ATV

Author: K.B.

  • AGK, FOL, IKD dhe Flutura Kusari nuk do ta vlerësojnë procesin për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

    AGK, FOL, IKD dhe Flutura Kusari nuk do ta vlerësojnë procesin për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, kanë njoftuar se nuk do ta vlerësojnë procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, duke argumentuar se procesi zhvillohet në rrethana që, sipas tyre, nuk garantojnë pavarësi institucionale.

    Në një reagim të përbashkët, organizatat theksojnë se vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të RTK-së, i cili, sipas tyre, tregon se transmetuesi publik po përballet me presion politik në disa nivele.

    “Arsyet kryesore për këtë vendim bazohen në monitorimin tonë të RTK-së, i cili tregon se Transmetuesi Publik aktualisht është duke u përballur me presion politik, i cili shfaqet në forma të ndryshme: përmes ndërhyrjeve në përmbajtjen e lajmeve, përmes presionit ndaj gazetarëve, si dhe përmes presionit financiar me vonesa të pagave”, thuhet në reagim.

    Sipas tyre, në këto rrethana, Bordi i RTK-së nuk ka lirinë e nevojshme për të zhvilluar një proces të pavarur dhe profesional për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.

    “Në këto rrethana, ne jemi të bindur se Bordi i RTK-së nuk gëzon lirinë për të vepruar sipas bindjeve profesionale në përzgjedhjen e drejtorit të ardhshëm të Transmetuesit Publik”, thuhet më tej në deklaratë.

    Megjithatë, AGK, Lëvizja FOL, IKD dhe Flutura Kusari kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ta monitorojnë punën e Bordit të RTK-së dhe zhvillimet që lidhen me procesin e përzgjedhjes, por pa dhënë vlerësim për të.

    “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë mbledhjet e RTK-së, përfshirë edhe takimet për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm, por nuk do të ofrojmë vlerësim për këtë proces”, përfundon reagimi i përbashkët.

  • Fansat e Taylor Swift bëjnë çmendurinë e radhës, blejnë mbeturinat e dasmës së saj

    Fansat e Taylor Swift bëjnë çmendurinë e radhës, blejnë mbeturinat e dasmës së saj

    Një fans i Taylor Swift ka shitur mbeturinat e mbledhura jashtë dasmës së këngëtares me Travis Kelce në New York.

    Justin Gignac mblodhi mbeturina nga rrugët jashtë Madison Square Garden pas dasmës së 3 korrikut dhe i vendosi ato në kuba plastike.

    Mbeturinat e mbledhura nga Gignac përfshijnë bishta cigaresh, gota letre, pipa plastike, copa pëlhure, qese plastike, mbështjellës karamelesh dhe një AirPod të vetëm.

    “Fatkeqësisht, nuk u ftova, kështu që nuk munda të merrja asnjë nga ato mbeturinat e mira, shumë të mira nga brenda”, tha ai.

    Kubat plastikë, secili me mbishkrimin “JUST&T MARRIED” dhe datën e dasmës, kishin një çmim prej 25 dollarësh në faqen e tij të internetit.

    Ai tha se Swifties i kanë blerë tashmë të gjitha kubat e disponueshëm.

  • Djali vret babain e tij në Shkup

    Djali vret babain e tij në Shkup

    Një banor i Shkupit (31) është arrestuar pasi e ka vrarë me thikë babanë e tij pas një grindjeje që ndodhi mbrëmë në Shkup.

    Sipas njoftimit nga Ministria e Brendshme, incidenti ka ndodhur rreth orës 22:30 në shtëpinë e tyre familjare në rrethinën e “Bit Pazarit”.

    Sipas raportimit, 52-vjeçari E.L., i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, e sulmoi fizikisht gruan e tij 54-vjeçare (nënën e B.Xh.), ndërsa djali i tyre 31-vjeçar B.Xh. e goditi me thikë babanë e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

    Oficerët e policisë e morën të dyshuarin në paraburgim rreth orës 23:00, ndërsa gruaja e plagosur u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum i ohrit” për ndihmë mjekësore.

    Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit u dorëzua për autopsi.

  • Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Republikën e Shqipërisë

    Pjesëtarë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin e zhytjes në Republikën e Shqipërisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit të tyre me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së ka realizuar trajnimin “Zhytje Rifreskuese” në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Pashaliman, Vlorë.

    Trajnimi kishte për qëllim rifreskimin dhe avancimin e njohurive profesionale në zhytje, me fokus në teknikat moderne të zhytjes, sigurinë nënujore, planifikimin dhe realizimin e operacioneve të zhytjes, kontrollin e lundrueshmërisë, sistemin buddy, si dhe zhvillimin e aftësive për mësimdhënie dhe demonstrim praktik.

    “Përmes këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë forcuar kapacitetet profesionale për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore”, thuhet në njoftim të FSK-së.

  • Mbi 10 mijë viktima nga vala e të nxehtit në Evropë

    Mbi 10 mijë viktima nga vala e të nxehtit në Evropë

    Mbi 10 mijë vdekje janë regjistruar në Evropë gjatë valëve ekstreme të të nxehtit që përfshinë pjesën perëndimore të kontinentit në fund të muajit qershor, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO.

    Sipas monitoruesit evropian të vdekshmërisë, i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mbi 9 mijë nga viktimat ishin persona të moshës mbi 65-vjeçare, raporton Reuters.

    Temperaturat rekord të regjistruara në disa vende evropiane kanë shkaktuar pasoja të rënda, ndërsa vlerësimet paraprake në Belgjikë, Britani, Francë dhe Spanjë tregojnë se valët e të nxehtit kanë qenë shkaktar i mijëra vdekjeve shtesë.

    Ndërkohë, grupi i shkencëtarëve World Weather Attribution vlerëson se valët ekstreme të të nxehtit të muajit qershor do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.

  • Operacion i kërkim-shpëtimit në lumin Mat, angazhohen pjesëtarë nga Kosova (VIDEO)

    Operacion i kërkim-shpëtimit në lumin Mat, angazhohen pjesëtarë nga Kosova (VIDEO)

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, kanë nisur një operacion në lumin Mat në Shqipëri.

    Dyshohet se të njëjtit janë në kërkim të trupit të Erkin Likës, i cili dyshohet se ka humbur jetën teksa ishte në shkëmbinjtë pranë Urës së Vashës, në zonën e Klosit.

    Sipas informacioneve paraprake, Lika ndodhej në zonë së bashku me grupin, ndërsa dyshohet se ka rrëshqitur nga shkëmbinjtë teksa po fotografonte pjesëtarët e ekipit, duke rënë në humnerë dhe duke humbur jetën.

  • Rekord i pazakontë dashurie: Çifti realizon 195 puthje në vetëm 30 sekonda

    Rekord i pazakontë dashurie: Çifti realizon 195 puthje në vetëm 30 sekonda

    Një çift nga Brazili ka hyrë në histori me një rekord të pazakontë, pasi realizoi plot 195 puthje brenda vetëm 30 sekondash.

    Renato Bayma Gaia, 32 vjeç, e puthi në fytyrë partneren e tij, Naiara Roberta Ribeiro de Marins, 33 vjeçe, me një shpejtësi mbresëlënëse, duke vendosur rekordin për numrin më të madh të puthjeve të realizuara në gjysmë minute.

    Momenti u kthye menjëherë në një ngjarje virale, ndërsa çifti tërhoqi vëmendjen për kombinimin e shpejtësisë, koordinimit dhe humorit.

    Ndryshe nga rekordi i tyre, një puthje e zakonshme nuk ka një kohëzgjatje të përcaktuar. Ajo mund të zgjasë vetëm disa sekonda ose disa minuta, në varësi të situatës, ndjenjave dhe afërsisë mes dy personave.

    Studime të ndryshme sugjerojnë se një puthje mesatare zgjat rreth 12 sekonda. Megjithatë, puthjet romantike dhe më emocionale shpesh zgjasin më shumë, pasi shërbejnë si mënyrë për të shprehur intimitet, dashuri dhe lidhje emocionale.

    Për disa çifte, një puthje e gjatë dhe e ngadaltë mund ta forcojë ndjenjën e afërsisë, ndërsa për të tjerë edhe një puthje e shkurtër mund të ketë po aq kuptim.

    Më shumë sesa kohëzgjatja, rëndësi ka që puthja të jetë e natyrshme, e ndërsjellë dhe në përputhje me ndjenjat e momentit.

    Ajo duhet gjithmonë t’i respektojë kufijtë emocionalë dhe fizikë të të dy personave, ndërsa në një marrëdhënie intime mund të shërbejë si një nga mënyrat më të thjeshta për ta forcuar lidhjen.

    Në rastin e çiftit brazilian, megjithatë, fokusi nuk ishte te romantika e një puthjeje të gjatë, por te një sfidë e shpejtësisë që përfundoi me një rekord të ri.

  • Behrami thotë se është paditur nga Gërvalla

    Behrami thotë se është paditur nga Gërvalla

    Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami ka njoftuar se është paditur për shpije nga ministrja në detyrë e Drejtësisë Donika Gëravlla.

    Behrami ka thënë se sipas njoftimit ai është paditur për shpije në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Donika Gërvalla më paska paditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ka mujtë me dërgu lëndën edhe në Gjykatën Speciale. Paramendo!Ajo që prej vitesh është akuzuar si shpifëse, demonizuese, përçarëse, polarizuese, denigruese, stigmatizuese, etiketuese dhe përbaltëse, tani më padit mua për shpifje! Ani nashtë! Mezi pres të ballafaqohemi në gjykatë”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Tifozët e skuadrës ruse Zenit sërish kanë dalë me një baner skandaloz, duke e vendosur Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Në përballjen ndaj ekipit nacionalist Red Star, tifozët e klubit rus vazhduan me luftën kundër Kosovës.

    “Kosova është Serbi”, thuhet në një nga banerët e Zenitit, ndërsa në tjetrin shkruhej “Jetë të gjatë Rusisë dhe Serbisë”.

    Kjo nuk është hera e parë që klubet ruse kur luajnë ndaj atyre serbe shfaqin banerë kundër Kosovës, ngase raportet mes dy shteteve mbesin të ngushta.

  • Arrestohet në Beograd një i kërkuar nga Interpol-i, me dokumente të falsifikuara të Kosovës

    Arrestohet në Beograd një i kërkuar nga Interpol-i, me dokumente të falsifikuara të Kosovës

    Vuk Vulleviq, shtetas i Malit të Zi, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim i kuq nga Interpol-i, u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB).

    “Gjatë arrestimit, atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara, të lëshuara në Kosovë. Me urdhër të prokurorisë kompetente, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal nën dyshimet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    MPB-ja serbe tha se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, në Podgoricë, për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve.

    Sipas njoftimit, ndaj tij ishte lëshuar edhe një fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, lidhur me veprat penale për të cilat ai kërkohet nga drejtësia malazeze.

    Policia bëri të ditur se gjatë arrestimit i konfiskoi dy telefona celularë dhe e njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd.

    Po ashtu, u tha se Vulleviq do të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.

    Policia malazeze e kërkon Vulleviqin nën dyshimet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Ulliqit dhe Radoje Zvicerit.

    Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi ngriti aktakuzë në korrik të vitit 2024 ndaj 19 personave, të dyshuar për organizimin e një grupi kriminal ndërkombëtar që kishte marrë pjesë në kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë.

    Ndërsa nëntë anëtarë të dyshuar të këtij grupi u arrestuan në korrik të vitit 2024, të tjerë të dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati.

    Autoritetet malazeze të drejtësisë në këtë operacion, të koduar “General”, u mbështetën nga agjencia evropiane e policisë, Europol, Byroja Federale e Hetimeve FBI, Administrata për Luftimin e Narkotikëve DEA dhe Policia Federale e Australisë.

    Prokuroria Speciale e Malit të Zi i identifikoi si drejtues të këtij grupi kriminal Radoje Zvicerin, i cili konsiderohet udhëheqës i klanit kriminal “Kavaç”, dhe Vaso Ulliqin.

    Mes personave në arrati që kërkoheshin nga policia ishte edhe Vuk Vulleviq, krahas Radoje Zvicerit.

    Më herët, Vulleviq është akuzuar për kontrabandë kokaine nga Venezuela dhe për vrasjen, në vitin 2005, të inspektorit të policisë Sllavolub Shqekiq, por ai është liruar nga këto akuza.

    Policia malazeze e ka përmendur më parë edhe si një nga personat e dyshuar për vrasjen e kryeredaktorit të gazetës Dan, Dushko Jovanoviq, por ndaj tij nuk është zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore për këtë rast.