ATV

Author: K.B.

  • Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga për formimin e institucioneve është hapur – LVV s’do partneritet, por nënshtrim

    Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga për formimin e institucioneve është hapur – LVV s’do partneritet, por nënshtrim

    Bedri Hamza tha se “tash, pas qëndrimit të fundi të LDK-së, rruga është e hapur” për formimin e institucioneve.

    “I kanë numrat, i kanë votat”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, dhe shtoi se Lëvizja Vetëvendosje s’duhet ta mbajë vendin “në vakum institucional, me mungesë stabiliteti politik, e mbi të gjitha, me shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe suspendim të Kushtetuës.

    “Nuk ka situatë më serioze, nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi irendit kushtetues, sesa mosrespektimi i rregullores së punës së Kuvendit, sesa mosrepsektimi i vendimeve të gjykatave, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme”, tha ai.

    Hamza tha se ai nuk ka mundur të ketë rezultate produktive me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkak se, siç tha, ai “nuk do bashkëpunim”, po “nënshtrim”.

    Ai tha se PDK-ja s’ka vendosur “vija të kuqe të bashkëpunimit” dhe “nuk u ka ikur takimeve.

    “Jemi taku. Nuk kanë qenë takime produktive, me rezultat. Zoti Kurti nuk do bashkëpunim, nuk do partneritet – do nënshtrim. Partia Demokratike e Kosovës, bazuar në të gjitha këto fakte, ka ardhur në qëndrimin e saj, i cili është i qartë, është publik, është zyrtar: ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si parti opozitare, me kritika, me alternativa, por edhe me përkrahje të çështjeve të rëndësishme për interesin e vendit”, tha ai.

  • Përfundojnë adresimet nga foltorja e Kuvendit, deputetët e PDK’së dhe AAK’së dalin nga salla

    Përfundojnë adresimet nga foltorja e Kuvendit, deputetët e PDK’së dhe AAK’së dalin nga salla

    Ka përfunduar konferenca e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në foltoren e Kuvendit.

    Nga aty Hamza i bëri thirrje kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të thërrasë seancën konstituive, ndërsa tha se me PDK’në nuk do të mund të komunikohet pa u kthye rendi kushtetues.

    Fjalë mbajti edhe deputeti i AAK’së, Burim Ramadani.

  • Ramadani akuzon pushtetin për ikje nga përgjegjësitë: Po e çojnë Kosovën drejt vakumit institucional

    Ramadani akuzon pushtetin për ikje nga përgjegjësitë: Po e çojnë Kosovën drejt vakumit institucional

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i japë fund vakumit institucional dhe të mundësojë funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

    Ramadani, në një konferencë për media nga foltorja e Kuvendit, tha se është “totalisht e paimagjinueshme” që vakumi institucional të mos konsiderohet si çështje e sigurisë kombëtare.

    “Ajo që e besoj dhe që e kemi shqetësim të gjithë është fakti se Kosova dhe Kuvendi duhet të jenë funksionalë. Për shembull, edhe kërcënimin me rrjedhjen e Ibër-Lepencit, sepse nuk ka kush e trajton. Edhe për çmimet e larta”, tha Ramadani.

    Ai theksoi se askush nuk po e konteston fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit, por sipas tij, është vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që po e konteston situatën politike.

    “Askush nuk po ia konteston fitoren e qershorit. Bindja jonë është që ajo do të jetë fitorja e fundit. Nuk po i kontestojmë në asnjë gjë, është vetë Kurti që po konteston”, u shpreh ai.

    Ramadani akuzoi pushtetin se po shmang përgjegjësitë dhe paralajmëroi se AAK-ja nuk do të lejojë që Kosova të mbetet në vakum institucional.

    “Gjithçka që po bëjnë është që po ikin nga përgjegjësitë. Këtë nuk do ta lejojmë. E kemi për obligim që të mos e lejojmë Kosovën të futet në vakum institucional”, deklaroi ai.

    Ai shtoi se nëse pas kësaj situate fshihen qëllime të tjera, “do ta shohim”, duke e cilësuar vakumin institucional si çështje thelbësore për funksionimin dhe sigurinë e vendit.

  • Raportohet se është arrestuar një person që kërcënoi ish-presidenten Vjosa Osmani me “vdekje” e “plumb”

    Raportohet se është arrestuar një person që kërcënoi ish-presidenten Vjosa Osmani me “vdekje” e “plumb”

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot Beki Sylejmanin, të dyshuarin për kanosjen e ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    I dyshuari kishte shkruar në Facebook: “Mas more se ajo qe e shet venin pak esht plumbi per te rnoft Albini me popullin”, kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj ish-presidentes, transmeton Klankosova.tv

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari i rasti është arrestuar sot dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë/ 15.06.2026-14:00. Me 14.08.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti përmes rrjetit social kishte kanosur ankuesen femër kosovare. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Predikuesi islamik nga Bosnja pritet të dëbohet nga Kosova, BIK-u thotë se s’ishte në dijeni për ardhjen e tij

    Predikuesi islamik nga Bosnja pritet të dëbohet nga Kosova, BIK-u thotë se s’ishte në dijeni për ardhjen e tij

    Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova, pasi një ditë më parë ishte shoqëruar nga Policia e Kosovës para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.

    Kështu tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një burim i informuar për organizimin dhe qëndrimin e Peziqit në Kosovë.

    Sipas këtij burimi, deri më tani nuk ka informacione të tjera për arsyet e shoqërimit të Peziqit.

    Policia e Kosovës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për konfirmim dhe informacione shtesë lidhur me rastin.

    Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë i tha REL-it se BIK-u nuk kishte qenë në dijeni për ardhjen e Peziqit dhe aktivitetet e tij në Kosovë.

    Sipas BIK-ut, Peziqi nuk kishte kërkuar leje apo pëlqim për aktivitetin, ndërsa institucioni nuk kishte ofruar mbështetje materiale apo logjistike për vizitën e tij.

    BIK-u konfirmoi se ka pasur komunikim me Policinë e Kosovës lidhur me rastin.

    “Policia e Kosovës na është drejtuar me shkresë dhe ne jemi përgjigjur”, tha Këshilli i BIK-ut në Pejë, pa dhënë detaje për përmbajtjen e komunikimit.

    Këshilli i BIK-ut shtoi se çdo aktivitet fetar në objektet fetare apo në objekte të tjera duhet të ketë lejen ose pëlqimin e institucionit fetar.

    Xhemati i një xhamie në Dobrushë kishte shpërndarë në rrjetet sociale njoftimin për aktivitetin e planifikuar të Peziqit.

    Peziq u shoqërua të enjten për intervistim informues, para një aktiviteti ku ishte planifikuar të merrte pjesë në Vitomiricë.

    Lajmin për REL-in e kishte konfirmuar Rexho Kojiq nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, e cila ishte organizatore e aktivitetit.

    Kojiq kishte thënë se Peziq ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe se ai kishte hyrë rregullisht në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, me dokumente të Bosnje e Hercegovinës.

    Sipas tij, Policia i kishte thënë se Peziq do të mbahej për gjashtë orë për verifikim të identitetit dhe se nuk kishte nevojë për angazhimin e një avokati.

    Kojiq kishte thënë gjithashtu se Peziqi ishte pyetur nëse kishte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për mbajtjen e aktivitetit.

    “Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, kishte thënë Kojiq.

    REL-i ka kontaktuar edhe Komunat e Pejës dhe Prizrenit, si dhe Bashkësinë Islame të Kosovës, për të kërkuar informacione nëse kanë qenë në dijeni të vizitës së Peziqit, nëse kanë pasur rol në organizimin e aktiviteteve dhe nëse ka pasur ndonjë mbështetje apo financim institucional për vizitën e tij.

    Në aktivitet ishte planifikuar të merrte pjesë edhe Mithad Qeman, po ashtu predikues islamik, i cili, sipas Kojiqit, ishte shoqëruar nga Policia, por ishte liruar menjëherë.

    Peziq dhe Qeman kishin planifikuar të promovonin një libër në Vitomiricë dhe më pas të zhvillonin një aktivitet në Dobrushë të Istogut. Për të premten ishte planifikuar edhe një aktivitet në Reçan të Prizrenit.

    Kush është Elvedin Peziq?

    Peziq është një predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, i cili prej vitesh është aktiv në internet dhe njihet për qëndrime konservatore dhe si një nga predikuesit që identifikohen me selefizmin.

    Ai ka më shumë se 300 mijë ndjekës në Facebook dhe është aktiv edhe në platforma të tjera, ku publikon ligjërata, këshilla fetare dhe komente për çështje shoqërore.

    Qëndrimet e tij janë kritikuar në të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë. Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës kishte reaguar ndaj një deklarate të Peziqit për rolin e gruas në shoqërinë perëndimore, duke vlerësuar se qëndrime të tilla nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

    Kojiq, megjithatë, kishte thënë për REL-in se, sipas tij, Peziq nuk paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës.

    “Po të kishte pasur çfarëdo indikacioni për diçka të tillë, ne nuk do ta kishim mbështetur një tubim të tillë”, kishte deklaruar ai.

    REL-i është në pritje të përgjigjes së Policisë së Kosovës për të sqaruar arsyet e shoqërimit, statusin e Peziqit dhe bazën e mundshme ligjore për largimin e tij nga Kosova.

  • AKB: Mungesa e dialogut politik po e thellon krizën dhe po frenon investimet

    AKB: Mungesa e dialogut politik po e thellon krizën dhe po frenon investimet

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.

    Sipas AKB-së, moskonstituimi i Kuvendit, mungesa e dialogut politik dhe pamundësia për të gjetur një zgjidhje institucionale po e thellojnë krizën dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve në institucionet e Kosovës.

    “Partia fituese ka përgjegjësinë e parë për krijimin e institucioneve, ndërsa opozita ka përgjegjësinë demokratike të marrë pjesë në funksionimin e Kuvendit, të kontrollojë, kritikojë dhe votojë sipas mandatit të saj. Opozita nuk është e obliguar të hyjë në Qeveri, por është e obliguar të ushtrojë mandatin e saj parlamentar”, thuhet në reagimin e AKB-së.

    “Kur dialogu politik mungon, kur rregullat kushtetuese dhe parlamentare nuk respektohen dhe kur debati politik kalon në përplasje fizike, atëherë cenohet vetë demokracia dhe funksionimi institucional i shtetit.

    Kuvendi është vendi i debatit, argumentit dhe votës – jo i konfrontimit fizik.

    Kosova nuk mund të mbahet peng nga inatet partiake. Institucionet nuk mund të funksionojnë pa dialog, ndërsa ekonomia nuk mund të presë.

    Çdo ditë e bllokimit institucional rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët, frenon vendimmarrjen ekonomike dhe dëmton imazhin e Kosovës si destinacion për investime”, thuhet më tutje në reagim.

    AKB u bën thirrje të gjitha partive politike që të ulen në dialog, të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat demokratike, ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë institucione funksionale.

    “Kosova ka nevojë për vota, jo për përleshje; për dialog, jo për bllokadë; për institucione, jo për krizë të përhershme. Interesi i shtetit, qytetarëve dhe ekonomisë duhet të jetë mbi çdo interes partiak”.

  • Dalin pamjet: Momenti kur vetura bëhet “shkrumb e hi” në rrugën Prishtinë-Ferizaj, u dogj derisa ishte në lëvizje

    Dalin pamjet: Momenti kur vetura bëhet “shkrumb e hi” në rrugën Prishtinë-Ferizaj, u dogj derisa ishte në lëvizje

    Një veturë është djegur në orët e para të mëngjesit në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.

    Në pamjet e siguruara nga IndeksOnline shihet se vetura është bërë “shkrumb e hi”.

    Portali po ashtu ka siguruar edhe videot e momentit kur vetura merr flakë.

  • 100 kadetë bëhen pjesë e SHKK-së, Dibrani: Siguria dhe dinjiteti njerëzor ecin bashkë

    100 kadetë bëhen pjesë e SHKK-së, Dibrani: Siguria dhe dinjiteti njerëzor ecin bashkë

    100 kadetë kanë përmbyllur me sukses përgatitjen profesionale dhe nga sot do t’i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), raporton Ekonomia Online.

    Në ceremoninë e diplomimit, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor, duke theksuar rëndësinë e tyre jo vetëm në garantimin e sigurisë dhe rendit, por edhe në proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.

    Dibrani, tha se kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë.

    “Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Por mbi të gjitha, kjo është dita kur ju bëni përsipër një përgjegjësi të madhe. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju”, tha Dibrani.

    Ai theksoi se nga sot kadetët do të kenë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese.

    “ Nga dita e sotme, ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet tona korrektuese. Por puna juaj do të jetë shumë më tepër se kaq.

    Ne kemi një mision më të gjerë. Ne duhet të garantojmë sigurinë, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim, riintegrim dhe ndryshim. Sepse për çdo person që hyn në një institucion korrektues, duhet të ekzistojë mundësia që një ditë të kthehet në shoqëri si njeri i doreshëm për shoqërinë dhe i përgjegjshëm. Dhe në këtë proces, roli juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

    Dibrani tha se profesionalizmi dhe respekti për dinjitetin njerëzor duhet të jenë pjesë e ushtrimit të detyrës.

    “Ndoshta një ditë fjalët e tuaja, një vendim i drejtë, një sjellje profesionale apo një mundësi që i jepni dikujt për të ndryshuar do të ketë ndikim shumë më të madh sesa mund ta imagjinoni sot.

    Duhet ta kuptoni se siguria dhe respekti për dinjitetin njerëzor nuk janë të kundërta, ato ecin bashkë. Ligji është udhërrëfyesi juaj, profesionalizmi është forca juaj, integriteti është mbrojtja juaj, dhe respekti për njeriun duhet të jetë gjithmonë pjesë e mënyrës se si ushtroni autoritetin tuaj”, tha Dibrani.

    Duke iu drejtuar familjarëve të kadetëve, Dibrani tha se edhe ata kanë pjesë në suksesin e tyre.

    “Të nderuar familjarë, pas secilit prej këtyre 100 kadetëve qëndron një familje. Një familje që ka qenë pranë tyre në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira. Një familje që ka pritur, ka inkurajuar dhe ka besuar. Prandaj, kjo është dita juaj. Kjo diplomë është gjithashtu dëshmi e mbështetjes që ju keni dhënë.

    Sot keni të drejtë të jeni krenarë, sepse nga sot djemtë dhe vajzat, bashkëshortët dhe bashkëshortet, vëllezërit dhe motrat tuaja do të shërbejnë në një ndër institucionet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.

    Në fund, Dibrani tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve dhe mbështetjes së nevojshme për zyrtarët e rinj. “Dhe unë ju premtoj se Shërbimi Korrektues do të vazhdojë të punojë që ata të kenë kushte, përgatitje dhe mbështetje të nevojshme për ta ushtruar me dinjitet këtë profesion”, përfundoi Dibrani.

  • Kurti shfaqet në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Shërbimit Korrektues

    Kurti shfaqet në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Shërbimit Korrektues

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot u shfaq në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Shërbimit Korrektues ku mbajti edhe një fjalë rasti.

    Ngjarja vjen pasi deputetë të PDK’së qëndruan sot para ndërtesës së Qeverisë për t’i kërkuar Kurtit nisjen e formimit të institucioneve, duke e quajtur uzurpator të Zyrës së Kryeministrit.

    Kurti në këtë ceremoni foli për përgjegjësinë e detyrat që kanë zyrtarët korrektues pas diplomimit.

    Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pakonstituuar pas kërkesës së Kurtit për “kohë shtesë” për bisedime me partitë politike.

    Ndërkaq, nga LDK dje u deklaruan se qëndrojnë në opozitë dhe i bënë thirrje Kurtit që të gjejnë bashkërisht partitë shqiptare një President jopartiak, i cili duhet ta mbrojë “Republikën dhe kushtetueshmërinë”.

  • Prokurori: I dyshuari e pranoi se ishte rekrutuar nga BIA dhe kishte kontakte të vazhdueshme me zyrtarët serbë

    Prokurori: I dyshuari e pranoi se ishte rekrutuar nga BIA dhe kishte kontakte të vazhdueshme me zyrtarët serbë

    Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh.

    Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se nga provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA.

    “Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali.

    Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë.

    Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

    Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai.

    Prokurori Kodraliu ka thënë se Fehim Sali është duke u hetuar për më shumë se një vit, mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ai u shpreh se nuk mund të japin më shumë informacione.

    “I njëjti ka qenë duke u hetuar për më shumë se një vit. Ndaj tij kemi zbatuar masat e veçanta hetimore dhe, nga hetimet që kemi zhvilluar, i njëjti ka pasur kontakte të ndryshme me zyrtarë të tjerë vendorë dhe me autoritete të Serbisë.

    Për shkak të hetimit që jemi duke zhvilluar dhe ndjeshmërisë së rastit, kërkojmë mirëkuptim nga ju që në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informacione”, përfundoi ai. /Ekonomiaonline