ATV

Category: KULTURË

  • Kryeministri Kurti uron fituesit e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës: Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës

    Kryeministri Kurti uron fituesit e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës: Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti, e ka triumfuesin Endrit Krasniqi, si dhe të gjithë fituesit tjerë të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.

    Kryeministri Kurti duke falënderuar edhe jurinë profesionale ka thënë se ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Në popull thuhet se çdo i dyti person në Kosovë dëshiron të bëhet këngëtar, dhe ashtu është, sepse Kosovës i këndon zemra! Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga “Akordet e Kosovës” në shekullin e 20-të, tani me një format të ri dhe energji të re. Përgëzime për Endrit Krasniqin, fituesin e trofeut “Diamanti Blu” me këngën “Flas me gjethen,” dhe suksese të mëtejshme për Greta Azizin, që fitoi çmimin e dytë me “Verës,” dhe Dea Stricën me çmimin e tretë për “N’Shqipni.”

    Po ashtu, suksese për Besmir Shishkon, që mori çmimin e Pallatit të Rinisë dhe të kryeqytetit me “Unë ajo,” dhe Arnitë Kastratin, fituesen e çmimit të orkestrës për “Blla blla.” Një falënderim për Orkestrën e Festivalit dhe jurinë e respektuar – Minire Fetahun, Jane Sugarman, Ardianë Pajazitin, Valbona Selimllarin dhe Blerta Zeqirin – për vlerësimin dhe përkushtimin e tyre. Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës!

  • Qyteti i Pejës nderon me çmim të veçantë poetin Lulzim Tafa

    Qyteti i Pejës nderon me çmim të veçantë poetin Lulzim Tafa

    Profesori dhe poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar me çmimin letrar “Lirikë me shi” në qytetin poetik të Pejës.

    Ky çmim ka një rëndësi të veçantë për Tafën, pasi lidhet me kujtimet e tij të hershme për poetin Azem Shkreli.

    Në një postim në Facebook, Tafa kujtoi momentin kur, para 30 vitesh, Azem Shkreli i kishte dhuruar librin e tij “Lirikë me shi”.

    “Para 30 vitesh, poeti Azem Shkreli më dhuroi librin e tij “Lirikë me shi”. Ndërsa sonte, qyteti poetik i Pejës më nderoi me çmimin letrar me të njëjtin emër. Një përkim interesant, paksa paradoksal, i dhimbshëm, por shumë i bukur.” shkroi poeti Tafa.

  • ​Homeri shqiptar në 153-vjetorin e lindjes

    ​Homeri shqiptar në 153-vjetorin e lindjes

    Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

    Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

    Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

    Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.

    Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

    Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.

    Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.

    Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

    Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumanshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.

    Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

    Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj. Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

    Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

  • Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në Kupën Botërore të Koreve

    Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në Kupën Botërore të Koreve

    Kori Siparantum, një nga formacionet më të njohura dhe të suksesshme në Kosovë, do të përfaqësojë vendin tonë në Kupën Botërore të Koreve The World Choral Cup, që do të mbahet në Barcelonë nga data 23 deri më 28 Tetor 2024. Ky event prestigjioz mbledh koralet më të mira nga e gjithë bota dhe përfaqëson një platformë unike për të prezantuar muzikën dhe traditat tona kulturore në skenën ndërkombëtare.

    Nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, Kori Siparantum ka realizuar suksese të shumta në skenën ndërkombëtare, duke fituar disa çmime të rëndësishme dhe duke promovuar artin koral kosovar në gara të ndryshme botërore.

    Pjesëmarrja në këtë garë të nivelit të lartë është një tjetër mundësi e jashtëzakonshme për korin tonë që të dëshmojë përkushtimin artistik dhe profesionalizmin e tij.

    Kori Siparantum do të konkurrojë në kategorinë “Adult Choir”, duke interpretuar vepra nga periudha të ndryshme stilistike të kompozitorëve si Jashari, Van der Roost, Runestad, Vovk dhe të tjerë. Kori Siparantum është fitues i 14 çmimeve ndërkombëtare dhe aktualisht renditet ndër 25 koret më të mira në botë në kategorinë “Chamber Choirs & Vocal Ensembles”, sipas World Ranking List të Interkultur. Përveç konkurrimit, korit i është dhënë mundësia të shfaqë një koncert shtesë në kuadër të “Midnight Sounds”, ku dirigjenti ka përzgjedhur vepra nga kompozitorë shqiptarë. Ky koncert do të mbahet në Santa Maria i Sant Nicolau.

    Dirigjenti Memli Kelmendi shprehet me entuziazëm për këtë pjesëmarrje: “Kupa Botërore e Korit është një nga platformat më të rëndësishme në botë për muzikën korale, dhe ne jemi të nderuar që kemi mundësinë të përfaqësojmë Kosovën në këtë event. Kemi punuar me një përkushtim të madh për të sjellë një performancë të nivelit më të lartë dhe shpresojmë që edhe kësaj radhe do të jemi të suksesshëm”

    Pjesëmarrja në Kupën Botërore të Korit në mesin e 34 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota, është një tjetër hap drejt kontributit të tij në promovimin e kulturës dhe identitetit muzikor të Kosovës në botë.

  • Kosova e Bullgaria me marrëveshje bashkëprodhimi në kinematografi

    Kosova e Bullgaria me marrëveshje bashkëprodhimi në kinematografi

    Ministri i Kulturës i Bullgarisë, Nayden Todorov dhe homologu i tij, kosovar, Hajrullah Çeku kanë nënshkruar bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online. Bashkëpunimi ka të bëjë me kinematografinë, ku këto dy shtete pritet të bashkëprodhojnë në këtë fushë.

    Todorovd e quajtur këtë hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet të dy shteteve. Madje tha se bashkëpunimi do të thellohet edhe në fusha tjera përpos kinematografisë si muzikë, teatër dhe trashëgimi kulturore.

    “Jam zakonisht i kënaqur për këtë marrëveshje që u nënshkrua sot dhe do të ketë ndikim të madh edhe për marrëveshjet tjera në të ardhmen. Shpresoj që kjo marrëveshje kulturore nuk është e vetmja paso që edhe njerëzit nga vendet tona më herët kanë bërë të njëjtën. Shpresojmë që kjo marrëveshje do ta shtyjë bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona dhe poashtu do t’i japë edhe një shtyjmë bashkëpunimit kulturor”.

    “Shpresojmë që vitet në vazhdim ju do të vini tek ne dhe ne do të vijmë tek ju do të shikojmë bashkëprodhimin e dy vendeve tona. Bashkëpunimi do të thellohet edhe në fusha tjera përpos kinematografisë si muzikë, teatër dhe trashëgimi kulturore”.

    Përderisa Çeku tha se mezi presin që t’i shohin filmat e prodhuar nga artistët e Kosovë e Bullgarisë, raporton EO.

    “Kemi kënaqësinë që të prodhojmë bashkë punime, siç e tha edhe ministri, mezi presim t’i shohim filmat ndërmjet kosovarëve dhe Bullgarisë. Shpresoj që këtë bashkëpunim që nisëm sot në fushën e filmit do ta vazhdojmë edhe në fushat e tjera”.

  • Mbrëmja e katërt e “Skupifestival”, u shfaq monodrama “Nizhinski”

    Mbrëmja e katërt e “Skupifestival”, u shfaq monodrama “Nizhinski”

    Mbrëmë në kuadër të Skupifestivalit u shfaq monodrama “Nizhinski”, e interpretuar nga aktori Filip Ristovski, i lindur në qytetin e Manstirit, por që jeton dhe vepron me dekada në Bukuresht të Rumanisë, ngjesh momente më sublime nga një ditar 200 faqesh i shkruar nga artisti Vaclav Nizhinski.

    I mbërthyer mes krijimit dhe dëshpërimit, balerinit dhe koreografit të famshëm botërorë Vaslav Nizhinski. I lindur në Kiev në 1889, ai ishte një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit 20-të dhe një nga balerinët më të mëdhenj në botë.

    Ai pra revolucionarizoi baletin klasik përmes formave jokonvencionale të shprehjes, Nizhinski u idolizua për rolet e tij, duke u bërë I famshëm dhe i quajtur si “Zoti i Kërcimit ” nga bashkëkohësit e tij. Në këtë shfaqje, Nizhinski portretizohet në momentet kur ai ishte në kufirin mes normalitetit dhe çmendurisë.

    Duke ndjerë humbjen e afërt të kontaktit me realitetin, Nizhinski bën një përpjekje të dëshpëruara për të përcjellë mesazhin e tij nëpër botë, duke shkruar ashpër për dy muaj rresht, në një përpjekje për të shpëtuar veten dhe krijimin e tij nga harresa. Pas më pak se tre muajsh, ai u mbyll në një azil psikiatrik prej nga nuk doli më kurrë, ku edhe vdiq 30 vjet më vonë.

    Sot programi i FNT Skupifestivalit vazhdon me punëtorinë teatrore me regjisoren nga Turqia, Senem Xhehver, kryefjala e kësaj punëtorie do të jetë interpretimin me maskë.

    Ndërsa të shtunën, pra në natën e fundit të Skupifestivalit po në ora 20:00, do të shfaqet “Grimca Elementare”, me autor Majkëll Huellebek, në regji të

    Kris Sharkov, në interpretimin nga Teodora Duhovnikova, Zhaklin Daskallova, Dimitar Nikollov, Martin Dimitrov, Elena Ivanova, Sllavena Zajkova, Darina Radeva. Produksion i Teatri kombëtar Ivan Vazov, Sofje Bullgari.

  • Gati për të nisur Java Kulturore Amerikane: Muzikë, modë e inovacion

    Gati për të nisur Java Kulturore Amerikane: Muzikë, modë e inovacion

    Javët Kulturore Ndërkombëtare publikuan kalendarin e aktiviteteve të Javës Kulturore Amerikane e cila nis nesër, 19 tetor e vazhdon deri në datën 23 tetor.

    Do të ketë një program të pasur me ekspozita, koncerte live dhe trajnime interesante me stilisten nga Nju-Jorku, Noor Bchara.

    Një event muzikor, organizuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të nisë Javën Kulturore Amerikane dhe festimin e 15-vjetorit të AADF. Do të jetë Elton Deda & Band që do të krijojnë një atmosferë festive duke promovuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Koncerti do të zhvillohet pasditen e së shtunës tek Pazari i Ri.

    Space Night është një aktivitet që ka si objektiv ofrimin e një përvojë edukative dhe tërheqëse të përqendruar rreth eksplorimit të hapësirës dhe astronomisë. Ai ofron një sërë aktivitetesh interaktive dhe ekspozitash të përshtatshme për pjesëmarrësit e të gjitha moshave, kryesisht të synuara për fëmijët nga mosha 12-18 vjeç, tek American Corner Tirana, në Bibliotekën Kombëtare.

    Në kuadër të mbështetjes që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë për Akademinë për Gratë Sipërmarrëse (AWE), vjen stilistja Noor Bchara, e cila do të zhvillojë një seminar me AWE, e ndjekur nga një festë e hapur e pesëvjetorit të programit AWE në Shqipëri.

    Ky aktivitetet do të zhvillohet në Destil Creative Hub, Tiranë. Eventi i riciklimit, udhëhequr nga stilistja dhe konsulentja e qëndrueshmërisë Noor Bchara, promovon modën e qëndrueshme duke u treguar të rinjve mënyra të ndryshme për t’i transformuar rrobat e vjetra – si bluza, xhaketa ose sende të tjera veshjesh – në diçka që do t’u pëlqente t’i vishnin përsëri. Pjesëmarrësit do të eksplorojnë veshje të realizuara nga stilistja e njohur amerikane Noor Bchara, së bashku me pjesë të dizenjuara në bashkëpunim me studentë nga UA. Panairi do të ekspozojë videolojërat dhe teknologjinë e drejtuar nga të rinjtë, si dhe produkte artizanale të punuara me dorë nga gratë dhe një performancë muzikore live./atsh

  • 93 vite nga vdekja e shpikësit të llampës elektrike Tomas Edison

    93 vite nga vdekja e shpikësit të llampës elektrike Tomas Edison

    Sot janë bërë 93 vite nga vdekja e shpikësit të llampës elektrike, Tomas Edison.

    Thomas Alva Edison i lindur më 11 shkurt 1847 ishte një shpikës amerikan, shkencëtar dhe biznesmen i cili ka zhvilluar shumë pajisje që ndikuan në jetë në të gjithë botën, duke përfshirë gramofononin, kamerën e filmit, dhe llampën elektrike.

    I quajtur “Magjistari i Menlo Park” (tani Edison, New Jersey), nga një raporter i një gazete, ai ishte një nga shpikësit e parë që ka zbatuar parimet e prodhimit në masë dhe punën e madhe të përbashkët në procesin e shpikjes, dhe për këtë arsye është kredituar shpesh me krijimin e laboratorit të parë të hulumtimit industrial.

    Edison është konsideruar si shpikësi i tretë më pjellor në histori, duke mbajtur 1.093 patenta të SHBA në emrin e tij, si dhe shumë patentave në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani. Ai është kredituar me shpikje të shumta që kanë kontribuar në komunikim masiv dhe, në veçanti, telekomunikacion.

    Këto përfshinin stock ticker, një regjistrues vote mekanik, bateri për makinë elektrike, energji elektrike, muzikë të regjistruar dhe filma. Puna e tij e përparuara në këto fusha ishte rezultat i karrierës së tij të hershme si një operator telegrafi. Edison i dha rrugë konceptit dhe zbatimit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes në shtëpi, biznese, dhe fabrikat – një zhvillim i rëndësishëm në industrializimin e botës moderne. Stacioni i tij i parë i prodhimit të energjisë elektrike ishte në Manhattan Island, New York.

  • Filmat e animuar me legjenda shqiptare do të shfaqen në Zagreb

    Filmat e animuar me legjenda shqiptare do të shfaqen në Zagreb

    Më 26 tetor 2024, në orën 17:00, kinemaja CineStar në Qendrën Branimir, Zagreb, do të jetë mikpritëse e një eventi të veçantë kulturor, ku do të shfaqen filmat e animuar të bazuar në legjenda shqiptare. Këto filma, të titulluar “Legjenda e Argjiros” dhe “Legjenda e Vendit t’Shenjt”, kanë për qëllim të prezantojnë trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të kulturës shqiptare për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit.

    Ngjarja do të nisë me një ceremoni ku do të marrin pjesë përfaqësues të ambasadave dhe artistë të mirënjohur si skenaristja dhe regjisorja Eliona Thomaraj, piktori dhe skenografi Bledar Grecaliu, si dhe fëmijët që janë pjesë e projektit. Filmat do të shfaqen në gjuhën shqipe me titra në anglisht, duke e bërë këtë event të hapur dhe të aksesueshëm për publikun ndërkombëtar.

    Ky aktivitet organizohet nga Shoqata Teatrore në Kroaci “Mërgimtari”, Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci dhe Ambasada e Shqipërisë, me mbështetjen e ambasadave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

  • Botohet libri i ri tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912

    Botohet libri i ri tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Të dhëna të dokumentuara për pronat e shqiptarëve në vitet 1847 deri më 1912, në Vilajetin e Kosovës, janë pjesë e librit të autorëve Refike Sulçevsi dhe Jusuf Osmani.

    Rëndësia e tyre vlerësohet të jetë e madhe.

    Recensenti Fatmir Sejdiu, njëherësh ish-presidenti i Kosovës, tha se Libri ‘’Tapitë e Pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1912’’, do t’iu shërbejë gjeneratave të reja.

    “Mendoj se është një botim jashtëzakonisht i vlefshëm, i cili ka të bëjë me dokumente arkivore dhe që i referohet të kaluarës. Absolutisht që ka të bëjë drejtpërdrejt me popullsinë shqiptare. Vetë ajo që janë diku rreth 1 milion e 500 mijë dokumente, flet për kujdesin që e kanë pasë edhe përzgjedhësit, realisht hartuesit e këtij libri, mendoj se është tepër e rëndësishme të hulumtohet ngadalë, me kujdes gjithë ajo e kaluar, e cila është e notuar dhe gjendet në dokumente posaçërisht përkushtimin juridik, apo sigurimin pronësor juridik, që është abuzuar në fazat e mëvonshme historike që kemi përjetuar si popull. Dhe për ne është e rëndësishme që çdo fjalë të bazohet në argumente”, tha Fatmir Sejdiu, recensent i librit.

    Tapitë janë marrë nga arkivat e Kadastrës së Turqisë, për këtë qëllim edhe libri është në dy gjuhë, shqipe dhe turke.

    “Kosova plot shekuj ishte nën administrimin e shtetit osman. Ky shtet ka lënë gjurmë të shumta në traditën, kulturën materiale dhe dokumente të shkruara, andaj për ndriçimin e të kaluarës historike të popullatës së kësaj treve, në mënyrë reale dhe konkrete, patjetër duhet të shfrytëzohen dokumentet e shtetit osman, që bëjnë fjalë për këto treva të cilat gjenden në arkivat e Republikës së Turqisë”, tha Refike Sulçevsi, autore e librit.

    Sipas gjetjeve, në shumë raste pronësia iu ka takuar grave.

    “Së pari te vendbanimet, por një risi si më e rëndësishme që do të doja ta theksoja si një pjesë e madhe e pronarëve të tokave janë femra. Kjo ka qenë një habi se si në atë kohë femra ka qenë e barabartë në trashëgimi të pronës patundshmërisë me meshkujt. Libri do t’iu shërbejë studiuesve të historisë, qytetarëve, teologëve dhe shumë personave të tjerë të gjejnë gjenealogjinë e familjes të tyre. Ka tapi të gjetura të Nishit, Prokuples, Leskovcit, Vranjës, Kushumlisë, mandej tërë sanxhakun e Prishtinës, të Pejës, Prizrenit, Shkupit po më së shumti tapi të Sanxhakut, Kazaja e Shkupit Tetovës, Malit të Zi të sotëm, por edhe tërë Sanxhaku”, tha Jusuf Osmani, autor i librit.

    Libri vlerësohet se do t’iu shërbejë më së shumti studiuesve të historisë.