ATV

Category: KULTURË

  • ​Koliqi, bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar

    ​Koliqi, bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar

    Ernest Koliqi ka lindur në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të respektuar. Ai ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog.

    Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e dyqind arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme.

    Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës.

    Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë, të dhënë nga juria e përbërë prej Fishtës, Nolit, Frashërit e Gurakuqit.

    Më 1937 doktoron në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (Epika popullore shqipe). Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes.

    Më 1939 hapet Selia e Albanologjisë në Universitetin Shtetëror të Romës, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941.

    Ai vdiq në Romë më 15 janar të vitit 1975./KP

  • Austria fiton Eurovisionin, Shqipëria përfundon në top dhjetë

    Austria fiton Eurovisionin, Shqipëria përfundon në top dhjetë

    Austria me këngëtarin JJ dhe këngën “Wasted Love” ka fituar Eurovisionin derisa Shqipëria ka mbyllur edicionin e sivjetmë në topdhjetëshe.

    Shqipëria përfundoi në pozitën e tetë me 218 pikë, vota më të shumta pati nga publiku sesa nga vlerësimi i jurive kombëtare. Kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike u pëlqye nga publiku, por nuk mori votat e mjaftueshme edhe nga shtetet që edhe këtë edicion votuan kryesisht politikisht.

    Kështu, Rona Nishliu mbetet si më e suksesshmja pasi u pozicionua në pozitën e pestë gjatë vitit 2012.

    Në finalen mes Austrisë dhe Izraelit, JJ mori pikët e mjaftueshme për ta tejkaluar Izraelin që kryesonte deri në fund.

    Kjo është hera e tretë që Austria fiton Eurovisionin.

  • Finalja e Eurovizionit, “Zjerm” e Shqipërisë pritet të elektrizojë skenën

    Finalja e Eurovizionit, “Zjerm” e Shqipërisë pritet të elektrizojë skenën

    Sonte mbahet finalja e madhe e Eurovizionit në Basel të Zvicrës.

    Atje do të ngjitet sërish në skenë “Shkodra Elektronike” që përfaqëson Shqipërinë me këngën “Zjerm”.

    “Zjerm” mori vëmendje anë e kënd botës, duke u cilësuar si një këngë e ndjerë, por edhe e interpretuar në mënyrë fantastike.

    Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca gjithashtu u ndjen tejet falënderues për mbështetjen që po marrin në këtë rrugëtim.

    E kush do të fitojë, gjithçka kuptohet sonte…

  • ​Më parë e menduar jozyrtare, kjo kopje Magna Carta në fakt është origjinale

    ​Më parë e menduar jozyrtare, kjo kopje Magna Carta në fakt është origjinale

    Një kopje e Magna Cartas, e cila për gati 80 vjet ishte konsideruar si kopje jozyrtare, tashmë është konfirmuar si origjinale nga viti 1300.

    Sipas The Guardian, ky zbulim tregon se dokumenti është një nga shtatë kopjet e lëshuara nga mbreti Edward i Parë në vitin 1300 që ende ruhen.

    Profesori David Carpenter nga Kolegji Mbretëror në Londër e gjeti këtë dokument në koleksionin online të bibliotekës së Harvardit, ku ishte etiketuar gabimisht si kopje jozyrtare.

    Ai tha se menjëherë e kuptoi se bëhej fjalë për një origjinal dhe së bashku me profesorin Nicholas Vincent nga Universiteti Lindor i Anglisë, përdorën teste të ndryshme për të vërtetuar autenticitetin e tij.

    Magna Carta është dokumenti i parë historik që vendosi parimin se as mbreti nuk është mbi ligjin dhe se sundimtari duhet të veprojë brenda rregullave ligjore, raporton KosovaPress.

    Ky dokument konsiderohet si bazë e traditës perëndimore të ligjit dhe demokracisë.

    Sipas bibliotekës së Harvardit, dokumenti ishte blerë për 27,50 dollarë në vitin 1946, por vlera e tij reale është shumëfish më e madhe.

    Origjina e dokumentit është interesante, pasi më parë ishte në pronësi të një familjeje aristokrate, pastaj iu dorëzua aktivistit të njohur për abolimin e skllavërisë Thomas Clarkson, dhe më pas pilotit të Luftës së Parë Botërore, Forster Maynard.

    Ky zbulim është një lajm i madh për bibliotekën e Harvardit dhe për historinë botërore, duke i dhënë një vlerë të jashtëzakonshme kësaj kopje të rrallë të Magna Cartas.

  • ​“Shkodra elektronike” e çon Shqipërinë në finalen e Eurovizionit

    ​“Shkodra elektronike” e çon Shqipërinë në finalen e Eurovizionit

    Kënga “Zjerm” nga “Shkodra elektronike” e ka kthyer Shqipërinë në finalen e garës evropiane të këngës – Eurovizion.

    Në qytetin Bazel të Zvicres, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca shkëlqyen me performancën e tyre në skenë.

    “Zjerm” u kualifikua në mes të dhjetë shteteve fituese të natës së parë gjysmëfinale.

    “Shndrit, shndrit” ishte reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale.

    Kjo fjalë përmendet mbi tridhjetë herë në fund të këngës “Zjerm”.

    Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Poloni, San Marino, Estonia, Portugali, Ukraina, janë dhjetë shtetet finaliste të gjysmëfinales së parë të Eurovizion 2025./KP

  • Dua Lipa konfirmon paraqitjen në Sunny Hill Festival 2025

    Dua Lipa konfirmon paraqitjen në Sunny Hill Festival 2025

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, konfirmoi paraqitjen në edicionin e sivjetmë të festivalit Sunny Hill në Prishtinë, që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht.

    Lajmin e bëri të ditur në Instagram me 87.4 milionë ndjekës.

    “Shihemi në Sunny Hill Festival”, shkroi Dua Lipa.

    Sunny Hill është një festival ndërkombëtar i muzikës që mbahet çdo vit në Prishtinë.

    I themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, festivali synon promovimin e kulturës dhe muzikës shqiptare si dhe ofrimin e mundësisë për artistët ndërkombëtarë të paraqiten në Kosovë.

  • Prof. Dr. Steve H. Hanke nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga Kolegji AAB

    Prof. Dr. Steve H. Hanke nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga Kolegji AAB

    Rektori i Kolegjit AAB prof.dr.sc. Blerim Olluri ka ndarë titullin “Profesor Nderi” për prof.dr. Steve H. Hanke.

    Ky titull iu dha z.Hanke për kontributet e tij të jashtëzakonshme në fushën e ekonomisë, mësimdhënies dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët.

    Prof.dr. Steve H. Hanke është profesor i ekonomisë së aplikuar në Universitetin “Johns Hopkins”, Baltimore, ndërsa për dy vite ka shërbyer si këshilltar për çështje ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të presidentit Reagan.

  • Kreativët e filmave nigerianë zhvendosen drejt YouTube-it, ndërsa platformat e transmetimit tërhiqen

    Kreativët e filmave nigerianë zhvendosen drejt YouTube-it, ndërsa platformat e transmetimit tërhiqen

    Për një fundjavë të tërë në mars, rrjetet sociale në Nigeri u pushtuan nga “ethet” e një komedie romantike, sipas The Guardian. Mijëra nigerianë, përfshirë ata në diasporë, debatuan për filmin Love in Every Word, ku një biznesmen i pasur punëson një grup valltarësh për të marrë numrin e një ekzekutiveje të reklamave.

    Megjithëse kritikohej për skenarin, melodrama e filmit tërhoqi shumë publik. Klipet dhe memet u përhapën shpejt, ndërsa shikuesit fantazonin për “odogwu”-n e tyre, një fjalë igbo për burrë të fuqishëm.

    Filmi arriti 1 milion shikime në YouTube brenda 24 orëve dhe 5 milionë brenda tre ditësh. Regjisorja Omoni Oboli tha, “Zoti e bëri dhe jam vetëm mirënjohëse”.

    Nollywood, industria e dytë më e madhe e filmit në botë për nga vëllimi, po zhvendoset drejt YouTube-it, pasi platformat globale të transmetimit po tërhiqen nga tregu afrikan për shkak të mungesës së fitimit. Amazon Prime, platforma e tretë më e madhe në Nigeri, hoqi të gjithë stafin në Afrikë në janar 2024. Edhe Netflix ka ulur ndjeshëm blerjet e përmbajtjes origjinale.

    Sipas ish-zyrtares së Amazon Prime, Jessica Abaga, “modeli i biznesit ende nuk po funksionon në favor të tyre në tregun afrikan”. Gjithashtu, kërcënimi i Trump për tarifa 100% për filmat e huaj ka ndikuar në tregjet e mediave.

    Një tjetër problem është infrastruktura e dobët kinematografike: për 200 milionë banorë në Nigeri ka vetëm 102 kinema. Kriza ekonomike ka bërë që shumë të mos përballojnë bileta, duke zgjedhur YouTube-in falas.

    Sipas Abaga, YouTube ofron hyrje pa kosto dhe liri krijuese, ndryshe nga platformat që kërkojnë cilësi të lartë. Por kjo do të thotë edhe mungesë kontrolli cilësor. Oboli e pranon këtë: “Publiku vendos nëse do të na shpërblejë apo ndëshkojë”.

    Kjo ka krijuar një treg të pamëshirshëm: Oboli prodhon një film në javë dhe ka mbi 60 tituj në kanalin e saj në YouTube. Shumë aktorë janë kthyer në regjisorë; skenaristët paguhen pak dhe filma xhirohen për disa ditë në shtëpi me qira.

    Për të promovuar filmat, ekipi realizon video vallëzimi në TikTok. Në disa raste, anëtarët e ekipit shfaqen në kornizat e filmit për shkak të mungesës së kohës për post-produksion.

    Pirateria mbetet problem: disa publikojnë filma të vjedhur me emrin e kanalit të tyre. Aktorja Bimbo Ademoye denoncoi se filmi i saj ishte rishpërndarë në mbi 50 kanale të tjera.

    Regjisorja Nora Awolowo, e cila do të shfaqë filmin e saj Red Circle në kinema në qershor, e mbështet trendin e YouTube-it, por shpreson për një model të qëndrueshëm për të ardhmen. “Problemi ynë është shpërndarja. Duhet të arrijmë te publiku dhe të përfshijmë qeverinë në këtë proces”.

    Regjisori i njohur Chris Ihidero propozon ringjalljen e Televizionit Shtetëror Nigerian (NTA), që dikur prodhonte programe origjinale, por tashmë është reduktuar në një zë propagandistik. “Nuk ka zëvendësim për investimin në përmbajtje cilësore në platformat falas”, tha ai. “Kjo është detyrë ligjore e NTA-së, dhe ajo ka dështuar në këtë për dekada me radhë.”

  • Parakalim festiv në 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut

    Parakalim festiv në 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut

    Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Prishtinë u mbajt parakalim festiv, ku morën pjesë grupe të ndryshme artistike dhe shoqata kulturore nga trojet shqiptare, raporton EO.

    Pjesëmarrësit, të veshur me kostume tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, sjellën përmes paraqitjeve të tyre një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore shqiptare.

    Ngjarja u organizua si pjesë e aktiviteteve përkujtimore për figurën e Skënderbeut, simbol i rezistencës dhe unitetit kombëtar.

    Parakalimi filloi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt sheshit “Nëna Terezë”.

  • 620-vjetori i lindjes së Skënderbeut – “Të edukojmë brezat me frymën e krenarisë kombëtare”

    620-vjetori i lindjes së Skënderbeut – “Të edukojmë brezat me frymën e krenarisë kombëtare”

    Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, së bashku me stafin e ambasadës, kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut në qendër të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori Malaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për shqiptarët kudo që ndodhen.

    Malaj shtoi se sot shqiptarët ndihen krenarë në Prishtinë, në Tiranë dhe në çdo vend ku jetojnë, falë figurave si Skënderbeu, i cili, siç tha, ishte jo vetëm mburojë për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

    “Kjo është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar. Figura madhështore e kombit tonë, një figurë para së cilës ne përkulemi me respekt dhe mirënjohje. Ajo që na mbetet është që brezat tanë të rinj të edukohen me frymën e krenarisë dhe me gjithçka që na la heroi ynë kombëtar. E sot ndihemi mirë këtu në Prishtinë, në Tiranë dhe kudo ku ka shqiptarë, pikërisht falë figurave të tilla, por sidomos falë figurës së Skënderbeut, që ishte një mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën,” tha ai.