ATV

Category: KULTURË

  • “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    “Vushtrria Code Fest 2026” sjell dy ditë inovacion, robotikë dhe inteligjencë artificiale

    Komuna e Vushtrrisë do të organizojë më 23 dhe 24 qershor festivalin “Vushtrria Code Fest 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit për të rinjtë në Kosovë.

    Panairi i Inovacionit do të mbahet më 23 qershor, nga ora 10:00 deri në 14:00, në Shtëpia e Kulturës Hasan Prishtina, ndërsa Gala Mbrëmja dhe ceremonia përmbyllëse do të zhvillohen më 24 qershor, nga ora 19:00, në Sheshi i Qytetit.

    “Vushtrria Code Fest 2026” synon të promovojë talentet e reja, të nxisë inovacionin dhe të zhvillojë aftësitë teknologjike te gjeneratat e reja, duke krijuar një platformë ku të rinjtë mund të shpalosin kreativitetin dhe potencialin e tyre në fushën e teknologjisë.

  • Sot hapet Panairi i Librit në Prishtinë

    Sot hapet Panairi i Librit në Prishtinë

    Të gjithë pasionantët e librit takohen sot në Prishtinë në kryengjarjen e fushës së librit shqip, pasi Panairi i 26-të i Librit “Prishtina 2026” hap dyert me ceremoninë që fillon në orën 12:00.

    Me moton “Libri hap botën”, në këtë panair marrin pjesë mbi 60 botues shqiptarë, ku numri i titujve të rinj është rreth 2000, derisa numri i titujve të viteve të fundit rreth 6000.

    Edicioni i 26-të i Panairit përfshin mbi 40 aktivitete, ku i ftuar nderi është shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate, do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librar.

    Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike dhe intelektuale të Kosovës.

    Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00, dhe do të mbyllet më 21 qershor në orën 19:00.

    Edicioni i 26-të i Panairit të Librit, organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

  • Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Sonte, Prishtina mirëpret ekspozitën “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”

    Galeria Qahili sonte do të hapë ekspozitën shëtitëse “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”, një ngjarje e veçantë kulturore që sjell për herë të parë në Kosovë vepra të certifikuara të piktorit të njohur italian Amedeo Modigliani.

    Hapja e ekspozitës do të mbahet sonte 2026, duke filluar nga ora 18:30, ndërsa publiku do të ketë mundësinë ta vizitojë deri më 26 qershor.

    Sipas organizatorëve, ekspozita do të prezantojë pesë vepra të certifikuara të Modiglianit, të vendosura përkrah punimeve të artistëve shqiptarë. Ky koncept synon të krijojë një dialog artistik mes modernizmit evropian dhe artit pamor shqiptar, duke nxjerrë në pah ngjashmëri dhe ndikime estetike që tejkalojnë kufijtë kohorë dhe gjeografikë.

    Ekspozita fton vizitorët të eksplorojnë lidhjet emocionale, konceptuale dhe artistike ndërmjet krijimtarisë së Modiglianit dhe autorëve shqiptarë, duke e shndërruar artin në një urë komunikimi mes kulturave dhe brezave.

    Ngjarja pritet të zgjojë interesim të veçantë te artdashësit dhe komuniteti artistik, pasi sjell në Prishtinë një prej emrave më të njohur të artit modern evropian, në një format ekspozues që ndërthur trashëgiminë ndërkombëtare me krijimtarinë vendore.

  • Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Rame Lahaj për të gjashtin vit me radhë do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”

    Për të gjashtin vit radhazi, Rame Lahaj, tenori ynë me famë ndërkombëtare dhe njëkohësisht themeluesi i festivalit, do të ngjitet në skenën e Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, mbrëmjes që është bërë simbol i festivalit dhe një nga ngjarjet artistike më të rëndësishme të verës në Kosovë.

    I afirmuar në disa prej institucioneve më prestigjioze operistike në botë, nga Royal Opera House dhe Opéra National de Paris deri te Arena di Verona, Deutsche Oper Berlin dhe Bolshoi Theatre, Lahaj ka ndërtuar një karrierë që e ka shndërruar në një prej ambasadorëve më të njohur kulturorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Kur themeloi Rame Lahaj International Opera Festival, vizioni i tij ishte i qartë: të krijonte një platformë ku publiku në Kosovë të kishte mundësinë të dëgjonte nga afër artistët që interpretojnë në skenat më të rëndësishme të operës botërore. Edhe këtë vit, ai rikthehet në vendlindje së bashku me kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq artistë nga e gjithë bota, duke i bërë ata pjesë të historisë, kulturës dhe mikpritjes sonë.

    Më 29 korrik, në zemër të Prishtinës, Rame Lahaj dhe miqtë e tij do të bashkohen sërish në një mbrëmje që përmbyll rrugëtimin artistik të edicionit të gjashtë duke përcjellë denjësisht mesazhin: PLAY MUSIC, NOT WAR.

    Shitja e biletave do të hapet së shpejti./

  • Piktura e Mark Rothkos shitet për 98.4 milionë dollarë, vendos rekord të ri në ankand

    Piktura e Mark Rothkos shitet për 98.4 milionë dollarë, vendos rekord të ri në ankand

    Një pikturë e artistit të njohur Mark Rothko ka vendosur rekord të ri në ankand, pasi u shit për 98.4 milionë dollarë në shtëpinë prestigjioze të ankandeve Christie’s në Nju Jork.

    Vepra “No. 15 (Two Greens and Red Stripe)”, e realizuar në vitin 1964, arriti çmimin prej 85 milionë dollarësh pa tarifat shtesë, ndërsa me komisionet përfundimtare shifra totale shkoi në 98.4 milionë dollarë, duke thyer rekordin e mëparshëm të artistit.

    Piktura, e cila kishte një vlerësim paraprak prej rreth 80 milionë dollarësh, ngjalli interes të madh mes koleksionistëve dhe u shit pas rreth një duzine ofertash nga blerës të ndryshëm.

    Vepra kishte qenë në pronësi të koleksionistes dhe filantropes së njohur Agnes Gund, ish-presidente e nderit e Museum of Modern Art. Ajo e kishte blerë pikturën drejtpërdrejt nga Rothko në vitin 1967, vetëm tre vjet para vdekjes së artistit në vitin 1970, dhe e kishte mbajtur për dekada në shtëpinë e saj.

    “No. 15 (Two Greens and Red Stripe)” është një abstraksion monumental mbi shtatë metra i lartë, i karakterizuar nga nuanca të thella jeshile dhe indigo, të ndërprera nga një vijë e kuqe-portokalli në pjesën e poshtme të kompozimit.

    Rekordi i mëparshëm i Rothkos ishte vendosur në vitin 2012, kur piktura Orange, Red, Yellow u shit për 86.9 milionë dollarë, po në Christie’s.

    Vetëm pak ditë më parë, një tjetër vepër e Rothkos, Browns and Blacks in Reds, u shit në Sotheby’s për 85.8 milionë dollarë, duke iu afruar rekordit të artistit.

    Shitja e fundit konfirmon edhe një herë statusin e Mark Rothkos si një prej emrave më të kërkuar dhe më të vlerësuar në tregun ndërkombëtar të artit.

  • “Liria na Bashkon”, tre ansamble kombëtare shqiptare sonte në koncert festiv në Gjakovë

    “Liria na Bashkon”, tre ansamble kombëtare shqiptare sonte në koncert festiv në Gjakovë

    Me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sonte në Gjakovë do të mbahet koncerti festiv “Liria na Bashkon”, që sjell së bashku tre ansamble kombëtare shqiptare në një mbrëmje të veçantë artistike.

    Në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 19:00, do të performojnë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria dhe Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

    Koncerti organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe synon të sjellë para publikut një program të pasur me këngë, valle dhe interpretime që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

    Përmes këtij bashkëpunimi artistik ndërmjet tre ansambleve, publiku do të ketë mundësinë të shijojë vlera të veçanta të folklorit dhe traditës shqiptare, në një mbrëmje kushtuar lirisë, unitetit dhe identitetit kulturor.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, i cili pritet të mbledhë artdashës nga Gjakova dhe qytete të tjera të Kosovës.

  • Biblioteka Kombëtare e Kosovës hap ekspozitën “KFOR and Kosovo +25” për Ditën e Çlirimit

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës hap ekspozitën “KFOR and Kosovo +25” për Ditën e Çlirimit

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ ka njoftuar hapjen e një ekspozite fotodokumentare me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

    Ekspozita mban titullin “KFOR and Kosovo +25” dhe është organizuar në bashkëpunim me organizatën britanike Heartstone, duke sjellë një pasqyrë vizuale mbi zhvillimet në Kosovë gjatë më shumë se dy dekadave të fundit.

    Në fokus të ekspozitës është edhe roli i KFOR në vendosjen dhe ruajtjen e paqes në Kosovë pas vitit 1999.

    Hapja e ekspozitës do të bëhet më 12 qershor 2026 (e premte), në orën 16:00, në hollin e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

  • Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot programin e tij me aktivitete të ndryshme në hapësirat publike të qytetit, duke sjellë një ditë të dedikuar sportit, mjedisit dhe atmosferës festive.

    Sipas organizatorëve, aktiviteti i parë fillon në orën 15:00 me mbjelljen e drunjve në qytet, si pjesë e nismave për promovimin e kujdesit ndaj mjedisit dhe hapësirave të gjelbra.

    Më pas, programi vazhdon me vrapimin rekreativ përgjatë lumit Lumbardh, ku qytetarë dhe pjesëmarrës pritet të bashkohen në një aktivitet sportiv dhe komunitar.

    Dita përmbyllet me hapjen zyrtare të festivalit në orën 20:30, ku pritet një program festiv dhe pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve dhe vizitorëve.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet e ditës, duke theksuar se festivali synon të sjellë energji, aventurë dhe atmosferë të gjallë në qytet gjatë gjithë fundjavës.

  • Tre arsye pse nuk duhet ta humbisni filmin e ri të Spielbergut

    Tre arsye pse nuk duhet ta humbisni filmin e ri të Spielbergut

    Filmi fantastiko-skencor “Disclosure Day” i regjisorit Steven Spielberg po mbërrin në kinematë tona më 10 qershor, për gëzimin e fansave të regjisorit dhe të kinemasë shkruan faqja esquire.com.

    Kishin kaluar katër vjet që kur ai nuk ishte rikthyer pas kamerës dhe tetë vjet që nuk i ishte përkushtuar fantashkencës, që nga koha e Ready Player One, i cili na mahniti me përzierjen e nostalgjisë, shpirtit “nerd” dhe emocioneve.

    Megjithatë, duhet të kthehemi pas njëzet vitesh, te ”War of the Worlds”, për të gjetur një tjetër zhytje në fantashkencën klasike, atë që Spielberg e ka nderuar me tituj që janë bërë pjesë e mitologjisë së kinemasë: Close Encounters of the Third Kind, E.T. the Extra-Terrestrial, A.I. Artificial Intelligence dhe Minority Report.

    Një garanci e madhe është edhe emri i skenaristit, David Koepp, një nga më të mirët në këtë fushë. Nga reagimet e para që kanë ardhur nga përtej Atlantikut, cilësia e filmit duket të jetë në nivelin më të lartë.

    Në qendër të historisë është prania e alienëve në Tokë dhe ajo që do të ndodhë kur ky fenomen të dalë në dritë.

    Kjo ndodh falë Margaret Fairchild, e interpretuar nga Emily Blunt, një meteorologe që do të bëhet pa vetëdije një lloj ure lidhëse mes njerëzimit dhe qytetërimit misterioz alien të pranishëm në Tokë.

    I vetmi që duket se mund ta ndihmojë është eksperti i sigurisë kibernetike Daniel Kellner, i luajtur nga Josh O’Connor. Por të dy do të duhet të përballen me Noah Scanlonin e errët dhe jashtëzakonisht të fuqishëm, të interpretuar nga Colin Firth, drejtuesi ekzekutiv i korporatës së fuqishme Wardex Corporation, i vendosur të pengojë zbulimin e së vërtetës para botës.

    Spielberg gjithmonë ka dashur të na çojë drejt një bote tjetër, një bote njëkohësisht imagjinare dhe të besueshme.

    Këtë e bëri që kur na tmerronte me Jaws, por lidhja e tij me fantashkencën ka ndjekur gjithmonë dy drejtime.

    Nga njëra anë kemi mrekullinë, zbulimin, vizionin e një niveli më të lartë të plotësisë, lumturisë dhe paqes.

    Për Spielberg, alienët kanë qenë shpesh shprehja e një përsosmërie shumë njerëzore. Ata janë paqësorë, misteriozë, të fuqishëm, por dashamirës; janë përtej aftësive tona të kuptimit, teknologjisë dhe harmonisë.

    “Disclosure Day”, që nga traileri, na bën të kuptojmë se Spielberg është rikthyer pikërisht te ky vizion, në momentin kur Margaret fillon të flasë një gjuhë të panjohur, të krijuar posaçërisht nga regjisori së bashku me aktoren.

    Megjithatë, Spielberg nuk i ka parë gjithmonë alienët me optimizëm.

    Tom Cruise ishte fytyra e frikës dhe terrorit me konotacione të forta politike në vitin 2005, kur Amerika u paraqit si një përzierje mes traumës së 11 shtatorit dhe rizbulimit të vetes si një vend vazhdimisht i armatosur.

    Por “Disclosure Day” flet edhe për pushtetin dhe kontrollin. Nuk është rastësi që antagonisti kryesor është një njeri i fuqishëm dhe i fiksuar pas kontrollit.

    Shtypi amerikan ka theksuar se kësaj radhe Spielberg ka arritur të “përditësohet”, duke u lidhur me teoritë më moderne mbi inteligjencat e mundshme aliene, madje edhe ato konspirative, dhe duke i shkrirë ato në një rrëfim emocionues me ritëm të vrullshëm.

    Megjithatë, të gjitha mediat amerikane bien dakord në një pikë: “Disclosure Day” mbahet mbi supe nga një interpretim i jashtëzakonshëm i Emily Blunt.

    E lindur në vitin 1983 dhe londineze e vërtetë, ajo është prej njëzet vitesh një nga fytyrat femërore më të dashura dhe më të rëndësishme të kinemasë botërore.

    Debutimi i saj erdhi në vitin 2004 me ”My Summer of Love” të regjisorit Paweł Pawlikowski.

    Dy vjet më vonë, ajo fitoi zemrat e publikut me rolin e Emily Charlton në The Devil Wears Prada, një personazh që i dha mundësinë të tregonte një gamë cilësish të rralla për një aktore.

    Emily Blunt ka një shtrirje të jashtëzakonshme interpretimi. Ajo është dalluar në çdo zhanër të mundshëm, duke dëshmuar një prani unike në ekran.

    Horror, komedi, fantashkencë, aventura, fantasy, dramë, filma historikë, melodrama… përmendni një zhanër dhe Emily Blunt e ka bërë të vetin, duke e dominuar.

    Në vitin 2024, për interpretimin e saj në Oppenheimer, ajo u nominua për çmimin Oscar, ndërsa në vitin 2007 fitoi një Golden Globe Awards për rolin në Gideon’s Daughter.

    Së bashku me bashkëshortin e saj, John Krasinski, ajo u bë fytyra simbol e sagës së suksesshme ”A Quiet Place”, një nga më të vlerësuarat nga adhuruesit e fantashkencës në shekullin XXI.

    Sipas informacioneve të para, “Disclosure Day” mund të jetë më në fund filmi që do t’i sjellë Emily Blunt statujën e Oscar-it që i ka shpëtuar disa herë dhe që, sipas shumë kritikëve, ajo do ta kishte merituar prej kohësh.

    Më shumë do të mësojmë nga 10 qershori, përmes një personazhi që vetë aktorja e ka përshkruar si “një njeri të zakonshëm të hedhur papritur në rrethana të jashtëzakonshme”/atsh

  • Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

    Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

    Nga 11 deri më 14 qershor 2026 do të mbahet edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, një ngjarje që konsiderohet si festivali i parë i këtij lloji në Kosovë i dedikuar aktiviteteve outdoor, rekreacionit, mirëqenies dhe turizmit aktiv.

    Gjatë katër ditëve të festivalit në Pejë dhe në Rugovë do të organizohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, duke përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, aktivitete për fëmijë, punëtori tradicionale dhe programe edukative për grupmosha të ndryshme.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali synon promovimin e Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion për turizëm aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në mënyrë gjithëpërfshirëse.

    “Festivali është krijuar me qëllim të promovimit të Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion i turizmit aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në një mënyrë të qasshme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

    Sipas tyre, shumica e aktiviteteve ofrohen pa pagesë ose me tarifa simbolike, si rezultat i angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve.

    “Kjo është bërë e mundur falë angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve, me qëllim që aktivitetet outdoor të jenë të qasshme për sa më shumë njerëz, veçanërisht për të rinjtë, familjet dhe ata që për herë të parë dëshirojnë të provojnë një aktivitet në natyrë”, thuhet më tej.

    Organizatorët theksojnë se festivali është ndërtuar mbi bashkëpunimin e komunitetit lokal, përfshirë shoqatat sportive, guidat malore, bizneset dhe vullnetarët, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një programi të hapur dhe të larmishëm.

    Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është organizimi i garës së parë “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në dy kategori: 10 dhe 23 kilometra.

    “Përveç aspektit sportiv, kjo garë synon të promovojë potencialin e Bjeshkëve të Nemuna dhe Pejës si destinacion për turizëm sportiv dhe aktiv”, thuhet në njoftim.

    Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor nga ora 20:30 në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, Komunës së Pejës, shoqatave sportive, guidave malore, bizneseve lokale dhe vullnetarëve.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se agjenda e plotë e festivalit dhe broshura me të dhëna nga edicioni i kaluar janë bashkëngjitur për publikun.