ATV

Author: K.B.

  • Zbulohet identiteti i 20-vjeçarit që hyri me shotgun në rezidencën e Donald Trump

    Zbulohet identiteti i 20-vjeçarit që hyri me shotgun në rezidencën e Donald Trump

    Një 21-vjeçar i armatosur u qëllua për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret amerikan pasi hyri në mënyrë të paligjshme në perimetrin e sigurisë së rezidencës Mar-a-Lago të Presidentit amerikan, Donald Trump, në Palm Beach të Floridës.

    Sipas autoriteteve, i riu është identifikuar si Austin Tucker Martin, nga Karolina e Veriut. Ai dyshohet se kishte udhëtuar mbi 1100 kilometra me makinë drejt Floridës, shkruan A2 CNN. Familjarët e kishin raportuar të zhdukur disa ditë më parë. Hetuesit besojnë se gjatë rrugës ai kishte siguruar një armë gjahu (shotgun), ndërsa në automjetin e tij u gjet edhe kutia e armës.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës, kur Martin tentoi të hynte në kompleksin e Mar-a-Lago duke ndjekur nga pas një automjet që po dilte nga porta veriore. Ai mbante me vete një shotgun dhe një bidon me lëndë djegëse. Dy agjentë të Shërbimit Sekret dhe një zëvendës sherif i qarkut Palm Beach e urdhëruan të hidhte armët.

    Sipas deklaratës së sherifit Ric Bradshaw, i riu fillimisht uli bidonin me karburant, por ngriti armën në pozicion qitjeje, çka bëri që forcat e sigurisë të hapnin zjarr dhe ta “neutralizonin” në vendngjarje. Asnjë efektiv i rendit nuk mbeti i plagosur.

    Në momentin e incidentit, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, ndodheshin në Uashington DC për një aktivitet zyrtar. Zyrtarë të Shërbimit Sekret konfirmuan se presidenti nuk ndodhej në Florida në atë kohë.

    Hetimet po udhëhiqen nga FBI, e cila po kërkon nga banorët e zonës të verifikojnë kamerat e sigurisë për pamje të dyshimta. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike motivet e 21-vjeçarit, ndërsa rasti mbetet nën hetim federal.

  • Ndryshon plani, përfundimisht merr fund ideja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Kosovë

    Ndryshon plani, përfundimisht merr fund ideja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Kosovë

    Të rinjtë e Kosovës përfundimisht nuk do t’i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    Iniciativa tashmë zyrtarisht ka marrë fund.

    Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ta praktikoj konceptim e mbrojtjes totale.

    Tash, qytetarët e Kosovës, pavarësisht profesionit, mund të kryejnë shërbim vullnetar.

    “Ky model është më lehtë i menaxhueshëm në aspektin logjistik dhe përputhet me praktikat që aplikojnë shumë shtete anëtare të NATO. Thelbi i përbashkët i këtyre modeleve është se mbrojtja nuk trajtohet vetëm si përgjegjësi e forcave të armatosura, por si angazhim gjithëpërfshirës i shtetit dhe shoqërisë, duke garantuar që çdo qytetar i Republikës së Kosovës ta dijë rolin dhe përgjegjësinë e tij në rast emergjence apo krize”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes për Tëvë1.

    Këtë plan të ministrisë, e ka mirëpritur koloneli në pension, Hysen Gecaj.

    “Sistemi i mbrojtjes nuk është një sistem që varet vetëm prej FSK-së, këtu ka edhe shumë elementë tjerë që e mbështesin FSK-në dhe kryejnë detyra specifike në nivelet që u përkasin atyre siç janë ta zëmë AKI, Policia e Kosovës, pastaj Emergjencat që po ashtu në situata lufte kanë detyra të caktuara që duhet t’i kryejnë”, shprehet koloneli në pension.

    Gecaj tregon se ka edhe forma të tjera që zëvendësojnë shërbimin e deryrueshëm ushtarak, pa i kushtuar financiarisht shtetit.

    “Të futet lënda e mbrojtjes në shkolla ku atje mund të mësojnë në aspektin teorik dhe pastaj në kazermat e FSK-së, të kalohet edhe me disa javë në aspektin praktik dhe kjo kushton pak më pak për buxhetin e Kosovës. Prandaj, ata që janë përgjegjës duke filluar prej Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes e kështu me radhë duhet të mendojnë duke u mbështetë gjithmonë në mundësitë financiare se cilin model do ta përzgjedhin”, thotë ai.

    Ndryshe, kur kishte marrë mandatin e parë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se do të realizohet shërbimi i detyrueshëm, jo për të sunduar, por për të mbrojtur vendin.

  • Për një javë Policia në Prishtinë gjen 604 shkelje në trafik nga radarët mobilë

    Për një javë Policia në Prishtinë gjen 604 shkelje në trafik nga radarët mobilë

    Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë realizuar 210 urdhëresa të gjykatës gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara.

    Sipas njoftimit, 54 prej këtyre urdhëresave kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër ka pasur të bëjë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.

    Në përputhje me urdhëresat gjyqësore, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata që janë dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë kryer obligimet e përcaktuara në urdhëresa.

    Sekuestrohen 7 armë zjarri

    Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Gjatë të njëjtës periudhë janë sekuestruar shtatë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municion përkatës.

    Mbi 3 mijë gjoba në trafik

    Në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, brenda së njëjtës periudhë janë shqiptuar 3.939 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

    Prej tyre, 604 shkelje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe veturat me radar mobil.

  • ‘‘Na e ke këput shpirtin’’, aktori Naser Rafuna humb personin e afërt në aksident trafiku

    ‘‘Na e ke këput shpirtin’’, aktori Naser Rafuna humb personin e afërt në aksident trafiku

    Aktori Naser Rafuna, ka humbur një të afërm të tij nga një aksident trafiku.

    Rafuna ka bërë të ditur se i ndjeri jetonte në Zvicër dhe se ka lënë pas vetë gruan me dy djem.

    Postimi:

    Të Allahut Jemi dhe te Ai do të kthehemi .

    Ngadhënjim,djali i tezës, pas një aksidenti komunikacioni ndërroj jetë duke lënë pas vehtës gruan me dy djemtë e vegjël dhe neve familjarjëve.

    Na e ka kputë shpirtin Mimi jem.

    Për të pame dhe procedurat e varrimit , do të ju lajmërojmë me kohë meqë i ndjeri jetonte në Zvicërr.

  • Rrugët e bllokuara nga shembjet dhe rrëshqitjet, Rama me helikopter drejt Korçës

    Rrugët e bllokuara nga shembjet dhe rrëshqitjet, Rama me helikopter drejt Korçës

    Rruga që lidh Tiranën me juglindjen e Shqipërisë është e bllokuar për shkak të shembjes në aksin Librazhd-Prrenjas.

    Kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës, por për shkak të bllokimit të rrugës, ai ka zgjedhur të shkojë me helikopter.

    Policia e Korçës është lajmëruar se kreu i qeverisë do zbresë me helikopter në 11:00 në Korçë, për inaugurimin e Polit të Dijes.

    Nga kryeministria nuk ka njoftim në lidhje me takimin në fjalë, ndërsa mediat e Korçës kanë raportuar lajmin mbi vizitën në fjalë. Kujtojmë se sot në mesditë ishte planifikuar hapja e rrugës, pas dëmtimeve që pësoi aksi në vendin e quajtur ‘Arra e Gurrës’.

    Por sot në këtë vend, pati sërish rrëshqitje, duke bërë që të anulohen planet. Madje dhe mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë zhvendosur nga vendi i ngjarjes, për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

  • Khamenei përgatit pasardhësin e tij nëse ai eliminohet, kush do të marrë udhëheqjen e Iranit?

    Khamenei përgatit pasardhësin e tij nëse ai eliminohet, kush do të marrë udhëheqjen e Iranit?

    Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka ndërmarrë hapa për t’u përgatitur për mundësinë e eliminimit të tij mes kërcënimeve në rritje nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të së dielës nga The New York Times.

    Khamenei emëroi aleatin e tij të ngushtë, Ali Larijani, si udhëheqës de facto të vendit gjatë kulmit të protestave antiqeveritare në janar, theksoi raporti i NYT, në një veprim që mund të pasqyrojë presionin në rritje ushtarak ndaj Teheranit dhe pritjet e Khameneit se ai mund të jetë shënjestër e sulmeve të ardhshme izraelite ose amerikane.

    Raporti vjen pas raportimeve të mëparshme gjatë kësaj jave se SHBA-të mund të sulmojnë Iranin.

    Edhe pse Larijani nuk është i kualifikuar për të pasuar Khamenein si udhëheqës suprem sepse nuk është një klerik i lartë shiit, një kualifikim themelor për këtë rol, ai është bërë një figurë kyçe e kohës së luftës.

    “Udhëheqësi suprem i beson plotësisht Larijani-t. Ai beson se Larijani është njeriu i duhur për këtë moment të ndjeshëm për shkak të karrierës së tij politike, mendjes së mprehtë dhe njohurive. Ai mbështetet tek ai për raportet mbi situatën dhe këshillat pragmatike. Roli i Larijani-t do të jetë shumë i theksuar gjatë luftës”, tha analisti konservator Nasser Imani për NYT.

  • Nisin hetimet për vdekjen e dy burrave në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë

    Nisin hetimet për vdekjen e dy burrave në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës është duke hetuar dy raste të vdekjeve në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

    Sipas njoftimit të Policisë, në Prishtinë është gjetur një burrë pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ku me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Polica thekson se rasti është në procedurë hetimore.

    Edhe në Fushë-Kosovë, është raportuar se një burrë është gjetur i shtrirë pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor ku është konstatuar vdekja e viktimës.

    Sipas policisë, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

  • Mbreti holandez betohet për qeverinë e re, do të jetë më i riu i të gjitha kohëve

    Mbreti holandez betohet për qeverinë e re, do të jetë më i riu i të gjitha kohëve

    Mbreti holandez Willem-Alexander është betuar në një qeveri të re të koalicionit holandez të pakicës, të udhëhequr nga kryeministri më i ri i të gjitha kohëve në Holandë, i cili do të duhet të përdorë të gjitha aftësitë e tij për të ndërtuar ura për të miratuar ligje dhe për të përmbushur një mandat të plotë katërvjeçar në detyrë.

    Rob Jetten, 38 vjeç, kryeson një administratë trepartiake të përbërë nga partia e tij e qendrës D66, Kristiandemokratët e qendrës së djathtë dhe Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e qendrës së djathtë.

    Partitë së bashku mbajnë vetëm 66 nga 150 vendet e Dhomës së ulët të parlamentit, kështu që Jetten do të duhet të negociojë me ligjvënësit e opozitës për të gjetur mbështetje për çdo legjislacion që qeveria e tij dëshiron të miratojë.

    Jetten dhe ekipi i tij i ministrave u betuan para mbretit në sallën e zbukuruar portokalli të pallatit mbretëror në një pyll në periferi të Hagës, 117 ditë pas zgjedhjeve kombëtare.

    Pas një fotoje tradicionale të kabinetit të ri në shkallët e pallatit, qeveria e re planifikon të fillojë punën me mbledhjen e parë të kabinetit në pasdite.

  • Kurti e Abdixhiku takohen në orën 14:00

    Kurti e Abdixhiku takohen në orën 14:00

    Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të takohet sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Siç mëson KosovaPress, takimi pritet të zhvillohet në objektin qeveritar në orën 14:00.

    Temë kryesore e këtij takimi pritet të jetë zgjedhja e presidentit të vendit, derisa afatet kushtetuese po afrohen.

    Kurti më 22 shkurt është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

    Zgjedhja e presidentit të vendit duhet të bëhet deri më datën 4 mars, pasi presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill 2026. Kushtetuta e thotë që presidenti duhet të zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit.

  • Në Spitalin e Mitrovicës fillon aplikimi i vaksinës BSZH tek të sapolindurit

    Në Spitalin e Mitrovicës fillon aplikimi i vaksinës BSZH tek të sapolindurit

    Vaksinimi me BSZH (BCG) tashmë ka filluar të aplikohet te të porsalindurit në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Mitrovicë. Deri tani ky proces nuk ishte kryer në Spital.

    Sipas një njoftimi thuhet se vaksina po aplikohet pas lindjes, nga stafi i infermierëve të Repartit të Neonatologjisë, nën mbikëqyrjen e rregullt të mjekëve

    “Vaksina BSZH (BCG) është vaksina që përdoret për parandalimin e tuberkulozit (TBC), një sëmundje infektive që prek më së shumti mushkëritë, por mund të përfshijë edhe organe të tjera të trupit”.

    Tutje në njoftim thuhet se ky proces po realizohet sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të foshnjave që në ditët e para të jetës.

    “Sipas mjekëve pediatër/neonatologë, vaksina është e sigurt, e testuar dhe rekomandohet nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare si masë efektive parandaluese. Kjo vaksinë është veçanërisht e rëndësishme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi i mbron nga format e rënda të tuberkulozit, si meningjiti tuberkular dhe tuberkulozi i përhapur”, thuhet në njoftim.