ATV

Category: KULTURË

  • 10 filmat që nuk duhen humbur gjatë korrikut

    10 filmat që nuk duhen humbur gjatë korrikut

    Muaji korrik sjell një sërë premierash dhe produksionesh të shumëpritura, duke ofruar zgjedhje për adhuruesit e zhanreve të ndryshme. Nga filmat aksion e aventurë deri te dramat dhe animacionet familjare, publiku do të ketë mundësi t’i ndjekë si në kinema, ashtu edhe në platformat e transmetimit.

    Sipas BBC-së, në mesin e 10 filmave më të rekomanduar për këtë muaj janë: “Evil Dead Burn”, “The Odyssey”, “Spider-Man: Brand New Day”, “Enola Holmes 3”, “Minions & Monsters”, “Moana”, “Gail Daughtry and the Celebrity Sex Pass”, “Remake”, “Reading Lolita in Tehran” dhe “Her Private Hell”.

    Lista përfshin rikthime të shumëpritura të disa prej ekskluziviteteve më të njohura, por edhe projekte të reja që pritet të tërheqin vëmendjen e publikut gjatë këtij muaji.

  • Filmi “Dua” i Blerta Bashollit prezantohet sonte në Festivalin FEMA në Francë

    Filmi “Dua” i Blerta Bashollit prezantohet sonte në Festivalin FEMA në Francë

    Filmi artistik me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji të regjisores kosovare Blerta Basholli, do të shfaqet sonte në edicionin e 54-t të Festivalit FEMA në Francë.

    Shfaqja është planifikuar të nisë në orën 20:30, ku filmi do të prezantohet para publikut ndërkombëtar të festivalit. “Dua” vjen pas suksesit të arritur në Festivalin e Kanës, ku u nderua me çmimin SACD Semaine de la Critique – Cannes 2026.

    Sipas organizatorëve, pas prezantimit në festival, filmi pritet të nisë së shpejti edhe shfaqjet në kinema.

    Ngjarja zhvillohet në Kosovën e viteve ’90 dhe sjell historinë e popullit shqiptar përmes personazhit kryesor, Dua, rol i interpretuar nga aktorja Pinea Matoshi.

  • Jonid Jorgji bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit

    Jonid Jorgji bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit

    Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, Jonid Jorgji, është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy).

    Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila e cilësoi këtë përzgjedhje si një vlerësim të rëndësishëm për kontributin dhe angazhimin e Jorgjit në zhvillimin e sektorit audiovizual.

    Sipas QKK-së, anëtarësimi në këtë institucion prestigjioz pritet të forcojë përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në skenën evropiane, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe promovimi për kineastët shqiptarë.

    Ky zhvillim vjen në një periudhë të rëndësishme për industrinë e filmit në Shqipëri, në kuadër të përpjekjeve për reformimin e sektorit dhe rritjen e prezencës së tij në arenën ndërkombëtare.

  • Opera e Kosovës sjell në skenë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik në Prishtinë

    Opera e Kosovës sjell në skenë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik në Prishtinë

    Opera e Kosovës do të ngjisë në skenë një nga krijimet më të veçanta të repertorit operistik botëror, duke prezantuar “Diptikun” operistik të Giacomo Puccinit, një cikël të përbërë nga dy opera në një akt: Suor Angelica dhe Gianni Schicchi, me librete të Giovacchino Forzano.

    Ky produksion vjen si një interpretim i konceptit origjinal të Puccinit, i cili i kishte menduar këto vepra si pjesë të një tërësie dramaturgjike. Premiera botërore e këtij cikli u mbajt më 14 dhjetor 1918 në Metropolitan Opera në New York, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e operës.

    Produksioni i Operës së Kosovës realizohet nën regjinë e Luca Ramacciotti, me drejtim muzikor skenik nga Elisa Montipò dhe koordinim artistik nga Franco Moretti, emra të njohur të skenës operistike evropiane.

    Në interpretim do të paraqiten Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, të cilët do të performojnë nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli, duke sjellë para publikut një përvojë artistike që bashkon dramën lirike të Suor Angelica me komedinë brilante Gianni Schicchi.

    Shfaqjet e “Diptikut” përfshijnë të dy operat në një akt, të realizuara si një njësi e vetme dramaturgjike, duke respektuar vizionin artistik të Puccinit dhe duke i ofruar publikut një kontrast të fuqishëm emocional mes tragjedisë dhe komedisë.

    Premiera do të mbahet më 1 korrik, ndërsa rishfaqja më 3 korrik, në AMC Hall, duke filluar nga ora 20:00.

    Opera e Kosovës fton të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore, e cila sjell në Prishtinë një nga kryeveprat më të vlerësuara të repertorit operistik ndërkombëtar.

  • Seriali i ri i Netflix “I Will Find You” thyen rekorde – mbledh 24 milionë shikime në katër ditë

    Seriali i ri i Netflix “I Will Find You” thyen rekorde – mbledh 24 milionë shikime në katër ditë

    Seriali misterioz me seri të kufizuar “I Will Find You” ka arritur një sukses të madh në Netflix, duke regjistruar 24 milionë shikime në katër ditët e para, duke u bërë debutimi më i suksesshëm i një seriali të ri në platformë gjatë vitit 2026.

    Në rolin kryesor është Sam Worthington, i cili luan David Burroughs, një baba që po vuan burgim të përjetshëm për vrasjen e djalit të tij pesë vjet më parë.

    Edhe pse ai ka deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tij, kunata e tij Rachel (e luajtur nga Britt Lower) i sjell prova që sugjerojnë se djali mund të jetë ende gjallë.

    Kjo e shtyn Davidin të arratiset nga burgu për të zbuluar të vërtetën pas një lidhje të ndërlikuar.

    Seriali është pjesë e bashkëpunimit mes shkrimtarit Harlan Coben dhe Netflix-it, i cili deri tani ka marrrë 13 nga veprat e tij.

    Një tjetër projekt, “Run Away”, qëndroi katër javë në listën globale të 10 serialeve më të shikuara, duke grumbulluar 38 milionë shikime.

    Në renditjen javore të serialeve në gjuhën angleze pas “I Will Find You” renditen: “Outlast: The Jungle”, “Sweet Magnolias”, “America’s Sweethearts: Dallas Cowboys Cheerleaders”.

    Ndër serialet tjera në krye ishte “Teach You a Lesson” me 11.8 milionë shikime, ndërsa pas tij u rendit “The Polygamist” me 7.7 milionë shikime në javën e dytë të transmetimit.

  • Prishtina bashkon artistët shqiptarë në koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”

    Prishtina bashkon artistët shqiptarë në koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”, i cili organizohet sonte nën patronatin e Kryeqytetit në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Me këtë rast, këngëtarëve të ardhur iu ndanë edhe mirënjohje në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tyre artistik.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistët kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e jetës kulturore të Prishtinës.

    “Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot këtu me artistë të mrekullueshëm të trojeve shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Prishtina është qyteti që gjithmonë na bën bashkë dhe gjithmonë mendon përtej. Është qyteti ku secili prej nesh punon për ta zhvilluar dhe për ta transformuar vendin tonë.

    Në këtë rrugëtim, artistët kanë një rol jetik. Këtu dua të falënderoj nga zemra posaçërisht Jehonën, si dhe të gjithë artistët që janë bërë bashkë me ne sot këtu, të cilët me dijen dhe përvojën e tyre u bashkuan për të organizuar diçka të mrekullueshme dhe shumë të bukur për kryeqytetin. Për këtë, jemi sinqerisht mirënjohës”, deklaroi Rama.

    “Si kryeqytet, jemi të lumtur që sonte po organizojmë këtë koncert nën patronazhin tonë — pra, nën patronazhin e kryeqytetit. Ju urojmë një mirëseardhje të veçantë artistëve që kanë ardhur posaçërisht nga Shqipëria. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe që jeni këtu!

    Po ashtu, jemi bërë bashkë për t’i dhënë edhe një shënim datës së çlirimit të kryeqytetit. Të gjitha këto koncerte dhe organizime të kulturës janë pjesë e shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ditës më të rëndësishme të kryeqytetit tonë. Ne jemi këtu për t’i përkrahur dhe për t’ua zgjatur dorën secilit që dëshiron ta zhvillojë, ta krijojë dhe ta ngrejë vlerën e kryeqytetit. Kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë gjithmonë, sepse qytetarët e kryeqytetit me të vërtetë e meritojnë këtë zhvillim, këtë pozitivitet dhe art me shumë dashuri“, tha Rama.

    Në emër të organizatorëve, këngëtarja Jehona Sopi falënderoi institucionet dhe të gjithë kontribuuesit për mbështetjen në realizimin e këtij projekti të madh kulturor.

    Jemi munduar maksimalisht të bëjmë diçka të bukur. Sigurisht, pa përkrahjen e juaj nuk e kishim bërë. Edhe pa përkrahjen e bizneseve, sepse është një produksion shumë i madh edhe një produksion që ka kosto të jashtëzakonshme. Po me një vullnet të madh, unë të gjithë i quaj në këtë iniciativë kontribues: si qytetarë, si njerëzit që angazhohen, si ata që suportojnë, janë të gjithë kontribues për vendin. Kështu që ne të gjithë kemi shumë dashni me dhënë për Prishtinën, edhe sigurisht që do të japim bashkërisht. Unë jam shumë e lumtur që interesimi për sonte, që të jenë të pranishëm, është jashtëzakonisht i madh, po nuk kemi ulëse për të gjithë. Kështu që i ftojmë qytetarët që nuk është keq edhe në këmbë me ndejt. Edhe me vallëzu patjetër! Janë diku 2000 ulëse, po nuk kemi më shumë. Kështu që edhe në këmbë, meqë ky koncert do të jetë fantastik“, tha ajo.

    Në gala koncertin “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” do të performojnë artistët: Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Dren Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Sihana Badivuku, Edon Ramadani, Drini Zeqo, Vesa Luma dhe Kori Okarina./EO/

  • Shoqata “Çamëria”-Kosovë hap ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike për tragjedinë çame

    Shoqata “Çamëria”-Kosovë hap ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike për tragjedinë çame

    Shoqata “Çamëria”-Kosovë ka organizuar një ekspozitë me fotografi, dokumente dhe materiale historike që pasqyrojnë tragjedinë dhe vuajtjet e popullsisë shqiptare të Çamërisë.

    Ekspozita synon të kujtojë ngjarjet historike të spastrimit etnik dhe dëbimit të shqiptarëve çamë nga trojet e tyre, duke sjellë para publikut dëshmi, fotografi arkivore dhe dokumente që hedhin dritë mbi këtë periudhë të dhimbshme të historisë kombëtare.

    Organizatorët theksuan se ruajtja e kujtesës historike dhe informimi i brezave të rinj për çështjen çame mbetet një mision i rëndësishëm, ndërsa ekspozita shërben si një mundësi për reflektim dhe ndërgjegjësim mbi padrejtësitë e së kaluarës.

  • “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje”, titullohet ekspozita performuese që sjellë rrëfime të drejtpërdrejta mbi përvojat e zhvendosjes së detyruar gjatë luftës në Kosovë, e cila mbahet sonte nga ora 18:00, në qendrën Barabar në Prishtinë.

    Ngjarja vendos në qendër zërat e njerëzve që kanë përjetuar largimin nga shtëpitë e tyre, pasigurinë e rrugëtimit dhe jetën në kushte të përkohshme, duke i shndërruar këto dëshmi në një akt të përbashkët kujtese dhe dëgjimi. Përmes interpretimit të fragmenteve autentike nga Muzeu Virtual i Refugjatëve, këto rrëfime marrin një formë të re, jo si kujtime të largëta, por si përvoja që afrohen, prekin dhe vazhdojnë të rezonojnë në të tashmen.

    “Në Ikje” nuk synon vetëm të tregojë, por të krijojë një hapësirë ku publiku përfshihet emocionalisht dhe mendërisht në procesin e kujtesës. Është një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për t’u përballur me fragmente jete që flasin për humbjen, qëndrueshmërinë dhe dinjitetin njerëzor në kohë krize.

    Në këtë format të gjallë, fjala e folur shndërrohet në medium kujtese, ndërsa hapësira bëhet një vend i përkohshëm i reflektimit kolektiv ku historia nuk mbetet vetëm e kaluar, por merr prani të re përmes aktit të dëgjimit.

    Kjo ekspozitë është kuruar nga Çlirimtare Januzaj.

  • Sot nis edicioni i dytë i “Valley Film Festival” në Bujanoc

    Sot nis edicioni i dytë i “Valley Film Festival” në Bujanoc

    Bujanoci do të jetë sërish qendra e artit kinematografik me rikthimin e Valley Film Festival, i cili këtë vit vjen me edicionin e tij të dytë.

    Festivali do të mbahet nga 19 deri më 21 qershor në Shtëpinë e Kulturës, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të pasur me projeksione filmike dhe aktivitete kreative.

    Gjatë festivalit do të prezantohen filma të gjatë, filma të shkurtër dhe dokumentarë nga autorë të ndryshëm, ndërsa në kuadër të programit do të organizohen edhe workshope kreative për të rinjtë dhe të apasionuarit pas filmit.

    Me një kombinim të artit, kulturës dhe kreativitetit, Valley Film Festival synon të sjellë një përvojë të veçantë për publikun dhe të kontribuojë në promovimin e kinematografisë në Luginën e Preshevës.

  • Në Bibliotekën Kombëtare promovohet përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e diplomatit kroat

    Në Bibliotekën Kombëtare promovohet përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e diplomatit kroat

    ë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua përmbledhja poetike “Shtigje të Panjohuna – Nepoznate Staze” e autorit Nedjeljko Špilek, Zëvendësambasador i Republikës së Kroacisë në Kosovë.

    Vepra, e përkthyer në gjuhën shqipe nga artisti Skënder Boshtrakaj, është botuar në gjuhën kroate dhe shqipe dhe synon të forcojë lidhjet kulturore dhe komunikimin ndërmjet dy popujve.

    Gjatë promovimit u theksua se letërsia dhe poezia shërbejnë si ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi kulturor ndërkombëtar. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, vepër e arkitektit Andrija Mutnjaković, duke i dhënë ngjarjes një simbolikë të veçantë kulturore.

    Në aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, e cila vlerësoi rëndësinë e promovimit të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Kroacisë.