ATV

Author: K.B.

  • Zgjedhja e Presidentit: Sa deputetë duhet të jenë në sallë, sa të votojnë, kur duhen 80, e kur 61 deputetë?

    Zgjedhja e Presidentit: Sa deputetë duhet të jenë në sallë, sa të votojnë, kur duhen 80, e kur 61 deputetë?

    Vjosa Osmani po kërkon mandatin e dytë në krye të shtetit. Ajo synon të jetë e para e vendit edhe për pesë vitet e ardhshme. Teksa kanë mbetur nëntë ditë nga afati kushtetues kur Kuvendi duhet t’ia besojë edhe një mandat Osmanit, ose të zgjedhë dikë tjetër për President, ose vendi të shkojë në zgjedhje të reja, këto janë procedurat se si arrihet deri aty.

    Dilema e kuorumit

    Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë çështjen e kuorumit dhe mënyrën se si zgjidhet Presidenti i Republikës. Megjithatë, meqenëse këto dispozita janë interpretuar në mënyra të ndryshme, varësisht nga interesat politike, çështja është dërguar dy herë në Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe është trajtuar në detaje.

    Fillimisht ishte rasti i Behgjet Pacolli. Në atë rast, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje, sepse në raundin e parë kishin marrë pjesë më pak se 80 deputetë dhe nuk kishte dy kandidatë në garë. Prandaj, çështja e raundeve veç e veç ishte përmendur vetëm shkarazi.

    Për ta kuptuar më qartë çështjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, duhet t’i referohemi rastit të Hashim Thaçi. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime të hollësishme.

    Në Aktgjykimin KO47/16, saktësisht në pikën 63, thuhet: “Gjykata thekson që, për të qenë e vlefshme procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, në raundin e parë dhe të dytë të votimit, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë, ndërsa në raundin e tretë, të paktën shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë, në pajtim me paragrafët 4 dhe 5 të nenit 86 të Kushtetutës.”

    Pra, në raundin e parë dhe të dytë duhen të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe që votojnë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë të paktën 61 deputetë.

    Si konsumohen raundet?

    Raundi i parë dhe i dytë konsiderohen të konsumuar vetëm nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 80 deputetë dhe ata votojnë. Në të kundërtën, raundi është i pavlefshëm dhe nuk mund të vazhdohet me raundet e tjera, pasi raundi mbetet i pakonsumuar.

    Në pikën 64 të të njëjtit aktgjykim thuhet: “Në mënyrë që raundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet raundi i dytë. Në mënyrë që raundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, i njëjti numër, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur raundi i parë dhe raundi i dytë janë të vlefshëm, mbahet raundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, raundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.”

    Pra, për të kaluar në raundin e tretë, ku kërkohen vetëm 61 deputetë, duhet që më parë të jenë konsumuar në mënyrë të vlefshme dy raundet paraprake. Dhe për t’u konsumuar këto dy raunde, është e domosdoshme që të paktën 80 deputetë të jenë në sallë dhe të votojnë

  • Temperatura deri në 15 gradë sot, pasdite shtim i vranësirave e shi

    Temperatura deri në 15 gradë sot, pasdite shtim i vranësirave e shi

    Pas një mëngjesi të ftohtë, dita e martë fillon me intervale me diell. Deri nga mesdita temperaturat më të larta shënojnë rritje deri në 12C e 15C. Pasdite vransirat shtohen me afrimin e sistemit frontal nga verilindja e rajonit, që shoqërohet me erëra verilindore me hove mbi 15m/s, dhe reshje të dobëta shiu pjesëve të ulëta, derisa ato dëbore shfaqen viseve malore. Temperaturat pësojnë rënie në 5C e 7C.

    Më shumë intervale me diell parashihen ditën e mërkurë dhe të enjte, megjithëse orëve të pasdites mund të zhvillohen vransira të pakta lokale. Mëngjeseve paraqiten kushte për ngrica, me minimale që zbresin deri në -2C e -1C, ndërkohë që ato maksimale, të mërkurën arrinë 10C e nga e enjta, sërish shënojnë rritje deri në 13C e 15C.

    Më shumë kthjellime parashihet për ditën e premtë, e të shtunën kalojnë vransira, që më vonë mund të shoqërohen me ndonjë rigë shiu. Erëra veriore frynë ende ditën e mërkurë dhe të enjte, e nga e premta ndryshojnë drejtimin në jugperëndimore.

  • Ukrainës i duhen 588 miliardë dollarë për t’u rindërtuar nga pushtimi rus

    Ukrainës i duhen 588 miliardë dollarë për t’u rindërtuar nga pushtimi rus

    Ukraina ka nevojë për 588 miliardë dollarë për t’u rindërtuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga pushtimi katërvjeçar i Rusisë, një shifër pothuajse tre herë më e lartë se prodhimi vjetor ekonomik i vendit, thanë Banka Botërore dhe institucione të tjera në një raport të hënën.

    Totali i vlerësuar është 12 për qind më i lartë se shuma e dhënë vitin e kaluar, mes një dimri sulmesh shkatërruese ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që lanë miliona njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike.

    Katër vjet luftë kanë shkatërruar ekonominë e Ukrainës, kanë shndërruar qytete të tëra në rrënoja dhe kanë detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Aleatët perëndimorë të Kievit kanë premtuar qindra miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën që kur Rusia pushtoi në shkurt 2022, por Kievi përdor pjesën më të madhe të saj për përpjekjet e luftës dhe për të mbajtur ekonominë e saj mbi ujë.

    “Nevojat për rimëkëmbje dhe rindërtim vazhdojnë të rriten dhe tani vlerësohen në 587.7 miliardë dollarë amerikanë gjatë një horizonti 10-vjeçar – ekuivalente me pothuajse tre herë PBB-në e Ukrainës për vitin 2025”, tha raporti i botuar bashkërisht nga Banka Botërore, qeveria ukrainase, Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian.

    Shifra u llogarit bazuar në një vlerësim të dëmeve të shkaktuara deri më 31 dhjetor 2025.

    Që atëherë, Rusia ka nisur sulme më shkatërruese në rrjetin energjetik të Ukrainës, duke përfshirë valë sulmesh me raketa dhe dronë që kanë shkatërruar plotësisht disa termocentrale. Më shumë se një në shtatë shtëpi në Ukrainë janë dëmtuar ose shkatërruar si rezultat i luftës, tha raporti.

    Kostot e rindërtimit ishin më të larta në sektorin e transportit, me rreth 96 miliardë dollarë, të ndjekura nga sektorët e energjisë dhe të strehimit me rreth 90 miliardë dollarë secili.

    Pastrimi i mbeturinave dhe “menaxhimi i rrezikut nga eksplozivët” – në thelb përpjekjet për çminim – do të kërkojnë 28 miliardë dollarë.

    Rajonet e vijës së frontit Donetsk dhe Kharkiv do të kenë nevojë për investimet më të mëdha, ndërsa kryeqyteti Kiev do të kërkojë më shumë se 15 miliardë dollarë për t’u rikuperuar, tregoi raporti.

    Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë ndarë më shumë se 400 miliardë dollarë në ndihmë financiare, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë, sipas të dhënave nga Instituti Kiel me seli në Gjermani.

    Një kredi e planifikuar e BE-së prej 90 miliardë eurosh (106 miliardë dollarë) do të shkojë kryesisht për mbulimin e shpenzimeve ushtarake të Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore, tha Brukseli në janar.

  • Abdixhiku: Bashkëshortja ime do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj shpifësve

    Abdixhiku: Bashkëshortja ime do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj shpifësve

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpifjeve që, sipas tij, kanë përfshirë bashkëshorten e tij, Albinën.

    Ai thekson se në ditët me zhvillime me interes kombëtar, disa grupe përpiqen të përfshijnë edhe familjet e figurave publike, duke i atribuar pretendime të pavërteta për “përfitime politike” dhe “tregti me energji elektrike”.

    “Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve. Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për “përfitime politike” e “tregti me energji elektrike”. Sa lehtë shpifet këndej”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

    Tutje, Abdixhiku shprehu mbështetje të plotë për bashkëshorten e tij, e cila, siç tregon ai, ka vendosur të ndërmarrë veprim ligjor kundër shpifësve, duke e konsideruar këtë një hap të drejtë dhe të nevojshëm.

    “Si një zonjë e pavarur dhe profesionale që është, ajo më ka njoftuar se nesër do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare”, shkruan ai.

  • Hamza për takimin me Kurtin: S’shkova për pazare politike, s’u përmend asnjë emër për President

    Hamza për takimin me Kurtin: S’shkova për pazare politike, s’u përmend asnjë emër për President

    Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm me Kryeministrin Albin Kurti, lidhur me çështjen e presidentit, për zgjedhjen e të cilit kanë mbetur më pak se dy javë kohë.

    Hamza tha se nuk ka shkuar në takim për pazare politike e as për ndonjë marrëveshje.

    Ai tha se në takim nuk ështtë përmendur asnjë emër për postin e Presidentin.

    “ Unë dje nuk kam shkuar që të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik… Në takim nuk ka pas prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmend”, ka deklaruar Hamza.

    Ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për tema të ndryshme, teksa për çështjen e Presidentit tha se qëndrimi i PDK’së mbetet i njëjtë.

    “Kemi diskutuar për parimet, për rregulla,. Unë i kam dhënë qëndrimet e PDK’së, të cilat po i përsërit përveçse ndonjë kandidat i cili i plotëson kriteret që i ka vendosë PDK e këto janë që ta paraqes unitetin, e të jetë përfaqësues i gjithë spektrit politik, jo prej ndonjë partie politike, atëherë ne ulemi dhe e shqyrtojmë atë kandidaturë, edhe në Kryesi edhe në Grup Parlamentar”, ka thënë Hamza në RTV Dukagjini.

    Kurti ndërkohë ka paralajmëruar intensifikim të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e Presidentit.

    Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur kohë më pak se dy javë, teksa Kurti disa herë theksoi se do të jetë çështje e vështirë sigurimi i numrave, duke theksuar se 66 votat që i kanë, janë larg 80’shit, sa nevojiten për zgjedhjen e presidentit.

    Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.

    Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.

  • Pas 6 orësh intervistim, Artan Grubi dërgohet në Gjykatën Penale në Shkup

    Pas 6 orësh intervistim, Artan Grubi dërgohet në Gjykatën Penale në Shkup

    Marrja në pyetje e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në Prokurori ka përfunduar pas gjashtë orësh.

    Grubi është dërguar në Gjykatën Penale në Shkup, ku do të nxirret para një gjyqtari për procedurë paraprake.

    Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria nëse do të këmbëngulin në paraburgim efektiv apo do të propozojnë një masë më të butë, duke marrë parasysh se Grubi u kthye në vend vetë dhe hetimi tashmë ka përfunduar./TV21mk

  • “Me bo me hy në garë Ramushi fiton”, Tahiri për garën për president

    “Me bo me hy në garë Ramushi fiton”, Tahiri për garën për president

    Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se nëse kryetari aktual i kësaj partie, Ramush Haradinaj, do të hynte në garë për president të Kosovës, ai do të fitonte.

    Tahiri, në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, tha se një kandidaturë e Haradinajt do të kishte mbështetje të mjaftueshme.

    “Se me ba me hi në garë, Ramushi e fiton. Me ba me hi në garë e fiton, absolutisht. Në një garë kur vjen një figurë si Ramush Haradinaj dhe kushdo tjetër, ajo është tjetër muhabet. Unë jam i bindur që kemi vota”, tha Tahiri.

  • Pas 144 vitesh pune, përfundon kulla qendrore e Sagrada Familia-s

    Pas 144 vitesh pune, përfundon kulla qendrore e Sagrada Familia-s

    Pjesa e fundit e kullës qendrore të Sagrada Família në Barcelona është vendosur në pozicionin e saj përfundimtar, duke e çuar kishën në lartësinë maksimale, 144 vjet pas fillimit të ndërtimit.

    Pas disa ditësh me erëra të forta, segmenti i sipërm i kryqit katërkëndor prej çeliku dhe xhami (17 metra i lartë) u vendos të premten, duke përmbyllur kështu kullën e fundit dhe më të madhe, e cila i kushtohet Jezu Krishtit.

    Me një lartësi prej 172,5 metrash, Sagrada Familia, së cilës arkitekti katalanas Antoni Gaudí i kushtoi vitet e fundit të jetës, është tashmë ndërtesa më e lartë në Barcelonë dhe kisha më e lartë në botë.

    Ndërsa u ngritën flamujt e Katalonjës dhe të Vatikanit, Jordi Faulí, arkitekti kryesor i projektit, deklaroi: “Ishte një ditë e gëzueshme, e mrekullueshme për të gjithë ata që e bënë të mundur.”

    Ceremonia për përfundimin e kullës, më e larta nga 18 kullat e projektuara nga Gaudí për Sagrada Familia, do të mbahet më 10 qershor, pikërisht 100 vjet pas vdekjes së Gaudít në vitin 1926 dhe 16 vjet pas shugurimit të kishës nga Pope Benedict XVI. Përfundimi i plotë i kompleksit pritet brenda rreth një dekade, me ndërtimin e një fasade mbresëlënëse me orientim jugor.

    Një simbol që përcakton horizontin e qytetit

    Pavarësisht se mbetet ende punë për t’u bërë, dita ishte plot emocione për një qytet që ka jetuar për breza me veprën e papërfunduar të Gaudít. Sot, tempulli përcakton horizontin e Barcelonës ashtu si Eiffel Tower në Paris apo Empire State Building në Nju Jork. Për dekada me radhë, Sagrada Familia ishte një kantier i hapur ndërtimi, ku breza gurgdhendësish dhe marangozësh punonin mes turistëve, të cilët në fund financuan projektin. Vetëm 15 vitet e fundit, që kur nisën punimet për brendësinë mahnitëse, ajo ka filluar të duket më shumë si kishë sesa si kantier.

    Shkrimtari britanik George Orwell e kishte përshkruar Sagrada Familian si “një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë” dhe kishte shprehur keqardhjen që anarkistët nuk e hodhën në erë kur patën mundësinë.

    Megjithatë, anarkistët shkatërruan planet origjinale të Gaudít dhe modelin prej gipsi, të cilat vite më vonë u rindërtuan me shumë mund. Në fund të viteve 1970, arkitekti nga Zelanda e Re, Mark Burry, përshtati një program kompjuterik të projektimit të raketave për të realizuar me saktësi projektin kompleks të Gaudít.

    Hapi i radhës: Fasada e “Lavdisë”

    Përveç përfundimit të detajeve të kullës kryesore, tre artistë, Miquel Barceló, Cristina Iglesias dhe Javier Marín, janë ngarkuar të paraqesin propozime për Fasaden e Lavdisë, e cila pritet të përfundojë brenda 10 vjetësh. Sagrada Familia mbetet atraksioni kryesor turistik i qytetit, me rreth 5 milionë vizitorë në vit dhe të ardhura vjetore prej rreth 150 milionë eurosh, gjysma e të cilave deri më tani janë investuar në ndërtim.

  • Policia asiston në një rast të dhunës në familje në Ferizaj, te i dyshuari gjen substanca narkotike e armë

    Policia asiston në një rast të dhunës në familje në Ferizaj, te i dyshuari gjen substanca narkotike e armë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Ferizaj, të cilit pas bastisjes për një rast të dhunës në familje, i janë gjetur substanca narkotike dhe armë.

    Në cilësi të provave, janë gjetur dhe konfiskuar: marihuanë, kokainë, pistoletë me gas dhe karikator, para në prerje letre në total 400 euro, dy telefona, një pako letra për mbështjellje të narkotikëve dhe një peshore digjitale, shkruan Reporteri.net.

    “Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, ndërsa me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, kanë asistuar gjatë një rasti të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt, pasi që dyshohej për substance narkotike.

    Në prezencë të një dëshmitari, me urdhër të lëshuar nga Gjykata është kontrolluar prona ku

    jetonte i dyshuari L.I., M/K, dhe në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar;

    – Substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, me peshë 86.7 gr,

    – Substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë me peshë 4.7 gr,

    – Substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë në formë qokollade me peshë 40.2 gr,

    – Një pistoletë me gas me një karikator dhe 6 fishekë,

    – Para në prerje letre në total 400 euro.

    – 2x telefona mobil,

    -Një pako me letra për mbështjellje të narkotikëve,si dhe

    – Një peshore digjitale.

    Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, ndërsa me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Të gjitha pajisjet e reja që Apple planifikon të lansojë javën e ardhshme

    Të gjitha pajisjet e reja që Apple planifikon të lansojë javën e ardhshme

    Apple do të organizojë një “Përvojë të Veçantë Apple” në Nju Jork, Londër dhe Shangai javën e ardhshme, e planifikuar për të mërkurën, më 4 mars, por nuk do të jetë një fjalim kryesor i vërtetë.

    Në vend të kësaj, Apple do të organizojë përvoja praktike për anëtarët e medias për të testuar pajisje të reja, të cilat do të shpallen në ditët para tubimeve, transmeton Telegrafi.

    Mark Gurman nga Bloomberg News sugjeron se do të shohim disa njoftime midis 2 dhe 4 marsit, të cilat do të jenë në formën e njoftimeve për shtyp.

    Duhet të shihet iPhone 17e i ri së bashku me iPad-ët dhe MacBook-ët e rinj. Apple është gati të debutojë një iPad të ri të nivelit fillestar, i cili do të ketë çipin Apple A18 së bashku me modelet e reja iPad Air në të njëjtat madhësi 11 dhe 13 inç me çipin Apple M4.

    Sa i përket MacBook-ëve, Apple më në fund është gati të debutojë MacBook-un e saj të nivelit fillestar (J700) të përfolur prej kohësh me çipin A18 Pro dhe opsione të shumta ngjyrash.

    Ngjyrat thuhet se janë të njëjtat që shihen në posterin e ftesës, pra të verdhë, jeshile dhe blu, ndërsa thashethemet e mëparshme sugjerojnë gjithashtu opsione rozë, argjendi dhe gri të errët.

    Apple pritet gjithashtu të lansojë modele të reja MacBook Air dhe Pro me çipa të përmirësuar M5, M5 Pro dhe M5 Max.

    John Gruber i Daring Fireball gjithashtu beson se do të shohim një lançim të përditshëm të produkteve të reja të Apple dhe madje parashikoi rendin e lansimit të tyre.

    Sipas postimit në blog, mund ta shohim iPhone 17e të hënën, të ndjekur nga iPad-ët e rinj të martën dhe MacBook-ët e rinj të mërkurën.