ATV

Category: KULTURË

  • “Profesor nderi” nga Kolegji AAB për Prof.Dr Agim Vinca

    “Profesor nderi” nga Kolegji AAB për Prof.Dr Agim Vinca

    Fjala e Lulzim Tafës me rastin e nderimit me titullin “Profesor nderi” nga Kolegji AAB për Prof. Dr. Agim Vinca.

    Kur fola, më thanë: hesht!
    Kur heshta më thanë: fol!
    Folehesht, heshtefol qe jeta ime.

    Autori i këtyre vargjeve të bukura Poeti e miku im i madh Agim Vinca, as nuk ka fol kur i kanë thënë fol, e as nuk ka heshtë kur i kanë thënë hesht.

    Ai ka folur gjithmonë kur ka dashur të flas, ka folur me zë të lartë, për ta dëgjuar të gjithë.

    Ka fol kur ka qenë vështirë të flitet, ka fol në letërsi, por edhe në politikë e në jetën e përditshme.

    Zëri i tij ka qenë i lartë e i fuqishëm dhe është dëgjuar gjithmonë, mospajtues dhe jo konformist, kryengritës e rebel i prajshëm.

    Kjo e ka shquar atë që përbënë tanimë profilin e Agim Vincës.

    Kjo e ka bërë gjithmonë të veçantë, figurën e tij shumë dimensionale.

    Të nderuar miq,

    Jemi në një moment shumë të bukur, jo vetëm për Profesor Agim Vincën, por për të gjithë ne.

    Profesor Vincës pikërisht sot i shtohet edhe një 7-shte pas asaj shtatëshes së parë së femijerisë.

    Tani mosha natyrore e tij përbehet prej dy shtatësheve, bëhet 77, janë dy shtatëshe kushtuar letërsisë, kushtuar Kosovës, kushtuar Kombit.

    Profesor Vincën ka më shumë se tri dekada qe e njoh dhe e kam takuar, dhe ajo që e mbaj mend është se para se ta njoh dhe ta takoj personalisht Agim Vicen, e kam takuar një pjesë të krijimtarisë së tij, sidomos të poezisë.

    Unë isha shumë i ri e student, e Agim Vinca ishte ky që është tani, poet e Profesor i respektuar i letërsisë, letërsisë së sotme.

    Ai këtu e 31 vite me parë u be recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi i parë profesionist i vargjeve të mija.

    Tani me lejoni ta përgëzoj vetën që në atë kohë kam guxuar që me një tufë poezish në dorë, të shkruara me makinë shkrimi t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë, poetit Vinca, për tu bërë recensent i librit tim të parë.

    Nga ajo kohë Profesor Vinca dhe unë jemi miq.

    Unë dhe gjenerata ime e brezit emergjent të poeteve të viteve të 90-ta, Agim Vincën, ashtu si dhe Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Mirko Gashin, Rrahman Dedajne dhe krejt ketë brez të poetëve i idealizonim, gati sa edhe i adhuronim.

    Prof. Vinca banonte në Ulpianë, ashtu edhe si Podrimja dhe disa poetë të tjerë të shquar dhe unë së bashku me mikun tim Poetin Sali Beqiraj sa herë kalonim rreth banesës ku banonte Profesori, thoshim “Këtu digjet Agim Vinça”.

    Koha nuk ishte poetike, por ne ishim shumë Poetik dhe siç do ta thoshte vete Profesor Vinca, nganjëherë kemi “Nostalgji për kohërat e vështira”.

    Përveç artit të tij të mirëfilltë, Vinca ashtu siç edhe tani kishte edhe një pamje impresive, të një shkrimtari me stil.

    Më kujtohet një rast ne vitin 1995 një zotëri në rrugë më pyeti, a është Ky Rexhep Qosja i Malit të Zi, unë instinktivisht i thash, Ky është Rexhep Qosja i Maqedonisë, ngase Prof. Vinca e Prof. Qosja përngjanin bukur shume në dukje.

    Natyrisht qe as Rexhep Qosja as Agim Vinca nuk i përkasin vetëm vendlindjeve të tyre por na përkasin të gjithë neve, i përkasin Kombit.

    Vinca ishte model për mua dhe gjeneratën time.

    Detajist deri në perfeksion, jo i lehtë në bashkëbisedim, i pa kompromise me vlera, por kurrë askujt pa i hyrë në hak.

    Këto cilësi e përbëjnë personalitetin e Agim Vincës, të cilit sot i uroj nga zemra edhe shumë datëlindje të tjera bashkë me familjen e tij të mrekullueshme, që edhe unë i kam miq, Zonjën Flutura, Drilonin, Shpëtimin dhe Doruntinën.

    Profesor të dëshiroj jetë të gjatë e të lumtur, të falënderoj për bashkëpunimin korrekt që kemi për tri dekada, të falënderoj për modelin e intelektualit e mësimdhënësit të pakrahasueshëm.

    Dua ta falënderoj edhe AAB-në që gjithmonë është e vëmendshme për këto data të rëndësishme, siç është kjo sot për këtë personalitet të madh të artit kulturës.

    Faleminderit!

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

    Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

    Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

    Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

    Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

    “I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

    Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

    Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

    Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

    Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

    “Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

    Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

    Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

    Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv

  • Çmimi kombëtar “Muslim Mulliqi” i jepet Esat Vallës

    Çmimi kombëtar “Muslim Mulliqi” i jepet Esat Vallës

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku i ndau Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” akademikut, Esat Valla ndërsa Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023, iu dhurua Visare Selimaj, vajzës së Alie Vokshit, raporton EO.

    Çeku, tha se ndihet i nderuar për ndarjen e këtyre çmimeve duke shtuar se për qindja ka qenë një shifrore e grave që kanë shtuar veprat e koleksioneve, por këtë vit është rritur por që ka ende punë për të bërë.

    “Jemi të privilegjuar që e marrim këtë çmim, nga emocionet që kam në mungesë të saj po më humbin edhe fjalët”, tha Selimaj.

    “Falënderoj zonjat që kanë ndarë këtë çmim, jam i kënaqur edhe pse vitet po kalojnë por çmimi është i mirëseardhur”, tha Valla.

  • Gala Koncert në Prishtinë me 3 qershor

    Gala Koncert në Prishtinë me 3 qershor

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 3 Qershor, do të mbahet gala koncert për të festuar 25 vjetorin e çlirimit të Prishtinës.

    Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, ku do të performojnë Petrit Çarkaxhiu, Vesa Luma, Vullnet Sefaja dhe Yll Limani.

    ”Kanga jonë, Për ty Prishtinë” – Gala Koncert me 3 Qershor në sheshin “Skënderbeu” në Kryeqytet. Festojmë të gjithë së bashku 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës, me performanca të artistëve tonë fantastikë, të cilët ndër vite e kanë pasuruar skenën muzikore”, ka shkruar Rama

  • Piktura e Guri Madhit do shfaqet në muzeun e futbollit në Dortmund për Euro 2024

    Piktura e Guri Madhit do shfaqet në muzeun e futbollit në Dortmund për Euro 2024

    Me rastin e Europianit të Futbollit që do të startojë muajin ardhshëm në Gjermani, organizatorët e këtij eventi kanë parashikuar dhe shumë ngjarje të tjera kulturore dhe sportive që do të shoqërojnë kompeticionin e lojës më të ndjekur në botë.

    Një prej tyre është dhe ekspozita “In motion – Art & Football” që do të vendoset në Muzeun e Futbollit Gjerman, në Dortmund.

    Pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe tabloja e piktorit Guri Madhi, “Kur nuk shkojnë në stadium”, e realizuar në vitin 1986.

    Ekspozita gërsheton botën e futbollit dhe të artit dhe është e vendosur në një sipërfaqe prej rreth 1000 metrash katrorë.

    Lajmi u dha nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

  • Ndahen çmimet e edicionit të tetë të PITF 2024 “Burbuqe Berisha”, çmimi kryesor shkon në Bosnje dhe Hercegovinë

    Ndahen çmimet e edicionit të tetë të PITF 2024 “Burbuqe Berisha”, çmimi kryesor shkon në Bosnje dhe Hercegovinë

    Edicioni i tetë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2024, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për shtatë netë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.

    Në një ceremoni madhështore të ndarjes së çmimeve të organizuar në bashkëpunim më Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, ku të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, Emilia Rexhepi, si dhe pjesëmarrës të tjerë nga bota e artit dhe kulturës, kjo natë ishte e paharruar sidomos për garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën shfaqjen e fundit garuese të PITF2024, “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.

    Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej tetë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, dy prej të cilave si shfaqje mysafire nuk ishin në konkurrencë për çmimet e festivalit.

    Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2024, çmimin “Best Play” (Shfaqja më emirë) e gëzoi shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnje dhe Hercegovina.

    Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2024):

    Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Here, Kity Kity” – Maqedoni e Veriut

    Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Father and Father” – Kosovë

    Çmimi i publikut: “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnje dhe Hercegovinë

    Çmimi special i PITF: “Boldy Moon” – Mali i Zi

    Çmimi “Best Supporting Actor” – Dino Bajrović, “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnje dhe Hercegovinë

    Çmimi “Best Actor”: Ilire Vinca “Father and Father”, Kosovë

    Çmimi “Best Director” – Kushtrim Koliqi “Father and Father”, Kosovë

    Çmimi kryesor i PITF 2024 “Best Play” – “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnje dhe Hercegovinë.

  • “Nata e poezisë” në Kolegjin AAB

    “Nata e poezisë” në Kolegjin AAB

    Përgatiti: Antea Tyrbetari

    Poeti Lulzim Tafa po i reciton nënës së tij të ndjerë.

    Vargjet e tij i emocionuan të pranishmit, në Natën e Poezisë, që u mbajt në hapësirat e Kolegjit AAB, në kuadër të Prishtina InternaTional Theater Festival.

    Të shtunën mbrëma, Tafa interpretoi edhe poezi të tjera autoriale, si “Bisedë me hije”, “Andërr”, “”Të dielave mos më thirrë më”.

    Disa prej poezive të tij si Poezitë e Lilit”, “Duke tymosur në liri”, “Sa lehtë ish me mbajtë nanën mbi supe” i interpretoi edhe Halil Matoshi.

    Poetët u shprehën shumë falënderues dhe mirënjohës me pritjen e publikut.

    Nata u shoqërua me muzikë, emocione dhe një energji mbresëlënëse.

  • Mbahet konferenca e fundit për media e PITF2024, sonte jepet shfaqja “Bloody Moon” nga Mali i Zi

    Mbahet konferenca e fundit për media e PITF2024, sonte jepet shfaqja “Bloody Moon” nga Mali i Zi

    Sonte do jetë nata e fundit e Prishtina International Theater Festival, e cila sjell shfaqjen “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.

    Për këtë shfaqje është mbajtur sot konferenca për media, ku ishin të pranishme aktoret Sanja Vujisić dhe Kristina Obradović, bashkë me drejtoreshën artistike Vesna Vujošević Labović.

    Ato shprehën përshtypjet për festivalin në përgjithësi, ku thanë se janë tepër të lumtura që po marrin pjesë në këtë organizim.

    Shfaqja “Bloody Moon” do luhet sonte nga ora 19:00 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ndërsa menjëherë pas saj do ndahen çmimet për këtë edicion të PITF.

  • Sonte luhet shfaqja “Embers” nga Kroacia – Trupa teatrale jep detajet në konferencë

    Sonte luhet shfaqja “Embers” nga Kroacia – Trupa teatrale jep detajet në konferencë

    Nga ora 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB do luhet shfaqja “Embers” nga Kroacia, ndërsa sot është mbajtur konferenca për media.

    Në konferencë morën pjesë trupat teatrale të kësaj shfaqje e përbërë nga aktorët: Sinisa Popovic, Goran Grgic, Iva Mihalic dhe producenten Lidija Ivanda, të cilët u shprehën entuziastë për rolet e tyre dhe shfaqjen në përgjithësi.

    Ata thanë se janë të lumtur që këtë vit do jenë pjesë e PITF 2024, ndërsa në rolin e shfaqjeve garuese folën edhe për shfaqje tjera, duke shtuar se i kanë ndjekur të gjitha dhe janë të impresionuar nga to.

    Kurse sa i përket çmimit, ata u shprehën se çmimi më i rëndësishëm për ta është që publiku ta përjetoj shfaqjen dhe të mbetet i kënaqur nga performanca e aktorëve.

  • Fotografi i njohur kosovar Arton Humolli, sjell ekspozitën e tij të bujshme në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival

    Fotografi i njohur kosovar Arton Humolli, sjell ekspozitën e tij të bujshme në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival

    Në shtatë ditët e Prishtina International Theater Festival, të gjithë të pranishmit përveç shfaqjeve do kenë mundësinë të shijojnë artin e bukur edhe përmes një forme tjetër, nga fotografitë e Arton Humollit të ekspozuara në Kolegjin AAB.

    Autori i fotografive Arton Humolli, i njohur ndërkombëtarisht me shumë çmime për punën e tij si: fitues i “Les Plus Grand Photo Concours Du Monde” në Paris, fotografia më e mirë “New York Nil Gallery” në SHBA, çmimi i artë “Fondo Inernazionale Per La Fotografia” në Itali; ka hapur ekspozitën e tij të titulluar “Her” (Ajo) në Kolegjin AAB në kuadër të PITF, e cila ngërthen një kuptim të veçantë përbrenda saj. “Her”, është një ftesë për të vlerësuar interpretimet e gjera dhe të larmishme të bukurisë në jetën e grave.

    Duke sfiduar përkufizime të ngushta dhe duke përqafuar një spektër të gjerë idealesh bukurie, kjo ekspozitë synon të frymëzojë vizitorët të njohin dhe kremtojnë bukurinë unike të gruas, të respektojnë të drejtat dhe liritë e saj dhe të nderojnë botën e saj të bukur.

    Artoni, u shpreh falënderues edhe ndaj kontributit që pati në zhvillimin e tij profesional producentin Zijad Mehic, njëherazi drejtor i Prishtina International Theater Festival. “Duke e pasur profesorin e nderuar Mehic mentor timin, padyshim që ndikoi shumë në karrierën time si fotograf. Ai është një nga mbështetësit më të mëdhenj dhe për këtë ndjehem shumë falënderues, andaj ftesën nga ana e tij për të qenë pjesë e festivalit me ekspozitë personale e pranova me shumë nder dhe kënaqësi” u shpreh Humolli.