ATV

Author: K.B.

  • Gjenerali Bashkim Jashari pret delegacionin gjerman, riafirmohet mbështetja për zhvillimin e FSK-së

    Gjenerali Bashkim Jashari pret delegacionin gjerman, riafirmohet mbështetja për zhvillimin e FSK-së

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe Tilmann Scherf nga Zyra e Jashtme Federale Gjermane.

    Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Federale e Gjermanisë i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë në ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj.

    Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në FSK, prioritetet dhe nevojat e saj, si dhe për procesin e planifikimit për të ardhmen. Gjithashtu, palët shkëmbyen qëndrime lidhur me situatën aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Në përmbyllje të takimit, gjenerali Jashari falënderoi edhe një herë delegacionin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e kapaciteteve të FSK-së. Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve bilaterale ushtarake ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

  • Trusti: 312 milionë euro kthim bruto nga investimet në gjashtëmujorin e parë

    Trusti: 312 milionë euro kthim bruto nga investimet në gjashtëmujorin e parë

    Gjysma e parë e vitit 2026 ka rezultuar periudha më e suksesshme ndonjëherë për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) sa i përket performancës së investimeve.

    Fondi ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke vendosur rekord të ri në historinë e tij.

    FKPK njofton se ky është kthimi më i lartë i arritur ndonjëherë brenda një periudhe gjashtëmujore.

    Ndërkaq, duke e përfshirë edhe kthimin bruto prej 644 milionë eurosh të realizuar gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, rezulton se për periudhën 1 janar 2023 – 30 qershor 2026, FKPK-ja ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet.

    Sipas fondit, këto rezultate pasqyrojnë performancën e investimeve të kursimeve pensionale përgjatë viteve të fundit.

  • Gjendet trupi i Erkin Likës pasi ra në lumin Mat gjatë ngjitjes me litar

    Gjendet trupi i Erkin Likës pasi ra në lumin Mat gjatë ngjitjes me litar

    Është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi ra në lumin Mat gjatë një ngjitjeje me litar në zonën e Urës së Vashës, në Klos. Trupi u nxor nga ujërat e lumit pas disa ditësh kërkime nga palombarët.

    Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, kur 33-vjeçari ishte duke kryer ngjitje me litar pranë Urës së Vashës.

    Sipas dyshimeve paraprake, ai ka rënë në një gropë thithëse në lumin Mat dhe nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe.

    Pas disa ditësh kërkime, ekipet e palombarëve arritën të lokalizojnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë nga ujërat e lumit.

    Autoritetet po vijojnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Ramë Dardania prezanton Kosovën në ekspozitën ndërkombëtare “Crowncaps for Migration” në Zvicër

    Ramë Dardania prezanton Kosovën në ekspozitën ndërkombëtare “Crowncaps for Migration” në Zvicër

    Artisti bashkëkohor Ramë Dardania do të jetë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Crowncaps for Migration”, e cila do të mbahet nga 3 deri më 14 gusht 2026 në Zürich Hauptbahnhof, një nga hapësirat publike më të frekuentuara në Zvicër.

    Në kuadër të programit të ekspozitës, Dardania është përzgjedhur të marrë pjesë edhe në bisedën publike të artistëve, që do të zhvillohet më 13 gusht, së bashku me artisten zvicerane të instalacioneve, Ursula Wolf.

    Gjatë këtij diskutimi, artistët do të ndajnë me publikun procesin e tyre krijues, burimet e frymëzimit dhe reflektimet mbi temat e migrimit, identitetit dhe dialogut kulturor.

    Ekspozita organizohet nga Satellites of Art në kuadër të projektit “Crowncaps for Migration”, i cili bashkon artistë nga vende të ndryshme për të trajtuar përmes artit përvojat e migrimit dhe rëndësinë e shkëmbimit kulturor.

    Pjesëmarrja e Ramë Dardanisë në këtë projekt shënon një tjetër prezantim të rëndësishëm ndërkombëtar të artistit, duke promovuar artin bashkëkohor të Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Evropës.

  • Rreth 14 mijë euro gjoba ndaj mjeteve të rënda, Basha paralajmëron kontrolle të rrepta në rrugë

    Rreth 14 mijë euro gjoba ndaj mjeteve të rënda, Basha paralajmëron kontrolle të rrepta në rrugë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të vazhdojë kontrollet ndaj operatorëve dhe ngasësve të mjeteve të rënda, me qëllim parandalimin e dëmtimit të infrastrukturës rrugore.

    Ministri në detyrë, Dimal Basha ka bërë të ditur se një nga shkaqet kryesore të dëmtimit të rrugëve është qarkullimi i mjeteve të rënda të mbingarkuara, të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës.

    Sipas tij, gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i dëmtimit të asfaltit rritet, prandaj kërkohet respektim më i madh i kufizimeve nga operatorët dhe drejtuesit e mjeteve të rënda.

    “Si Ministri e Infrastrukturës dhe Transportit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të jemi vazhdimisht në terren, duke zhvilluar kontrolle të rrepta për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës rrugore”, ka deklaruar Basha.

    Sipas njoftimit, vetëm më 1 korrik 2026 janë shqiptuar 24 kundërvajtje ndaj mjeteve që kanë tejkaluar peshën e lejuar, me vlerë totale prej 13 mijë e 910 eurosh.

    Nga kjo shumë, 13 mijë e 140 euro gjoba janë shqiptuar ndaj operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro ndaj personave fizikë.

    Ministria ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj rasteve të mbingarkesës, të cilat, sipas saj, rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe dëmtojnë rrugët e ndërtuara me paratë e qytetarëve.

  • QKUK: Rreth 70 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, 22 u shtruan në Infektivë

    QKUK: Rreth 70 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, 22 u shtruan në Infektivë

    Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se nga e premtja në këtë klinikë janë paraqitur pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.

    Sipas njoftimit, “pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit”.

    “Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në njoftimin në faqen e QKUK-së në Facebook.

    Klinika Infektive tha se pacientët e shtruar në spital janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.

    “Aktualisht, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në fund të njoftimit.

  • Irani paralajmëroi hakmarrje, gazeta konservatore publikon listën e liderëve që mund të jenë shënjestër

    Irani paralajmëroi hakmarrje, gazeta konservatore publikon listën e liderëve që mund të jenë shënjestër

    Një gazetë konservatore në Iran, e njohur për tonin e saj provokues, ka publikuar një listë të personave që do të synohen si hakmarrje për vrasjen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, përfshirë udhëheqësit e SHBA-së, Izraelit dhe vendeve evropiane.

    Sulmet amerikane-izraelite vranë Ajatollahun më 28 shkurt, ditën e parë të luftës në Lindjen e Mesme, dhe djali dhe pasardhësi i tij, Mojtaba Khamenei, është zotuar për hakmarrje.

    “Hakmarrja është vullneti i kombit tonë dhe në mënyrë të pashmangshme duhet të zbatohet”, tha Mojtaba të shtunën në mesazhin e tij të parë që nga funerali i babait të tij këtë javë.

    Gazeta Hamshahri, e cila botohet nga autoritetet në kryeqytetin iranian, publikoi në internet një grafik të shtunën vonë që paraqiste foto të 13 udhëheqësve të huaj së bashku me deklaratën e Mojtabas.

    Udhëheqësi suprem, në mesazhin e tij, tha se Irani kishte përpiluar një listë individësh që do të ishin në shënjestër, por nuk ofroi emra dhe nuk kishte asnjë sugjerim se lista e gazetës ishte miratuar zyrtarisht.

    Në foto shihen ndër të tjerë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministri britanik Keir Starmer.

    Gjithashtu në listë janë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, presidenti Francez, Emmanuel Macron, kryeministrja Italiane, Giorgia Meloni dhe kancelari Gjerman, Friedrich Merz.

  • Policia e gjobit me 300 euro shoferen që voziti 197 km/h dhe e publikoi videon në rrjetet sociale

    Policia e gjobit me 300 euro shoferen që voziti 197 km/h dhe e publikoi videon në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës e ka gjobitur me 300 euro një shofere që voziti me shpejtësi 197 km/h në autostradë.

    Ndëshkimi i erdhi pasi ajo e publikoi videon në rrjetet sociale.

    “Në bazë të video incizimeve të publikuara në rrjetet sociale, Njësia për Kontrollin e Autostradave ka arritur që të identifikoj shoferin i cili me automjetin e tij ka tejkaluar shpejtësinë e kufizuar në zonën e kufizimit të shpejtësisë prej 130 km/h ka drejtuar automjetin me shpejtësi 197 km/h”, thuhet në njoftim.

    Përveç gjobës prej 300 eurosh, sipas policisë, të njëjtës i janë shqiptuar 3 pikë negative dhe 3 muaj i është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.

  • Letër gjyqtarëve të Speciales, Mahmuti: Mos përsëritni “gabimet historike” në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Letër gjyqtarëve të Speciales, Mahmuti: Mos përsëritni “gabimet historike” në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Bardhyl Mahmuti, i ka dërguar një letër trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i ftuar gjyqtarët që, gjatë përpilimit të vendimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbështeten në jurisprudencën ndërkombëtare dhe t’i shmangin, siç thotë ai, “gabimet historike” në drejtësi.

    Letra në fjalë iu adresohet gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe, Guenaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, përmes Shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep.

    Ai e krahason procesin gjyqësor në Hagë me “Çështjen Dreyfus”, duke kujtuar 120-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Kasacionit të Francës që shpalli të pafajshëm kapitenin Alfred Dreyfus.

    Sipas tij, rasti Dreyfus mbetet një shembull historik për juristët lidhur me rrezikun e ndikimeve politike dhe institucionale në vendimmarrjen gjyqësore. Ai përmend figurat franceze që mbrojtën pafajësinë e Dreyfusit, si Georges Picquart dhe Émile Zola, duke theksuar se “heshtja ndaj së vërtetës të bën bashkëfajtor në padrejtësi”.

    Në letër, Mahmuti pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbahen në paraburgim prej pesë vjetësh e tetë muajsh “padrejtësisht”, ndërsa kritikon kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënime prej 45 vjetësh ndaj secilit prej tyre.

    Ai argumenton se shtylla kryesore e aktakuzës, që lidhet me pretendimin për “ndërmarrje kriminale të përbashkët”, bie ndesh me jurisprudencën ndërkombëtare.

  • 1.511 gjoba dhe 42 aksidente gjatë një jave në rajonin e Ferizajt

    1.511 gjoba dhe 42 aksidente gjatë një jave në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1.511 gjoba kundërvajtëse dhe ka pezulluar 43 patentë shoferë gjatë javës së kaluar, si pjesë e aktiviteteve për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

    Sipas njoftimit të Policisë, masat janë ndërmarrë gjatë periudhës 6-12 korrik 2026, ndaj shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

    Gjatë kësaj periudhe, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 42 aksidente, prej të cilave 23 kanë qenë me persona të lënduar, ku janë lënduar 31 persona, ndërsa 19 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    “Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftimin për media.

    Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, ndërsa u ka bërë apel shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

    Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose numrit kujdestar 192.