ATV

Category: KULTURË

  • ​Guri i Cjapit, një perlë e natyrës në zonën e Korçës

    ​Guri i Cjapit, një perlë e natyrës në zonën e Korçës

    Guri i Cjapit në Bozdovec të Shqipërisë është një nga perlat e natyrës në zonën e Korçës.

    Ky thesar i natyrës, me frekuentim të lartë nga ekskursionistët dhe të apasionuarit pas alpinizmit dhe natyrës, zor se mund të përshkruhet me fjalë, por vetëm të përjetohet, shkruan ATSH.

    Guri i Cjapit është kthyer në një destinacion të përkryer dhe një nga sekretet më të bukura të Korçës, për të gjithë ata që kërkojnë aventurë dhe qetësi mes bukurive të maleve, përcjell KosovaPress.

    Guri i Cjapit ndodhet në brendësi të parkut të Bozdovecit, në komunën Drenovë të rrethit të Korçës. Përfaqëson një bllok shkëmbor konglomeratik dhe ranor me formë të veçantë; ngjan me një deve të ulur në tokë. Emrin e ka marrë nga një cjap, që është rrëzuar në këtë shkëmb. Gjatësia e këtij guri është 20-25 metra, gjerësia është 5-10 metra, dhe gati po kaq është lartësia. Përbëhet nga shkëmbinj konglomerat të modeluar nga erozioni dhe era. Ka vlera shkencore, didaktike, estetike e turistike.

    Vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj sipas itinerarit Korçë-Drenovë-Bozdovec.

  • Jeton Kelmendi, kandidat për nënkryetar të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

    Jeton Kelmendi, kandidat për nënkryetar të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

    Profesori dhe shkrimtari Jeton Kelmendi, është kandiduar për postin e Zëvendëspresidentit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA).

    Kjo akademi prestigjioze, e cila ka selinë në Salzburg të Austrisë, përfshin anëtarë nga e gjithë bota, duke përfshirë 42 laureatë të Çmimit Nobel. EASA është një nga institucionet më të rëndësishme akademike dhe shkencore në Evropë, duke bashkuar personalitete të shquara nga fusha e shkencave dhe arteve.

    Profesor Jeton Kelmendi është i cili është profesor i rregullt në Kolegjin AAB.

    Krijimtaria e tij është përkthyer në mbi 42 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët shqiptarë më të përkthyer. Përveç kontributit të tij në letërsi, Kelmendi ka qenë një promovues aktiv i kulturës dhe shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

    Si kandidat për Zëvendëspresident të EASA-s, Kelmendi synon të sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe inovacioni akademik. Në programin e tij katërvjeçar, ai është angazhuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, për të promovuar kërkimet shkencore dhe artistike, si dhe për të zgjeruar ndikimin e Akademisë në fushën e edukimit dhe shkencës.

    Zgjedhjet për lidershipin e ri të Akademisë do të mbahen me 6 Mars, dhe kandidatura e Kelmendit konsiderohet një hap i rëndësishëm për prezantimin e intelektualëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike evropiane.

  • Hapet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”

    Hapet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”

    Është hapur ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë.

    Ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha tha se përmes kësaj ekspozite paraqiten pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, raporton KosovaPress.

    Pjesë e hapjes së kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo ekspozitë është një përpjekje për të mos i harruar sakrificat e hartuesve të alfabetit shqip.

    Ndërkaq, drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë, Qelo Hoxha, tha se kjo ekspozitë paraqet viktimat e regjimit komunist./kp

  • “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora”, një film i pavarur i shkruar dhe drejtuar nga Sean Baker, është filmi i cili ka fituar pesë çmime “Oscar”, duke përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.

    Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.

    Ceremonia e 97-të e Çmimeve të Akademisë, e organizuar nga Conan O’Brien, u transmetua drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu të dielën, më 2 mars, nga Teatri Dolby në Ovation Hollywood në Los Angeles.

    Adrien Brody mori trofeun e tij të dytë për aktorin më të mirë, këtë herë për “The Brutalist”,.

    Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.

    “Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollywoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.

    Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.

    “Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.

    Adrien Brody fitoi Oscarin e tij të dytë për aktorin më të mirë për rolin e një arkitekti emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”. Aktori 51-vjeçar nga Nju Jorku kishte fituar më parë për “The Pianist”, kur në moshën 29-vjeçare u bë fituesi më i ri ndonjëherë i këtij çmimi.

    “Aktrimi është një profesion shumë i brishtë”, tha Brody. “Nuk ka rëndësi ku ndodhesh në karrierën tënde, gjithçka mund të zhduket. Mendoj se kjo e bën këtë moment edhe më të veçantë”.

    Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj si ndërmjetësja e një bosi të drogës meksikan në “Emilia Perez”, një film në gjuhën spanjolle i shpërndarë nga Netflix.

    Filmi, i cili fitoi gjithashtu çmimin për këngën më të mirë origjinale me “El Mal”, ishte një nga favoritët për filmin më të mirë në fillim të vitit. Por, shanset e tij u zvogëluan kur dolën në dritë postime të papërshtatshme në rrjete sociale nga aktorja kryesore, Karla Sofia Gascon.

    Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e njërit prej dy kushërinjve që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.

    Culkin falënderoi bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tij, Jazz Charton, dhe tha se së fundmi i kishte thënë asaj se dëshironte gjithsej katër fëmijë. Charton kishte bërë shaka duke i thënë se do të pranonte nëse ai fitonte një Oscar.

    “Le të fillojmë punën për ata fëmijë!”, tha Culkin nga skena, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij.

    Fituesit e statujave të arta të Oscarit zgjidhen nga rreth 11.000 aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

    “No Other Land”, një film mbi zhvendosjen e një komuniteti palestinez nga Izraeli, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar. Regjisorët e tij apeluan ndaj botës për t’i dhënë fund konfliktit, duke akuzuar SHBA-në për bllokimin e një zgjidhjeje.

    Bashkëregjisorët e filmit, aktivisti palestinez Basel Adra dhe gazetari izraelit Yuval Abraham, kaluan pesë vjet duke e realizuar këtë dokumentar, që tregon ushtarët izraelitë duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar banorët për të krijuar një zonë stërvitjeje ushtarake, si dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në komunitetin palestinez.

    Dokumentari nxjerr në pah realitetet paralele në të cilat jetojnë dy miqtë – Abraham me targat e tij të verdha izraelite që ia lejojnë të udhëtojë kudo, ndërsa Adra mbetet i izoluar në një territor që vetëm sa tkurret për palestinezët.

    “’No Other Land’ pasqyron realitetin e ashpër që kemi duruar për dekada dhe të cilit ende i rezistojmë, teksa u bëjmë thirrje vendeve të botës të marrin masa serioze për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe spastrimit etnik të popullit palestinez”, tha Adra kur mori çmimin në skenë.

    Duke qëndruar pranë bashkëregjisorit të tij, Abraham shtoi: “Ne e realizuam këtë film, palestinezë dhe izraelitë bashkë, sepse zërat tanë janë më të fortë kur jemi së bashku. Ne e shohim njëri-tjetrin, shkatërrimin e tmerrshëm të Gazës dhe popullit të saj, që duhet të ndalet, pengjet izraelite të marra brutalisht në krimin e 7 tetorit, të cilat duhet të lirohen.

    “Kur e shoh Baselin, shoh vëllain tim, por ne nuk jemi të barabartë. Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën ligjin civil, ndërsa Basel është nën ligjin ushtarak që ia shkatërron jetën dhe ai nuk ka kontroll mbi të”, tha Abraham.

    “Ka një rrugë tjetër. Një zgjidhje politike pa supremaci etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe duhet ta them sa jam këtu, politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge”, shtoi ai.

    Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar që palestinezët të emigrojnë nga Gaza, përfshirë në Egjipt dhe Jordani, është dënuar gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si destabilizuese.

    Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, e quajti fitoren e filmit një “moment të trishtë për kinemanë”, pasi, sipas tij, ai paraqet një pamje të shtrembëruar të Izraelit, që ende po përjeton pasojat e sulmit të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

    “Liria e shprehjes është një vlerë e rëndësishme, por përdorimi i shpifjeve ndaj Izraelit si një mjet promovimi ndërkombëtar e dëmton shtetin e Izraelit, dhe pas masakrës së 7 tetorit dhe luftës së vazhdueshme, kjo është dyfish më e dhimbshme”, shkroi Zohar në X.

    Pavarësisht se ka fituar çmime të rëndësishme në Evropë dhe SHBA, filmi ende nuk ka arritur një marrëveshje për shpërndarje në kinematë amerikane, tha Abraham për Deadline muajin e kaluar.

    I pyetur pse mendon se shpërndarësit amerikanë nuk e kanë marrë filmin, Abraham u përgjigj: “Besoj se është e qartë që arsyeja është politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë.” Ai tha se vendosën të mos prisnin një publikim tradicional në kinema dhe e shfaqën atë në gati 100 kinema në mënyrë të pavarur.

    Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për filmin e pavarur “Flow”, filmi i parë nga Letonia që fiton një Oscar. Filmi brazilian “I’m Still Here” fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.

    Të nominuarat, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo, hapën ceremoninë e Oscarit me një disa performanca muzikore me tematikën e “Wizard of Oz”, përfshirë këngën “Defying Gravity” nga filmi “Wicked”./KultPlus.com

  • ​Restaurohet ikona “Shën Maria” e vitit 1814 në Lubonjë të Korçës

    ​Restaurohet ikona “Shën Maria” e vitit 1814 në Lubonjë të Korçës

    Pas një pune të gjatë nga kuratorët profesionist, ka përfunduar ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Maria” në Lubonjë të Korçës.

    Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, teksa ndau foto të vepres para dhe pas restaurimit, raporton ATSh.

    Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e saj të dikurshëm. Ikona “Shën Maria”, e krijuar në vitin 1814, është një testament i artit të asaj periudhe.

    Gjatë procesit, restauratorët përdorën teknika moderne për të restauruar detajet e imazhit, duke ruajtur gjithashtu materialet origjinale dhe karakteristikat që e bëjnë këtë ikonë të veçantë, transmeton KosovaPress.

    “Me përfundimin e restaurimit, ky objekt do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për besimtarët dhe vizitorët që duan të njohin më shumë për kulturën dhe historinë e kësaj zone të rëndësishme”, u shpreh Filo.

  • Laert Vasili mban bluzën e Prishtina International Theater Festival në BBVA4

    Laert Vasili mban bluzën e Prishtina International Theater Festival në BBVA4

    Aktori i njohur shqiptar, Laert Vasili, është parë së fundmi në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 4 duke mbajtur bluzën e Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” (PITF), festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në Kosovë.

    Ky festival është themeluar në vitin 2017 nga Teatri “Faruk Begolli” në hapësirat e Kolegjit AAB në Prishtinë. Përveç afrimit të teatrove nga vende të ndryshme, PITF promovon edhe shkëmbimin kulturor mes artistëve.

    Deri më tani janë zhvilluar tetë edicione të PITF, ndërsa këtë pranverë do të mbahet edicioni i nëntë. PITF ka karakter garues dhe synon të sfidojë skenën teatrore ndërkombëtare duke sjellë perspektiva të reja.

    Ky festival është një iniciativë e Teatrit “Faruk Begolli” dhe funksionon si një projekt i vetë-financuar, duke dëshmuar rëndësinë e tij në zhvillimin e artit skenik në Kosovë.

    Në videot më poshtë i gjeni disa momente nga shtëpia e Big Brother VIP Albania 4, ku Laert Vasili mban bluzën e PITF:

  • “L’albanese d’Italia”, gazeta e parë shqiptare

    “L’albanese d’Italia”, gazeta e parë shqiptare

    Më 23 shkurt 1848 doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë).

    Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.

    Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës.
    Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot këtë ngjarje të shënuar, duke theksuar se shtypi i kohës ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, raporton ATSh.

    “L’albanese d’Italia” shërbeu gjithashtu si gazeta e parë për të formuar opinionin publik të komunitetit Arbëresh në Itali, duke sjellë në numrat e saj edhe lajme të ndryshme nga Shqipëria apo vendet e Ballkanit.

    De Rada është shkrimtar arbëresh dhe një nga publicistët më të vjetër shqiptarë. Me këtë gazetë ai hodhi gurin e parë në themelet e shtypi kombëtar, ku pas kësaj gazete u botuan dhe një sërë titujsh të tjetër të rëndësishëm për kohën.

    Gazeta ishte një tribunë e mirë për të përçuar mesazhet politike, shoqërore e kulturore në gjuhën italiane dhe pjesërisht edhe në arbërisht.

  • Ky është dizajni i ri i NEWBORN për këtë vit

    Ky është dizajni i ri i NEWBORN për këtë vit

    Ideatori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismaili, ka bërë të ditur se si do të duket ky monument në përvjetorin e 17’të të pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka thënë se këtë herë “Newborn” do t’i dedikohet inteligjencës artificiale.

    Ismaili ka kërkuar ndihmë për përfundimin e këtij projekti.

  • Pulla postare, 80-vjetori i gazetës “Rilindja”

    Pulla postare, 80-vjetori i gazetës “Rilindja”

    Më 12 shkurt, Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”, në qarkullim postar vë emisionin e ri të pullave postare.

    Sipas njoftimit, ky emision i pullës postare rendit kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe gjithë punonjësve të medies së parë të shkruar në Kosovë “Rilindja”, që nga botimi i numrit të parë të gazetës, më 12 shkurt 1945.

    Botimi i numrit të parë të gazetës kërkonte shumë përkushtim dhe punë, megjithatë falë angazhimit të madh të punonjësve, u arrit që shkronjat e gjuhës shqipe të punoheshin manualisht, në mënyrë që gazeta “Rilindja” të ishte në duar të lexuesve nga 12 shkurti i vitit 1945.

    “Kontributi i gazetës “Rilindja” nuk kufizohet vetëm në fushën e informacionit, pasi që nga viti 1946, bëhet bartëse e aksioneve të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe të fushatave për arsimimin e gruas. Me bartjen e shtypshkronjës në Prishtinë në vitin 1958, rritet edhe numri i botimeve, kur gradualisht “Rilindja” shndërrohet në gazetë ditore”, thuhet në komunikatë.

    Për më tepër, thuhet në periudhën e territ informativ të vitit ’90, si rezultat i masave të dhunshme, më 8 gusht 1990 u ndalua publikimi i gazetës “Rilindja”. Megjithatë, më 18 janar 1991, punonjësit e uzurpuar arritën që të vazhdojnë informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar përmes përdorimit të emërtimit të gazetës “Bujku”.

  • ​Liqeni i Lepurit në Shëngjergj, thesar i fshehur natyror mes maleve

    ​Liqeni i Lepurit në Shëngjergj, thesar i fshehur natyror mes maleve

    Një tjetër atraksion turistik po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj. Liqeni i Lepurit, i ndodhur shumë pranë Tiranës, është një tjetër thesar i fshehur natyror që gjendet mes maleve të Shëngjergjit.

    Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes disa fotove të publikuara në rrjetet sociale, tregon ujërat e kristalta dhe peizazhin e pabesueshëm që ofron liqeni i Lepurit, sidomos për ata që janë të apasionuar pas natyrës.

    Liqeni i Lepurit, përpos natyrës, mund të jetë një alternativë ideale për turistët e huaj apo vendasit që pëlqejnë hiking në zonat malore. Ky liqen veçohet nga pastërtia dhe ngjyra e gjelbër e ujit, ndërsa malet, pishat e larta dhe gjelbërimi plotësojnë një tjetër kornizë të përsosur të këtij atraksioni turistik.

    Gjatë muajve të dimrit, liqeni i Lepurit shndërrohet në një atraksion tipik malor, i mbuluar nga dëbora dhe veçantia e ujit të ngrirë të liqenit.

    Liqeni i Lepurit është i rrethuar nga pishat, malet dhe kodra dhe të mahnit me ngjyrën e pastër e të gjelbër, ndërsa vetëm 1 orë nga Tirana ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës.

    Vetëm 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shëngjergj, ndodhet edhe Ujëvara e Shëngjergjit, një tjetër mrekulli natyrore që tërheq qindra vizitorë gjatë gjithë vitit.