ATV

Author: K.B.

  • AUV tërheq nga tregu ëmbëlsirat xhelatinoze “Jelly” të prodhuara në Japoni

    AUV tërheq nga tregu ëmbëlsirat xhelatinoze “Jelly” të prodhuara në Japoni

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), kanë pranuar njoftimin lidhur me rrezikun e mundshëm nga konsumimi i karameleve me xhelatin (Hello Kitty Apfel Koniac Gelee), të prodhuara nga Sanrio Co., LTD. në Tokio, Japoni dhe eksportuar nga Holanda.

    Për shkak të rrezikut të mundshëm për shëndetin e konsumatorëve, AUV, thotë se ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të këtijë produkti nga tregu dhe asgjësimin e tij. AUV përmes një njoftimi në Facebook, thotë se të gjitha bizneset që kanë në shitje këtë produkt, me datën e skadimit 11/06/2026 dhe peshë 150g, duhet të ndalojnë menjëherë shitjen dhe t’i kthejnë ato në deponitë nga e janë furnizuar. Po ashtu, konsumatorët që i kanë blerë këto produkte janë të këshilluar të mos i përdorin.

    “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbeten të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Kurti emëron ish-zëdhënësin e Qeverisë si zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit

    Kurti emëron ish-zëdhënësin e Qeverisë si zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit

    Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Përparim Kryeziun në pozitën e zëvendësministrit të parë të Arsimit dhe Shkencës.

    Gjatë mandatit të kaluar, Kryeziu ka mbajtur pozitën e zëdhënësit të Qeverisë.

    “ Kryeministri Kurti e uroi z. Kryeziu për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftim.

  • Kurti ‘përjashton’ Osmanin dhe një emër nga Jasharët, thotë se LVV s’i ka votat – zgjidhja është te tri partitë e para

    Kurti ‘përjashton’ Osmanin dhe një emër nga Jasharët, thotë se LVV s’i ka votat – zgjidhja është te tri partitë e para

    Kryeministri Albin Kurti tha se me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e kuptuan njëri-tjetrin në taket ku u diskutua për çështjen e Presidentit.

    I pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk kanë mbledhur nënshkrime për askënd.

    “Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne imbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, tha ai pas takimit të sotëm me Abdixhikun.

    Ai tha se mbrëmë ka qenë në Prekaz te Rifat Jashari, ndërsa nuk u përgjigj direkt nëse kanë folur për çështjen e Presidentit.

    Por Kurti tha pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku se zgjidhja është te tri subjektet më të mëdha politike në vend: LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja.

    “Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat. Kur u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të të pavarësisë, besuam që do të kemi mundësi që të qëndrojmë pak bashkë dhe të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk qe një mundësi e tillë. E kishim lënë të takohemi dhe shkuam atje. Biseduam për zhvillimet politike, biseduam për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e këtyre tri subjekteve politike”, tha ai.

    Kurti tha se “kur duhet të propozosh njerëz jashtë partive politike, as përmasa, as temperatura e mbështetjes nuk është identike”.

  • Mbi 16 mijë familje përfituan ndihmë sociale në janar, Mitrovica prin me më së shumti raste

    Mbi 16 mijë familje përfituan ndihmë sociale në janar, Mitrovica prin me më së shumti raste

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, gjatë muajit janar gjithsej 16,110 familje në Kosovë kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale.

    Komuna me numrin më të madh të familjeve përfituese është Mitrovica me 1,521 familje, e ndjekur nga Vushtrria me 965, Gjakova me 911, Peja me 888 dhe Lipjani me 886 familje.

    Ndërkaq, numrin më të ulët të përfituesve e ka Juniku me 37 familje, pasuar nga Mamusha me 14, Parteshi me 42, Graçanica me 51 dhe Kllokoti me 54 familje.

    Të dhënat pasqyrojnë dallime të theksuara ndërmjet komunave sa i përket nivelit të përfitimit nga skema e ndihmës sociale, duke reflektuar gjendjen socio-ekonomike në rajone të ndryshme të vendit.

  • Stuhia e fuqishme dimërore ndikon në mbylljen e shkollave dhe anulim të udhëtimeve në verilindje të SHBA-së

    Stuhia e fuqishme dimërore ndikon në mbylljen e shkollave dhe anulim të udhëtimeve në verilindje të SHBA-së

    Fëmijët në pjesë të verilindjes së SHBA-së do të qëndrojnë në shtëpi të hënën, pasi një stuhi e fuqishme dimërore detyroi mbylljen e shkollave dhe shtyu zyrat dhe sistemet e transportit publik të punojnë me “orare emergjente”, me zyrtarët në të gjithë rajonin që paralajmërojnë për borë të madhe, erëra të forta dhe kushte të rrezikshme udhëtimi.

    Stuhia tashmë ka bllokuar udhëtimin përgjatë Bregut Lindor nga Uashingtoni në New England, me linjat ajrore që anulojnë mijëra fluturime dhe zyrtarët që u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë “larg rrugëve”.

    Moti dimëror në verilindje mund të ngadalësojë gjithashtu përpunimin, transportin dhe dorëzimin e postës dhe pakove, tha Shërbimi Postar i SHBA-së.

    Qyteti i Nju Jorkut, distrikti më i madh shkollor i vendit, urdhëroi mbylljen e të gjitha ndërtesave të shkollave publike për një ditë.

    Kryebashkiaku Zohran Mamdani shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe urdhëroi që automjetet jo thelbësore të largoheshin nga rrugët e qytetit nga nata e së dielës deri në mesditën e së hënës, duke thënë se makinat e pastrimit dhe ekipet e emergjencës kishin nevojë për pastrimin e rrugëve ndërsa reshjet e dëborës u intensifikuan.

    Qyteti është nën paralajmërimin e parë për stuhi dëbore që nga viti 2017.

    Zyrat e qytetit do të mbyllen për shërbime fizike, dhe punonjësit jo-thelbësorë të bashkisë mund të punojnë nga distanca.

    “Po i bëj thirrje çdo banori të New Yorkut të qëndrojë në shtëpi”, tha Mamdani.

    E guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, tha se kishte aktivizuar 100 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në Long Island, New York City dhe Lower Hudson Valley – zona që pritet të përballen me peshën e borës së madhe dhe erërave bregdetare.

    Stuhia gjithashtu detyroi mbylljen e kompleksit të selisë së OKB-së në Manhattan të hënën.

    Siç është thënë më tej, disa pjesë të verilindjes mund të shohin deri në dy metra borë dhe shpërthimet e erës mund të arrijnë 70 mph, duke rritur rrezikun e rënies së pemëve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

  • Çështja e presidentit, Abdixhiku i shkon në takim Kurtit

    Çështja e presidentit, Abdixhiku i shkon në takim Kurtit

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për të zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Ai para mediave u tregua i rezervuar, pasi nuk u prononcua fare.

    Temë mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet të jetë çështja e presidentit.

  • MPJ: Të gjithë qytetarët e Maqedonisë të largohen nga territori i Meksikës

    MPJ: Të gjithë qytetarët e Maqedonisë të largohen nga territori i Meksikës

    Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Meksikë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut u bën thirrje qytetarëve të vendit që ndodhen në territorin e Meksikës ta lënë atë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të sigurt.

    Nga MPJ e Maqedonisë së Veriut rekomandojnë që të shtyhen të gjitha udhëtimet në Meksikë që nuk janë të natyrës urgjente dhe të nevojshme.

    “Ministria vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për ndihmë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes linjës telefonike SOS 24-orëshe: +389 75 268 736, adresës së email-it: [email protected], si dhe përmes linjës telefonike të Misionit Diplomatik dhe Konsullor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Uashington: +1 (202) 758-7798 ose adresës së email-it: [email protected].

    Ministria po e monitoron vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun në kohën e duhur”, thonë nga MPJ.

  • Kurti e degradon fort Besnik Bislimin, ky është roli i tij i ri

    Kurti e degradon fort Besnik Bislimin, ky është roli i tij i ri

    Besnik Bislimi, dikur zëvendëskryeministër me përgjegjësi për integrim evropian dhe zhvillim ekonomik, degradohet në udhëheqës të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, sipas vendimit të fundit të Kurtit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të ndryshojë rolin e njërit nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Besnik Bislimi, duke e autorizuar për një pozitë më administrative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

    Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, Bislimi do të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, një strukturë që funksionon nën drejtimin e Kryeministrit.

    Në vendim thuhet se mandati i tij në këtë pozitë do të zgjasë për aq kohë sa zgjat mandati i Kryeministrit, ndërsa Bislimi obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi.

    “Autorizohet z. Besnik Bislimi, të udhëheqë me Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike. Mandati i të autorizuarit nga pika 1 e këtij Vendimi, zgjat për aq sa zgjatë mandati i Kryeministrit. I autorizuari nga pika 1 e këtij Vendimi, obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi. Obligohen Zyra e Kryeministrit për zbatimin e këtij Vendimi. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në këtë vendim.

    Dokumenti, i nënshkruar nga Kurti më 20 shkurt 2026, detyron gjithashtu Zyrën e Kryeministrit të zbatojë këtë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

    Vendimi është dërguar edhe te vetë Bislimi, Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së dhe Arkivi i Qeverisë.

    Bislimi ka shërbyer si Ministër i Financave dhe Transfereve gjatë qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020, ku mbikëqyri buxhetin, financat publike dhe politikat fiskale të vendit.

    Nga 2021 deri më tani, Bislimi ka qenë Zëvendëskryeministër i Kosovës, përgjegjës për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e dialogut me Serbinë. Ai ka udhëhequr gjithashtu projekte strategjike qeveritare dhe ka përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare për çështje ekonomike dhe politike.

  • Kurti pret përfaqësuesin e UNDP-së, në fokus të diskutimit bashkëpunimi për reformat

    Kurti pret përfaqësuesin e UNDP-së, në fokus të diskutimit bashkëpunimi për reformat

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queiros.

    Në këtë takim të parë prej formimit të qeverisë së re, z. Queiros e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e tij dhe të kabinetit qeveritar.

    Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti e falënderoi z. Queirós për urimet dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe profesional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner i besueshëm dhe strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

    Në takim u rikonfirmua, siç thuhet, gatishmëria për vazhdim të bashkëpunimit në fusha prioritare si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

    “Kryeministri theksoi se reforma në prokurimin publik mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike. Në këtë drejtim, do vazhdojmë me miratimin e strategjisë anti korrupsion dhe ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Të dy palët u pajtuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

  • Mik i familjes për 18 vite, shqiptari tenton të përdhunojë vajzën me aftësi të kufizuara në Greqi

    Mik i familjes për 18 vite, shqiptari tenton të përdhunojë vajzën me aftësi të kufizuara në Greqi

    Një ngjarje e rëndë shënon prej dy ditësh (21 shkurt), në Kypseli, Greqi, kur një 64-vjeçar shqiptar, është futur në shtëpinë e një 25-vjeçarje, e cila është me aftësi të kufizuara, duke tentuar abuzimin seksual me këtë të fundit.

    Sipas mediave greke, shqiptari kishte njohje me familjen e vajzës prej 18-vitesh, madje konsiderohej si një person i besueshëm për ta.

    Ka qenë nëna e 25-vjeçares, e cila ka denoncuar rastin në polici, pasi siç shprehet ajo, e gjeti autorin në shtëpinë e saj duke tentuar t’i përdhunonte vajzën.

    “Shkova në farmaci për të marrë syze dhe sapo hapa derën, pashë atë mbi fëmijën tim. Ai vrapon dhe fshihet në tualet dhe unë e godas me gjëra. Më pas ai fillon të më godasë, të më shajë me fraza të pakuptueshme dhe të godasë vajzën time”, u shpreh e ëma e së resë për mediat greke.

    Pas gjithë kësaj, nëna e vajzës shprehet se ka sulmuar autorin me tigan.

    Në mediat greke, janë shpërndarë dhe pamjet nga kamerat e sigurisë që fiksojnë momentin kur shtetasi shqiptar hyn në shtëpinë e 25-vjeçares teksa e ëma e kësaj të fundit nuk ndodhej në banesë në ato momente.

    Intervista e nënës së 25-vjeçares për Mega.gr. Në video shfaqen momentet e shkëputura nga kamerat e sigurisë lidhur me ngjarjen.
    64-vjeçari është shpallur në kërkim nga autoritetet helene. Nga ekspertiza mjeko-ligjore, rezulton që nuk ka pasur abuzim tek vajza me aftësi të kufizuara.

    Çfarë dihet për 64-vjeçarin

    Sipas mediave greke, shtetasi shqiptar, i cili njihej nga familja e vajzës 25-vjeçare prej 18 vitesh, ishte një person i besueshëm për ata, madje i ndihmonte për blerjet. Ai dhe nëna e vajzës ishin njohur në kafenenë e kishës.

    Raportohet se ai është baba i dy fëmijëve, jeton në Nea Smyrni me djalin e tij, por ata të dy nuk kanë marrëdhënie shumë të mira.

    Me vajzën e tij, thuhet se nuk ka aspak kontakt, e as me gruan e tij.

    Sakaq, identiteti i 64-vjeçarit është mbajtur i fshehtë nga autoritetet./tvklan/