ATV

Category: KULTURË

  • Sunny Hill bëhet gati për një natë elektrizuese me super DJ-in Seth Troxler

    Sunny Hill bëhet gati për një natë elektrizuese me super DJ-in Seth Troxler

    Numërimi mbrapsht deri në nisjen e festivalit më të madh të muzikës në vend e rajon, Sunny Hill Festival, tashmë ka nisur.

    Festivali këtë vit do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

    Lista e plotë e artistëve të edicionit të sivjetmë tashmë është finalizuar dhe një mori yjesh globalë pritet të dhurojnë spektakël për mijëra adhurues të muzikës.

    Në mesin e emrave të mëdhenj që do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Festival këtë vit është edhe super DJ-i amerikan Seth Troxler, një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim të skenës elektronike botërore.

    Me një karrierë që shtrihet mbi dy dekada, Seth Troxler ka ndërtuar një emër të veçantë në botën e muzikës house, techno dhe underground.

    I lindur në Michigan të Shteteve të Bashkuara, ai u bë i njohur për stilin e tij unik, ku kombinon ritme të thella, groove hipnotizuese dhe një qasje artistike që e shndërron çdo performancë në një eksperiencë të paharrueshme.

    Troxler është një nga artistët që ka ndihmuar në formësimin e skenës moderne të muzikës elektronike, duke sjellë një tingull të veçantë që e ka bërë të dallojë në klubet dhe festivalet më prestigjioze të botës.

    Performancat e tij në skena ndërkombëtare si Ibiza, Berlin dhe festivalet më të mëdha elektronike kanë fituar vlerësimin e publikut dhe kritikëve muzikorë.

    Gjatë karrierës së tij, Seth Troxler ka publikuar një sërë produksionesh të njohura si “Love Never Sleeps”, “Hurt”, “Make You Happy”, “Lumartes” dhe “GX”, duke u shndërruar në një emër të respektuar jo vetëm si DJ, por edhe si producent kreativ.

    Ai ka qenë gjithashtu pjesë e projekteve të rëndësishme si Visionquest dhe Tuskegee, të cilat kanë pasur ndikim të madh në zhvillimin e skenës house dhe techno.

    I njohur për energjinë e tij të jashtëzakonshme, personalitetin karizmatik dhe aftësinë për të krijuar një lidhje të fortë me publikun, Seth Troxler sjell në Sunny Hill Festival një përvojë muzikore unike.

    Për këto net magjike të muzikës dhe spektaklit, biletat mund t’i gjeni në këtë link: LINKU

  • Sunny Hill – Historia e një festivali që nisi nga ëndrra dhe u bë global

    Sunny Hill – Historia e një festivali që nisi nga ëndrra dhe u bë global

    Që nga ideja e tij e parë, Sunny Hill Festival është rritur nga një ngjarje lokale në një nga festivalet më të rëndësishme në Evropën Juglindore.

    Edicioni i vitit 2026 dëshmon edhe një herë se Prishtina mund të konkurrojë me skenat më të mëdha të muzikës botërore.

    I themeluar në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, festivali u krijua fillimisht me synimin për të promovuar Kosovën dhe për të sjellë artistë ndërkombëtarë në rajon.

    Që atëherë, ai është kthyer në një simbol kulturor dhe turistik të vendit.

    Në edicionet e para, Sunny Hill solli emra të mëdhenj si Martin Garrix dhe Dua Lipa, duke vendosur themelet e një tradite që do të rritej çdo vit.

    Me kalimin e kohës, festivali u zhvendos, u rikthye dhe u konsolidua në lokacionin e tij aktual në Prishtinë, duke u bërë një ngjarje e përvitshme që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.

    Edicioni 2026 karakterizohet nga një listë me artistë ndërkombëtarë si Katy Perry, Martin Garrix e Lewis Capaldi, duke e forcuar edhe më shumë reputacionin e festivalit si një platformë ku takohen pop-i, elektronika dhe kultura globale.

    Përveç muzikës, Sunny Hill është shndërruar në një përvojë të plotë urbane, Prishtina gjatë ditëve të festivalit transformohet në një qytet që nuk fle, me turistë, evente paralele, ekonomi lokale aktive dhe atmosferë që tejkalon kufijtë e një koncerti të zakonshëm.

    Sot, Sunny Hill nuk shihet më vetëm si festival, por si një histori suksesi kulturore – një projekt që ka ndryshuar perceptimin për Kosovën dhe e ka vendosur atë në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe eventeve të mëdha.

  • Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës, sonte nga ora 20:30 prezanton koncertin përmbyllës të sezonit artistik 2025/2026, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Nën titullin “Americana”, ky koncert i veçantë i kushtohet muzikës amerikane dhe shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Programi sjell një udhëtim të pasur përmes tingujve, ritmeve dhe ngjyrave të traditës muzikore amerikane, me vepra nga disa prej kompozitorëve më të shquar të saj, përfshirë Leonard Bernstein dhe George Gershwin, në një performancë nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa.

    Nga energjia e qyteteve amerikane te eleganca e muzikës simfonike, “Americana” pasqyron diversitetin kulturor, kreativitetin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që muzika amerikane ka pasur në skenën botërore.

  • Galeria Kombëtare rihapet sonte me veprat e 43 artistëve shqiptarë

    Galeria Kombëtare rihapet sonte me veprat e 43 artistëve shqiptarë

    Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj, shënon rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës pas rinovimit të plotë dhe rikonfigurimit të hapësirave të saj ekspozuese, që përuron një fazë të re në zhvillimin publik dhe infrastrukturor të institucionit.

    Ekspozita përkon me themelimin e hapësirës së parë institucionale për ruajtjen e koleksionit, duke krijuar mundësi të reja për konservim, studim dhe riinterpretim.

    Artistët pjesëmarrës janë: Adem Kastrati, Agim Çavdarbasha, Agim Rudi, Alban Muja, Alije Vokshi, Bedri Emra, Bora Baboçi, Brilant Milazimi, Budim Berisha, Doruntina Kastrati, Driant Zeneli, Driton Hajredini, Esat Valla, Ëngjëll Berisha, Fatmir Krypa, Feriha Rada, Gjelosh Gjokaj, Halil Muhaxhiri, Hamdi Bardhi, Hilmija Ćatović, Hyrije Krypa, Hysni Krasniqi, Ibrahim Ponosheci, Isa Alimusaj, Jakup Ferri, Kadrush Rama, Lala Meredith Vula, Masar Caka, Muslim Mulliqi, Nebih Muqiri, Nimon Lokaj, Petrit Halilaj, Rexhep Ferri, Rexhep Goçi, Rudina Xhaferi, Simon Shiroka, Sislej Xhafa, Tahir Emra, Valbona Zherka, Violeta Xhaferi, Vlada Radović, Xhevdet Xhafa, and Zake Prelvukaj.

    Kjo ngjarje fillon nga ora 19:00, ndërsa akti i hapjes bëhet nga Oda Haliti.

  • Deçani për herë të parë mirëpret Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”

    Deçani për herë të parë mirëpret Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”

    Këtë të mërkurë, Komuna e Deçanit për herë të parë mirëpret Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”.

    Sipas njoftimit të komunës, kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore që sjell në qytet grupe artistike nga vende të ndryshme të botës.

    Programi i aktivitetit:

    -Ora 18:00 – Defilimi i grupeve artistike në qendër të qytetit të Deçanit.

    -Ora 19:00 – Programi artistik në Qendrën Rinore të Deçanit.

  • “anGjelus Novus” i Arianit Laknës hapet sonte në Open Art Gallery në Prishtinë

    “anGjelus Novus” i Arianit Laknës hapet sonte në Open Art Gallery në Prishtinë

    Ekspozita “anGjelus Novus” e artistit Arianit Lakna, e kuruar nga Artrit Bytyçi, hapet sonte nga ora 19:30 në Open Art Gallery në Prishtinë.

    Veprat e tij me lajtmotivin e gjelit mund të shikohen si bashkëbisedim me “Angelus Novus” nga Paul Klee, e sidomos me interpretimin e veçantë që ia bën Walter Benjamin. Mirëpo, “anGjeli i Ri” i Arianit Laknës shkon përtej:

    Në “Zgjohu me Gjela” ai shfaqet në prapavijën e diellit duke lindur. Koka i lëvizë tek shikon punët e obligimet që vijnë nga e majta duke iu grumbulluar mbi një pirg të stërmbushur. Ndërsa, pirgu i obligimeve rrezikon të shembet e t’i përplaset mbi kokë, ai nuk pret zgjidhje prej tjerëve ngaqë veçse ia ka filluar punës, ashtu siç ia bën për çdo mëngjes.

    Kështu, “anGjeli” është hyjn i ri që mishëron vlerat e një utopie të ndërtuar nga Arianit Lakna. Veprat e kësaj ekspozite shpalosin përditshmërinë përmes këtyre vlerave të reja.

  • Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore

    Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore

    Këtë verë, Prishtina do të presë një prej programeve më të gjera muzikore te Sunny Hill Festival, me yje ndërkombetare, DJ të njohur botëror, artiste shqiptare dhe zëra të rinj që po i japin formë skenës lokale.

    Prishtinë, 3 Korrik 2026 – Sunny Hill Festival ka zbuluar zyrtarisht programin e plotë për edicionin e vitit 2026, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park, Prishtinë.

    Me Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix në krye të programit, edicioni i këtij viti sjell në Kosovë disa nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare. Zbulimi i plotë i programit shënon një nga momentet më të pritura të verës për publikun në vend, rajon dhe më gjerë.

    Në Sunny Hill Stage, festivali sjell emrat kryesorë të edicionit, përfshirë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid, Tyson O’Brien dhe artistë të tjerë që përfaqësojnë energjinë kryesore të programit. Kjo skenë mbetet hapësira ku takohen yjet ndërkombëtarë, artistët më të dashur shqiptarë dhe publiku i madh i festivalit.

    Në anën tjetër, C4 Stage e forcon identitetin elektronik të Sunny Hill Festival, me emra si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia. Ky program sjell në Prishtinë një pjesë të rëndësishme të skenës elektronike ndërkombëtare, duke e bërë festivalin destinacion edhe për publikun që ndjek tingujt e house, techno dhe performancat e klubeve e festivaleve më të njohura.

    Një pjesë e veçantë e edicionit 2026 është edhe hapësira për skenën lokale, alternative dhe artistët në rritje. Përmes The Next Stage dhe The Satellite, Sunny Hill Festival krijon vend për emra si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two, duke e bërë programin jo vetëm ndërkombëtar, por edhe të lidhur ngushtë me skenën muzikore vendore dhe rajonale.

    Ky kombinim e bën edicionin e vitit 2026 një nga programet më të plota të Sunny Hill Festival deri më tani. Në të njëjtin festival, publiku do të ketë mundësi të ndjekë emra të mëdhenj botërorë, artistë të njohur shqiptarë, DJ të skenës elektronike dhe performues të rinj që po ndërtojnë identitetin e tyre muzikor.

    Me këtë program, Sunny Hill Festival vazhdon të pozicionohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon. Për Prishtinën, festivali nuk është vetëm një ngjarje treditore, por një moment kulturor që sjell publik, media, artistë dhe vëmendje ndërkombëtare në kryeqytet.

    Përtej skenës muzikore, Sunny Hill Festival vazhdon të ketë ndikim në gjallërimin e qytetit gjatë sezonit veror, duke kontribuar në hoteleri, gastronomi, transport dhe shërbime lokale. Në të njëjtën kohë, festivali luan rol në mënyrën se si Kosova prezantohet jashtë vendit: si një destinacion i ri, energjik dhe gjithnjë e më i pranishëm në hartën kulturore të rajonit.

    Me programin tashmë të plotë, Sunny Hill Festival 2026 hyn në fazën më dinamike të përgatitjeve, ndërsa Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë, skena të ndryshme dhe një program që bashkon emrat globalë me energjinë e publikut vendor dhe rajonal.

  • Sot nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival” në Prizren

    Sot nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival” në Prizren

    Prizreni nga sot do të jetë qendra e adhuruesve të muzikës rock dhe blues, pasi sonte nis edicioni i katërt i “Rock & Blues Music Festival”, i cili do të zgjasë deri më 5 korrik dhe mbahet përballë Palestrës Sportive “Sezai Surroi”.

    Festivali sjell përgjatë tri netëve 15 bende dhe artistë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të performojnë në dy skena, “Main Stage” dhe “Sunset Stage”. Programi i çdo mbrëmjeje fillon në ora 18:30, ndërsa hyrja është falas për të gjithë dashamirët e muzikës.

    Mbrëmjen e parë, më 3 korrik, në Main Stage do të performojnë 3 Musketjerët, Attitude GNR Band dhe TNT, ndërsa në Sunset Stage publiku do të shijojë performancat e Rool dhe Zwada Band.

    Më 4 korrik, festivali vazhdon me Kolpa, Led Zeppelin 2 dhe BB Pool në skenën kryesore, si dhe Hawolf e Dolduzgin Band në “Sunset Stage”. Kjo datë përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

    Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 5 korrik, me performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Stars Band në “Main Stage”, ndërsa në “Sunset Stage” do të ngjiten Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori.

    Sipas organizatorëve, festivali synon të promovojë muzikën rock dhe blues, të mbështesë artistët dhe të krijojë një hapësirë të përbashkët për adhuruesit e këtyre zhanreve muzikore.

    Organizatorët ftojnë qytetarët dhe vizitorët që t’i bashkohen këtij festivali treditor, i cili edhe këtë vit premton atmosferë unike dhe performanca të nivelit të lartë.

  • Netflix po sjell një serial për Frida Kahlo dhe Diego Rivera

    Netflix po sjell një serial për Frida Kahlo dhe Diego Rivera

    Netflix është duke zhvilluar një serial të ri dramatik që do të trajtojë historinë e marrëdhënies mes dy ikonave të artit meksikan, Frida Kahlo dhe Diego Rivera.

    Projekti ndodhet ende në fazën e shkrimit, ndërsa data e nisjes së xhirimeve nuk është bërë ende e ditur. Regjisorët Patricia Riggen dhe Gabriel Ripstein kanë bërë të ditur se synojnë të sjellin një qasje ndryshe, duke u larguar nga rrëfimet tradicionale dhe duke zbuluar anën më njerëzore të çiftit.

    Seriali do të fokusohet jo vetëm te jeta artistike e Frida Kahlos dhe Diego Riverës, por edhe te marrëdhënia e tyre e ndërlikuar, e karakterizuar nga dashuria, pasioni, xhelozia dhe sfidat emocionale.

    Sipas krijuesve, rrëfimi do të mbështetet edhe në letra dhe dokumente historike, me synimin për të sjellë një histori sa më autentike për dy prej figurave më të rëndësishme të artit botëror.

  • Luana Bajrami me rol kryesor në filmin e ri francez “La Dernière patiente”

    Luana Bajrami me rol kryesor në filmin e ri francez “La Dernière patiente”

    Aktorja shqiptare Luana Bajrami do të jetë një nga protagonistet e filmit të ri francez me metrazh të gjatë “La Dernière patiente”, premiera e të cilit pritet të mbahet në kinematë franceze gjatë muajit shtator.

    Krahas Bajramit, në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe aktorët Anouk Grinberg dhe Félix Lefebvre. Filmi është realizuar me regji të Rémi Bassaler, i cili bashkë me Mario Defer ka shkruar edhe skenarin.

    Ngjarja ndjek historinë e Judith, një mjeke që ndodhet vetëm një ditë larg pensionimit. Jeta e saj merr një kthesë të papritur kur në derën e ordinancës paraqitet Aida, një grua tetë muajshe shtatzënë, e cila nuk ka qasje në kujdes shëndetësor. Përballë një sistemi shëndetësor në krizë, Judith vendos ta ndihmojë, duke nisur një natë që do të sfidojë bindjet dhe misionin e saj si mjeke.