ATV

Author: K.B.

  • Fenomen i pabesueshëm: Mbi 500 foshnja marrin emrin e Haalandit pas paraqitjeve në Botëror

    Fenomen i pabesueshëm: Mbi 500 foshnja marrin emrin e Haalandit pas paraqitjeve në Botëror

    Ethet e Kupës së Botës 2026 dhe forma fantastike e Erling Haalandit kanë shkaktuar një fenomen të pazakontë në Peru, ku qindra prindër kanë vendosur t’u japin fëmijëve të tyre emrin e sulmuesit norvegjez.

    Sipas Regjistrit Kombëtar të Identifikimit dhe Gjendjes Civile të Perusë (Reniec), 468 foshnja të porsalindura janë regjistruar me mbiemrin “Haaland”, ndërsa 91 të tjera kanë marrë emrin e plotë “Erling Haaland”.

    Zëdhënësi i Reniec, Ivan Torres, tha se yjet e futbollit vazhdojnë të jenë burim frymëzimi për shumë familje peruane.

    “Haalandi është gjithashtu peruan. Yjet e mëdhenj të futbollit shërbejnë si frymëzim që peruanët t’u vendosin fëmijëve emra të njohur dhe të veçantë”, deklaroi Torres.

    Ai shtoi se shumica e këtyre regjistrimeve janë bërë pas fillimit të Kupës së Botës, veçanërisht pasi Norvegjia siguroi kualifikimin historik në çerekfinale.

    Sulmuesi 25-vjeçar i Manchester Cityt, i njohur me nofkën “Androidi”, ka qenë një nga protagonistët e turneut. Ai realizoi dy gola në fitoren ndaj Brazilit, sukses që i siguroi Norvegjisë çerekfinalen e parë në histori të Kupës së Botës.

    Ky fenomen nuk është i ri në Peru. Sipas të dhënave zyrtare, 3.402 persona mbajnë emrin “Messi”, prej të cilëve 292 janë regjistruar si “Lionel Messi”. Po ashtu, 1 mijë e 185 persona quhen “Cristiano Ronaldo”, 1 mijë e 241 “Yamal”, 238 “Mbappe”, ndërsa plot 33 mijë e 809 mbajnë emrin “Neymar”.

    “Nuk mund t’i ndalojmë njerëzit t’i përdorin këta emra”, shtoi Torres.

    Nëse Norvegjia vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës, pritet që “Haalandmania” të marrë përmasa edhe më të mëdha. Aktualisht, Haalandi ka shënuar shtatë gola në turne, vetëm një më pak se Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, të cilët kryesojnë listën e golashënuesve me nga tetë realizime.

  • Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit

    Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar kandidatin Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Shtetit. Ky kandidat i propozohet ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për dekretim.

    Gashi mori shumicën e thjeshtë të votave, pra pesë vota gjithsej. Kurse, Rafet Halimi mori një votë dhe kandidatët tjerë asnjë.

    Pas procesit të votimit, KPK-ja propozoi për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashin.

    Në garë janë pesë kandidatë dhe atë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Fillimisht, kryesuesi Arian Gashi tha se Paneli Vlerësues në përkrahje të Sekretariatit ka dorëzuar listën e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Më pas, Paneli ka hapur aplikacionet përfshirë dokumentet e mbledhura nga Sekretariati.

    Gashi shtoi se Paneli ka konstatuar se pesë kandidatë kanë plotësuar kriteret për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Lista është konfirmuar nga KPK-ja.

    Më pas, kryesuesi shtoi se janë publikuar koncept-dokumentet e secilit kandidat.

    Ai shtoi se intervistat janë monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile, ku edhe është bërë publike ftesa.

    Procesi i intervistimit, Gashi tha se është zhvilluar nga Paneli në mënyrë të pavarur, dhe rezultoi se kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.

    Pas kësaj, ai tha se kandidatët janë njoftuar me të drejtën e ankesës dhe pas kësaj procedure, është përgatitur raporti final, me të cilin është rekomanduar lista me kandidatët: Zejnullah Gashi, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu.

    Pas këtyre sqarimeve, Këshilli kaloi në votim të fshehtë. Nga ky votim, abstenoi anëtari Milot Krasniqi, i cili tha se po abstenon për shkak të qëndrimeve që ka pasur lidhur me këtë proces.

    Pas zhvillimit të procesit të intervistimit më 1 korrik 2026, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet, sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.

    KPK-ja po ashtu ka publikuar edhe intervistat e pesë kandidatëve.

    Ankesën ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes, kishte parashtruar kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema. Por, Këshilli refuzoi ankesën e tij në mbledhjen e 10 korrikut 2026.

    Ndryshe, më 19 qershor 2026, me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.

    Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë:

    Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

    Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” një ditë pas mbylljes së konkursit më 11 qershor 2026 kishte raportuar për pesë emrat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

    Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

    Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e kishte refuzuar kërkesën. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi

  • Oficeri i FSK-së diplomon në Kolegjin Ndërkombëtar të Shtabit Përgjithshëm në Gjermani

    Oficeri i FSK-së diplomon në Kolegjin Ndërkombëtar të Shtabit Përgjithshëm në Gjermani

    Major Bujar Ferizi, ka diplomuar me sukses në programin prestigjioz Lehrgang Generalstabs-Admiralstabs International (LGAI) në Akademinë e Lidershipit të Bundeswehr-it në Hamburg, Gjermani.

    Sipas njoftimit të FSK-së, programi i LGAI zgjat 17 muaj, duke përfshirë 5 muaj trajnim intensiv të gjuhës gjermane në Bundessprachenamt në Hurth, si përgatitje për vijimin e studimeve, dhe më pas 12 muaj studime në Kolegj, të fokusuara në planifikimin strategjik, lidershipin ushtarak, bashkëpunimin shumëkombësh dhe sigurinë ndërkombëtare.

    “Në këtë gjeneratë morën pjesë 74 oficerë nga 36 shtete të ndryshme të botës, Majori Bujar Ferizi përfaqësoi Republikën e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Gjendja në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, Ymeri-Vitisë: Pse nuk po ndrrohen çarçafat e shtrati, por po vizllojnë teshat e tua të katit

    Gjendja në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, Ymeri-Vitisë: Pse nuk po ndrrohen çarçafat e shtrati, por po vizllojnë teshat e tua të katit

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri ka reaguar në lidhje me një postim që një nënë e ka bërë mbrëmë, duke publikuar fotografi ku shihet gjendja e rëndë në Klinikën e Pediatrisë në QKYK.

    Ymeri ka thënë se kjo Qeveri është e korruptuar dhe se institucionet po menaxhohen katastrofë, por ministrat sipas saj kanë paraqitje të kuruar.

    “Spitalet pa çarçafa e pa kurfarë shtrati, Vitia si ministër me mindil mëndafshi. Ftoj ministrin të krahasoj pak, shtratin e fëmijëve edhe mindilin e katit. Në fund të dyja paguhen me para nga ne të ngratit. Pyetja është pse nuk po ndrrohen për fëmijet çarçafat e shtrati, por po vizllojnë gjithmonë e më shumë teshat e katit”, ka shkruar Ymeri në rrjetin social Facebook.

  • “Prishtina jeton me muzikë” – Si do të duket në tri net Sunny Hill Festival

    “Prishtina jeton me muzikë” – Si do të duket në tri net Sunny Hill Festival

    Atmosfera e Sunny Hill Festival po rikthehet në Prishtinë, ndërsa kryeqyteti po bëhet gati për tri netë të mbushura me muzikë, energji dhe vizitorë nga e gjithë bota.

    Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga Sunny Hill Festival me përshkrimin “Prishtina Breathes Music” apo “Prishtina jeton me muzikë”, janë publikuar pamje duke sjellë momentet më të veçanta të festivalit dhe atmosferën që ka shoqëruar qytetin.

    Videoja paraqet energjinë e publikut, skenën, rrugët e Prishtinës dhe gjallërinë që krijohet kur mijëra njerëz mblidhen për të festuar.

    Këto pamje vijnë si një paralajmërim i asaj që pritet edhe këtë vit, kur Prishtina do të ndezet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.

    Gjatë edicioneve të kaluara, Sunny Hill Festival ka sjellë në kryeqytet artistë të njohur ndërkombëtarë dhe ka kthyer qytetin në një pikëtakim mes kulturave, muzikës dhe njerëzve nga vende të ndryshme të botës.

  • Vdes gazetari serb Stefan Cvetkoviq, që hetoi vrasjen e Ivanoviqit – kishte denoncuar kërcënime ndaj vëllezërve Vuçiq

    Vdes gazetari serb Stefan Cvetkoviq, që hetoi vrasjen e Ivanoviqit – kishte denoncuar kërcënime ndaj vëllezërve Vuçiq

    Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, i njohur për raportimet dhe hetimet e tij mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka ndërruar jetë të dielën në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku po trajtohej për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

    Lajmi u konfirmua nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e Serbisë, e cila bëri të ditur se Cvetkoviq ishte duke vuajtur një dënim me burg dhe ishte transferuar në VMA më 24 qershor, pasi më parë kishte marrë trajtim në Spitalin Special të Burgut në Beograd.

    “Personi i dënuar Stefan Cvetkoviq ndërroi jetë këtë mëngjes në Akademinë Mjekësore Ushtarake. Të dhënat mbi trajtimin e tij dhe kartelën mjekësore nuk mund të bëhen publike, pasi mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ligjet që rregullojnë të drejtat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për portalin Nova.

    Autoritetet serbe njoftuan se, në përputhje me procedurat ligjore, për rastin janë informuar policia, prokuroria dhe familja e të ndjerit.

    Cvetkoviq u bë i njohur në opinionin publik në vitin 2018, kur u raportua zhdukja e tij në Bela Crkva. Automjeti i tij ishte gjetur me dyert e hapura dhe dritat e ndezura, ndërsa ai u lokalizua rreth 30 orë më vonë pas një operacioni kërkimi nga policia.

    Ai ishte themelues dhe kryeredaktor i televizionit TNT dhe i gazetës Belocrkvanske Novosti, ndërsa gjatë karrierës së tij raportoi për një sërë çështjesh të ndjeshme, veçanërisht për hetimet lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

    Kërcënimet që nisën pas një pyetjeje drejtuar Vuçiqit

    Cvetkoviq kishte raportuar publikisht për një numër të madh kërcënimesh me vdekje ndaj tij dhe familjes së tij në vitin 2015.

    Sipas tij, kërcënimet nisën pasi i bëri një pyetje kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për shtyp në Qeverinë serbe më 7 gusht, lidhur me hetimet për abuzimet në Fondin e Investimeve Kapitale të Vojvodinës.

    “Po atë pasdite, mora për herë të parë ‘sugjerime miqësore’ anonime që të mos ‘ngacmoja’ për këtë, se mund të futesha në telashe për këtë. Më vonë, filluan kërcënime të vazhdueshme nëpërmjet internetit dhe telefonit. Ata kërcënuan se do të më masakronin, do të më vrisnin, do të më thyenin shtyllën kurrizore, do të më vrisnin fëmijën, do të më prisnin gjuhën, do të më thyenin gishtat”, kishte deklaruar ai.

    Proceset gjyqësore

    Në vitin 2017, Cvetkoviq u dënua në shkallën e parë me dy vjet e tre muaj burg, pas tre padive penale private të ngritura kundër tij nga zyrtarë të Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

    Ai u gjobit gjithashtu me 2.15 milionë dinarë (rreth 17 mijë euro), sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në Vršac, të cilat në atë kohë i kishte siguruar agjencia e lajmeve Beta.

    Paditë ishin ngritur nga koordinatori i SNS-së për Banatin Jugor, Branko Malović, kryetari i komunës së Alibunarit, Predrag Beliq, dhe zyrtari i SNS-së, Dejan Simeunoviq.

    Akuzat ndaj tij përfshinin fyerje dhe publikim të paautorizuar të dokumenteve, portreteve dhe regjistrimeve të personave të tjerë.

    Audioincizimi nga burgu: “Nuk do të dal i gjallë”

    Gjatë kohës që ndodhej në burg, Cvetkoviq kishte deklaruar se besonte se nuk do të dilte i gjallë, duke akuzuar drejtpërdrejt presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq.

    Deklarimet e tij u publikuan në një audioincizim të shpërndarë në YouTube të dielën e 12 korrikut.

    “Në mbrëmje rreth orës 23:00 është shtyrë ndërhyrja kirurgjike. Nuk është shtyrje e rastësishme, por e organizuar nga Andrej dhe Aleksandar. Janë sekuestruar laptopët, është arrestuar shoqëria ime. Më shumë se 500 ditë ndodhem në burg, duke m’u shkelur të gjitha të drejtat. Jam transferuar nga një burg në tjetrin pa gjykim. Qëllimi i tyre është të më marrin laptopin dhe telefonin, duke kërkuar diçka që u nevojitet. Nuk kam pasur të drejtë as për një telefonatë.

    Edhe pse duhej t’i nënshtrohesha një ndërhyrjeje kirurgjikale, mjekët po përpiqen të më mbajnë gjallë. Operacioni ishte planifikuar për sot, por mbrëmë u anulua. U anulua me urdhër të ‘Doktor Vdekjes’, i cili urdhrat i merr nga banda e krimit të organizuar në krye me Andrej dhe Aleksandar Vuçiq.

    Kësaj radhe nuk janë përdorur metodat e aksidenteve të inskenuara me veturë, rrëmbimeve, rrahjeve apo të shtënave, por po përdoret gjendja ime e rëndë shëndetësore. Herët ose vonë do të dalë e vërteta për këto krime monstruoze, sepse ka shumë njerëz që i dinë”, dëgjohet të thotë ai në audioincizim.

    Përndjekja dhe hetimet për Oliver Ivanoviqin

    Cvetkoviq ishte ankuar disa herë gjatë viteve të fundit se ishte kërcënuar nga figura politike dhe njerëz me ndikim.

    Ai kishte deklaruar se ishte ndaluar për gjashtë orë në pikën kufitare të Jarinës nga policia serbe.

    Sipas tij, më pas kishte marrë një dokument nga Policia e Kosovës që konfirmonte se, me urdhër të prokurorit special që drejtonte hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ishte ndaluar për t’u marrë në pyetje në një stacion policor pranë Jarinës.

    Gazetari kishte thënë se kishte udhëtuar në Kosovë në kuadër të një hetimi gazetaresk për atentatin ndaj Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.

    “Ata nuk kishin asnjë mënyrë tjetër për të më kontaktuar, pasi vunë re se kisha rënë në kontakt me disa njerëz që ishin interesantë për ta për hetimin”, kishte deklaruar ai për agjencinë Beta.

    Më vonë, Cvetkoviq mbajti një konferencë për shtyp në Beograd me titull “Sa kushton një likuidim në veri të Kosovës”, ku shfaqi fotografi të personave që, sipas tij, ishin të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke pretenduar se atentati ishte paguar me 40 mijë euro./Telegrafi/

  • Pamjet e Britney Spears në autostradë bëjnë bujë – reagon për herë të parë

    Pamjet e Britney Spears në autostradë bëjnë bujë – reagon për herë të parë

    Britney Spears ka reaguar pas kritikave që mori pasi u filmua duke nxjerrë pjesën e sipërme të trupit nga çatia panoramike e një veture Mercedes në një autostradë në Los Angeles.

    Këngëtarja publikoi një mesazh në Instagram, ku tha se publiku po gjykon vetëm “dy sekonda çmendurie”, ndërsa realiteti i jetës së saj është krejtësisht ndryshe.

    “Asgjë nuk është ashtu siç duket”, shkroi ajo.

    Fotografitë e publikuara në media e shfaqin Spears duke qëndruar me kokën dhe trupin jashtë automjetit, me krahët e shtrirë, teksa trafiku në autostradë ishte i ngadalësuar.

    Sipas një burimi pranë këngëtares, ajo doli nga çatia panoramike vetëm për pak çaste për të parë trafikun, pasi automjetet ishin të ndaluara.

    Burimi shtoi se Britney e bënte këtë edhe kur ishte fëmijë dhe se i pëlqen të ndiejë erën e ngrohtë të verës.

    Ai theksoi gjithashtu se këngëtarja është në një periudhë të mirë të jetës, ndihet e lumtur dhe nuk kishte për qëllim të shkelte ligjin apo të rrezikonte askënd.

    Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se projekti për filmin biografik të Britney Spears po vazhdon.

    Skenari i parë do të shkruhet nga Liz Meriwether, kurse regjinë do ta realizojë Jon M. Chu, me producent Marc Platt.

    Filmi pritet të sjellë në ekran historinë e jetës dhe karrierës së njërës prej yjeve më të njohura të muzikës pop.

  • Arrestohet një shofer në Prishtinë,  goditi një këmbësore

    Arrestohet një shofer në Prishtinë, goditi një këmbësore

    Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 17:50, kur i dyshuari, duke drejtuar një automjet, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësore.

    Si pasojë e aksidentit, këmbësorja ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet.

  • Lëvizjet për formimin e institucioneve, sot nuk pritet të ketë takime të reja

    Lëvizjet për formimin e institucioneve, sot nuk pritet të ketë takime të reja

    Takimet e fundit mes liderëve politikë kanë krijuar një dinamikë të re në përpjekjet për formimin e institucioneve, me sinjale se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtuar interesimin për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion.

    Pas kontakteve të zhvilluara ditëve të fundit, palët kanë lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e bisedimeve në ditët në vijim, ndërsa ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

    Telegrafi mëson nga burime brenda partive se gjatë ditës së sotme nuk pritet të ketë takime të reja mes liderëve politikë, megjithatë kjo nuk nënkupton që bisedimet nuk pritet të të vazhdojnë në një moment tjetër.

    Të premten kryeministri në detyrë Albin Kurti priti në takime të ndara Lumir Abdixhikun, kryetar i LDK-së bashkë me Vjosa Osmanin dhe kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, në periudhën kur ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

    Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti e përshkroi procesin e bisedimeve si “një ndërmarrje të madhe e të gjerë”. Abdixhiku, ndërkaq, tha se koha kur bisedimet kanë nisur, i “jep shpresë” për rezultate.

    Deri më 7 gusht deputetët kanë kohë për të konstituuar kuvendin – që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.

    E nga konstituimi fillon të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

    Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

  • Nëna rrëfen tmerrin në Pediatrinë e QKUK-së: Pa higjienë, pa kushte bazike

    Nëna rrëfen tmerrin në Pediatrinë e QKUK-së: Pa higjienë, pa kushte bazike

    Një nënë ka ndarë përvojën e saj pas qëndrimit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku kishte dërguar djalin e saj dyvjeçar për trajtim pas disa ditësh me të vjella dhe diarre.

    Sipas rrëfimit të saj, pas kontrollit mjekësor dhe analizave, fëmija u vendos të shtrohej në Pediatri për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Ajo ka treguar se gjatë qëndrimit në klinikë është përballur me vështirësi që lidhen me mungesën e disa kushteve bazike, duke përmendur pritjen për pranim, vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, si dhe shqetësime për higjienën në dhomën ku duhej të qëndronte djali i saj.

    “Një fëmijë dyvjeçar, i sëmurë, i dehidratuar dhe i lodhur, duhej të shpohej disa herë derisa procedura të kryhej me sukses”, ka shkruar ajo, duke shtuar se kishte kërkuar që procedura të kryhej nga dikush me më shumë përvojë.

    Nëna ka ngritur shqetësime edhe për kushtet në repart, duke pretenduar se në dhomë kishte mungesë të çarçafëve të pastër, sapunit dhe mjeteve bazike të higjienës.

    Ajo ka theksuar se kërkesat e saj nuk lidhen me luks, por me kushte minimale për një ambient ku trajtohen fëmijë të sëmurë.

    “Ne nuk kërkojmë dhoma private apo komoditete të veçanta. Kërkojmë pastërti, higjienë, masa bazike të kontrollit të infeksioneve dhe komunikim profesional me prindërit”, ka deklaruar ajo.

    Në rrëfimin e saj, nëna ka përmendur edhe një situatë pas trajtimit, kur kishte kërkuar heqjen e kanilës së djalit, por sipas saj ishte përballur me vonesa dhe mungesë koordinimi mes stafit të ndërrimeve.

    Ajo ka bërë thirrje për përmirësim të kushteve në institucionet shëndetësore, duke theksuar se sakrifica dhe kujdesi i prindërve për fëmijët nuk duhet të zëvendësojë përgjegjësitë e sistemit shëndetësor.