Oficerët e FSK-së, major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, kanë përfunduar me sukses të lartë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham. Ata gjithashtu morën titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër.
Bazuar në njoftimin e FSK-së, kursi i Avancuar i Komandës dhe Shtabit ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e udhëheqësve të mesëm dhe të lartë për detyra komanduese dhe shtabore të nivelit strategjik dhe operacional, ky program përgatit oficerët për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake komplekse, bashkëpunimin me agjenci qeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe aplikimin efektiv të instrumenteve të fuqisë kombëtare në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë.
Në këtë program morën pjesë mbi 240 pjesëmarrës nga Britania e Madhe dhe nga 47 shtete të tjera nga e mbarë bota.
“Pjesëmarrja dhe diplomimi i oficerëve tanë në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ndërtuar një ushtri moderne dhe të përgatitur sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Nga spitalet e largëta deri te fushëbetejat dhe hapësira, një teknologji e re po tregon se ku mund të shkojë mjekësia nesër
Një robot humanoid ka kryer operacion për herë të parë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për robotikën dhe kujdesin kritik shëndetësor.
Në bashkëpunim me kirurgët nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, një robot humanoid kreu me sukses heqjen e fshikëzës së tëmthit.
Në një operacion të dytë, dy robotë humanoidë, duke punuar krah për krah, kryen një heqje laparoskopike të fshikëzës së tëmthit. Të dyja procedurat, të realizuara si pjesë e një eksperimenti për dëshmimin e konceptit, u kryen te gjitarë jo-primatë.
“Ky studim tregon se robotët humanoidë kanë një të ardhme të mundshme në fushën e kirurgjisë”, tha Michael Yip, anëtar i fakultetit në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UC San Diego dhe një nga autorët kryesorë të punimit.
“Robotët humanoidë të komanduar nga distanca dhe ata autonomë kanë potencial real për të zgjeruar qasjen në operacione kritike, të cilave pacientët përndryshe nuk do të mund t’u qaseshin. Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së kujdesit shëndetësor, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë botën.”
Studiuesit që qëndrojnë pas këtij zhvillimi thonë se robotët humanoidë ofrojnë disa përparësi krahasuar me sistemet e specializuara robotike kirurgjikale që përdoren aktualisht.
Humanoidët zakonisht kushtojnë më pak për t’u prodhuar, janë më të lehtë për t’u vendosur në zona të largëta dhe janë shumë më të gjithanshëm sa i përket llojit të procedurave dhe detyrave që mund të kryejnë.
“Kushton shumë më pak dhe zë shumë më pak hapësirë në sallën e operacionit”, tha Shanglei Liu, mjek dhe asistent profesor i kirurgjisë në Shkollën e Mjekësisë të UC San Diego, një nga autorët kryesorë të punimit, i cili e komandoi robotin nga distanca gjatë studimit.
“Prandaj është i lehtë për t’u vendosur kudo: nga zonat rurale, në fushëbetejë, madje edhe në hapësirë.”
Një ekip njeri-robot, i përbërë nga një robot humanoid dhe një kirurg njerëzor në rolin e asistentit, kreu me sukses heqjen e fshikëzës së tëmthit.
Robotët, të quajtur me nofkën Surgie, u komanduan nga distanca nga kirurgë të trajnuar, megjithëse studiuesit shpresojnë se zhvillimet në inteligjencën artificiale do t’u mundësojnë atyre të operojnë në mënyrë autonome në të ardhmen.
“Një nga synimet tona është të zhvillojmë asistentin kirurgjik autonom”, tha dr. Yip.
“Shumë komunitete përballen me mungesë të personelit të mjaftueshëm në ekipet kirurgjikale, që do të thotë se pacientët nuk po marrin trajtimin e nevojshëm.
Synimi ynë është një sallë operacioni e së ardhmes, ku robotët humanoidë dhe njerëzit punojnë krah për krah si një ekip i integruar për t’u ofruar procedura atyre që kanë nevojë, si në mjedise tradicionale spitalore, ashtu edhe në skenarë jo tradicionalë të mjekësisë në terren.”
Operacionet janë përshkruar në një punim me titull “Studim i fizibilitetit in vivo për përdorimin e robotëve humanoidë në kirurgji”, i publikuar të mërkurën në revistën Nature.
Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e Edmond Sulës, 50 vjeç i cili u vra të dielën pak pas mesnatën në fshatin Bërxullë të Vorës. Burime nga grupi hetimore bëjnë të ditur se ka dyshime se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.
Sipas asaj që është parë edhe në pamjet filmike të kamerave të sigurisë autori e ka pritur 50- vjeçarin pranë banesës së tij deri në momentin që ka zbritur nga automjeti i tij dhe është drejtuar për të hyrë në banesën e tij.
Më pas e ka qëlluar me një plumb në kokë duke i marr jetën.
Autori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes deri në momentin që është marr nga një makinë që dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorët e tij.
Pavarësisht se në deklarimet para uniformave blu familjarët e viktimës janë shprehur që nuk kanë informacion për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur, grupi hetimorë dyshon se ngjarja të këtë ndodhur për një konflikt pronësie pasi Edmond Sula merrej me shit-blerje pronash.
Ai nuk ishte i panjohur për policinë pasi në të kaluarën ishte proceduar për disa vepra penale si rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera. 50-vjeçari njihej si person me influencë nga komuniteti ku jetonte pasi qëndronte gjithmonë në të njëjtën kafe ku bënte edhe takime që lidheshim më shitblerjen e pronave.
Madje ai kishte në emrin e tij të regjistruar edhe një kompani për shitblerje dhe dhënie me qira makinash.
Deri tani nuk ka persona të ndaluar, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve./RTSH
Inspektorati Qëndror i Punës ka sqaruar rrethanat se personit i cili ka ndërruar jetë pasi ra nga lartësia e një shtëpie në Prizren.
Sipas njoftimit thuhet se nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor.
“Sqarim lidhur me rastin e ndodhur në Prizren. Mbrëmë, rreth orës 19:00, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës. Nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit “ndërsa viktima nuk ishte i angazhuar në procesin e punës, por ishte vëllai i pronarit të shtëpisë”.
Po ashtu në njoftim thuhet se IQP ka konstatuar se nuk ka ekzistuar marrëdhënie kontraktuale investitor–punëkryes, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune, sipas përcaktimeve ligjore.
Ndërron jetë një grua ku më 05.06.2026 kishte pësuar një aksident në trafik dhe pas disa ditësh (të hënën) të njëjtës i është keqësuar gjendja dhe me autoambulancë e kanë dërguar në Emergjencë në QKUK-Prishtinë, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 05.06.2026 në rrugën “Nënë Terezë”, në Fushë Kosovë.
Tutje thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë
“Rr. Nënë Terezë, Fushë Kosovë 05.06.2026 – 14:40. Sot me datë 13.07.2026 viktimës femër kosovare, i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe të njëjtën me autoambulancë e kanë sjellë në Emergjencë në QKUK-Prishtinë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raport.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke e akuzuar qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe dështim në sigurimin e shërbimeve bazë për pacientët.
Në një reagim publik, Bajrami tha se gjendja reale në sistemin shëndetësor nuk mund të vlerësohet nga konferencat për media apo statistikat zyrtare, por nga kushtet me të cilat përballen pacientët në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë. Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri, Gjinekologji, Onkologji, Ortopedi dhe shihni listat e pritjes”, ka shkruar Bajrami.
Ajo theksoi se mjekët dhe infermierët nuk duhet të fajësohen për situatën, pasi sipas saj ata punojnë në kushte të vështira dhe vazhdojnë ta mbajnë funksional sistemin shëndetësor.
“Përgjegjësia nuk është e tyre”, u shpreh ajo.
Bajrami vlerësoi se, pas gjashtë vjetësh qeverisje me të gjitha nivelet e pushtetit dhe me një buxhet prej rreth katër miliardë eurosh në vit, gjendja aktuale në shëndetësi është e papranueshme.
“Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është korrupsion”, deklaroi deputetja.
Sipas saj, në sektorin e shëndetësisë zhvillohen tenderë me vlera të mëdha për shërbime dhe furnizime, ndërsa pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë barnash, materiale mjekësore dhe kushte jo të mira nëpër klinika.
Ajo iu referua edhe raportimeve për mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit në QKUK, duke pretenduar se pacientët po detyrohen t’i blejnë vetë ato.
Në fund, Bajrami tha se përgjegjësinë për gjendjen aktuale e mban qeveria.
“Sot gjendja në shëndetësi është alarm, sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, dështon shteti”, përfundoi ajo.
Dizajneri grafik nga Prizreni, Erti Krasniqi, ka realizuar një projekt kreativ përmes të cilit ka konceptuar pamjen e mundshme të banknotave të Kosovës, në rast se vendi do të kishte valutën e vet.
Në projektin me titull “Kosovo Banknote Design (Concept) 2026”, Krasniqi ka ndërthurur elemente të identitetit kombëtar, simbolikës vendore dhe koncepteve moderne të sigurisë së kartëmonedhave.
Krasniqi ka bërë të ditur se projekti nuk përbën propozim institucional apo zyrtar, por është një ide kreative që synon të eksplorojë mundësinë e një identiteti të ri vizual për monedhën e Kosovës.
“Së fundmi kam realizuar një projekt personal të quajtur ‘Kosovo Banknote Design (Concept) 2026’, ku kam konceptuar se si mund të dukeshin banknotat e Kosovës nëse vendi do të kishte valutën e vet”, ka deklaruar Krasniqi, raporton Telegrafi.
Ai ka theksuar se për secilën prerje të konceptuar ka zhvilluar një identitet të veçantë vizual, duke përfshirë simbolikën, elementet e sigurisë dhe arsyetimin e zgjedhjeve të dizajnit.
“Për secilën prerje kam zhvilluar identitetin vizual, simbolikën, elementet e sigurisë dhe arsyetimin e zgjedhjeve të dizajnit. I gjithë procesi është dokumentuar në Behance”, ka thënë ai.
\Sipas Krasniqit, qëllimi i këtij projekti është të sjellë një qasje kreative mbi mënyrën se si dizajni grafik mund të kontribuojë në paraqitjen e identitetit të një shteti.
Projekti përfshin konceptimin e elementeve të ndryshme të banknotave, duke u fokusuar në kombinimin e trashëgimisë kulturore, simboleve kombëtare dhe standardeve bashkëkohore të dizajnit të kartëmonedhave.
Krasniqi ka bërë të ditur se puna e tij është publikuar në platformën për dizajn Behance, ku është prezantuar i gjithë procesi krijues, nga ideja fillestare deri te realizimi final i konceptit.
Urtina, vajza e kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Visar Korenica, prej një kohe të gjatë po përballet me një sëmundje të rëndë, tumorin.
Për trajtimin e saj nevojitet mbështetje financiare.
Me këtë rast, të afërmit e Visar Korenicës kanë bërë apel për të ndihmuar në grumbullimin e të hollave, të nevojshme për trajtimin e Urtinës.
Njoftimi:
“Apel për ndihmë!
Mirëmëngjesi të dashur miq e dashamirë,
Vajza e shokut tonë Visar Korenica – Urtina, qe një kohë të gjatë vuan nga një tumor dhe ka nevojë për ndihmë financiare në përballje me sëmundjen, pasi familja më nuk po ka mundësi t’i përballojë vetë shpenzimet.
Kanë mbetur edhe 10 mijë euro të grumbullohen.
U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë përmes linkut:
Kërcënimi i ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, i cili është djali i veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.
Ai reagoi ashpër, duke thënë se Millosheviqi e provoi, por përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe, duke shtuar se të njëjtën fat do ta kishte edhe Paunoviq.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 19 raste, e pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.
Ndërkaq, Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste secila. Nga një rast është konfirmuar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet shëndetësore.
Instituti thekson se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.