ATV

Author: K.B.

  • Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës ndaj Sllovakisë

    Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës ndaj Sllovakisë

    Biletat për ndeshjen e dytë parakualifikuese të Kosovës për FIBA EuroBasket 2029, ndaj Sllovakisë tashmë janë në shitje.

    Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se biletat mund t’i blini në fanshopin e KB Bashkimit në Prizren, përballë palestrës sportive “Sezai Surroi”.

    “Sot biletat do të shiten nga ora 14:00 deri në ora 17:00, kurse nga nesër prej 12:00 deri në ora 18:00. Çmimi është 5 Euro.” – thuhet në njoftim.

    Ky ballafaqim zhvillohet më 27 shkurt, nga ora 19:00, në palestrën sportive “Sezai Surroi”, Prizren.

  • Mblidhet Komisioni për të marrë vendim për thirrje publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Kushtetuese

    Mblidhet Komisioni për të marrë vendim për thirrje publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Kushtetuese

    Ka nisur mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë mbledhje pjesë po merr edhe Avokati i Popullit, Naim Çelaj.

    Në rend dite janë dy pika:

    1. Emërimi i dy zëvendëskryesueseve të Komisionit,

    2. Marrja e vendimit për publikimin e thirrjes/ftesës publike për zgjedhjen dy (2) gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    Ndërkaq mbledhja është e mbyllur për media.

  • Ndahet nga jeta ish-ushtari i UÇK-së, Rifat Shala

    Ndahet nga jeta ish-ushtari i UÇK-së, Rifat Shala

    Ka ndërruar jetë luftëtari dhe invalidi i UÇK-së, Rifat Shala.

    I ndjeri gjatë luftës shërbeu në Brigadën 112 “Arben Haliti” të Zona Operative e Drenicës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit.

    Ai ishte pjesë e Brigada 112 “Arben Haliti”, duke u dalluar për përkushtim dhe sakrificë në shërbim të atdheut.

    Pas përfundimit të luftës, Shala vazhdoi angazhimin e tij në TMK, duke mbetur gjithmonë në shërbim të vendit.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (24.02.2026) në ora 13:00, në fshatin Leçinë, Komuna Skenderaj.

  • Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte

    Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar më 13 vjet burgim Dushko Arsiq për krime lufte.

    Vendimi është marrë të hënën.

    Dushko Arsiqit akuzohej për krime lufte në fshatin Butovc të Prishtinës, në periudhën janar-qershor të vitit 1999

    Dosja e prokurorisë thotë se grupi ku ishte pjesëtar Arsiq fillimisht kishin plagosur e vrarë viktima, në mesin e të cilëve i ndjeri Brahim Shala i cili u vra me pushkë automatike e më pas për bartjen e trupit të tij e urdhëruan Artan Krasniqin atë kohë 15-vjeçar.

  • Aksident tragjk në Austri, kushëriri i Valon Berishës humb jetën – mesfushori kosovar i dha ndihmën e parë

    Aksident tragjk në Austri, kushëriri i Valon Berishës humb jetën – mesfushori kosovar i dha ndihmën e parë

    Mesfushori kosovar i Zurichut, Valon Berisha, përjetoi një tragjedi personale në Austri këtë fundjavë, pasi kushëriri i tij vdiq në një aksident të rëndë në autostradën perëndimore.

    Një kosovar me pasaportë zvicerane, 38-vjeç, nga Rothrist në kantonin e Aargaut, humbi jetën të dielën në mëngjes gjatë drejtimit të një furgoni në Westautobahn, rreth orës 08:10. Automjeti doli nga rruga pranë stacionit të shërbimit Lindach pranë Laakirchen dhe përplasi ballë për ballë një barrierë zhurme prej druri. Sipas gazetës “Krone”, shpëtimi ishte i pamundur për shkak të deformimit masiv të mjetit.

    Valon Berisha po ngiste makinën direkt përpara automjetit të aksidentuar dhe u bë dëshmitar okular i incidentit.

    33-vjeçari u ndal menjëherë, vrapoi drejt vendngjarjes dhe bashkë me ndihmësit e shpejtë ofroi ndihmë emergjente, duke thirrur shërbimet e urgjencës. Megjithatë, përpjekjet për të shpëtuar kushëririn e tij nuk dhanë rezultat.

    Në një deklaratë, FC Zürich shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen për Berishën.

    “FC Zürich është thellësisht i tronditur nga aksidenti tragjik në Austri, në të cilin u vra një i afërm i ngushtë i lojtarit tonë Valon Berisha. Valon nuk ishte i përfshirë direkt në aksident, por u bë dëshmitar i ngjarjes. Klubi qëndron pranë tij dhe e mbështet në çdo mënyrë në këtë kohë të vështirë.”

    Valon Berisha sapo ishte transferuar nga LASK te FC Zürich gjatë merkatos së dimrit dhe të shtunën në mbrëmje zhvilloi paraqitjen e tij të parë si titullar në fitoren 2-1 ndaj Grasshoppers Zürich.

  • Osmani për intervistat në mediat ndërkombëtare: Qëllimi, mbrojtja e Kosovës dhe fuqizimi i zërit të popullit

    Osmani për intervistat në mediat ndërkombëtare: Qëllimi, mbrojtja e Kosovës dhe fuqizimi i zërit të popullit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë disa sekuenca të disa intervistave të dhëna për mediat ndërkombëtare.

    Ajo thotë se në çdo intervistë qëllimi ishte mbrojta e Kosovës dhe fuqizimi i popullit.

    “Në çdo intervistë ndërkombëtare, me një qëllim të qartë: mbrojtjen e Kosovës dhe fuqizimin e zërit të popullit tonë!”, ka shkruar Osmani teksa ka shpërnda dhe video.

  • Për arsye financiare, Napoli gati të shesë yllin e skuadrës

    Për arsye financiare, Napoli gati të shesë yllin e skuadrës

    Napoli po pret oferta në verë për Scott McTominay.

    Mesfushori, i ardhur nga Manchester United në 2024, ka shkëlqyer në Itali me gola dhe paraqitje vendimtare.

    Megjithatë, për arsye financiare, Napoli mund ta shesë për rreth 80 milionë euro.

    Rikthimi në Premier League, me Manchester Unitedin në garë, është një mundësi reale për verën e ardhshme.

  • Veteranët me Këshill të tyre për Epopenë, Syla: U detyruam, qeveria nuk na përfshiu

    Veteranët me Këshill të tyre për Epopenë, Syla: U detyruam, qeveria nuk na përfshiu

    Me rastin e shënimit të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për këtë përvjetor. Në këtë këshill nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

    Si rrjedhojë, Organizata e Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, së bashku me kategoritë tjera, ka themeluar këshillin organizues për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje historike.

    Sipas OVL-së, edhe në rast se do të kishin marrë ftesë nga Qeveria e Kosovës, nuk do të merrnin pjesë për shkak të, siç thonë, fyerjeve dhe moskujdesit ndaj tyre për gjashtë vite me radhë.

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, Gazmend Syla tha për KosovaPress, se ishin të obliguar të krijonin këtë këshill në mënyrë që të mos mbesin jashtë organizimeve.

    “Meqenëse ne nuk u përfshimë në këshillin shtetëror që e krijoi Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë forme ne u obliguam si shoqata të dala nga lufta, që të kemi kujdes të veçantë në këto ditë historike. Prandaj e kemi menduar që të edhe ne të krijojmë një këshill, në këtë rast me disa personalitete, domethënë që kanë kontribuar, në fakt janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj luftëtarë të UÇK-së. Sigurisht që emrat e tyre janë më shumë ndoshta për simbolikën e tyre, për aktivitetin e tyre që e kanë pasur për çlirim të vendit”, tha Syla.

    Ai u shpreh se organizimet do të ishte e rëndësishme të bëheshin së bashku me institucionet, ani pse është e papranueshme për ta që të marrin pjesë në një vend ku anëtarë është Mimoza Kusari-Lila që kishte kërkuar largimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale apo fyerjeve tjera nga pjesëtarë të Qeverisë, përfshi edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

    Syla tha se të njëjtit duhet të kuptojnë se në karrigat ku ata ulën sot, është ndërtuar mbi sakrificat e çlirimtarëve.

    Ai kërkon një reflektim nga ana e institucioneve shtetërore.

    “Do të ishte tepër e rëndësishme që këto organizime të bëhen së bashku, edhe shoqatat e dala nga lufta, edhe qeveria, po qoftë edhe presidenca. Fatkeqësisht po bëhen gjashtë vite që ne nuk kemi fare komunikim me institucionet tona. Edhe për neve është goxha e papranueshme me marrë pjesë në një ngjarje shtetërore ku prej anëtarëve të qeverisë në këtë rast mund të jetë për shembull Mimoza Kusari-Lila, njëra prej atyre personazheve në atë kohë që fliste me Radojiçiq dhe Simiq, e i thonte më duhen votat e tuaja për të larguar veteranët nga rritja e pagës minimale në Kosovë në atë kohë… Fyerjet e vazhdueshme që i kemi pasur, ju e dini edhe me zotin Basha, me atë punimi akademik, pastaj edhe Kurti nuk është që u soll mirë as me çështjen e Gjykatës Speciale ku po trajtohen padrejtësisht bashkëluftëtarët tanë atje.. Përderisa nuk do të ketë një reflektim nga ana e qeverisë që ata me kuptuar që ky shtet, mbi të cilin ata tani më janë ulur në ato karrige, u ndërtua mbi sakrificën e këtyre djemve e vajzave e atyre që do t’i kujtojmë më 5, 6 e 7 dhe ditëve të tjera në vijim, është goxha e rëndë për neve që ne me vazhdu me shku me marrë një fotografi duke vendosur kurora lulesh”, u shpreh ai.

    “Po mendojmë homazhe me bë me datën pesë, se këto do të jenë propozime prej këshillit, këshilli do të vendosë, me datën gjashtë me bë vizita tek familjet e dëshmorëve, pastaj edhe të pranojmë vizita nëpër zyrat tona që i kemi edhe këtu në nivel qendror por edhe nëpër qendra të tjera, sepse kemi vizitorë, veç kemi marrë konfirmim që do të vijnë edhe nxënës të shkollave atë ditë na vizitojnë nëpër zyrat tona. Tani me datën shtatë është nata e zjarreve, do të organizojmë nëpër shtatë zonat operative që në atë kohë kanë qenë si zona të luftës, të ndezim zjarret”, tha ai.

    Në Këshillin Shtetëror për shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në krye do të jetë ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, bashkëkryesues ministri i Familjes dhe Mbrojtës së Vlerave të Luftës, Andin Hoti, kurse anëtar kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

    Ndërsa, në Këshillin Organizues të kategorive të dala nga lufta, do të përbehet nga kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ali Ahmeti, Shefket Musliu, Sokol Poga, Agim Çeku, Lahi Brahimaj, Shukri Buja, Ahmet Isufi, Rahman Rama, Nuredin Lushtaku, Abdyl Mushkolaj, Latif Gashi dhe Rrustem Berisha.

    Epopeja e UÇK-së shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, në ditët kur u vranë nga forcat serbe familja Jashari në Prekaz.

  • Ushqimet që duhet të shmangni kur jeni të sëmurë

    Ushqimet që duhet të shmangni kur jeni të sëmurë

    Tashmë është sezoni i ftohjeve dhe gripit, dhe kujdesi ndaj ushqimit që konsumoni kur jeni me simptoma mund të ndikojë shumë në rikuperimin tuaj.

    “Ruajtja e një ushqyerjeje të mirë kur keni ftohje ose grip siguron që trupi të ketë energji të mjaftueshme për t’u shëruar,” shpjegon Dana Henderson, dietologe e regjistruar dhe mbikëqyrëse e shërbimeve ushqimore në L.A. Care Health Plan.

    “Ushqimi siguron kalori, të cilat janë energjia e nevojshme që trupi të luftojë sëmundjen”, thotë ajo.

    Henderson rekomandon konsumimin e ushqimeve të pasura me antioksidantë, si frutat dhe perimet, për të ndihmuar në luftimin e infeksioneve dhe për të qëndruar të hidratuar. Por ekspertët theksojnë se po aq e rëndësishme sa çfarë hani është edhe ajo që nuk duhet të hani, në mënyrë që të shëroheni më shpejt.

    Më poshtë janë pesë ushqime që mund të përkeqësojnë simptomat kur jeni të sëmurë:

    Ushqimet pikante

    Derisa të ndiheni plotësisht mirë, është mirë të kufizoni kripën dhe ushqimet pikante, thotë Dr. Neil Patel, mjek i mjekësisë familjare në Providence St. Joseph Hospital në Orange County, Kaliforni.

    “Erëzat e forta mund të shqetësojnë sistemin tretës, duke përkeqësuar diarrenë ose simptoma të tjera kur jeni të sëmurë,” shpjegon ai.

    Kafeina

    Kur tashmë ndiheni keq, heqja dorë nga kafeja e mëngjesit mund të duket e vështirë. Por në plan afatgjatë, kjo mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë, thotë Henderson.

    Kafeina mund të ndërpresë gjumin, i cili është thelbësor për rikuperimin dhe funksionimin e sistemit imunitar. Për më tepër, kafeina është diuretike (rrit nxjerrjen e lëngjeve nga trupi), kështu që mund të përkeqësojë dehidratimin.

    Alkooli

    Ashtu si kafeina, edhe alkooli shkakton dehidratim, duke penguar shërimin dhe duke shkaktuar dhimbje muskujsh, shpjegon Patel.

    Edhe nëse ndiheni më mirë dhe tundoheni të pini diçka me miqtë, është më mirë të prisni derisa të rikuperoheni plotësisht.

    “Dehidratimi mund të jetë shumë serioz dhe mund të çojë deri në shtrim në spital,” thotë ai. Qëndrimi i hidratuar është shumë i rëndësishëm, dhe Patel rekomandon të pini shumë ujë kur keni ftohje ose grip.

    Ushqimet me shumë yndyrë

    Ushqimet e skuqura ose të pasura me yndyrna të ngopura kërkojnë shumë energji dhe ujë për t’u përpunuar në trup, shpjegon Patel.

    “Kjo mund të marrë energji nga sistemi imunitar,” thotë ai. Për më tepër, këto ushqime mund të rrisin inflamacionin dhe të përkeqësojnë simptoma si bllokimi i hundëve dhe dhimbja e fytit, sipas Henderson.

    Sheqeri

    Akullorja mund të duket sikur qetëson fytin ndërsa e konsumoni, por sheqernat e përpunuara në fakt mund t’i përkeqësojnë simptomat.

    “Ushqimet me sheqer mund të rrisin përkohësisht inflamacionin, gjë që mund ta bëjë bllokimin e hundëve dhe dhimbjen e fytit të ndihen më keq, si dhe mund të dobësojë pak reagimin e sistemit imunitar,” thotë Henderson.

  • Protesta e PD-së, lirohen 18 të arrestuarit në Tiranë

    Protesta e PD-së, lirohen 18 të arrestuarit në Tiranë

    Të 18 të arrestuarit e protestës së 20 shkurtit janë liruar.

    Ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje”, shkruan A2.

    Veprimet e policisë pas protestës kanë qenë nën monitorimin e Avokatit të Popullit ku nëpërmjet një njoftimi për mediat, ky institucion bën me dije se ka qenë i pranishëm në komisariatet e Tiranës ku ka marrë dëshmitë e të ndaluarve.