ATV

Category: KULTURË

  • Rikthehen ”Peaky Blinders”

    Rikthehen ”Peaky Blinders”

    Një serial i ri i dramës ”Peaky Blinders” do të fillojë xhirimet këtë verë, ku ngjarjet pasqyrojnë vitet 1950, sipas ”The Sun”.

    BBC do që episodet të jenë gati për t’u transmetuar në vitin 2026 për të përfituar nga një valë e re interesi që pritet pas publikimit të një filmi artistik për ”Peaky Blinders”, më vonë këtë vit.

    Seriali i parë i kishte vendosur personazhet në vitet 1930, ndërsa filmi i ardhshëm, i titulluar ”The Immortal Man”, zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Seriali i ri ka të ngjarë t’i zhvendosë gangsterët e Birmingamit në vitet ’50, një epokë e njohur për bandat e dhunshme të Teddy Boys dhe ngritjen e binjakëve Kray, famëkeqve të lindjes së Londrës.

    “Por, regjisori Steven Knight nuk mundi t’i rezistonte rikthimit në histori, krijimi i tij më i famshëm, dhe ai ka lënë të kuptohet se donte të kthehej për të bërë më shumë. Por, fakti që zyrtarisht është hapur drita jeshile… do të jetë një emocion i madh për fansat e serialit, i cili ishte një sukses i madh për BBC-në”, shtoi ai.

    Aktorët dhe ekipi pritet të fillojnë xhirimet në shtator.

    Seriali i ri do të transmetohet në BBC One në Mbretërinë e Bashkuar, por do të shpërndahet ndërkombëtarisht nga gjiganti i transmetimit Netflix, i cili gjithashtu qëndron pas filmit.

    ”Peaky Blinders” u transmetua nga viti 2013 deri në vitin 2022, me aksionin që filloi në vitin 1919 dhe që përfshin vitet 1920 dhe 1930.

    Cillian Murphy rikthehet si shefi i krimit, Thomas Shelby, por këtë herë edhe si një figurë atërore për anëtarët më të rinj të bandës.

    Do të ishte një rol i ngjashëm me atë të tezes së tij Polly Gray, të luajtur nga e ndjera Helen McCrory.

  • Kryeministri në detyrë mirëpret ekipin organizativ të Prishtina International Theater Festival

    Kryeministri në detyrë mirëpret ekipin organizativ të Prishtina International Theater Festival

    Ekipi organizativ i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” (PITF) zhvilloi një takim të veçantë me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të festivalit.

    Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, drejtori i festivalit, Zijad Mehić, së bashku me Ilir Bytyqin – drejtor i ART Image, Doruntina Alshiqin – drejtoreshë artistike, Erona Salihun – zyrtare për marrëdhënie me publikun, dhe Valentina Cenajn – koordinatore e festivalit, shprehën mirënjohjen për përkrahjen institucionale të deritanishme dhe e ftuan Kryeministrin që të jetë
    pjesë e edicionit të nëntë, që do të mbahet nga 19 deri më 24 maj në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB.

    Në takim ishin të pranishëm edhe aktorja dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, si dhe Liburn Jupolli, zyrtar i lartë ekzekutiv nga kabineti i Kryeministrit.

    Bashkëbisedimi i fokusuar në artin, kulturën dhe rëndësinë e ngjarjeve ndërkombëtare si PITF, konfirmoi edhe një herë përkushtimin për mbështetjen e aktiviteteve që pasurojnë jetën kulturore dhe artistike të vendit.

  • Disa detaje nga jeta e Shekspirit, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

    Disa detaje nga jeta e Shekspirit, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

    Gjeniu i letërsisë britanike, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), u lind dhe vdiq në të njëjtën datë, më 23 prill (1564-1616), sipas BBC.

    Më poshtë janë disa fakte surprizë, të zbuluara nga historianët:

    1. Babai i tij ishte një shijues birre dhe një prodhues dorezash

    Shekspiri u lind më 23 prill 1564 në një qytet të quajtur Stratford-upon-Avon, në mes të Anglisë. Familja e tij ishte me të ardhura mesatare. Babai i tij bënte një sërë punësh, duke përfshirë shitjen e lëkurës dhe leshit, shijimin e birrës (në të vërtetë) dhe prodhimin e dorezave.

    2. Ai nuk mund të shkruante në mënyrë korrekte

    Edhe pse Shekspiri mësoi latinisht në shkollë, drejtshkrimi nuk ishte pjesë e mësimeve dhe të gjithë i shkruanin fjalët si të donin. Imagjinojeni atë! Shekspiri e shkruante emrin e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë: Willm Shakp, William Shaksper, Wm Shakspe, William Shakspere dhe Willm Shakspere!

    3. U martua i ri

    I martuar në moshën 18-vjeçare me Anne Hathaway, ai pati tre fëmijë.

    4. Së pari u përpoq të bëhej aktor

    Shekspiri shkoi në Londër për t’u bërë aktor. Vëllai i tij Edmundi e ndoqi atë në qytet për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Shekspiri kishte më shumë fat që të shkruante shfaqje sesa të aktronte. Ai mësoi shpejt dhe shkroi tragjedi dhe komedi.

    5. Ishte shumë produktiv

    Shekspiri shkroi të paktën 37 drama në jetën e tij, të cilat ne i njohim – mesatarisht dy në vit! Ai gjithashtu shkroi shumë poezi, kryesisht poezi të quajtura sonete. Vetëm në një vit, 1609, ai botoi 154 prej tyre!

    6. Ai i mbijetoi një pandemie

    Ju keni më shumë të përbashkëta me Shekspirin sesa mendoni. Shekspiri jetoi dhe i mbijetoi një pandemie, një nga një sërë valësh të murtajës bubonike. Megjithatë, për fat të keq, djali i tij Hamnet vdiq nga murtaja, në moshën vetëm 11-vjeçare. Kjo ndikoi në shkrimet e tij.

    7. Na dha disa fraza të njohura

    Shekspiri sigurisht kishte anën e tij më të lehtë, krahasuar me vdekjen e djalit. Atij i pëlqente të vinte shaka në shfaqjet e tij, madje edhe në tragjeditë e tij, si dhe sajonte fraza që i përdorim edhe sot, si “i shkrirë në ajër” apo ”kam fjetur me një sy”.

    8. Fyerjet e vrazhda ishin specialiteti i tij

    Shekspiri ishte shumë njohur edhe për ofendimet si ”fytyra jote nuk ia vlen të shihet nga dielli” apo “je i trashë si gjalpi” apo ”unë do ta gudulis katastrofën tënde!”.

    9. Ai ishte një biznesmen i regjur

    Përveçse ishte një shkrimtar krijues, William ishte një biznesmen i regjur. Ai ishte bashkëpronar i kompanisë së tij teatrore, ”Lord Chamberlain’s Men”, dhe ”Globe”, një teatër i ndërtuar në Londër në vitin 1599. Ai madje hapi një teatër të dytë, një teatër elegant të quajtur ”Blackfriars”.

  • U hap Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor

    U hap Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor

    Në ditën e parë të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, u promovua monografia “Veprimtaria shkencore e Bajram Krasniqit” e autorit Hysen Matoshi, raporton Ekonomia Online.

    Në fjalën e tij, Matoshi theksoi rëndësinë e veprës së Krasniqit në fushat e albanologjisë, kritikës letrare dhe shkrimit shkencor, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më origjinale të dijes shqiptare.

    Ai vuri në pah mungesën e ribotimit të veprave të Krasniqit dhe kërkoi mbështetje institucionale për riaktualizimin e tyre, përmes një projekti që është propozuar që nga viti 2011.

    “Si autor, nuk më takon të flas shumë për veprën, por mund të them diçka më tepër për subjektin e saj – shkencëtarin, intelektualin dhe personalitetin Bajram Krasniqi, vepra e të cilit është shumëplanëshe dhe me rëndësi parësore në fushën e shkrimit shkencor, historiko-letrar, tipologjik, kritikës letrare, si dhe në sferën e përgjithshme albanologjike dhe publicistike. Me trashëgiminë e tij shkencore dhe intelektuale, Bajram Krasniqi shquhet si një penë origjinale dhe e papërsëritshme e dijes dhe kulturës shqiptare, një vetëdije kritike dhe moderne e kohës së vet. Ai, me ardhjen e tij në skenën akademike, solli vlera specifike, origjinale dhe të pazëvendësueshme për kulturën dhe dijen tonë, ndërsa me ikjen e tij të hershme, la pas një zbrazëti të paplotësueshme”, tha Matoshi.

    Ai u ndal tek një aspekt që lidhet me trashëgiminë shkrimore të Bajram Krasniqit, më konkretisht, me raportin që ne si shoqëri, si elitë kulturore dhe institucionale, kemi krijuar ndaj saj.

    “Që nga botimi i parë i pesë vëllimeve, që dolën në një hark kohor prej 16 vitesh, veprat e Bajram Krasniqit nuk janë ribotuar asnjëherë, ndonëse nevoja për to ka qenë e madhe – qoftë si literaturë specifike për çështje dhe fenomene historiko-letrare e kritiko-letrare, qoftë si model i studimit dhe i shkrimit shqip. Duke parë këtë gjendje të një lloj “ekskomunikimi të heshtur” të një prej trajtave më të rëndësishme studimore të albanologjisë, Instituti Albanologjik, përmes një projekti të detajuar, i pati propozuar që më 2011 MASHT-it botimin e veprës së Bajram Krasniqit. Megjithatë, përkundër premtimeve, mbështetja institucionale mungoi – edhe pas përsëritjes së kërkesës disa vite më vonë”, tha Matoshi.

    Edicioni IV i Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor që po mbahet në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë, do të qëndrojë i hapur tri ditë, nga 23 deri më 25 prill.

  • Mbahet punëtoria tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)” i udhëhequr nga Kolegji AAB

    Mbahet punëtoria tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)” i udhëhequr nga Kolegji AAB

    Është mbajtur punëtori tre-ditore në kuadër të projektit “Dizajnimi i Programit të Përbashkët Master në Shkencat Forenzike (FSE-JM)”, me Kolegjin AAB si bartës, në partneritet me Bradenburgische Technische Universität (BTU) nga Gjermania dhe Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) nga Maqedonia e Veriut. Projekti mbështetet financiarisht nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

    Gjatë kësaj punëtorie, ekipet e projektit nga tri universitetet partnere punuan në mënyrë intensive për hartimin e programit të përbashkët të studimeve master në Shkencat Forenzike. Ky program do t’iu shërbejë studentëve të këtyre institucioneve si dhe të tjerëve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke ofruar një qasje të avancuar dhe ndërdisiplinare në fushën e shkencave forenzike.

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje partnerëve nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe duke shprehur vullnetin e institucionit për bashkëpunime të mëtejshme.

    Ky program i përbashkët Master sjell një sërë përfitimesh për studentët, duke u mundësuar atyre që të pajisen me njohuri dhe aftësi praktike të nevojshme për të kontribuar në drejtësi, siguri dhe sundim të ligjit.

    Projekti promovon bashkëpunimin ndërkulturor, zhvillimin profesional të qëndrueshëm dhe nxit ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike në shtetet pjesëmarrëse. Gjithashtu ndihmon në ndërtimin e kapaciteteve për të trajtuar çështje të ndërlikuara forenzike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe integritetin e proceseve gjyqësore.

  • Historiku i baletit ndër vite në Kosovë dhe më gjerë

    Historiku i baletit ndër vite në Kosovë dhe më gjerë

    Baleti në Kosovë ka një histori të pasur, edhe pse jo shumë të gjatë krahasuar me vendet e tjera evropiane. Ai ka lindur dhe është zhvilluar në kushte shpeshherë të vështira politike e shoqërore, por megjithatë ka arritur të krijojë identitetin e vet artistik dhe kulturor.
    Baleti në Kosovë nisi të marrë formë në mënyrë më të organizuar në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970, me themelimin e institucioneve kulturore në Prishtinë.

    Një moment kyç ishte formimi i Baletit të Kosovës në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku për herë të parë u bë një përpjekje serioze për ta sjellë këtë art në skenën kosovare.

    Mandej, një numër balerinësh dhe koreografësh shqiptarë u formuan në ish-Jugosllavi, veçanërisht në shkollat e baletit në Zagreb dhe Beograd, dhe u kthyen për të ndihmuar në ndërtimin e skenës vendore.

    Kjo periudhë ishte sfiduese për shkak të krizës politike dhe sociale që përfshiu Kosovën, por edhe një periudhë e rritjes artistike.

    U vendosën shfaqje të para serioze të baletit klasik dhe modern. Një ndër figurat kyçe të kësaj kohe ishte Ahmet Brahimaj, një nga koreografët dhe balerinët e parë shqiptarë.

    Pas vitit 1999, Baleti Kombëtar i Kosovës rifilloi punën në mënyrë më të pavarur dhe dinamike. Më pas u themelua trupa e parë profesioniste e baletit në Kosovë, e përbërë nga artistë të rinj, shumë prej të cilëve u arsimuan jashtë vendit.

    U sollën në skenë vepra të koreografëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunime me trupa të huaja.

    Baleti shqiptar në rajon dhe më gjerë

    Baleti në Shqipëri ka nisur më herët, me themelimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në vitin 1950. Shfaqja e parë baletike ishte “Halili dhe Hajria”, më 1963.
    Ndërkohë koreografët si Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Gjergj Prevazi etj., kanë pasur ndikim edhe në Kosovë.

    Ka shumë balerinë shqiptarë që performojnë në teatrot më të njohur botërorë: në Gjermani, Itali, SHBA, Francë etj. Emra të njohur përfshijnë Kledi Kadiu (Itali), Erald Brataj, Adrian Hila, dhe të tjerë.

    Ndryshe, Baleti Kombëtar i Kosovës është një institucion i njohur kombëtar që zhvillon veprimtari të rregullta, duke përfshirë balet klasik, bashkëkohor dhe eksperimental.
    Mes tjerash ka një publik gjithnjë e më të interesuar, dhe po rritet gjenerata e re e balerinëve nëpër shkolla private të baletit.

  • Publikohet promoja e edicionit të 9-të të PITF 2025 “Burbuqe Berisha”

    Publikohet promoja e edicionit të 9-të të PITF 2025 “Burbuqe Berisha”

    Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ‘Prishtina International Theater Festival’ “Burbuqe Berisha” rikthehet këtë vit me edicionin e tij të nëntë, që do të mbahet nga data 19 deri më 24 maj në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB.

    Promoja e këtij festivali tashmë është publikuar, duke shënuar fillimin e numërimit të ditëve për një ndër ngjarjet më të rëndësishme teatrore në vend.

    Në ditët në vijim pritet të bëhet publik edhe programi i plotë i shfaqjeve që do të marrin pjesë në këtë edicion.

    Festivali, i cili organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB, ka karakter garues dhe ndërkombëtar, duke sjellë trupa teatrore nga rajoni dhe më gjerë. Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit do të ndahen çmimet për më të mirët në kategori të ndryshme, përfshirë:

    • Aktori/Aktorja më i/e mirë në rolin kryesor
    • Aktori/Aktorja më i/e mirë në rolin dytësor
    • Regjia më e mirë
    • Shfaqja më e mirë
    • Çmimi i publikut

    Në edicionin e kaluar, që u mbajt nga 20 deri më 26 maj 2024, pjesëmarrës ishin trupa nga Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Po ashtu, festivali u ndoq nga emra të rëndësishëm të artit dhe kulturës, përfshirë edhe përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë. /atvlive.tv

  • ​“Eksodi Kosovar” dhe “Muri i Kujtesës”, simbole të sakrificës dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës

    ​“Eksodi Kosovar” dhe “Muri i Kujtesës”, simbole të sakrificës dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës

    Memoriali “Eksodi Kosovar”, në Kukës dhe monumenti “Muri i Kujtesës” në Bllacë, janë monumente përkujtimore që simbolizojnë sakrificën dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë eksodit të vitit 1999.

    Ato janë ndërtuar si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar për mikpritjen e refugjatëve nga Kosova. Memoriali i Eksodit Kosovar është i mbushur me fotografi, që paraqesin ngjarjet e asaj kohe, ndërsa monumenti artistik simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, shkruan ATSH.

    Vitet 1998-1999, shënojnë një nga periudhat më të vështira në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1 milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe, raporton KP.

    Ky eksod përbënte deri në atë kohë, një nga zhvendosjet më të mëdha të popullsisë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Në Shqipëri, qytetet si Kukësi, Hasi dhe Tropoja, por gjithashtu dhe Tirana, Durrësi, Elbasani etj., u bënë qendra të rëndësishme për mikpritjen e refugjatëve. Familjet shqiptare hapën dyert e tyre për të strehuar mijëra shqiptarë të Kosovës duke treguar solidaritet dhe bujari të jashtëzakonshme.

  • ​Filmi “Minecraft” kalon 500 milionë dollarë të ardhura

    ​Filmi “Minecraft” kalon 500 milionë dollarë të ardhura

    Adaptimi në ekran i lojës video nga Warner Bros dhe Legendary, me vlerësim PG (Mbikëqyrje prindërore), është padyshim në rrugën e tij drejt kufirit të paarritshëm prej 1 miliard dollarësh, pasi shitjet e biletave kaluan 500 milionë dollarë pas dy fundjavave nga dalja në kinema, raporton revista Variety.

    Deri tani, “Minecraft” ka gjeneruar një shumë të madhe prej 550.6 milionë dollarësh globalisht, duke përfshirë 269.6 milionë në arkën ndërkombëtare dhe 281 milionë në SHBA. Është tashmë filmi me fitimet më të larta të vitit, duke lënë pas “Captain America: Brave New World” të Disney dhe Marvel, i cili ka arkëtuar 213 milionë ndërkombëtarisht dhe 410 milionë globalisht pas nëntë javësh në ekran.

    Gjatë fundjavës, “A Minecraft Movie” shtoi edhe 79.6 milionë dollarë nga 76 tregje ndërkombëtare, me një rënie prej 45% krahasuar me debutimin e saj jashtë vendit. Tregjet kryesore përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar (39.8 milionë dollarë), Kinën (20.3 milionë), Gjermaninë (18.9 milionë) dhe Meksikën (18.7 milionë).

    Thrilleri i Disney dhe 20th Century, “The Amateur,” për hakmarrjen e një agjenti të CIA-s, pati nisjen më të fortë mes premierave të reja, me 17.2 milionë dollarë nga 52 tregje. Franca ishte tregu me më shumë të ardhura (1.6 milionë dollarë), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Meksika me nga 1.4 milionë secila. “The Amateur”, me Rami Malek në rolin e një analisti të CIA-s që ndjek terroristët që i vranë gruan, u hap në Amerikën e Veriut me 15 milionë dollarë për një nisje globale prej 32.2 milionë. Këto shitje fillestare janë më të larta se sa pritej, por me një buxhet prodhimi prej 60 milionë dollarësh, “The Amateur” ka nevojë për qëndrueshmëri në arkë për të justifikuar investimin, transmeton KosovaPress.

    Një tjetër premierë e re, filmi horror i Universal dhe Blumhouse, “Drop”, dështoi në debutimin ndërkombëtar me vetëm 2 milionë dollarë nga 47 tregje. Filmi pati (pak) më shumë audiencë në Amerikën e Veriut me 7.7 milionë dollarë, duke e çuar totalin global në 10 milionë. Fatmirësisht, “Drop” ka marrë vlerësime të mira dhe ka kushtuar vetëm 11 milionë dollarë, kështu që nuk ka nevojë për shumë për të hyrë në fitim. Aktorja e njohur nga “The White Lotus”, Meghann Fahy, luan rolin e Violet, një nënë e ve që merr mesazhe telefonike gjithnjë e më kërcënuese dhe djallëzore gjatë një takimi të parë me një burrë të quajtur Henry (i luajtur nga Brandon Sklenar nga “It Ends With Us”).

  • ​Presidenti Begaj do të nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

    ​Presidenti Begaj do të nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

    Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.

    Sipas njoftimit, ky vlerësim i jepet presidentit Begaj në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërshqiptare, mbështetjen ndaj arsimit dhe zhvillimit akademik, si dhe për rolin e tij në promovimin e vlerave demokratike dhe evropiane, raporotn KP.

    “Ky organizim do të mbahet më 11 prill 2025, nis në ambientet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në ora 10:00, kurse në ora 11:30 në Vali Ranch Resort&Congress Center Gjilan, mbahet ceremonia kryesore në prani të autoriteteve akademike, personaliteteve të larta shtetërore dhe të ftuarve të nderuar”, thuhet në njoftim.