Himni i Universiteteve ngriti në këmbë të gjithë në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.
Për poetin Agim Vinca, i cili të mërkurën mbushi 77 vjet, Kolegji AAB vendosi ta ndajë çmimin “Profesor Honoris Causa”.
Para ceremonisë, u recituan poezi të autorit.
Rektori i kolegjit AAB, Blerim Olluri, tregon se profesori Vinca është ndër të rrallët që Akademia e Arteve të Bukura, e kurorëzoi me çmimin “Profesor Honoris Causa”.
Shoku e kolegu i Vincës, poeti Lulzim Tafa, tregon se si i ndikoi ai në karrierë.
“Ai këtu e 31 vite më parë, u bë recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi profesionist i parë, i vargjeve të mia. Tani më lejoni ta përgëzoj edhe veten për guximin tim në atë kohë që me një tubë poezisë të shkruara me makina shkrimi, t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë”, tha Tafa.
Në fund të ceremonisë, erdhi momenti që Agim Vinca ta marrë çmimin e madh.
Vetë shkrimtari përgëzon Kolegjin AAB për punën e bërë për më shumë se dy dekada. Madje, ai tregon se ka hise në themelimin e gjigantit universitar.
“Realiteti i ri në Kosovë e shtonte si nevojë një profil të tillë kuadrosh, dhe atë Iliri e Bekimi e kishin hetuar këtë me intuitë. Kërkuan nga unë ndihmën time dhe unë natyrisht iu gjeta pranë”, tha Vinca.
Agim Vinca është autor i më shumë se 40 veprave origjinale, përfshirë poezi, ese, kritikë, studime dhe monografi historiko-letrare.
Ansambli i këngëve dhe valleve burimore të shqiptarëve “Shota” për vite me radhë ruan vlera kulturore e kombëtare, si treguese e atdhedashurisë, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin shprehu kënaqësinë që performanca e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” gjatë Karnavalit të Kulturave 2024 në Berlin është vlerësuar me çmimin e nderit në kategorinë “Valle dhe Muzikë“ nga juria e karnevalit.
Pjesëmarrja e ansamblit “Shota” u organizua nga Organizata e Akademikëve dhe Studentëve Shqiptarë në Berlin – OASA dhe u mundësua nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Në manifestimin që u mbajt ditë më parë në Berlin, AKKV “Shota” e Kosovës dallohej për performancat e saj energjike dhe tradicionale, të cilat u pritën shumë mirë nga audienca. Pjesëmarrësit dhe organizatorët vlerësuan angazhimin dhe talentin e grupit, duke e konsideruar atë si një pasuri për festivalin që përfaqëson një mozaik kulturash dhe traditash nga e gjithë bota.
Në kuadër të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024 do të mbahet orë letrare me shkrimtarin dhe studiuesin Agim Vinca, orë letrare që do të mbahet në 77 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Agim Vinca,.
Ora letrare do të mbahet më 22 maj, në ora 14:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB (Kati i 4-të).
Në konferencën për media me rastin e hapjes edicionit të 8-të së festivalit ndërkombëtar Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, regjisori boshnjak Dino Mustafić u bëri thirrje qeverisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe asaj të Kosovës që sa më shpejtë ta rregullojnë problemin me viza mes dy vendeve.
“Unë e kam bërë edhe një shfaqje në lidhje me këtë temë edhe kam qenë në Prishtinë me atë shfaqje. Prej asaj, asgjë nuk ka ndryshuar dhe në mes të Bosnjës dhe Kosovës është komunikimi artistik më i komplikuari. Edhe pse kjo është çështje politike, por për ne nga rrethi artistik është edhe pyetje njerëzore. Për ne ka shumë rëndësi që me artistët nga Kosova të mbajmë një lidhje më të drejt për drejtë. Kështu që, me këtë rast, edhe një herë i falënderoj ekipin organizativ të festivalit që për një kohë të shkurtër nga ka siguruar vizat që të marrim pjesë në këtë festival”, tha Mustafić.
Regjisori boshnjak mbrëmë dha shfaqjen pjesëmarrëse në PITF2024, me titullin “Muhammad Ali, the one and only”, shfaqje kjo e cila edhe hapi edicionin e sivjetmë të këtij festivali.
Shfaqja e cila fliste për raportin mes babait dhe fëmijës ka impresionuar publikun që nga çastet e para. Aktorët janë duartrokitur nga publiku që ishte në numër të madh, duke përgëzuar dhe uruar ata për energjinë dhe atmosferën që sollën në skenë.
Kjo shfaqje delikate ishte një përzierje emocionesh për të gjithë të pranishmit, pasi ndërthurej me realitetin dhe aktualitetin për çdo familje. /atvlive.tv
Në ditën e dytë të Prishtina International Theater Festival, është mbajtur masterclass me studentët e Fakultetit të Gazetarisë dhe Produksionit të Kolegjit AAB, nga regjisorja e njohur malazeze Ana Vukotić njëherazi drejtoreshë e festivalit “FIAT” në këtë shtet.
Ajo së pari ndau përshtypjet për organizimin e PITF 2024, ku është pjesë e jurisë kryesore, duke thënë se është tejet e impresionuar dhe se çdo gjë ishte e menduar mirë deri në detaje, mbi të gjitha veçoi jurinë e studentëve.
“Jam shumë e kënaqur pasi mbrëmë teatri ishte plot njerëz të rinj, organizimi ishte perfekt dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Ajo që ishte më e bukura e festivalit ishte juria e studentëve, sepse mendimi juaj është shumë i rëndësishëm për ta planifikuar të ardhmen e teatrit”, u shpreh Vukotić.
Tutje Vukotić zgjeroi temën në mënyrën si funksionojnë teatrot dhe festivalet në Mal të Zi, përzgjedhjen e shfaqjeve, teksteve etj.
Në panel me Vukotić ishin edhe drejtori i festivalit Zijad Mehic, drejtoresha artistike Doruntina Alshiqi dhe koordinatorja Valentina Cenaj.
Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit ‘Faruk Begolli’ në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 8-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj, ambasadorin e Malit të Zi, Bernard Çobaj, si dhe pjesëmarrës të tjerë nga bota e artit dhe kulturës.
Drejtori i festivalit PITF2024, Zijad Mehić, në fjalën e tij tha se qëllimi i festivalit është ruajtja e familjes, miqësive dhe kujdesi për brezat e ardhshëm.
“Qëllimi i festivalit është ruajtja e familjes, miqësive dhe kujdesi për brezat e ardhshëm. Nuk ka vend më të mirë për të shprehur të vërtetat tona të pathëna sesa në teatër. Nga sa kam parë deri më tani, Kosova i ka kushtuar një vend shumë të rëndësishëm kulturës dhe artit të përgjithësi”, tha Mehić.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se festivali PITF edhe këtë edicion vjen si pjesë e zhvillimit të gjerë të kapaciteteve artistike dhe teatrore në Kosovë.
“Puna juaj artistike krahas shembujve të rrjetëzimit dhe modeleve të bashkëpunimit, e vulos Kosovën si shtet kontribues e jo vetëm pjesëmarrës. Prania e larmishme në festivalin tuaj tregon që Republika jonë siç ka qenë dhe mbetet mikpritëse për punët e mira dhe për miqtë tanë, që besojnë thellësisht në vlerat sociale e kulturore të artit dhe në kulturën si shprehje të demokracisë e të shoqërisë. Kontributi juaj i vlefshëm qëndron po ashtu për testimin dhe kalitjen e realiteteve “pa pasoja”, gjë që teatri e bën më së miri nga të gjitha artet”, tha kryeministri Kurti.
Këtë edicion do të ndahen këto çmime për fituesit e PITF2024:
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë;
– Çmimin e publikut.
Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:
Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
– Armenis Nokshiqi, aktore
– Ana Vukotiq, drejtoreshë e festivalit FIAT të Malit të Zi
– Fatos Berisha, regjisor.
Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.
Edicioni i 8-të i festivalit “PITF 2024” do të mbahet nga 20 maji dhe do të vazhdojë deri më 26 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.
Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “The Feral Womxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean, duke filluar nga ora 19:00.
Hapja solemne e PITF2024 u transmetua drejtpërdrejt në Televizionin ATV, videon e së cilës mund ta gjeni në videon më poshtë:
Sot fillon edicioni i 8-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Edicioni i 8-të i festivalit “PITF 2024” do të mbahet nga 20 maji, duke filluar nga ora 20:00 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 26 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival, këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Bosnje dhe Hercegovinës, me shfaqjen “Muhammad Ali, një dhe i vetmi” të regjisorit Dino Mustafić.
Drejtoresha artistike e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.
Në konferencën për media foli edhe regjisori boshnjak e shfaqjes “Muhammad Ali, një dhe i vetmi”, Dino Mustafić, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.
Ai tha se teksti i kësaj shfaqje, është një ndër tekstet më së miri të shkruara në Bosnjë për një shfaqje.
“Sipas mendimit tim, për shfaqjen që do të jepet sonte ka një nga tekstet më së miri të shkruara në Bosnjë. Bëhet fjalë për diçka që ne i themi identitet me të cilin lindim, qysh na shikojnë të tjerët dhe bëjnë paragjykime rreth neve. Ne, identitetin nuk e zgjedhim, por me atë lindim. Gjithashtu, këtu bëhet fjalë edhe për lindjen, rritjen dhe lidhjen mes djalit dhe prindit, familjes dhe dashurisë”, tha Mustafić.
Në fjalën e tij, i përmendi edhe problemin me vizat mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, ku u bëri thirrje qeverive të të dyja vendeve që kjo të rregullohet.
“Unë e kam bërë edhe një shfaqje në lidhje me këtë temë edhe kam qenë në Prishtinë me atë shfaqje. Prej asaj, asgjë nuk ka ndryshuar dhe në mes të Bosnjës dhe Kosovës është komunikimi artistik më i komplikuari. Edhe pse kjo është çështje politike, por për ne nga rrethi artistik është edhe pyetje njerëzore. Për ne ka shumë rëndësi që me artistët nga Kosova të mbajmë një lidhje më të drejt për drejtë. Kështu që, me këtë rast, edhe një herë i falënderoj ekipin organizativ të festivalit që për një kohë të shkurtër nga ka siguruar vizat që të marrim pjesë në këtë festival”, tha Mustafić.
Edicioni i 8-të i festivalit “PITF 2024” do të mbahet nga 20 maji dhe do të vazhdojë deri më 26 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.
Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “The Feral Womxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean, duke filluar nga ora 19:00.
Më shumë detaje rreth festivalit PITF 2024 i gjeni në videon më poshtë:
Ministria e Kulturës po synon ta rrisë kompetencën e inspektoratit të trashëgimisë kulturore. Ajo ka hartuar projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me të cilin parashihet themelimi i Agjencisë Ekzekutive për këtë sektor.
Detyrë e saj do të jetë inspektimi në mënyrë të pavarur për asetet e trashëgimisë kulturore, të bëjë vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
Po ashtu, urdhëron ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre.
Gjithashtu, do ta ketë drejtorin ekzekutiv, si dhe degët nëpër komunat e mëdha.
Ky projektligj, sipas njohësit të fushës, Valon Xhabali, do t’i ndihmojë ruajtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore.
“Po shihet që ka qëllimin e mirë sepse do të rritet numri i inspektorëve që do të vendosen në qendrat e mëdha, kjo na jep me besuar që me punësimin e inspektorëve nëpër qendra të trashëgimisë për secilin qytet nga një inspektor shtesë, edhe punimet e projekti që do të realizohet do të ketë më shumë monitorim dhe degradimi do të jetë më i vogël”, tha Xhabali.
Xhabali, thotë se MKRS-ja, është vonuar që të merë këtë vendim.
“qëllimi jonë është të mbrohet trashëgimia kulturore, e me këtë mendoj që është gjest i mirë, a është i vonuar? Po është i vonuar, por shpresojmë që tash e tutje trashëgimia do të merr vëmendje më të madhe”, tha Xhabali.
Agjencia ka mundësinë të ofrojë edhe rekomandime për institucionet shtetërore, për ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin dhe konservimin e trashëgimisë kulturore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2022.
Mbretëresha e Këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha e cila njihej si ikona e muzikës shqiptare, sot do të festonte ditëlindjen e 91-të, me një karrierë të bujshme për tërë këto vite.
Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. ”Baresha”, është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.
Ushtrimet e shfaqjet, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, tash e dy vjet, po i realizojnë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë.
Për shfrytëzimin e kësaj hapësire, Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit, paguan rreth 180 mijë euro në vit.
“Në hapësirat e Pallatit të rinisë kemi edhe Teatrin e Kosovës, shuma është diku rreth 14 – 15 mijë euro, me të gjitha shërbimet që ofrohen”, tha Mrikë Gashi, kryeshefe ekzekutive e Pallatit të Rinisë.
Kalimi në Sallën e njohur si salla e kuqe, nuk i ka pëlqyer qysh nga fillimi drejtorit të Teatrit, Kushtrim Sheremeti. Ky thotë se është dashur të intervenohet disa herë në të, për shkak të kushteve të vështira.
“E kemi nisë këtë punë që mos me ndal teatrin, aq më shumë që ka qenë veç mos të ndalet kushto. Ka qenë shumë sfiduese, por ja kemi dal që nga marsi e kemi pas edhe një renovim, dhe tash e kemi një rinovim e kemi çu tavanin ma lartë e kemi ndërruar ulëset. Kemi kriju kushte por nuk është optimalja por minimalja”, tha drejtori i Teatrit Kombëtar.
Aktorët do të vazhdojnë t’i mbajnë këtu aktivitetet edhe për një kohë, meqë ende nuk kanë nisur punimet për restaurimin e Teatrit.
Madje nuk dihet as kur do të fillojnë, meqë Ministria e Kulturës është në faza të hershme të projektit.
“Në lidhje me projektin e restaurimit dhe konservimin të Teatrit Kombëtar të Kosovës ju informojmë se tashmë është hartuar projekti zbatues për restaurim dhe konservim dhe Ministria këtë javë planifikon të hap procedurë e prokurimit për zbatimin e projektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Vendimin për kalimin e përkohshëm në hapësirat e pallatit të rinisë, MKRS-ja, e kishte marrë në korrik të 2022-ës. Këto hapësira shfrytëzohen për ushtrime edhe nga Trupa e Baletit dhe Operës.