ATV

Category: KULTURË

  • Lisa Kudrow zbulon një anë të errët nga prapaskenat e serialit “Friends”

    Lisa Kudrow zbulon një anë të errët nga prapaskenat e serialit “Friends”

    Lisa Kudrow ka zbuluar më në detaje përvojën e saj gjatë xhirimeve të serialit “Friends”, duke thënë se pas skenave ekzistonte një atmosferë shpesh e ashpër dhe e pakëndshme.

    Sipas saj, gjatë incizimeve që bëheshin para një publiku live prej rreth 400 personash, presioni ishte i madh.

    Nëse një aktor gabonte tekstin ose nuk arrinte ta jepte replikën në mënyrën e duhur, skenaristët mund të reagonin me komente fyese dhe nënçmuese.

    Këto kritika, sipas Kudrow, ishin të drejtpërdrejta dhe ndonjëherë shumë të rënda për t’u përballuar.

    Ajo gjithashtu ka theksuar se në dhomën e skenaristëve, që dominohej kryesisht nga burra, shpesh zhvilloheshin biseda të papërshtatshme.

    Ata qëndronin deri vonë natën duke punuar për skenarët dhe, sipas saj, diskutonin edhe fantazi seksuale për aktoret e serialit, veçanërisht për Jennifer Aniston dhe Courteney Cox.

    Kjo situatë, sipas Kudrow, krijonte një ambient “intens” dhe të pakëndshëm, edhe pse shumica e këtyre bisedave ndodhnin pas dyerve të mbyllura.Megjithatë, Kudrow ka shtuar se ajo personalisht përpiqej të mos ndikohej shumë nga kjo sjellje.

    Ajo e arsyetonte duke thënë se skenaristët punonin me orë të gjata dhe nën presion të madh për të përfunduar episodet, prandaj shpesh shprehnin frustrimin e tyre në mënyra të papërshtatshme.

    Qëndrimi i saj ishte që, përderisa komentet bëheshin pas shpine, nuk kishin rëndësi të madhe për të.

    Raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët.

  • Në Ditën Botërore të Vallëzimit, Baleti i Kosovës sjell premierën “Bletë”

    Në Ditën Botërore të Vallëzimit, Baleti i Kosovës sjell premierën “Bletë”

    Baleti Kombëtar i Kosovës sonte prezanton premierën e parë për vitin 2026.

    E titulluar “Bletë” kjo shfaqje vjen në Ditën Botërore të Vallëzimit, në një mbrëmje me dy shfaqje: “We will never give up on love” me koreografi nga Erion Kruja, dhe “Bletë” me koreografi nga Clebio Oliveira me asistente Lela Di Costanzo.

    Ngjarja mbahen në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00, ndërsa repriza e parë jepet nesër.

  • 10 serialet më të mira televizive të vitit 2026 deri tani

    10 serialet më të mira televizive të vitit 2026 deri tani

    Përzgjedhja e 10 serialeve më të mira të vitit 2026 deri më tani vjen nga BBC, duke sjellë një panoramë të gjerë të produksioneve më të spikatura në televizion, nga një horror i Ryan Murphy, te një komedi-dramë gjeniale me temë James Bond dhe prequel-i më i ri i Game of Thrones.

    Industry
    Drama e BBC/HBO që nis si histori për të rinjtë në botën bankare, por shpejt shndërrohet në një pasqyrë të fuqisë, politikës dhe medias. E fortë në dialog dhe performanca, sidomos nga Myha’la dhe Marisa Abela.

    How to Get to Heaven from Belfast
    Një komedi-mister nga Lisa McGee që ndjek tre shoqe në një udhëtim të çmendur nëpër Irlandë. Plot humor, kthesa të papritura dhe fokus te miqësia afatgjatë.

    The Beauty
    Një horror satirik nga Ryan Murphy që trajton obsesionin me pamjen përmes një “ilaçi” që transformon trupin me pasoja të frikshme. I guximshëm dhe vizualisht i fortë.

    The Night Manager
    Rikthimi i serialit spiunazhi me Tom Hiddleston sjell një histori të re me trafik armësh dhe intriga ndërkombëtare. Elegant dhe me tension të vazhdueshëm.

    Lord of the Flies
    Adaptim i ri i romanit klasik, që eksploron errësirën e natyrës njerëzore përmes një grupi fëmijësh të izoluar. Strukturë interesante me këndvështrime të ndryshme.

    A Knight of the Seven Kingdoms
    Prequel-i i Game of Thrones që sjell një histori më të lehtë dhe më personale me një kalorës dhe ndihmësin e tij. Më shumë fokus te karakteret sesa te politika.

    The Comeback
    Lisa Kudrow rikthehet në rolin e Valerie Cherish në një satirë të Hollywood-it dhe obsesionit me famën. Qesharak, por edhe me nota melankolike.

    Rooster
    Komedi me Steve Carell si një shkrimtar që përfundon papritur në një kolegj. Situata absurde dhe kast i fortë e bëjnë serialin shumë të lehtë për t’u ndjekur.

    Bait
    Një histori për industrinë e filmit dhe rolin e James Bond, që trajton përfaqësimin dhe presionin mediatik. Satirik dhe shumë modern në qasje.

    The Pitt
    Dramë mjekësore që ndjek një turn 15-orësh në një spital traume. Realiste, intensive dhe e fokusuar te stresi i profesionit mjekësor.

    Një listë që tregon sa i larmishëm dhe i fortë ka qenë televizioni në 2026 deri tani, me seriale që kanë lënë gjurmë në zhanre të ndryshme.

  • Publikohet traileri i parë i “Practical Magic 2”, rikthehen Nicole Kidman dhe Sandra Bullock

    Publikohet traileri i parë i “Practical Magic 2”, rikthehen Nicole Kidman dhe Sandra Bullock

    Warner Bros. ka publikuar trailerin e parë për filmin Practical Magic 2, vazhdimin e shumëpritur të filmit kult të vitit 1998. Filmi pritet të mbërrijë në kinema më 11 shtator.

    Traileri u prezantua fillimisht për pjesëmarrësit e CinemaCon në Las Vegas, përpara se të publikohej për publikun e gjerë. Në këtë vazhdim rikthehen në rolet e tyre ikonike Nicole Kidman dhe Sandra Bullock, si motrat Sally dhe Gilly Owens.

    Kastit i bashkohen emra të rinj si Joey King, Lee Pace, Maisie Williams, Xolo Maridueña dhe Solly McLeod. Ndërkohë, rikthehen edhe Stockard Channing dhe Dianne Wiest në rolet e tezeve Frances dhe Jet.

    Ngjarja zhvillohet vite pas filmit të parë, me Sally që ka rritur vajzat e saj, ndërsa Gilly jeton një jetë të qetë. Por kjo qetësi prishet kur një personazh misterioz, i luajtur nga Lee Pace, i detyron motrat të largohen nga qyteti i tyre në New England dhe të përballen me një mision dramatik.

    Skenari i filmit është shkruar nga Akiva Goldsman dhe Georgia Pritchett, bazuar në romanin “The Book of Magic” të autores Alice Hoffman. Filmi drejtohet nga Susanne Bier.

    Sipas studios, “Practical Magic 2” rikthen publikun në një botë të mbushur me magji dhe mister, ku motrat Owens duhet të përballen me një mallkim të errët që kërcënon të shkatërrojë familjen e tyre, në një histori që premton argëtim, emocione dhe kaos magjik.

  • “Play Music, Not War” – Tematika e edicionit të 6 të Rame Lahaj International Opera Festival

    “Play Music, Not War” – Tematika e edicionit të 6 të Rame Lahaj International Opera Festival

    Me jehonën e emocioneve të vitit të kaluar, po hapet një kapitull i ri i edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival.

    Në një kohë kur bota po përballet me ndarje, pasiguri dhe konflikte, në këtë edicion do të flitet përmes artit dhe muzikës, si arma më e fortë për paqe.

    “Tematika që do të na shoqërojë këtë verë është “Play Music, Not War”. Përveçse një slogan, është një thirrje për ndërgjegje, dhe një besim i joni i palëkundur se muzika ka fuqinë të bashkojë aty ku dhuna ndan, të ruajë atë që lufta kërcënon, dhe të japë shpresë aty ku asgjësimi dhe urrejtja verbon njerëzimin.

    Nga data 4 deri më 29 korrik, Kosova do të flasë gjuhën universale të muzikës dhe artit. Çdo performancë do të jetë një akt solidariteti. Çdo zë dhe çdo notë do të bëhen një dëshmi se e bukura do të ekzistojë edhe në kohët më të brishta.

    Ky vit vjen me energji të reja, risi artistike dhe me përkushtimin e kahershëm për të sjellë në skenë artistët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Këtë edicion, ne nuk zgjedhim zhurmën e konfliktit. Ne zgjedhim shërimin e plagëve përmes muzikës.

    Na ndiqni në rrjetet tona sociale për t’u përditësuar me të rejat më të fundit rreth festivalit.

    Shihemi së shpejti!

    #PlayMusicNotWar #RLIOF6” – thuhet në njoftimin e tyre për media.

  • Ag Apolloni prezanton romanin e tij në Harvard në Ditën Botërore të Librit

    Ag Apolloni prezanton romanin e tij në Harvard në Ditën Botërore të Librit

    Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Universitetin e Harvardit është organizuar një takim letrar me shkrimtarin shqiptar Ag Apolloni, ku prezantohet romani i tij “Kësukëkuqja, përrallë për të rritur” (Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups).

    Në këtë aktivitet do të flasë studiuesja e njohur Maria Tatar, ndërsa prezantimin e autorit dhe veprës e bën Ekaterina Pirozhenko nga Departamenti i Gjuhëve Gjermanike dhe Letërsive.

    Promovimi mbahet në Menschel Hall, pjesë e Harvard Art Museums, dhe shënon një moment të veçantë për letërsinë shqipe në një nga universitetet më prestigjioze në botë.

    Kjo ngjarje përfaqëson një tjetër hap drejt prezantimit të letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike globale.

  • Koncerti “Tre tenorët spanjollë” bashkon zërat ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë

    Koncerti “Tre tenorët spanjollë” bashkon zërat ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë

    Skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, sonte do të mirëpresë koncertin gala “Tre tenorët spanjollë”, një ngjarje që sjell në kryeqytet tre zëra të njohur të muzikës operistike ndërkombëtare.

    Nën dirigjimin e maestro Leonardo Quadrini, tenorët Ignacio Encinas, Oscar Encinas dhe Albert Deprius do të interpretojnë pjesë të përzgjedhura nga repertori klasik dhe operistik.

    Në këtë mbrëmje të veçantë, skena pasurohet edhe me praninë e artistëve shqiptarë si, Ramona Tullumani, Denis Skura dhe Ekland Hasa, duke krijuar një dialog të fuqishëm artistik mes dy kulturave.

    Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura.

    “Tre tenorët spanjollë”, sjellë në një skenë të vetme artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë në një festë të vërtetë të muzikës klasike.

  • Festivali i Fotografisë në Lezhë, 32 artistë nga të gjitha trevat shqiptare eksploruan dhe fotografuan atraksionet

    Festivali i Fotografisë në Lezhë, 32 artistë nga të gjitha trevat shqiptare eksploruan dhe fotografuan atraksionet

    Në Lezhë u mbajt Festivali Mbarëkombëtar i Fotografisë, një aktivitet që për dy ditë me radhë mblodhi 32 artistë nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

    Fotografët eksploruan dhe dokumentuan përmes objektivit pasuritë natyrore, atraksionet turistike dhe kulturën e zonës.

    “Jam përpjekur të sjell perëndimin e diellit, i cili ndërthuret me disa lloj degësh të një peme”, u shpreh Sali Jonuzi, fotograf.

    “Mendoj që Shqipëria është shumë frymëzuese dhe ne të Maqedonisë fotografojmë shumë që ta promovojmë sa më shumë”, tha Ruzhdi Ibrahimi, fotograf.

    Punimet e tyre u ekspozuan në shëtitoren e Shëngjinit, ku tërhoqën vëmendjen e shumë vizitorëve vendas dhe të huaj.

    Sipas Drejtorit të Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani, aktivitete të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në promovimin e zonës dhe rritjen e interesit të vizitorëve.

    “U fotografuan kryesisht zonat më të bukura të Lezhës si Laguna e Kune Vain, plazhet, Rana e Hedhun”, u shpreh Renaldo Xhani, Drejtor i Turizmit, Bashkia Lezhë.

    Me ekspozitën e fotografive shëtitorja “Ëilson”, u kthye në një hapësirë arti të hapur për publikun. /rtsh.al

  • Këngëtari 2 Namit flet për hitin “Oj Hanë”, habit me deklaratën: “Komunikoj me Hënën”

    Këngëtari 2 Namit flet për hitin “Oj Hanë”, habit me deklaratën: “Komunikoj me Hënën”

    Këngëtari 2 Namit në emisionin “LIBERO” ka folur rreth këngës së tij të suksesshme “Oj hanë”, duke zbuluar frymëzimin e thellë emocional që fshihet pas saj.

    Ai tregoi se që në momentin e krijimit, e kishte ndjerë se kënga do të bëhej virale. “E kam pasë ndjesinë se ka me shku viral kjo këngë prej momentit që e kam punu, e kam ditë…”, u shpreh 2 Namit.

    Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është mënyra unike se si ai përballet me emocionet dhe zhgënjimet në dashuri.

    “…E kam vendos mos me fol me askënd, po me i fol hënës,” thotë 2 Namit. Ai beson se hëna ruan sekretet dhe madje mund të përcjellë ndjenjat e tij te personi i munguar: “…Hëna do t’i ruaj sekretet dhe ndoshta do ia përcjell asaj kontaktin, sepse ne nuk kemi kontakt dhe Hëna e përçon mungesën…”, theksoi ai.

  • Teuta e Ulqinit sjellë “Buongiornon” në Prishtinë e Shtime

    Teuta e Ulqinit sjellë “Buongiornon” në Prishtinë e Shtime

    Teatri “Teuta” nga Ulqini do ta sjellë komedinë “Buongiorno” në Prishtinë dhe Shtime.

    Një shfaqje plot ritëm, humor dhe kthesa të papritura, ku situatat komike ndërthuren me momente që prekin tema të perditshmërisë sonë, sinqeritetin dhe marrëdhëniet mes miqve.

    Shfaqja vjen në Prishtinë në 23 prill në orën 20:00, kurse në Shtime më 24 pril, në të njëjtën orë.