ATV

Author: K.B.

  • Alarmon IPK: Higjienë jo e mirë, tulla betoni e lopata u gjetën në Qendrën e Ndalimit në Rahovec

    Alarmon IPK: Higjienë jo e mirë, tulla betoni e lopata u gjetën në Qendrën e Ndalimit në Rahovec

    Shërben si objekt ndalimi për kryerës të veprave penale.

    Në këtë Qendër, qytetarë të dyshuar ndalohen kryesisht për 48 orë.

    Por kushtet higjienike në këtë Qendër Ndalimi në Rahovec, duket se nuk janë fare të mira.

    Në dhomat e këtij objekti janë hasur mbetje ushqimore, derisa tualetet dhe lavamanët nuk pastrohen sa duhet.

    Këto janë vetëm disa nga të gjeturat e Inspektoratit Policor të Kosovës.

    “Dyshekët e jastëkët janë të njollosur dhe ka mungesë të çarçafëve për mbulim të dyshekëve. Në përgjithësi, niveli i pastërtisë brenda hapësirave të Qendrës nuk është i duhur. Stacioni ka të angazhuar dy punonjës civil si pastrues dhe shfrytëzon kontratën për shërbime të pastrimit të mbulojave në qendrat e mbajtjes në objektet e Policisë së Kosovës. Pavarësisht këtyre kapaciteteve, niveli i higjienës brenda hapësirave të Qendrës vlerësohet në nivel jo të kënaqshëm”, thuhet në raportin e IKP-së.

    Në këtë raport, gjithashtu theksohet gjetja e disa mjeteve të forta.

    “Në dhomën e lavanderisë brenda hapësirës së Qendrës së Ndalimit, dera e së cilës është hasur e hapur, janë hasur mjete të forta (tullë betoni, lopatë, tavolinë, karrige, kabllo dhe mjete tjera të forta metalike). Prania e pajisjeve dhe objekteve të forta, që janë potencialisht të rrezikshme, përbën rrezik serioz për sigurinë e të ndaluarve dhe zyrtarëve mbikëqyrës në Qendër”, thuhet tutje nga IKP.

    Kësisoj, IPK ka drejtuar shtatë rekomandime drejt menaxhmentit të Policisë për këtë çështje.

    Nga Policia Rajonale e Gjakovës, për tëvë1 kanë thënë se janë ndërmarrë veprime në këtë drejtim, por pa treguar se cilat janë ato.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka zbatuar menjëherë katër nga shtatë rekomandimet që ishin në kompetencë të saj, ndërsa tri rekomandimet e tjera janë në fazën e implementimit, në bashkëpunim me të gjitha njësitë përkatëse brenda Policisë së Kosovës”, thuhet nga Policia në Gjakovë.

    Përsëritja e rekomandimeve, pa u plotësuar ato, po shihet shqetësuese nga ish-eprorë të Policisë.

    “Menaxhmenti i Policisë duhet në një kohë të caktuar rekomandimet të cilat paraqiten nga ana e IPK-së, ato të mbetura t’i evitojë dhe në këtë mënyrë secili menaxhment në Polici të merr përgjegjësinë për rekomandimet të cilat nuk i ka plotësuar. Është detyrë e Inspektoratit që të kërkojë me ngulm që këto të rregullohen”, shprehet Refki Morina – nënkolonel në pension.

    Sipas raportit të IPK-së, edhe në të kaluarën ishte rekomanduar largimi i mjeteve të rrezikshme nga këto hapësira në këtë Qendër Ndalimi në Rahovec, mirëpo sipas tyre, inspektimi tregon se nuk është vepruar.

  • Oda Amerikane u bën thirrje institucioneve të reja: Jepini përparësi gazit të lëngshëm amerikan

    Oda Amerikane u bën thirrje institucioneve të reja: Jepini përparësi gazit të lëngshëm amerikan

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bëri thirrje bartësve të mandatit të ri institucional që përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtojnë seriozisht si pjesë të politikës së ardhshme energjetike të vendit.

    Sipas njoftimit thuhet se, Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim. Për këtë arsye, diskutimi mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet në krahasimin e kostove fillestare të investimeve apo në opsionet e prezantuara deri më tani.

    “Për Kosovën, e cila vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara gjeneruese dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese është një faktor me rëndësi strategjike. Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet më tej në njoftim.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe interesin afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës.

  • Dyshohet për helmim nga ushqimi në një piceri në Prishtinë, Policia ka nisur hetimet – krejt çka dihet deri tani

    Dyshohet për helmim nga ushqimi në një piceri në Prishtinë, Policia ka nisur hetimet – krejt çka dihet deri tani

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me dyshimet se rreth 20 persona janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në një piceri në Prishtinë. Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse.

    Policia ka konfirmuar se më 10 korrik ka pranuar informacion për një rast të dyshuar të helmimit nga ushqimi.

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Ndërkohë, personat që dyshohet se janë prekur nga helmimi kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që nga dita e premte.

    Shefi i ndërrimit në Klinikën Infektive, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se 16 pacientë janë hospitalizuar që nga e premtja, ndërsa edhe tre të tjerë kanë kërkuar trajtim gjatë së dielës.

    “16 pacientë janë të hospitalizuar që nga e premtja, ndërsa tre të tjerë kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Sadiku.

    Sipas tij, mjekët janë në pritje të rezultateve të analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të verifikuar nëse gjendja e pacientëve lidhet me ushqimin e konsumuar.

    Ai ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e pacientëve është e mirë dhe se ata po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk ka dalë me një deklarim zyrtar lidhur me rastin.

  • Parlamenti i ri i Sirisë mblidhet për herë të parë pas rrëzimit të Assadit

    Parlamenti i ri i Sirisë mblidhet për herë të parë pas rrëzimit të Assadit

    Parlamenti i ri i Sirisë u mblodh për herë të parë të dielën, 19 muaj pasi forcat opozitare të udhëhequra nga presidenti Ahmed al-Sharaa rrëzuan Bashar al-Assad, një moment historik në tranzicionin politik të vendit pavarësisht fuqive të kufizuara aktuale të tij.

    Al-Sharaa, në një fjalim në parlament në Damask, u tha ligjvënësve ta “bëjnë këtë këshill një model përgjegjësie dhe kompetence” dhe e përshkroi atë si “një platformë për të vërtetën dhe drejtësinë”.

    “Siria po shkruan një histori të lavdishme që pasqyron heroizmin e saj, dhe ne përballemi me përgjegjësinë e ndërtimit si të kombit ashtu edhe të individit”, tha ai, shkruajnë mediat e huaja.

    Parlamenti është parë si një provë e premtimit të al-Sharaa për të ndërtuar një rend të ri gjithëpërfshirës në Siri, e cila u drejtua si një shtet policor nga familja al-Assad për dekada të tëra, me një dhomë legjislative që shihej si një vulë e fortë.

    Sipas rregullimeve të përkohshme qeverisëse të vendit, dy të tretat e anëtarëve të dhomës me 210 vende u zgjodhën vitin e kaluar nga kolegjet zgjedhore rajonale, ndërsa al-Sharaa emëroi të tretën e mbetur më 1 korrik.

    Zyrtarët kanë thënë se ky sistem ishte i nevojshëm sepse vitet e luftës kishin lënë miliona të zhvendosur dhe e kishin bërë të pamundur mbështetjen në të dhënat e sakta të popullsisë ose listat e votuesve.

    Kritikët thonë se i dha degës ekzekutive kontroll të gjerë mbi procesin e përzgjedhjes.

    Al-Sharaa ka thënë se mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme sapo infrastruktura dhe dokumentacioni ta lejojnë një gjë të tillë.

    Një deklaratë kushtetuese e përkohshme e prezantuar në vitin 2025 i dha parlamentit autoritete të kufizuara dhe nuk ka asnjë kërkesë që qeveria të fitojë një votëbesim parlamentar.

    Asambleja mund të propozojë dhe miratojë ligje. Ajo ka një mandat 30-mujor që është i rinovueshëm dhe merr autoritetin legjislativ derisa të miratohet një kushtetutë e përhershme dhe të organizohen zgjedhjet.

    Abdel Halim al-Awak, një anëtar i komitetit që hartoi deklaratën kushtetuese, u zgjodh kryetar me 99 vota.

    Al-Sharaa ka thënë se parlamenti do të ngarkohet me formimin e një komisioni për të hartuar një kushtetutë të re.

    Një ish-militant i al-Kaedës, al-Sharaa ka riformësuar Sirinë që nga rrëzimi i al-Asadit, duke ndërtuar lidhje të ngushta me shtetet perëndimore dhe duke premtuar një epokë të re lirish, megjithëse viti i tij i parë në pushtet u trondit nga disa shpërthime dhune që vunë përballë luftëtarët pro-qeveritarë kundër anëtarëve të grupeve minoritare.

    Dhoma ka 21 ligjvënëse femra – 15 prej të cilave ishin midis atyre të nominuara nga al-Sharaa, i cili i ndërpreu lidhjet me al-Kaedën në vitin 2016.

    Autoritetet nuk kanë lëshuar një ndarje të numrit të ligjvënësve që vijnë nga pakicat etnike dhe fetare.

    Numrat jozyrtarë kanë treguar se 10 nga vendet e zgjedhura vitin e kaluar shkuan për anëtarë të pakicave fetare dhe etnike, duke përfshirë kurdët, të krishterët dhe alavitët – sekti të cilit i përket al-Asadi.

  • Vijojnë kërkimet pas tërmeteve në Venezuelë, numri të vdekurve është rritur në rreth 4 mijë e 500

    Vijojnë kërkimet pas tërmeteve në Venezuelë, numri të vdekurve është rritur në rreth 4 mijë e 500

    Numri zyrtar i të vdekurve nga tërmeti i dyfishtë që goditi Venezuelën më 24 qershor po bëhet gjithnjë e më i lartë. Të dielën, arriti në rreth 4,500 të vdekur.

    Qeveria teknike raporton tani 4,490 të vdekur, ndërsa numri i të plagosurve mbeti i pandryshuar në 16,740.

    Autoritetet po shmangin bërjen e supozimeve në lidhje me numrin e personave të zhdukur. OKB-ja kishte vlerësuar pas tragjedisë se numri mund të arrinte deri në 50,000.

    Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter goditën vendin me një diferencë prej 39 sekondash dhe shkaktuan shkatërrimin më të madh në Venezuelën veriore, në kryeqytetin Karakas dhe rrethinat e tij, si dhe në shtetin fqinj La Huira, ku mijëra persona tani jetojnë në kampe të improvizuara.

    Ekipet e shpëtimit nga Venezuela dhe vende të tjera vazhdojnë një përpjekje maratonë për të nxjerrë trupa nga rrënojat. Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 850 prona u dëmtuan dhe 190 u shembën plotësisht.

  • Tre të lënduar në vetaksidentin në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, policia jep detaje

    Tre të lënduar në vetaksidentin në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, policia jep detaje

    Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një vetaksidentiqë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë.

    Lajmin për Klankosova, e ka konfirmuar zëdhënsi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:40, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Sllatinë.

    Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit”, ka thënë Zahiti

  • Nesër “e Marta e Madhe” në Bruksel: Shqipëria avancon drejt BE-së, Serbia bllokohet

    Nesër “e Marta e Madhe” në Bruksel: Shqipëria avancon drejt BE-së, Serbia bllokohet

    14 korriku tashmë edhe zyrtarisht po quhet si “e marta e madhe” në Bruksel.

    Kryeqyteti i Bashkimit Evropian pasnesër është nikoqir i katër konferencave ndërqeveritare që BE-ja i mban me katër shtete kandidate serioze për t’iu bashkuar unionit.

    Bëhet fjalë për dy republika nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe dy të tjera nga blloku lindor, Ukraina e Moldavia.

    Me ngjarjet e së martës, Tirana zyrtare hedh një tjetër hap me rëndësi në procesin e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.

    Pas hapjes së të gjithë grup-kapitujve në Konferencën e tetë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, që u mbajt më 26 maj, më 14 korrik nis mbylljen e tyre, proces që më pas i hap rrugën integrimit të plotë të vendit në union.

    Në Konferencën e nëntë ndërqeveritare të pas dy ditëve, Shqipëria do t’i mbyll tre kapitujt e parë, bëhet fjalë për kapitujt, 25, 26, 30, konkretisht për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin e Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.

    Kur e dha lajmin për mbajtjen e Konferencës së 9 ndërqeveritare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkroi mes tjerash se Shqipëria nuk ndalet.

    Në të “martën e madhe” po në Bruksel mbahet Këshilli i çështjeve të përgjithshme, kurse të hënën e 13 korrikut mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme.

    Republika e Kosovës, është vendi i vetëm nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, që nuk e ka as statutin e vendit kandidat për çka aplikoi në dhjetor të 2022-ës.

    Sinjalet janë jo pozitive që do të mund të ketë lëvizje nga blloku 27 anëtarësh.

    Ndërkohë një shtet tjetër fqinj i Kosovës, Mali i Zi, pas dy dite në Konferencën ndërqeveritare, do t’i mbyll përkohësisht kapitujt 8 dhe 29.

    Edhe Serbia sipas dëshirës së Beogradit e rekomandimit të Komisionit Evropian, të martën planifikohej të çelte grup-kapitullin 3 të negociatave, por më shumë se tetë shtete i thanë një JO të madhe kësaj ideje.

    Në krye të refuzimit ndaj regjimit serb ishin Holanda, Kroacia, Suedia e shtetet baltike./Klankosova

  • Mali i Zi sot shënon Ditën e Shtetësisë

    Mali i Zi sot shënon Ditën e Shtetësisë

    Dita e Shtetësisë së Malit të Zi shënohet për të kujtuar 13 korrikun e vitit 1878, ky vend në Kongresin e Berlinit u pranua si shtet i pavarur, si dhe 13 korrikun e vitit 1941, kur populli malazez filloi kryengritjen kundër fashizmit.

    Në referendumin e mbajtur më 21 maj 2006, 55,5 për qind të qytetarëve të cilët kanë dalë në referendum janë shprehur për pavarësinë e Malit të Zi.

    Pavarësia e Malit të Zi është shpallur më 3 qershor, ndërkohë që më 28 qershor të atij viti Mali i Zi u bë anëtar i 192-të i Kombeve të Bashkuara, ndërsa më 11 maj 2007 anëtar i Këshillit të Evropës.

    E më 5 qershor 2017 është pranuar në NATO.

  • 72 vjeçari Kadri Xhemaili raportohet se është personi i arrestuar për shkak të kërcënimit ndaj Kurtit në facebook

    72 vjeçari Kadri Xhemaili raportohet se është personi i arrestuar për shkak të kërcënimit ndaj Kurtit në facebook

    Personi që dyshohet se kishte kërcënuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjetit social Facebook, ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kadri Xhemailin, 72 vjeçar, i cili u arrestua të dielën në pikën kufitare Stançiq, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

    Sipas informacioneve, Xhemaili kërkohej në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, pasi dyshohet se më 30 tetor 2025, përmes Facebook-ut, kishte publikuar përmbajtje me karakter kërcënues ndaj Kryeministrit Kurti.

    Arrestimi i tij u realizua gjatë kontrollit kufitar, ku nga verifikimet rezultoi se ndaj tij ishte aktiv urdhër-arresti i lëshuar nga gjykata.

    Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Kontrollet kufitare, policia konfiskon armë dhe fishekë në katër raste të ndara

    Kontrollet kufitare, policia konfiskon armë dhe fishekë në katër raste të ndara

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në katër raste të ndara në rajonin e Pejës dhe të Istogut ka konfiskuar armë nga disa persona, pas kontrolleve në automjetet e tyre.

    Në raporton 24-orësh thuhet se këto kontrolle janë kryer në intervale të ndryshme kohore gjatë së dielës nga Departamenti i Policisë Kufitare.

    Në rastin e parë në Istog, sipas raportit, gjatë patrullimit njësiti policor ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilën gjendeshin dy persona meshkuj kosovarë.

    “Gjatë kontrollit tek njëri nga personat është gjetur dhe konfiskuar një armë- pistoletë dhe 32 copë fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në raport.

    Poashtu në Istog, sipas policisë, gjatë kontrollit të automjetit, një personi i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 10 copë fishekë.

    Kurse, një tjetër rast është raportuar në bjeshkët e Istogut, ku gjatë patrullimit policia ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilin gjendeshin katër persona meshkuj kosovarë, me ç’rast tek njëri nga ta është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 14 fishekë.

    Ndërkaq, sipas policisë, në Pejë gjatë patrullimit ka ndaluar automjetin me targa vendore të drejtuar nga i dyshuari mashkull kosovar, ku i është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore me dy kutia diabolla për të cilën nuk kishte leje valide.

    Në të gjitha rastet, me urdhër të prokurorit, rasti është dërguar në procedurë të rregullt.