ATV

Author: K.B.

  • Një foshnje dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit

    Një foshnje dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit

    Një foshnjë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit, mëngjesin e 7 shtatorit.

    Sipas Policisë, foshnja është dërguar në spital nga prindërit e saj, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa detajet për shkakun e vdekjes nuk janë bërë të ditura.

  • Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar nga gjykata me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të gjykatës, Sveçlës i është caktuar dënimi prej një viti burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.

    Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë shpalljes së dënimit.

    Në seancën e sotme, prokurori ka deklaruar se Prokuroria qëndron prapa rrethanave rënduese dhe lehtësuese të paraqitura në fjalën përfundimtare më 28 gusht 2026.

    “Duke qenë se tanimë gjykata të pandehurin Xhelal Sveçla e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, duke pasur parasysh se neni 375 paragrafi 2 i KPRK-së parashihet për këtë vepër penale dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 1-10 vjet”, ka deklaruar prokurori.

    Prokuroria kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

    “Gjykatës i propozojmë që me rastin e dënimit të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro”, ka thënë prokurori.

    Ndërkaq, mbrojtja ka deklaruar se nuk do të paraqesë propozime për dënimin, duke u bazuar në faktin se Sveçla nuk e ka pranuar fajësinë.

    “Duke u nisur nga fakti që i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të paraqesim propozime apo të japim komente rreth rrethanave”, ka deklaruar avokati mbrojtës.

    Në fund, gjykata vendosi që Sveçla të dënohet me një vit burgim me kusht, duke mos e shqiptuar dënimin efektiv nëse brenda afatit të përcaktuar nuk kryen vepër tjetër penale.

  • IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për 9 shtator të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë funksionalizimit të institucioneve të vendit.

    Në një reagim të publikuar të martën, IKD e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e PDK-së dhe LDK-së për të marrë pjesë në seancë, duke theksuar se tashmë përgjegjësia e të gjithë deputetëve është që procesi të mos bllokohet sërish.

    Sipas IKD-së, afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit është tejkaluar dhe kjo përbën shkelje që duhet të konstatohet e të mos relativizohet. Megjithatë, instituti thekson se tejkalimi i këtij afati nuk mund të përdoret si arsye për të vazhduar bllokadën institucionale.

    IKD ka kritikuar veçanërisht veprimet dhe mosveprimet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i bërë përgjegjës për pamundësimin e përfundimit të procesit brenda afatit kushtetues.

    “Shkelja që ka ndodhur nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, thuhet në reagimin e institutit.

    IKD vlerëson se, pavarësisht tejkalimit të afatit, kjo legjislaturë nuk e humb automatikisht të drejtën për të ushtruar kompetencat e saj kushtetuese. Për rrjedhojë, sipas institutit, ekziston rruga ligjore që Kuvendi të konstituohet dhe të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.

    IKD ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës vetëm sa do ta thellonte krizën institucionale dhe do ta mbante vendin pa institucione funksionale.

    “Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në përfundim të reagimit.

    Sipas IKD-së, mbrojtja e Kushtetutës nuk nënkupton vazhdimin e një gjendjeje jofunksionale, por rikthimin e institucioneve në funksion dhe respektimin e detyrimeve kushtetuese.

  • Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur në takim Shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes.

    Ai e uroi Lopesin për detyrën e re dhe i dëshiroi shumë sukses në misionin e tij.

    “Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme janë themel i një Kryeqyteti që zhvillohet dhe ecën përpara”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

    Bëhet e ditur që gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, sfidat në fushën e sigurisë dhe angazhimin e përbashkët për një Prishtinë më të sigurt për të gjithë qytetarët.

    “Kryeqyteti do të vazhdojë të jetë partner i hapur dhe konstruktiv në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit”.

  • Hapet pjesërisht për vizitorë Kalaja e Prizrenit

    Hapet pjesërisht për vizitorë Kalaja e Prizrenit

    Kalaja e Prizrenit është hapur për vizitorët nga data 7 shtator, ndërsa orari i vizitave nis nga ora 12:00.

    Megjithatë, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se punimet në hapësirat e kalasë do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët.

    Vizitorët ftohen të respektojnë shenjat orientuese, si dhe kufizimet e vendosura në zonat ku po zhvillohen punimet, me qëllim të garantimit të sigurisë gjatë vizitës.

  • Dy burra ushtrojnë dhunë psiqike ndaj familjares në Malishevë

    Dy burra ushtrojnë dhunë psiqike ndaj familjares në Malishevë

    Një rast i dhunës në familje është raportuar më të dielën në Malishevë.

    Sipas raportimit, dy burra dyshohet se kanë ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa procedurat hetimore po vazhdojnë në procedurë të rregullt.

  • Kosova dhe Shqipëria promovojnë kulturën në Embassy Festival në Hagë

    Kosova dhe Shqipëria promovojnë kulturën në Embassy Festival në Hagë

    Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Holandë kanë marrë pjesë së bashku në “Embassy Festival 2026” në Hagë, ku kanë promovuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.

    Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, në pavijonin e përbashkët u prezantuan gatime tradicionale, verëra vendore, si dhe muzikë e valle tradicionale shqiptare.

    Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësi të mësonin më shumë për kulturën dhe turizmin e Kosovës, si dhe të shijonin ushqime tradicionale dhe produkte vendore.

    Në kuadër të programit artistik “Folk in Motion”, Ansambli “Dardanet” dhe Hajrjie Preniqi Gashi performuan valle dhe melodi tradicionale shqiptare të Kosovës.

    Ambasada e Kosovës në Hagë ka falënderuar ambasadorët, komunitetin diplomatik, si dhe të gjithë vizitorët që morën pjesë në festival dhe vizituan pavijonin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.

  • Ushtarët amerikanë ateruan në Frutex

    Ushtarët amerikanë ateruan në Frutex

    Sot, kompania Frutex pati disa mysafirë të veçantë. Ajo priti 25 ushtarë të aviacionit amerikan në kuadër të KFOR-it.

    Edhe më të veçantë këtë vizitë e bëri mënyra e arritjes së tyre: ushtarët ateruan në ambientet e kompanisë me dy helikopterë të tipit Black Hawk.

    Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të shohin nga afër procesin e prodhimit dhe të njihen me zhvillimin dhe arritjet e kompanisë Frutex, e cila është njëra ndër kompanitë më të mëdha eksportuese në Kosovë, me brendet Golden Eagle, Natural 100% dhe Relax.

    Pas vizitës në fabrikë, u organizua një drekë e përbashkët mes drejtuesve të kompanisë dhe ushtarëve, të cilët tash e disa vite shërbejnë në një mision të veçantë në Kosovë.

    Gjatë qëndrimit, ata vizituan edhe ambientet e ndërtuara nga familja Palushi, të dedikuara për ruajtjen dhe kujtimin e historisë dhe sakrificës së popullit të Kosovës.

  • Rikthimi i madh! Malbora Gurra ‘pushton’ sërish ekranin: Detajet ekskluzive të projektit që po pret të gjithë publikun

    Rikthimi i madh! Malbora Gurra ‘pushton’ sërish ekranin: Detajet ekskluzive të projektit që po pret të gjithë publikun

    Ajo mungoi për pak kohë pas eksperiencës dhe zhurmës së madhe në Ferma VIP, por rikthimi i saj nuk mund të kishte tjetër trajtë përveçse si një bombë e vërtetë mediatike!

    Gazetarja dhe moderatorja e njohur Malbora Gurra i jep fund pritjes dhe zbret zyrtarisht në terrenin e saj të fortë: ekranin e ATV-së. Të gjitha të dielat tuaja, nisur nga kjo javë në orën 20:05, nuk do të jenë më të njëjtat.

    E skenuar për të thyer tabutë dhe për të zbuluar atë që nuk është thënë kurrë më parë, seria e re e emisioneve nis me formatin “Nvibe Verë” dhe do të vijojë me një sërë emisionesh në Nvibe, të ndërtuara nga këndvështrime të ndryshme dhe në sfera të ndryshme të jetës, gjithmonë me fokus te historitë, përjetimet dhe bisedat pa filtra.

    Malbora ka përgatitur një terren ku personazhet më të komentuar do të përballen me të vërtetat e tyre më të pafiltruara. Asnjë maskë, asnjë shmangie.

    Sezoni hapet me një përballje ‘zjarr’! I ftuari i parë, Akil Varfi, shpërthen për herë të parë publikisht ndaj padrejtësive në reality show, duke nxjerrë në dritë prapaskenat e errëta dhe të paaspruara ekskluzivisht ballë për ballë me Malborën.

    Pas gjithë vëmendjes dhe dinamikave të lëna pas te Ferma VIP, pyetja që të gjithë po bëjnë është vetëm një: Sa larg do të shkojë Malbora këtë herë në këtë ambient të lirë dhe të hapur, ku çdo i ftuar mund të ndihet pa barriera për të ndarë me publikun edhe atë që zakonisht mbetet e pathënë?

  • Denoncimi që bëri AVONET: Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi diploma të rreme e fitoi gjysmë milioni euro

    Denoncimi që bëri AVONET: Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi diploma të rreme e fitoi gjysmë milioni euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar Ibish Çoçajn, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

    Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike.

    Hetimet dyshohet se kanë zbuluar se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet se ka qenë rreth 300 euro. Përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.

    Prokuroria thotë se diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

    Gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe të realizuar në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon, 11 fletë me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.

    Sipas dyshimeve të hetimit, subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

    I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.

    Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar lidhur me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, ta raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.

    Theksojmë se në fund të muajit korrik, rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET kishte ngritur shqetësime lidhur me diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren, duke kërkuar nisjen e hetimeve për të verifikuar bazën ligjore të funksionimit të këtij subjekti.