ATV

Author: K.B.

  • Arrestohet një person në Malishevë, dyshohet për manipulim të rezultateve të votave

    Arrestohet një person në Malishevë, dyshohet për manipulim të rezultateve të votave

    Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin se ka falsifikuar rezultatet e votimit gjatë procesit zgjedhor.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte ushtruar detyrën e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

    Ai dyshohet se gjatë këtij procesi ka manipuluar rezultatet.

    Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 08:30, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është realizuar më 22 shkurt 2026. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

    “Malishevë 23.01.2026-08:30. Në lidhje me rastin, më 22.02.2026, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili në procesin zgjedhor kishte qenë kryesues i komisionit për numërim të votave të kandidateve për deputet. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se e dhunoi seksualisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se e dhunoi seksualisht bashkëshorten e tij

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar në Pejë për dhunë në familje. I njëjti dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

    Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh, i dyshuari ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht bashkëshorten e tij.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë. I njëjti është dërguar në mbajtje.

    Raporti i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE , ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Pejë 22.02.2026 – 22:00. Me 23.02.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht viktimën femër- bashkëshorten e tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • “Kurti s’na do në tavolinë”, Gucati revoltohet për Këshillin Shtetëror: Injorancë…

    “Kurti s’na do në tavolinë”, Gucati revoltohet për Këshillin Shtetëror: Injorancë…

    Në emisionin “Ora Shtatë”, Gucati tha se si OVL UÇK janë të gatshëm për bisedime, por shtoi se Ministria e Mbrojtjes, njëkohësisht, siç tha edhe ai, Qeveria, nuk duan të ulen bashkë me veteranët në një tryezë.

    “Nuk po gjejmë gjuhë të përbashkët. Kjo është arsyeja pse nuk i shkojmë në këshill organizativ. Kush më shumë se ne nuk e do lirinë. Epopeja e UÇK-së është e të gjithë qytetarëve të Kosovës, andaj dhe kemi themeluar një këshill organizativ”, tha Gucati

    Ai shtoi se kryeministri Albin Kurti nuk i ka kthyer përgjigje atij.

    “Kur zoti i shtëpisë nuk do, çfarë të bëjmë ne?”, tha Gucati.

    Sa i përket ftesës së Ministrisë së Mbrojtjes karshi OVL UÇK-së, Gucati tha se ministri Ejup Maqedonci i ka injoruar në total.

  • Dhuna në Meksikë, çfarë do të thotë për Kupën e Botës 2026?

    Dhuna në Meksikë, çfarë do të thotë për Kupën e Botës 2026?

    Shpërthimi i dhunës nga karteli Jalisco New Generation Cartel (CJNG), pas vrasjes së liderit të tij Nemesio Oseguera Cervantes, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 në Meksikë.

    Përplasjet me ushtrinë, djegia e automjeteve dhe bllokimi i rrugëve në shtetin Jalisco ku ndodhet Guadalajara, një nga qytetet pritëse kanë alarmuar autoritetet dhe tifozët.

    Guadalajara do të presë katër ndeshje, ndërsa takime të tjera janë planifikuar në Mexico City dhe Monterrey. Ekspertët paralajmërojnë se një vakuum pushteti brenda kartelit mund të sjellë paqëndrueshmëri të re, megjithëse theksojnë se vetë grupet kriminale kanë interes ekonomik që turneu të zhvillohet pa incidente.

    Autoritetet amerikane kanë këshilluar qytetarët e tyre në Jalisco të qëndrojnë brenda, ndërsa Kanadaja ka anuluar disa fluturime drejt Puerto Vallarta.

    Megjithatë, analistët vlerësojnë se rreziku për turistët gjatë verës mbetet “i moderuar”, nëse operacionet ushtarake nuk përshkallëzohen. Vëmendja tashmë është zhvendosur tek FIFA dhe aftësia e bashkëorganizatorëve – Meksikës, SHBA-së dhe Kanadasë për të garantuar sigurinë e tifozëve.

    Me turneun që afrohet, imazhet e dhunës që qarkullojnë globalisht mund të ndikojnë perceptimin e udhëtimit drejt Meksikës, ndërsa organizatorët përballen me sfidën për të ruajtur stabilitetin dhe besimin ndërkombëtar.

  • Filharmonia e Kosovës për herë të parë me koncert në Vjenë

    Filharmonia e Kosovës për herë të parë me koncert në Vjenë

    Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, do të paraqitet sonte me një koncert në Vjenë, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

    Ky koncert organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe do të mbahet në ora 19:00, në Haus der Industrie – King’s Hall, në Vjenë.

    Në program do të interpretohen vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, me pjesëmarrjen e sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani.

    Ky është prezantimi i parë i Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak dhe vjen në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

  • Ngordhin 72 tigra në parkun turistik tajlandez, nisin hetimet

    Ngordhin 72 tigra në parkun turistik tajlandez, nisin hetimet

    Autoritetet në Chiang Mai, një qytet në Tajlandën veriore, po hetojnë ngordhjen e 72 tigrave në një atraksion turistik të njohur këtë muaj.

    Tigrat ngordhën në një hark kohor prej më pak se dy javësh në dy objekte të Tiger Kingdom Chiang Mai, një park ku vizitorët mund të prekin dhe të bashkëveprojnë me kafshët, shkruan BBC.

    Departamenti lokal i bagëtive tha se mostrat nga tigrat treguan virusin e murtajës së qenve – megjithëse autoritetet nuk kanë konfirmuar se si ndodhi shpërthimi.

    Zyrtarët thanë të hënën se kishin djegur dhe varrosur mbetjet e tigrave.

  • Harry Bajraktari mohon ambiciet për President: Vazhdoj ta mbështes Vjosa Osmanin

    Harry Bajraktari mohon ambiciet për President: Vazhdoj ta mbështes Vjosa Osmanin

    Shqiptaro-amerikani, Harry Bajraktari, ka mohuar se ka ambicie për t’u bërë President i Kosovës, pas Raportimeve i njëjti po lobon në ShBA për këtë post.

    Bajraktari ka thënë se vazhdon të mbështes presidenten aktuale, Vjosa Osmanin, edhe për një mandat, duke thënë se ajo është kandidatja e duhur.

    “Për të shmangur çdo keqinterpretim, po e them qartë sërish: NUK KAM AMBICIE PËR T’U BËRË PRESIDENT I KOSOVËS”, ka shkruar Bajraktari.

  • Rob Jetten, kryeministri holandez që adoptoi qenin nga Kosova

    Rob Jetten, kryeministri holandez që adoptoi qenin nga Kosova

    Rob Jetten është kryeministri i parë holandez që ka adoptuar qen nga Kosova.

    “Muja me të vërtetë ka sjellë strukturë dhe ritëm në jetën time”, është cituar të ketë thënë kryeministri holandez.

    Holanda ka nisur dje zyrtarisht mandatin e qeverisë së re “Jetten 1”.

    Informacionin e dha Stefan van Dijk (@stefaninkosovo), një shtetas holandez që erdhi në Kosovë dhe është i njohur për promovimin e vendit përmes turizmit, medias dhe konsulencës biznesore.

  • Mblidhen katër komisione parlamentare, shqyrtohet konkursi për një anëtar të KPK-së

    Mblidhen katër komisione parlamentare, shqyrtohet konkursi për një anëtar të KPK-së

    Gjatë ditës së sotme, disa nga komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë mbledhje me fokus në përcaktimin dhe miratimin e fushëveprimtarisë së tyre për mandatin aktual.

    Në orën 10:00, Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal do të bëjë hartimin e fushëveprimtarisë së Komisionit.

    Po në të njëjtën orë, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji do të mblidhet për të miratuar fushëveprimin e tij.

    Ndërkaq, në orën 11:00, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion pritet të miratojë fushëveprimin e Komisionit.

    Në orën 13:00, Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Anëtarëve Joprokurorë të Këshillit Prokurorial do të shqyrtojë shpalljen e konkursit për zgjedhjen e një anëtari joprokuror të KPK-së.

  • Tetë ditë kohë për presidentin, Kurti kërkon marrëveshje ndërpartiake – çka u tha pas takimeve me Hamzën e Abdixhikun

    Tetë ditë kohë për presidentin, Kurti kërkon marrëveshje ndërpartiake – çka u tha pas takimeve me Hamzën e Abdixhikun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

    Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza. Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur edhe tetë ditë. Kurti, ka paralajmëruar intensifikim të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e Presidentit, pas takimeve që zhvilloi me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun.

    Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.

    “ Në vijim do të intesifikojmë bisedimet në mënyrë që ta kemi një zgjidhje për çështjen e presidentit, për shkak se përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë që pas atyre katër palë zgjedhjeve që i patëm, nuk do të duhej që edhe në vitin 2026, gjysmën e parë të na e marrin zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

    Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja. Ai tha se nuk ka përafrim më shumë me asnjërin nga liderët e partive opozitare, por bëri një llogaritje të numrave me LDK’në, për çka tha se nuk ëshyë një formulë e sigurtë për ta tejkaluar këtë çështje.

    “Edhe Vetëvendosje me LDK’në nuk është një formulë e sigurtë që ne ta tejkalojmë këtë çështje dhe të mos detyrohemi që të shkojmë sërish në zgjedhje. Nuk mund të them që kam përafrim më shumë me njërin ose tjetrin, por e bëra aritmetikën e numrave që është një fakt objektiv mes nesh që duhet trajtuar me seriozitet maksimal. Me fjalë të tjera do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të mos zgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.

    Megjithatë, ai u shpreh optimist se do të gjendet zgjidhje.

    “Mua ajo që më bën optimist ësstë konstruktiviteti i atmosferës në këto takime, fakti që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë që nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Gatishmëria ekziston, por zell për zgjedhje të reja nuk shoh. Këto elemente më bëjnë optimist që në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

    Fillimisht, mbrëmjen e së dielës, Kurti u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit theksoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike.

    “Si subjekt opozitar, nuk do të jemi pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese,” deklaroi Hamza, duke bërë thirrje për reflektim dhe shmangie të kalkulimeve afatshkurtra partiake.

    Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se në takim me Kurtin janë diskutuar dy rrugë të mundshme: arritja e një konsensusi të gjerë politik brenda nëntë ditëve të mbetura nga afati kushtetues, ose një marrëveshje klasike politike mes partive.

    “Dakordimi i përgjithshëm është se ka vetëm dy rrugë: ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, ose marrëveshje politike mes partive. Në të dyja rastet duhen dy të tretat e votave,” tha ai, duke shtuar se palët do të vazhdojnë takimet në ditët në vijim.

    Mandati i presidentes Osmani përfundon në fillim të prillit, ndërsa sipas afateve kushtetuese, presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 4 mars. Osmani ka shprehur ambicien për një mandat të dytë pesëvjeçar, por ende nuk është e qartë nëse gëzon mbështetjen e nevojshme parlamentare.

    Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.