ATV

Author: K.B.

  • Fatmir Sheholli i vazhdohet masa e paraburgimit edhe dy muaj

    Fatmir Sheholli i vazhdohet masa e paraburgimit edhe dy muaj

    Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Shehollit.

    Vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij, e ka konfirmuar për KALLXO, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”- thuhet në përgjigjjen e Gashit.

  • Pas 500 ditësh, SPAK lejon avokatët ndërkombëtarë të takojnë Veliajn

    Pas 500 ditësh, SPAK lejon avokatët ndërkombëtarë të takojnë Veliajn

    Prokurorët e SPAK kanë vendosur, pas 500 ditësh, të lejojnë avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt të takojnë kryebashkiakun e Tiranës.

    Mësohet se vendimi është marrë para disa ditësh, pavarësisht faktit se nuk ka ndryshuar asnjë shkak nga arsyet për të cilat vetë prokurorët e SPAK-ut i kishin refuzuar disa herë kërkesat për takim të mbrojtjes ndërkombëtare me Veliajn.

    Më herët, avokatët ndërkombëtarë të Veliajt kishin kërkuar disa herë takim me të, për të dokumentuar çdo shkelje të bërë ndaj kryebashkiakut të Tiranës në çështjen e tij hetimore dhe për ta çuar atë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

    Nuk dihet pse pas 500 ditësh SPAK ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur të lejojë takimin mes avokatëve dhe Veliajt.

  • AKK: Komunat do të dëmtohen mbi 150 milionë euro gjatë këtij viti

    AKK: Komunat do të dëmtohen mbi 150 milionë euro gjatë këtij viti

    Komunat e Kosovës pritet të dëmtohen financiarisht me mbi 150 milionë euro gjatë vitit 2026, si pasojë e vendimeve gjyqësore, moszbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, reduktimit të grantit të arsimit dhe përgjysmimit të grantit të performancës, ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

    Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 60 milionë euro nga vendimet gjyqësore, shumica prej të cilave lidhen me kontratat kolektive.

    “Këtë vit, viti 2026, është viti më i rëndë financiar për komunat e Republikës së Kosovës. Janë duke u marrë mjete financiare padrejtësisht të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, pa dallim partiak. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, komunave nga vendimet gjyqësore, ku shumica e tyre kanë të bëjnë me kontratat kolektive, ju kanë marrë mbi 60 milionë euro”, tha ai.

    Ibrahimi tha se një barrë tjetër financiare për komunat do të jetë edhe moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përvojën e punës së shërbyesve publikë.

    “Tani, pjesa tjetër është ku ministri Hekuran Murati nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket normës së përvojës së punës, ku Gjykata Kushtetuese ka thënë që norma e përvojës së punës duhet paguhet 0.5% për vit. Kurse ministri Murati e ka zbatuar normën prej 0.25% të përvojës së punës që nga fillimi i vitit 2023, vitin 2024, vitin 2025, për shërbyes publik. Dhe tani, në bazë të informatave që i kemi nga niveli lokal, numrin e shërbyesve publikë në nivel lokal, dëmi i cili do t’i shkaktohet komunave apo buxheteve komunale, për shkak që ministri Murati nuk e ka zbatuar atë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, do të jetë përafërsisht 60 milionë euro”, tha ai, për Ekonomia Online.

    Sipas tij, komunat do të përballen edhe me një reduktim të grantit specifik për arsim.

    “Shtoj kësaj edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku granti specifik për arsim ka me qenë i reduktuar për komuna rreth 24 milionë euro, ku mbi 3,000 mësimdhënës në nivel lokal do të paguhen nga buxhetet e komunave të Republikës së Kosovës dhe vlera do të jetë rreth 24 milionë euro”, tha ai.

    Ibrahimi kritikoi edhe vendimin për përgjysmimin e grantit të performancës për komunat përfituese.

    “Ministri i Pushtetit Lokal mori vendim apo Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim që grantin për performancë, shumën e cila ka qenë e dedikuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2026 ka qenë 4 milionë euro. Mirëpo në mënyrë të jashtëligjshme ata i përgjysmuan këtë grant dhe vendosën që në vend të 4 milionë euro të jetë 2 milionë euro. Domethënë dëmi ndaj pesë komunave përfituese është rreth 2 milionë euro. Në total këtë vit, domethënë bazuar në llogaritë tona, i del që komunat do të dëmtohen nga aspekti financiar mbi 86 milionë euro. I përmblodha nga të gjitha katër dëmet pothuajse kryesore të cilat niveli qendror ia ka shkaktuar nivelit lokal nga aspekti financiar”, tha ai.

    Ai paralajmëroi se shumica e këtyre mjeteve do të merren nga investimet kapitale, subvencionet dhe mallrat e shërbimet.

    “Dhe paramendoni tash, shumica absolute e këtyre mjeteve do të mirren nga investimet kapitale, nga subvencionet, nga mallrat dhe shërbimet, dhe çfarë do të munden kryetarët e komunave të investojnë në komunat e tyre përkatëse. Domethënë nëse vazhdon një trend i tillë dhe nëse vazhdon një papërgjegjësi totale e nivelit qendror kundra komunave, shumë shpejt komunat mund të shndërrohen në njësi administrative të cilat nuk do të kenë mjete financiare për investime kapitale, për mallra, shërbime dhe subvencione, dhe do të jenë përgjegjës vetëm për shpërndarjen e certifikatave të lindjes dhe certifikatave të tjera. Pra ky është një dëm kolosal i cili është duke iu shkaktuar komunave me qëllim dhe me vetëdije”, tha ai.

    Ibrahimi tha se niveli qendror po bart te komunat përgjegjësi financiare që nuk burojnë nga vendimet e tyre.

    “Dhe duke marrë parasysh që kontratat kolektive nuk janë nënshkruar nga komunat, po nga niveli qendror, atëherë kjo është edhe përgjegjësi institucionale e nivelit qendror. 24 milionë euro, të cilat komunat do të jenë të obliguara t’i ndajnë për mësimdhënësit, është dashur që të bëhet një strategji që shkallë-shkallë të eliminohet ky problem apo të minimizohet ky problem. Mirëpo niveli qendror në mënyrë arbitrare ka marrë vendim që këto 24 milionë euro komunat duhet t’i ndajnë për t’i mbuluar koston e mësimdhënësve të cilët janë me kontrata”, tha ai.

    Ai shtoi se pasojat financiare do të rëndohen edhe nga kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.

    “Nuk mundesh ta shkëputësh kontratën e njëanshme dhe në mënyrë arbitrare me një mësimdhënës sepse ai mësimdhënës do t’i shfrytëzojë procedurat ligjore dhe do t’i përfitojë ato mjete financiare. Po përveç atyre që do t’i përfitojë, avokatët dhe përmbaruesit do të fitojnë një përqindje deri në 30%. Gjithashtu kjo përqindje e avokatëve, procedurave gjyqësore dhe përmbaruesve është e njëjtë edhe për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për normën e përvojës së punës nga 0.25 në 0.5%. Domethënë përveç që po dëmtohet buxheti komunal, po dëmtohet edhe buxheti i shtetit sepse reagimi, përgjegjësia institucionale është duke munguar dhe në përgjithësi kryetarët e komunave janë duke u ankuar që nuk do të kenë mjete financiare për zbatimin e projekteve të cilat i kanë paraparë me buxhetet komunale të cilat janë aprovuar në shtator të vitit të kaluar për këtë vit”, tha ai.

  • Pas reagimeve për kushtet në Pediatri, nisin të largohen shtretërit e dëmtuar

    Pas reagimeve për kushtet në Pediatri, nisin të largohen shtretërit e dëmtuar

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka nisur largimi i shtretërve të dëmtuar nga Klinika e Pediatrisë, me qëllim përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin shëndetësor.

    Ky veprim vjen pas raportimit publik të një nëne, e cila kishte ndarë përvojën e saj gjatë qëndrimit me fëmijën në objektin e vjetër të Pediatrisë, duke ngritur shqetësime për kushtet në klinikë.

    Një ditë më parë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte njoftuar për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili do të shqyrtojë masat administrative ndaj punonjësve shëndetësorë lidhur me rastin.

    Largimi i shtretërve të dëmtuar është pjesë e veprimeve të ndërmarra pas reagimeve publike për gjendjen infrastrukturore dhe kushtet e qëndrimit në Klinikën e Pediatrisë./RTVD/

  • Opozita në Serbi kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave se do ta spastronte etnikisht Kosovën

    Opozita në Serbi kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave se do ta spastronte etnikisht Kosovën

    Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti kjo opozitare në Serbi, kërkoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, për shkak të gjuhës së urrejtjes të shprehur në “deklaratën shoviniste” se ajo do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët në vitin 1998″.

    Reagimi thotë se deklarata është një avokim i vetëdijshëm i persekutimit etnik.

    PSG thekson se një person që justifikon dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të kombësisë së tyre nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Serbisë dhe se është veçanërisht e rrezikshme që mesazhe të tilla vijnë nga Ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, që do të duhej të garantonte barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve shtetërore dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.

    “Deklarata e ministres hap gjithashtu një çështje serioze të përgjegjësisë së mundshme penale në përputhje me nenin 317 të Kodit Penal, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, vlerëson PSG, e cila pret që prokuroria publike kompetente të hetojë nëse ka elementë të asaj vepre penale në pikëpamjet e saj të shprehura publikisht.

    Snezhana Paunoviq ka qenë anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992 dhe nënkryetare që nga viti 2024, sipas biografisë së saj zyrtare. Ajo u zgjodh në pozicionin e deputetes për herë të parë në vitin 2013 dhe në dy mandate mbajti pozicionin e Zëvendëskryetares së Kuvendit.

    Deklarata ka nxitur reagime edhe në Kosovës.

    Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

    “Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.

    E në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në Facebook, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.“Deklarata e Snežana Paunović, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë. Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë. Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në IKKL dokumentojmë faktet dhe dëshmitë me bindjen se ato janë themel për drejtësi, pranim të krimeve dhe kërkimfalje institucionale. Sepse përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkruhet në reagimin e Institutit në Facebook.

  • Burim Berisha prezanton ekspozitën “RESIDUE” në Institutin ARKIV

    Burim Berisha prezanton ekspozitën “RESIDUE” në Institutin ARKIV

    Instituti i Artit Bashkëkohor – ARKIV do të hapë më 18 korrik ekspozitën personale të artistit Burim Berisha, me titull “RESIDUE”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 shtator.

    E ndërtuar mbi një praktikë artistike prej më shumë se 25 vjetësh, ekspozita trajton skulpturën si një proces perceptimi, duke eksploruar kujtesën, transformimin dhe gjurmët që mbeten përmes instalacioneve me tingull, tym, dhe materiale të tjera.

    Hapja e ekspozitës dhe konferenca për shtyp do të mbahen më 18 korrik, duke filluar nga ora 11:00.

    Burim Berisha është artist bashkëkohor nga Peja, i njohur për praktikën e tij në skulpturë, instalacion dhe ndërhyrje site-specific, me fokus në perceptimin, hapësirën dhe përvojën sensoriale.

  • Çiljeta dhe Gjergj Leka përplasen publikisht

    Çiljeta dhe Gjergj Leka përplasen publikisht

    Një lajm i rremë i shpërndarë në rrjetet sociale ka shkaktuar një debat të ashpër publik mes këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe kompozitorit Gjergj Leka.

    Gjithçka nisi nga një fotografi e montuar, përmes së cilës pretendohej se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, e kishte dekoruar Çiljetën me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

    Ndonëse publikimi kishte karakter satirik, ai u mor si i mirëqenë nga një pjesë e përdoruesve, duke nxitur reagime të shumta. Vëmendjen më të madhe e tërhoqi komenti ironik i Gjergj Lekës, i cili e cilësoi lajmin si “sarkazmën e vitit”.

    “Nëse nuk është humor, do të ishte dita më e turpshme e presidentit shqiptar”, shkroi ndër të tjera kompozitori.

    Çiljeta reagoi duke sqaruar se lajmi nuk ishte i vërtetë dhe se nuk kishte marrë asnjë dekoratë. Megjithatë, ajo e kritikoi ashpër mënyrën se si Leka ishte shprehur për të.

    “Qetësohu, Gjergj. Është thjesht një lajm i rremë. Nuk kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme që një artist si ti të shprehet në këtë formë dhe me kaq mllef”, shkroi këngëtarja.

    Në reagimin e saj, Çiljeta përmendi edhe angazhimin shumëvjeçar në muzikë, prezantim dhe aktrim, duke theksuar se për të rëndësi ka realizimi i ëndrrave personale dhe mbështetja që vazhdon të marrë nga publiku.

    “Edhe sot, pa publikuar këngë të reja prej vitesh, vazhdoj t’i mbush koncertet. Për mua ka rëndësi që i kam realizuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar dhe aktruar, jo mendimi i disa njerëzve”, deklaroi ajo.

    Këngëtarja e përfundoi reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kompozitorit, duke i kërkuar të reflektonte për komentet e tij.

    Replika e Çiljetës u pasua nga një tjetër përgjigje e Gjergj Lekës. Ai tha se e vlerëson atë si person, por jo kontributin e saj në artin shqiptar.

    “Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për atë që ke dhënë në artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më vjen mirë që kohët e fundit jeta dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë dhe muzikë me vlera”, shkroi Leka.

    Përplasja mes dy artistëve ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku ndjekësit janë ndarë në qëndrimet e tyre rreth deklaratave dhe toneve të përdorura nga të dyja palët.

  • OBSH-ja: Rastet e reja të kancerit mund të dyfishohen deri në vitin 2050

    OBSH-ja: Rastet e reja të kancerit mund të dyfishohen deri në vitin 2050

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se bota po përballet me një rritje të ndjeshme të barrës së kancerit gjatë dekadave të ardhshme.

    Sipas Raportit Global mbi Gjendjen e Kancerit 2026, numri i rasteve të reja mund të arrijë në afro 35 milionë në vit deri në vitin 2050, krahasuar me rreth 20.6 milionë raste që regjistrohen aktualisht çdo vit.

    Raporti thekson se kanceri mbetet shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë, me afro 10 milionë viktima çdo vit. Ekspertët vlerësojnë se plakja e popullsisë, rritja e obezitetit, mungesa e aktivitetit fizik, dieta jo e shëndetshme, ndotja e ajrit dhe konsumimi i duhanit e alkoolit do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të rasteve në dekadat e ardhshme.

    Sipas OBSH-së, megjithëse janë shënuar përparime të rëndësishme në diagnostikim dhe trajtim, miliona njerëz vazhdojnë të mos kenë qasje në shërbime cilësore. Në shumë vende me të ardhura të ulëta mungojnë barnat esenciale kundër kancerit, pajisjet e radioterapisë dhe programet efektive të depistimit, duke bërë që pacientët të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

    Raporti tregon gjithashtu se mbi 80% e vendeve tashmë kanë hartuar plane kombëtare për kontrollin e kancerit dhe se përdorimi i duhanit ka rënë ndjeshëm në shumë rajone, duke ndihmuar në uljen e disa llojeve të kancerit. Megjithatë, OBSH vlerëson se këto përparime nuk janë të mjaftueshme për të frenuar rritjen e përgjithshme të rasteve.

    Organizata u bën thirrje qeverive të investojnë më shumë në parandalim, vaksinim, diagnostikim të hershëm, trajtim dhe kujdes mbështetës për pacientët, duke theksuar se lufta kundër kancerit nuk duhet të fokusohet vetëm te zhvillimi i terapive të reja, por edhe te sigurimi i qasjes së barabartë në kujdes shëndetësor për të gjithë. /Gazeta Shneta/

  • Ekspozimi i hershëm ndaj metaleve mund të ndikojë në zhvillimin dhe shëndetin e trurit

    Ekspozimi i hershëm ndaj metaleve mund të ndikojë në zhvillimin dhe shëndetin e trurit

    Ekspozimi ndaj metaleve të caktuara gjatë shtatzënisë dhe viteve të para të jetës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe të rrisë rrezikun për probleme njohëse dhe të sjelljes te fëmijët, paralajmërojnë ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë të SHBA-së (NIH).

    Sipas NIH-së, metale si plumbi, merkuri, arseniku dhe kadmiumi mund të ndërhyjnë në zhvillimin normal të sistemit nervor, sidomos gjatë periudhave kur truri zhvillohet me ritme të shpejta. Edhe ekspozimi në nivele të ulëta, por për një kohë të gjatë, mund të ketë pasoja afatgjata.

    Studimet tregojnë se fëmijët e ekspozuar ndaj këtyre metaleve kanë më shumë gjasa të shfaqin vështirësi në të nxënë, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, si edhe çrregullime të sjelljes. Në disa raste janë vërejtur edhe ulje të koeficientit të inteligjencës (IQ) dhe vonesa në zhvillimin gjuhësor.

    Ekspertët shpjegojnë se ekspozimi mund të ndodhë përmes ujit të ndotur, ushqimit, ajrit, pluhurit në banesa të vjetra me bojë që përmban plumb, si edhe përmes disa produkteve industriale. Për këtë arsye, gratë shtatzëna dhe prindërit këshillohen të jenë të kujdesshëm ndaj burimeve të mundshme të ndotjes dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

    NIH thekson se parandalimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur zhvillimin e trurit. Instituti rekomandon përdorimin e ujit të sigurt për konsum, shmangien e ekspozimit ndaj kimikateve të rrezikshme, kontrollin e banesave të vjetra për praninë e plumbit dhe një dietë të pasur me hekur, kalcium dhe vitaminë C, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e përthithjes së disa metaleve të rënda nga organizmi.

    Sipas ekspertëve, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të ekspozimit ndaj metaleve dhe për të zhvilluar strategji më efektive për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. /Gazeta Shneta/

  • ASK: Rritet numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë – mbi 70.000 përdorues

    ASK: Rritet numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë – mbi 70.000 përdorues

    Numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndonëse trafiku i realizuar përmes këtij rrjeti ka pësuar rënie. Kështu thuhet në publikimin më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit.

    Sipas ASK-së, në muajin maj numri i përdoruesve të rrjetit të telefonisë fikse arriti në 70.816, që paraqet një rritje prej 3,4 për qind krahasuar me majin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 68.478 përdorues.

    Në anën tjetër, trafiku i realizuar në telefoninë fikse ra me 4,1 për qind. Gjatë majit 2026 u regjistruan 1.789.637 minuta komunikim, krahasuar me 1.866.512 minuta në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Ndërkaq, numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) në këtë periudhë ishte 1 516 860 ose 2.72 % më shumë se në periudhën e njëjte të vitit të kaluar. Ndërsa numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) ishte 318 946 mije ose 1.65 % më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.