ATV

Category: KULTURË

  • SADRI HULAJ – SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT DHE I ARRITJEVE NË SHËNDETËSI E SPORT

    SADRI HULAJ – SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT DHE I ARRITJEVE NË SHËNDETËSI E SPORT

    Shkruan: Demir Reshiti

    Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, këtë herë do ta bëj prezantimin e mjekut specialist dr. Sadri Hulaj nga fshati Pllavë i komunës së Sharrit i cili jeton në Prizren dhe aktualisht punon në Prishtinë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 65-të dhe arritja e moshës së pensionit.

    Me një jetë të dedikuar shërbimit shëndetësor dhe angazhimeve shoqërore, dr. Sadri Hulaj është një figurë e rëndësishme në komunitet dhe një model për brezat e rinj të profesionistëve të mjekësisë. Falë entuziazmit, vullnetit, mirësjelljes dhe aftësive të jashtëzakonshme komunikuese, ai gëzon respekt të jashtëzakonshëm në mesin e kolegëve, miqve dhe mbarë popullit.

    Përveç karrierës së tij mjekësore, dr. Sadriu është aktiv edhe në sport, veçanërisht në pingpong. Ai ka fituar medalje në garat kombëtare e ndërkombëtare dhe është shpallur sportist i vitit për pingpongun veteran në Kosovë. Ai ishte gjithashtu kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Pingpongut të Kosovës nga 2008 deri në 2012.

    Në të gjithë këto fusha, autoriteti i doktor Sadriut është fituar vetëm me punë dhe ndershmëri, gjë që konfirmohet edhe me rezultatet e arritura gjithandej ku është angazhuar. Puna e tij e frytshme në mjekësinë urgjente-emergjente ishte, është dhe do të jetë shembull dhe inspirim për brezat e ardhshëm.

    Dr. Sadri Hulaj është i lindur më 20 korrik 1959 në fshatin Pllavë të komunës së Sharrit. Është djali i vetëm i prindërve Sinan Hulaj (1923-2011) dhe Habibe Ahmeti -Hulaj (1926- 2022) të cilët kishin edhe dy vajza.

    Shkollën fillore e ka kryer në Pllavë dhe në Llopushnik (1966 – 1974), të mesmen (gjimnazin) në Sharr (1974-1978). Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Beogradit (1978 – 1986) dhe ka marrë titullin Doktor i Mjekësisë.

    Në vitet 1995 – 2000 ka kryer specializimin nga Mjekësia Emergjente të cilin e ka filluar në Beograd (1995) dhe e ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës (24 nëntor 2000). Në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Prishtinës ka vazhduar edhe studimet postdiplomike në drejtimin e kardiologjisë (2002 -2004) dhe i ka përfunduar me sukses të gjitha provimet (por për fat të keq nuk i është mundësuar mbrojtja e temës së diplomës).

    Krahas gjuhës amtare shqipe, dr. Sadriu e flet rrjedhshëm edhe gjuhën serbe, kroate, angleze dhe frënge, duke reflektuar një arsim të gjerë dhe një angazhim për të komunikuar me një audiencë të gjerë.

    Dr. Sadriu është martuar në vitin 1980 me Drita Krasniqin nga fshati Brezne me të cilën kanë lindur gjashtë fëmijë: Dhuratën, studente e Farmacisë në Gjermani dhe njëkohësisht është e punësuar si punëtore administrative në një spital në Gjermani (Menaxhere e Zyrës së Kompanisë); Veroren, specialiste e gjinekologjisë, punon në Spitalin e përgjithshëm në Prizren; Albulenën -Kreatore e modës, e cila për disa vite ka punuar si profesoreshë në ShMT në Prizren ndërsa tani punon në Gjermani; Edonen -specialiste e neurologjisë, aktualisht punon si kryemjeke në një spital të Gjermanisë; Premtonin, absolvent në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, pak para diplomimit; dhe Ardianin i cili punon si mjek në QKMF në Malishevë.
    Gjashtë nipër e katër mbesa janë dhurata më e çmuar që ua kanë bërë prindërve të tyre Sadriut e Dritës këta fëmijë shembullorë, të gjithë me karriera të suksesshme në mjekësi dhe fushat e tjera.

    Menjëherë pas diplomimit, me ndjenja e emocione të veçanta por me vullnet, edukatë, disiplinë, dëgjueshmëri e mirësjellje me kolegët, e fillon stazhin e mjekut praktikant fillimisht në Repartin e Kirurgjisë në spitalin e Prizrenit. Në këtë repart atëbotë punonte pionieri i kirurgjisë prizrenase, opojani Hidajet Lutfiu i cili jo vetëm ndaj dr. Sadriut por ndaj të gjithë mjekëve të rinj që e kryenin stazhin në këtë repart, tregonte respekt dhe përkujdesje të jashtëzakonshme, duke i afruar, këshilluar por edhe duke ju krijuar mundësi që të asistonin në ndërhyrjet kirurgjike.  Për fat të keq ky angazhim zgjati vetëm një muaj dhe u ndërpre sepse dr. Sadriut i vjen ftesa për të shkuar në shërbimin e detyruar ushtarak. Pas një viti, pasi e kryen shërbimin ushtarak vazhdon stazhin e praktikantit nëpër reparte tjera të spitalit të Prizrenit.

    Punën e rregullt si mjek e fillon në vitin 1988 në ambulancat e fshatrave Gjonaj dhe Zym të Hasit ku punon deri në vitin 1990 kur e nis punën në Shërbimin e Urgjencës në Prizren. Gjatë kësaj periudhe angazhohet si profesor i lëndëve Anatomi, Farmakologji, Higjienë, Mjekësi Interne dhe Neuropsikiatri në Shkollën e mesme të mjekësisë “Luciano Matroni” në Prizren. Në vitet 1994 – 1996 dr. Sadriu jep kontributin e tij paralelisht edhe në Ambulancën humanitare të Sh.B.H. “Nena Terezë” në Zhur.
    Në vitet 2002 – 2003 punon si Specialist i Mjekësisë Urgjente në Shërbimin e Urgjencës në Prishtinë prej nga kthehet dhe punon për afro 20 vite në Repartin e Emergjencës të Spitalit regjional – “Prim. dr. Daut Mustafa” në Prizren, nga të cilat 15 vite në pozitën e përgjegjësit të Emergjencës.
    Në vitin 2022 rikthehet në Prishtinë për të punuar në repartin e Emergjencës të Spitalit privat “United Hospital” ku edhe punon aktualisht.

    Dr. Sadriu ka kontribuuar aktivisht në fushën e mjekësisë emergjente, duke marrë pjesë në projekte kombëtare e ndërkombëtare ku është angazhuar në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional me Kryqin e Kuq të Spanjës në projektin “Ndihma e parë mjekësore” si dhe ka kryer vizita studiuese në vende të ndryshme si Suedi, Francë, Greqi etj. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë kongrese dhe konferenca, duke prezantuar tema të rëndësishme mbi zhvillimin e sistemit të emergjencës në Kosovë dhe trajtimin e rasteve të ndryshme. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në Kongreset kombëtare e ndërkombëtare të Mjekësisë emergjente si në Zagreb, Tiranë, Prishtinë, Prizren, Pejë etj. Në të gjitha këto kongrese e seminare ka pasur prezantime të punimeve me tematikë nga puna e përditshme në emergjencë, punime këto që janë mirëpritur nga pjesëmarrësit. Shumicën e këtyre prezantimeve e punimeve shkencore i ka publikuar nëpër revista të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare!

    Përveç karrierës së tij mjekësore, Dr. Sadriu është aktiv edhe në sport, veçanërisht në pingpong. Ai ka fituar medalje në garat kombëtare e ndërkombëtare dhe është shpallur sportist i vitit për pingpongun veteran nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.
    Me sportin e pingpongut është mishëruar që në moshën rinore ndërsa karrierën e tij si lojtar aktiv në këtë sport e ka nisur në Klubin e pingpongut të Prizrenit. Medaljet e para në pingpong ia ka sjellë Kosovës nga garat e mbajtura në Sardenje të Italisë, në qytetin Bosa (viti 2012), pastaj nga turneu ndërkombëtar në dyshe që është zhvilluar në Otoçec të Sllovenisë në vitin 2022. Ka qenë pjesëmarrës i suksesshëm në turne të ndryshme ndërkombëtare të pingpongut që janë mbajtur në Turqi, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni etj. Prej nga i ka sjellë vendit medalje të arta, të argjendta e të bronzta.
    Në qershor të këtij viti (2024) dr. Sadriu ka fituar kupën dhe medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar “Prishtina Open” (grupi i veteranëve nga 65-70 vjet).

    Për të pasur një pasqyrë më të qartë lidhur me personalitetin e doktor Sadriut ia kam parashtruar atij disa pyetje të cilave u është përgjigjur me shumë dashamirësi.

    Pse u përcaktuat ta studioni mjekësinë?

    Përzgjedhja e profesionit ishte më shumë personale se e imponuar. Qysh si nxënës i gjimnazit më kanë tërhequr veçmas lëndët shkencore. Krahas detyrave mësimore që merrnim nga profesorët, gjithmonë kam bërë lexime shtesë. Mësoja, merrja shënime e vizatoja skica sidomos nga lëndët shkencore. Ato fletore me shënime e vizatime i kam ruajtur me fanatizëm dhe i posedoj edhe sot, madje habitem me vetveten se si i kam bërë!
    Problemet shëndetësore me të cilat është ballafaquar nëna ime tashmë e ndjerë, më kanë shtyrë që të lexoj literaturë mjekësore. Në këtë drejtim më kanë ndihmuar shumë edhe dajallarët nga të cilët njëri ishte mjek popullor (Mustafa), tjetri infermier (Abdiu), që të dy tashmë të ndjerë.
    Nëna Habibe vuante nga reumatizmi dhe shpesh kishte nevojë për trajtim mjekësor. Përkujdesja që bënin dajallarët për të ma zgjonte kureshtjen dhe më nxiste që të mësoj edhe unë se si ta ndihmoj nënën… Pikërisht këtu e ka zanafillën orientimi im që të studioj mjekësinë.

    Pse zgjodhët të studionit në Beograd dhe si ju priten atje?

    Në vitin kur përfundova gjimnazin dhe erdhi koha për të studiuar, babait tim që punonte në Beograd, ndërmarrja ku punonte i ndau banesë të re. Për të përfituar këtë banesë, babai ishte i detyruar që ta merrte familjen me vete dhe së bashku me nënën shkuam atje. Kjo shpërngulje ma ndryshoi planin që kisha për të studiuar në Prishtinë. U regjistrova në fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Beogradit, pa provim pranues. Fillimi i studimeve në një qytet dhe gjuhë të huaj ishte për mua sfidë e vështirë sepse nuk e njihja gjuhën por edhe nuk kisha një bazë të mirëfilltë të parapërgatitjes për studime. Kishim vështirësi për t’u adaptuar nga se shkuarja nga një vendbanim i vogël në një tjetër shumë më të madh përbënte një sfidë në vete. Kjo bëri që të angazhohesha dyfish më tepër se koleget e mi studentë për të pasur një start të mbarë në studime.

    Puna e madhe dhe përkushtimi më ndihmuan që të stabilizohem dhe t’i kryej me sukses të gjitha provimet e vitit parë. Vështirësitë veç se mu shtuan pasi që pas përfundimit të vitit të parë të fakultetit u martova dhe na linden fëmijët njëri pas tjetrit. Megjithatë vazhdova studimet me vështirësi shtesë por pa ndërprerje. Në vitin 1985 e ndërruam banesën dhe u ktheva vet i gjashti në Prizren, në banesën e re. Në mungesë të banesës, u detyrova që në vitin e fundit të studimeve të banoj në konvikt, dhe në vitin 1986 diplomova.

    Sa kohë ju nevojit që ta mësoni gjuhën serbe?

    Kur kam filluar studimet nuk dija pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbe. Mirëpo duke lexuar, shënuar, vizatuar e komunikuar me shoqëri, kolegë studentë e qytetarë, arrita që për një kohë të shkurtër ta përvetësoja aq mirë gjuhën serbe sa që profesorët më merrnin si shembull gjatë ligjëratave e bisedave në amfiteatrot e fakultetit.

    A e kujtoni ndonjë moment interesant gjatë studimeve?

    Kam pasur situata të pakëndshme por edhe të tjera të këndshme gjatë studimeve. Kishte raste kur kolegët me përqeshnin për shkak të “belbëzimeve” gjatë prezantimit të seminareve. Gjithsesi kishte edhe momente të mira. Më kujtohet një rast kur pas prezantimit të një seminari, profesori më lavdëroi publikisht për citatet që kisha përdorur gjë që shkaktoi neveri te kolegët e grupit. E mbaj mend edhe një rast tjetër kur profesori na pyeti në çfarë ju aludon zhurma në zemrën e një pacienti. Unë thash se po më aludon në zhurmën e goditjes së topit të pingpongut në tavolinë. Në fillim profesor më qortoi për këtë përgjigje duke thënë po flet budallaqe. Derisa studentet tjerë pas ekzaminimit nuk e përsëritën atë që e konfirmova unë, profesori tha para studentëve se i vetmi që kishte dhënë përgjigje të saktë ishte Sadriu nga se ajo lloj zhurme dëgjohet te pacientet me valvulë artificiale… Pastaj një rast tjetër kur profesori në provim me kritikoi për mënyrën e ndarjes së frakturave e unë këmbëngula se njëri nga anëtarët e komisionit gjatë ligjëratave e kishte shpjeguar në këtë formë. Falë këmbënguljes sime anëtarët e komisionit e vlerësuan të drejtë përgjigjen dhe kalova provimin.

    E di që keni pasur lidhje emocionale me dajën tuaj. Madje e keni bërë publike një pjesë të letërkëmbimit me të, ku ju shkruan edhe në vargje. Ku e ka gjenezën kjo lidhje? 

    I kam pasur katër dajallarë (vëllezër të nenës). Daja Mustafë ishte mjek popullor dhe punëtor i suksesshëm shumëvjeçar në Postën e Kosovës, daja Abdi punëtor administrativ në Kuvendin komunal dhe infermier, daja Enver, punëtor në Beograd dhe daja Muharrem (nuk e kam arritur ta njoh për së gjalli) por djemtë e dajës po, dhe ende kemi takime me ata qe janë në jetë… Me dajën Abdi por edhe me dajën Mustafë kam pasur shumë takime, shumë dashuri për ata por edhe ata për ne. Na kanë vizituar për çdo ngjarje si në Pllavë ashtu edhe në Beograd gjatë studimeve. Vizitat nuk i kanë ndaluar as kur jemi shpërngulur në Prizren. Kanë ardhur rregullisht në dasma e ahengje, në datëlindjet e fëmijëve etj., dhe kemi pasur një përkrahje të madhe madje edhe nga pasardhësit e tyre… Nëna ka qenë shumë e dashur për ata dhe gati për çdo sebep i kemi vizituar dhe anasjelltas. Lidhja emocionale ka qenë dhe ende mbetet e fortë dhe e paharruar. Vjershat e dajës Abdi ende i ruaj dhe me emocionojnë shumë kur i lexoj vetë dhe ua lexoj edhe të tjerëve. Ato vargje përcjellin mesazhe diturie, mesazhe durimi e pune për ta bërë të dobishme të tashmen dhe të ardhmen. Gjithashtu kam kujtime të pa harruara edhe me dajën Mustafë i cili ishte një burrë stabil, i vendosur, i durueshëm dhe shumë punëtor por ishte edhe kritik i rreptë në raste kur vërente ndonjë padrejtësi. I kam të freskëta shumë kujtime gjatë takimeve me të derisa i vijoja mësimet në gjimnaz.  Shpesh i vizitoja dajallarët në vendet e punës dhe gjithmonë me ndihmonin e më jepnin këshilla… Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre të bardhë.

    A ju kujtohet momenti kur keni filluar punë për herë të parë dhe si jeni ndier?

    Studimet në fakultetin e Mjekësisë në Beograd i përfundova më datë 31 tetor 1986. Vetëm një javë më pas, i gëzuar, i mbushur me energji por edhe me plane për të ardhmen, fillova punën në spitalin e Prizrenit. Fillova stazhin e mjekut praktikant dhe me ndjenja e emocione të veçanta por me vullnet, edukatë, disiplinë e dëgjueshmëri të veçantë dhe mirësjellje me kolektivin punues fillimisht të Repartit Kirurgjisë… Më kujtohet përkujdesja e madhe ndaj meje e dr. Hidajet Llutfiut dhe e mjekëve tjerë. Doktor Hidajeti jo vetëm ndaj meje por ndaj të gjithë mjekëve të rinj që e kryenin stazhin në këtë repart, tregonte respekt dhe përkujdesje të jashtëzakonshme, duke na afruar, këshilluar por edhe duke na krijuar mundësi që të asistonin në ndërhyrjet kirurgjike. Për fat të keq ky angazhim zgjati vetëm një muaj dhe u ndërpre sepse më erdhi ftesa për të shkuar në shërbimin e detyruar ushtarak.
    Në shërbimin ushtarak ndonëse shkova si mjek i diplomuar, më angazhuan në shërbimin e lidhjes si teleprinterist! Më kujtohet një moment kur një ushtar me grada na e shpjegonte si duhet të jepet ndihma e parë, derisa ushtarët tjerë e dëgjonin me vëmendje, unë ndërhyra dhe i thash që kjo që po shpjegoni është gabim. Ushtarit që shpjegonte i erdhi siklet dhe këmbënguli në të tijën por ndërhyri komandanti duke më dhënë mua të drejtë dhe nga ai moment më caktoi mua që t’i mbaja ligjëratat… Pas një viti, pasi e kreva shërbimin ushtarak vazhdova stazhin e praktikantit nëpër reparte tjera të spitalit të Prizrenit.

    Pse u përcaktuat për specializim në mjekësi urgjente- emergjente?

    U përcaktova për mjekësi Urgjente- Emergjente nga se kisha punuar në urgjencë 5 vite dhe gjithsejtë 9 vite kisha pritur të marr specializimin por nuk më ofruan diçka tjetër deri atëherë. Duke qenë prind i 6 fëmijëve shkollor nuk isha në pozitë që të pres për të zgjedhur ndonjë drejtim tjetër për specializim dhe u detyrova të pranoj atë që më ishte ofruar. Specializimin e nisa fillimisht në Repartin e Internos, të Kirurgjisë, Anesteziologjisë, Pediatrisë, Gjinekologjisë, etj. Më pas dy semestra stazh na është dashur t’i vazhdojmë në klinikë dhe fakultet ku ishim të regjistruar… Së bashku me mbi 30 kolegë (mjekë) shkuam në klinikat e Beogradit dhe përcillnim ligjëratat, ushtrimet dhe seminaret. Nga lëmi i Emergjencës ishim 4 veta nga trojet shqiptare. Më kujtohet se gjatë ligjëratave në pyetnin për cilat vende po specializonim!… Kishte ligjërata të mira por hetohej atmosfera e pa këndshme. Por pas 6 muajsh u detyruam të ktheheshim në Kosovë sepse ishte gjendje lufte dhe nuk arritëm ta përfundonim specializimin… Pas përfundimit të luftës, programin e specializimit e kemi ndjekur për një vit në klinikat e QKUK-së, sidomos në Emergjencë, Neurokirurgji, Njësinë Koronare etj.

     

    Na flitni diçka për kontributin juaj në themelimin dhe udhëheqjen e repartit të emergjencës.

    Kur e mora specializimin ende punoja në Shërbimin e Urgjencës në Prizren. Shërbimin e udhëhiqte një mjek i sjellë nga një vend i Serbisë, pastaj vazhdova stazhin në spitalin e Prizrenit ku që në fillim pata një ndërhyrje të suksesshme e cila u reflektua te kolegët, pacientët por edhe te familjarët e pacientëve. Më pas mbajta shumë kujdestari në Repartin e Internos madje i zëvendësoja edhe ata kolegë që nuk kishin mundësi ose nuk dëshironin të mbanin kujdestari, kështu që  fitova përvojë të madhe spitalore. Më duhet të theksoj se gjatë punës në këtë repart kisha përkujdesje dhe përkrahje nga dr. Bujar Demiri e dr. Baki Hajdari. Pas 8 muajsh vazhdova në Repartin e Kirurgjisë ku gjithashtu punoja çdo punë që bënin specializantet e kësaj fushe por ende mbaja kujdestari në Interno… Angazhohesha edhe në operacione si asistent i kirurgëve dhe kjo më ndihmoi shumë që të fitoja përvojë…
    Në vitin 2000 mora thirrjen Specialist i Mjekësisë Emergjente dhe fillova të punojë në ambulancën e Urgjencës të qytetit të Prizrenit. Tre muaj më pas më angazhojnë në një projekt bashkëpunimi me Kryqin e Kuq spanjoll të cilin e drejtonte dr. Mar Ripoll. Gjatë tetë muajve sa zgjati ky projekt, realizuam trajnimin e të gjithë stafit shëndetësor në rajonin e Prizrenit (mjekë, infermierë, vozitës e zjarrfikës. Gjatë kësaj periudhe realizova dy vizita studimore…

    A mund ta ndani me lexuesin ndonjë moment interesant gjatë punës suaj në shërbimet urgjente-emergjente?

    Nga 38 vite punë në shërbimet urgjente e emergjente (1986 – 2024) si dhe shumë vizita shtëpiake, pastaj dy vizita në vendet e shenjta Mekë e Medine si mjek i hanxhijëve, kam pasur shumë raste që jo sot por kurrë nuk mund t’i harroj. Po i përmendi disa raste të cilat më kanë ngelur të freskëta në kujtesën time dhe sa herë i kujtoj më shkaktojnë emocione të veçanta e më japin vullnet për punë.

     

    • Një ditë në orët e para të mëngjesit na vjen një pacient me gjendje të rënduar shëndetësore. Me ekipin e urgjencës, internistin dhe infermierin kujdestar filluam ta reanimonim duke i bërë goditje me elektro shok. Sa arrihej përmirësimi klinik, pacienti përsëri hynte në arrest dhe na duhej ta përdornim sërish elektro shokun. Nga dhimbja që i shkaktonin goditjet në kraharor pacienti bërtiste duke na sharë e ofenduar. Deshi zoti që t’ia rikthenim ritmin, të mbijetojë dhe të përmirësohet. Pas disa ditësh kur erdhi në vizitë kontrolluese na u falënderua, kërkoi falje dhe u bëmë miq të mirë…

     

    • Një rast tjetër që gjithashtu nuk e harroj kurrë ishte shoqërimi i një pacienti (fëmijë tetë ditësh) gjatë transferimit për shërim të mëtejshëm në Stamboll. Ftesën për ta shoqëruar këtë pacient ma bënë nga QKUK përkatësisht nga Klinika e Neonatologjisë. Pasi komunikova me kolegët pediatër-neonatolog, i regjistrova parametrat vital, terapinë, i mora këshillat e nevojshme dhe me autoambulancë u nisëm për Stamboll. Së bashku me mua e pacientin ishte vozitësi dhe infermieri. Kaluam një kufi ndërsa në kufirin tjetër në mes të Bullgarisë e Turqisë na ndalen më gjatë dhe gjendja e pacientit u rendua. I ra saturimi, iu shtua frekuenca e frymëmarrjes dhe pulsi. Kjo më shqetësoi seriozisht dhe ndërhyra menjëherë me terapi adekuate duke ia përmirësuar parametrat. Për fat të mirë arritëm që ta dorëzojmë pacientin në njërin prej spitaleve më eminente në Stamboll… Pas 5 vitesh vijnë familjarët e pacientit të më takojnë dhe të më falënderojnë duke më thënë ju ja keni shpëtuar jetën fëmijës sonë. Kot iu thosha që nuk e kam operuar unë. Ata ishin të bindur që unë isha shpëtimtari i fëmijës së tyre…

     

    • Momente të veçanta përjetimi janë edhe rastet kur pas shumë vitesh vjen të na falënderohet pacienti të cilit i kishim shpëtuar jetën. Një rast i tillë ishte me një fëmijë që kishte rënë nga një lartësi prej disa metrash dhe e kishin sjellë në gjendje të rëndë me çrregullime të frymëmarrjes, saturim të zvogëluar… Pas ekzaminimit i vendosim katër gjilpëra 18 gr. nën lëkurë të kraharorit të cilat bënë efekt dhe ia përmirësuan gjendjen. Më pas e dërguam në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm klinik… Kishin kaluar afro dhjetë vite nga ai rast dhe vjen një djalosh që na u prezantua si student i gjuhëve të huaja. Na tha erdha t’ju falënderoj se ma keni shpëtuar jetën kur isha rrëzuar. Ne nuk e njihnim por gjithsesi ky gjest falënderues i atij djaloshi na bëni që të ndiheshim mirë.

    Derisa isha përgjegjës i Emergjencës gjithashtu kishte shumë ngjarje të këndshme të cilat vështirë se harrohen ndonjëherë.

    Doktor Sadriun e urojmë për ditëlindjen e tij të 65-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë dhe suksese në punën dhe angazhimin e tij në mjekësi e sport!

     

     

     

     

     

  • Festivali në Shtime, Aliu: Folk Fest, simbol i bashkimit të vlerave tona kombëtare

    Festivali në Shtime, Aliu: Folk Fest, simbol i bashkimit të vlerave tona kombëtare

    Nën tingujt e traditës folklorike është hapur edicioni i parë i festivalit folklorik kombëtar i këngëve dhe valleve “Folk Fest”, në komunën e Shtimes.

    Në nder të Ditës së Rinisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ilirida” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Shtimes, ka organizuar këtë festival, për të cilin u tha se është simbol i bashkimit të vlerave tona kombëtare.

    Me këtë rast, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se organizimi i “Folk Fest”, festohet jo vetëm pasuria e trashëgimisë kulturore por edhe energjia dhe vizioni i rinisë tonë, që siç shprehet ai me pasionin e tyre po i ruajnë dhe po i zhvillojnë vlerat artistike kombëtare.

    Aliu potencoi se ky festival është më tepër se një ngjarje kulturore. Sipas tij, është simbol i bashkimit të vlerave tona, lidhjes së fortë që i bashkon të gjitha trevat shqiptare, përmes këngës dhe valles sonë unike.

    “Sot kemi nderin t’iu mirëpresim dhe t’iu urojmë mirëseardhje në edicionin e parë folklorik kombëtar të këngëve dhe valleve në Shtime, festivalin ‘Folk Fest’. Ky festival i organizuar nga ansambli i komunës sonë ‘Ilirida’ mbahet pikërisht me 17 shtator për nder të ditës së rinisë duke u kushtuar vend të veçantë të rejave dhe të rinjve që janë shpresa dhe e ardhmja e kombit tonë. Në këtë ditë të shënuar festojmë jo vetëm pasurinë e trashëgiminë kulturore por edhe energjinë dhe vizionin e rinisë tonë që me pasionin e tyre po i ruajnë dhe po i zhvillojnë vlerat tona artistike kombëtare…Ky festival është shumë më tepër se një ngjarje kulturore, është simbol i bashkimit të vlerave tona, lidhjes së fortë që i bashkon të gjitha trevat shqiptare, përmes këngës dhe valles sonë të pasur e unike për dallim nga të gjithë popujt tjerë. Ne jemi krenar si qeverisje me punë dhe përkushtim kemi rikthyer fuqishëm lavdinë e traditave tona popullore dhe kemi kënaqësinë që të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim, duke mbajtur gjallë shpirtin e folklorit tonë në gjeneratat e ardhshme”, tha Aliu.

    Po ashtu, edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Albana Fazliu tha se ky festival është një dëshmi e angazhimit për të mbështetur potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë sonë.

    Ajo u shpreh se çdo herë e kanë përkrahur rininë me aktivitete të tilla, për çka u zotua se do të vazhdojnë të jemi krah tyre çdo herë e më shumë.

    “Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të jem këtu sot në edicionin e parë të festivalit tonë në nder të ditës së rinisë në komunën e Shtimes. Ky festival është një dëshmi e angazhimit tonë për të mbështetur potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë sonë. Çdo herë kemi përkrahur rininë me aktivitete të tilla dhe vazhdojmë të jemi krah tyre çdo herë e më shumë”, u shpreh Fazliu.

    Festivali folklorik kombëtar i këngëve dhe valleve “Folk Fest”, ka karakter garues. Çmimi kryesor i festivalit i ndarë nga i pari i Shtimes, Qemajl Aliu u fitua nga Ansambli “Bresana” nga Opoja.

    Përveç këtyre, u ndanë edhe disa çmime të tjera, duke përfshirë valltaren/valltarin me të mirë, koreografia më e mirë, kostumet më të mira, këngëtari më i mirë e të tjerë.

    Në këtë organizim morën pjesë disa ansamble me vallet e tyre, derisa mysafire ishte edhe këngëtarja, Violetë Kukaj./kp

  • SHSATKK nis zbatimin e masave sindikale për shkak të mos përmbushjes së obligimeve nga MKRS-ja

    SHSATKK nis zbatimin e masave sindikale për shkak të mos përmbushjes së obligimeve nga MKRS-ja

    Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë marrë vendim të fillojnë me masa sindikale, për shkak të mospërfilljes dhe mos përmbushjes së obligimeve nga ana e MKRS-së për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK.

    Përmes një komunikate për media, SHSATKK ka njoftuar se si masë sindikale, duke filluar nga sot, do të jetë fillimi i provave me 10 minuta vonesë.

    Më poshtë po ju sjellim komunikatën e plotë të SHSATKK-së:

    Komunikatë për medie

    Bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovss (për lirinë dhe organizimin sindikal), Nenit 89 të ligjit të punës, nenit 27 të ligjit për organizim sindikal, ligjit për greva nr.03/L-200; Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, në takimin e radhës të mbajtur më 04.09.2024, ka analizuar të gjitha proceset e deritashme që lidhen me përmirësimin e koeficientëve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, dhe ka marrë vendim që përmes kësaj letre t’ua ua rikujtoj mospërfilljen dhe mospërmbushjen e obligimeve nga ana e MKRS për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK, as pas 18 muajve.

    Vendimi për ndërmarrjen e masave sindikale nga anëtarët e shoqatës vije pas mospërfilljes 18 mujore të kërkesave tona nga ana e MKRS-së dhe duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona andaj ju njoftojmë me vendimin e marrë.

    VENDIM

    Ju njoftojmë se Shoqata Sindikale e Artistëve te Teatrit Kombëtar te Kosovës në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që sot, me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal me: Fillimi i provave me 10 minuta vonesë.

    Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siq kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të kulturës të datës 10.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në grevën e përgjithshme e cila do te filloj me datë 01.11.2024 deri në realizimin e kërkesës tonë: Permiresimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

    Kërkesën tonë e bazojmë në përgatitjen profesionale të trupës sonë; shkallën e përgjegjësisë; specifikës së vendit të punës; volumin e punës së shtuar; punës pa orar e cila arrinë edhe deri në 16 orë punë në ditë; punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës; kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrit të shikuesve që është trefishuar duke qene institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend.

    Në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e Ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.

    Me respekt,
    Sheqerije Bucaj, kryetare e SHSATKK, Prishtinë, 16.09.2024

  • ​82 vjet nga Konferenca e Pezës

    ​82 vjet nga Konferenca e Pezës

    Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

    Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave, dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

    Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

    Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar Mustafa Gjinishi.

    Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

    Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

    Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

    Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

    Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

    Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

    Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

    Parulla e bashkimit apo e përçarjes ?

    Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje.

  • Kryeministri Kurti viziton familjen e Mikullovcit në përvjetorin e vdekjes: I paharruar e i nderuar gjithmonë

    Kryeministri Kurti viziton familjen e Mikullovcit në përvjetorin e vdekjes: I paharruar e i nderuar gjithmonë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar familjen e aktorit Adem Mikullovci.

    Kjo vizitë në familjen e aktorit Mikullovci është realizuar në shënim të katër vjetorit të tij të vdekjes.

    Kryeministri Kurti, për Mikullovcin tha se “pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare”.

    Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

    Sot vizituam familjen e Adem Mikullovcit, aktorit tonë të shquar, patriotit e veprimtar kombëtar, në katër vjetorin e vdekjes së tij. Na mikpriti ngrohtësisht bashkëshortja e tij, zonja Lumnije.

    Intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun. Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare. Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë,

    Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet.

    Për ne, po edhe gjerësisht për popullin e Kosovës, ai do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë.

  • Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e edukimit në një botë gjithnjë e më dixhitale

    Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e edukimit në një botë gjithnjë e më dixhitale

    Flet Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

    Prof.Dr.Adrian Civici

    Inteligjenca artificiale është një metodë për të bërë një kompjuter, një robot të kontrolluar nga kompjuteri ose një softuer të mendojë në mënyrë inteligjente si mendja e njeriut. Ai realizohet duke studiuar modelet e trurit të njeriut dhe duke analizuar procesin njohës. Ajo bazohet në algoritme, që lejojnë makinat të imitojnë një formë të inteligjencës reale. Inteligjenca artificiale (AI) përdor analiza të avancuara dhe teknika logjike për të interpretuar ngjarjet, për të mbështetur dhe automatizuar vendime dhe për të ndërmarrë operacione të caktuara. Kjo teknologji inovative ndihmon në minimizimin e gabimeve dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesit në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin. Programet e studimit apo curriculumet universitare e pas universitare me fokus qëndror Inteligjencën Artificiale janë në trendin e një zhvillimi eksponencial. Investimet në këtë drejtim janë po ashtu në një rritje eksponenciale.

    Pyetja dhe pikëpyetja më domethënëse në këto momente është se cili është roli dhe ndikimi i AI në arsimin në përgjithësi dhe universitetet në veçanti? Cilat janë sfidat, përpjekjet dhe shqetësimet e natyrave të ndryshme në përballjen me evolucionin marramendës të AI në të gjitha fushat e jetës dhe aktiviteteve njerëzore, përfshirë këtu dhe arsimin? Analizat, komentet, studimet apo reflektimet e ndryshme shkencore dëshmohen nga frekuenca shumë e lartë e botimeve, artikujve, konferencave shkencore, debateve ndërkombëtare, apo studimeve specifike të tilla si : “Inteligjenca artificiale gjeneruese në arsim: Cilat janë mundësitë dhe sfidat?, “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e mësimdhënies dhe të nxënit”, “AI në Arsim – Arsimi Tjetër”, “Shembuj të inteligjencës artificiale në arsim”, “Klasat inteligjente: Çfarë do të thotë AI për të ardhmen e arsimit”, “Paradigmat e IA në arsim”, “Potencialet e IA në edukim”, “Rreziqet dhe problematika e përdorimit të IA në arsim”, “Rishpikja e edukimit në një botë digjitale”, etj., etj.

    Bota e arsimit po përballet gjerësisht me shtrirjen e jashtzakonshme të AI gjeneruese. Mbas makinave llogaritëse, kompjuterit, uebi-t dhe motorëve të kërkimit, ja një risi tjetër që trondit traditën dhe shkund mënyrat tradicionale të të bërit të gjërave. AI, ashtu si celulari, laptopi dhe tableti, që janë integruar në mënyra të ndryshme në gjithë shkallët e institucioneve arsimore, duhet vlerësuar si një mjet që mund të mbështesë stafin mësimdhënës në ndërhyrjet e tyre dhe jo të zëvendësojë. Sipas Éric Cloutier “Janë të gjitha vetëm mjete … Ne nuk mund ta ndalojmë AI. Do të ishte si të ndalosh internetin: është e pamundur”. “Ne do të duhet të shkëmbejmë dhe bashkëpunojmë për të kuptuar plotësisht mjetet dhe për të mësuar si t’i përdorim ato”.

    UNESCO tashmë ka publikuar “Udhëzuesin për AI Gjenerative në Arsim dhe Kërkim”, dokumenti i parë “global” që përmban udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale (dhe në veçanti të inteligjencës artificiale gjeneruese) në shkolla dhe në përgjithësi në fushën e formimit. Një temë që agjencia e OKB-së e ka përcaktuar si urgjente: “Inteligjenca artificiale gjeneruese – deklaron Audrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e UNESCO-s – mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për zhvillimin njerëzor, por gjithashtu mund të shkaktojë dëme dhe paragjykime. Ajo nuk mund të integrohet në arsim pa angazhim të madh publik dhe garancitë dhe rregulloret e nevojshme nga qeveritë”.

    Përfitimet nga integrimi i AI në arsim

    Integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin arsimor ka shumë avantazhe e përfitime. AI mundëson personalizimin e përvojave të të mësuarit, duke ofruar mundësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë specifike nevojave individuale të nxënësve e studentëve. Duke përdorur algoritme të sofistikuara të AI, mësuesit mund të përshtatin kurrikulën dhe metodat e mësimdhënies bazuar në pikat e forta, dobësitë dhe stilet unike të të mësuarit të secilit student. Sistemet adaptive të të mësuarit, të mundësuara nga AI, mund të rregullojnë automatikisht nivelin e vështirësisë së ushtrimeve bazuar në performancën e studentëve. Mjetet dhe platformat e të mësuarit të “ndihmuara” nga AI luajnë një rol jetik në përmirësimin e aksesit në arsim. Kjo aksesueshmëri e përmirësuar ndihmon në krijimin e një mjedisi mësimor më gjithpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga niveli i tyre i aftësive, apo nevojat specifike.

    Nga ana tjetër, automatizimi i detyrave administrative dhe përmirësimi i menaxhimit të përgjithshëm të institucioneve arsimore paraqesin avantazhe të rëndësishme të AI në arsim. Sistemet e AI mund të përdoren për të thjeshtuar proceset administrative, të tilla si menaxhimi i orareve, burimeve dhe të dhënave të studentëve, duke liruar kohë për mësuesit dhe stafin mësimor e akademik për t’u përqendruar në detyrat me vlerë të shtuar më të lartë, si mësimdhënia, mentorimi dhe mbështetja e personalizuar për studentët..

    Aplikimet e AI në arsim

    Ekzistojnë të paktën katër aplikime konkrete të AI në arsim të tilla si: mjetet parashikuese, platformat adaptive të të mësuarit, robotët bashkëbisedues dhe mjetet e analizës në kohë reale. Integrimi i AI në arsim ka aplikime të gjera dhe mjaft të larmishme. AI përdoret për të hartuar kurse të përshtatura për nevojat specifike të studentëve, duke marrë parasysh nivelin e të mësuarit, interesat dhe aftësitë e tyre. P.sh., sistemet adaptive të të mësuarit të fuqizuara nga AI mund të rregullojnë automatikisht përmbajtjen e kursit/programit bazuar në përparimin individual të studentëve, duke ofruar një përvojë mësimore më të personalizuar dhe efektive. Veç këtyre, Inteligjenca Artificiale ofron potencialin për të zbuluar mashtrimet e ndryshme me karakter mësimor, detyrave praktike, apo akademike, për të siguruar integritetin e provimeve dhe për të ofruar përvoja më të individualizuara të të mësuarit. “Sistemet e integritetit akademik” të bazuara në AI mund të analizojnë modelet e përgjigjeve /testeve/ detyrave/punimeve të nxënësve e studentëve për të identifikuar çdo formë mashtrimi, apo cënimi integriteti e korrekteve duke ndihmuar në ruajtjen e standardeve etike në institucionet arsimore”.

    Sfidat etike të AI në arsim

    Ndërsa teknologjitë po evoluojnë vazhdimisht, kufiri etik i inteligjencës artificiale nuk është as shumë i qartë dhe as shumë konsensual. Për më tepër, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të merren parasysh tre elementë të rëndësishëm : autonomia, konfidencialiteti dhe rreziku i diskriminimit të përdoruesve. Etika në inteligjencën artificiale i referohet vlerave dhe parimeve që duhet të udhëheqin zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve teknologjike për të siguruar që ato të përdoren me përgjegjësi, drejtësi, transparencë dhe të sigurtë.

    Integrimi i inteligjencës artificiale në arsim evidenton edhe disa sfida të tjera të rëndësishme dhe konsiderata etike. Një nga këto sfida është “frika nga humbja e vendeve të punës për shkak të automatizimit të detyrave në institucionet arsimore … frika se AI mund të zëvendësojë disa funksione të kryera tradicionalisht nga mësuesit apo pedagogët, duke ngritur pyetje për të ardhmen e punësimit në sektorin e arsimit”. Një “fushë tjetër shqetësuese është mundësia e mashtrimeve të ndryshme nga ana e një pjese të nxënësve apo studentëve të lehtësuar nga AI”, sidomos fenomeni i plagjiaturës. Në këtë këndvështrim, është thelbësore të arrihet një ekuilibër midis përdorimit të duhur të AI dhe mbrojtjes kundër rreziqeve të mundshme. Kjo nënvizon rëndësinë e ndërgjegjësimit të mësuesve, pedagogëve, nxënësve e studentëve për çështjet etike dhe kritike të AI. Për më tepër, integrimi i një dimensioni etik në trajnimin e teknologjisë është thelbësor për të siguruar që AI përdoret me përgjegjësi e në mënyrë etike në arsim.

    Roli i mësuesve/nxënësve & pedagogëve/studentëve në përdorimin e AI

    Integrimi i AI në arsim ngre disa pyetje thelbësore në lidhje me rolin e mësuesve dhe studentëve në përdorimin e kësaj teknologjie. Mësuesit/pedagogët luajnë një rol themelor në të kuptuarit dhe adoptimin e AI në klasa apo auditore. Ata duhet të trajnohen mbi konceptet themelore të AI, aplikimet e saj arsimore dhe mjetet specifike të disponueshme për të përmirësuar mësimdhënien dhe të nxënit. Mësuesit duhet të informohen për konsideratat etike dhe sfidat e mundshme të përdorimit të AI në arsim, për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të teknologjisë. “Inteligjenca artificiale është një ndihmë për vendimmarrje dhe jo një mjet për të zëvendësuar gjykimin profesional. Nxënësi apo studenti është në qendër të shqetësimeve në mjediset arsimore, prandaj ai duhet të jetë në qendër të reflektimeve të ekipeve që zhvillojnë mjete teknologjike”.

    Gjithashtu, studentët duhet të jenë të përgatitur për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive AI. Kjo përfshin ndërgjegjësimin për teknologjinë, përfitimet dhe kufizimet e saj, dhe se si ajo mund të integrohet në procesin e tyre të të mësuarit. Studentët duhet të inkurajohen të mësojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në lidhje me AI, në mënyrë që të bëhen përdorues të informuar dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, të mësojnë të vlerësojnë në mënyrë kritike rezultatet e krijuara nga mjetet e bazuara në AI, të kuptojnë implikimet etike të AI dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. “Në vend që të përpiqemi t’i ndalojmë studentët të përdorin ChatGPT, ne duhet të reformojmë mënyrën se si japim mësim. Kjo reformë nuk duhet të ketë të bëjë me gjetjen e detyrave të vështira për të cilat studentët nuk mund të përdorin ChatGPT. Ne duhet të sigurojmë që studentët të mund të përdorin sistemet e AI në mënyrë korrekte,” -deklaron Claire Boine nga Universiteti i Ottaëa, Kanada. “Rritja e ndërgjegjësimit midis studentëve tuaj dhe vënia e tyre në përdorimin e mjeteve të AI në një kontekst arsimor është e mirë.

    Sa e njohin dhe si e përdorin studentët dhe universitetet AI?

    Inteligjenca Artificiale, me potencialin e saj për të revolucionarizuar mënyrën se si studentët pedagogët mendojnë për të mësuarit, po gjeneron shumë emocione pozitive, por edhe shumë shqetësime. Aktualisht, egziston një debat mjaft i madh në këtë aspekt. Qëndrimet variojnë ndërmjet dy pozicioneve ekstreme ndaj njëri-tjetrit : mes qëndrimit se AI është e ardhmja dhe ajo duhet të shtrihet sa më gjerësisht dhe pa asnjë hezitim në çdo hallkë e element të funksionimit të universiteteve e institucioneve të arsimit … deri në qëndrimin se ajo duhet të ndalohet e kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur si e pa efektshme, deri e rrezikshme. IA mund të inkurajojë një qasje tepër të standardizuar ndaj mësimdhënies dhe vlerësimit, ku aftësitë dhe performanca e studentëve reduktohen në tregues sasiorë. Kjo mund të anashkalojë shumëllojshmërinë e talenteve individuale, stilet dhe interesat e të mësuarit, duke çuar në një humbje të pasurisë dhe kreativitetit në arsim. Kjo mund të inkurajojë të mësuarit e fokusuar në gjetjen e përgjigjeve të sakta dhe jo në kuptimin e koncepteve në thellësi. “Mjaft shembuj nga përdorimi i gjerë i ChatGPT na tregon se disa institucione e ndaluan atë nga frika se ky mjet do të lehtësonte mashtrimin dhe do të çonte në një rënie të standardeve akademike, ndërsa të tjerët e mirëpritën atë në klasat e tyre sepse u dukej e pamundur të luftonin kundër këtyre teknologjive – dhe të luftonin një luftë humbëse. A duhet të ndalohet AI nga shkollat apo universitetet?”

    Një përgjigje cilësore në këtë debat thelbësor jep një sondazh i kryer nga Instituti Britanik i Politikave të Arsimit të Lartë, i cili ofron njohuri të vlefshme për qëndrimet dhe praktikat e studentëve britanikë. Përfundimet e tij mund të shërbejnë si një udhërrëfyes i vlefshëm për universitetet, studentët apo pedagogët në punën e tyre me AI. Studimi tregon përdorim të konsiderueshëm dhe të larmishëm të mjeteve të AI nga studentët. Më shumë se gjysma e studentëve të anketuar (53%) përdorin mjete gjeneruese të AI për të përgatitur punime të ndryshme të tyre. 36% e studentëve i konsiderojnë këto mjete si “mësues privatë” efektivë për shpjegimin e koncepteve komplekse”.

    Siç shkruan Joss Freeman: “deri më tani, institucionet e arsimit të lartë kanë përmbushur standarde rigoroze dhe ato janë për t’u vlerësuar. Studentët u besojnë institucioneve për të identifikuar përdorimin e mjeteve të AI dhe ndjehen se stafi e kupton se si funksionon AI.

    AI si një element fondamental i një kulture dixhitale për të mësuar

    Sfida e integrimit të AI në arsim qëndron në mënyrën se si përgatiten studentët për një të ardhme ku AI luan një rol udhëheqës. Për ta bërë këtë, nxënësit e studentët duhet të zhvillojnë një kuptim teknik të AI, por edhe aftësi për ta përdorur këtë teknologji në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Duhet të bëhet dallimi midis aftësive dixhitale dhe kulturës dixhitale.pra, një qasje strategjike. Aftësitë e sotme dixhitale, që lidhen me softëerin, gjuhët, sistemet, platformat, janë të destinuara të evoluojnë me shpejtësi, për shkak të shkallës së lartë të inovacionit dixhital, ndërsa Kultura dixhitale përfaqëson bazën teorike e konceptuale që do të krijojë mundësitë nesër të ndryshojë me vetëdijen e plotë sistemet dixhitale duke lëvizur në një vizion më të gjerë e perspektiv.

    Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që nuk shqetëson vetëm nxënësit”, -shkruan Chiara Panciroli, profesore në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës, “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ, drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor. Një nga temat më të rëndësishme është ajo e të ashtuquajturës shpjegueshmëri, pra të kuptuarit dhe shpjegimin se çfarë është dhe si funksionon inteligjenca artificiale”. Kjo do të thotë: përpara se t’i përdorni ato, para se të hidhni hipoteza se për çfarë t’i përdorni, së pari duhet t’i njihni këto mjete. Kuptoni se si punojnë ato, cili është potenciali i tyre dhe (mbi të gjitha) cilat janë kufijtë e tyre. Por gjithashtu shmangni konsiderimin e tyre si një kuti të zezë që përpunon një hyrje dhe kthen një dalje të caktuar. Shpjegueshmëria është pikërisht kjo: ne duhet të jemi gjithmonë në gjendje të kuptojmë dhe interpretojmë përmbajtjen dhe parashikimet e krijuara nga një inteligjencë artificiale. Dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për një kulturë të inteligjencës artificiale, e cila aktualisht mungon ende si te nxënësit ashtu edhe te mësuesit. “Në rastin e inteligjencës artificiale gjeneruese si ChatGPT, për shembull, është thelbësore të kuptosh se si funksionojnë kërkesat, që duhet t’i jepen sistemit: me kërkesa të këqija keni rezultate të këqija dhe mjetet humbasin dobinë e tyre.”

    Në të vërtetë, teknologjia nuk është as e mirë, as e keqe dhe as neutrale; varet nga qëllimi i personit që e përdor atë. Në lidhje me këtë, le të citojmë disa nga këto aftësi: 1.Mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve: AI gjeneruese mund të përpunojë dhe analizojë të dhëna me shpejtësi dhe shkallë të paprecedentë, duke zhvilluar aftësinë për të bërë pyetjet e duhura dhe për të interpretuar rezultatet vendimtare. Studentët duhet të mësojnë të përdorin AI si një mjet për të plotësuar dhe zgjeruar gjykimin dhe kreativitetin e tyre, në vend që thjesht ta zëvendësojnë atë me AI. 2. Etika dhe përgjegjësia: Ndërsa AI bëhet më i integruar në jetën tonë të përditshme, pyetjet etike dhe dilemat morale bëhen më komplekse. Studentët duhet të edukohen për të marrë parasysh pasojat e përdorimit të AI, duke përfshirë ndikimet në privatësi, barazi, përfshirje dhe qëndrueshmëri. 3. Aftësitë teknologjike: Studentët duhet të kuptojnë se si janë ndërtuar këto sisteme dhe të punojnë për t’i zotëruar ato. Kjo përfshin njohuritë bazë të programimit, mësimin e makinerive e pajisjeve specifike, përpunimin e gjuhëve të ndryshme të programimit, mësimin e shkencës së të dhënave, etj.

  • Botohet libri ANI!, nga shkrimtari Fahredin Shehu

    Botohet libri ANI!, nga shkrimtari Fahredin Shehu

    Shkrimtari Fahredin Shehu, në vazhdën e punës së tij kreative dhe hulumtuese shkencore mbi tridhjetë vjeçare, boton librin më të ri me titull ANI!.

    Libri paraqet filozofinë kreative, estetikën dhe semantikën e punës së tij në një periudhë të gjatë krijuese duke paraqitur Artin, Epistemologjinë, Filozofinë, Publicistikën etj. në një trajtë tërësisht lehtë të absorbueshme për lexuesin.

    Libri në prozë me ekscitime poetike, shtrihet nëpër kohë dhe hapësirë të një gjeografie globale ku asgjë njerëzore nuk është e huaj. I konceptuar që të ndriçoj aspekte të panjohura për lexuesin tonë, ANI! është një dritare e hapur që shfaq Nadirin dhe horizontin e gjerë të kërkimit shpirtëror, epistemologjik dhe qenësor njerëzor.

    Falë angazhimit të pa rezervë të profesor Musa Bushrani, në kohën kur autori ballafaqohej me telashe të rënda shëndetësore, libri është përmbledhur në një kompendium dijesh të cilat Shehu i akumuloi ndër vite dhe ndaj të cilit shpreh mirënjohjen më të thellë.

    Libri është botim special i Fondit për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi dhe ka 634 faqe dhe përmban një rezyme të krijimtarisë më se 30 vjeçare të Fahredin Shehut.

  • Bëhen disa zbulime arkeologjike në një fshat të Suharekës, datojnë nga periudha e bronzit dhe hekurit

    Bëhen disa zbulime arkeologjike në një fshat të Suharekës, datojnë nga periudha e bronzit dhe hekurit

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar për zbulime të reja dhe të rëndësishme arkeologjike në lokalitetin e Hisarit në Suharekë.

    Gërmimet, të udhëhequra nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, kanë sjellë prova të vazhdimësisë së popullsisë ilire-dardane nga periudha e bronzit dhe hekurit.
    Ndër zbulimet më të rëndësishme janë disa kallëpe për prodhimin e stolive dhe enëve, të cilat dëshmojnë për një nivel të avancuar të zanateve të kohës.

    Këto gërmime kanë ndihmuar në pasurimin e të dhënave për kulturën e Eneolitit të vonë dhe për rolin e popullatave iliro-dardane në rajon. Ky lokalitet arkeologjik pritet të sjellë edhe më shumë informacione mbi periudhat e hershme historike të Kosovës.

  • Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

    Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

    Poeti dhe profesori i njohur, Lulzim Tafa, në ceremoninë e 4 shtatorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka bërë pranimin zyrtar si anëtar i jashtëm i kësaj akademie.

    Më poshtë po ju sjellim fjalën e plotë të poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit të tij në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë:

    I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave,
    Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri,
    Të nderuar miq,
    Zonja dhe Zotërinj.

    Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?”

    Edhe pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat.

    Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin.

    Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare.

    Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.

    Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit.

    Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.

    Z. kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.

    Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë.

    Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme.

    Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson.

    Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju.

    Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.

    Ju faleminderit!

  • “Shota” fiton çmimin kryesor në Spanjë

    “Shota” fiton çmimin kryesor në Spanjë

    Ansambli Kombëtar “SHOTA” ka fituar çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Zamora të Spanjës.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

    “Super lajm, edhe një çmim botëror nga artistët tanë. Një tjetër përfaqësim e lartësim i shtetit tonë në botë. Përgëzime për performuesit dhe drejtuesit e ansamblit”, ka shkruar ministri në Facebook.