ATV

Author: K.B.

  • Përveç Haxhiut, Peleshi do të takohet edhe me Osmanin e Kurtin

    Përveç Haxhiut, Peleshi do të takohet edhe me Osmanin e Kurtin

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë në takim nga ora 10:00 do ta pres kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Mirëpo pos Haxhiut, Peleshi do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit për media takimi Kurti-Peleshi do të zhvillohet duke filluar nga ora 11:50 në Qeverinë e Kosovës.

    Peleshi do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani duke filluar nga ora 11:15 minuta.

    Kjo vizitë vjen pak ditë pas asaj të Elisa Spiropalit, e cila e vizitoi Kosovën në cilësinë e ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

  • Pse disa njerëz kanë shumë nishane?

    Pse disa njerëz kanë shumë nishane?

    Nishanet atipike, të njohura si nevi displastikë, kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e melanomës dhe duhet të kontrollohen rregullisht

    Shumica e njerëzve kanë mes 10 dhe 40 nishane në lëkurë, sidomos në pjesët e ekspozuara ndaj diellit, ndërsa numri i nishaneve mund të varet nga faktorë si gjenetika, ekspozimi në diell ose ndryshimet hormonale.

    Nishanet janë rritje shumë të zakonshme në lëkurë dhe krijohen kur qelizat e pigmentit – melanocitet – grumbullohen. Shumica e nishaneve janë të padëmshëm, por nëse ka numër të madh, ose shfaqen nishane të rinj apo ndryshojnë të vjetrit, është e rëndësishme të ndiqet gjendja e lëkurës.

    Shumica e nishaneve nuk janë kancerogjenë, por personat me 50 ose më shumë nishane mund të kenë rrezik të shtuar për kancer të lëkurës.

    Kush i ka më shpesh nishanet?
    Çdokush mund të ketë nishane, megjithëse personat me lëkurë më të çelët zakonisht kanë më shumë nishane sesa ata me lëkurë më të errët, sidomos nëse kalojnë kohë në diell.

    Personat me lëkurë të çelët kanë më pak melaninë, pigment që e mbron lëkurën nga dielli, ndërsa lëkura më e errët ka më shumë melaninë; kjo mbrojtje shtesë nga dielli mund të jetë arsye pse tek ata zhvillohet numër më i vogël nishanesh, shkruan Health, përcjell Telegrafi.

    Shkaqet dhe faktorët e rrezikut
    Studiuesit nuk e kuptojnë plotësisht pse shfaqen nishane të rinj, por është vërtetuar se disa faktorë mund ta rrisin gjasën:

    • Ekspozimi në diell: Rrezet ultravjollcë (UV) të diellit ose të solariumit mund të çojnë në shfaqjen e nishaneve të rinj. Rrezet UV i nxisin melanocitet të prodhojnë më shumë pigment për ta mbrojtur lëkurën, dhe ky pigment mund të grumbullohet e të formojë nishane.
    • Mosha: Shumica e njerëzve marrin nishane të rinj nga fëmijëria deri në të dyzetat. Personat më të moshuar zakonisht kanë më pak nishane sesa fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit e rinj.
    • Historia familjare: Nishanet shpesh shfaqen në familje. Nëse ka histori familjare me nishane, lëkurë të çelët ose flokë të çelët, rritet gjasa e zhvillimit të nishaneve gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.
    • Gjenetika: Disa ndryshime gjenetike mund të rrisin rrezikun e nishaneve beninj (jo kancerogjenë) ose të melanomës.
    • Ndryshimet hormonale: Shfaqja e nishaneve të rinj është e shpeshtë në periudhat e ndryshimeve hormonale, si puberteti ose shtatzënia.

    Komplikimet e mundshme të nishaneve
    Nishanet e zakonshëm zakonisht nuk janë të rrezikshëm. Megjithatë, rreth 1 në 10 të rritur ka të paktën një nishan atipik ose të pazakontë. Këta nishane, të quajtur nev displastik, kanë gjasë më të lartë se nishanet e zakonshëm të zhvillohen në një formë agresive të kancerit të lëkurës – melanomë.

    Për të përcaktuar nëse një nishan është atipik dhe me rrezik të lartë, më së miri është të vizitohet dermatologu. Ai mund të vlerësojë madhësinë, formën dhe ngjyrën e nishanit për të përcaktuar nëse nevojitet testim shtesë.

    Për t’i njohur shenjat e melanomës, mund të përdoret rregulli ABCDE:

    • A – asimetria: Nishani ka formë të pazakontë dhe njëra gjysmë nuk përputhet me tjetrën.
    • B – skaji: Skajet e nishanit janë të çrregullta dhe të pabarabarta.
    • C – ngjyra: Ngjyra e nishanit është e pabarabartë dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Ngjyra të pazakonta mund të përfshijnë të zezë, të kuqe, blu, të bardhë ose rozë.
    • D – diametri: Nishani është më i gjerë se 6 milimetra, afërsisht sa gjerësia e gomës së lapsit.
    • E – evoluimi : Ngjyra, forma ose madhësia e nishanit ka ndryshuar me kalimin e kohës.

    Si të parandalohet melanoma

    Nuk është gjithmonë e mundur të parandalohet melanoma, por rreziku mund të ulet duke e mbrojtur lëkurën nga rrezet UV të diellit. Ndihmojnë:

    • Përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli çdo ditë
    • Mbajtja e kapelës dhe e bluzës me mëngë të gjata gjatë qëndrimit në diell
    • Pushime të shpeshta në hije
    • Mbajtja e syzeve të diellit për mbrojtjen e syve
    • Shmangia e solariumit.

    Kur të kërkohet ndihmë mjekësore
    Rekomandohet vizita te mjeku ose dermatologu në rast të një nishani të ri ose të ndryshuar, kur ka dyshim për kancerogjenitet. Diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm. Melanoma në fazë të hershme është e shërueshme dhe dermatologu mund t’i heqë nishanet e dyshimtë para se kanceri të përparojë.

    Shenjat ku duhet kushtuar vëmendje janë:

    • Nishan i ri që shfaqet në moshë të rritur
    • Nishan që i ndryshon ngjyra, forma ose madhësia
    • Nishan me plagë të hapur që nuk shërohet
    • Nishan me skaje të ashpra ose të ngritura.

  • Një gabim mund t’ua dëmtojë rrobat: Mësoni si ta përdorni zbardhuesin për rroba

    Një gabim mund t’ua dëmtojë rrobat: Mësoni si ta përdorni zbardhuesin për rroba

    Zbardhuesi për rroba është një nga ndihmësit më të fortë kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e rrobave të bardha dhe heqjen e njollave të forta

    Megjithatë, fuqia e zbardhuesit shkon bashkë me një rrezik të mundshëm. Përdorimi i gabuar mund të sjellë dëmtim të pëlhurës, zbardhim të përhershëm të ngjyrave, madje edhe reaksione të rrezikshme kimike. Prandaj është e rëndësishme të dihet kur, si dhe sa duhet përdorur gjatë larjes së rrobave.

    Shumë njerëz hezitojnë për shkak të erës së klorit dhe frikësohen se do ta dëmtojnë një copë të dashur të garderobës. Por, me lexim të kujdesshëm të udhëzimeve në paketim dhe me sasinë e duhur, zbardhuesi mund të jetë i sigurt dhe shumë i dobishëm në shtëpi.

    A është zbardhuesi i sigurt për rrobat tuaja?
    Para se të përdorni zbardhues, patjetër shikoni shenjat e mirëmbajtjes në etiketë. Jo të gjitha pëlhurat i përballojnë njësoj mjetet kimike. Zakonisht është i përshtatshëm për pëlhura natyrore si pambuku dhe liri, si dhe për disa lloje pëlhurash të prodhuara.

    Nga ana tjetër, mëndafshi, leshi, kashmiri dhe lëkura mund të dëmtohen rëndë. Po ashtu, rrobat me figura të shtypura, zbukurime të qepura ose detaje dekorative mund të humbin ngjyrën ose të dëmtohen. Nëse nuk jeni të sigurt, një provë e thjeshtë mund t’ju ndihmojë – fërkoni një copë të bardhë të lagur në një pjesë të fshehur të rrobës. Nëse ngjyra kalon te copa, ajo veshje nuk është e përshtatshme për zbardhim.

    Si ta dini cilin të zgjidhni?
    Në treg ka dy lloje kryesore: zbardhues me klor dhe zbardhues pa klor, pra ai që vepron me oksigjen. Zbardhuesi me klor është më i fortë dhe heq njollat më shpejt, por ka rrezik më të madh të dëmtojë pëlhurën dhe të ndryshojë ngjyrat.

    Ai që vepron me oksigjen është më i butë dhe më i përshtatshëm për rroba më të ndjeshme. Edhe pse vepron më ngadalë, e ul mundësinë e dëmtimeve të përhershme. Prandaj shumë njohës e këshillojnë për përdorim të rregullt, sidomos kur bëhet fjalë për rroba të çelëta, por jo krejtësisht të bardha.

    Është shumë e rëndësishme ta përdorni siç duhet
    Çelësi i përdorimit të sigurt është hollimi i saktë. Rekomandimi i zakonshëm është 15 deri në 20 mililitra zbardhues në një litër ujë, por gjithmonë shikoni udhëzimet e prodhuesit. Kurrë mos e hidhni zbardhuesin drejtpërdrejt mbi pëlhurë pa e holluar, sepse mund të lërë njolla të përhershme dhe t’i dobësojë fijet.

    Nëse e përdorni në rrobalarëse, hidheni vetëm në ndarjen e paraparë. Për njollat e verdha nga djersa, sidomos në bluzat e bardha, zbardhuesin që vepron me oksigjen (në pluhur) mund ta përzieni me pak ujë derisa të bëhet si masë e trashë, ta vendosni mbi njollë, ta fërkoni lehtë dhe pastaj ta lani në makinë.

    Po ashtu, është e rëndësishme që zbardhuesi të mos përzihet kurrë me mjete të tjera pastrimi, sepse kombinimet mund të shkaktojnë reaksione të rrezikshme kimike.

  • Lisjeta Thaqi renditet e para në botë në konkurrencën e vajzave në paragllajd

    Lisjeta Thaqi renditet e para në botë në konkurrencën e vajzave në paragllajd

    Pilotja e jashtëzakonshme Lisjeta Thaqi ka arritur sukses duke u renditur e para në botë në kategorinë e femrave, një arritje që e vendos Kosovën në majën e paragllajdit botëror.

    Ky triumf nuk është vetëm një fitore personale, por një fitore për gjithë sportin e Kosovës, komunitetin e aviacionit sportiv dhe për të gjithë ata që besojnë në punën, disiplinën dhe ëndrrat e mëdha.

    Ky sukses historik vjen nën udhëheqjen e trajnerit të saj, rekordmenit botëror dhe evropian Fanol Shala, i cili me përkushtim, përvojë dhe vizion ka ndërtuar një ekip kampionësh që sot po shkruajnë histori.

    Nën drejtimin e Federatës Aeronautike të Kosovës, ky rezultat dëshmon se Kosova tashmë është një forcë serioze në skenën ndërkombëtare të paragllajdit.

  • Flamuri i kuq i hakmarrjes është ngritur pas vrasjes së Khameneit, paralajmërimi i fortë i Gjermanisë për Europën: Të jemi gati

    Flamuri i kuq i hakmarrjes është ngritur pas vrasjes së Khameneit, paralajmërimi i fortë i Gjermanisë për Europën: Të jemi gati

    Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet ajrore amerikano-izraelite ka tronditur ekuilibrat globalë dhe ka futur Lindjen e Mesme në “ujëra” të reja tensioni.

    Republika Islamike është përfshirë nga një valë zemërimi dhe kërcënimesh, ndërsa udhëheqja ushtarake e vendit paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër.

    Garda Revolucionare Islamike, forca elitare e regjimit, ka shpallur hapur synimin për hakmarrje. Në një njoftim për shtyp, ajo paralajmëroi nisjen e “operacioneve më të mëdha ushtarake në historinë e forcave të armatosura iraniane kundër Izraelit dhe bazave amerikane në rajon”. Deklarata ka ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore, duke shtuar frikën për një përshkallëzim ushtarak mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

    Ndërkohë, në Evropë po rritet shqetësimi për pasoja të mundshme të konfliktit. Autoritetet gjermane nuk përjashtojnë skenarë hakmarrjeje edhe në territorin evropian. Pas konsultimeve emergjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se aktualisht nuk ka prova për një rritje të ndjeshme të nivelit të kërcënimit në Gjermani, por theksoi se situata po monitorohet “nga afër dhe në mënyrë intensive”.

    “Për momentin, nuk ka indikacione për një nivel shumë të lartë kërcënimi, por jemi vigjilentë”, u shpreh Merz, duke nënvizuar se shërbimet e inteligjencës dhe policia gjermane janë në gatishmëri të shtuar.

    Kancelari kujtoi se gjatë dekadës së fundit ka pasur sulme të përsëritura kundër iranianëve në mërgim në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, duke theksuar se shërbimet iraniane të inteligjencës kanë qenë aktive në territorin evropian. Për këtë arsye, menjëherë pas sulmeve në Iran janë zhvilluar diskutime për forcimin e masave të sigurisë.

    Ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka zhvilluar konsultime urgjente me ministrat e brendshëm për të koordinuar një strategji të përbashkët reagimi. Prioritet absolut, sipas qeverisë në Berlin, mbetet mbrojtja e institucioneve hebraike, izraelite dhe amerikane.

    “Ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm antisemit apo antiamerikan në tokën gjermane”, theksoi Merz, duke dërguar një mesazh të qartë për çdo përpjekje destabilizimi.

  • Raportohet se BE-ja pritet që sot t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Raportohet se BE-ja pritet që sot t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian pritet që sot, të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura para më shumë se dy vjet e gjysmë. Koha mëson nga burimet e BE-së se vendimi për këtë është marrë nga organet përkatëse të Komisionit Evropian dhe do të miratohet edhe nga vendet anëtare në takimin e Grupit punues për Ballkanin Perëndimor (COwEB) sot, në takimin e tyre në Bruksel.

    Burimet e BE-së thanë për Kohën, se të gjitha procedurat teknike janë kryer nëpër strukturat e BE-së dhe vendet anëtare në takimin e COWEB vetëm do të pranojnë këtë vendim të Komisionit Evropian të hënën, më 2 mars.

    Heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës e kishte paralajmëruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani. Në atë kohë, nga Komisioni Evropian kishin paralajmëruar se të gjitha masat do të hiqen “në pjesën e hershme të vitit 2026”. Prej atëherë, në Komisionin Evropian arsyetoheshin se “janë duke punuar në heqjen e masave të mbetura” dhe se do të përmbushet paralajmërimi i presidentes Ursula von der Leyen.

    Në fund të vitit të shkuar, Komisioni Evropian i kishte hequr masat për rreth 50 për qind të asistencës financiare, në vlerë prej përafërsisht 216 milionë eurosh. Tash do të hiqen të gjitha masat, duke përfshirë edhe lirimin e 205 milionë eurove mjete nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si ndëshkim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja dhe disa partnerë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i vlerësuan si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.

    Në kohën kur masat u vendosën, shumë shtete të BE-së i mbështetën ato, duke menduar se janë vetëm të kufizuara. Por u kuptua më vonë se ato janë shumë të zgjeruara dhe kapën një shumë prej rreth gjysmë miliardi eurosh mjete financiare që iu bllokuan Kosovës nga fondet e ndryshme të Bashkimit Evropian.

    Krahas masave ndëshkuese financiare, BE-ja kishte vendosur edhe masa në formën e refuzimit të takimeve në nivel të lartë me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, me përjashtim të takimeve në kuadër të dialogut, situatës në veri dhe takimeve e vizitave në nivel të gjithë rajonit.

    Nga burimet e Komisionit Evropian mësohet se mes datave 11 dhe 13 mars Kosovën do ta vizitojë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Ajo deri më tash, në 14 muaj të mandatit të saj, nuk e kishte vizituar asnjëherë Kosovën, ndërkohë që i kishte vizituar të gjitha vendet e tjera të rajonit. Pos masave ndaj Kosovës, si arsyetim për mosvizitë në Kosovë të komisioneres Kos ishte përmendur edhe fakti se Kosova gjatë tërë vitit 2025 nuk ka pasur qeveri me legjitimitet të plotë dhe komisionerja nuk ka pasur me kë të takohet.

    Pos masave ndëshkuese financiare, pritet të hiqen edhe të gjitha masat e tjera, përfshirë edhe ato politike. /Koha.net

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet që ekipet e mbrojtjes të fillojnë pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

    Në javën e kaluar, ZPS-ja lexoi një përmbledhje të akuzave dhe, pas kësaj, secili prej pesë të akuzuarve konfirmoi vetëdeklarimin si i pafajshëm. Më pas, ZPS-ja filloi me deklaratën hyrëse.

    Pas përfundimit të deklaratës hyrëse të ZPS-së, mbrojtja e Bashkim Smakajt paraqiti dhe përfundoi deklaratën e saj hyrëse. Mbrojtja e Kilajt më pas filloi paraqitjen e deklaratës hyrëse.

    Pas përfundimit të deklaratave hyrëse nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjes së Smakajt dhe Kilajt, ZPS-ja thirri dëshmitarin e parë, i cili dha dëshminë nën masa mbrojtëse si Dëshmitari 7.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

    Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

    Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

    Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

  • Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do paraqitet sërish sot në sallën e gjyqit.

    Krasniqi në Gjykatën e Prishtinës do të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), që sipas saj, ai i ka shkaktuar KEK-ut dëm prej 3 milionë eurosh për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, e cila nuk ka qenë e licensuar në Kosovë.

    Ndërkohë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm disa herë para trupit gjykues.

    Seanca është planifikuar të nisë nga ora 09:30.

  • Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Me fillim nga ora 11:30 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

    Njoftimi u bë i ditur përmes një njoftimi për media.

    Në rend të ditës janë miratimi i procesverbali të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit si dhe shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

  • Niko Peleshi sot viziton Kosovën

    Niko Peleshi sot viziton Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë në takim nga ora 10:00 do ta pres kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Ky takim pritet të theksojë bashkëpunimin parlamentar dhe institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet dypalëshe dhe koordinimin në çështje rajonale dhe politike.

    Kjo vizitë vjen pak ditë pas asaj të Elisa Spiropalit, e cila e vizitoi Kosovën në cilësinë e ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.