ATV

Author: ATV

  • Spanja urdhëron heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga Airbnb dhe Booking

    Spanja urdhëron heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga Airbnb dhe Booking

    Autoritetet spanjolle urdhëruan platformat e njohura si Airbnb dhe Booking.com të fshijnë nga lista më shumë se 53,000 apartamente turistike, pas zbulimit të parregullsive në tregun e qirave afatshkurtra.

    Qeveria tha se do t’i konvertojë këto shtëpi në qira të përhershme për të lehtësuar krizën e banesave.

    “Do të kërkojmë heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga platformat për shkak se nuk i plotësojnë rregullat, në mënyrë që ato të bëhen banesa me qira për të rinjtë dhe familjet në këtë vend,” tha Kryeministri Pedro Sánchez në Málaga.

    Sipas Sánchez, këto janë prona që kanë aplikuar për një numër regjistrimi — i detyrueshëm që nga 1 korriku — por nuk e kanë marrë atë për shkak se nuk kanë plotësuar kërkesat ligjore.

    Ka veçanërisht shumë raste në Sevilla, Marbella, Barcelona, Málaga dhe Madrid.

    Spanja është një nga vendet më të vizituara të Evropës. Mijëra njerëz kanë protestuar kundër turizmit masiv në vend muajt e fundit.

    Shumë e lidhin mbiturizmin dhe rritjen e qirave të pushimeve me mungesën e banesave të përballueshme.

  • Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Prezantohet nesër, më 18 shtator, në një seancë maratonë në Kuvend, programi qeverisës për legjislaturën e re.Programi në fjalë, që do të prezantohet nga vetë kryeministri Edi Rama, përfshin objektiva afatshkurtra dhe afatgjata në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek punësimi, rritja e pagave dhe kthimi i emigrantëve.

    Pjesë nga programi:

    • Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.
    • Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.
    • Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave.

    • Zgjerojmë modelin dual të arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.

    • Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
    • Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
    • Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
    • Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.
  • Fshati i Klinës ku të gjithë banorët kanë një gjak e mbiemër

    Fshati i Klinës ku të gjithë banorët kanë një gjak e mbiemër

    Fshati Volljak, fshati qe nuk i ngjan asnjë fshati tjetër. Një vend ku çdo rrugicë flet për një fis të vetëm: Berishët.
    Këtu çdo shtëpi, çdo rrugicë tregon histori besnikërie, guximi dhe lidhjesh që nuk thyhen. Traditat nuk janë thjesht kujtime, por pjesë e çdo dite, mikpritja nuk është fjalë, por mënyrë jetese.
    Volljaka nuk është vetëm vend është zemra e një komuniteti që e mban gjallë shpirtin shqiptar.
    Edhe ky fshat po përballet me sfidën e të rinjve që çdo ditë e më shumë largohen, duke lënë pas vetëm kujtimet dhe traditat e tij.
    Kronikën e plot të përgatitur nga ATV, mund ta klikoni në linkun më poshtë:

  • Komunikimi përmes mesazheve dhe stresi krahasuar me komunikimin sy më sy

    Komunikimi përmes mesazheve dhe stresi krahasuar me komunikimin sy më sy

    Studime të psikologjisë së komunikimit kanë treguar se komunikimi përmes mesazheve digjitale mund të rrisë nivelin e stresit gjatë një konflikti.

    Pa sinjale joverbale, si toni i zërit, shprehjet e fytyrës dhe gjuha e trupit, njerëzit kanë tendencën të interpretojnë gabimisht qëllimin e tjetrit, shpesh duke perceptuar armiqësi ose zemërim edhe kur këto nuk ekzistojnë.

    Studiuesja Dr. Kory Floyd ka kryer studime mbi efektet emocionale të komunikimit digjital, duke treguar se diskutimi përmes mesazheve kërkon një përpjekje më të madhe njohëse për të deshifruar emocionet dhe kontekstin, duke rritur ankthin, frustrimin dhe tensionin emocional.
    Eksperimentet kanë treguar se çiftet dhe kolegët që zihen përmes chat-it raportojnë më shumë parehati dhe zgjatje më të madhe të konfliktit krahasuar me ata që diskutojnë ballë për ballë.

    Ekspertët sugjerojnë prandaj që mesazhet dhe emailet të rezervohen për komunikime praktike dhe neutrale, ndërsa bisedat emocionalisht të ndjeshme duhet të zhvillohen ballë për ballë ose të paktën përmes video-thirrjes, në mënyrë që të ruhet kontakti njerëzor dhe të reduktohen keqkuptimet.

  • Dhoma më e qetë në botë – një milion dollarë për atë që arrin të mbijetojë 24 orë aty

    Dhoma më e qetë në botë – një milion dollarë për atë që arrin të mbijetojë 24 orë aty

    E njohur nga Rekordet Botërore Guinness si vendi më i qetë në Tokë ndodhet brenda Orfield Laboratories në Minnesota, një dhomë anekoike që në vitin 2021 arriti një nivel të jashtëzakonshëm prej -24.9 decibelësh.

    Muret, tavani dhe dyshemeja janë të mbuluara me panele shkume që thithin çdo gjurmë tingulli, duke krijuar një heshtje aq të plotë sa mund të dëgjosh rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, madje edhe rrjedhjen e gjakut në vena.

    Por kjo nuk është qetësia që shumica imagjinojnë. Për shumë njerëz, mungesa e çdo tingulli bëhet çorientuese, duke shtrembëruar ekuilibrin, ndjesinë e hapësirës dhe madje edhe të kohës. Duket se heshtja e vërtetë mund të jetë më e zhurmshme se vetë tingulli.

    Askush deri sot nuk ka arritur të qëndrojë më gjatë se 55 minuta.
    A do ta provoje, qoftë edhe për kuriozitet?

  • Arrestohen tre persona në Klinë – ‘vodhën malin’ dhe ‘kanosën personat zyrtarë’

    Arrestohen tre persona në Klinë – ‘vodhën malin’ dhe ‘kanosën personat zyrtarë’

    Tre persona janë arrestuar në Klinë nga policia, si të dyshuar për “vjedhje të pyllit” dhe “kanosje ndaj personave zyrtarë”.

    Siç njofton PK-ja, më 15 dhe 16 shtator, personat e dyshuar kishin sekuestruar një kamion dhe një traktor, së bashku me masën drunore, të cilat tani do të përdoren për procedurat e mëtejshme ligjore.

    “Dy nga personat e dyshuar pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.

  • Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

    Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

    Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

    Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.

    “[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.

    Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hovenier, sa serioz është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?

    Jeffrey Hovnier: Mendoj se duhet marrë seriozisht. Dialogu Strategjik është një instrument diplomatik, që Shtetet e Bashkuara e përdorin për t’i avancuar marrëdhëniet dypalëshe me vende të ndryshme. Ai përfshin diskutime në nivel të lartë mbi një agjendë të gjerë, të përcaktuar paraprakisht.

    Ne nuk kemi pasur më parë Dialog Strategjik formal me Kosovën. Por, jemi angazhuar në procese të tilla me disa vende në Evropën Juglindore: Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut.

    Në to trajtohen gjëra si: siguria, mbrojtja, siguria energjetike, tregtia, investimet, siguria kibernetike, lidhjet mes njerëzve. Ideja është që të promovohen stabiliteti dhe prosperiteti, pjesëmarrja ose integrimi më i thelluar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

    [Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë.

    Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi po përpiqet të dërgojë SHBA-ja tek udhëheqësia e Kosovës me këtë hap?

    Jeffrey Hovnier: Nëse lexoni deklaratën e SHBA-së, atë të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në kohën kur është bërë njoftimi, është e qartë se ky vendim është marrë nga autoritetet e Uashingtonit, si rezultat i perceptimit të tyre se Qeveria e kryeministrit në detyrë [Albin] Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm. Ato konsiderojnë se, pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të SHBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

    Por, vini re se kjo pikëpamje nuk duket të jetë vetëm e Shteteve të Bashkuara. Partnerët evropianë, gjithashtu, kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti.

    Nëse gjithçka do të ishte mirë, Dialogu Strategjik nuk do të pezullohej
    Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë kjo pika më e ulët në marrëdhënie që nga pavarësia?

    Jeffrey Hovenier: Është e vështirë ta them, sepse edhe më herët ka pasur sfida të tjera në këtë marrëdhënie dypalëshe. Por, kjo nuk është një situatë e këndshme. Kjo është një pengesë e keqe për realizimin e vizionit që SHBA-ja ka pasur që nga pavarësia, dhe që populli i Kosovës ka pasur po ashtu, për një bashkëpunim të përmirësuar dhe një partneritet më të fuqishëm.

    Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik – përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar.

    Kjo tregon se administrata e Trumpit u frustrua aq shumë sa ndjeu se duhej të ndërmerrte veprime, sepse deklaratat publike nuk mjaftonin për ta rikthyer marrëdhënien siç donte.

    Radio Evropa e Lirë: Pse Dialogu Strategjik është i rëndësishëm për Kosovën?

    Jeffrey Hovenier: Mendoj se është i rëndësishëm për Kosovën për shkak të mundësive që ofron. Siç e thashë më herët, temat që trajtohen në këtë dialog, janë: mbrojtja, siguria, siguria energjetike, tregtia, investimet, rritja ekonomike, siguria kibernetike dhe forcimi i lidhjeve mes njerëzve.

    Gjatë tre vjetëve të mi si ambasador në Kosovë, këto ishin gjërat që populli i Kosovës dëshironte me të vërtetë t’i shihte – gjithnjë e më shumë.

    Dialogu Strategjik mundëson një bashkëpunim më të madh dhe më të thelluar. Funksionon kështu: delegacionet shkojnë në Uashington, ose delegacionet vijnë në Prishtinë; Qeveria e SHBA-së sjell njerëz nga Departamenti i Energjisë, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Tregtisë… Në njëfarë mënyre, e gjithë Qeveria punon për të forcuar marrëdhënien. Ndaj, humbja e kësaj mundësie është një humbje e madhe.

    Pika që e mbushi kupën
    Radio Evropa e Lirë: Disa argumentojnë se ky është rezultat i frustrimit të grumbulluar ndaj Qeverisë së Kurtit. Jo shumë kohë më parë, kur keni qenë edhe ju në shërbim, kemi parë situata të ngjashme, siç e thatë më parë. Cila mendoni se është arsyeja për këtë vendim tani?

    Jeffrey Hovenier: Qartazi, nuk flas në emër të administratës Trump, ndaj është e vështirë t’i shpjegoj saktësisht motivet dhe vendimet e saj.

    Do t’ju jap vlerësimin tim, i cili mund të jetë i gabuar. Nuk besoj se kishte një akt të vetëm që çoi në këtë vendim. Mendoj, gjithashtu, se ishte një grumbullim i frustrimeve, ose, për të përdorur një shprehje amerikane, ishte pika që e mbushi kupën.

    Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim – ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime – ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja.

    Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime.

    Mendoj se kjo, ndoshta, ishte shkaku kryesor. Por, nuk ishte vetëm reagim ndaj kësaj. Ishte reagim pas një serie përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë në këtë administratë, përfshirë një vizitë së fundmi të zyrtarit të lartë të Zyrës për Çështjet Evropiane, Brendan Hanrahan, në Prishtinë, ku ai u takua me presidenten [Vjosa] Osmani dhe kryeministrin [në detyrë] Kurti, për të diskutuar se si të përmirësohet marrëdhënia.

    Nuk isha aty, por mendoj se diskutimi lidhej me bashkëpunimin më të ngushtë me SHBA-në, për mënyrën se si Kosova do të trajtonte çështjet komplekse të mbështetjes për komunitetin serb dhe komunitetet tjera joshumicë.

    Qeveria amerikane ka përshtypjen se Qeveria e kryeministrit në detyrë, Kurti, nuk po e dëgjon.

    Radio Evropa e Lirë: Përveç pezullimit të këtij dialogu, çfarë masash të tjera mund të marrë SHBA-ja për të shtuar presionin mbi Kurtin?

    Jeffrey Hovenier: Nuk e di përgjigjen për këtë. Sfida me të cilën përballet Qeveria amerikane, ashtu siç përballej edhe gjatë kohës sime, është se ka disa prioritete që shpesh bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, ndërsa një prioritet kryesor mbetet shumë i rëndësishëm.

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan e mbështesin Kosovën. Ne e mbështesim rrugëtimin e saj si një shtet evropian dhe euro-atlantik, si një demokraci shumetnike, si një burim stabiliteti dhe sigurie në Evropën Juglindore, dhe jemi të përkushtuar të mbështesim popullin e Kosovës. Këtë e shihni në shumë mënyra: programet, aktivitetet, angazhimet, njerëzit…

    Nëse shkoni në pothuajse çdo universitet në Kosovë, do të gjeni se amerikanët kanë ndihmuar në themelimin e tyre, kanë ndihmuar me programin e tyre mësimor, ose janë ende të pranishëm… Pra, Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të ngushtë – nëse jo partneri më i afërt – që ka Kosova.

    Ne e dimë tmerrin e spastrimit etnik të viteve 1990 dhe jemi krenarë që e ndihmuam popullin e Kosovës të krijojë dhe të konsolidojë shtetin e tij.

    Administrata e [ish-presidentit amerikan, Joe] Biden dhe tani administrata e Trumpit kanë shqetësime të vërteta për disa veprime dhe vendime politike të Qeverisë së kryeministrit Kurti. Është kaq e thjeshtë.

    Kjo administratë ka arritur në të njëjtin përfundim si edhe administrata e mëparshme: mënyra më e mirë për të trajtuar çështjen delikate të mbështetjes së integrimit të mëtejshëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj, është duke respektuar të drejtat dhe statusin e komuniteteve joshumicë, sidomos komunitetit serb, duke respektuar dispozitat kushtetuese, në mënyrë që ai komunitet të mund të jetojë në kushte dinjiteti dhe sigurie.

    Siguria e Kosovës mbetet prioritet i SHBA-së
    Radio Evropa e Lirë: A ka mundësi që administrata aktuale e SHBA-së të vendosë kushte për bashkëpunim më të gjerë – për shembull në fushën e sigurisë ose ndihmës – nëse ndjen se po injorohet?

    Jeffrey Hovenier: Nuk e di përgjigjen. Mund të them vetëm se është prioritet amerikan që Kosova të jetë e sigurt. Jemi krenarë që po ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës të bëhet një forcë shumetnike, e aftë të punojë me NATO-n, dhe me misionin e mbrojtjes territoriale. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë dhe stabilitetit.

    Por, do të thosha se kjo administratë – pjesë e së cilës nuk jam – ka qenë më e gatshme për të ndërmarrë veprime që administratat e tjera nuk i kanë marrë. Prandaj, çdo qeveri e Kosovës duhet të sigurohet që të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në.

    Kam vënë re se presidentja [Vjosa] Osmani vazhdon të flasë shpesh për nevojën e koordinimit me Shtetet e Bashkuara… dhe – edhe kur nuk biem dakord si miq dhe partnerë – të ulemi së bashku dhe të gjejmë mënyra të përbashkëta për të ecur përpara. Kjo është shumë e rëndësishme.

    Radio Evropa e Lirë: Por, disa ndiejnë se vëmendja e SHBA-së tani nuk është aq shumë në Ballkan…

    Jeffrey Hovenier: Mendoj se kjo është e vërtetë. SHBA-ja është një fuqi globale dhe mund t’i ndjekë zhvillimet dhe t’i mbrojë interesat e saj në të gjithë botën. Por, është e vërtetë se më parë, në vitet ’90 dhe fillim të viteve 2000, çështja e Kosovës merrte vëmendje të drejtpërdrejtë nga presidenti, sekretari i Shtetit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe sekretari i Mbrojtjes. Tani nuk është më kështu, dhe kjo është diçka pozitive. Do të thotë se është bërë më e rregullt, më normale.

    Ka ndoshta më shumë njerëz që merren me Kosovën dhe shqetësohen për çështjen e Kosovës sesa për, le të themi, Zvicrën ose Austrinë. Por, nga ana tjetër, ka shumë më tepër njerëz që u kushtojnë kohë shqetësimeve dhe hartimit të politikave amerikane për çështje si Izraeli-Palestina ose Ukraina.

    Ambasadat tona kanë njerëz të mirë dhe Qeveria amerikane ka ekspertë që i kushtojnë vëmendje Kosovës. Kosova mbetet një interes i SHBA-së. Jemi krenarë për ndihmën që i kemi dhënë popullit të Kosovës për të konsoliduar dhe krijuar shtetin e tij, dhe duam ta shohim Kosovën të suksesshme.

    Suksesi ndërkombëtar i Kosovës varet nga partneriteti me SHBA-në
    Radio Evropa e Lirë: Në një situatë hipotetike, si do të dukej Kosova me më pak ndikim amerikan në praktikë? A mund të navigojë Kosova pa mbështetje të fortë amerikane?

    Jeffrey Hovenier: Ky është një vendim që i takon vetëm popullit të Kosovës, jo SHBA-së. SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë miqësi dhe partneritet, por vendimin e fundit duhet ta marrë Kosova.

    Nëse do të isha udhëheqës politik i Kosovës – që nuk jam – do të isha shumë i kujdesshëm për të mos bërë asgjë që do të dëmtonte ose do të ndikonte negativisht në marrëdhënien time me Shtetet e Bashkuara. Pothuajse të gjitha sukseset që ka arritur Kosova në arenën ndërkombëtare, kanë përfshirë mbështetjen aktive nga Shtetet e Bashkuara.

    Radio Evropa e Lirë: Atëherë, nëse ky pezullim i Dialogut Strategjik vazhdon, me çfarë rreziku përballet Kosova, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet në rritje të Serbisë me Rusinë dhe Kinën?

    Jeffrey Hovenier: Siç thashë, Dialogu Strategjik është vetëm një nga shumë mjetet. [Pezullimi i tij] përfaqëson thjesht një mundësi të humbur. Nuk përfaqëson më shumë se kaq, por është një humbje reale e mundësisë.

    Disa vende në rajon kanë Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara, disa nuk kanë, por mendoj se partneriteti dhe bashkëpunimi do të forcoheshin përmes Dialogut Strategjik. Pra, efekti për Kosovën është humbja e mundësive dhe bashkëpunimit. Vendet që punojnë më ngushtë me SHBA-në, kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga bashkëpunimi më i madh.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi dërgon ky vendim te partnerët e BE-së dhe NATO-s për prioritetet e SHBA-së në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë?

    Jeffrey Hovenier: Nuk mendoj se do të përfundojnë duke thënë se Kosova nuk është prioritet. Por, do të kuptojnë se SHBA-ja po tregon shqetësim më të madh për mungesën e bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit që dëshiron nga Kosova.

    Shumë prej tyre ndajnë këtë pikëpamje. Shumë prej tyre, gjithashtu, kanë ndërmarrë veprime në mënyra të ndryshme. Gjatë kohës sime në Kosovë, flisnim për sanksionet e BE-së, që gjithashtu sinjalizonin shqetësim.

    SHBA-ja mbetet partnere e popullit të Kosovës
    Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh rolin e Amerikës në ndërtimin e shtetit të Kosovës, çfarë do t’u thoshit kosovarëve të zakonshëm që mund të ndihen të shqetësuar për këtë vendim?

    Jeffrey Hovenier: Do t’u thosha këtë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të braktisin partneritetin me popullin e Kosovës. Por ,ne bëjmë dallimin midis përkushtimit tonë ndaj Kosovës – shtetit, popullit dhe institucioneve – dhe çdo qeverie të veçantë. Dhe, është e qartë se administrata e Trumpit ka shqetësime për cilësinë e partneritetit me Qeverinë e kryeministrit në detyrë, Kurti.

    Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë do t’u këshillonit udhëheqësve të Kosovës tani, nëse duan të rikthejnë besimin tek Uashingtoni?

    Jeffrey Hovenier: Unë nuk kam qenë së voni pjesë e bisedimeve me kryeministrin, ministrat e tij dhe homologët amerikanë, kështu që nuk e di saktësisht se çfarë po rekomandon Qeveria e SHBA-së tani.

    Gjatë kohës sime, ajo që kërkonim ishte bashkëpunim më i ngushtë mbi mekanizmin e vështirë të shfuqizimit të mbështetjes së shtetit serb për komunitetin serb në Kosovë, si dhe të mos ndërmerren veprime të nxituara ose të njëanshme, si mbyllja e klinikave shëndetësore, zyrave të sigurimeve shoqërore apo gjërave të tjera të ngjashme.

    Ne pajtoheshim që ato duhej të integroheshin në strukturat e shtetit të Kosovës, por një gjë e tillë duhej të bëhej në një mënyrë të dakordësuar përmes dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë].

    [I dërguari i BE-së] Peter Sorensen është një negociator shumë i aftë. Gjetja e një rruge përpara, që të jetë e pranueshme për të dyja palët, besoj se vazhdon të jetë ajo që kërkon kjo administratë. Por, siç e thashë, unë nuk kam qenë pjesë e këtyre bisedimeve që nga fundi i dhjetorit.

  • Kush është Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e Thaçit

    Kush është Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e Thaçit

    Paul Williams është jurist dhe profesor amerikan i së drejtës ndërkombëtare, i njohur për angazhimin e tij në çështje të shtetformimit, paqes dhe zgjidhjes së konflikteve.

    Në kohën e negociatave të Rambujesë (1999), ai ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës, duke ndihmuar ekipin kosovar me argumentet juridike që lidhen me të drejtën e vetëvendosjes, të drejtat e njeriut dhe bazën ndërkombëtare për ndërhyrjen e NATO-s pas refuzimit të Serbisë.

    Më pas, Williams është bërë i njohur si bashkëthemelues dhe president i “Public International Law & Policy Group” (PILPG) – një organizatë jofitimprurëse që ofron asistencë ligjore për qeveri dhe grupe opozitare në procese paqeje dhe shtetformimi.

    Williams ka shërbyer edhe si pjesë e delegacioneve në negociatat për Marrëveshjen e Dejtonit (Bosnjë-Hercegovinë), negociatat e Marrëveshjes së Ohrit (Maqedoni) dhe negociatat e Podgoricës/Beogradit për Serbinë dhe Malin e Zi. Ai gjithashtu ka këshilluar palët në negociatat e Key West për Nagorno-Karabakun, negociatat e Oslos dhe Gjenevës për Luftën Civile të Sri Lankës, negociatat e konfliktit Gjeorgjio-Abkazi dhe bisedimet e paqes në Somali.

    Ai ka këshilluar dhjetëra qeveri dhe lëvizje në botë (p.sh. Sudanin e Jugut, Timorin Lindor, Ukrainën etj.) për negociata paqeje, kushtetuta dhe njohje ndërkombëtare.

    Në akademi, është profesor në American University, Washington College of Law në SHBA, ku ligjëron të drejtën ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve.

  • Rikthehet pas 50 vjetësh një insekt i rrezikshëm në Kroaci: Pickimi shkakton reagime alergjike, madje edhe vdekje

    Rikthehet pas 50 vjetësh një insekt i rrezikshëm në Kroaci: Pickimi shkakton reagime alergjike, madje edhe vdekje

    Edhe pse migrimet e kafshëve janë të zakonshme, është regjistruar edhe një rast imigrimi – Grerëza Orientale, e njohur për rrezikshmërinë e saj, është rikthyer sërish në Kroaci pas më shumë se 50 vjetësh.

    “Dihet që ka qenë e pranishme edhe më herët, por të dhëna në literaturë për shfaqjen e saj nuk ka pasur që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar. Tani po kthehet përsëri në habitatin e saj të vjetër. Në zonën e Splitit është vërejtur rreth lokacionit Kashtela, në një gurthyes,” raporton Dnevnik.

    Para disa vitesh, kjo grerëz është parë edhe në Trieste, prej nga ka kaluar kufirin me Slloveninë.

    Grerëza Orientale është e ngjashme me atë evropiane për nga madhësia, por ndryshon në ngjyrë. Veçanërisht e rrezikshme është në këtë periudhë të vitit, pasi pickimi i saj mund të shkaktojë reagime të rënda alergjike, madje edhe vdekje tek personat e ndjeshëm.

    Ekspertët këshillojnë që në rast takimi me këtë insekt të mos tentohet kapja apo vrasja e tij me duar, por të largohemi nga vendi dhe, nëse ka pickim, të kërkohet ndihmë mjekësore.

    Gjithashtu, theksojnë se pas pickimit është e rëndësishme që menjëherë vendi të shpëlahet me sapun dhe ujë, të aplikohet një antiseptik, e më pas të vendoset një kompresë e ftohtë.

  • KPM: Tani qytetarët e Kosovës mund të ankohen për përmbajtjet në TikTok, përgjigja vjen brenda 24 orëve

    KPM: Tani qytetarët e Kosovës mund të ankohen për përmbajtjet në TikTok, përgjigja vjen brenda 24 orëve

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka krijuar një mekanizëm të ri bashkëpunimi me zyrën e TikTok-ut në Evropë, përmes të cilit qytetarët e Kosovës mund të paraqesin ankesa për përmbajtje në këtë platformë.

    Ky bashkëpunim ka për qëllim adresimin e dy kategorive kryesore të shqetësimeve: përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale dhe shkeljet e standardeve mediale edhe jashtë periudhave zgjedhore.

    Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, e bëri të ditur këtë marrëveshje gjatë intervistës në Përballje Podcast në Telegrafi.

    “Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar me drejtorin e TikTok-ut për Evropë që çdo ankesë e adresuar përmes KPM-së të trajtohet direkt nga platforma. TikTok është zotuar që brenda 24 orëve të japë përgjigje për çdo rast,” tha Berisha.

    Sipas tij, ky kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me TikTok-un siguron që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose me potencial për dëm të madh, të shqyrtohet shpejt dhe me prioritet.

    “Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për ankesat e tyre. Pas pranimit nga KPM, çdo ankesë i përcillet TikTok-ut, i cili brenda 24 orëve merr vendim për përmbajtjen,” theksoi Berisha.