ATV

Category: KULTURË

  • Burim Berisha prezanton ekspozitën “RESIDUE” në Institutin ARKIV

    Burim Berisha prezanton ekspozitën “RESIDUE” në Institutin ARKIV

    Instituti i Artit Bashkëkohor – ARKIV do të hapë më 18 korrik ekspozitën personale të artistit Burim Berisha, me titull “RESIDUE”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 shtator.

    E ndërtuar mbi një praktikë artistike prej më shumë se 25 vjetësh, ekspozita trajton skulpturën si një proces perceptimi, duke eksploruar kujtesën, transformimin dhe gjurmët që mbeten përmes instalacioneve me tingull, tym, dhe materiale të tjera.

    Hapja e ekspozitës dhe konferenca për shtyp do të mbahen më 18 korrik, duke filluar nga ora 11:00.

    Burim Berisha është artist bashkëkohor nga Peja, i njohur për praktikën e tij në skulpturë, instalacion dhe ndërhyrje site-specific, me fokus në perceptimin, hapësirën dhe përvojën sensoriale.

  • Vdes Todi Llupi, një prej ikonave të humorit shqiptar

    Vdes Todi Llupi, një prej ikonave të humorit shqiptar

    Arti shqiptar është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi, një prej figurave më të spikatura të Estradës Profesioniste të Fierit dhe një ikonë e humorit shqiptar.

    Me një karrierë artistike që zgjati më shumë se pesë dekada, Todi Llupi u bë pjesë e Estradës së Fierit në vitin 1971, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e saj ndër më të mirat në vend. Me talentin e tij të veçantë, interpretimin plot finesë dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e publikut dhe u kthye në një nga artistët më të dashur për breza të tërë.

    Përveç dhjetëra roleve në skenën e estradës, Llupi interpretoi edhe në disa filma artistikë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë dhe humorit shqiptar.

    Në vitin 1989 ai u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”, si mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare.

    Ndarja nga jeta e Todi Llupit përbën një humbje të madhe jo vetëm për qytetin e Fierit, por për gjithë artin shqiptar. Trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë përmes roleve dhe kujtimeve që ka lënë tek publiku.

  • “Coachella” e Ballkanit: Si festivali “Sunny Hill” e vendosi Kosovën në hartën globale të udhëtimit

    “Coachella” e Ballkanit: Si festivali “Sunny Hill” e vendosi Kosovën në hartën globale të udhëtimit

    Festivali Sunny Hill është shndërruar në një nga atraksionet më tërheqëse verore të Evropës Juglindore, duke tërhequr adhurues të muzikës nga rreth 60 shtete, në Prishtinë për edicionin e vitit 2026, që mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht. Një qytet që dikur njihej kryesisht për historinë e vet të pasluftës, tashmë çdo verë mbushet plot, pasi vizitorët ndërkombëtarë planifikojnë udhëtimet e tyre rreth datave të festivalit.

    Gjatë festivalit, hotelet në të gjithë Prishtinën mbushen rreth 99–100% të kapacitetit që kanë, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës rezervimet arrijnë rreth 96%. Akomodimet afatshkurtra, restorantet, kafenetë dhe shërbimet e taksive funksionojnë me kapacitet të plotë, ndërsa shumë vizitorë ndërkombëtarë e zgjasin qëndrimin e tyre deri në dy javë për të eksploruar rajonin më gjerë – duke e kthyer një ngjarje treditore në një sezon turistik që zgjat disa javë.

    Mediat e pavarura kanë bërë krahasimin e qartë: Sunny Hill po bën për një shtet atë që “Coachella” bëri për një qytet shkretinor. Gjatë tri ditëve, me programin që shtrihet në katër skena, festivali mirëpret mbi 100,000 vizitorë dhe po ndihmon që Prishtina të njihet si një kryeqytet evropian, i përballueshëm dhe me një mikpritje të ngrohtë e autentike, një përvojë e veçantë për udhëtarët që zgjedhin të dalin përtej kornizave të destinacioneve të zakonshme.

    Edicioni i vitit 2026 sjell një kombinim të emrave më të mëdhenj globalë – Katy Perry, Keinemusik, Martin Garrix dhe një listë të pasur artistësh të muzikës elektronike, përfshirë Seth Troxler, Carlita dhe Pawsa – së bashku me artistë lokalë për një përvojë vendase. Për shumicën e vizitorëve, festivali është arsye për të vizituar Kosovën, ndërsa vetë vendi arsye për të qëndruar më gjatë.

    “Ne gjithmonë kemi dashur që Sunny Hill të jetë një arsye që bota të vijë dhe ta vizitojë Kosovën,” thotë bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa. “Njerëzit vijnë për muzikën dhe largohen duke rënë në dashuri me vendin, me ushqimin, me energjinë dhe mikpritjen. Kjo është gjëja më e vlefshme që një festival mund t’i dhurojë një vendi”.

    Biletat treditore të rregullta dhe ato VIP janë tashmë në shitje. Duke pasur parasysh kërkesën e lartë ndërkombëtare dhe kapacitetet akomoduese, organizatorët rekomandojnë që të bëhet sa më herët rezervimi i biletës e akomodimit.

    Për bileta, ose për paketën e plotë të udhëtimit si dhe për më shumë informacione, ju lutem vizitoni www.sunnyhillfestival.com.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon turneun ndërkombëtar me shfaqje në Austri dhe Itali

    Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon turneun ndërkombëtar me shfaqje në Austri dhe Itali

    Pas suksesit të turneut në Amerikën Latine, ku shfaqja “Carmina Burana” u interpretua gjashtë herë para sallave të mbushura, Baleti Kombëtar i Kosovës do të vazhdojë prezantimin e artit kosovar në skenën ndërkombëtare.

    Më 15 korrik, trupa do të prezantojë shfaqjen “Terminal” në edicionin e 35-të të Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival në Graz të Austrisë.

    Më pas, më 18 dhe 20 korrik, “Carmina Burana” do të shfaqet në Romë dhe Lecce, duke shënuar edhe paraqitjen e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës në kryeqytetin italian.

    Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, tha se këto paraqitje dëshmojnë cilësinë e artistëve kosovarë dhe rolin e kulturës si urë bashkëpunimi dhe promovimi për Republikën e Kosovës, duke theksuar se ministria do të vazhdojë ta mbështesë prezantimin e artit dhe kulturës kosovare në arenën ndërkombëtare.

  • Emra të mëdhenj të skenës elektronike zbarkojnë në Prishtinë për Sunny Hill 2026

    Emra të mëdhenj të skenës elektronike zbarkojnë në Prishtinë për Sunny Hill 2026

    Sunny Hill Festival 2026 po përgatitet për një nga edicionet më të mëdha në historinë e tij, duke sjellë në Prishtinë disa nga emrat më të kërkuar të skenës ndërkombëtare të muzikës elektronike. Festivali ka konfirmuar artistët e rinj që do të performojnë më 31 korrik, si dhe më 1 dhe 2 gusht, duke e kthyer edhe një herë kryeqytetin e Kosovës në një pikëtakim të muzikës botërore.

    Në listën e emrave të rinj të konfirmuar bëjnë pjesë disa prej figurave më të rëndësishme të skenës elektronike globale:

    Keinemusik (Adam Port dhe Rampa)

    Seth Troxler

    Carlita

    Manifest

    Këta artistë i bashkohen një formacioni që premton një eksperiencë të jashtëzakonshme për mijëra adhurues të muzikës nga Kosova dhe e gjithë bota.

    Por ky është vetëm fillimi. Organizatorët kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikohen emra të tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë, si dhe artistët më të spikatur vendorë që do të plotësojnë programin e këtij edicioni.

    Sunny Hill, një destinacion global i muzikës dhe turizmit

    Interesimi për Sunny Hill Festival 2026 pritet të tejkalojë rekordet e viteve të kaluara. Deri tani, janë regjistruar blerës biletash nga më shumë se 50 shtete të botës, një dëshmi se festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike në rajon.

    Për të përballuar kërkesën në rritje, rrjeti i shitjes së biletave është zgjeruar në të gjithë Evropën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tregje të tjera ndërkombëtare.

    Efekti ekonomik dhe prania e brendeve globale

    Përtej muzikës, Sunny Hill Festival vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë lokale. Prezenca e brendeve të njohura ndërkombëtare dhe vendore do të jetë pjesë e rëndësishme e përvojës së festivalit, ndërsa kërkesa e lartë për akomodim ka nisur të ndikojë drejtpërdrejt në sektorin e hotelerisë në Prishtinë dhe qytetet përreth.

    Me mijëra vizitorë të huaj që pritet të udhëtojnë drejt Kosovës, festivali shihet si një mundësi e madhe për promovimin e vendit dhe zhvillimin e turizmit.

    “Ky edicion nuk është vetëm një festival muzikor; është një dëshmi e rritjes sonë si destinacion global. Prishtina po mirëpret botën,” ka deklaruar ekipi organizativ i Sunny Hill Festival.

    Sunny Hill 2026 pritet të jetë një festë e muzikës, kulturës dhe energjisë ndërkombëtare, duke e vendosur edhe një herë Prishtinën në hartën e festivaleve më të mëdha në Evropë.

  • Sonte në Galerinë e Arteve në Prishtinë hapet “another time”

    Sonte në Galerinë e Arteve në Prishtinë hapet “another time”

    Ekspozita personale e artistit visual, Arianit Beqiri, me titull “another time”, hapet sonte nga ora 19:00, në Galerinë e Arteve në Prishtinë.

    E kuruar nga artistja Rudina Xhaferi, ekspozita do të nisë me një performancë-instalim në platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

    Pas performancës, publiku do të ftohet të vizitojë hapësirën e Galerisë, ku do të prezantohen veprat e artistit.

    Ekspozita “another time” sjell një qasje të veçantë në prezantimin e krijimtarisë artistike, duke i ftuar vizitorët në një përvojë ndryshe të ndërveprimit me veprat.

    Kjo ekspozitë synon të krijojë një dialog mes artit bashkëkohor, hapësirës ekspozuese dhe publikut, duke ofruar një koncept kuratorial që ndërthur performancën me ekspozimin e veprave.

  • Ramë Dardania prezanton Kosovën në ekspozitën ndërkombëtare “Crowncaps for Migration” në Zvicër

    Ramë Dardania prezanton Kosovën në ekspozitën ndërkombëtare “Crowncaps for Migration” në Zvicër

    Artisti bashkëkohor Ramë Dardania do të jetë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Crowncaps for Migration”, e cila do të mbahet nga 3 deri më 14 gusht 2026 në Zürich Hauptbahnhof, një nga hapësirat publike më të frekuentuara në Zvicër.

    Në kuadër të programit të ekspozitës, Dardania është përzgjedhur të marrë pjesë edhe në bisedën publike të artistëve, që do të zhvillohet më 13 gusht, së bashku me artisten zvicerane të instalacioneve, Ursula Wolf.

    Gjatë këtij diskutimi, artistët do të ndajnë me publikun procesin e tyre krijues, burimet e frymëzimit dhe reflektimet mbi temat e migrimit, identitetit dhe dialogut kulturor.

    Ekspozita organizohet nga Satellites of Art në kuadër të projektit “Crowncaps for Migration”, i cili bashkon artistë nga vende të ndryshme për të trajtuar përmes artit përvojat e migrimit dhe rëndësinë e shkëmbimit kulturor.

    Pjesëmarrja e Ramë Dardanisë në këtë projekt shënon një tjetër prezantim të rëndësishëm ndërkombëtar të artistit, duke promovuar artin bashkëkohor të Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Evropës.

  • “Prishtina jeton me muzikë” – Si do të duket në tri net Sunny Hill Festival

    “Prishtina jeton me muzikë” – Si do të duket në tri net Sunny Hill Festival

    Atmosfera e Sunny Hill Festival po rikthehet në Prishtinë, ndërsa kryeqyteti po bëhet gati për tri netë të mbushura me muzikë, energji dhe vizitorë nga e gjithë bota.

    Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga Sunny Hill Festival me përshkrimin “Prishtina Breathes Music” apo “Prishtina jeton me muzikë”, janë publikuar pamje duke sjellë momentet më të veçanta të festivalit dhe atmosferën që ka shoqëruar qytetin.

    Videoja paraqet energjinë e publikut, skenën, rrugët e Prishtinës dhe gjallërinë që krijohet kur mijëra njerëz mblidhen për të festuar.

    Këto pamje vijnë si një paralajmërim i asaj që pritet edhe këtë vit, kur Prishtina do të ndezet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.

    Gjatë edicioneve të kaluara, Sunny Hill Festival ka sjellë në kryeqytet artistë të njohur ndërkombëtarë dhe ka kthyer qytetin në një pikëtakim mes kulturave, muzikës dhe njerëzve nga vende të ndryshme të botës.

  • Blanco, artisti që do të performojë këtë vit në Sunny Hill Festival, ka përfaqësuar Italinë në Eurovision Song Contest

    Blanco, artisti që do të performojë këtë vit në Sunny Hill Festival, ka përfaqësuar Italinë në Eurovision Song Contest

    Edhe pak javë kanë mbetur nga nisja e festivalit më të madh të muzikës, Sunny Hill Festival i cili këtë vit do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

    Lista e plotë e artistëve të edicionit të sivjetmë tashmë është finalizuar dhe një mori yjesh globalë pritet të dhurojnë spektakël për adhuruesit e festivalit.

    Në mesin e yjeve të njohur që vijnë në Sunny Hill Festival është edhe këngëtari italian, Blanco.

    Blanco është një nga artistët më të suksesshëm të muzikës italiane, i njohur për stilin e tij unik si dhe për zërin e tij karakteristik.

    Në vitin 2022, ai përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest së bashku me Mahmood, me këngën “Brividi”, e cila u vlerësua shumë nga adhuruesit e festivalit.

    Përveç hitit “Brividi”, repertori i tij muzikor përfshin edhe këngë shumë të njohura si “Ricordi”, “Mi fai impazzire”, “Piangere a 90” dhe shumë të tjera, derisa transmetimet e tij në Spotify kapin shifra prej qindra milionave.

    Sunny Hill Festival, në këtë edicion, sjell emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare të muzikës, si Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix, të cilët do të jenë artistët kryesorë (headliners) të tri netëve të festivalit.

    Përveç tyre, në këtë edicion do të performojnë edhe emra të njohur të muzikës elektronike me famë ndërkombëtare, si Seth Troxler, Pawsa, Adam Port dhe Rampa.

    Krahas artistëve të njohur botërorë, festivali do të mirëpresë edhe emra të spikatur të skenës vendore, të cilët gëzojnë një audiencë të madhe dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e muzikës lokale.

    Biletat e rregullta për festivalin janë tashmë në shitje dhe mund të blihen përmes faqes zyrtare sunnyhillfestival.com.

  • Vetëm një muaj deri te festivali më i madh në rajon – Çfarë sjell Sunny Hill këtë verë?

    Vetëm një muaj deri te festivali më i madh në rajon – Çfarë sjell Sunny Hill këtë verë?

    Kanë mbetur edhe pak javë deri në nisjen e Sunny Hill Festival 2026, një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në rajon, që këtë vit do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bernicë, Prishtinë.

    Edhe këtë edicion, festivali sjell emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe asaj vendore.

    Kryefjala e këtij viti është superylli botëror Katy Perry, e cila do të performojë për herë të parë në Kosovë.

    Krahas saj, janë konfirmuar edhe artistë të tjerë të njohur, ndërsa publiku pret që deri në nisjen e festivalit të zbulohen edhe surpriza të tjera.

    Sunny Hill është shndërruar tashmë në një destinacion të rëndësishëm veror, duke mbledhur çdo vit dhjetëra mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.

    Festivali njihet për atmosferën unike, aktivitetet shoqëruese dhe ndikimin e madh në promovimin e Prishtinës si destinacion kulturor dhe turistik.

    Me mijëra adhurues të muzikës pritet të mbushin sërish hapësirën në Bernicë për tri net me radhë, teksa do të ketë një produksion edhe më të madh, skena spektakolare dhe një eksperiencë që do ta bëjë edicionin e sivjetmë ndër më të veçantët deri më tani.

    Numërimi mbrapsht tashmë ka nisur dhe gjithçka tregon se Sunny Hill Festival do të jetë sërish një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës në Kosovë.