinematografisë shqiptare

    Në 90-vjetorin e lindjes së Bekim Fehmiu, rikthehet kujtimi për një nga figurat më të mëdha të kinematografisë shqiptare dhe asaj botërore. I lindur më 1 qershor 1936 në Sarajevë, Fehmiu u rrit mes Shkodrës dhe Prizrenit, qytet me të cilin lidhi një pjesë të madhe të jetës dhe kujtimeve të tij.

    Hapat e parë në aktrim i bëri që në rini, ndërsa më vonë u bë aktori i parë shqiptar i diplomuar në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd. Talentin e tij e dëshmoi shpejt në teatër dhe film, duke arritur të depërtojë në skenën ndërkombëtare në një kohë kur kjo ishte pothuajse e pamundur për një aktor shqiptar.

    Roli i tij në Mbledhësit e Puplave dhe seriali Odiseu e kthyen në një emër të njohur ndërkombëtarisht. Ai luajti në shumë vende të botës dhe përkrah emrave më të mëdhenj të filmit, duke u bërë një nga aktorët shqiptarë me përmasa globale.

    Megjithatë, pavarësisht suksesit të madh, Bekim Fehmiu mbeti një figurë që shpesh u la në heshtje në vendin e tij. Ai u nda nga jeta në vitin 2010, por emri dhe vepra e tij vazhdojnë të mbeten simbol i talentit, dinjitetit dhe artit shqiptar.

    Sepse artistë si Bekim Fehmiu nuk largohen kurrë plotësisht — ata mbeten të gjallë në çdo skenë, film dhe kujtim që vazhdon t’i duartrokasë koha.

  • Rita Ora pjesë e dokumentarit “Jail Time Records”, filmi debuton në Tribeca Festival

    Rita Ora pjesë e dokumentarit “Jail Time Records”, filmi debuton në Tribeca Festival

    Rita Ora është pjesë e ekipit të producentëve ekzekutivë të dokumentarit Jail Time Records, i cili do të ketë premierën botërore në kuadër të Tribeca Festival.

    Dokumentari sjell një histori të veçantë nga Burgu Qendror i Doualës në Kamerun, ku një grup të burgosurish krijojnë muzikë brenda një studioje regjistrimi të ndërtuar në ambientet e burgut. Filmi ndjek rrugëtimin e tyre artistik dhe mënyrën se si muzika shndërrohet në shpresë dhe motivim edhe në kushte të vështira jetese.

    Përveç Rita Orës, në mesin e producentëve ekzekutivë është edhe Taika Waititi. Dokumentari është realizuar nga regjisorët Dione Roach dhe Steve Happi, të cilët fokusohen te fuqia që muzika ka për të ndryshuar dhe bashkuar njerëzit.

    “Jail Time Records” do të shfaqet në disa seanca gjatë Tribeca Festival në New York, duke sjellë para publikut një histori ndryshe për artin, shpresën dhe jetën pas mureve të burgut.

  • Robert De Niro ndan filmat që kanë lënë gjurmë në jetën e tij artistike

    Robert De Niro ndan filmat që kanë lënë gjurmë në jetën e tij artistike

    Robert De Niro ka zbuluar disa nga filmat që kanë ndikuar më së shumti në rrugëtimin e tij artistik gjatë një vizite në “Criterion Closet”, hapësira e njohur e koleksionit filmik të “The Criterion Collection”.

    Mes filmave që ai përzgjodhi ishin klasikë të njohur italianë si Big Deal on Madonna Street, Mafioso dhe Divorce Italian Style, për të cilët foli me shumë admirim. De Niro tregoi gjithashtu se kishte biseduar me Martin Scorsese për mundësinë e realizimit të një versioni të ri të filmit “Mafioso”.

    Aktori ndau kujtime edhe nga përvoja e tij në filmin One Hundred and One Nights të regjisores Agnès Varda, ku një nga sfidat më të mëdha për të kishte qenë të fliste frëngjisht përkrah aktores Catherine Deneuve.

    Në fund, De Niro zbuloi se filmi i tij i preferuar nga regjisori legjendar Federico Fellini mbetet La Dolce Vita, duke kujtuar emocionet kur pati rastin ta shihte vetë Fellinin në premierën e filmit në Nju Jork.

    “Criterion Closet” vazhdon të mbetet një nga formatet më të dashura për adhuruesit e kinemasë, ku emra të mëdhenj të industrisë ndajnë filmat që kanë ndikuar në jetën dhe karrierën e tyre.

  • Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Prizreni do të mirëpresë edhe këtë verë edicionin e katërt të festivalit “Prizren Rock n Blues Fest”, i cili do të mbahet më 3, 4 dhe 5 korrik, me premtimin për një program më të madh dhe plot befasi për publikun.

    Në tri net magjike, në dy skena gjigante, në lokacionin përballë kompleksit sportiv Sezai Surroi, ngjiten virtuozët vendorë dhe ndërkombëtarë të skenës së rock-ut dhe blues-it.

    Dire Straits Legacy vjen me ritmet e paharruara të rock-ut botëror.

    Telex, gjigantët e rock-ut dhe funk-ut nga Shkupi, rikthejnë hitet evergreen në skenë pas shumë vitesh.

    Rock-bendi i njohur turk Kolpa vjen për herë të parë për një performancë të paharruar në vendin më të bukur, në Prizren.

    Jo vetëm kaq.

    Në skenë rikthehen ritmet e kolosëve të muzikës rock, me performancat e Led Zeppelin 2 dhe Attitude Guns N’ Roses Band.

    Bombastik si asnjëherë më parë, grupi i njohur TNT sjell muzikën autentike.

    BB Poqi, në jubileun e tij të 40-të, do të sjellë performanca të paharruara.

    3 Mosketjerët do të dëshmojnë simbiozën fantastike të tri legjendave të muzikës shqiptare rock.

    Në skenën e madhe të Prizren Rock n Blues ngjiten edhe Zwada, Hawolf, Rool, Urban Band, Flawia Zere, Beska and All Star Band dhe Dolludizgin.

    Më 3, 4 dhe 5 korrik, tri net energjike, në lokacionin përballë sallës Sezai Surroi, nën qiellin e hapur, në vendin më të bukur, në Prizren.

  • Steven Spielberg kundër përdorimit të AI në film: “Arti nuk krijohet pa shpirt njerëzor”

    Steven Spielberg kundër përdorimit të AI në film: “Arti nuk krijohet pa shpirt njerëzor”

    Steven Spielberg ka shprehur shqetësimin e tij për përdorimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit, duke theksuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë krijimtarinë njerëzore.

    Gjatë një interviste në podcast-in “IMO”, të moderuar nga Michelle Obama dhe Craig Robinson, regjisori legjendar tha se AI mund të ndihmojë në aspektet teknike të produksionit, por jo në procesin artistik të krijimit të filmave.

    Sipas Spielberg, inteligjenca artificiale mund të përdoret si mjet ndihmës për kërkime apo organizim teknik, por nuk duhet të marrë rolin e skenaristëve dhe krijuesve. Ai theksoi se filmat burojnë nga përvoja, ndjeshmëria dhe emocionet njerëzore, gjëra që teknologjia nuk mund t’i kopjojë.

    Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Leonardo DiCaprio, i cili më herët kishte deklaruar se inteligjenca artificiale nuk është në gjendje të krijojë art autentik, pasi i mungon humaniteti.

    Debati mbi përdorimin e AI në Hollywood po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërsa shumë figura të industrisë po kërkojnë kufizime në përdorimin e saj në proceset krijuese të kinemasë.

  • Dokumentari i ri për Michael Jackson shkakton reagime të forta ndaj Netflix

    Dokumentari i ri për Michael Jackson shkakton reagime të forta ndaj Netflix

    Netflix është përballur me kritika dhe reagime të shumta në rrjetet sociale pas paralajmërimit të dokumentarit të ri Michael Jackson: The Verdict, i cili rikthen në vëmendje gjyqin e famshëm të Michael Jackson.

    Dokumentari fokusohet në procesin gjyqësor të vitit 2003, kur artisti u akuzua për abuzim seksual ndaj të miturve, një rast që në atë kohë mori vëmendje të madhe mediatike në mbarë botën. Në projekt përfshihen rrëfime dhe dëshmi nga persona që kanë qenë pjesë e procesit, përfshirë anëtarë të jurisë, dëshmitarë dhe mbrojtës të këngëtarit.

    Megjithatë, publikimi i dokumentarit ka nxitur reagime të shumta nga fansat e Michael Jackson, të cilët e kanë konsideruar të papërshtatshëm momentin e publikimit, vetëm pak kohë pas daljes së filmit biografik për jetën e artistit.

    Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë rikujtuar faktin se Jackson ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata, ndërsa disa të tjerë kanë akuzuar Netflix-in se po përfiton nga rikthimi i interesit për figurën e tij.

    Nga ana tjetër, regjisori Nick Green dhe producentja Fiona Stourton kanë deklaruar se dokumentari synon të sjellë një pasqyrë më të plotë dhe objektive të procesit gjyqësor, duke treguar detaje që publiku nuk pati mundësi t’i shihte gjatë kohës së gjyqit.

  • Netflix i jep fund “Emily in Paris”, seriali mbyllet me sezonin e gjashtë

    Netflix i jep fund “Emily in Paris”, seriali mbyllet me sezonin e gjashtë

    Emily in Paris do të përfundojë zyrtarisht pas sezonit të gjashtë, duke i dhënë fund një prej serialeve më të ndjekura dhe më të komentuara të viteve të fundit në Netflix.

    Lajmi është konfirmuar nga krijuesi i serialit, Darren Star, i cili falënderoi publikun për mbështetjen dhe dashurinë që i kanë dhënë historisë së Emily Cooper ndër vite.

    Seriali ndjek jetën e Emily-t, një vajzë amerikane nga Çikago, e interpretuar nga Lily Collins, e cila zhvendoset në Paris për punë dhe përballet me sfida të ndryshme mes karrierës, dashurisë dhe jetës sociale në kryeqytetin francez.

    Sipas Netflix, xhirimet për sezonin final tashmë kanë nisur në Greqi, ndërsa një pjesë e skenave do të realizohen edhe në Paris dhe Monako. Sezoni i ri pritet të vazhdojë historinë e lënë pezull në fund të sezonit të pestë, ku Gabriel, personazhi i luajtur nga Lucas Bravo, e fton Emily-n në një udhëtim romantik në Greqi.

    Që nga publikimi në vitin 2020, “Emily in Paris” është kthyer në një fenomen global, duke frymëzuar trende mode, meme dhe interes të madh për Parisin. Megjithatë, seriali është përballur edhe me kritika për mënyrën e idealizuar dhe stereotipike me të cilën e paraqet jetën në Francë.

  • “Star Wars: The Mandalorian and Grogu” debuton me 165 milionë dollarë në arkat botërore

    “Star Wars: The Mandalorian and Grogu” debuton me 165 milionë dollarë në arkat botërore

    Star Wars: The Mandalorian and Grogu ka nisur me sukses rrugëtimin në kinematë botërore, duke arritur të grumbullojë rreth 165 milionë dollarë nga shitja e biletave në mbarë globin.

    Nga ky total, mbi 102 milionë dollarë janë siguruar vetëm nga tregu i Amerikës së Veriut, konkretisht në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, sipas të dhënave të publikuara nga Disney.

    Megjithëse filmi ka tejkaluar pritshmëritë e fundjavës së parë, ai shënon njëkohësisht hapjen më të ulët për një film të sagës “Star Wars” nën produksionin e Disney.

    Saga ikonike “Star Wars” nisi me historinë e Luke Skywalker, një djalosh fermer që përfshihet në luftën kundër Perandorisë Galaktike, ndërsa përpiqet të shpëtojë Princeshën Leia dhe të kuptojë fuqinë misterioze të njohur si “Forca”.