ATV

Category: KULTURË

  • Doli nga shtypi libri poetik “Rivali i Adamit” i Autorit Lulzim Tafa

    Doli nga shtypi libri poetik “Rivali i Adamit” i Autorit Lulzim Tafa

    “Rivali i Adamit” është libri më i ri i poetit Lulzim Tafa, i cili i shtohet listës së botimeve AAB.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë poeti Lulzim Tafa, i cili në faqen e tij në Facebook ka shkruar:

    “Të dashur miq, doli nga shtypi libri im më i ri, për mua si autor është gëzim kurse për lexuesit nuk e di, shpresoj!”

    Ndërsa recensenti i librit, shkrimtari dhe studiuesi Rrahman Paçarizi, ka shkruar se përmbledhja e poezive “Rivali i Adamit” e konfirmon edhe një herë, pas krejt çmimeve e çmuarjeve, poetin Lulzim Tafa.

    “Përfundimisht me këtë përmbledhje, Lulzim Tafa dëshmon siguri në të shkruarit e poezisë, guxim për trajtimin e temave në mënyra ndonjëherë tronditëse, duke shpërfillur masat dhe besimet, dhe rikonfirmon një stil krejt të veçantë të të shkruarit të poezisë, pa u kornizuar brenda teorish letrare dhe pa u ndikuar nga modele të të shkruarit”, ka shkruar Paçarizi.

    Libri do të mund të gjendet në shitje këtë javë në libraritë kryesore të Prishtinës.

  • Vdes ylli i ‘Beverly Hills’, Shannen Doherty

    Vdes ylli i ‘Beverly Hills’, Shannen Doherty

    Aktorja Shannen Doherty, e njohur më së shumti për rolet në shfaqje televizive si Beverly Hills 90210 dhe Charmed, vdiq të shtunën nga kanceri në moshën 53-vjeçare, raporton BBC.

    “Me zemër të rëndë konfirmoj vdekjen e aktores Shannen Doherty”, tha publicisti i saj, Leslie Sloane, në një deklaratë. “Vajza, motra, halla dhe shoqja e përkushtuar ishte e rrethuar nga të dashurit e saj si dhe nga qeni i saj, Bowie”.

    Doherty kaloi më shumë se katër dekada si aktore. Ajo është më e njohur për rolin e Brendas në katër sezone të 90210.

    Aktorja u diagnostikua me kancer gjiri në mars të vitit 2015 dhe iu nënshtrua mastektomisë, rrezatimit dhe kimioterapisë.

    Në vitin 2017 kishte menduar se ia kishte dalë mbanë, por kanceri i ishte kthyer dy vjet më vonë.

  • Memli Krasniqi kujton Azem Galicën

    Memli Krasniqi kujton Azem Galicën

    Kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar sot Azem Bejtë Galicën.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi shkruan se “qysh si 16 vjeçar, Azemi u betua për një jetë kundër pushtuesve dhepër lirinë e trojeve shqiptare”

    Lexoni më poshtë postimin e plotë të Krasniqit:

    100 vite më parë, në moshën 34 vjeçare, ra heroikisht një nga trimat më të rrallë të historisë tonë kombëtare, Azem Bejta. Edhe pse nuk jetoi gjatë, të bëmat dhe veprimtaria e Azemit tejkaluan moshën e tij të re. Ai ishte pjesë aktive e rezistencës kundër një perandorie që po shuhej dhe u bë personaliteti qendror i epokës së rezistencës së parë kundër pushtimit serb e jugosllav.

    Qysh si 16 vjeçar, kur ia vranë babain, Bejtën, Azemi u betua për një jetë kundër pushtuesve dhe për lirinë e trojeve shqiptare. Në kuadër të Lëvizjes Kaçake, ai mori pjesë në shumë luftëra e beteja, përfshirë Kryengritjen e Drenicës, atë të Dukagjinit dhe më pas atë të Junikut.

    Duke mos dashur që as i vdekur të bie në duart e çetnikëve serbë, Azemi e kishte lënë amanet që të varroset në një vend sekret, të cilin do t’ia plotësonin pas rënies, gruaja e tij Shota dhe bashkëluftëtarët e tij, duke e varrosur në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra të thellë. Për 47 vite trupi i heroit tonë do të pushonte aty, deri në rikthimin e tij në fshatin e lindjes, në Galicë.

    Lavdi Heroit të Kombit, Azem Bejtë Galica!

  • ​“Kombësia e Mohuar”, sot diskutohet në tryezën shkencore në Institutin Albanologjik

    ​“Kombësia e Mohuar”, sot diskutohet në tryezën shkencore në Institutin Albanologjik

    Këshilli Integrues Kombëtar i Kosovës ka organizuar tryezën shkencore e cila do të mbahet sot në Institutin Albanologjik të Kosovës me temën “Kombësia e Mohuar”.

    Në këtë tryezë ligjërues do të jenë historianë, albanologë, diplomatë e njohës të së drejtës natyrore.

    Organizatorët kanë paralajmëruar se do të dëgjohen argumentet e munguara deri tani për identitetin e vërtetë kombëtar.

  • Vdes producenti i “Titanic”, Jon Landau

    Vdes producenti i “Titanic”, Jon Landau

    Jon Landau, producenti fitues i Oscarit, i cili ka punuar ngushtë me regjisorin James Cameron në tre nga filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave, “Titanic” dhe dy filma “Avatar”, ka vdekur. Ai ishte 63 vjeç.

    Familja e Landau njoftoi vdekjen e tij të shtunën. Nuk u dha asnjë shkak i vdekjes, shkruan AP.

    Partneriteti i Landau me Cameron çoi në tre nominime për Oscar dhe një fitore për filmin më të mirë për “Titanic” të vitit 1997.

    Së bashku dyshja llogariten për disa nga blockbusters më të mëdhenj në historinë e filmit, duke përfshirë “Avatar” dhe vazhdimin e tij, “Avatar: The Way of Water”.

  • Ministria vendos përfundimisht për tenderin e master-planit për kompleksin “Adem Jashari”

    Ministria vendos përfundimisht për tenderin e master-planit për kompleksin “Adem Jashari”

    Nga tre milionë euro që ishte paraparë të vlente, master-plani për kompleksin “Adem Jashari” shtetit do t’i kushtojë 7,890,000.00 euro.

    Ministria e Kulturës e ka shpërblyer me kontratë studion gjermane të arkitekturës Gerber Architekten International GmbH për zhvillimin e master-planit për kompleksin “Adem Jashari” në Skenderaj.

    Monumentet brenda kompleksit ka vite që ndodhen në rrezik të shkatërrimit.

    Për të shmangur këtë degradim, Qeveria e Kosovës në vitin 2021 ka iniciuar një proces për zhvillimin e master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

    Hapi i parë ka qenë themelimi i një Komiteti ndër-ministror për kompleksin, i cili do ta mbikëqyrte dhe ndërmerrte hapa për zhvillimin e master-planit. Kësisoj, Ministria e Kulturës hapi një konkurs përmes prokurimit publik për zhvillimin e një master-plani.

    Sipas konkursit të mbyllur me 7 korrik, master-plani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkurs jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit.

    Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë fituese për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari të cilat filluan në qershor, kanë përfunduar të mërkurën e 3 korrikut dhe kanë zgjatur më tepër se një vit.

    Me kontratë është shpërblyer studioja e arkitekturës Gerber Architekten International GmbH, me bazë në Dortmund të Gjermanisë. Vlera e kontratës është dyfish më e madhe sesa ajo që ishte paraparë në hapje të tenderit.

    Nga 3 milionë euro që ishte paraparë të kushtonte, master-plani për Kompleksin Memorial Adem Jashari do t’i kushtojë shtetit 7,890,000.00 euro, bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar nga Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Kulturës të mërkurën.

    Dy ofertat e konsorciumeve tjera konkurruese, ato të “Polis University” dhe Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, janë eliminuar nga Ministria e Kulturës, edhe pse ishin më të lira në çmime.

    Në shkurt të këtij viti, Ministria e Kulturës është paditur nga Instituti i shkencës dhe teknologjisë “Insi”, e cila kryesonte njërin nga konsorciumet e eliminuara nga gara për tenderin e zhvillimit të master-planit.

    I njëjti operator ekonomik e ka dorëzuar lëndën edhe në Gjykatën Komerciale. “Insi” pretendon se ka pasur shkelje të shumta në procesin e prokurimit për këtë tender.

    Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë.

    Më pas në nëntor të vitit 2018 me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.

    Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro.

  • ​Këta janë librat më të dalluar të Kadaresë, sipas diplomatëve të Ambasadës amerikane në Tiranë

    ​Këta janë librat më të dalluar të Kadaresë, sipas diplomatëve të Ambasadës amerikane në Tiranë

    Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka kujtuar dhe bërë homazhe në nder të shkrimit Ismail Kadare përmes vlerësimit dhe përjetimeve që vetë diplomatët amerikanë kanë pasur kur kanë lexuar veprat e tij të mëdha.

    Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, Ambasada e ShBA-së u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij dhe ja kush ishin disa prej tyre.

    PRILLI I THYER

    Më pëlqeu shumë Prilli i Thyer. Përshkrimet e gjalla të veriut mahnitës të Shqipërisë dhe kompleksiteti i pasur i shoqërisë të mrekullueshme ishin një pasqyrë e fuqishme në këtë vend me teksturë dhe të bukur.

    David Wisner, I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e ShBA

    Shkrimi i Piramidës më magjepsi – përmes shumë pak fjalëve, Kadare interpretoi në mënyrë delikate ambicien njerëzore dhe luftën nën pushtetin autoritar përmes shumë këndvështrimeve, të gjitha që lexuesit t’i zbulojnë dhe vlerësojnë vetë.

    John Kastning, Drejtues në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit

    E PENGUARA

    Një mik shqiptar më rekomandoi këtë libër që më përfshiu tërësisht. Përmes historisë së mistershme të një gruaje (Linda B.), Kadare prek dashurinë, artin dhe zgjedhjet që njerëzit bëjnë në rrethana të jashtëzakonshme. Tërheqës, magjepsës dhe shumë i bukur.

    Amanda Roberson, Shefe në Detyrë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun

    KRONIKË NË GUR

    Kronikë në Gur është një përshkrim i bukur zemërthyes i përvojës së një fëmije në luftë. Në këtë vepër gjysmë- autobiografike, Kadare shpërfaq një mjeshtëri ironie, antropomorfizmi dhe përshkrimi plot imagjinatë që kërkon që lexuesi të ndjejë përballjen e pastërtisë së thjeshtë të fëmijërisë dhe tmerreve të pakuptueshme të Luftës së Dytë Botërore.

    Gabriel Vaughan, Këshilltar për Sigurinë Kibernetike, Zyra e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes

    PALLATI I ËNDRRAVE

    Njohja ime me veprat e Ismail Kadaresë nisi me romanin e tij Pallati i Ëndrrave. Ky libër e udhëhoqi mendjen time në një udhëtim të papritur. Romani i Kadaresë e çon lexuesin përmes gëzimit të personazhit kryesor për rolin e tij të ri, vetëm për të kulmuar në një fund të paparashikuar dhe befasues. Thyerja e ëndrrave, duke u zhvendosur nga një mjet për të pasur sukses në një mjet për shkatërrimin e dikujt, ishte po aq mendim-ndjellës sa edhe zemërthyes. Kadare eksploroi me mjeshtëri fuqinë e ëndrrave, duke i shndërruar ato nga një simbol shprese në një instrument kontrolli dhe dëshpërimi.

    Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallte datën 2 dhe 3 korrik ditë zie në nder të personalitetit të shquar të letrave shqipe. Përgjatë këtyre dy ditëve, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë. /RTSH/

  • Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative, vdekja e Kadaresë vlerësohet si humbje edhe për letërsinë botërore

    Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative, vdekja e Kadaresë vlerësohet si humbje edhe për letërsinë botërore

    Instituti Albanologjik i Prishtinës ka mbajtur të martën mbledhje komemorative në nderim të shkrimtarit, Ismail Kadare i cili vdiq të hënën, raporton EO.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, ka thënë se me vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar Kadare nuk ka humbur vetëm letërsia shqiptare por edhe letërsia botërore.

    “Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, ka thënë ai.

    Profesor Emin Kabashi, ka thënë se vdekja e tij i jep shpresë jetës dhe sipas tij, ky shekull është shekulli i Kadaresë.

    “Një vdekje që i jep shpresë jetës. Ismail Kadare bëri dy profeci, paralajmëroi kthimin e dinjitetit të një letërsie dhe të kulturës shqiptare dhe paralajmëroi që ky shekull është shekulli i tij. Mund të thuhet lirisht se ky shekull është shekulli i Ismal Kadares për kulturën dhe artin shqiptar dhe botëror”, ka thënë ai.

    Profesor Arben Hoxha, tha se vdekja e shkrimtarit Kadare e ka tronditur ndjenjën njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes kulturore.

    “Dhembja për ikjen fizike të shkrimtarit ton Ismail Kadare sot e ka tronditur ndjenjën tonë njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes sonë kulturore. Shkrimtarët e mëdhenj janë luftëtaret dhe negociuesit me të dinjitetshëm me metafiziken e ekzistencës sonë, ata negociojnë e përplasë me të kufijshmen për të pakufishmen, për të përhershmen e ekzistencës se qenies njerëzore”, ka thënë ai.

  • The New York Times: Kadare krahasohej me Kafkën, Kunderën, Orwellin, i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar në hartën e letërsisë botërore

    The New York Times: Kadare krahasohej me Kafkën, Kunderën, Orwellin, i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar në hartën e letërsisë botërore

    “Ai u krahasua me Orwellin dhe Kafkën dhe eci në litarin e ngushtë politik me vepra kritike për shtetin e tij totalitar”. Kështu shkruan gazeta amerikane, The New York Times në krye të lajmit për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.

    Në titull, NY Times shkruan se ka vdekur shkrimtari,”romanet e të cilit e sollën gjendjen e Shqipërisë në botë”.

    Ismail Kadare, romancieri dhe poeti shqiptar, i cili i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore, duke krijuar vepra shpesh të errëta, alegorike që kritikonin në mënyrë të zhdrejtë shtetin totalitar, vdiq të hënën në Tiranë, Shqipëri. Ai ishte 88 vjeç.

    Vdekja e tij u konfirmua nga Bujar Hudhri, kreu i Shtëpisë Botuese Onufri, redaktori dhe botuesi i tij në Shqipëri, i cili tha se ai pësoi arrest kardiak në shtëpinë e tij dhe vdiq në një spital në Tiranë, kryeqytetin shqiptar.

    Në një karrierë letrare që zgjati gjysmë shekulli, zoti Kadare shkroi një sërë librash, duke përfshirë romane dhe përmbledhje me poezi, tregime të shkurtra dhe ese. Ai fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1970 kur romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u përkthye në frëngjisht. Kritikët europianë e përshëndetën atë si një kryevepër.

    Emri i zotit Kadare u përfol disa herë për çmimin Nobel, por nderi i shpëtoi atij. Në vitin 2005, ai mori çmimin inaugurues Man Booker International Prize (tani Çmimi Ndërkombëtar Booker), që i jepet një shkrimtari të gjallë të çdo kombësie për arritje të përgjithshme në letërsi. Finalistët përfshinin titanë të tillë letrarë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth.

    Në dhënien e çmimit, John Carey, një kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti zotin Kadare “një shkrimtar universal në një traditë të tregimit që shkon prapa te Homeri”.

    Kritikët shpesh e krahasonin zotin Kadare me Kafkën, Kunderën dhe Orwellin, ndër të tjerë. Gjatë tre dekadave të para të karrierës së tij, ai jetoi dhe shkroi në Shqipëri, në atë kohë nën kontrollin e një prej diktatorëve më brutalë dhe më idiosinkratikë të bllokut lindor, Enver Hoxhës.

    Për t’i shpëtuar persekutimit në një vend ku më shumë se 6,000 disidentë u ekzekutuan dhe rreth 168,000 shqiptarë u dërguan në burgje ose kampe pune, zoti Kadare eci në një litar të ngushtë politik. Ai shërbeu për 12 vjet si deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë dhe ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të regjimit. Një nga romanet e zotit Kadare, “Dimri i madh”, ishte një portret i favorshëm i diktatorit.

    Ndryshe, disa nga veprat e tij më të shkëlqyera, duke përfshirë “Pallati i ëndrrave” (1981), sulmuan në mënyrë subversive diktaturën, duke anashkaluar censurën përmes alegorisë, satirës, ​​mitit dhe legjendës.

    Z. Kadare “është një interpretues suprem fiktiv i psikologjisë dhe fizionomisë së shtypjes”, shkroi Richard Eder në The New York Times në 2002.

    Z. Kadare ka lënë pas gruan e tij, Elena Kadare, gjithashtu autore, dhe dy vajza: Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Gresa Kadare.

    Të gjitha veprat e tij ndanin një forcë, shkroi Charles McGrath në The Times në 2010. Z. Kadare është “me sa duket i paaftë për të shkruar një libër që dështon të jetë interesant”.

    Në vitin 2005, pasi fitoi Çmimin Ndërkombëtar Booker, Z. Kadare tha: “I vetmi akt i mundshëm i rezistencës në një regjim klasik stalinist ishte të shkruaja”.

  • The Guardian për vdekjen e Kadaresë: Ndahet nga jeta gjiganti i letërsisë shqipe

    The Guardian për vdekjen e Kadaresë: Ndahet nga jeta gjiganti i letërsisë shqipe

    Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar që eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vjet, ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ka thënë botuesi i tij, shkruan The Guardian.

    Bujar Hudhri, redaktori i Kadaresë në shtëpinë botuese me bazë në Tiranë, Onufri, tha se Kadare vdiq të hënën pasi u dërgua me urgjencë në spital, dhe Reuters raportoi se shkrimtari kishte pësuar arrest kardiak.

    Duke shkruar nën hijen e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, Kadare shqyrtoi shoqërinë bashkëkohore përmes thjerrëzave të alegorisë dhe mitit në romane, duke përfshirë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Rrethimi” dhe “Pallati i ëndrrave”. Pasi u arratis në Paris vetëm disa muaj para rënies së qeverisë komuniste të Shqipërisë në vitin 1990, reputacioni i tij vazhdoi të rritej. I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ai fitoi një sërë çmimesh duke përfshirë çmimin Man Booker International.

    I lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytet kala osman jo shumë larg kufirit grek, Kadare u rrit në rrugën ku Hoxha kishte jetuar një brez më parë. Ai botoi përmbledhjen e tij të parë me poezi në moshën 17-vjeçare. Pas studimeve në Universitetin e Tiranës, ai fitoi një bursë shtetërore për të studiuar letërsi në Institutin Gorki në Moskë. Ai u kthye në Tiranë në vitin 1960 me një roman rreth dy studentëve që rishpiknin një tekst të humbur shqip. Kur ai botoi një fragment në një revistë, ai u ndalua menjëherë.

    “Ishte një gjë e mirë që kjo ndodhi,” i tha ai Guardian në vitin 2005. “Në fillim të viteve ’60, jeta në Shqipëri ishte e këndshme dhe e mirëorganizuar. Një shkrimtar nuk do ta dinte se nuk duhej të shkruante për falsifikimin e historisë”.

    Tre vjet më vonë ai mposhti censuruesit me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një roman për një gjeneral italian që udhëton nëpër Shqipëri në vitet 1960 për të rimarrë eshtrat e ushtarëve italianë që vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjenerali i paemëruar vrapon nëpër fshatra të mjera dhe fusha me baltë, duke vënë në pikëpyetje qëllimin e misionit të tij të zymtë: ”Kur gjithçka thuhet dhe bëhet, ç’emër mund të kenë një grumbull eshtrash?”

    Kritika shqiptare sulmoi një roman që ishte një botë larg realizmit socialist që kërkonte regjimi i Hoxhës, por kur u botua në Francë në vitin 1970, bëri bujë. Le Monde e komentoi atë si “mahnitës dhe plot sharm”.

    Ndërsa profili i tij ndërkombëtar ofroi njëfarë mbrojtjeje, Kadare kaloi 20 vitet e ardhshme duke hartuar një kurs midis shprehjes artistike dhe mbijetesës. Pasi poezia e tij politike “Pashallarët e kuq” u ndalua në vitin 1975, ai pikturoi një portret lajkatar të Hoxhës në romanin e tij të vitit 1977 “Dimri i madh”. Në vitin 1981 ai botoi “Pallati i ëndrrave”, një sulm alegorik ndaj totalitarizmit në të cilin një i ri zbulon sekretet e rrezikshme të një zyre qeveritare që studion ëndrrat. Ai u ndalua brenda disa orësh. Me gjithë këto kthesa, Kadare u bë një figurë e rëndësishme në bashkimin e shkrimtarëve shqiptarë dhe shërbeu si delegat në Kuvendin Popullor. Ai ishte gjithashtu në gjendje të botonte dhe të udhëtonte jashtë vendit.

    Kur Hoxha vdiq në vitin 1986, presidenti i ri, Ramiz Alia, filloi të ndërmerrte hapa tentativë drejt reformës. Kur Muri i Berlinit ra në vitin 1989, Kadare u takua me presidentin për të argumentuar për ndryshim. Por në tetor 1990, ai kishte arritur në përfundimin se “nuk kishte asnjë mundësi për kundërshtim ligjor në Shqipëri” dhe se “më shumë se çdo veprim që mund të bëja në Shqipëri, dezertimi im do të ndihmonte demokratizimin e vendit tim”.

    Duke përmendur një listë prej 100 intelektualësh të shënjestruar nga policia sekrete shqiptare, Sigurimi, Kadare iku në Paris dhe kërkoi azil politik në Francë.

    “Përpjekja përfundimtare,” tha ai për New York Times, “ishin kërcënimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta nga Sigurimi, e cila donte të hakmerrej. Sigurimi do të kishte përdorur shenjat e para të trazirave për t’u hakmarrë.”

    I vendosur i sigurtë në Paris, Kadare filloi të botonte vepra që trajtonin më drejtpërdrejt totalitarizmin.

    Ndërsa reputacioni i tij u rrit, ai mori urdhrin Légion d’Honneur (Legjioni i Nderit) si dhe çmimin inaugurues Man Booker International, atëherë një çmim për arritje të jetës, në 2005.

    Por kjo provokoi një mori pyetjesh të pakëndshme, me shkrimtaren rumune Renata Dumitrascu që tha se karriera e tij ishte “ndërtuar mbi një premisë të dyshimtë”, duke deklaruar “Kadare nuk është Solzhenitsyn (autor rus) dhe nuk ka qenë kurrë”.

    “Ashtu si shumica e homologëve të tij në vendet e tjera komuniste,” shkroi Dumitrascu, “Kadare ishte një kameleon i zgjuar, që luante me mjeshtëri rebelin aty-këtu për të emocionuar perëndimorët naivë që kërkonin zërat e mospajtimit nga lindja. Por nuk ka absolutisht asnjë dyshim se çfarë lloj kafshe ishte dhe me çfarë tufe vrapoi; në fakt, rezymeja e tij bërtet karrierizëm dhe konformitet.”

    Kadare hodhi poshtë akuzat se ai kishte tregtuar me kredenciale të rreme, duke sugjeruar që kritikuesit e tij duhet të fokusoheshin në punën e tij në vend të kësaj.

    “Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam “disident” në kuptimin e duhur të termit,” tha ai për Jerusalem Post. “Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë mbretërimit të Stalinit në Rusi, ishte thjesht e pamundur. Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta zinte, qoftë edhe për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, vetë librat e mi përbëjnë një formë shumë të dukshme të rezistencës ndaj regjimit”.

    Ndërsa Kadare vazhdonte të botonte veprat e tij delikate, polemika filloi të zbehej. Kur romani i tij i një fortese shqiptare që i rezistonte ushtrisë osmane turke në shekullin e 15-të u botua në anglisht në vitin 2008, LA Times sugjeroi se autori ishte “ndër shkrimtarët më problematikë të mëdhenj në letrat bashkëkohore perëndimore. Por kjo nuk duhet t’i pengojë lexuesit të shijojnë “Rrethimin” për atë që është, një vepër domethënëse nga një autor i rëndësishëm, magjepsës. Një vit më vonë, Kadare këmbënguli se ai “nuk ishte një shkrimtar politik dhe, për më tepër, se për sa i përket letërsisë së vërtetë, në fakt nuk ka shkrimtarë politikë. Mendoj se shkrimi im nuk është më politik se teatri antik grek. Do të isha bërë shkrimtari që jam në çdo regjim politik. /The Guardian.