Për të fshati është më shumë se peizazh, është kujdes i përditshëm.
Ani pse me profesion nutriciste dhe farmaciste, Pranvera Osmani, çdo ditë ushqen tokën e vendlindjes së saj me fidanë.
Në mes të Keçekollës, ajo ka ngritur një serrë, në të cilën ka kultivuar domate.
Për Pranverën, puna në serrë është një përvojë që ushqen njëkohësisht shpirtin dhe trupin.
Ajo ndan këshilla të vlefshme mbi konsumimin e ushqimeve të freskëta, vlerën që ka fshati dhe punët bujqësore, duke treguar se, pavarësisht sfidave, kjo punë sjell fitime, por edhe kënaqësi.
Për më shumë detaje, klikoni në linkun më poshtë:
Author: ATV
-

Pranvera Osmani, në shërbim të tokës dhe shëndetit
-

KFOR-i së bashku me FSK-në e Policinë inspekton materiale të rrezikshme në Lipjan
Ushtarët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje dhe Perëndim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë zhvilluar një inspektim tremujor të materialeve toksike industriale në ish-fabrikën “GC Metals” në Lipjan.
Ky inspektim, siç thuhet, synon monitorimin e objekteve të braktisura industriale dhe ndihmon autoritetet lokale në reduktimin e rreziqeve kimike dhe radiologjike.
“Këto aktivitete nënvizojnë përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në rajon”, thuhet në njoftimin KFOR-it në Facebook.
Në të njëjtën kohë, KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme. Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili brenda rolit të vet si reagues të sigurisë.
-

Kurti mirëpriti Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley, të cilin e uroi për emërimin dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë.
Kryeministri vlerësoi lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT) si partner të besueshëm në forcimin e qeverisjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai e falënderoi për mbështetjen afatgjate të dhënë për Kosovën.
Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social. U ritheksua gatishmëria e qeverisë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të: zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë.
Në fund, kryeministri Kurti shprehu bindjen se udhëheqja e z. O’Malley do ta avancojë partneritetin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026–2030, duke u bazuar në parimet e përbashkëta të gjithëpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.
-

PRIFEST mbyll suksesshëm edicionin e 17-të në Prishtinë
Prishtina për gjashtë ditë me radhë u shndërrua në kryeqytetin e filmit, duke pritur aktorë, producentë dhe artdashës nga mbarë bota.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest, në edicionin e tij të 17-të, solli filma të gjatë e të shkurtër, konferenca, takime dhe një atmosferë festive që e mbushi qytetin me energji ditë e natë.
Java kulmoi të dielën mbrëma me shfaqjen e filmit “Man of the House” të regjisorit shqiptar Andamion Murataj dhe me ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve.Fituesit e edicionit ishin:
● Çmimi kryesor “Vjosa Berisha” – Cycle i regjisorit Erkan Taguzollu.
● Çmimi për regjisorin më të mirë – Dino Mustafiq.
● Çmimi për filmin më të mirë të mesëm – Tëo Strangers.
● Çmimi për filmin më të shkurtër – Three Keenings.
● Çmimi për aktorin më të mirë – Stojan Dojcev.
● Çmimi për aktoren më të mirë – Arta DobroshiMe këtë mbrëmje, PriFest 2025 përmbylli edicionin e tij të 17-të, duke lënë pas një përvojë të paharrueshme për publikun vendas e ndërkombëtar.
Ndryshe, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, që mbledh kineastë, producentë, aktorë dhe dashamirë të filmit nga e gjithë bota.Vlen të theksohet se ATV edhe këtë vit ishte sponsor medial.
-

“E pashë me sytë e mi”, Rubin i qartë në Hagë: Thaçi s’kishte kompetenca për vendime brenda UÇK-së
James Rubin po vazhdon dëshminë në Hagë, derisa u deklarua për rolin e Hashim Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, Thaçi nuk mund të ndërmerrte vendime për UÇK-në, por sipas tij, ai merrte urdhër nga komandantët e tjerë, transmeton Klankosova.tv.
“Ndonjëherë Hashim Thaçi na jepte pikëpamjet e fundit të tyre, ne i shikonim, dhe binim dakord në diçka, në diçka. Por ishte e ditur për mua që ai nuk e kishte kompetenca për të marrë vendime brenda UÇK-së, ato ishin çështje të personave të tjerë. Ai ishte fytyra e UÇK-së. Me fjalë të tjera ishte përfaqësia e UÇK-së”, u shpreh Rubin.
“Unë jam takuar me komandantët, dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin, ata i thanë atij çfarë të bënte, pra nuk i thoshte Hashimi çfarë të bënin por komandantët i thoshin Hashimit se çfarë të bënte”, tha tutje ai.
-

“Në Kosovë dërgohesha në male”, Rubin flet për takimet me Thaçin dhe komandantët e UÇK-së
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka treguar për sa kohë ka qëndruar në Kosovë dhe ku i zhvillonte takimet me Hashim Thaçin.
Para trupit gjykues, ai tha se ishte Madeleine Albright ajo që i kërkoi të ndalonte së bëri çdo gjë dhe të nisej për në Kosovë.
“Unë isha zëdhënësi i Zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, që ta ndihmosh Mike Jackson që të realizojë betimet e veta”.
Më tej, Rubin tregoi se qëndronte në një hotel në Shkup, ndërsa dërgohej për takime në malet e Kosovës.
“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase 3 ose 4 ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, por në një hotel në Shkup, në Maqedoni, dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së, pra çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty”, deklaroi ai para trupit gjykes në Gjykatën Speciale ku po dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit.
-

Gjermania e emëron një turk si shef të inteligjencës së brendshme të vendit
Gjermania i ka besuar një turku një nga pozitat më të rëndësishme të sigurisë në vend. Sinan Selen do të emërohet sot si shef i agjensisë së inteligjencës të brendshme të vendit.
Kjo do të jetë hera e parë që një emigrant do të jetë drejtues i një institucioni gjerman të sigurisë.
Selen, 53 vjeç, aktualisht duke shërbyer si zëvendëspresident i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) që nga janari 2019, do të marrë përsipër agjencinë me 4,200 punonjës.
-

James Rubin fillon dëshminë pro-Thaçit në Gjykatën Speciale
James Rubin, njëri nga njerëzit më të afërt të Madeline Albright e Bill Klinton, ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ai është betuar se do ta thotë të vërtetën.
Rubin pritet të dëshmojë për raportet e tij me Hashim Thaçin, angazhimin, UÇK-në dhe përvojën e tij në Kosovë.
James Rubin, ish-diplomat dhe ish-asistent i sekretarit për Punë Publike në administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ka paralajmëruar vetë do të japë dëshmi në Gjykatën Speciale.
Ai do të jetë dëshmitar i mbrojtës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një podcast me gazetaren e njohur, Christiane Amanour, ai tregoi se në dëshminë e tij ka për të thënë shumë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright-in dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme.”, ka deklaruar ai.
Në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Procesi ndaj tyre pritet të marrë epilog në fillim të vitit të ardhshëm, më shumë se pesë vjet nga fillimi i tij.
James Rubin, ish-diplomat dhe ish-asistent i sekretarit për Punë Publike në administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ka paralajmëruar se javën tjetër do të japë dëshmi në Gjykatën Speciale.
Ai do të jetë dëshmitar i mbrojtës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një podcast me gazetaren e njohur, Christiane Amanour, ai tregoi se në dëshminë e tij ka për të thënë shumë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright-in dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme.”, ka deklaruar ai.
Në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Procesi ndaj tyre pritet të marrë epilog në fillim të vitit të ardhshëm, më shumë se pesë vjet nga fillimi i tij.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, ish-kryezëdhënësi i Departamentit të Shtetit, ishte dora e djathtë e ish-sekretares amerikane, Madeline Albright.
Rubin kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta dhe të afërta me Hashim Thaçin në konferencën e Rambujesë, ngjarje e cila do të shënonte fillimin e fundit të Serbisë në Kosovë.
Ambasadori Christoper Hill në shkrimet e tij, përshkruante një afërsi tejet të madhe mes Rubin dhe Thaçit.
Madje, Hill shkruante se Rubin i tregonte Thaçit edhe cilën kravatë ta vinte.
Kohë më parë, vetë Rubin, në një intervistë për Evropën e Lirë fliste për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për UÇK-në evoluoi. Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare”, tha Rubin.
Ai tutje tha se UÇK me kalimin e kohës u bë faktor kryesor dhe ishte vendimi i guximshëm i Hashim Thaçit për ta pranuar marrëveshjen e Rambujesë ai që më pas solli procese të tjera të cilat në fund rezultuan që Kosova të jetë kjo që është sot, një vend i lirë, demokratik, me vlera perëndimore.
“Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë”, tha Rubin.
“Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite”.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë. Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe”.
Veç Rubin, pro Thaçit pritet të dëshmojnë edhe figura të tjera të njohura e diplomatë.
-

Avokati i Thaçit: Sot kuptohet se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë
Pak para se të nis procesi gjyqësor ku do të dëshmojë ish-diplomati James Rubin në Hagë, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se Thaçi është falënderues ndaj të gjithëve që po e përkrahin në këtë proces.
Prosper tha se tani është koha që të zbulohet e vërteta e Kosovës e vitit 1999.
“Presidenti falënderon të gjithë që po e përkrahin në këtë proces. Jemi entuziast për sot, që do të na jep një shans që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i ri ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë. Ne kemi qenë të suksesshëm dhe do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm”, tha para gazetarëve nga Haga.
-

Sot në Gjykatën Speciale fillon paraqitja e provave të dëshmitarit të parë të mbrojtjes
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Mbrojtja e Hashim Thaçit do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Seanca pritet të jetë kryesisht publike.
Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.
Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.
Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja. Kur u pyet lidhur me këtë provë gjatë pyetjeve nga pala kundërshtare, dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte asnjë kontekst për të, kështu që Trupi Gjykues e konstatoi jorelevante për dëshminë.
Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.
Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.
Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.
Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.
Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores.
Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 19 gusht 2025, kurse paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator 2025, me synimin që të përfundojë më 14 nëntor 2025. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.




