ATV

Category: KULTURË

  • Top 5 mediat botërore e vendosin Sunny Hill ne ballinat e tyre

    Top 5 mediat botërore e vendosin Sunny Hill ne ballinat e tyre

    Sunny Hill Festival, festivali më i madh i muzikës në Kosovë dhe një nga ngjarjet kryesore muzikore në Evropën Juglindore, ka marrë vëmendjen e disa prej mediave më të mëdha botërore.

    Associated Press (AP), Reuters, USA Today, Yahoo dhe Fortune janë ndër platformat ndërkombëtare që kanë vendosur Sunny Hill Festivalin në ballinat e tyre, duke e sjellë këtë ngjarje nga Kosova në audiencën globale.

    Prania në këto media ndërkombëtare e vendos festivalin në mesin e ngjarjeve muzikore që po tërheqin interes përtej rajonit.

    Sunny Hill ka njoftuar një partneritet ekskluziv me platformën globale Fever, e cila do të jetë partneri zyrtar ndërkombëtar për shitjen e biletave për edicionin e vitit 2026.
    Përmes kësaj marrëveshjeje, Fever – platforma lider në zbulimin e përvojave dhe argëtimit live, e cila gjatë vitit të kaluar arriti mbi 300 milionë përdorues në më shumë se 40 shtete – do të shërbejë si porta kryesore ndërkombëtare për rezervimin e biletave nga publiku jashtë Kosovës.

    Platforma do të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të festivalit. Gjithashtu, Sunny Hill do të jetë i listuar edhe në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë festivalin edhe më të lehtë për t’u zbuluar dhe rezervuar nga fansat në mbarë botën.

    Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë udhëtimin e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik të festivalit në turizmin e Kosovës.

    Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026 në Sunny Hill Festival Park në Prishtinë.

    Në mesin e emrave të konfirmuar për këtë vit janë Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula, Blanco, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, MC Kresha & Manifest, si dhe shumë artistë të tjerë.

    Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa, ndërsa promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.

    Themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, tha se Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë sesa një festival muzikor.

    “Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë se muzikë. Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë dhe i gjithë vendi e ndien këtë. Vëmendja që festivali i sjell Kosovës është një promovim që asnjë fushatë turistike nuk do të mund ta blinte ndonjëherë. Vlera që krijohet mbetet këtu – në ekonominë e vizitorëve, në sektorin kulturor dhe në mundësitë që u hapen të rinjve. Me shtrirjen globale dhe teknologjinë e Fever, do të jetë edhe më e lehtë që fansat nga e gjithë bota të zbulojnë Sunny Hill-in, të sigurojnë biletat dhe të udhëtojnë drejt Prishtinës”.

    Edhe Mariano Otero, nënkryetar i lartë i Fever, e cilësoi Sunny Hill-in si një festival që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    “Sunny Hill është një nga ato ngjarje të rralla ku një festival i madh shndërrohet në motor zhvillimi për një vend të tërë. Roli ynë është ta bëjmë sa më të lehtë që njerëzit nga çdo cep i botës ta zbulojnë festivalin, të blejnë biletat dhe të vizitojnë Prishtinën, në mënyrë që gjithnjë e më shumë vlera të mbetet në Kosovë”.

    Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, edicioni i vitit 2025 gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, duke përfituar sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe bizneset lokale.

    Në të njëjtin vit, Sunny Hill u nderua edhe me Çmimin për Ndikim Ekonomik 2025 nga Oda Ekonomike e Kosovës.

    Organizatorët theksojnë se, nëse llogaritet i gjithë ndikimi i vizitorëve – përfshirë shpenzimet e diasporës dhe të turistëve që qëndrojnë disa ditë në Kosovë – efekti ekonomik arrin afërsisht 50 milionë euro për çdo edicion.

    Gjatë festivalit të vitit 2025, hotelet në Prishtinë shënuan 99 deri në 100 për qind të kapaciteteve të mbushura, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës niveli i zënies ishte rreth 96 për qind.

    Sipas organizatorëve, Sunny Hill është krijuar me synimin për ta vendosur Kosovën në hartën globale kulturore, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe duke promovuar vendin përmes muzikës, kreativitetit dhe mikpritjes.

    Në vitin 2025, presidentja Vjosa Osmani ia dorëzoi shtetësinë e Kosovës Dua Lipës gjatë festivalit, një moment që u raportua nga media prestigjioze ndërkombëtare.

    Çdo edicion gjeneron mijëra artikuj në më shumë se 6 mijë media në mbarë botën dhe miliarda shikime mediatike, ndërsa në terren akreditohen mbi 150 gazetarë. Festivali është pasqyruar nga media si BBC, The Guardian, The New York Times, Vogue, Rolling Stone, Billboard, NME, MTV Europe, Cosmopolitan Italy dhe Fox News.

    Sunny Hill Festival vepron në mbështetje të Sunny Hill Foundation, e cila financon projekte në fushën e artit, kulturës dhe arsimit në Kosovë, përfshirë bursa STEM për vajza dhe programe që lidhin artistët e rinj kosovarë me profesionistë ndërkombëtarë.

    Po ashtu, organizatorët kanë nisur një investim prej 7 milionë eurosh për transformimin e zonës së festivalit në një park publik, që do të mbetet një trashëgimi afatgjatë për qytetarët, përveç organizimit të festivalit çdo vit.

  • Anita Muçolli hap ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës “The Blue Hour”

    Anita Muçolli hap ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës “The Blue Hour”

    Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA do të mirëpresë ekspozitën e parë personale të artistes Anita Muçolli, të titulluar “The Blue Hour”, kuruar nga Hana Halilaj.

    Hapja e ekspozitës do të mbahet të mërkurën, më 29 korrik, nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa para-premiera për media është planifikuar nga ora 18:00 deri në 19:00.

    Ekspozita “The Blue Hour” vendoset mes kujtimeve të trashëguara dhe përvojës së jetuar të një artisteje të gjeneratës së dytë të diasporës, duke reflektuar mbi dijen ndërbreznore dhe përpjekjen për të ruajtur specifikën kulturore përballë përvojave të tjetërsimit, shkruan KultPlus.

    Përmes punëve të saj, Muçolli trajton mungesat, gjestet e mishëruara në trup, ritualet familjare dhe heshtjet që shpesh shoqërojnë përvojat e dhunës dhe migrimit.

    Hulumtimi i saj i fundit zhvillohet si një proces i hapur në hapësirën e arkivave familjare, ku ndërthuren biografia personale, historia kolektive dhe kërkimi për përkatësi mes këtyre dy dimensioneve.

    Ekspozita sjell një rrëfim artistik mbi kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë kulturore, duke ftuar publikun të reflektojë mbi mënyrat se si përvojat individuale lidhen me historitë më të gjera shoqërore.

  • Koncerti solistik i Hajrije Preniqit shënon një nga aktivitetet kryesore të “Ditëve të Mërgatës” në Obiliq

    Koncerti solistik i Hajrije Preniqit shënon një nga aktivitetet kryesore të “Ditëve të Mërgatës” në Obiliq

    Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, Komuna e Obiliqit organizoi një mbrëmje të veçantë artistike me koncertin solistik të këngëtares së njohur Hajrije Preniqi. Aktiviteti u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ku u mblodhën qytetarë, bashkatdhetarë dhe dashamirës të muzikës shqiptare.

    Ylli i mbrëmjes ishte këngëtarja Hajrije Preniqi Gashi, e cila interpretoi disa nga këngët më të njohura të repertorit të saj dhe u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku. Gjatë mbrëmjes, ajo u nderua me mirënjohjen “Nderi i Diasporës Shqiptare”, e ndarë nga Rexhep Abazi në emër të Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar me seli në Gjermani. Vlerësimi, i iniciuar nga Can Tahiri, iu kushtua kontributit të saj në promovimin e muzikës shqiptare ndër vite. Pas pranimit të mirënjohjes, Hajrije Preniqi Gashi interpretoi premierë këngën kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Interpretimi u prit me emocione dhe duartrokitje të gjata, duke u bërë një nga momentet më të spikatura të koncertit.

    Programi artistik u pasurua edhe me interpretimet e këngëtarit Hysni Klinaku, ndërsa Ansambli i Qytetit u paraqit me valle tradicionale shqiptare, të cilat u mirëpritën nga publiku. Mbrëmja u moderua nga artisti i njohur Naim Abazi, i cili, përveç rolit të moderatorit, interpretoi edhe disa nga këngët e tij, duke i dhënë koncertit një atmosferë të veçantë.

    Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, kjo mbrëmje artistike dëshmoi edhe një herë rëndësinë e kulturës në afrimin e vendlindjes me diasporën. Përmes aktiviteteve të tilla, Komuna e Obiliqit vazhdon të mbështesë promovimin e vlerave kulturore, ruajtjen e traditës dhe forcimin e lidhjeve me bashkatdhetarët.

  • Musk sfidon Christopher Nolan, premton një “Odise” të krijuar nga AI

    Musk sfidon Christopher Nolan, premton një “Odise” të krijuar nga AI

    Elon Musk ka thënë se platforma e tij me Al, Grok, “do të rikrijojë” filmin e Odiseut në muajt në vijim.

    Trilioneri e bëri deklaratën vetëm disa ditë pasi versioni i suksesshëm i eposit të lashtë grek nga Christopher Nolan u publikua në kinematë anembanë botës.

    “Para se të mbarojë ky vit, Grok Imagine do të bëjë një film të gjatë të Odisesë që është historikisht i saktë dhe besnik ndaj artit të Homerit”, deklaroi Musk.

    Shefi i Tesla-s nuk i ka mbajtur të fshehta mendimet e tij në lidhje me Nolan.

    Më herët këtë muaj ai nisi një sulm të ashpër ndaj regjisorit për vendimet e tij në përzgjedhjen e aktorëve.

  • Filmi “Dua” i Blerta Bashollit do të ketë premierën rajonale në ‘Sarajevo Film Festival’

    Filmi “Dua” i Blerta Bashollit do të ketë premierën rajonale në ‘Sarajevo Film Festival’

    Filmi me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të prezantohet për herë të parë në rajon në kuadër të Sarajevo Film Festival, ku është përzgjedhur në garën kryesore ‘Main Competition’.

    Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka njoftuar se ky është një tjetër sukses në rrugëtimin ndërkombëtar të filmit, pas premierës së tij botërore në seksionin prestigjioz La Semaine de la Critique të Festivalit të Filmit në Kanë.

    Filmi i Bashollit vazhdon kështu të marrë vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të kinematografisë.

    Njoftimi i plotë nga Qendra Kinematografike e Kosovës:

    “Jemi të lumtur të ndajmë lajmin se filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën rajonale në garën kryesore (Main Competition) të Sarajevo Film Festival.

    Pas premierës së tij botërore në La Semaine de la Critique në Festivalin e Filmit në Kanë, “DUA” vazhdon rrugëtimin e tij festivalor me përzgjedhjen në garën kryesore të një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore.

    Një dramë coming-of-age, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike.

    Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).

    Filmi është mbështetur nga Centre National du Cinema et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës”.

  • Sunny Hill Festival – kur muzika bëhet diplomaci kulturore dhe urë mes Kosovës e diasporës

    Sunny Hill Festival – kur muzika bëhet diplomaci kulturore dhe urë mes Kosovës e diasporës

    Është vera e katërt që Prishtina shndërrohet në një pikë takimi për mijëra shqiptarë. Festivali “Sunny Hill” nuk është më vetëm një ngjarje muzikore, por një moment rikthimi për diasporën shqiptare që ndërthur nostalgjinë, identitetin dhe kulturën.

    Përtej skenës muzikore, “Sunny Hill” po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument i promovimit ndërkombëtar të Kosovës.

    Për këtë arsye, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe analistja e politikave kulturore, Besa Luzha folën për Telegrafin mbi ndikimin që festivali ka në diplomacinë kulturore, perceptimin ndërkombëtar të Kosovës dhe lidhjet me diasporën.

    Sipas MPJD-së, edhe pse nuk është realizuar një studim empirik i posaçëm për ndikimin e festivalit, vlerësimet institucionale tregojnë se “Sunny Hill” ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si një vend me energji krijuese, potencial rinor dhe skenë artistike në zhvillim.

    Ministria vlerëson se festivali nuk promovon vetëm muzikën, por edhe Kosovën si një shoqëri dinamike, të hapur dhe të lidhur me zhvillimet bashkëkohore kulturore.

    “Festivali “Sunny Hill” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si vend me energji të re kulturore, kreativitet artistik dhe potencial të madh rinor. Përmes pjesëmarrjes së artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, festivali ka krijuar një hapësirë ku publiku i huaj ka mundësi të njihet më afër me Kosovën, me qytetarët e saj, me skenën kreative dhe me atmosferën mikpritëse të vendit. Në këtë kuptim, festivali nuk promovon vetëm muzikën si ngjarje artistike, por ndihmon edhe në prezantimin e Kosovës si shoqëri dinamike, të hapur dhe të lidhur me trendet kulturore ndërkombëtare.Prania e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, së bashku me mijëra vizitorë nga vende të ndryshme, krijon një mundësi që publiku i huaj ta njohë Kosovën përmes një përvoje të drejtpërdrejtë”, thanë nga MPJD për Telegrafin.

    Në këtë kontekst, MPJD e konsideron “Sunny Hill” një formë të diplomacisë së butë.

    “Po, festivali mund të shihet si një formë e diplomacisë së butë, në kuptimin që krijon ura komunikimi mes njerëzve, kulturave dhe komuniteteve të ndryshme përmes muzikës, artit dhe shkëmbimit kulturor. Ngjarje të tilla kanë rëndësi sepse ndikojnë në mënyrën se si një vend përjetohet nga publiku ndërkombëtar. Ato krijojnë kontakte njerëzore, përvoja pozitive dhe hapësira ndërveprimi që shpesh kanë efekt më të drejtpërdrejtë sesa format tradicionale të promovimit institucional. Në këtë aspekt, “Sunny Hill” kontribuon në forcimin e imazhit të Kosovës si vend evropian, kreativ dhe mikpritës.Sipas ministrisë, ngjarje të tilla ndërtojnë ura komunikimi mes kulturave dhe ndikojnë në mënyrën se si një shtet perceptohet nga opinioni ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    Por, çfarë ndikimi ka pasur festivali në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën?

    Nga ministria theksojnë gjithashtu se festivali ka ndihmuar në zgjerimin e narrativës ndërkombëtare për Kosovën, duke e larguar fokusin ekskluziv nga historia politike dhe duke e prezantuar vendin si një destinacion me jetë kulturore aktive, rini kreative dhe potencial për turizëm kulturor.

    “Përmes pjesëmarrjes së artistëve me njohje ndërkombëtare, pranisë së vizitorëve nga vende të ndryshme dhe shpërndarjes së përmbajtjeve në media dhe rrjete sociale, festivali ka kontribuar në paraqitjen e Kosovës si një vend me jetë kulturore aktive, me rini të angazhuar dhe me potencial për turizëm kulturor. Ky është një kontribut i rëndësishëm, sepse perceptimi ndërkombëtar i një vendi ndërtohet jo vetëm përmes politikës së jashtme formale, por edhe përmes kulturës, artit, sportit, diasporës dhe përvojave të drejtpërdrejta që qytetarët e huaj krijojnë me vendin”, vlerësojnë nga ministria.

    Sipas MPJD-së, festivali ka ndikuar edhe në forcimin e lidhjeve kulturore ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes së artistëve, profesionistëve të industrisë kreative, mediave dhe vizitorëve nga vende të ndryshme, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja në sektorin kulturor.

    “Festivali ka krijuar hapësirë për forcimin e lidhjeve kulturore, veçanërisht në nivelin ‘people-to-people’. Prania e artistëve, profesionistëve të industrisë kreative, vizitorëve dhe mediave ndërkombëtare ndihmon në krijimin e kontakteve të reja dhe në rritjen e interesimit për Kosovën si pjesë e skenës kulturore evropiane dhe ndërkombëtare. Këto lidhje janë të rëndësishme sepse bashkëpunimi kulturor shpesh ndërtohet gradualisht, përmes kontakteve, pjesëmarrjes, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të besimit mes aktorëve të ndryshëm”.

    Por, a mund të shfrytëzohet më tej festivali për promovimin e Kosovës jashtë vendit?

    Siç thanë nga MPJD potenciali i festivalit për promovimin e Kosovës jashtë vendit mund të zhvillohet edhe më tej, gjithmonë duke respektuar karakterin e tij kulturor, kreativ dhe organizativ.

    “Ngjarje të tilla mund të ndërlidhen më mirë me promovimin e turizmit, të industrive kreative, të rinisë, të diasporës dhe të Kosovës si destinacion për ngjarje kulturore ndërkombëtare. Nga perspektiva e diplomacisë publike, festivale si “Sunny Hill” janë mundësi të vlefshme për të prezantuar Kosovën në mënyrë pozitive, përmes përvojës kulturore, mikpritjes dhe energjisë shoqërore që vendi ofron”, thanë nga MPJD.

    Një vlerësim të ngjashëm jep edhe analistja e politikave kulturore, Besa Luzha në një prononcim për Telegrafin e cila e sheh festivalin si një prej platformave më të rëndësishme të diplomacisë kulturore që ka krijuar Kosova në vitet e fundit.

    Sipas saj, pjesëmarrja e artistëve me reputacion botëror dhe interesimi i mediave ndërkombëtare kanë bërë që Prishtina dhe Kosova të pozicionohen në hartën e ngjarjeve të mëdha kulturore evropiane.

    “Sunny Hill Festival ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës. Përmes pjesëmarrjes së artistëve me reputacion botëror dhe interesimit të mediave ndërkombëtare, festivali e ka pozicionuar Kosovën si një destinacion të aftë për të organizuar ngjarje kulturore të përmasave të mëdha. Përveç aspektit argëtues, ai promovon imazhin e një shoqërie të re, dinamike dhe të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar. Ardhja e emrave të mëdhenj të muzikës pop, rap, elektronike etj e ka vu Prishtinen dhe Kosoven ne harten e ngjarjeve madhore te Kultures”, tha ajo.

    Sipas saj, diplomacia e butë bazohet në aftësinë e një vendi për të ndërtuar reputacion, simpati dhe ndikim përmes kulturës, artit dhe vlerave, më shumë sesa përmes instrumenteve politike apo ekonomike.

    “Sunny Hill Festival kontribuon në këtë drejtim duke krijuar një imazh pozitiv për Kosovën, duke tërhequr vizitorë ndërkombëtarë, artistë dhe media, si dhe duke ndërtuar ura komunikimi me audienca të ndryshme. Edhe pse festivali nuk është instrument shtetëror, efekti i tij në diplomacinë kulturore është i dukshëm dhe mund të fuqizohet më tej përmes bashkëpunimit strategjik me institucionet kulturore dhe diplomatike”.

    Ajo vlerëson se festivali ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për Kosovën, duke e zhvendosur vëmendjen nga narrativat e konfliktit drejt një vendi që organizon aktivitete bashkëkohore dhe është pjesë aktive e skenës evropiane të festivaleve.

    “Festivali ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit të Kosovës nga një vend që shpesh është identifikuar në diskursin ndërkombëtar me historinë e konfliktit, drejt një vendi që organizon aktivitete kulturore bashkëkohore dhe është pjesë aktive e skenës evropiane të festivaleve. Për shumë vizitorë dhe artistë, pjesëmarrja në festival ka krijuar një përvojë të drejtpërdrejtë që shpesh sfidon stereotipet ekzistuese. Megjithatë, ndikimi afatgjatë varet nga vazhdimësia e organizimit, cilësia artistike dhe mënyra se si ky imazh mbështetet edhe nga politika të tjera kulturore dhe turistike”, vlerësoi Luzha.

    Ajo shton se “Sunny Hill Festival” ka krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar përmes pjesëmarrjes së artistëve, producentëve, partnerëve kulturorë dhe sponsorëve nga vende të ndryshme.

    “Ai ka kontribuar në zgjerimin e rrjeteve profesionale dhe në rritjen e interesimit për bashkëpunime të ardhshme në sektorin kulturor dhe kreativ. Megjithatë, për të pasur një ndikim më të qëndrueshëm, këto lidhje duhet të shoqërohen edhe me programe të vazhdueshme shkëmbimi artistik, rezidenca, koproduksione dhe projekte kulturore që vazhdojnë edhe përtej ditëve të festivalit.

    Duke folur edhe nga përvoja e saj si drejtuese e festivalit ndërkombëtar “Chopin Piano Fest Prishtina”, Luzha thekson se festivalet kontribuojnë në diplomacinë kulturore në mënyra të ndryshme.

    “Si dikush që drejton një festival ndërkombëtar si ChopinPianoFEST Prishtina do të shtoja se festivale të ndryshme kontribuojnë në diplomacinë kulturore në mënyra të ndryshme. Sunny Hill e bën këtë kryesisht përmes kulturës popullore dhe industrisë globale të muzikës, ndërsa festivalet e muzikës klasike ndërtojnë marrëdhënie më afatgjata me institucione artistike, ambasada dhe rrjete profesionale. Të dyja format janë plotësuese dhe së bashku pasurojnë profilin kulturor ndërkombëtar të Kosovës”, tha ndër të tjera Luzha për Telegrafin.

  • Kur muzika bëri bashkë babë e bijë, performanca kulminante në edicionin e kaluar në Sunny Hill Festival

    Kur muzika bëri bashkë babë e bijë, performanca kulminante në edicionin e kaluar në Sunny Hill Festival

    Një nga momentet më të veçanta të edicionit të kaluar të Sunny Hill Festival ishte performanca e përbashkët e artistes shqiptare me famë botërore Dua Lipa me babanë e saj, Dukagjin Lipa.

    Si pjesë e turneut të saj “Radical Optimism”, Dua Lipa kishte krijuar një traditë gjatë performancave të saj ‘live’, duke ftuar mysafirë të veçantë në skenë për të interpretuar së bashku një këngë. Në festivalin Sunny Hill, ajo ftoi babanë e saj në skenë, duke krijuar një moment shumë të veçantë që emocionoi dhjetëra mijëra fansa të pranishëm.

    Dukagjin Lipa, i njohur edhe për kontributin e tij muzikor me grupin “Oda”, u ngjit në skenë dhe ndau momentin me vajzën e tij, në një paraqitje që u prit me duartrokitje të forta nga publiku.

    Dyshja interpretuan këngën e njohur “Era”, një këngë ikonike për publikun shqiptar nga grupi Gjurmët. Performanca u prit shumë mirë dhe u cilësua si një moment nostalgjik, që solli bashkë emocione dhe kujtime për publikun.

    Interpretimi u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku u vlerësua veçanërisht paraqitja e Dukagjin Lipës dhe energjia e tij në skenë. Videoja e performancës mori gjithashtu shumë reagime pozitive edhe në YouTube.

    Edhe pse performanca ka ndodhur pothuajse një vit më parë, ajo vazhdon të mbetet një nga momentet kulmore të edicionit të kaluar të Sunny Hill Festival, duke theksuar lidhjen e fortë familjare dhe muzikore mes Duas dhe babait të saj.

  • Kayak Fest 2026 rikthehet në Batllavë me tri ditë aventurë, sport dhe muzikë

    Kayak Fest 2026 rikthehet në Batllavë me tri ditë aventurë, sport dhe muzikë

    Batllava do të jetë sërish mikpritëse e një prej ngjarjeve më të veçanta të verës në Kosovë. Më 14, 15 dhe 16 gusht 2026, Kayak Fest 2026 rikthehet me një program të pasur që ndërthur sportin, aventurën, muzikën dhe argëtimin, duke pritur pjesëmarrës dhe vizitorë nga e gjithë Kosova dhe rajoni.

    Edicioni i sivjetshëm sjell një gamë të gjerë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat, me fokus në promovimin e sporteve ujore, turizmit aktiv dhe bukurive natyrore të Liqenit të Batllavës.

    Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është “Dardan Race”, një garë sfiduese me pengesa, e frymëzuar nga koncepti i njohur i Spartan Race. Gara do t’u ofrojë pjesëmarrësve një përvojë plot adrenalinë, duke testuar forcën fizike, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë përmes një sërë sfidash.

    Në kuadër të festivalit do të zhvillohen edhe garat me kayak, ku sportistë dhe entuziastë të këtij sporti do të konkurrojnë në disiplinat përkatëse, duke promovuar sportin, rekreacionin dhe lidhjen me natyrën.

    Mbrëmjet e festivalit do të shoqërohen me një program të pasur artistik. Në skenën e Kayak Fest 2026 do të performojë grupi PINT, i njohur për atmosferën energjike dhe repertorin e tij. Publiku do të argëtohet gjithashtu nga performanca e NRG Band, një nga grupet më të dashura të skenës muzikore shqiptare, si dhe nga interpretimi i këngëtares Nita Latifi, e cila do të sjellë hitet e saj në një atmosferë festive buzë liqenit.

    Për ta përmbyllur festivalin në mënyrën më spektakolare, nata e fundit do të kulmojë me performancën e një super DJ-i, identiteti i të cilit do të mbetet surprizë deri në momentin e zbulimit. Organizatorët premtojnë një finale madhështore me energji, ritëm dhe atmosferë që do ta bëjë edicionin e sivjetshëm të paharrueshëm.

    Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, sportdashësit dhe adhuruesit e muzikës që të bëhen pjesë e kësaj fundjave të paharrueshme dhe të përjetojnë emocionet që sjell Kayak Fest 2026.

    Shënoni datat: 14, 15 dhe 16 gusht 2026 – Batllavë. Aventura fillon këtu, ndërsa surprizat ju presin deri në natën e fundit!

  • Verë e nxehtë sivjet, Prishtina po bëhet gati të jehojë nga Sunny Hill Festival

    Verë e nxehtë sivjet, Prishtina po bëhet gati të jehojë nga Sunny Hill Festival

    Më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht do të mbahet edicioni më i madh i muzikës në vend, Sunny Hill Festival, i cili do t’u sjellë fansave tre net të mbushura me energji, muzikë dhe performanca të paharrueshme.

    Festivali do të zhvillohet në Bërnicë të Poshtme, afër Prishtinës, në një hapësirë të veçantë e të dedikuar enkas për këtë ngjarje madhore, duke ofruar kushte të përshtatshme për pjesëmarrësit dhe një atmosferë unike verore.

    Një nga emrat më të mëdhenj të konfirmuar për këtë edicion është artistja amerikane Katy Perry, e cila pritet të sjellë një performancë spektakolare me hitet e saj të njohura botërore, të cilat mezi priten nga fansat.

    Edhe pse lista e plotë e artistëve ende nuk është bërë publike, deri tani janë konfirmuar emra të mëdhenj dhe të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë Martin Garrix, Pawsa, Seth Troxler, Adam Port, Rampa, Manifest, Carlita dhe Dhurata Dora.

    Këta artistë pritet të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme dhe të ofrojnë një spektakël të vërtetë për publikun.

    Kujtojmë se biletat për edicionin e sivjetmë janë në shitje dhe mund t’i blini në faqen zyrtare sunnyhillfestival.com.

  • Ndahet nga jeta Beqir Beqiri, organizatori dhe punëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës

    Ndahet nga jeta Beqir Beqiri, organizatori dhe punëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit shumëvjeçar të këtij institucioni kulturor.

    Me punën e tij të palodhshme dhe profesionalizmin e vazhdueshëm, ai dha një kontribut të çmuar në funksionimin dhe organizimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke lënë pas kujtime të paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin të punonin me të.

    Përmes një njoftimi zyrtar, TKK shprehu dhimbjen për humbjen e një prej bashkëpunëtorëve të tij, për punën dhe përkushtimin që Beqiri dha ndër vite.

    Më poshtë reagimi i plotë i Teatrit Kombëtar të Kosovës:

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit të kahmotshëm e të çmuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

    Përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tij shumëvjeçare do të mbeten pjesë e kujtesës së institucionit tonë.

    Beqir Beqiri do të kujtohet si një njeri i mirë, koleg i respektuar, organizator i përkushtuar dhe punëtor i palodhur, i cili me kontributin e tij të vyer la gjurmë të pashlyeshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

    Në këto çaste të vështira, Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Beqiri, të afërmit, miqtë dhe mbarë komunitetin artistik.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, pas faljes së namazit të drekës, në Varrezat e Dragodanit.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të”.