ATV

Category: KULTURË

  • Salman Rushdie me libër pas sulmit me thikë: “Ora e njëmbëdhjetë”, rrëfime për vdekshmërinë, lamtumirën dhe identitetin

    Salman Rushdie me libër pas sulmit me thikë: “Ora e njëmbëdhjetë”, rrëfime për vdekshmërinë, lamtumirën dhe identitetin

    Salman Rushdie do të publikojë më 4 nëntor librin e tij të parë artistik pas sulmit me thikë në vitin 2022, një përmbledhje tregimesh me tematikë vdekshmërinë, lamtumirën dhe identitetin. Libri titullohet “The Eleventh Hour” dhe përfshin rrëfime të vendosura në Indi, Britani dhe SHBA.

    “Ora e njëmbëdhjetë” – Salman Rushdie, rrëfime

    Salman Rushdie boton librin ”The Eleventh Hour”, i pari pas sulmit me thikë.

    Salman Rushdie, shkrimtari britaniko-amerikan, i lindur në Indi do të publikojë në nëntor, veprën e tij të parë artistike që nga sulmi me thikë që i kushtoi atij dëmtimin e syrit të djathtë, në vitin 2022.

    Libri nën titullin “The Eleventh Hour” (“Ora e njëmbëdhjetë”), është një përmbledhje e pesë tregimeve dhe novelave të vendosura në tre vendet ku ai ka jetuar: vendlindja e tij Indi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku ai tani jeton.

    “Tri tregimet e shkurtra në këtë vëllim, të gjitha të shkruara në 12 muajt e fundit, eksplorojnë tema dhe vende që më pushtojnë mendjen – vdekshmëria, Bombei, lamtumira, Anglia, zemërimi, paqja, Amerika”, shpjegon autori 77-vjeçar në deklaratën për shtyp.

    “Jam i kënaqur që këto histori, të cilat janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në mjedisin, narrativën dhe teknikën e tyre, megjithatë arrijnë të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe me dy historitë që shërbejnë si prolog dhe epilog për këtë treshe”, shtoi Salman Rushdie.

    “Është një koleksion i tregimeve të shkurtra prekëse dhe mjeshtërore që na çon nëpër botë, nga lagjet e Bombeit në universitetet prestigjioze angleze dhe është planifikuar të dalë në treg më 4 nëntor”, tha botuesi.

    Autori I librit “Vargjet Satanike”, u sulmua më 12 gusht 2022, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, i goditur me thikë nga një libano-amerikan i dënuar në shkurt për tentativë vrasjeje

    Irani e ka dënuar shkrimtarin me vdekje mbi bazë të një vendimi fetar më shumë se 30 vjet më parë, duke e konsideruar veprën blasfemuese.

  • Mehmeti: Teatri Kombëtar ka qenë promotori i shoqërisë sonë në ditët më të vështira

    Mehmeti: Teatri Kombëtar ka qenë promotori i shoqërisë sonë në ditët më të vështira

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin ALARM nga Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, drejtori artistik Kushtrim Mehmeti foli për rolin jetik që ka pasur teatri nëpër dekada – si frymëzim, si edukim dhe si zë i guximshëm në kohë të vështira.

    Ai thotë se, Teatri Kombëtar ka qenë më shumë sesa skenë arti – ka qenë një shkollë, një medium dhe një mjet rezistence, i lindur nga dashuria për shoqërinë, edhe në periudha represioni.

    “Teatri është një promotor i shoqërisë. Është zhvilluar prej atyre njerëzve të cilët kanë qenë të jashtëzakonshëm, sado që ndoshta nuk kanë qenë profesionistë po flas me diplomë, por kanë qenë profesionistë të jetës”, thotë Mehmeti.

    Ai thotë se Teatri Kombëtar nuk është ndalur asnjëherë edhe në kohët më të vështira.

    “Teatri nuk është ndalur asnjëherë, ka vazhduar të punojë edhe atëherë kur është bllokuar Teatri Kombëtar, i njëjti ka vazhduar në Teatrin Dodona edhe në pjesë tjera, kudo që kanë mundur me e zhvillu mediumin që ka qenë shumë i rëndësishëm i kohës edhe që ka qenë një promotor i shoqërisë”, tha ai.

    Intërvistën e plotë të Kushtrim Mehmetit në emisionin ALARM, e gjeni në videon më poshtë:

  • Arbnesha Grabovci-Nixha: Në Kosovë qëndrojmë shumë mirë me teatrin dhe artin

    Arbnesha Grabovci-Nixha: Në Kosovë qëndrojmë shumë mirë me teatrin dhe artin

    Në Ditën Botërore të Teatrit, aktorja dhe profesoresha Arbnesha Grabovci-Nixha ishte e ftuar në emisionin ALARM në ATV, ku theksoi se Kosova qëndron shumë mirë me teatrin, filmin dhe artin në përgjithësi, pavarësisht vështirësive që ndonjëherë i japin jetë kreativitetit.

    Sipas saj, teatri është reflektim i qenies njerëzore dhe, falë dashurisë së publikut, ai mbetet një pasuri e madhe në vendin tonë.

    “Teatri është një magji. Teatri është jeta e vetë njeriut, jeta e qenies njerëzore. Teatri është i rëndësishëm po aq sa është edhe vetë jeta e njeriut. Këtë e ka thënë Artur Milleri. Vetë magjia edhe reflektimi që bën tek njerëzit e bën edhe më madhështor teatrin edhe vetë njerëzit të cilët e dojnë edhe e shikojnë. Pasi që sot është Dita Botërore e Teatrit, 27 Marsi dhe festohet në gjithë botën, normal që reflekton dhe duhet ta themi pa hezituar se ne qëndrojmë shumë mirë me artin, shumë mirë me teatrin, me filmin, me gjitha këto gjëra të cilat e rrethekojnë dhe e bëjnë një aktor edhe një teatër, një komunitet. Vështirësi ka çdoherë, ka pasë dhe do të ketë, mirëpo e mira e smirës është se nganjëherë vështirësitë ta mundësojnë të del një kreativitet i papritur,” tha ajo.

    Intervistën e plotë të Arbnesha Grabovci-Nixhës në emisionin ALARM, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Teatrot e Kosovës: Lidhje mess trashëgimisë dhe Inovacionit artistik”

    “Teatrot e Kosovës: Lidhje mess trashëgimisë dhe Inovacionit artistik”

    Teatrot në Kosovë luajnë një rol të rëndësishëm në jetën kulturore dhe artistike të vendit. Ato janë hapësira ku arti dhe kultura e vendit gjejnë shprehje dhe ku publiku mund të pasurohet me larmishmërinë e shfaqjeve, nga drama klasike deri te krijimet bashkëkohore. Teatri në Kosovë ka një histori të pasur, e cila është shoqëruar me periudha të ndryshme politike dhe shoqërore, por gjithmonë ka mbetur një mjet i fuqishëm i shprehjes artistike dhe shoqërore.

    Një nga teatrot më të njohura në vend është Teatri Kombëtar i Kosovës, i cili është një simbol i lirisë dhe pavarësisë së artit. Ai ofron një gamë të gjerë shfaqjesh, duke përfshirë dramaturgjinë shqiptare dhe ndërkombëtare, dhe është një qendër e rëndësishme për zhvillimin e artit dhe teatriti në Kosovë. Përveç Teatrit Kombëtar, ka edhe shumë teatro të tjera, si Teatri i
    qytetit të Prishtinës, Teatri Dodona Teatri“Faruk Begolli” dhe teatrot në qytete të tjera, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e jetës kulturore në gjithë territorin e Kosovës.

    Teatrat në Kosovë shpesh luajnë një rol aktiv në debatet shoqërore dhe politike, duke trajtuar tema të rëndësishme si liria, identiteti, dhe ndryshimet shoqërore. Shumë shfaqje përpiqen të reflektojnë realitetin e pasluftës dhe proceset e ndërlikuara të ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë, duke përdorur teatrin si një mjet për të provokuar mendimin dhe për të hapur diskutime.

    Edhe pse ka sfida përballë, siç janë financimi dhe infrastruktura, teatrot e Kosovës vazhdojnë të ofrojnë mundësi për artistët dhe aktorët që të zhvillojnë talentin e tyre dhe të krijojnë vepra që ndikojnë në publik. Po ashtu, shumë teatro organizojnë aktivitete edukative dhe shfaqje për fëmijë, duke kontribuar në ndërtimin e një audience të re dhe në promovimin e kulturës teatrale që ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e mendjes kritike të brezave të rinj.

    Në përfundim, teatrot në Kosovë janë më shumë se thjesht hapësira për shfaqje artistike – ato janë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë, reflektimin e realiteteve të ndryshme dhe përmbushjen e nevojave kulturore dhe shpirtërore të komunitetit.

    Teatri ndërkombëtar i Kosovës ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin dhe promovimin e kulturës dhe artit në vend. Pas periudhës së pasluftës, Kosova ka filluar të shfaqë një prirje të fortë për të hapur dyert e saj ndaj botës dhe për të krijuar lidhje me teatrot dhe artistët ndërkombëtarë. Ky angazhim ka sjellë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe ka pasuruar skenën artistike kosovare.

    Teatri Kombëtar i Kosovës është akoma në renovim, mirëpo do të rifillojë punën së shpejti në hapësira alternative deri sa të përfundoj procesi i renovimit.

    Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të teatrit, ku thuhet se një prej këtyre hapësirave është edhe Amfiteatri në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    Teatri Dodona është një nga teatrot më të njohura dhe më të rëndësishme në Kosovë, që ka një histori të gjatë dhe një ndikim të madh në zhvillimin e artit dhe kulturës teatrale në vend. Ai ndodhet në qytetin e Prishtinës dhe është një qendër e rëndësishme për shfaqjet teatrale, duke ofruar një hapësirë të larmishme për artistët dhe audiencën që duan të përjetojnë artin e teatrit.

    Teatri Dodona është një hapësirë ku regjisorë, aktorë dhe dramaturgë mund të krijojnë dhe të realizojnë projekte të ndryshme, duke i dhënë mundësi audiencës të përjetojë shfaqje që pasqyrojnë realitetin e shoqërisë kosovare, por edhe problematika globale.

    Në vitet e fundit, Teatri Dodona ka marrë një rol aktiv në skenën ndërkombëtare, duke organizuar festivale dhe aktivitete të tjera që kanë sjellë shfaqje dhe artistë nga vende të ndryshme. Kjo ka ndihmuar në zhvillimin e një lidhjeje të fortë mes kulturës kosovare dhe atij ndërkombëtar, duke i mundësuar Kosovës të angazhohet më shumë në dialogun kulturor global.

    Përveç shfaqjeve, Teatri Dodona është gjithashtu një qendër e rëndësishme edukative dhe kulturore. Ai ofron mundësi për trajnime dhe kurse për aktorët dhe regjisorët e rinj, duke kontribuar kështu në zhvillimin e talenteve të reja dhe forcimin e industrisë kulturore në Kosovë.

    Teatri “Faruk Begolli” është një hapësirë e veçantë kulturore, e cila shërben si një vatër e artit dramatik dhe i ofron publikut një mundësi për t’u njohur me vepra të ndryshme teatrale, lokale dhe ndërkombëtare. Ky teatër është emëruar në nder të aktorit të njohur Faruk Begolli, një figurë e shquar e artit të skenës shqiptare, i cili ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në botën e teatrit dhe filmit.

    Teatri “Faruk Begolli” është një hapësirë ku bashkohen emocionet, idetë dhe kreativiteti i aktorëve dhe regjisorëve të rinj dhe të njohur. Pjesë e tij janë ngjarje të shumta kulturore, nga shfaqje dramatike e komedi, deri tek monologe dhe performanca eksperimentale. Ky teatër ka një mision të fortë për të promovuar kulturën dhe historinë shqiptare, duke inkurajuar zhvillimin e artit dramatik dhe duke ofruar mundësi për artizanët e rinj që të shprehin veten.

    Ky promovim I kulturës sonë dhe ndërlidhja me kulturat e tjera ofrohet çdo vit nga teatri “Faruk Begolli” në kuadër të Festivalit PRIFest ku marrin pjesë shfaqje të ndryshme nga e gjitha bota dhe garojnë për çmime

    Në kuadër të teatrit Faruk Begolli hyn edhe një ndër teatrot më të veçantë në vend, ai kamertal në të cilin publiku ndihet edhe më shumë pjesë e shfaqjes pasiqë aktorët ndodhen në mes të sallës
    Teatri i AAB-së është institucion i pavarur prej Kolegjit AAB, është për të gjithë shikuesit dhe ka repertor të vetin të rregullt. Teatri është i hapur për regjisorë të Kosovës por edhe regjisorë ndërkombëtarë. Dicka që e bën edhe më të veçant teatrin “Faruk Begolli” është se shfaqjet do të jenë jo vetëm për të rritur por edhe shfaqje për fëmijë. /Përgatiti: Edona Aliu

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Mbahet ngjarja lansuese e projektit “EDU-LAB” në Kolegjin AAB

    Mbahet ngjarja lansuese e projektit “EDU-LAB” në Kolegjin AAB

    Është mbajtur me sukses ngjarja lansuese e projektit “EDU-LAB”, një nismë e financuar nga programi Horizon i Komisionit Evropian, ku Kolegji AAB është ndër 11 partnerët ndërkombëtarë.

    Në fjalën e tij hyrëse, Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, e cilësoi projektin si një mundësi të rëndësishme për avancimin akademik dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.

    “Ne jemi krenarë që Kolegji AAB është pjesë e kësaj nisme të rëndësishme. Ky projekt adreson një prej sfidave më thelbësore me të cilat përballemi sot si institucione akademike dhe si shoqëri: sigurimi i rrugëve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për asimimin, aftësimin profesional dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.”

    Në këtë ngjarje, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë nga znj. Lucia Parducci, Zyrtare e Programit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila foli mbi mbështetjen e BE-së për avancimin shkencor z.Aleksandar Chvorostov, Menaxher i Projektit në Institutin “Economica” për Kërkime Ekonomike, i cili prezantoi objektivat, ndikimin dhe pritshmëritë e projektit “EDU-LAB”.

    Znj. Qamile Sinanaj, Koordinatore Kombëtare për Programin Horizon Europe, ndau informacione mbi këtë program dhe ndikimin e tij në arsimin e lartë në Kosovë.

    Ndërsa Prof. Venera Llunji, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kolegjin AAB, theksoi rolin dhe kontributin e Kolegjit AAB në përmbushjen e Misionit të Tretë.

    Gjatë eventit gjithashtu u prezantua një video promovuese e Qendrës Kërkimore “EDU-LAB”, e themeluar në kuadër të projektit, si dhe u diskutuan paketat e punës të udhëhequra nga prof. Xhavit Rexhaj, prof. Arbëresha Qerimi, prof. Arbërore Bicaj dhe Erëza Mehmeti.

    Në vijim, projekti do të fokusohet në implementimin e aktiviteteve që do të ndihmojnë në lidhjen e arsimit me tregun e punës.

  • 40 vjet nga ndarja nga jeta e ikonës së filmit Sandër Prosi

    40 vjet nga ndarja nga jeta e ikonës së filmit Sandër Prosi

    Ka qenë 24 marsi i vitit 1985, kur në një nga sheshet e xhirimit të filmit “Pranverë e Hidhur”, të Kinostudios “Shqipëria e Re”, skenat e të cilit po përgatiteshin në plazhin e Durrësit, humbi jetën nga një aksident fatal, Sandër Prosi, një nga aktorët më të famshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare.

    Po cila ishte e kaluara e Sandër Prosit, ku kishte studiuar ai dhe si mundi që të bëhej një nga yjet e teatrit dhe filmit shqiptar?

    Familja Prosi

    Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj.

    Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.

    Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë.

    Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës.

    Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit.

    Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.

    Pasioni i tij, muzika

    Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën.

    Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi. Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe.

    Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato.

    Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.

    Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare.

    Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta.

    “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.

    Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”

    Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla.

    Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima. Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

    Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar.

    Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve.

    Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesëmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste.

    Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjesëtar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor.

    Në Teatrin Popullor

    Pas mbarimit të Luftës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse.

    Në korin e Filarmonisë, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor. Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj.

    Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov. Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte:

    “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”.

    Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit.

    Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet.

    Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij.

    Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos.

    Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija.

    Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.

    Në filmat e parë

    Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma.

    Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete.

    Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj.

    Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar.

    Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.

    Si jetoi Sandër Prosi?

    Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë.

    Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”.

    Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.

    Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi.

    Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton:

    ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

    Pasionet e Sandrit

    Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat.

    Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur.

    Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit.

    Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe.

    Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit.

    Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh:

    “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”.

    Vdekja aksidentale

    Aktori i madh Sandër Prosi, vdiq krejt papritur në moshën 65 vjeçare, kur ishte në kulmin e energjive të tij krijuese. Ka qenë viti 1985 kur ai ishte caktuar që të lunate një rol tek filmi “Pranverë e hidhur”, të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo.

    Skenat e xhirimit të atij filmi, ishin vendosur në ambientet e plazhit të Durrësit, në hotelet e të cilit ishte akomoduar dhe trupat e aktorëve. Paraditen e 24 marsit, teksa Sandri po dilte nxitimthi nga dhoma e tij e hotel “Adriatikut” ku po studionte skenarin, humbi jetën në mënyrë tragjike.

    Të nesërmen e asaj dite, në një nga sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pranë arkivolit me trupin e tij u bënë homazhe nga kolegët, miqtë, shokët dhe qindra banorë të Tiranës, të cilët e përcollën aktorin e madh për në banesën e tij të fundit.

    Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.

    Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes./memorie.al

  • Historia e ditës ndërkombëtare të poezisë

    Historia e ditës ndërkombëtare të poezisë

    Historiku i poezisë është i pasur dhe kompleks, duke kaluar përmes periudhash dhe formash të ndryshme te shprehjes artistike. Poezia ka qenë një mënyrë e rëndësishme komunikimi dhe e shprehjes së emocioneve, ideve dhe përvojave të njeriut për mijëra vjet.

    Ja disa nga momentet kryesore të historisë së poezisë:

    Antikiteti: Poezia filloi të zhvillohej në formën orale në lashtësinë greke dhe romake, me autorë të njohur si Homeri dhe Hesiodi. Homeri është i njohur për veprat e tij të njohura si Iliada dhe Odiseja, që përmbajnë histori heroike dhe mitologjike të Greqisë. Kjo periudhë ka shënuar lindjen e poezisë epike.

    Poezia klasike greke dhe romake: Pas Homerit, poezia greke kaloi në një formë më të sofistikuar, siç janë veprat e poetëve të tjerë si Pindari dhe Sappho. Po ashtu, Romakët si Vergili dhe Ovidius krijuan poezi që kombinonte elemente të mitologjisë

    Dita Botërore e Poezisë festohet më 21 Mars dhe është shpallur nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në vitin 1999, “me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen”.

    Qëllimi i tij është të promovojë leximin, shkrimin, botimin dhe mësimin e poezisë në mbarë botën dhe, siç thotë deklarata origjinale e UNESCO-s, “t’i japë njohje dhe shtysë të re lëvizjeve të poezisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare”.

    Tradita për të mbajtur një datë tetori për festimet kombëtare ose ndërkombëtare të poezisë vazhdon ende në shumë vende të botës. Mbretëria e Bashkuar në përgjithësi përdor të enjten e parë të tetorit, por diku tjetër festohet një tetor i ndryshëm, ose ndonjëherë edhe një datë nëntori.

    Ditën Botërore të Poezisë e ka në kalendar edhe UNESCO, sepse PEN International e kishte propozuar zyrtarisht në prezantimin e Tarık Günersel në Kongresin ’97 në Edinburg — siç sugjerohej nga PEN Turqia dhe i dërguar nga Melbourne PEN

    Poezia është një ndër gjinitë letrare ku porosia e poetit shprehet me anë të vargjeve dhe si e tillë ajo ashtu konsiderohet si lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare.

    Megjithatë që nga lashtësia, poezia është emëruar si një prodhim i shpirtit të njeriut që vjen si zë nga brendësia e tij dhe një krijim mendor që për substancë të vet të materializmit e ka fjalën e zgjedhur me peshë artistike.

    Disa nga shkrimtarët shqiptar ose të huaj me lidhje të forta me letërsinë tonë të cilët kanë shkruar edhe poezi janë:

    Ismail Kadare – Pavarësisht se është më shumë i njohur si prozator, Kadare ka shkruar edhe poezi, duke shquar kështu ndikimin e tij në letërsinë shqiptare.

    Naim Frashëri – Një ndër poetët më të shquar të Rilindjes Kombëtare, ai është njohur për poezi me tema patriotike dhe kombëtare.

    Aleksandër Pushkin – Poeti dhe shkrimtari i njohur rus, por që ka lidhje të forta me letërsinë shqiptare, sidomos përmes ndikimit të tij në poezinë shqiptare.

    Gjergj Fishta – Poet dhe shkrimtar, i njohur për veprat e tij epike dhe lirike që pasqyrojnë traditën dhe historinë shqiptare.

    Dritëro Agolli – Një nga poetët më të njohur të pasluftës, i cili ka shkruar poezi me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, për jetën e popullit shqiptar.

  • ​21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

    ​21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

    Dita Botërore e Poezisë është shpallur më 21 mars 1999 në Kongresin e 30-të të UNESCO-s dhe synon mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

    Caktimi i kësaj dite është bërë edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë – traditën gojore, raporton KosovaPress.

    Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashtë, poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike, tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor.

    UNESCO kërkon që, përmes recitaleve të ndryshme, takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike, të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura, e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.

    Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.

    UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese, etj.

    Para caktimit të 21 marsit si Dita Botërore e Poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi përkonte me datëlindjen e poetit romak – Virgjili. Në disa vende, kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

  • Rrugëtimi i Mentor Zymberaj, artistit që theu kufijtë me artin e tij

    Rrugëtimi i Mentor Zymberaj, artistit që theu kufijtë me artin e tij

    Aktori shqiptar shumë i shquar, Mentor Zymberaj, ishte i ftuar në “Libero” në ATV, ku ndau detajet të karrierës së tij, duke mos lënë anash as jetën e tij familjare dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme.

    Mentori ka marrë pjesë në mbi 200 festivale, por ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë për të. Ai na rrëfeu se asgjë nuk e pengoi të marrë pjesë në festivale, (përfshirë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën).

    “…unë kam mbi 200 festivale veç teatrore, pa ato të filmit…prezantimi dhe pjesëmarrja në këto shtete që ndoshta kemi mbi 20 shtete që nuk na kanë njohur, kemi depërtu…jemi sfidu në shumë shtete të botës, kemi marrë pjesë ku ndoshta ka qenë e pamundshme…” tha Mentori.

    Vlen të theksohet se Mentor Zymberaj është gjithashtu pedagog, regjisor, skenarist dhe producent i shquar. Ai ka themeluar dhe drejtuar Shtëpinë Teatrore Filmike AKT që nga viti 1994/95. Për më tepër, ai është themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, festival i cili ka arritur anëtarësim në Asociacionin Ndërkombëtar të Festivaleve të Monodramave në botë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mentor Zymberaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • ​470 vjet më parë nisi rrugën fjala e shkruar shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut

    ​470 vjet më parë nisi rrugën fjala e shkruar shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut

    Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”, nisi të shkruhej 470 vjet më parë, më 20 mars 1554 dhe përfundoi më 5 janar 1555.

    Muzeu Historik Kombëtar solli sot me rastin e këtij përvjetori një fragment nga kjo vepër në dialektin origjinal në të cilin u shkrua:

    “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor”, raporton KP.

    Kështu shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

    Libri përbëhej nga 110 fletë por kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe ballina me faqen kryesore.

    Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.