ATV

Category: KULTURË

  • Muzikë reale, rrugë urbane dhe zero AI — dokumentari shqiptar që po vjen ndryshe këtë verë

    Muzikë reale, rrugë urbane dhe zero AI — dokumentari shqiptar që po vjen ndryshe këtë verë

    Pas një periudhe të gjatë larg skenës aktive muzikore, Bashkim Myftari rikthehet me një projekt të veçantë dokumentar që premton të sjellë atmosferën reale të muzikës alternative dhe jetës urbane në Kosovë.

    Bëhet fjalë për dokumentarin “Urban Underground Unplugged”, produksion i The Life Of Sound, i cili do të lansohet premierë gjatë muajit qershor.

    I realizuar në stil reality show, dokumentari ndjek nga afër artistët urbanë, performancat live dhe momentet spontane të skenës underground, duke sjellë një energji autentike që rrallë shihet në produksionet muzikore moderne.

    Në fokus është rikthimi artistik i ish-liderit të Garazhat e Bardha, i cili në këtë projekt prezanton këngë të reja origjinale dhe interpretime unplugged në lokacione urbane.

    Një element interesant i dokumentarit janë përpunimet e këngëve të vjetra shqipe, të transformuara në stil urban rock, me tingull modern dhe interpretim alternativ, por duke ruajtur emocionin dhe tregimin origjinal shqiptar.

    Mes projekteve më interesante është edhe interpretimi i poezisë “Anës Lumenjve” të Fan Noli, e sjellë në një version krejtësisht ndryshe muzikor dhe të përshtatur me frymën e kohës së sotme.
    Në dokumentar do të prezantohen edhe këngët:
    “Ëndërrime”
    “Atdhe e Mëmëdhe”
    “E ti tani buzëqeshe”
    Kjo e fundit konsiderohet si kënga nga e cila lindi e gjithë ideja e projektit “Urban Underground Unplugged”.

    Pjesë e dokumentarit janë edhe artistë të tjerë të skenës alternative, përfshirë Anton Krasniqi, si dhe Harmonious, kori i vajzave që po përgatitet për një performancë të mundshme live më 4 korrik në aktivitetet e Ambasadës Amerikane.

    Produksioni thekson se dokumentari është realizuar pa përdorim të inteligjencës artificiale dhe pa ndërhyrje të tepruara audio në performancat live.
    “Shpirti i muzikës live është autenticiteti”, thuhet në konceptin e projektit, i cili synon të rikthejë emocionin real të performancës së drejtpërdrejtë dhe lidhjen e pastër mes artistit dhe publikut.

     

  • “The Illyrian Way” – libri i shkruar me hapa, autorja shkoi në 7 vende, bëri 700 km ecje (në Ballkanin Perëndimor) dhe shkroi librin

    “The Illyrian Way” – libri i shkruar me hapa, autorja shkoi në 7 vende, bëri 700 km ecje (në Ballkanin Perëndimor) dhe shkroi librin

    Një udhëtim prej 700 kilometrash nëpër shtatë vende të Ballkanit Perëndimor u shndërrua në një libër që po tërheq vëmendje jashtë rajonit. “The Illyrian Way” është libri i autores shqiptare nga Shkodra, Dearta Logu Fusaro, e cila vendosi të dokumentojë përvojën e saj gjatë ecjes, mendimet personale dhe lidhjen me historinë e kulturën shqiptare.

    Autorja në një intervistë ekskluzive në emisionin “LIBERO” tregoi se fillimisht libri nuk ishte menduar për publikim të madh, por vetëm si një kujtim personal për familjen e saj.

    “Librin e shkruva për veten dhe familjen teme, për me i tregu mendimet e mia gjatë rrugës për në Ballkan. Kur e përfundova, kontaktova një revistë në Londër dhe u thashë se dua vetëm 15 kopje të printuara për familjen, edhe sa kushton”, rrëfen ajo.

    Por historia mori një kthesë të papritur. Sipas autores, shtëpia botuese u interesua menjëherë për përmbajtjen e librit.

    “Ata thanë: ‘Le ta lexojmë’. Më pas më thanë: ‘Mos na paguaj ti neve, ne do të paguajmë ty dhe do të bëjmë kontratë, sepse nuk ka shumë njerëz që shkruajnë për shqiptarët dhe njerëzit në Ballkan’”, tregoi ajo.

    Libri “The Illyrian Way” përshkruan një ekspeditë tre mujore në këmbë nëpër Ballkanin Perëndimor dhe nuk përshkruan vetëm sfidën fizike të ecjes nëpër rajon, por edhe rrëfime mbi identitetin, historinë dhe mikpritjen në Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij rrugëtimi, autorja sjell një perspektivë personale mbi jetën dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer eksperiencën e saj në një dëshmi të veçantë për rajonin.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dearta Logu Fusaro, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • LUGINA’S DAY 2026: Një ngjarje e madhe që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër

    LUGINA’S DAY 2026: Një ngjarje e madhe që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër

    Më 7 qershor 2026, të gjitha rrugët çojnë në Stadthalle Dietikon, ku do të mbahet një nga eventet më të mëdha dhe më të veçanta të komunitetit shqiptar në Zvicër – Lugina’s Day 2026.

    Ky organizim, i pari i këtij lloji, synon të bashkojë shqiptarët nga e gjithë Zvicra dhe më gjerë, duke krijuar një hapësirë unike për kulturë, bashkëpunim dhe netëorking.

    Sipas stafit të Luginas, qëllimi kryesor i këtij eventi është mbledhja e fondeve për realizimin e projekteve për Luginën.

    Qëllimi i dytë është Inaugurimi i Altak (ALbanian TAKim), platëforma e parë shqiptare në bote për regjistrimin e eventeve shqiptare në gjithë Globin, pra është një lloj kalendari.

    Eventi do të nisë nga ora 13:00 me hapjen dhe mirëseardhjen e mysafirëve, ku të pranishmit do të kenë mundësi të shijojnë atmosferën festive.

    Gjithashtu do të prezantohen projektet strategjike të platformës “Luginas”, si dhe aktivitetet e shoqatave anëtare.

    Programi kulturor do të përfshijë valle tradicionale shqiptare, performanca artistike dhe prezantime multimediale.

    Lugina’s Day është një event i organizuar nga shoqata Luginas për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për ata nga Lugina.

    Elita 5, String String dhe Ernest Zymberi

    Një nga pikat kulmore të eventit do të jetë performanca live e grupit Elita 5, si dhe performanca instrumentale nga String String, që do të sjellin një kombinim unik të muzikës moderne dhe tradicionale.

    Pjesë e programit do të jetë edhe komediani Ernest Zymberi me stand-up komedi, i cili do të sjellë një dimension argëtues përmes humorit karakteristik, duke e bërë atmosferën edhe më dinamike dhe të afërt për publikun.

    Mbrëmja do të vazhdojë me DJ dhe muzikë festive, vallëzim, socializim dhe netëorking të komunitetit të Luginas.

    Platforma ALTAK

    Gjatë eventit do të prezantohet edhe platforma ALTAK, si një iniciativë e re për zhvillimin e projekteve komunitare për vitin 2026.

    Sipas stafit të Luginas, ky prezantim do të shoqërohet me inaugurimin zyrtar të platformës dhe një vizion të qartë për fuqizimin e komunitetit shqiptar në diasporë, duke krijuar ura konkrete bashkëpunimi dhe zhvillimi.

    Një event që shënon një fillim të ri

    Lugina’s Day 2026 nuk është vetëm një event, por një hap i rëndësishëm drejt organizimit dhe fuqizimit të komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës në Zvicër.

    Me një program të larmishëm, pjesëmarrje të gjerë dhe një atmosferë festive, sipas stafit të Luginas, ky event pritet të vendosë një standard të ri për organizimet komunitare në të ardhmen.

    Tashmë biletat janë në shitje – rezervoni vendin tuaj: Blej biletën!

  • Kosova dhe Shqipëria organizojnë konferencë shkencore kushtuar Ibrahim Rugovës

    Kosova dhe Shqipëria organizojnë konferencë shkencore kushtuar Ibrahim Rugovës

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë sot organizojnë konferencën shkencore “Ibrahim Rugova – Shkrimtari, Intelektuali, Presidenti”.

    Konferenca ndërkombëtare i kushtohet jetës, veprës dhe trashëgimisë intelektuale dhe politike të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Konferenca do të mbledhë studiues, akademikë, shkrimtarë dhe personalitete të jetës publike nga vendi dhe bota, për të trajtuar dimensionin letrar, kulturor, politik dhe diplomatik të veprës së Rugovës, si një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

    Ngjarja mbahet në Sallën e Akademisë në Prishtinë.

  • Premiera botërore e filmit “DUA” sot në Festivalin e Cannes

    Premiera botërore e filmit “DUA” sot në Festivalin e Cannes

    Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, sot shënon premierën botërore në Festivalin e Cannes, në kuadër të programit prestigjioz Semaine de la Critique.

    “DUA” është përzgjedhur mes vetëm shtatë filmave të gjatë të këtij edicioni, duke u bërë gjithashtu filmi i parë nga Kosova që merr pjesë në këtë seksion konkurrues, ku garon për katër çmime kryesore.

    I vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe i frymëzuar nga përvoja personale e regjisores, filmi sjell historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të trazuar politike. Në rolin kryesor luan Piena Matoshi, ndërsa producentë të projektit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë).

    Si bashkëproducentë në film marrin pjesë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër) si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë), ndërsa projekti mbështetet nga institucione dhe fonde të ndryshme si CNC, Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

  • Conan O’Brien do të prezantojë sërish Oscars 2027

    Conan O’Brien do të prezantojë sërish Oscars 2027

    Conan O’Brien do të rikthehet si prezantues i 99‑tës ceremoni të Oscars, e cila do të mbahet më 14 mars 2027 në Dolby Theatre në Los Angeles, kanë njoftuar drejtuesit e Akademisë së Filmit.

    Kjo do të jetë hera e tretë radhazi që O’Brien e moderon ceremoninë, pas reagimeve kryesisht pozitive që mori në dy edicionet e fundit.

    Në një nga monologët e tij këtë vit, ai bëri shaka duke thënë se kishte “nderin të ishte prezantuesi i fundit njerëzor i Oscars”.

    Bashkë me të rikthehen edhe producentët ekzekutivë Raj Kapoor dhe Katy Mullan, të cilët do të udhëheqin sërish.

    Kreu i Akademisë, Bill Kramer, dhe Lynette Howell Taylor e vlerësuan ekipin si të jashtëzakonshëm dhe thanë se presin që Conan ta udhëheqë mbrëmjen me humorin dhe energjinë e tij.

    Ceremonia ka shënuar rritje shikueshmërie vitet e fundit, përfshirë rreth 19.7 milionë shikues në vitin e parë të O’Brien si prezantues, kur filmi “Anora” dominoi çmimet.

    Këtë vit, megjithatë, pati rënie të shikueshmërisë kur “One Battle After Another” fitoi filmin më të mirë, edhe pse angazhimi në rrjete sociale u rrit me mbi 42 për qind.

    Oscars 2027 do të transmetohen live në ABC, ndërsa raportohet se nga 2029 ceremonia do të zhvendoset në YouTube dhe në një lokacion tjetër në qendër të Los Angelesit.

  • “Nga Zero” premierë sot në Klubin Teatror në Lipjan

    “Nga Zero” premierë sot në Klubin Teatror në Lipjan

    Shfaqja “Nga Zero” do të prezantohet sot nga ora 14:30 në Klubin Teatror, në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

    Kjo shfaqje vjen si një reflektim i thellë mbi zgjedhjet që formësojnë jetën tonë, duke trajtuar sfidat, paragjykimet dhe presionet sociale me të cilat përballen të rinjtë në momentet kyçe të jetës.

  • Sezoni i gjashtë i “La Casa De Papel” po vjen? Paralajmërimi që bëri lëmsh rrjetin

    Sezoni i gjashtë i “La Casa De Papel” po vjen? Paralajmërimi që bëri lëmsh rrjetin

    Interesimi për një vazhdim të “La Casa de Papel” (“Money Heist”) është rritur sërish në ditët e fundit, pas diskutimeve online dhe një “teaser”-i të Netflix-it që ka ndezur spekulimet se universi i serialit mund të rikthehet me një kapitull të ri.

    Fansat po pyesin hapur: a do të ketë “Money Heist” sezoni i gjashtë, apo Netflix do ta çojë françizën në një drejtim tjetër me histori të reja dhe personazhe të rinj?

    Çfarë dihet për sezonin e gjashtë?

    Netflix ka bërë të qartë se po zgjeron universin “Money Heist”, por jo në formën e një sezoni të gjashtë të drejtpërdrejtë që vazhdon rrëfimin origjinal ashtu siç përfundoi në vitin 2021.

    Platforma flet për një ‘fazë të re’ të françizës, duke lënë të kuptohet se mund të kemi projekte të tjera ose kapituj të rinj që mbajnë të njëjtin ‘shpirt revolucionar’, por jo domosdoshmërisht të njëjtën strukturë si seriali i parë.

    Netflix publikoi një paralajmërim ku shfaqen pamje të njohura nga grabitjet ikonike në Royal Mint dhe Bankën e Spanjës, i shoqëruar me mesazhin “the revolution never ends” (“revolucioni nuk mbaron kurrë”).

    Edhe pse videoja nuk konfirmon qartë një sezon të ri, ajo mbyllet me një moment që ka bërë fansat të flasin shumë: një skenë ku sugjerohet se zbulohet/zbërthehet një shufër ari e fshehur.

    Ky detaj i vogël ka ndezur teori se historia mund të rikthehet në periudhën pas grabitjes së arit, duke hapur rrugë për një vazhdim apo një tjetër grabitje të madhe.

    A do të rikthehet Profesori dhe ekipi origjinal?

    Thuhet se nuk ka ende një listë zyrtare kasti për një sezon të mundshëm të gjashtë.

    Fansat, natyrisht, shpresojnë që nëse do të ketë vazhdim direkt, të rikthehet edhe Alvaro Morte në rolin e Profesorit, sepse ai është figura qendrore e gjithë rrëfimit.

    Megjithatë, paralajmërimi lë të kuptohet se ‘fryma e revolucionit’ mund të vazhdojë edhe nëse françiza ecën përpara me personazhe të rinj, duke ruajtur tensionin, rebelimin dhe dinamika të ndërlikuara marrëdhëniesh – elementë që e kanë bërë serialin aq të suksesshëm.

    Në kast përmenden edhe Michelle Jenner, Tristan Ulloa dhe Begona Vargas.

    Sipas përshkrimit, sezoni i dytë do të lidhet me grabitjen e quajtur “Lady with an Ermine” (Zonja me hermelinë), e cila paraqitet si një episod kyç që mund të shërbejë si urë drejt zhvillimeve të reja në universin “Money Heist”, duke shfaqur një anë më të rrezikshme dhe më hakmarrëse të botës së grabitjeve.

    Kur dhe ku shfaqet?

    Sipas informacionit të dhënë, “Berlin” Season 2 pritet të shfaqet globalisht më 15 maj 2026, dhe do të jetë i disponueshëm në Netflix, si pjesa tjetër e projekteve të kësaj.

    Detaje të tjera për ‘fazën e ardhshme’ të “Money Heist” pritet të bëhen më të qarta pas premierës së “Berlin”.

     

  • Izraeli shkel rregullat e Eurovisionit, EBU reagon përpara garës

    Izraeli shkel rregullat e Eurovisionit, EBU reagon përpara garës

    EBU ka reaguar vetëm pak ditë para edicionit të 70-të të Eurovisionit (12–16 maj në Vjenë), duke i dërguar paralajmërim televizionit izraelit KAN për shkelje të rregullave të garës.

    Shkak u bë një video promovuese, ku përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, në 13 gjuhë u bënte thirrje shikuesve që të votonin 10 herë për Izraelin.

    Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, konfirmoi se EBU u njoftua më 8 maj dhe brenda 20 minutash kontaktoi delegacionin izraelit, duke kërkuar që videot të ndaleshin menjëherë dhe të hiqeshin nga të gjitha platformat – kërkesë që, sipas EBU-së, u respektua menjëherë.

    EBU sqaroi se videot që nxisin votimin nuk janë të pazakonta, por thirrja e drejtpërdrejtë që nga një numër të dërgohet numri maksimal i votave për një shtet është në kundërshtim me rregullat dhe me ‘frymën e garës’.

    EBU shtoi se një veprim i tillë nuk pritet të ndikojë realisht në rezultatin final për shkak të numrit të madh të votave dhe faktit që 50 për qind e rezultatit vendoset nga juritë profesionale, por paralajmëroi se do të ndërmarrë masa nëse praktika përsëritet.

    Pas këtij paralajmërimi, fansat në rrjete sociale rikujtuan kritikat e mëhershme të disa transmetuesve evropianë, të cilët kishin ngritur shqetësime për politizim të konkursit dhe për keqpërdorime të mundshme nga KAN.

    Në diskutime përmenden edhe akuza se komentatorë izraelitë kanë bërë thirrje gjatë transmetimeve që të mos votohet për shtete që kanë kritikuar pjesëmarrjen e Izraelit si dhe pretendime për reklama online të financuara për kandidatë të mëparshëm.

  • Festivali i Filmit në Kanë, filmat kryesorë që pritet të dominojnë spektaklin

    Festivali i Filmit në Kanë, filmat kryesorë që pritet të dominojnë spektaklin

    Për 12 ditët e ardhshme, vëmendja e botës së kinemasë do të jetë e përqendruar në Festivalin e Filmit në Kanë, raportoi AP.

    Ngjarja e madhe e njohur, në rivierën franceze të Côte d’Azur, nis të martën dhe do të sjellë një sërë premierash të shumëpritura, me shfaqjen e yjeve ne tapetin e kuq dhe prezantimit të filmave më të përfolur të vitit.

    Këtë vit, studiot e Hollivudit janë më të tërhequra, por festivali mbetet prej më shumë se 78 vitesh një nga skenat më prestigjioze të kinemasë botërore.

    Edicioni i kaluar përfshiu filma të nominuar për çmim “Oscar” si “Sentimental Value”, “The Secret Agent” dhe “It Was Just an Accident”.

    Edhe këtë vit, pritet që disa prej premierave të shndërrohen në pretendentë për çmimet më të mëdha të industrisë.

    Në vitet e fundit, filma si “Parasite” dhe “Anora” janë prezantuar fillimisht në Festivalin e Filmit në Kanë, përpara se të triumfonin në çmimet “Oscar”.

    Juria, që do të vendosë për çmimin kryesor “Palma e Artë”, këtë vit drejtohet nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook.

    Në ceremoninë e hapjes, festivali do t’i akordojë gjithashtu “Palmën e Artë të Nderit” regjisorit Peter Jackson, ndërsa më vonë një çmim të ngjashëm do të marrë edhe Barbra Streisand.

    Mes projekteve më të pritura është edhe sezoni i katërt i serialit “The White Lotus” të HBO-së, i cili është zhvendosur në Croisette për xhirime.

    Filmat që pritet të spikasin në festival:

    “Hope”

    Regjisori Na Hong-jin, më pak i njohur ndër emrat e mëdhenj të kinemasë koreane, pritet të ketë një moment të rëndësishëm, në Kanë me projektin e tij më të ri.

    Filmi është një thriller fantastiko-shkencor, i zhvilluar prej kohësh, të cilin drejtori artistik i festivalit Thierry Frémaux e ka përshkruar si një vepër që “ndryshon vazhdimisht zhanër”.

    Kasti përfshin një përzierje aktorësh koreano-jugorë dhe yje të Hollivudit, mes tyre Hwang Jung-min, Zo In-sung, Jung Ho-yeon, Michael Fassbender, Alicia Vikander dhe Taylor Russell.

    “Paper Tiger”

    Edhe pse fillimisht nuk ishte pjesë e listës zyrtare të konkurrimit, drama e re e James Gray, e vendosur në Queens, është shtuar më vonë në program dhe është kthyer menjëherë në një nga filmat amerikanë më të përfolur të festivalit.

    Gray, i njohur për filmat “Armageddon Time” dhe “The Immigrant”, trajton historinë e dy vëllezërve (Adam Driver dhe Miles Teller) që përfshihen në rrjetin e mafies ruse. Në kast është edhe Scarlett Johansson.

    “Fjord”

    Regjisori rumun Cristian Mungiu, fitues i Palmës së Artë për “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” dhe autori i “R.M.N.”, rikthehet me një dramë të re evropiane.

    Filmi ndjek historinë e një çifti rumuno-norvegjez (Sebastian Stan dhe Renate Reinsve) që zhvendosen në qytetin e izoluar të origjinës së bashkëshortes në Norvegji.

    “Teenage Sex and Death at Camp Miasma”

    Jane Schoenbrun, një nga zërat më të veçantë të kinemasë së re amerikane pas “I Saw the TV Glow” dhe “We’re All Going to the World’s Fair”, vjen në një nga garat kryesore të Festivalit të Filmit në Kanë.

    Filmi i ri, me Hannah Einbinder dhe Gillian Anderson, trajton procesin e realizimit të një filmi slasher.

    “Fatherland”

    Regjisori polak Paweł Pawlikowski, i njohur për “Ida” dhe “Cold War”, sjell një tjetër dramë në stilin e tij karakteristik bardhezi.

    Filmi paraqet shkrimtarin gjerman Thomas Mann (Hanns Zischler) në një udhëtim pas Luftës së Dytë Botërore, i shoqëruar nga vajza e tij (Sandra Hüller).

    “All of a Sudden”

    Regjisori japonez Ryusuke Hamaguchi bën debutimin e tij në gjuhën frënge, pas suksesit të “Drive My Car” dhe “Evil Does Not Exist”.

    Filmi, me Virginie Efira dhe Tao Okamoto, paraqet historinë e një drejtoreshe të shtëpisë së pleqve dhe një dramaturg japonez në fazë terminale të sëmundjes.

    “Sheep in the Box”

    Regjisori Hirokazu Kore-eda, fitues i Palmës së Artë për “Shoplifters”, prezanton një histori (shkencë dhe fiction) të ngrohtë dhe emocionale.

    Filmi tregon një çift që, pas humbjes së djalit të tyre, adopton një robot humanoid foshnje.

    “The Man I Love”

    Ira Sachs sjell një dramë të re amerikane me Rami Malek në rolin e një aktori në Nju Jorkun e viteve 1980, i cili përballet me një sëmundje kërcënuese për jetën ndërsa përgatitet për rolin e tij të fundit.

    “The Unknown”

    Regjisori francez Arthur Harari, bashkautor i “Anatomy of a Fall”, rikthehet me një histori misterioze të një fotografeje (Léa Seydoux) që, pas një fotografie në një festë, zgjohet në trupin e një gruaje tjetër.

    “Minotaur “

    Regjisori rus Andrey Zvyagintsev, i njohur për “Leviathan” dhe “Loveless”, kthehet në Kanë – me një dramë rreth një ekzekutiv biznesi në krizë në Rusinë rurale, pas një përvoje pranë vdekjes gjatë pandemisë.

    “John Lennon: The Last Interview”

    Dokumentari i Steven Soderbergh për intervistën e fundit të John Lennon, zhvilluar në Dakota në Nju Jork pak para vrasjes së tij, ka tërhequr vëmendje për përdorimin e inteligjencës artificiale për të ilustruar reflektimet filozofike të artistit.

    Filmi do të shfaqet si projekt special në festival.

    “Bitter Christmas”

    Pedro Almodóvar rikthehet në Kanë me një dramë për kinemanë, dhimbjen dhe plakjen.

    Pas debutimit në gjuhën angleze me “The Room Next Door”, regjisori spanjoll kthehet në gjuhën e tij amtare me një nga projektet e tij më personale.