ATV

Author: K.B.

  • Pas Andrew, arrestohet edhe Peter Mandelson

    Pas Andrew, arrestohet edhe Peter Mandelson

    Ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Peter Mandelson, është arrestuar sot.

    Sipas Policisë, ai dysohet për keqpërdorim detyre, raporton BBC.

    “Oficerët kanë arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për keqpërdorim detyre në funksion publik. Ai u arrestua në një adresë në Camden të hënën, më 23 shkurt, dhe është dërguar në një stacion policor në Londër për t’u marrë në pyetje. Kjo pason urdhrat për kontroll në dy adresa në zonat e Wiltshire dhe Camden.”, ka deklaruar Policia.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer e emëroi atë ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Washington në dhjetor 2024.

    Para këtij emërimi, dihej se ai kishte një miqësi me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.

    Ai u shkarkua nga posti shtatorin e kaluar, pasi Downing Street njoftoi se kishin dalë informacione të reja mbi thellësinë e kësaj marrëdhënieje.

    Arrestimi i tij vjen disa ditë pas arrestimit të ish-princit Andrew. Edhe ai dyshohet për keqpërdorim detyre.

  • Ministria e Mbrojtjes mohon pretendimet për përjashtim të OVL-UÇK-së nga Këshilli Organizativ të Epopesë së UÇK-së

    Ministria e Mbrojtjes mohon pretendimet për përjashtim të OVL-UÇK-së nga Këshilli Organizativ të Epopesë së UÇK-së

    Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për të sqaruar se pretendimet se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së janë të pasakta dhe të pabazuara.

    Me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i cili kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe bashkëkryesohet nga Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Në vendim parashihet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli.

    Sot është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL-UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00.

    Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Republikës së Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, në funksion të organizimit dhe shënimit dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.

    Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të realizohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Cakolli: Takimet për presidentin po mbahen vonë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje

    Cakolli: Takimet për presidentin po mbahen vonë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje

    Eugen Cakolli ka deklaruar në emisionin “Kosova Live” në T7 se procesi i konsultimeve për zgjedhjen e presidentit ka nisur me vonesë, duke theksuar se tashmë vendi ndodhet në fazën e fundit kohore.

    Sipas tij, takimet mes partive politike është dashur të fillonin më herët, në mënyrë që të sigurohej një proces më i qetë dhe me më shumë mundësi për konsensus.

    “Jemi në 10-ditëshin e fundit, kjo nguti mund të sjellë probleme. Pra aq sa mund të sjellë dobi aq mund të na sjellë edhe probleme” – u shpreh Cakolli.

    Sipas tij, deri më 5 mars duhet të ketë jo vetëm një emër të dakorduar për presidentin, por edhe votimi i tij në Kuvend, në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses.

    Ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të përballet me pasoja politike, duke mos e përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.

  • Abdixhiku shkruan pas takimit me Kurtin: Presidenca s’duhet të jetë vazhdim i shumicës

    Abdixhiku shkruan pas takimit me Kurtin: Presidenca s’duhet të jetë vazhdim i shumicës

    Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë politike, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.

    Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abdixhiku tha se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është i kufizuar dhe kërkon maturi e kompromis.

    “Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku përcaktohet fati i institucioneve, kam zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe çështjen e stabilitetit institucional të vendit,” ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai theksoi se koha në dispozicion është shumë e shkurtër.

    “ Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale,” u shpreh ai.

    Kreu i LDK-së nënvizoi se institucioni i Presidencës duhet të mbetet mbi ndarjet partiake.

    “Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse,” tha Abdixhiku.

    Duke iu referuar qëndrimit zyrtar të LDK-së, ai theksoi se partia sheh dy rrugë të mundshme përpara.

    “Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare,” deklaroi Abdixhiku.

    Sipas tij, në të dyja rastet kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve.

    “Në të dyja rastet, kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës; dhe ditët në vijim do të na tregojnë se cila rrugë do të jetë e mundshme. Nëse asnjëra, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë,” paralajmëroi ai.

    Në fund, Abdixhiku theksoi se LDK do të angazhohet për një zgjidhje që garanton stabilitet.

    “LDK do të veprojë në këtë proces me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet absolut ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës,” përfundoi ai.

  • Gjermania i dhuron Policisë pesë vetura dhe pajisje teknologjike në vlerë rreth 200 mijë euro

    Gjermania i dhuron Policisë pesë vetura dhe pajisje teknologjike në vlerë rreth 200 mijë euro

    Policia e Kosovës ka pranuar sot donacion nga Gjermania në vlerë 200 mijë euro.

    Në këtë donacion përfshihen pesë vetura dhe pajisje teknologjike.

    “Me datën 23.02.2026, Zv.Drejtori i përgjithshëm i PK-së z.Fehmi Hoti me bashkëpunëtorë, priti në takim përfaqësuesin e Ambasadës Gjermane zëvendës ambasadorin z. Christian Böttcher, ku edhe u bë pranim-dorëzimi i një donacioni nga Republika Federale e Gjermanisë. Ky donacion synon mbështetjen për Policinë e Kosovës, konkretisht në forcimin e mbikqyrjes së kufirit shtetëror.

    Donacioni në fjalë ka vlerën rreth 200 mijë euro, përfshirë 5 vetura dhe paisje teknologjike. Policia e Kosovës, vlerson lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane dhe Ambasadës Gjermane, në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe të teknologjisë”, theksohet në njoftim.

  • Angazhimi i FSK-së në Forcën Ndërkombëtare për Gazën, flet Kurti

    Angazhimi i FSK-së në Forcën Ndërkombëtare për Gazën, flet Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Kurti ka theksuar se FSK-ja ka aftësi të shquara ndërkombëtarisht në kërkim-shpëtim dhe de-minim, prandaj ka qenë e gatshme të marrë pjesë.

    “FSK-ja për shkak të aftësive të shquara ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit dhe de-minimit dhe jo vetëm, ka qenë e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare. Kemi qenë përfitues edhe ne nga Forcat Ndërkombëtare në vitin 1999, veçanërisht, dhe kemi dashur të kontribuojmë edhe ne”, tha Kurti në një deklarim për media.

    Ai shtoi se Forca Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën do të ketë edhe një organizatë politike, dhe po diskutohen elementet konkrete të mënyrës se si do të funksionojë përpara.

    Vendimi i Kosovës u bë i ditur edhe në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ku presidentja Vjosa Osmani njoftoi se Kosova është ndër pesë shtetet e para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.

    Ky angazhim vjen pas ndihmës humanitare prej gjysmë milioni eurosh që Kosova ka dhënë për Gazën dhe shënon një kontribut të ri të vendit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

  • Ukraina thotë se ka rimarrë kontrollin e 400 kilometrave katrorë territor

    Ukraina thotë se ka rimarrë kontrollin e 400 kilometrave katrorë territor

    Ukraina ka rimarrë kontrollin e 400 kilometrave katrorë territor, duke përfshirë tetë vendbanime, përgjatë një pjese të vijës jugore të frontit që nga fundi i janarit, tha të hënën Komandanti i Përgjithshëm, Oleksandr Syrskyi.

    Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fitoret e rralla në fushën e betejës në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit janë në kontrast me trendin më të gjerë të përparimeve të ngadalta dhe të kushtueshme ruse përgjatë vijave të frontit gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, ndërsa lufta i afrohet përvjetorit të saj të katërt.

    Siç theksohet më tej, Ukraina është e etur t’i tregojë botës – dhe veçanërisht presidentit të SHBA-së Donald Trump – se nuk po humbet terren në luftën e saj kundër pushtimit të Rusisë, në një kohë kur Uashingtoni po i bën presion Ukrainës të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje.

    Megjithatë, deklarata e Syrskyit nuk e bëri të qartë se sa nga territori i sapo siguruar kishte qenë më parë nën kontrollin rus dhe sa ndodhej në zonat e “zonës gri” që nuk mbahen fort nga asnjëra palë dhe vijat e frontit në Ukrainë janë bërë gjithnjë e më të paqarta.

    Trump ka thënë më parë se Ukraina duhet të bëjë lëshime pasi është në rrezik të humbasë luftën, e cila filloi kur Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

    Kievi dhe aleatët e tij evropianë kanë kundërshtuar këtë narrativë, duke theksuar se Rusia ka pushtuar pak më shumë se 1 përqind të territorit të Ukrainës që nga viti 2023 me një kosto të madhe, dhe se infrastruktura jetësore e naftës e Moskës po përballet me kërcënime në rritje nga sulmet me dronë ukrainas.

    Të hënën, kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi arritjet “e habitshme” të Ukrainës në shkurt, duke thënë se ato treguan se rezistenca e Kievit ishte më efektive sesa portretizohet shpesh.

  • Biserko mbështet idenë e Kurtit për gjykatë të posaçme për krimet me snajper në Bosnje

    Biserko mbështet idenë e Kurtit për gjykatë të posaçme për krimet me snajper në Bosnje

    Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se rasti i ashtuquajtur “Sarajevo Safari” përfaqëson një nga shembujt më ekstremë të degradimit moral gjatë rrethimit të Sarajevës dhe hedh hije të rënda mbi elitën politike serbe të viteve ’90.

    “Vuçiç ishte në varrezat hebraike ndërsa Sarajeva po qëllohej me armë zjarri dhe ‘Sarajevo Safari’ dëshmon degradimin e plotë moral të presidentit serb”, tha Biserko.

    Duke komentuar hetimet e mediave perëndimore dhe interesimin e fundit të drejtësisë italiane për këtë rast, Biserko tha se rrethimi i Sarajevës nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por “një proces i normalizimit të vrasjes së civilëve”, ku dhuna u shndërrua në përvojë të toleruar, madje edhe të komercializuar.

    Gazeta britanike The Times raportoi, duke cituar dëshmitarë, se gjatë rrethimit të Sarajevës persona të pasur të huaj kishin marrë pjesë në gjueti civile me snajper, përfshirë edhe një grua rumune, e cila dyshohet se ka vrarë dhjetë qytetarë të Sarajevës në fillim të viteve 1990.

    Biserko theksoi se nuk është rastësi që këto histori po dalin në dritë pas më shumë se tri dekadash.

    “Shoqëritë vetëm tani po bëhen të gatshme të përballen me atë që më parë ishte e padurueshme për t’u pranuar”, tha ajo, duke shtuar se hapja e arkivave dhe gatishmëria e dëshmitarëve për të folur po rritet ndjeshëm.

    Ajo iu referua edhe deklaratave kontradiktore të Vojislav Sheshel, i cili kishte pohuar se radikalët serbë, përfshirë edhe Aleksandar Vuçiq, kishin qëlluar nga Varrezat Hebraike gjatë rrethimit të Sarajevës, për t’i mohuar më pas këto pretendime.

    Sipas Biserkos, dëshmia e Sheshelit ka vlerë vetëm si tregues konteksti dhe duhet të verifikohet rreptësisht, pasi ai ka qenë njëkohësisht propagandist dhe aktor politik i asaj periudhe.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka mohuar publikisht akuzat për çdo përfshirje në “Sarajevo Safari”.

    Biserko theksoi se aktualisht nuk ekzistojnë prova ligjore të qëndrueshme për përgjegjësi penale direkte të Vuçiqit, por nënvizoi se prania e tij në Varrezat Hebraike gjatë rrethimit mbetet një fakt me peshë të madhe morale dhe politike.

    Hetimet për këtë rast janë rihapur në Itali më 9 shkurt 2026, ku autoritetet kanë marrë në pyetje një shtetas italian të dyshuar për pjesëmarrje në këto ngjarje. Megjithatë, Biserko shprehu skepticizëm për një epilog gjyqësor, duke vlerësuar se pas 30 vjetësh është jashtëzakonisht e vështirë të sigurohen prova balistike dhe identifikime individuale.

    Sipas saj, pavarësisht mungesës së një vendimi gjyqësor, skandali “Sarajevo Safari” tashmë ka ndikuar negativisht në imazhin ndërkombëtar të Presidentit Vuçiq dhe ka përforcuar perceptimin se ai ishte pjesë e mbështetjes politike për agresionin serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    “Edhe pa një dënim formal, kjo histori mbetet një njollë morale dhe një kujtesë se krimet e së kaluarës nuk janë mbyllur shoqërisht”, përfundoi Biserko./Thegeopost.

  • SHSKUK sqaron bashkëpagesën prej 3 euro për personat shoqërues

    SHSKUK sqaron bashkëpagesën prej 3 euro për personat shoqërues

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (QKUK) ka sqaruar opinionin publik lidhur me bashkëpagesën prej 3 euro për 24 orë qëndrim të personave shoqërues mbi moshën 15 vjeç.

    Sipas QKUK-së, ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore dhe vjen si pjesë e rishikimit të përgjithshëm të politikës së bashkëpagesave. Në udhëzimin paraprak tarifa për personin shoqërues ishte 5 euro për 24 orë, ndërsa me Udhëzimin Administrativ të miratuar në vitin 2024 kjo shumë është ulur në 3 euro.

    QKUK sqaron se kjo bashkëpagesë nuk aplikohet për pacientin, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë. Përjashtim bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të hospitalizuar edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.

    Menaxhmenti i QKUK-së po zhvillon diskutime për trajtimin e bashkëpagesave për pacientët me sëmundje kronike, me qëllim adresimin e nevojave specifike të tyre.

    Institucioni gjithashtu thekson se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional, ndërsa kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe nuk duhet të përgjithësohet.

    Në përmbledhje, QKUK nënvizon se shumica dërrmuese e shërbimeve shëndetësore mbeten pa pagesë, ndërsa shërbimet që përfshijnë bashkëpagesë ofrohen me kosto shumë më të ulët se më parë.

  • Ora verore në vitin 2026 do të nisë më herët: Ja pse ndryshon data

    Ora verore në vitin 2026 do të nisë më herët: Ja pse ndryshon data

    Në vitin 2026, kalimi në orën verore do të ndodhë më herët krahasuar me vitin paraprak. Akrepat e orës do të zhvendosen përpara në natën mes së shtunës, 28 mars dhe të dielës, 29 mars.

    Një vit më herët, ndryshimi ishte bërë më 30 mars, çka ka ngritur pikëpyetje pse data nuk është e njëjtë çdo vit.

    Arsyeja është e thjeshtë dhe lidhet me një rregull të pandryshueshëm të Bashkimit Evropian: ora verore fillon gjithmonë të dielën e fundit të muajit mars, ndërsa ora dimërore rikthehet të dielën e fundit të tetorit.

    Meqenëse ditët e javës bien në data të ndryshme çdo vit, ndryshon edhe data konkrete e së dielës së fundit të marsit. Në vitin 2026, e diela e fundit e muajit të tretë bie më 29 mars, prandaj edhe ndryshimi i orës do të ndodhë më herët se një vit më parë.

    Në praktikë, në orën 02:00 pas mesnate, akrepat do të zhvendosen në 03:00, çka do të thotë se qytetarët do të humbasin një orë gjumë, por ditët do të zgjasin më shumë.