ATV

Author: ATV

  • Rubin: Demaçi tha “o pavarësi, o të vdesim të gjithë”

    Rubin: Demaçi tha “o pavarësi, o të vdesim të gjithë”

    Për veprimtarin politik Adem Demaçi, James Rubin tha se pati një telefonatë të ashpër me Madeleine Albright, ku kishte thënë se ose do bëhej pavarësia ose do të vdisnin të gjithë.

    Përpara kësaj, Rubin ka thënë se pas Rambujesë me Madeleine Albright e kishin thirrur Adem Demaçin se mendonin që kishte influencë mbi Thaçin dhe jo anasjelltas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument i cili tregohej se ishte i Albrightit lidhur me bisedat që ajo i ka pasur me Adem Demaçin, ndaj të cilit ishte kërkuar që ’a mbështeste Thaçin.

    “Ai (Demaçi) tha se nuk më intereson se sa njerëz vdesin. Ka qenë biseda më e egër që kam dëgjuar ndonjëherë“, e kishte përshkruar Albright bisedën me Adem Demaçin.

    Dëshmitari tha se ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur kjo bisedë telefonike.

    “Më kujtohet shumë mirë por na u duk se ishte një person që kishte autoritet jo fizik apo vertikal, por ideologjik. Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për një person si Adem Demaçi që ta shtynim pak çështjen e pavarësisë. Ai nuk ka thënë që nuk duam pavarësi, por jo tani në këto momente dhe ai donte të tregonte se çështjen e pavarësisë mund ta diskojmë pak më vonë. Demaçi thoshte o pavarësi o le të vdesim”, tha Rubin.

    Rubin tha se sipas tij, kjo ishte shenjë që Thaçi kishte nevojë për Demaçin.

    “Sipas meje kjo ishte një shenjë që Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj, zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, tha ai.

    James Rubin tha se kjo fjalë ‘o pavarësi, o do të vdesim të gjithë”, iu u duk e egër.

    “…dhe u përmend fjala ‘i etur për gjak”./ATVLIVE/

  • Me rrymë, dru apo klimë – Cila është mënyra më e lirë për ngrohje këtë dimër?

    Me rrymë, dru apo klimë – Cila është mënyra më e lirë për ngrohje këtë dimër?

    Çmimi i energjisë elektrike është rrit, dimri po ofrohet.

    Jeta për shumë kon është ba e pa përballushme.

    E dilema e secilit prej nesh është nëse duhet mu ngroh me rrymë, dru a klimë, që me mujt mos me na mërdhi të ftohtit, e që besa as xhepi.

    Hajde, t’i hymë me thellë kësaj matematike, e ta nxjerrim një përfundim, bazuar edhe në disa fakte.

    Disa e ndezin klimën e re dhe thonë ‘ma mirë pa tym e pa lodhje’, disa tjerë nuk e tradhtojnë kurrë traditën e druve ‘ngrohje natyrale dhe aroma e dimrit’, ndërsa ka nga ata që mbështeten tek rryma dhe ngrohin shtëpinë me sistemet që kanë.

    Shumë njerëz mendojnë që drutë janë më të lira, por nuk e kanë llogaritur mirë koston.

    Po e vërteta?

    Nëse shtëpia  është e izoluar mirë, klima shpenzon shumë më pak se rryma.

    Drutë janë më të lira vetëm nëse i blen verës ose i pret vetë, se në dimër çmimi të djeg shumë me shume ndërsa ngrohja elektrike del më e shtrenjtë nga të gjitha.

    Por çfarë thonë faktet?

    Një klimë moderne, për një hapësirë të izoluar mirë, konsumon rreth 700–1 200 W në orë. Nëse e përdor në mënyrë të mençur, në fund të sezonit mund të paguash deri në 30% më pak se sa me sistemet klasike elektrike.

    Drutë janë të lira vetëm kur i blen verës ose i siguron vetë. Në dimër çmimi shpesh rritet, dhe mund të  kushtojë sa gjysma e një klime të re për gjithë sezonin. Plus, duhen transportuar, prerë, punë më shumë, por për shumë njerëz është pjesë e traditës.

    Ndërsa ngrohja me rrymë është më e shtrenjtë sepse shpenzon më shumë energji për të njëjtën nxehtësi.

    Pra, nuk ka një përgjigje të vetme.

    Dimri është garë mes faturës dhe komoditetit, e zgjedhja është e jotja.

    Ti çfarë përdor për t’u ngrohur? I presim komentet tuaja..

     

  • “Lojëra për të na dëmtuar”: Avokati i Thaçit alarmon se Prokuroria i ‘fshehu’ disa prova të rëndësishme për dëshmitarët e parë

    “Lojëra për të na dëmtuar”: Avokati i Thaçit alarmon se Prokuroria i ‘fshehu’ disa prova të rëndësishme për dëshmitarët e parë

    Akuza për taktizime, tentim-pengimi të mbrojtjes e lojëra në procesin gjyqësor, ka adresuar avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, në drejtim të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

    Në një parashtresë urgjente të publikuar së fundmi në faqen e Gjykatës Speciale e cila mban datën 13 shtator, Misetiq ka bërë të ditur se Prokuroria e Hagës, ka mbajtur të fshehta dokumentacione të cilat me parimet bazë në drejtësi, e ka pasur obligim t’ia dorëzojë mbrojtjes së Thaçit.

    Fjala është për dëshmitarët e parë të Thaçit, James Rubin dhe të tjerë, ku Prokuroria e Hagës, nuk ka dorëzuar disa dokumentacione me rëndësi për mbrojtjen, raporton gazeta Nacionale.

    “Vendimet taktike të miratuara nga ZPS-ja në prag të çështjes së Mbrojtjes kanë pasoja. Pajtueshmëria me kuadrin e zbulimit të Dhomës së Specializuar është një aspekt integral i një gjykimi të drejtë. Shkeljet kanë shkaktuar dëm në përgatitjen e Mbrojtjes. Mbrojtja nuk duhet të detyrohet të ridrejtojë burimet drejt rigjykimit të shkeljeve të zbulimit të ZPS-së në këtë fazë të vonë të gjykimit. Lojërat e vazhdueshme të ZPS-së padyshim që do të nxisin kërkesat e Mbrojtjes për shtyrjen e procedurave dhe përjashtimin e provave, dhe do të rrezikojnë paraqitjen në kohë të çështjes së Mbrojtjes. Rregulli 110 autorizon një Trup Gjykues të marrë masa pas mosrespektimit të detyrimeve të zbulimit nga një palë. Si i tillë, Mbrojtja bën kërkesën e tanishme për urdhrat e përcaktuar më poshtë në mënyrë që të sigurohet që kjo të mos ndodhë përsëri”, thuhet në kërkesën e avokatit Misetiq, raporton Nacionale.

    Por, cila është historia e këtij zhvillimi?

    Prokuroria e Specializuar e Hagës, me Rregulloren për Procedura dhe Prova, e ka obligim t’ia paraqesë mbrojtjes të gjithë dokumentet relevante për dëshmitarët. Për këtë, mbrojtja e Thaçit në korrik kishte dorëzuar listën me 21 emra për dëshmitarë, duke kërkuar që Prokuroria t’ia ofrojë të gjitha informacionet që ka për këta persona, që synonte t’i ftonte mbrojtja e Thaçit.

    Mes 4 korrikut e 11 shtatorit 2025, Prokuroria kishte zbuluar rreth 500 artikuj e dëshmi të përcaktuara, por një pjesë e tyre u dorëzuan krejtësisht në fund të afatit, kur avokatët e Thaçit veç kishin përfunduar me përgatitjen e dëshmitarëve të parë.

    “Më 12 shtator 2025, Mbrojtja i kërkoi ZPS-së të konfirmonte se të gjitha materialet e zbuluara në përputhje me Rregullën 102(3) që lidhen me 1DW-001 dhe 1DW-003 kishin ardhur në posedim të ZPS-së vetëm që nga 1 shtatori 2025, duke kërkuar që “nëse ndonjë nga materialet ishte në posedim tuaj më herët se ajo datë, ne kërkojmë që ju të zbuloni (1) cilat, nëse ka, nga materialet ishin në posedim tuaj para 4 korrikut 2025; dhe (2) nëse ka ndonjë material që ka ardhur në posedim tuaj midis 4 korrikut 2025 dhe 1 shtatorit 2025”, thuhet në parashtresë.

    Pra, Prokuroria e Hagës kishte pasur këto dokumente qysh më herët, dhe nu kia kishte dorëzuar mbrojtjes së Thaçit.

    “Përgjigja e ZPS-së zbuloi se ka shkelur detyrimin e saj sipas Rregullës 102(3) për të zbuluar dokumente relevante materiale “pa vonesë”. ZPS-ja fillimisht këmbënguli se 34 nga 36 artikujt që lidheshin me 1DW-001 dhe 1DW-003 ishin “të disponueshme publikisht” dhe dy “riprodhonin informacion të disponueshëm publikisht”. ZPS-ja më pas konfirmoi se 24 nga artikujt e disponueshëm publikisht ishin marrë që nga 1 shtatori 2025, dhe 10 të tjerët ishin marrë midis 19 dhe 26 gushtit 2025. Dy artikujt që riprodhojnë informacion të disponueshëm publikisht janë ekstrakte të raporteve nga artikuj të tjerë që ishin në posedim të ZPS-së para 4 korrikut 2025, por ekstraktet përkatëse u regjistruan më pas më 26 gusht 2025”, thuhet më tutje.

    Mbrojtja e Thaçit ka alarmuar se kjo ka qenë taktikë e Prokurorisë që të fitojë avantazh në gjykim.

    “ZPS-ja mbajti zbulimin me qëllim fitimin e një avantazhi në gjyq. Për shembull, ZPS-ja e pyeti gjerësisht 1DW-001 në lidhje me angazhimet e tij me Kosovën dhe përfaqësuesit e qeverisë kosovare që nga viti 1999. 12 Këto lidhje dhe puna e 1DW-001 përshkruhen në disa nga dokumentet e zbuluara në Paketën e Zbulimit 1773, duke përfshirë SPOE00393245-00393267, SPOE40010609-40010632, SPOE40010633-40010643, SPOE40010668-40010708, SPOE40010718-40010719. Të gjitha këto, përveç njërit, ishin në posedim të ZPS-së më 19 gusht 2025; Tjetra u mor më 26 gusht 2025. Të gjitha u përdorën si bazë për pyetjen 1DW-001 më 2 shtator 2025. Asnjëra nuk u zbulua deri më 11 shtator 2025”, thuhet në këtë ankesë.

    “Nuk mund të ketë bazë që ZPS-ja të arrijë në përfundimin se këto materiale ishin të rëndësishme për marrjen në pyetje të 1DW-001 dhe i nënshtroheshin detyrimeve të saj sipas Rregullës 102(3), megjithatë i mbajti ato të fshehura nga Mbrojtja për disa javë derisa i zbuloi përfundimisht vetëm disa ditë para dëshmisë së 1DW-001 dhe vetëm pasi Mbrojtja zbuloi urdhrin e saj të dëshmitarëve për javën e parë të çështjes së Mbrojtjes. Mbrojtja kishte përfunduar tashmë seancën përgatitore të 1DW-003 ditë më parë dhe tani nuk ka aftësi praktike për t’i përdorur ato”, përfundon ankesa.

    Pra, fjala është për prova të rëndësishme lidhur me dëshmitarin James Rubin.

  • Pse burrat nuk i gjejnë kurrë gjërat?

    Pse burrat nuk i gjejnë kurrë gjërat?

    Nuk është çështje dembelie, por natyre. Nëse meshkujt në shtëpi shpesh nuk arrijnë të gjejnë atë që kërkojnë, ndryshe nga gratë, kjo ndodh sepse dy gjinitë kanë një “shikim periferik” të ndryshëm.

    Ky shikim u lejon të dallojnë forma, ngjyra dhe lëvizje të objekteve që nuk janë drejtpërdrejt përpara syve. Gratë janë në gjendje të shohin me mjaft saktësi deri në 45° nga qendra e fushës së tyre pamore (ndërkohë që tek burrat aty shfaqet mjegullim), dhe në disa raste të rralla ato zhvillojnë një shikim periferik që shkon deri pranë 180°.

    Origjina e këtij dallimi mund të gjendet tek zakonet shoqërore prehistorike. Gratë, të cilat merreshin kryesisht me mbledhjen e frutave, barishteve dhe rrënjëve, kanë zhvilluar një aftësi pamore më të gjerë; ndërsa burrat, të ngarkuar me gjuetinë, mësuan të fokusonin prenë drejt përpara dhe të përqendronin vëmendjen tek një objekt i vetëm, edhe nëse ndodhej në distanca të mëdha.

    Kështu që herën tjetër kur nuk gjejnë as shoqen tjetër the çorapes, mos i bëni me faj.

  • Presidentja Osmani takohet sot me Kryediplomaten e Finlandës

    Presidentja Osmani takohet sot me Kryediplomaten e Finlandës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta presë sot në takim Ministren e Jashtme të Finlandës, njëkohësisht kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen.

    “Në orën 09:20, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen”, thuhet në njoftim.

  • Vazhdon edhe sot dëshmia e James Rubin në Speciale

    Vazhdon edhe sot dëshmia e James Rubin në Speciale

    James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

    Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.

    Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

    “Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

    “Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

    Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

    Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.

    Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.

    Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.

    Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin.

    Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.

    Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.

    Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.

    Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike.

    Reagimet politike në Kosovë kanë qenë të shumta.

    PDK dhe OVL-UÇK e përshëndetën dëshminë si mbështetje të qartë për drejtësinë e luftës çlirimtare.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.

    Deputetja Vlora Çitaku e quajti Thaçin figurë të papërsëritshme që afroi UÇK-në me Perëndimin.

    Analisti Agon Maliqi e quajti dëshminë e Rubin një dokument të rëndësishëm historik që çmonton narrativat propagandistike dhe tregon realitetin e kaotik të luftës, derisa Lulzim Peci e cilësoi si ligjëratë publike për historinë moderne të Kosovës.

    Nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti falënderoi SHBA-në dhe botën demokratike për përkrahjen ndaj luftës së UÇK-së.

    Ndërkohë, Alban Krasniqi nga LVV theksoi se dëshmia e Rubinit nxori në pah se udhëheqës ushtarak i UÇK-së ishte Agim Çeku, jo Hashim Thaçi.

  • Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

    Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

    Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq.
    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se ka ndihmuar me informacione Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

    “J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Gjukanoviq ngarkohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.

  • Sot ditë me diell, temperaturat deri në 29°C

    Sot ditë me diell, temperaturat deri në 29°C

    Moti për ditën e sotme pritet të jetë me diell dhe vranësira të pjesshme.

    Instituti Hidrometerologjik ka bërë të ditur temperaturat minimale për këtë të marte shënojnë 6-9 gradë celsius, raporton Klankosova.tv

    Njëherësh temperaturat maksimale arrijnë deri në 24-29 gradë celsius.

  • Paralajmëron Gjermania: Veprimet e Kosovës bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian

    Paralajmëron Gjermania: Veprimet e Kosovës bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian

    Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Reiffenstuel, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës ndaj institucioneve shëndetësore të menaxhuara nga Serbia.

    Përmes një postimi në platformën “X”, Reiffenstuel ka kërkuar me urgjencë që Kosova të përmbahet nga këto veprime, duke paralajmëruar se ato ndikojnë negativisht mbi vetë qytetarët e Kosovës dhe bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian.

    “Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës, shkojnë kundër obligimeve dhe zotimeve të saj ndaj BE-së dhe krijojnë tensione në marrëdhëniet tona bilaterale”, shkroi Reiffenstuel.

    Ndryshe, objekti ku funksiononte Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Fondi për Sigurim Invalidor e Pensional sipas sistemit të Serbisë, është mbyllur më 12.09.2025 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

  • Aksident i rëndë në Podujevë, një i vdekur dhe katër të lënduar

    Aksident i rëndë në Podujevë, një i vdekur dhe katër të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Podujevë, si pasojë e të cilit ka vdekur një person dhe katër të tjerë janë lënduar.

    Lajmin për media e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, e cila bëri të ditur se në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, ndërkaq më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara.

    “Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Skënderbeu’ në Podujevë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara”, tha Ahmeti.

    “Në këtë aksident ngasësi i kamionit ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, thuhet tutje në konfirmim.