ATV

Author: K.B.

  • Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të identifikuar me inicialet S.D., R.R. dhe B.T., nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët dhe korrupsionin.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka tentuar të fusë brenda institucionit 85.61 gram marihuanë, të cilën e kishte fshehur në trup. Lënda narkotike është zbuluar gjatë një kontrolli të zyrtarëve korrektues, pas pranimit të informatave operative.

    Ndërkohë, i pandehuri R.R., i cili në kohën e ngjarjes ishte duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar futjen e substancës narkotike në burg, duke nxitur të pandehurit e tjerë ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi financiar.

    Sipas aktakuzës, B.T. dyshohet se ka siguruar dhe dorëzuar marihuanën me qëllim që ajo të futej në institucionin korrektues. Ai po ashtu akuzohet se i ka ofruar 1 mijë euro zyrtarit korrektues për ta nxitur të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare, duke mundësuar futjen e narkotikëve në burg.

    S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa R.R. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.

    Prokuroria i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

    Për zyrtarin korrektues S.D., Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

  • Tri gjërat që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival 2026

    Tri gjërat që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival 2026

    Së shpejti nis festivali më i madh i muzikës në Kosovë, Sunny Hill Festival, një ngjarje që çdo vit tërheq vëmendjen e mijëra adhuruesve të muzikës.

    Si një nga festivalet më të mëdha dhe më të njohura në Evropë, Sunny Hill Festival mbledh dhjetëra mijëra pjesëmarrës, përfshirë vizitorë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Festivali është shndërruar në një pikëtakim të artistëve me famë botërore dhe atyre vendor, duke sjellë në Kosovë performanca spektakolare dhe një atmosferë unike.

    Ndërsa kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në nisjen e këtij spektakli madhështor, këto janë tre gjërat kryesore që duhet t’i dini për Sunny Hill Festival, para se të hapen dyert e një tjetër edicioni të paharrueshëm.

    Kur nis festivali?

    Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, për tri net të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës.

    Festivali do të zhvillohet në Bërnicë të Poshtme, afër Prishtinës, në një hapësirë të veçantë dhe të përshtatur për pjesëmarrësit.

    Cilët janë artistët e konfirmuar për këtë edicion?

    Artistët e konfirmuar deri tani janë: Katy Perry, Martin Garrix, Pawsa, Adam Port, Rampa, Seth Troxler, Manifest, Dhurata Dora dhe Carlita.

    Ku mund t’i blini biletat?

    Biletat e rregullta për edicionin e sivjetmë tashmë janë në shitje në faqen zyrtare të festivalit: sunnyhillfestival.com.

    Përmes faqes ju mund t’i blini biletat dhe të bëheni pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në rajon. Procesi i blerjes është i thjeshtë dhe i shpejtë.

    Përveç biletave të rregullta në dispozicion janë gjithashtu edhe biletat VIP, në varësi të përvojës që dëshironi të përjetoni gjatë festivalit.

  • “Tha se do ta spastronte Kosovën” – Haradinaj ministres serbe: Kosova është kapitullimi i Serbisë, jo zemra e saj

    “Tha se do ta spastronte Kosovën” – Haradinaj ministres serbe: Kosova është kapitullimi i Serbisë, jo zemra e saj

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh publikisht se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se kjo gjuhë e trashëguar nga epoka e Millosheviçit vetëm sa e rrit gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e tyre.

    “Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë. Kosova ka qenë dhe mbetet fundi i Serbisë dhe kapitullimi i saj. Kjo gjuhë millosheviçiane vetëm sa e forcon vetëdijen tonë kombëtare si një komb i lirë dhe i gatshëm ta mbrojë këtë shtet dhe këtë liri nga mendësia gjenocidale, e cila shihet që është bartur brez pas brezi”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai e ka shkruar se “Kosova është zemra e secilit shqiptar”.

    Deklarata e ministres serbe Paunoviç ka nxitur reagime të shumta e të njëpasnjëshme nga figura të njohura politike dhe publike në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët e kanë dënuar këtë qasje si dëshmi të faktit se mendësia e viteve të ’90-ta vazhdon të jetë e pranishme në strukturat qeverisëse të Beogradit.

  • Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, ish-i dashuri pranon krimin: E shtyva nga ballkoni

    Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, ish-i dashuri pranon krimin: E shtyva nga ballkoni

    Ish-i dashuri i 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar se ishte ai që e vrau të miturën, duke e shtyrë nga ballkoni i banesës më 25 tetor 2024 në qytetin italian të Piacenzës, transmeton albinfo.

    Sipas mediave italiane, 17-vjeçari, i cili ishte 15 vjeç në kohën kur ndodhi ngjarja, ndryshoi dëshminë e tij gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet e mëparshme për pafajësi dhe duke pranuar autorësinë e krimit.

    I mituri ishte dënuar me 17 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë vitin e kaluar. Gjatë seancës, ai u paraqit përmes një lidhjeje me video nga burgu për të mitur në Catanzaro.

    Përveç pranimit të fajësisë, 17-vjeçari kërkoi falje për veprimin e tij dhe për faktin që priti kaq gjatë për ta pranuar krimin.

    Ndërkohë, Gjykata ka urdhëruar hartimin e një raporti mbi sjelljen e tij në institucionin korrektues, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për vepra të tjera.

    Avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e Aurora Tilës, deklaroi se rrëfimi i të akuzuarit i jep fund një kapitulli të dhimbshëm, por shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

    “Me rrëfimin, një rreth mbyllet. Por shpresojmë që Gjykata do të mbështesë vendimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, tha ai.

    Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 10 shtator.

  • Italia shtrëngon rregullat: Deri në 500 euro gjobë për ecjen me bikini apo rroba banje jashtë plazhit

    Italia shtrëngon rregullat: Deri në 500 euro gjobë për ecjen me bikini apo rroba banje jashtë plazhit

    Turistët që planifikojnë pushimet në Itali këtë verë duhet të kenë kujdes me veshjen jashtë plazheve. Disa komuna turistike kanë vendosur rregulla të reja që ndalojnë qarkullimin me bikini, rroba banje ose pa bluzë në rrugë dhe hapësira publike.

    Masat janë vendosur në destinacione të njohura si Cavallino Treporti, Caorle, Eraclea Mare dhe Venecia, me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e banorëve vendas.

    Në Cavallino Treporti, vizitorët paralajmërohen përmes tabelave se duhet të veshin rroba të përshtatshme jashtë zonave të plazhit. Ata që nuk respektojnë rregullat mund të gjobiten nga 25 deri në 500 euro.

    Autoritetet lokale theksojnë se masat nuk synojnë kufizimin e turistëve, por promovimin e respektit ndaj komuniteteve ku jetojnë banorët gjatë gjithë vitit

  • Yamal, Ronaldo, Messi – kaq njerëz janë me këta emra në Kosovë

    Yamal, Ronaldo, Messi – kaq njerëz janë me këta emra në Kosovë

    Kampionati Botëror zgjon interesim të veçantë thuajse tek të gjithë.

    Madje për disa prindër, emrat e yjeve të futbollit mund të jenë edhe inspirim për vendosjen e emrave për fëmijet e tyre.

    E duket se kjo po ndodh edhe në Kosovë, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikës.
    Një numër i fëmijëve në vendin tonë bartin emrat e futbollistëve më në zë si: Ronaldo, Romario, Neymar, Henry, Zidan, Messi etj.

    Jamal – 47
    Ronaldo – 12
    Messi – 2
    Kylian – 2
    Salah – 5
    Beckham – 2
    Henry – 2
    Zidan -2
    Romario -2
    Fernades – 1
    Gerard – 1
    Neymar -1.

  • Majko pas deklaratës së ministres serbe: Trashëgimtarët e Millosheviçit flasin ende për spastrim etnik

    Majko pas deklaratës së ministres serbe: Trashëgimtarët e Millosheviçit flasin ende për spastrim etnik

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila ka thënë se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998 do ta spastronte etnikisht Kosovën.

    Ai ka thënë se kjo deklaratë është një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrim në BE.

    Në profilin e tij në Facebook, Majko ka shkruar se kjo tregon qëllimin e Serbisë ndaj Kosovës.

    “Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”. Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian! Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb! Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!”, ka shkruara ai, duke përmendur procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

  • Jashari pret ambasadorin britanik, diskutuan për sigurinë dhe forcimin e bashkëpunimit me FSK-në

    Jashari pret ambasadorin britanik, diskutuan për sigurinë dhe forcimin e bashkëpunimit me FSK-në

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e FSK-së dhe situatën e sigurisë në vend e rajon.

    Gjatë takimit, Jashari e njoftoi ambasadorin britanik për të arriturat, aktivitetet, operacionet dhe planet e ardhshme të FSK-së, ndërsa e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të forcës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.

    Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën aktuale të sigurisë, si dhe u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit të liderëve dhe njësive të FSK-së, me synim rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve operacionale.

    Në përfundim të takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneral Jasharit në zhvillimin e FSK-së, ndërsa të dyja palët u zotuan për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

  • Jakaj: Bllokada institucionale po i kushton shtrenjtë Kosovës, Kurti duhet t’i intensifikojë takimet me partitë

    Jakaj: Bllokada institucionale po i kushton shtrenjtë Kosovës, Kurti duhet t’i intensifikojë takimet me partitë

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka vlerësuar se vonesat në formimin e institucioneve të reja po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe procesin integrues të Kosovës, duke rrezikuar edhe përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Në një prononcim për Ekonomia Online, Jakaj tha se Kosova nuk ndodhet në një situatë normale politike dhe institucionale, ndërsa theksoi se shtetësia ndërtohet përmes përmbushjes së objektivave strategjike dhe afrimit me standardet evropiane.

    “Se a do të kemi institucione me shpejtësinë që do të duhej Kosova të vepronte, sepse ne nuk jemi në një situatë normale, jo normaliteti që Kosovën e ka përshkuar përgjatë këtyre dy viteve, ka qenë shumë i rëndë, veçanërisht për qytetarin e Republikës së Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër për vetë shtetësinë e Kosovës sepse, si me thënë, shteti nuk ndërtohet ose nuk shpallet sikurse që është shpallur më 17 shkurt 2008 përnjëherë dhe pastaj aty vendosen, kryhet shteti në atë kohë, por shteti ndërtohet mbi qëllimet dhe synimet të cilat i ka dhe ato qëllime dhe synime janë që Kosova të jetë sa më afër kritereve, sa më afër kushteve që i ka Bashkimi Evropian. Në mesin e këtyre kushteve është edhe plani i rritjes, që Kosova u vonua fillimisht ta miratojë, në ndërkohë edhe kur e miratoi nuk pati institucione që ta, që ta zbatojë”, tha ai.

    Sipas Jakajt, mungesa e institucioneve funksionale po pengon disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes dhe po ndikon negativisht në realizimin e projekteve të rëndësishme për vendin.

    “Pra pasojat aktualisht janë evidente në disa fusha kyçe, veçanërisht tek sundimi i ligjit, tek mirëqeverisja dhe tek demokratizimi i vendit dhe në anën tjetër edhe tek zhvillimi ekonomik i Kosovës. Domethënë janë gati se 1/3 e buxhetit të Kosovës që do të duhej të vinin para nga plani i rritjes, në ndërkohë për shkak të mungesës së institucioneve, ato nuk mund të disbursohen për Kosovën. Nëse e vëreni, janë dhjetëra projekte të caktuara që lidhen me atë se duhet me pasë kuvend funksional, duhet me pasë qeveri legjitime dhe legale në mënyrë që ajo t’i kryejë proceset përpara”, tha ai.

    Ai theksoi se bllokada institucionale po ndikon edhe në procesin e reformave në drejtësi, duke përmendur gjashtë projektligje që presin miratim nga institucionet e reja.

    “Reforma në drejtësi, janë gati se gjashtë projektligje që lidhen, që vijnë nga deklarata e zotimeve që do të duhej qeveria t’i miratonte sa më shpejt një qeveri e ardhshme, dhe Kuvendi t’i miratonte po ashtu në lexim të parë dhe në lexim të dytë normalisht me vërejtjet e shoqërisë civile, veçanërisht të Institutit të Kosovës për Drejtësi”, tha ai.

    Jakaj tha se mungesa e institucioneve po pengon edhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, pas aplikimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

    “Tjetër, integrimi. Ne kemi aplikuar në Bashkimin Evropian për statusin kandidat, në ndërkohë nuk ka asnjë zhvillim deri më tani në raport edhe nga Bashkimi Evropian por edhe nga Kosova. Por, Bashkimi Evropian nuk mund të jetë si me thënë iniciator ose proaktiv kur vetë Kosova nuk ka institucione legjitime dhe legale të cilat do të duhej me i çu përpara këto çështje që të dërgojnë deri tek marrja e statusit kandidat të BE-së”, tha ai.

    Sipas tij, edhe fenomeni i migrimit lidhet ngushtë me mungesën e institucioneve funksionale dhe me dështimin për të adresuar problemet në sektorë kyç.

    “Ndalimi i migrimit, domethënë është edhe përmes planit të rritjes, edhe përmes pasjes së një qeverie legjitime dhe legale, e cila i kryen detyrat e veta të përditshme, bën që qytetarët të mos migrojnë. Ne kemi qenë dëshmitarë të problemeve të ndryshme, veçanërisht kohëve të fundit në sistemin shëndetësor dhe ato janë krejt pasojë e mospasjes së vëmendjes së qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës si organ që mbikëqyr qeverinë, që ato çështje të mos jenë si me thënë të dukshme dhe evidente në sistemin shëndetësor”, tha ai.

    Jakaj përmendi edhe vonesat në miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit.

    “Kosova deri më 31 dhjetor 2024 ka pasur si kriter edhe ligjor ta miratojë strategjinë për kundërkorrupsion. Nuk e ka të miratuar. Qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit 2021-2026. Deri më tani kjo strategji nuk ka mbërritur as 60 përqindëshin të të zbatimit të kësaj strategjie. Pikërisht ne e kemi pasur një raport ku tregohet vetëm për vitin 2023 që nuk ka kaluar as 50 përqindëshin e zbatimit të saj”, tha ai.

    Ai përmendi edhe ngecjen e procesit të vetingut për shkak të mosmiratimit të amendamenteve kushtetuese.

    “Vetingu. Ja paramendoni situatën kur ka amendamente kushtetuese të konfirmuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe ato nuk janë votuar, si pasojë ka mbetur vetingu në sistemin e drejtësisë, ai vetingu i pjesshëm, që nuk zbatohet për arsye që kuvendi, veçanërisht shumica parlamentare, partia e parë që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka gjetur mundësinë që t’i gjejë edhe katër deputetë nga komunitetet joshumicë serb, që këto amendamente t’i votojë në ndonjërën prej seancave në dy legjislaturat e kaluara”, tha ai.

    Sipas Jakajt, humbja e mundshme e fondeve të Planit të Rritjes do të ishte në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës.

    “Krejt këto çfarë i përmenda janë dhe lidhen me planin e rritjes, që Kosova në rastin kur vonohet me formim të institucioneve, nuk do të mund t’i marrë këto mjete. Dhe fatkeqësisht ndoshta, përveç ndoshta në ndonjë marrëveshje politike, por, sipas asaj që shihet edhe në planin e rritjes edhe me Bashkimin Evropian, disa fonde ndoshta nuk do të mund të rikthehen në rast se nuk i zbatojmë ato kritere, ato kushte të cilat janë veçanërisht mirë për ne dhe jo për si me thënë në fund të mbrëmjes për Bashkimin Evropian. Ato janë kryesisht, veçanërisht të mirë për Republikën e Kosovës dhe për qytetarin në përgjithësi”, tha ai.

    Jakaj kritikoi edhe mungesën e takimeve ndërmjet partive politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke vlerësuar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

    “Sikurse herët e kaluara, edhe në këtë rast, ne kemi pritur që do të ketë diskutime edhe pasi që rezultatet preliminare u publikuan, diskutime të iniciuara fillimisht nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zoti Kurti, që ato bisedime të nisin sa më parë. U prit që të certifikohen, në rregull, por aktualisht nuk ka takime. Tregoni se a ka sot ndonjë takim me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në? A ka ndonjë kërkesë të re për t’u takuar? Nuk do të duhej të pritej, si me thënë, të kalohej java dhe të mos kishte një takim në mes të këtyre partive politike. O të diskutohet për program, o të diskutohet për çështjen e presidentit. Këto të dyja do të duhej që të ishin çështje që partitë politike, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë, do të duhej ta kishte prioritet që në kohën kur çohet në mëngjes zoti Kurti prej gjumit. Domethënë, ai do të duhej ta kishte prioritet t’i thërriste partitë politike në mënyrë që të gjente konsensus”, tha Jakaj për Ekonomia Online.

  • Hoti: Serbia e nis dialogun strategjik me SHBA’në, Kosova e izoluar ka refuzuar edhe rrjetin e gazit

    Hoti: Serbia e nis dialogun strategjik me SHBA’në, Kosova e izoluar ka refuzuar edhe rrjetin e gazit

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me çështjen e dialogut strategjik të cilin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar në raport me Kosovën.

    Hoti, ka shkruar se në anën tjetër, SHBA, të premten raundin e parë të dialogut strategjik me Serbinë.

    ‘’Po ashtu, Kosova, ka refuzuar të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet të shpërndahet gazi amerikan, i cili ka për qëllim uljen e varësisë nga gazi rus të vendeve të rajonin dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, fqinji verior i Kosovës tashmë ka hyrë në marrëveshje të mëdha kontraktuale energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan’’, ka shkruar Hoti.

    Postimi:

    Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në. Ndërsa, fqinji verior i Kosovës e nis këtë të premte raundin e parë të këtij dialogu me SHBA-në.

    Po ashtu, Kosova, ka refuzuar të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit, përmes të cilit synohet të shpërndahet gazi amerikan, i cili ka për qëllim uljen e varësisë nga gazi rus të vendeve të rajonin dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, fqinji verior i Kosovës tashmë ka hyrë në marrëveshje të mëdha kontraktuale energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan.

    Nëse vazhdon kjo qasje, Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike.