ATV

Author: K.B.

  • Dosja e Prokurorisë: Si fotografoheshin zyrtarët e AKI-së nga Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh

    Dosja e Prokurorisë: Si fotografoheshin zyrtarët e AKI-së nga Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh

    Fehim Sali ka dalë sot më 14.08.2026 para Gjykatës Themelore në Prishtinë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit.KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj të dyshuarit ku përshkruhen veprimet e të pandehurit.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Fehim Sali nga një datë e pacaktuar e deri gjatë arrestimin e tij, me datë 13.08.2026, në territorin e Republikës së Kosovës dhe atë të Serbisë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit material, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Republikës së Serbisë, i njohur si BIA, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s.

    Tutje, sipas dosjes, i dysharu Fehim Sali ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), dhe të njëjtit janë fotografuar nga i arrestuari me qëllim identifikimin e tyre.

    Sipas PSRK-së, Sali ka ofruar informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshme për kontaktim dhe rekrutim.

    Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i dyshuari Fehim Sali ka ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Republikës së Serbisë, si dhe ka krijuar dhe mbajtur kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi dhe në Republikën e Kosovës, nga komunitetet jo shumicë, të cilëve këtyre të fundit edhe u ka ofruar udhëzime dhe orientime për mënyrën e veprimit politik, të gjitha këto me qëllim të sigurimit, mbledhjes dhe përcjelljes së informatave me interes për BIA-n serbe dhe realizimit të interesave të këtij shërbimi inteligjent të huaj.

    Sipas prokurorisë, përmes këtyre veprimeve, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, kështu duke cenuar dhe dëmtuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe i dyshuari për spiunazh Fehim Sali është mësimdhënës nga qyteti i Dragashit.Sali është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit, ndërsa sot në orët e paradites pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj tij.

    Fehim Salim është arrestuar më 13.08.2026 në njërën nga pikat kufitare të Kosovës.KALLXO.com nga burime brenda institucioneve të drejtësisë kishte mësuar se Fehim Sali është i arrestuari nga autoritetet e vendit për dyshime për spiunazh.

    Arrestimi i Sali u bë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në pikën kufitare në Merdare, pikë kjo në Podujevë.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në pikën kufitare në Merdare të Podujevës, kanë arrestuar një shtetas të Republikës së Kosovës, me inicialet F. S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

  • Instagram ndryshon logon pas 10 vitesh

    Instagram ndryshon logon pas 10 vitesh

    Gjiganti teknologjik Meta ka prezantuar zyrtarisht logon e re të platformës Instagram, duke shënuar ndryshimin e parë vizual të saj në dhjetë vitet e fundit.

    Drejtori i Instagramit, Adam Mosseri, njoftoi përmes një postimi ndryshimin e emrit tregtar (wordmark), duke shpjeguar se stili i vjetër nuk kishte ndryshuar prej një dekade.

    Sipas tij, versioni i ri është më i pastër dhe modern, ndërsa ruan thjeshtësinë dhe elementet artistike që e kanë karakterizuar gjithmonë aplikacionin.

    Ndërkohë, ikonat e tjera, përfshirë atë të kamerës me ngjyra të ndryshme, kanë mbetur të pandryshuara.

    Megjithatë, reagimet kritike dhe ironitë në rrjetet sociale nuk vonuan.

    Shumë përdorues vunë re menjëherë se shkronja “r” në logon e re të stilizuar ngjan lehtësisht me shkronjat “z” ose “u”, ndërsa shkronja “s” duket si një “a”.

    Kjo bëri që komentuesit të ironizonin se emri i ri mund të lexohet si “Instagzam”, “Instagwam” (siç do ta shqiptonte një fëmijë i vogël), apo edhe “Instaguam”.

    Të tjerë kritikuan aspektin praktik të dizajnit, duke argumentuar se logoja e re është e vështirë për t’u lexuar dhe nuk i plotëson testet e aksesueshmërisë.

    Përveç kritikave ndaj dizajnit, një pjesë e madhe e përdoruesve e shfrytëzuan ndryshimin për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me probleme më të mëdha të platformës, përfshirë mungesën e filtrave për përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) dhe numrin e madh të profileve false (bot).

    Llogari të mëdha me miliona ndjekës i bënë thirrje Mosserit që, në vend të ndryshimeve vizuale, të fokusohet në mbështetjen e krijuesve të përmbajtjes dhe në zgjidhjen e problemit të mbylljes së llogarive pa sqarime zyrtare.

  • PDK sërish ‘ia zë’ derën Kurtit para Qeverisë: Do të vazhdojmë deri në rikthimin e rendit kushtetues

    PDK sërish ‘ia zë’ derën Kurtit para Qeverisë: Do të vazhdojmë deri në rikthimin e rendit kushtetues

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shkuar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Sipas tyre, Kurti jashtëligjshëm po e ushtron detyrën e kryeministrit në detyrë të vendit pas betimit si deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

    “Edhe sot jemi para Qeverisë për t’i thënë Albin Kurtit dy gjëra:E para: në këtë ndërtesë je uzurpator. E dyta: eja në Kuvend që ta konstituojmë atë. Hape rrugën për funksionimin e institucioneve”, shkruhet në postimin e PDK-së.

  • Bullgaria do të mirëpresë “Eurovision 2027”, zbulohet qyteti që është përzgjedhur për festivalin

    Bullgaria do të mirëpresë “Eurovision 2027”, zbulohet qyteti që është përzgjedhur për festivalin

    Burgasi, një qytet bregdetar në Bullgari në Detin e Zi, është zgjedhur për të pritur Eurovisionin në maj 2027, njoftuan organizatorët në një deklaratë të enjten.

    Është hera e parë që Bullgaria do të organizojë konkursin pas fitores historike të këngëtares 27-vjeçare Dara me këngën ‘Bangaranga’ në edicionin e këtij viti të mbajtur në Vjenë në maj.

    “Jemi të kënaqur që Burgasi do të jetë Qyteti Pritës i Festivalit të Këngës në Eurovision 2027. Për Festivalin e Këngës Eurovision që do të mbahet për herë të parë në Bullgari, ne duam të krijojmë diçka që të ndihet vërtet bullgare, por njëkohësisht të jetë padyshim Eurovision – një festë që i bashkon njerëzit përmes muzikës”, tha Martin Green, drejtori i festivalit.

    Gjysmëfinalet do të mbahen më 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 15 maj.

    Arena Burgas, në qytetin e katërt më të madh të Bullgarisë, do të mirëpresë mijëra tifozë nga e gjithë bota për shfaqjen drejtpërdrejt, e cila do të ndiqet nga miliona njerëz.

  • NATO ngre avionët luftarakë pas hyrjes së një droni në hapësirën ajrore të Letonisë

    NATO ngre avionët luftarakë pas hyrjes së një droni në hapësirën ajrore të Letonisë

    Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën në ajër mëngjesin e sotëm dhe rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftoi Forca Ajrore e vendit.

    Incidenti ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse raportuan se një qendër e rëndësishme e eksportit të energjisë në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, ishte vënë në shënjestër të një sulmi me dron gjatë natës.

    Ministria e Mbrojtjes e Letonisë deklaroi më vonë se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit “si rezultat i luftës elektronike ruse”, duke e lidhur incidentin me përdorimin e mundshëm të mjeteve të luftës elektronike nga Rusia.

    Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht pasi Letonia kufizohet me Rusinë dhe është pjesë e aleancës ushtarake.

    Ndërkohë, Finlanda, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe ndan kufi me Rusinë, mori masa paraprake pas incidentit. Autoritetet finlandeze kufizuan përkohësisht disa zona të trafikut ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, për shkak të frikës nga prania e mundshme e dronëve.

  • Spotify vendos etiketë për artistët e krijuar nga AI

    Spotify vendos etiketë për artistët e krijuar nga AI

    Spotify ka njoftuar një etiketë të re për artistët e krijuar me inteligjencë artificiale, të quajtur “AI Persona”, e cila synon t’u sinjalizojë dëgjuesve se identiteti i një artisti mund të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe se “nuk përfaqëson një person real”, njoftoi kompania. Kjo etiketë do të nisë të shfaqet në mesin e shtatorit.

    Është interesante se kjo nuk do të zbatohet vetëm për profilet e artistëve që vetëdeklarohen si “AI Persona”. Spotify do ta vendosë atë edhe në profile të tjera “relevante”, pasi kompania thotë se është e përqendruar në promovimin e muzikës së artistëve autentikë që ndërtojnë karrierë në industrinë e muzikës.

    Sipas cilësimeve fillestare, gjithçka që krijohet nga këto “AI Persona” do të përjashtohet nga të gjitha rekomandimet editoriale ose algoritmike. Megjithatë, përdoruesit që i ndjekin këta artistë do të vazhdojnë ta marrin muzikën e tyre në rekomandime.

    Artistët tashmë mund të deklarohen vetë si “AI Persona”, ndërsa Spotify do të shqyrtojë gjithashtu profilet e artistëve dhe do të identifikojë ata, identiteti publik i të cilëve, përfshirë emrin dhe fotografitë e profilit, “duket se përfaqëson identitete fotorealiste të gjeneruara nga inteligjenca artificiale”.

    Në mesin e shtatorit, etiketa “AI Persona” do të shfaqet në profilet e artistëve, në një baner dhe në seksionin “About”, në rezultatet e kërkimit dhe pranë këngëve brenda listave të dëgjimit.

    Kur një përdorues të klikojë mbi këtë etiketë, do të mund të shohë nëse artisti është vetëdeklaruar si “AI Persona” apo nëse Spotify e ka shqyrtuar profilin e tij dhe ka marrë një “vendim të informuar”.

    Në rastin e dytë, artistët do të kenë mundësi të paraqesin ankesë. Në muajt e ardhshëm, edhe përdoruesit e Spotify-t do të kenë mundësi të raportojnë profilet e artistëve për të cilët besojnë se janë “AI Persona”.

    Spotify thekson se etiketa “AI Persona” i referohet identitetit publik të artistit dhe jo mënyrës se si është krijuar muzika. Për më shumë informacion rreth mënyrës së krijimit të muzikës, Spotify ofron funksionet AI Credits dhe SongDNA.

    Kompania thotë se qasja e saj ndaj inteligjencës artificiale do të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me ekosistemin e përgjithshëm muzikor. Spotify synon që në rekomandimet e saj të mos përfshijë “spam, përmbajtje me cilësi të ulët ose përmbajtje të krijuar me përpjekje minimale”.

  • Behrami dyshon se Kurti ka plane për ta “paralizuar Kosovën” me 16 shtator kur Haga ta shpallë vendimin

    Behrami dyshon se Kurti ka plane për ta “paralizuar Kosovën” me 16 shtator kur Haga ta shpallë vendimin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, është paraqitur para dyerve të Sallës së Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës, ku presidentja, në koordinim me kryeministrin, mund të shqyrtojë çështje që lidhen me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

    Behrami ka thënë se është tronditur nga deklaratat e analistit dhe ish-ambasadorit Lulzim Peci, të bëra një natë më parë në një studio televizive.

    “Sepse nëse Kurti në shtator shpall gjendje të jashtëzakonshme, kjo do të jetë fundi i Republikës sonë. Po ashtu, kjo do ta pamundësojë edhe festën për krerët e UÇK-së, por ndoshta edhe protestën në rast se shkon keq verdikti”, ka deklaruar Behrami.

    Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti mund të synojë ta “paralizojë Kosovën” më 16 shtator, në ditën kur pritet të merret një vendim në Hagë lidhur me rastin e krerëve të UÇK-së.

    “Prandaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të na bashkohen për t’i rezistuar këtij njeriu dhe për të parandaluar që Kosova të shndërrohet në një shtet autoritar”, ka thënë Behrami.

    Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ish-ambasadori Lulzim Peci, në një studio televizive, ngriti shqetësime për zhvillimet që mund të pasojnë muajin shtator.

    “Unë, si qytetar i Kosovës, i frikohem një skenari të tmerrshëm që neve mundet me na pritë pas shtatorit, sepse e përmenda edhe një herë derdhjen e gjakut. Problemi është se ne mund të mbërrijmë në një situatë më të komplikuar, deri në atë pikë që zoti Kurti të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pa kurrfarë baze ligjore, pa parlament, pa kurgjo”, ka deklaruar Peci.

    Ai ka shtuar se një skenar i tillë, sipas tij, do të hapte rrugë për procese të ndryshme politike, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në raport me veriun dhe situatën e përgjithshme në Kosovë.

    Behrami, duke iu referuar këtyre deklaratave, ka shprehur frikën se Kurti mund të tejkalojë kompetencat e tij në rast të një situate të jashtëzakonshme.

  • Kërkohet paraburgimi ndaj dy të dyshuarve për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Kërkohet paraburgimi ndaj dy të dyshuarve për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve me inicialet D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në marketin e një pompe derivatesh “Hib Petrol” në Ferizaj, ku dy të pandehurit, në bashkëkryerje me një të mitur, dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta personin me inicialet A.Sh.

    Sipas kërkesës për paraburgim, mes të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh. kishte pasur një mosmarrëveshje rreth një vit më parë në Zvicër.

    Prokuroria dyshon se në ditën kritike, pasi e kishin takuar të dëmtuarin, të pandehurit e kishin përcjellë me veturë deri te një market i pompës së derivateve. Kur A.Sh. kishte hyrë në market, ata dyshohet se kishin dalë nga vetura dhe e kishin sulmuar.

    Sipas Prokurorisë, D.A. kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte goditur të dëmtuarin një herë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa A.A. dyshohet se e kishte goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

    Në sulm, sipas Prokurorisë, ishte përfshirë edhe një i mitur, i cili dyshohet se e kishte goditur A.Sh. me shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit.

    I dëmtuari kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas ishte dërguar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se (…) të pandehurit me dashje dhe në bashkëveprim, së bashku me të miturin, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Dy të pandehurit janë ndaluar për 48 orë më 13 gusht, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

    Rasti po hetohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”, në bashkëkryerje.

  • Rritet sërish çmimi i derivateve në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për sot, 14 gusht.

    Sipas vendimit, çmimi maksimal i naftës është 1.73 euro për litër, i benzinës 1.50 euro, ndërsa gazit 0.61 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Diku 60 minuta e diku 40 – Ja sa janë pritjet në dalje të pikave kufitare të Kosovës

    Diku 60 minuta e diku 40 – Ja sa janë pritjet në dalje të pikave kufitare të Kosovës

    Kthimi i mërgimtarëve në vendet evropiane ka shtuar edhe kolonat në pikat kufitare dalëse të Kosovës.

    Kësisoj sot në shumë prej pikave kufitare në dalje ka kolona më të gjata.

    Në pikën kufitare Jarinje pritjet janë deri në 40 minuta, kurse në Merdare edhe më shumë deri në 60 minuta.

    Më pak pritje raportohet të ketë tek Dheu i Bardhë nga 10 deri në 20 minuta

    E pa kolonë nuk është as në Kullë dhe tek Hani i Elezit ku sipas informacioneve pritjet janë 10 minutëshe.