ATV

Category: KULTURË

  • John Ford mban rekordin, këta janë regjisorët me më shumë Oscar në histori

    John Ford mban rekordin, këta janë regjisorët me më shumë Oscar në histori

    Çmimet Oscar konsiderohen vlerësimi më prestigjioz në botën e kinemasë dhe për shumë regjisorë përfaqësojnë kulmin e një karriere artistike. Megjithatë, emrat më të famshëm të industrisë së filmit nuk janë gjithmonë ata që kanë fituar më shumë statuja të arta.

    Rekordin historik për Oscarin e Regjisorit më të Mirë (Best Director) vazhdon ta mbajë regjisori amerikan John Ford, i cili ka fituar katër herë këtë çmim – më shumë se çdo regjisor tjetër në historinë e Akademisë së Filmit.

    Nëse merren parasysh të gjithë Oscarët e fituar personalisht nga regjisorët, përfshirë çmimet si regjisor, producent apo skenarist, lista përfshin disa nga figurat më të rëndësishme të kinemasë botërore.

    Regjisorët me më shumë Oscar personalë:

    John Ford 4
    Steven Spielberg 4
    Clint Eastwood 4
    Alejandro G. Iñárritu 4
    Frank Capra 3
    William Wyler 3
    Frank Borzage 3
    Francis Ford Coppola 3
    Billy Wilder 3
    James Cameron 3
    Peter Jackson 3
    Alfonso Cuarón 3
    Chloé Zhao 2
    Ang Lee 2
    Oliver Stone 2
    Miloš Forman 2
    Robert Wise 2
    Elia Kazan 2
    Christopher Nolan 2

    *Përfshihen Oscarët e fituar personalisht si regjisor, producent ose skenarist, jo numri total i Oscarëve që kanë fituar filmat e tyre.

    Christopher Nolan më në fund në majën e Oscarëve

    Edhe pse prej vitesh konsiderohet një nga regjisorët më të mëdhenj të shekullit XXI, Christopher Nolan e fitoi Oscarin e tij të parë vetëm në vitin 2024, me filmin “Oppenheimer”.

    Nolan u shpërblye me:

    Oscarin për Regjinë më të Mirë;
    Oscarin për Filmin më të Mirë, si producent i “Oppenheimer”.

    Filmi fitoi gjithsej shtatë Oscarë, por vetëm dy prej tyre iu atribuuan drejtpërdrejt Nolanit.

    Pavarësisht suksesit të regjisorëve si Steven Spielberg, Christopher Nolan, James Cameron dhe Peter Jackson, rekordi i John Ford vazhdon të mbetet i pathyer.

    Katër çmimet e tij për Regjinë më të Mirë janë një arritje që asnjë regjisor tjetër nuk ka arritur ta barazojë, duke e vendosur Fordin në historinë e kinemasë si regjisorin më të suksesshëm në këtë kategori të çmimeve Oscar.

  • Fenomeni turk i muzikës pop, Manifest ngjitet për herë të parë në skenën e Sunny Hill Festival në Prishtinë

    Fenomeni turk i muzikës pop, Manifest ngjitet për herë të parë në skenën e Sunny Hill Festival në Prishtinë

    Një nga emrat më të rinj dhe më të zhurmshëm të skenës së popit turk po përgatitet të sjellë për herë të parë në Kosovë një shfaqje që premton të jetë ndër më energjiket e verës në Sunny Hill Festival.

    Me një ngritje të shpejtë nga një talent show televiziv drejt majave të listave muzikore dhe rrjeteve sociale, ky grup vajzash është kthyer në një fenomen që po e tejkalon gjithnjë e më shumë kufirin e Turqisë.

    Në një kohë shumë të shkurtër, ato kanë ndërtuar një identitet të fortë artistik, të bazuar në performanca dinamike, stil modern dhe një kombinim të kujdesshëm të popit me tinguj bashkëkohorë që lidhen me R&B dhe dance.

    Suksesi i tyre nuk qëndron vetëm te muzika, por edhe te mënyra se si e përkthejnë atë në skenë: koreografi të fuqishme, estetikë vizuale e kuruar dhe një energji që synon drejtpërdrejt publikun.

    Pikërisht kjo qasje i ka bërë shumë shpejt një nga emrat më të përfolur në hapësirën digjitale, ku çdo paraqitje e tyre shpërndahet gjerësisht dhe shndërrohet në trend.

    Tani, ky momentum pritet të marrë një dimension të ri në Prishtinë, ku publiku do të ketë mundësinë t’i shohë për herë të parë live në një nga festivalet më të mëdha në rajon.

    Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill duhet theksuar se do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë.

  • LEGO sjell në jetë kryeveprën “The Kiss” të Gustav Klimt me një set prej 4 mijë pjesësh

    LEGO sjell në jetë kryeveprën “The Kiss” të Gustav Klimt me një set prej 4 mijë pjesësh

    Grupi LEGO ka njoftuar një bashkëpunim me Muzeun Belvedere në Vjenë për të sjellë një version të veçantë të kryeveprës “The Kiss” (1907–1908) të piktorit austriak Gustav Klimt.

    Seti i ri përbëhet nga 4 mijë pjesë, duke u bërë modeli më i madh i frymëzuar nga një pikturë që LEGO ka prodhuar ndonjëherë. Ai do të dalë në shitje më 1 gusht, me një çmim prej 299.99 dollarësh.

    Ndryshe nga piktura origjinale, versioni LEGO është tredimensional. Pjesët ndërtohen në shtresa, duke krijuar thellësi dhe teksturë që i japin veprës një pamje më dinamike. Përveç udhëzimeve tradicionale, ndërtuesit do të kenë në dispozicion edhe udhëzime interaktive 3D përmes aplikacionit LEGO Builder.

    Për realizimin e setit, kuratorja e artit të shekujve XIX dhe XX në Muzeun Belvedere, Stephanie Auer, bashkëpunoi ngushtë me dizajnerin e modeleve LEGO, Milan Madge, për të ruajtur sa më besnikërisht stilin karakteristik të Klimtit, teksturat e pasura, ornamentet dhe paletën e artë të ngjyrave që e bëjnë veprën një ikonë të modernizmit austriak dhe lëvizjes Vienna Secession.

    “Përshtatja e The Kiss në një set LEGO ishte një përvojë unike. Diskutuam gjatë për simbolikën, ornamentet dhe teknikat artistike të Gustav Klimtit, si dhe mënyrën se si ato mund të përktheheshin në tulla LEGO, duke qëndruar besnikë frymës së veprës origjinale”, tha Stephanie Auer.

    Edhe Milan Madge e cilësoi projektin si një sfidë të veçantë krijuese, duke theksuar se përdorimi i elementeve të arta dhe pjesëve të dekoruara posaçërisht bëri të mundur rikrijimin e nuancave dhe teksturave karakteristike të pikturës.

    Modeli i përfunduar ka përmasa 60 x 54 centimetra, është rreth 4 centimetra i thellë dhe mund të vendoset në mur falë një sistemi të integruar për varjen e tij.

    Ky është bashkëpunimi më i fundit i LEGO-s me muze të njohur botërorë. Më parë kompania ka prezantuar edhe versione të frymëzuara nga vepra të Claude Monet, Vincent van Gogh, Leonardo da Vinci, Robert Indiana dhe Katsushika Hokusai, por seti i “The Kiss” konsiderohet më ambiciozi deri më tani.

  • Aftermovie i Sunny Hill 2025, çfarë kishte ndodhur vitin e kaluar në festivalin më të madh në vend

    Aftermovie i Sunny Hill 2025, çfarë kishte ndodhur vitin e kaluar në festivalin më të madh në vend

    Nga performancat spektakolare të yjeve botërorë deri te mijëra adhurues që kënduan e vallëzuan nën ritmet e muzikës, Sunny Hill Festival 2025 mbetet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

    Këto momente janë rikthyer përmes “Aftermovie 2025”, i cili përmbledh atmosferën unike që mbizotëroi gjatë tri netëve të festivalit në Prishtinë.

    Pamjet sjellin energjinë e skenës kryesore, emocionet e publikut dhe performancat që bënë bashkë artistë ndërkombëtarë dhe emra të njohur të skenës shqiptare.

    Mes momenteve më të spikatura të edicionit ishte rikthimi i Dua Lipës në festivalin që ajo e themeloi, performanca e Shawn Mendes në Kosovë për herë të parë, si dhe setet elektrizuese të Peggy Gou e Anyma.

    Videoja përmbledh jo vetëm koncertet dhe spektaklin vizual të skenave gjigante, por edhe emocionet e mijëra pjesëmarrësve që e kthyen festivalin në një festë të madhe muzike dhe kulture.

    Dritat, fishekzjarrët, duartrokitjet dhe atmosfera e krijuar në çdo cep të hapësirës së festivalit janë pjesë e kujtimeve që mbeten të gjalla edhe pas përfundimit të tij.

    Me artistë të kalibrit botëror dhe me një pjesëmarrje masive nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, Sunny Hill 2025 konfirmoi edhe një herë statusin e tij si festivali më i madh muzikor në vend dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon.

  • ‘Kafeneja jonë’ rikthehet, por jo në formatin që prisnin fansat

    ‘Kafeneja jonë’ rikthehet, por jo në formatin që prisnin fansat

    Prej javësh në rrjet po qarkullojnë zëra për rikthimin e serialit të njohur “Kafeneja jonë”, një prej produksioneve më të dashura televizive që vazhdon të ndiqet me të njëjtin interes edhe pas më shumë se një dekade nga përfundimi.

    Diskutimet nisën pas intervistës së producentit dhe aktorit Shkumbin Istrefi në një podcast. Ai la të kuptohej se projekti mund të rikthehej.

    Tashmë, sipas Prive by Liberta Spahiu, nuk bëhet fjalë vetëm për një ide, pasi puna për skenarin ka nisur dhe projekti po zhvillohet si një film me metrazh të gjatë.

    Burimet bëjnë të ditur se synimi është që pjesa më e madhe e kastit origjinal të ribashkohet, edhe pse mungesa e aktorëve që nuk jetojnë më do të ndihet.

    Paralelisht me skenarin, po punohet edhe për sigurimin e financimit, ndërsa nëse gjithçka ecën sipas planit, premiera e filmit pritet të mbahet vitin e ardhshëm.

  • “Batman 2” shtyhet përsëri: Premiera është planifikuar për shkurt 2028, publikohet teaseri i parë

    “Batman 2” shtyhet përsëri: Premiera është planifikuar për shkurt 2028, publikohet teaseri i parë

    Vazhdimi i filmit “Batman” është shtyrë përsëri, me premierën e re të planifikuar për 18 shkurt 2028.

    Me këtë rast, regjisori Matt Reeves publikoi pamjet e para provë të rikthimit të Robert Pattinson si Kalorësi i Errët. Data e re e premierës vjen pothuajse gjashtë vjet pas publikimit të filmit “Batman”, i cili u shfaq premierë në mars të vitit 2022.

    Robert Pattinson në vazhdim shoqërohet nga Scarlett Johansson, Sebastian Stan, Charles Dance, Brian Tyree Henry dhe Sebastian Koch.

    Skenari i vazhdimit është bashkëshkruar nga Matt Reeves dhe Mattson Tomlin. Detajet e ngjarjes, si dhe rolet mbështetëse të kastit, nuk janë zbuluar ende.

    “Batman 2” fillimisht ishte planifikuar të dilte më 2 tetor 2026, pas së cilës Warner Bros. e shtyu datën në 1 tetor 2027. Shtyrja e re deri në vitin 2028 duhet t’i japë Reeves kohë shtesë për post-prodhimin e filmit.

    Një nga drejtuesit e DC Studios, James Gunn, më parë e mbrojti vendimin për të shtyrë vazhdimin, duke theksuar se pushimet e gjata midis projekteve të mëdha filmike janë të zakonshme.

    “Me thënë të drejtën, një ndërprerje prej pesë ose më shumë vitesh është mjaft e zakonshme në vazhdimet: shtatë vjet midis ‘Alien’ dhe ‘Aliens’, 14 vjet midis ‘Incredibles’, shtatë vjet midis dy ‘Terminators’ të parë, 13 vjet midis ‘Avatar’, 36 vjet midis ‘Top Gun’ dhe sigurisht, gjashtë vjet midis ‘Guardians Vol 2’ dhe ‘Guardians Vol 3′”, deklaroi Gunn.

    Në të njëjtën kohë, Warner Bros. ndryshoi orarin e premierave dhe filmave të tjerë. Filmi i ri i JJ Abrams “The Great Beyond”, me protagonistë Glen Powell dhe Jenna Ortega, është zhvendosur nga 13 nëntori 2026 në 1 tetor 2027, një datë e rezervuar më parë për “Batman 2”.

    Filmi i Sam Esmail “Panic Carely”, me protagoniste Julia Roberts, do të shfaqet premierë më 9 prill 2027, pas një vonese të vogël nga 26 shkurti i të njëjtit vit. Data e 26 shkurtit do të zëvendësohet nga filmi “Revenge of La Llorona”.

    Deri më tani, dihet shumë pak për filmin e ri të Abrams. Warner Bros. e përshkruan atë si një spektakël në katër kuadrantë për të gjithë audiencën. Abrams do të kompozojë një muzikë origjinale për filmin, i cili do të shfaqet në formatin IMAX 70 mm. Shtyrja e premierës do të lejojë kohë shtesë për të krijuar kopje të filmit në atë format.

  • Nga skenat botërore në Sunny Hill Festival – Katy Perry dhe hitet që e bënë yll global

    Nga skenat botërore në Sunny Hill Festival – Katy Perry dhe hitet që e bënë yll global

    Tashmë dihet se një nga yjet më të mëdha të muzikës pop në botë, Katy Perry, do të vijë në Kosovë më 31 korrik.

    Artistja amerikane do të performojë në Sunny Hill Festival, festivalin më të madh muzikor në vend, ku është konfirmuar si emri kryesor i natës hapëse.

    Njoftimi për ardhjen e saj u prit me entuziazëm të madh nga publiku, ndërsa fansat tashmë mezi presin ta shohin nga afër dhe të dëgjojnë hitet që e kanë bërë një nga artistet më të suksesshme të gjeneratës së saj.

    Katy Perry ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë e muzikës, ndërsa këngët e saj kanë grumbulluar miliarda shikime në YouTube dhe miliarda transmetime në platformat muzikore në mbarë botën.

    Mes hiteve më të njohura të saj janë “Firework”, “Roar”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Teenage Dream”, “I Kissed a Girl”, “Hot N Cold”, “Last Friday Night (T.G.I.F.)”, “E.T.” dhe “Part of Me”.

    Po ashtu, këngë si “Wide Awake”, “The One That Got Away”, “Unconditionally”, “Chained to the Rhythm” dhe “Never Really Over” kanë qenë ndër projektet më të suksesshme të artistes, duke e konsoliduar statusin e saj si një nga këngëtaret më të rëndësishme të muzikës pop.

    Me një katalog të pasur me hite globale dhe performanca që kanë mahnitur publikun në të gjithë botën, Katy Perry pritet të jetë një nga atraksionet kryesore të edicionit të ardhshëm të Sunny Hill Festival, i cili do të mbahet në Prishtinë nga 31 korriku deri më 2 gusht.

    Përveç karrierës së saj muzikore, artistja tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare edhe vitin e kaluar, kur iu bashkua një ekuipazhi tërësisht me gra në një fluturim hapësinor të organizuar nga kompania e Jeff Bezos. Udhëtimi suborbital zgjati rreth 10 minuta dhe u bë viral në rrjetet sociale, duke zgjuar interesim të madh në mbarë botën.

    Tani, pas aventurës së saj në hapësirë, Katy Perry po përgatitet për një tjetër ndalesë të veçantë në karrierën e saj – Prishtinën, ku pritet të sjellë një spektakël të paharrueshëm për publikun kosovar.

  • Nga 21 korriku nis edicioni i pestë i festivalit “Prizren Fest 2026”

    Nga 21 korriku nis edicioni i pestë i festivalit “Prizren Fest 2026”

    Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest 2026”, do të nisë nga 21 korriku dhe do të zgjasë deri më 27 të këtij muaji.

    Këtë vit në festival, do të marrin pjesë trupat teatror dhe artistë nga Kosova, Italia, Franca, Brazili, Sllovenia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.

    Programi i “PrizrenFest”, do të sjellë edhe punëtori për fëmijë, koncerte, diskutime dhe aktivitete të tjera kulturore, duke krijuar një program të larmishme për të gjithë vizitorët

    Ndërsa, hyrja në të gjitha shfaqjet dhe aktivitetet e “Prizren Fest” është falas.

    Përmes këtij organizimi, synohet të promovojë artin me publikun, të vlerësohet trashëgimia kulturore e Prizrenit dhe roli i qytetit si një ngjarje artistike në rajon.

  • Vjen për herë të parë në Sunny Hill – Kush është PAWSA, një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike

    Vjen për herë të parë në Sunny Hill – Kush është PAWSA, një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike

    DJ i njohur britanik PAWSA (emri i vërtetë David Esekhile) do të jetë një nga emrat kryesorë që do të performojë për herë të parë në Sunny Hill Festival këtë verë, duke sjellë në Prishtinë një prej stileve më të kërkuara të muzikës elektronike në botë.

    I lindur dhe rritur në Londër, PAWSA është një nga figurat më të respektuara të skenës ‘minimal tech house’, i njohur për tingujt e tij karakteristikë me ritme të fuqishme, elemente të muzikës së vjetër ‘house’ dhe energji të vazhdueshme që dominon pistat e kërcimit.

    Ai është bashkëthemelues i label-it shumë të suksesshëm “Solid Grooves Records”, së bashku me Michael Bibi, një platformë që është shndërruar në një nga emrat më me ndikim në muzikën ‘house dhe techno’ në botë.

    PAWSA është gjithashtu i njohur për projekte të veçanta dhe bashkëpunime që kanë tërhequr vëmendjen e skenës globale elektronike.

    Me hite të fuqishme si “Dirty Cash (Money Talks)” dhe “PICK UP THE PHONE”, si dhe përfshirjen në projekte të ndryshme anonime dhe bashkëpunime, ai konsiderohet sot si një nga producentët më kreativë dhe më të kërkuar në industrinë e muzikës elektronike.

    Sunny Hill Festival tashmë është vendosur si një nga festivalet më të mëdha dhe më të rëndësishme në rajon, duke sjellë çdo vit emrat më të mëdhenj të muzikës botërore dhe duke krijuar një atmosferë unike për mijëra fansa nga e gjithë bota.

    Edicioni i sivjetmë do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë, duke e shndërruar Prishtinën në një nga qendrat kryesore të muzikës verore në Evropë.

    Me një ‘line-up’ gjithnjë e më të fortë dhe artistë të kalibrit botëror si PAWSA, Sunny Hill vazhdon të rrisë standardet e festivaleve në rajon dhe të tërheqë vëmendje ndërkombëtare.

  • Tri gjërat që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival 2026

    Tri gjërat që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival 2026

    Së shpejti nis festivali më i madh i muzikës në Kosovë, Sunny Hill Festival, një ngjarje që çdo vit tërheq vëmendjen e mijëra adhuruesve të muzikës.

    Si një nga festivalet më të mëdha dhe më të njohura në Evropë, Sunny Hill Festival mbledh dhjetëra mijëra pjesëmarrës, përfshirë vizitorë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Festivali është shndërruar në një pikëtakim të artistëve me famë botërore dhe atyre vendor, duke sjellë në Kosovë performanca spektakolare dhe një atmosferë unike.

    Ndërsa kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në nisjen e këtij spektakli madhështor, këto janë tre gjërat kryesore që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival, para se të hapen dyert e një tjetër edicioni të paharrueshëm.

    Kur nis festivali?

    Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, për tri net të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës.

    Festivali do të zhvillohet në Bërnicë të Poshtme, afër Prishtinës, në një hapësirë të veçantë dhe të përshtatur për pjesëmarrësit.

    Cilët janë artistët e konfirmuar për këtë edicion?

    Artistët e konfirmuar deri tani janë: Katy Perry, Martin Garrix, Pawsa, Adam Port, Rampa, Seth Troxler, Manifest, Dhurata Dora dhe Carlita.

    Ku mund t’i blini biletat?

    Biletat e rregullta për edicionin e sivjetmë tashmë janë në shitje në faqen zyrtare të festivalit: sunnyhillfestival.com.

    Përmes faqes ju mund t’i blini biletat dhe të bëheni pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në rajon. Procesi i blerjes është i thjeshtë dhe i shpejtë.

    Përveç biletave të rregullta në dispozicion janë gjithashtu edhe biletat VIP, në varësi të përvojës që dëshironi të përjetoni gjatë festivalit.