ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu e mbron stafin e Kuvendit për deklaratën problematike, thotë se ajo është adresa ku opozita duhet të ankohet

    Haxhiu e mbron stafin e Kuvendit për deklaratën problematike, thotë se ajo është adresa ku opozita duhet të ankohet

    U.d presidentja Albulena Haxhiu, ka reaguar pas tensioneve të djeshme në parlament, duke kritikuar partitë e tjera, ku ka thënë se këto të fundit ‘’ nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje’’.

    Haxhiu, ka shtuar edhe se, nëse partitë e tjera kanë vërejtje ndaj punës së saj, atëherë, ato duhet t’i adresojnë ato drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionale.

    ‘’ Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre. Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.’’, ka shkruar ajo.

    Postimi:

    Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike.

    Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale.

    Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre.

    Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.

    Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.

  • Tahiri i çon letër Deharit, kërkon takim për ‘‘koordinimin’’ e seancës së radhës: Duhet të mbahet nesër

    Tahiri i çon letër Deharit, kërkon takim për ‘‘koordinimin’’ e seancës së radhës: Duhet të mbahet nesër

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se, kryesuesit të seancës, Avni Deharit, i ka kërkuar takim ‘’ lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës’’, e cila, ka shtuar Tahiri, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.

    Tahiri, ka deklaruar edhe se, ai ka propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.

    Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.

    Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit.

    Pas takimit do t’ju drejtohemi mediave në hollin e kuvendit.

  • Vudi Xhymshiti publikon fotomontazh me AI, Time Kadriaj thotë se do ta denoncojë në Gjykatë: S’e kam takuar Llugiqin

    Vudi Xhymshiti publikon fotomontazh me AI, Time Kadriaj thotë se do ta denoncojë në Gjykatë: S’e kam takuar Llugiqin

    Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ke hedhur poshtë raportimet se ajo në të kaluarën e kishte takuar personin, Skender Llugiqin, që dje bëri thirrje për pushkatimin e Ramush Haradinajt.

    Kadrijaj, ka thënë se fotoja e shpërndarë ku shihet ajo dhe Llugiqi, është bërë me inteligjencë artificiale dhe s’është e vërtetë.

    Deputetja e Aleancës, po ashtu ka paralajmëruar që do e denoncojë Vudi Xhymshitin i cili edhe e ka publikuar foton, duke thënë se le të merret drejtësia me këtë të fundit.

    Postimi:

    Të nderuar qytetar, se ku ka arrit poshtërsia e këtij pushteti po e dëshmoj tani.

    Me intilegjens artificiale e postuar nga Vudi Xhymshiti në rrjete sociale, se gjoja une kam takuar Skender Llugiqin, përsonin që ka kërcnuar Komandantin Ramush Haradinaj. Kjo nuk qëndron dhe është e pa vërtet.

    Personin në fjalë do ta denoncoj, dhe le të merren organet e drejtësis me të.

    Jeni në ramje të lirë, kësaj radhe ju ka dal fëtyra e vërtet.

  • Aksion në “Qarshinë e Gjatë” në Pejë, Policia sekuestron 86 thika e 19 boksa metali

    Aksion në “Qarshinë e Gjatë” në Pejë, Policia sekuestron 86 thika e 19 boksa metali

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Pejë ka sekuestruar mjete të mprehta, boka metali, e shufër metalike.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, policët, nё “Qarshinё e Gjatё”, kanë vërejtur shitës ambulant duke u shitur mjete te mprehta e boksa metali, përcjell Gazeta Express.

    Nga policia shtohet edhe se ata kanë sekuestruar 86 mjete të mprehta (brisk); 19 boksa metalik; dy (2) shufra metali; dhe, tri (3) fatrolla thike.

    Komunikata:

    Sekuestrohen mjete tё mprehta, boksa metali, shufёr metalike nё Pejё

    Pejë, 13 gusht 2026

    Stacioni Policor Pejё, me datë 05.08.2026, gjatё aktiviteteve Policore nё “Qarshinё e Gjatё”, janё vërejtur se nga shitësit ambulant janё duke u shitur mjete te mprehta, boksa metali etj.

    Policia nё bashkёpunim me inspektorёt e tregut kanё sekuestruar njё sasi tё konsiderueshme tё kёtyre mjeteve.

    Nё vazhdёn e kёtij aktiviteti me datё 12.08.2026, nё tё njëjtin lokacion, inspektorёt e tregut nё asistim nga zyrtaret Policor tё Stacionit Policor nё Pejё, duke përfillur procedurat ligjore, tek personat e dyshuar (shitёs ambulant) janё gjetur dhe sekuestruar:

    tetёdhjetё e gjashtё (86) mjete tё mprehta (brisk)

    nёntёmbёdhjetё (19) boksa metalik

    dy (2) shufra metali

    tri (3) fatrolla thike

  • 25-vjet nga Marrëveshja e Ohrit: Paqe pa pajtim

    25-vjet nga Marrëveshja e Ohrit: Paqe pa pajtim

    Njëzet e pesë vjet pasi Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, analistët paralajmërojnë se paqja ndërmjet komuniteteve etnike mbetet e brishtë.

    Armët heshtën në vitin 2001, por Maqedonia e Veriut ende po përballet me trashëgiminë e konfliktit të saj etnik. Njëzet e pesë vjet pasi Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund luftimeve, maqedonasit etnikë dhe shqiptarët jetojnë në paqe, megjithatë analistët thonë se pajtimi i vërtetë ende nuk është arritur.

    Konflikti gjashtëmujor që shpërtheu në shkurt të vitit 2001 shpesh përshkruhet si kapitulli i fundit i shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Por, ndryshe nga luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, ai u ndal përpara se të shndërrohej në një tragjedi më të madhe, kryesisht falë një kompromisi politik të ndërmjetësuar nga NATO-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

    Fazë e re

    Një çerek shekulli më vonë, rendi politik i krijuar nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit po hyn në një fazë të re.

    Pas rikthimit në pushtet të partisë konservatore VMRO-DPMNE dy vjet më parë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia kryesore shqiptare, kaloi në opozitë. Ky zhvillim u dha fund dy dekadave të ndikimit qeverisës të Ali Ahmetit, i cili nga udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) gjatë konfliktit të vitit 2001 u shndërrua në një nga figurat politike më me ndikim në vend.

    Ahmeti, i cili pas Marrëveshjes së Ohrit zëvendësoi uniformën guerile me kostume të zeza elegante dhe këmisha të bardha, tani argumenton se marrëdhëniet ndëretnike janë përkeqësuar gjatë dy viteve të fundit.

    “Sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, shfuqizimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, dobësimi i mekanizmave të krijuar për të parandaluar sundimin e shumicës dhe promovimi i një koncepti monoetnik të shtetit janë sinjale serioze për drejtimin në të cilin po lëviz vendi”, tha ai në një deklaratë me rastin e 2 gushtit, festës kombëtare të Maqedonisë së Veriut.

    Si vend me një pakicë të madhe shqiptare, Maqedonia e Veriut ka kaluar pjesën më të madhe të 25 viteve të fundit duke u përpjekur të balancojë diversitetin e saj etnik brenda një sistemi të qëndrueshëm politik. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 29,5% të popullsisë, ku përfshihen edhe 24,3% e atyre janë banorë rezidentë.

    Për Bujar Osmanin, zyrtar i lartë i BDI-së dhe ish-ministër i Jashtëm, pyetja kryesore nuk është më se sa nga Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, por nëse arritjet e saj mund të ruhen. “Në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, pyetja nuk është më vetëm se çfarë kemi zbatuar që nga viti 2001. Pyetja është nëse do të lejojmë që brenda pak vitesh të çmontohet ajo që e ka mbajtur Maqedoninë e Veriut stabile për dy dekada e gjysmë”, tha ai për DW.

    Viti 2001: Një plagë ende e pashëruar plotësisht

    Trashëgimia e konfliktit të vitit 2001 vazhdon të ndihet thellë. Luftimet morën jetën e 72 ushtarëve dhe policëve, ndërsa numri i kryengritësve shqiptarë të vrarë mbetet i diskutueshëm, me vlerësime që luhaten nga rreth 100 deri në disa qindra. Më shumë se 170.000 vetë u zhvendosën, përfshirë 74.000 brenda vendit.

    Marrëveshja Kornizë e Ohrit që i dha fund konfliktit riformësoi sistemin politik të Maqedonisë së Veriut, duke vendosur mekanizma të ndarjes së pushtetit për t’u dhënë komuniteteve pakicë një zë më të madh në vendimmarrje. Ligjet që prekin çështje të ndjeshme, si gjuha, arsimi dhe simbolet kombëtare, kërkojnë mbështetje jo vetëm nga shumica parlamentare, por edhe nga përfaqësuesit e grupeve pakicë.

    Megjithëse në përputhje të madhe me standardet evropiane për të drejtat e pakicave, ky sistem nuk i dha fund mosmarrëveshjeve mbi barazinë dhe përfaqësimin.

    “Marrëveshja realizoi një pjesë të madhe të misionit të saj historik, por thelbi i saj nuk mund të konsiderohet i përfunduar. Ohri nuk është një listë administrative detyrash që plotësohet një herë e më pas arkivohet. Ai është një sistem ekuilibri që duhet respektuar vazhdimisht”, tha Osmani.

    Edhe shumica maqedonase shpreh pakënaqësi

    Qëndrime të ndryshme mbi trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit mbeten në qendër të debatit. Ndërsa shumë maqedonas etnikë argumentojnë se politikat e përfaqësimit pozitiv kanë krijuar avantazhe të padrejta për shqiptarët, politikanët shqiptarë thonë se shqetësimi i vërtetë është gërryerja graduale e të drejtave të garantuara nga marrëveshja. “Ka diskriminim që shqetëson shumë njerëz në komunitetin maqedonas, sepse shqiptarëve shpesh u jepet përparësi në punësim për të përmbushur kuotat e përfaqësimit në sektorin publik”, tha Stojançe Angellov, gjeneral policie gjatë konfliktit të vitit 2001.

    Angellov tha se praktika të tilla vendosin përkatësinë etnike përpara kualifikimeve.

    Osmani e kundërshton këtë narrativë, duke argumentuar se politikat e fundit qeveritare kanë dobësuar mbrojtjet për shqiptarët që u vendosën pas konfliktit. “Fillimisht, e gjithë kjo fshihej pas propagandës politike, shpjegimeve teknike dhe pretendimeve se bëhej fjalë vetëm për modernizimin e sistemit. Sot, ndërsa kjo zhurmë po shuhet gradualisht, po bëhet shumë më e qartë se çfarë po vihet realisht në pikëpyetje”, tha ai.

    Nacionalizmi mbrojtës në rritje

    Vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë paralajmërojnë se vitet e krizave politike dhe mosmarrëveshjeve mbi identitetin kombëtar kanë ngadalësuar reformat dhe kanë përforcuar ndarjet etnike.

    Harald Schenker nga OJQ-ja gjermane “Pro Peace” thotë se Marrëveshja e Ohrit i transformoi institucionet e Maqedonisë së Veriut, por jo domosdoshmërisht marrëdhëniet mes komuniteteve. “Distanca etnike po rritet, sistemi arsimor mbetet i ndarë dhe të dy komunitetet po e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin”, tha ai për DW.

    Sipas Schenkerit, marrëveshja krijoi institucione dhe rregulla të reja qeverisjeje, por nuk arriti të nxisë pajtimin ose një vizion të përbashkët për të ardhmen. “Secila palë ruan interpretimin e vet për atë që ndodhi në vitin 2001. Njëzet e pesë vjet më vonë, ekziston nevoja për platforma ku njerëzit mund t’i diskutojnë hapur këto dallime. Perspektiva të ndryshme ekzistojnë, por njerëzit duhet të flasin me njëri-tjetrin”, tha ai.

    Në të njëjtën kohë, vitet e ngecjes së integrimit në BE kanë ushqyer pasiguri për drejtimin e vendit. Maqedonia e Veriut u bë vend kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, por negociatat ende nuk kanë filluar zyrtarisht. Pas tejkalimit të një mosmarrëveshjeje shumëvjeçare me Greqinë për emrin e shtetit, Shkupi u përball me pengesa të reja që burojnë nga kërkesat e Bullgarisë lidhur me historinë, gjuhën dhe identitetin kombëtar.

    Ky ngërç i zgjatur jo vetëm që ka dekurajuar përpjekjet reformuese, por ka thelluar edhe tensionet ndëretnike, pasi perspektiva e zbehtë e anëtarësimit në BE ka larguar një nga projektet e pakta unifikuese që ndanin si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët.

    Në këtë sfond, pyetjet mbi të ardhmen e Maqedonisë së Veriut mbeten ngushtë të lidhura me trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit. Muajin e ardhshëm, vendi do të shënojë 35-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia.

    Osmani nuk beson se vendi rrezikon një konflikt të ri, por paralajmëron se tensionet etnike mund të rriten gradualisht. “Nuk besoj se qytetarët duan një problem të ri. Por tensionet etnike nuk fillojnë me konflikt. Ato fillojnë kur një komunitet humbet gradualisht besimin se sistemi e trajton si të barabartë”, tha ai.

    Edhe Angellov ndan të njëjtin mendim: “Për mua, arritja më e madhe është, se ndërsa dikur e shikonim njëri-tjetrin përmes shënjestrës së pushkës, sot pi kafe me disa nga veteranët e UÇK-së shqiptare”, tha ai. /DW

  • Gruda: Haradinaj është hero i gjallë, thirrja për pushkatim është trishtuese

    Gruda: Haradinaj është hero i gjallë, thirrja për pushkatim është trishtuese

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj thirrjes së një mërgimtari për pushkatimin e Ramush Haradinajt në Kuvend.

    Gruda tha se, pavarësisht dallimeve politike, statusi i Haradinajt si figurë e luftës nuk vihet në diskutim.

    “Ramush Haradinaj është një hero i gjallë i Kosovës, ajo nuk diskutohet”, tha Gruda.

    Ai e cilësoi thirrjen si “trishtuese”, duke pretenduar se propaganda politike ka ndikuar në krijimin e një klime të tillë.

    Personi që bëri thirrjen u arrestua nga Policia e Kosovës.

  • Kush është i arrestuari për spiunazh?

    Kush është i arrestuari për spiunazh?

    Fehim Sali është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

    Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq.

    Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes, raporton rtk.

    Po ashtu, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.

  • Dy persona raportohen të zhdukur në Viti, rastet po hetohen

    Dy persona raportohen të zhdukur në Viti, rastet po hetohen

    Dy raste të personave të zhdukur janë raportuar në Viti, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dyja rastet janë duke u hetuar.

    Sipas raportit policor, rasti i parë është raportuar më 12 gusht 2026, nga një grua kosovare, e cila ka njoftuar se vëllai i saj, i cili ka probleme të shëndetit mendor, ishte larguar nga shtëpia më 9 gusht dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e tij.

    Rasti është regjistruar si person i zhdukur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për gjetjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të zhdukjes.

    Rasti i dytë është raportuar po më 12 gusht, nga një burrë kosovar, i cili ka deklaruar se djali i tij ishte larguar nga shtëpia më 7 gusht rreth orës 14:00 dhe nuk dihet se ku ndodhet.

    Edhe për këtë rast, Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar vendndodhjen e personit të zhdukur.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e personave apo rrethanat e rasteve, ndërsa hetimet për të dyja ngjarjet janë në vazhdim.

  • Fehim Sali, raportohet të jetë i arrestuari që dyshohet se spiunonte për BIA-n

    Fehim Sali, raportohet të jetë i arrestuari që dyshohet se spiunonte për BIA-n

    Fehim Sali, është i arrestuari nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

    Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq, shkruan RTK.

    Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.

    Po ashtu, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e Alleksandar Vuçiqit.

  • Martesa e Ronaldos: Unaza e nuses vlen mbi 8 milionë euro

    Martesa e Ronaldos: Unaza e nuses vlen mbi 8 milionë euro

    Unaza e fejesës së Georgina Rodríguez, partneres së Cristiano Ronaldos, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, sidomos për shkak të vlerës marramendëse.

    Ekspertët e bizhuterive kanë dhënë vlerësime të ndryshme për çmimin e saj, nga rreth 1.7 milionë euro deri në mbi 8.6 milionë euro, varësisht nga madhësia, pastërtia, ngjyra dhe prerja e diamantit.

    Një vlerësim i Forbes dhe Heritage Auctions e vendos unazën në rreth 2.6 milionë euro, ndërsa vlerësime të tjera e çojnë atë deri në 4.3 milionë euro.

    Diamanti qendror, me prerje ovale, është vlerësuar nga disa ekspertë në mbi 25 karatë, ndërsa një prej vlerësimeve më të larta e çon madhësinë deri në 50 karatë.

    Megjithatë, çmimi dhe madhësia e saktë e diamantit nuk janë konfirmuar zyrtarisht.