ATV

Category: KULTURË

  • ​18 vjet nga vdekja e Kadri Roshit

    ​18 vjet nga vdekja e Kadri Roshit

    Më 6 shkurt 2007 ndërroi jetë aktori i mirënjohur e kinematografisë dhe skenës shqiptare Kadri Roshi.

    Roshi u lind më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një fëmijëri të trazuar, pasi humbi të ëmën teksa ishte dy vjeç, ndërsa babai i ndërroi jetë dhjetë vjet më vonë.

    Karrierën prej aktori e nisi në moshën 21-vjeçare në Teatrin Popullor. Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.

    Aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe spektatorëve një portret të pashlyeshëm që variojnë nga Ezopi te kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i gjuhës shqipe në Rilindje deri te plaku Mere.

    Roshi ka mishëruar role protagoniste në filmat Vdekja e burrit (1991), Apasionata (1983), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Fije që priten (1976), Përballimi (1976), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti në bronz (1970).

    Për kontributin në artin e fjalës dhe interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik në vitin 1995. Ai mori Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe “Nderin e Kombit” në vitin 1999.

  • ALB-Architect, Demiri: Projekti i Teatrit dhe Operës do ta ndryshojë Kosovën në arkitekturë

    ALB-Architect, Demiri: Projekti i Teatrit dhe Operës do ta ndryshojë Kosovën në arkitekturë

    Kompania ALB-Architect, është kompania e përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për projektin e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovë. Përveç xhubletës, e cila e veçon dhe e bënë më të bukur këtë objekt, të veçantë po e bënë edhe arkitekti ndërkombëtar që e ka në dorë.

    ALB-Architect, ka arritur të bashkëpunojë me arkitektin me famë botërore, Bjarke Ingels nga BIG, i cili po arrin të ndryshojë arkitekturën në botë.

    CEO i ALB-Architect, Afrim Demiri, u shpreh për KosovaPress se kjo kompani ka pasur për qëllim të sjell një arkitekt që do të ndryshojë Kosovën në arkitekturë.

    “Që nga shpallja e këtij konkursi, ALB Architect ka pasur për qëllim që të sjellë një arkitekt, i cili po ndryshon arkitekturën në botë dhe që do të sjellë këto ndryshime edhe në arkitekturën e Kosovës. Në muajin e parë, kemi qenë shumë të gëzuar që BIG ka pranuar të vij me ne në garë. Si ALB-Architect, ne i kemi motivuar me kulturën e Kosovës dhe këta kanë bërë përzgjedhjen e xhubletës. Për turistët, në të ardhmen ka me qenë një investim shumë i madh”, tha Demiri.

    E si ka ardhur ideja për të zgjedhur formën e objektit në formë të xhubletës ka treguar Demiri.

    Ai u shpreh se si kompani gjithmonë ka dashur që xhubleta të jetë në këtë histori.

    “Ne i kemi furnizuar me material kulturor, sepse si pikë e parë në dokumentacion, ishte kërkesa që motivi i projektit të jetë kulturor. BIG, ka bërë pesë propozime, mes tyre kanë qenë edhe shumë elemente tjera si lule-kuqja apo shota. Në fund ata bënë këtë propozim kur e kanë kuptuar që edhe xhubleta është në UNESCO. Në fillim, e kemi pasur të vështirë t’ia shpjegojmë, që populli shqiptar është një i vetëm, bashkë me Shqipërinë. Atëherë, BIG nuk ka dashur të gabojë nga ana juridike lidhur me çështjen nëse xhubleta i përket vetëm Shqipërisë apo edhe Kosovës. Pasi mori aprovimin, thjesht e zgjodhi atë. Ne kemi qenë në përgjithësi, si komunitet, si shqiptarë, të gëzuar që xhubleta të jetë në këtë histori”, u shpreh ai.

    Ky objekt do të ketë 300 deri në 1200 ulëse, salla ushtrimesh, park e shesh, lokacioni i së cilës është vendosur prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

    Vlera e projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit është 2 milionë e 450 mijë euro dhe do të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026. /kp

  • Në Prishtinë është hapur Muzeu i Fëmijëve të Luftës

    Në Prishtinë është hapur Muzeu i Fëmijëve të Luftës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo varëse ka një histori krejt të pazakontë nga lufta: nga duart e një ushtari serb, përfundoi në duart e Antigona Krasniqit, aso kohe, 8 vjeçare.

    “Një ushtar është ulë me njanin gju, i ka hapë durtë edhe më ka thirrë me më përqafu. Dikur e ka futë dorën në xhepin anash, dhe e ka nxjerrë një varëse. Ma tregoi prej së largu e më tha: “Hajde më më përqafë edhe ta jap varsen”. SHkova kur tha: hajde mere se I ka ngjyrat kuq e zi”, tha ajo.

    Deri tani, vajza e kishte mbajtur me shpresën që t’ia kthejë pronares të cilës ia kishte marrë ushtari serb, por pa arritur ta gjejë.
    Tani, janë rritur gjasat, meqë stolia është ekspozuar në Muzeun e Fëmijëve, i hapur në Prishtinë.

    Në një kënd tjetër të hapësirës, është vendosur edhe kukulla e Ardita Sylajt, e cila në luftë ishte vetëm 4 vjeçare.

    “Mami ma hjek kukullën, ma len përmi frigorifer, e ma jep ni qebe, që secili me pasë ni qebe me veti… Kur hypim në traktor, unë filloj me kajtë, thom “po kukullën? Kukullën nuk e mora”, e mami me më ndalë, ma çelin derën dhe kcej. Mami më jep leje me ni shikim, që shko merre”, tregoi ajo.

    Ekspozita “Loja e ndërprerë”, e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, adreson pikërisht fëmijëritë që u ndërprenë dhunshëm nga lufta.

    “Janë gjithsej 24 eksponate të cilat I kemi mbledhur në terren. Ky muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si mjet të dominimit dhe dhunës strukturore duke avokuar për drejtësi sociale dhe paqe të qëndrueshme kudo në botë”, tha drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri.

    Përveç gjësendeve në muze transmetohen edhe video-xhirime, pikërisht të kohës së luftës.

    Momentalisht, muzeu është në një hapësirë private, për të cilën organizata paguan qira mujore, me shpresën se më vonë me mbështetjen e institucioneve, mund të vendosen në ndonjë objekt publik.

  • Transferoni studimet në Kolegjin AAB dhe ndërtoni një të ardhme të suksesshme

    Transferoni studimet në Kolegjin AAB dhe ndërtoni një të ardhme të suksesshme

    Aspironi të ndërtoni një të ardhme të ndritur në një institucion që ofron mundësi unike dhe ju hap dyert drejt një karriere të suksesshme?

    Kolegji AAB ju fton të përfitoni nga programet më të avancuara dhe një përvojë akademike të papërsëritshme.

    Bashkohuni me një komunitet që vlerëson dhe mbështet çdo hap të suksesit tuaj.

    Transferoni studimet tuaja në AAB dhe përjetoni diferencën që bën cilësia, inovacioni dhe përkushtimi ynë ndaj arritësve tuaja.

    Transfero ëndrrat në realitet!

    Linku për aplikimi: https://aab-edu.net/transferi-i-studimeve/

  • ​Ambasadori William Walker promovon librin kushtuar masakrës në Reçak

    ​Ambasadori William Walker promovon librin kushtuar masakrës në Reçak

    Ambasadori William Walker promovoi sonte librin “Historia e një krimi lufte Reçak”, i cili përshkruan përjetimet e tij personale lidhur me masakrën që tronditi komunitetin ndërkombëtar dhe ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    Latif Mustafa, zyrtar për komunikim nga libraria “Dukagjini”, tha se janë krenarë me mysafirin e tyre sot.

    “Dje e kemi paralajmëruar se sot dhe nesër ambasadori Walker do jetë para qytetarëve për të dhënë nënshkrime, për t’u takuar me ta dhe për të marrë librin e tij që ka botuar dhe e ka përkrahur shtëpia botuese “Dukagjini”. Prej dje kemi ekspozuar librin në shitje meqë edhe dje kemi pasur një promovim të mbyllur dhe që nga dje ka pasur një interesim jashtëzakonisht të madh për librin gjë që po shihet nga masa e tubuar këtu”, tha ai.

    Qytetarë të shumtë kishin ardhur në këtë promovim të librit. Njëri prej tyre ishte edhe Sadik Shala nga Suhareka.

    “Vij nga Suhareka, kam ardhur për të respektuar ish-ambasadorin Walker dhe për ta takuar dhe falënderuar për të gjithë atë që ka bë për popullin e Kosovës. Librin tash e kam blerë dhe mendoj se është një libër shumë i qëlluar sepse i ka faktet dhe i ka të gjitha ato që duhet t’i ketë një libër kështu që do ta lexoj deri në fund. Meqë nuk e di gjuhën angleze, megjithatë jam krenar që pata mundësinë të vij për ta takuar një njeri që është profet për popullin e Kosovës”, tha ai.

    Edhe Murat Bytyqi tregon se kishte ardhur nga Suhareka për ta takuar ambasadorin Walker.

    “Kam ardhur sot edhe për ta blerë librin për Reçakun dhe për ta takuar nga afër ish-ambasadorin William Walker, i cili ka bërë kthesë shumë të madhe në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Kam dëshirë ta takoj, ta shoh si frymon ai njeri i cili ka bërë shumë për neve. Çka është më e mira e më të mirave atë që i ka përjetuar dhe çka ka parë në Reçak i ka vendosur në libër, andaj e falënderojmë deri te Zoti për kontributin e tij që e ka dhënë për shqiptarët”, tha ai.

    Libri është një përmbledhje e kujtimeve të William Walker mbi ngjarjet në Reçak dhe krimet e kryera nga forcat kriminale serbe.

    Sipas Walker, libri është një dëshmi historike mbi atë që ndodhi, duke e trajtuar nga perspektiva e një diplomati që pati rol të drejtpërdrejtë në ekspozimin e kësaj masakre të tmerrshme duke e konsideruar si një moment kyç që ndryshoi të ardhmen e vendit.

    Libri është botuar nga “Dukagjini” dhe është i disponueshëm në gjuhën angleze dhe shqipe.

    Kujtojmë, sot ambasadori William Walker mori pjesë në homazhet në Reçak, në 26-vjetorin e masakrës. /kp

  • Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” përfaqëson Kosovën në Berlinale

    Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” përfaqëson Kosovën në Berlinale

    Një film i cili rrëfen tregimin e piktorit Skender Muja, i cili bashkë me qytetarët e tjerë të Mitrovicës, u ngujuan nga forcat serbe në një shkollë të Skenderajt në vitin 1999, do ta ketë premierën botërore në Berlinalen e këtij viti, në muajin shkurt.

    Historia e tyre në kampin e ndalimit vjen në filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti” me regji nga Alban Muja.

    Filmi është pjesë e programit “Forum Expanded” dhe prodhimi i tij është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

    “Kinematografia jonë, kohëve të fundit me filma të metrazhit të shkurtë, po vazhdon të shkëlqejë në ngjarjet më prestigjioze të industrisë botërore të filmit”, shkroi kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    “Një reflektim i mbijetesës dhe qëndresës në relacion me fuqinë e artit për t’i arritur dy të parat. Urime Albanit dhe gjithë ekipit të filmit për këtë përzgjedhje dhe përfaqësim shumë të vlefshëm”, shtoi Kurti në Facebook.

  • 105 vite nga lindja e Sandër Prosit, ikonës së filmit dhe teatrit shqiptar

    105 vite nga lindja e Sandër Prosit, ikonës së filmit dhe teatrit shqiptar

    Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prej aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

    Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.

    Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.

    Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët. Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.

    Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’

    Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.

    Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…

    Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.

    Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

    Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj… / KultPlus.com

  • ​143 vjet nga lindja e Fan Nolit

    ​143 vjet nga lindja e Fan Nolit

    143 vjet më parë në Qytezë të Edrenesë u lind Fan Stilian Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar.

    Ai kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare.

    Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

    Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.

    Në këto vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të. Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27-vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

    Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Kjo gjë për atë kohë kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

    Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit.

    Në vitin 1913, Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në prani të princit Vilhelm Vid.

    Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920. Ai u bë figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të Qeverisë së Shqipërisë.

    Gjatë gjashtë muajve ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara. Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë doli i nxituar në një vend pa tradita parlamentare.

    Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e Zogut, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene.

    Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimërinë…dhe kordhën e tyre…” Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet me armë kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

    Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

    Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme, ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

    Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”.

    Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim.

    Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit. Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike.

    Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji ; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara.

    Fan Noli la përkthime mjeshtërore të veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj. Vdiq në Florida të SHBA-së më 13 mars 1965, në moshën 83-vjeçare.

    Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

  • Seriali “Tre Vllaznit” rikthehet me episodet festive për Vitin e Ri

    Seriali “Tre Vllaznit” rikthehet me episodet festive për Vitin e Ri

    Drejtori i Televizionit ATV, Zija Rexhepi, në emisionin “STUDIO A”, njoftoi se seriali “Tre Vllaznit” do të vijë me tri episode të reja ekskluzive për festat e fundvitit.

    “Janë diku 14 emisione, që janë speciale për Vitin e Ri, përfshirë këtu edhe tri episodet e reja të serialit ‘Tre Vllaznit’, të cilat do të vijnë si ekskluzivitet në tri netët e para të festës, domethënë me datën 31 dhjetor, 1 dhe 2 janar”, tha Rexhepi.

    Seriali “Tre Vllaznit“, prodhim i televizionit ATV, tashmë ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm në mesin e publikut shqiptar, duke grumbulluar miliona shikime në YouTube dhe rrjetet e tjera sociale.

    Promon e serialit “Tre Vllaznit” për edicionin festiv të Vitit të Ri, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Fjalët e fundit të Fishtës

    ​Fjalët e fundit të Fishtës

    Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

    Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

    Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

    Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me fjalët: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

    Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

    Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

    Gjergj Fishta u lind në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik.

    Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

    Krijimtaria artistike

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

    Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

    Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimi i papërsëritshëm i përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homeri i Shqipërisë”.

    Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

    Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tri vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”. Më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

    Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve.

    Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

    Aktiviteti i tij patriotik

    Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

    Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

    U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

    Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në vitin 1937.