ATV

Author: K.B.

  • Përdorën telefonin gjatë vozitjes, 330 shoferë gjobiten në Ferizaj gjatë shkurtit

    Përdorën telefonin gjatë vozitjes, 330 shoferë gjobiten në Ferizaj gjatë shkurtit

    Gjatë muajit shkurt 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 330 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë vozitjes duke rrezikuar, sipas Policisë, sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve.

    “Qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut:

    Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë

    Përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”

    Në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250, 0290/322-406

    Sigurojmë qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht”, thuhet në njoftim.

  • Prokuroria ngre aktakuzitë ndaj një të dyshuari për pastrim parash në Pejë

    Prokuroria ngre aktakuzitë ndaj një të dyshuari për pastrim parash në Pejë

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.Z.

    Ai akuzohet për veprën penale “pastrim i parave”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Z., me datë 26 shtator 2019 në Pejë, duke qenë në dijeni se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, transferon pasurinë me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës apo burimit, deponon në bankë shumën prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) euro kinse nga shitja e shtëpisë dhe merr kredi bankare në shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, ku të gjitha të hollat, i transferon në dy llogari bankare të shitësve A.Ll dhe A.Ll në shumë totale prej 70.000 (shtatëdhjetë) mijë euro, me të cilët lidh edhe kontratë, e që në fakt nga shitja e shtëpisë nuk pranon asnjë të hyrë”, ka njoftuar Prokuroria.

    Sipas tyre, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtor dhe të dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

  • Zjarri shpërtheu pasi ndezi makinën, aktori i njohur humb jetën në mënyrë tragjike

    Zjarri shpërtheu pasi ndezi makinën, aktori i njohur humb jetën në mënyrë tragjike

    Bobby J. Brown, aktori i njohur për rolet e tij në “The Wire” dhe “Law & Order”, ka vdekur tragjikisht në një zjarr në Maryland. Ai humbi jetën të martën për shkak të thithjes së tymit.

    Sipas familjes, Bobby shkoi në hambar për të ndezur makinën e tij, por shpërtheu një zjarr. Ai kërkoi ndihmë nga një anëtar i familjes, por kur ata mbërritën, hambari ishte i mbuluar nga flakët. Përpjekjet për ta shpëtuar ishin të pasuksesshme, dhe gruaja e tij u djeg gjatë tentativës për ndihmë.

    Bobby J. Brown ishte 62 vjeç dhe kishte një karrierë të gjatë si aktor. Ai ishte i njohur për rolet e tij në serialin “The Wire” dhe “Law & Order: SVU”. Ai gjithashtu kishte qenë boksier amator para se të kalonte në aktrim.

    Bobby ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe kishte një besim të thellë fetar. Ai do të mbahet mend për dedikimin e tij në aktrim dhe për personalitetin e tij të ngrohtë dhe të përkushtuar.

  • Marseille vendoset në shitje – Presidenti i vendos një çmim miliardësh

    Marseille vendoset në shitje – Presidenti i vendos një çmim miliardësh

    Pronari i Olympique Marseille, Frank McCourt, mund të jetë i hapur për shitjen e klubit në rast se vjen një ofertë që tejkalon 1.2 miliardë dollarë (rreth 1 miliard euro).

    Biznesmeni amerikan e bleu klubin francez në vitin 2016 për vetëm 45 milionë euro dhe vazhdimisht ka deklaruar publikisht se OM nuk është në shitje. Madje, në maj të vitit 2024 ai ishte shprehur: “Çështja e shitjes së OM është bërë absurde… Klubi nuk është në shitje. Unë e dua OM”.

    Megjithatë, sipas raportimeve nga Franca, ndonëse qëndrimi i tij publik mbetet i palëkundur, në Shtetet e Bashkuara mesazhi është më fleksibil në rast të një oferte të jashtëzakonshme që kalon shifrën e një miliardë dollarëve.

    Zhvillimi vjen pas raportit më të fundit financiar të UEFA-s për sezonin 2024/25, ku Marseille ka regjistruar një humbje para tatimit prej 105 milionë eurosh deri më 30 qershor 2025 – një nga më të mëdhatë në Evropë, duke u renditur pas Tottenhamit, Lyonit dhe Chelseat.

    Që nga marrja e klubit, McCourt ka investuar qindra miliona euro dhe në të kaluarën ka qenë i hapur për partnerë apo investitorë të rinj, por vetëm nëse ata përputhen me vizionin për stabilitet afatgjatë dhe ndikim të kufizuar në qeverisje.

    Një vlerësim prej 1.2 miliardë dollarësh do të tejkalonte ndjeshëm marrëveshjet e fundit në Francë, përfshirë shitjen e Lyonit te John Textor për mbi 840 milionë dollarë.

    Për momentin, Marseille zyrtarisht mbetet jashtë tregut, por një ofertë historike mund ta sfidojë qëndrimin e deritanishëm të McCourt.

  • Hajnat vjedhin arkat e bamirësisë në dy xhami në Lipjan

    Hajnat vjedhin arkat e bamirësisë në dy xhami në Lipjan

    Dy raste të vjedhjes së rëndë janë raportuar gjatë ditës së 1 marsit 2026 në territorin e Lipjanit, ku persona të panjohur kanë depërtuar në dy xhami dhe kanë marrë arkat e bamirësisë.

    Rasti i parë është raportuar rreth orës 09:00 në fshatin Gadime e Ulët. Ankuesi, S. R, përgjegjës i xhamisë në këtë fshat, ka deklaruar se persona të panjohur kanë hyrë brenda objektit fetar dhe kanë marrë arkën e bamirësisë, duke shkaktuar dëm rreth 60 euro.

    Rasti i dytë është raportuar rreth orës 12:00 në fshatin Gllavicë. Përgjegjësi i xhamisë, ka deklaruar se persona të paidentifikuar kanë depërtuar në brendësi të xhamisë dhe kanë marrë arkën e bamirësisë, me dëm të vlerësuar rreth 110 euro.

    Në të dy rastet është njoftuar Prokurori kujdestar dhe rastet janë iniciuar si “Vjedhje e rëndë”. Hetimet për identifikimin e autorëve janë në zhvillim.

  • Raportohet se Irani ka goditur një objekt të rëndësishëm nafte në Arabinë Saudite

    Raportohet se Irani ka goditur një objekt të rëndësishëm nafte në Arabinë Saudite

    Raportohet se Irani ka nisur sulme ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite.

    Dronët Shahed goditën një objekt të Saudi Aramco në Ras Tanura, një nga qendrat më të mëdha të naftës në botë.

    Rafineria u mbyll menjëherë pas sulmit, raportoi Sky News Arabia.

    Ras Tanura, e vendosur në bregdetin lindor të vendit, është një terminal kyç për eksportimin e naftës bruto në Azi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Për shkak të rëndësisë së saj strategjike, çdo ndërprerje mund të ketë pasoja serioze për tregun global të energjisë.

  • Trump premton të “hakmerret” për ushtarët amerikanë të vrarë në sulmet ajrore të Iranit

    Trump premton të “hakmerret” për ushtarët amerikanë të vrarë në sulmet ajrore të Iranit

    Donald Trump u zotua të hakmerret për vdekjen e tre amerikanëve pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe duke akuzuar regjimin iranian se “po zhvillon luftë kundër vetë qytetërimit”.

    Presidenti amerikan iu drejtua viktimave, përmes një videomesazhi duke thënë se “ndjejmë pikëllimin për patriotët e vërtetë amerikanë që kanë bërë sakrificën përfundimtare për kombin tonë, edhe pse ne vazhdojmë misionin e drejtë për të cilin ata dhanë jetën e tyre” dhe bëri thirrje për lutje për “shërimin e plotë” të pesë të tjerëve që u plagosën rëndë.

    “Si një komb i vetëm, ne vajtojmë për patriotët e vërtetë amerikanë që kanë bërë sakrificën më të madhe për vendin tonë, ndërsa vazhdojmë misionin e drejtë për të cilin ata dhanë jetën. Fatkeqësisht, ka mundësi që të humbin më shumë jetë para se të përfundojë kjo betejë, por do të bëjmë çdo gjë të mundshme që kjo të mos ndodhë. Amerika do të hakmerret për vdekjet e tyre dhe do t’u japë një goditje të ashpër terroristëve që kanë kryer veprime kundër njerëzimit. Një regjim iranian i pajisur me raketa me rreze të gjatë dhe armë bërthamore do të përbënte një kërcënim të tmerrshëm për çdo amerikan”, tha presidenti Trump.

  • Zbulimi i bunkerëve të arit – Pamje nga aksioni në Pejë

    Zbulimi i bunkerëve të arit – Pamje nga aksioni në Pejë

    Mëngjesin e 13 Shkurtit, në objektin e Prokurorisë në Pejë po grumbulloheshin zyrtarët e disa institucioneve që ishin thirrur nga Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, e cila në një komunikim të shpejtë tregon se kanë marrë shkresën nga Gjykata e Pejës për kontrolle në katër lokacione. Pamjet ekskluzive që nga nisja e aksionit e deri në përfundimin e tij u transmetuan në emisionin Kallxo Përnime.

    “Mirë se keni ardhur në Pejë. Kemi me zhvillu një aksion në katër lokacione të dyshuara, në të cilat ka 6 muaj që bashkë me policinë e Krimeve Ekonomike jemi duke bërë hetime lidhur me veprimtaritë që merren me shitjen e metaleve të çmuara të arit dhe argjendit. Bashkë me tre prokurorë, në aksion do jenë edhe zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, zyrtarët e Inspektoratit të Tregut nga Ministria e Tregtisë dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës.”- theksoi Vuçetaj.

    Aksioni nis në të katër lokacionet në të njëjtën kohë. Tre prokurorë të Pejës u caktuan të përcjellin secilin hap të bastisjes dhe të mbështesin e urdhërojnë zyrtarët e tjerë shtetërorë në kërkesat e tyre.

    Zyrtarët nga Administrata Tatimore e Kosovës do merren me verifikimin e stokut brenda argjendarive për t’i verifikuar të hyrat dhe shitjet në ato biznese.

    Ndërsa zyrtarët e Inspektoratit të Tregut nga Ministria e Tregtisë duhet të verifikojnë cilësinë dhe shënjimin e mallit i cili gjendet për shitje. Secili mall i çmuar, para se të dal në shitje duhet të shenjëzohet nga metrologjia e Kosovës.

    Për dyshimet se gjatë aksionit mund të gjendet mall i kontrabanduar, aty janë zyrtarët e Doganës së Kosovës të cilët me mjete speciale e me kontrolle fizike të hapësirave do kontrollojnë për bunkerë e dollapë sekrete brenda hapësirave ku do kryhet kontrolli.

    Kontrolli për ari dhe argjend nis njëherë në dy dyqane në Pejë. Pronarëve u kumtohet lajmi se gjatë aksionit do kontrollohet cilësia e arit, sasia e tij, e madje edhe origjina e metalit të çmuar, e po ashtu edhe dyshimet e tjera që lidhen më aktivitetet ekonomike brenda disa subjekteve. Fillimisht prokurorët e mekanizmat e tjerë shtetërorë nisen drejt dyqaneve të dyshuara.

    “Jemi në zbatimin e një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Pejës. Kemi me kontrollu në biznes e po ashtu në objektet e banimit”- thekson zyrtari policor, duke e pyetur pastaj pronarin nëse ka diçka ilegale apo të jashtëligjshme brenda këtyre objekteve.

    “Nuk kam kurrgjë ilegale – armën e kam me leje”- ia kthen pronari.

    Pas verifikimit të armës, ajo del se ka leje të vlefshme, mirëpo brenda hapësirës së dyqanit ka ari të padeklaruar që është fshehur në bunkerët prapa dollapëve të mbyllur. Zyrtarët doganorë fillojnë hapjen me forcë të pjesës mbrapa dollapëve dhe aty shfaqen edhe pamjet e arit i cili ishte i fshehur dhe i padeklaruar.

    Sekuestrimi i sasisë së arit i cili ishte gjendur i fshehur bëhet menjëherë nga zyrtarët e Doganës së Kosovës. Në vendin e ngjarjes pronarit të argjendarisë, nga zyrtari doganor i kumtohet lajmi se i gjithë ari i cili ishte gjendur i fshehur do të sekuestrohet nga ta.

    Pamje nga Kallxo:

  • CIA e gjeti, Izraeli e vrau – Detajet e misionit për të gjurmuar Khamenein

    CIA e gjeti, Izraeli e vrau – Detajet e misionit për të gjurmuar Khamenein

    Media amerikane zbulon detajet prapa skenave të sulmit: Avionët luftarakë izraelitë u ngritën në orën 6:00 të mëngjesit dhe dy orë më vonë, bombat shkatërruan kompleksin ku ndodhej Khamenei. Për herë të tretë, udhëheqësit e boshtit shiit u kapën në befasi.

    CIA e gjeti, Izraeli e vrau. Kështu përfundoi, në mes të ditës, karriera e gjatë e Ali Khameneit, simbol dhe Udhëheqës i Republikës Islamike. Dhe për herë të tretë, udhëheqësit e boshtit shiit u kapën në befasi nga armiku në mes të një krize.

    Media amerikane – New York Times dhe Wall Street Journal – kanë rindërtuar disa faza të operacionit që përfunduan me prerjen e re të kokës së regjimit iranian. Një mision i kryer nga dy agjenci inteligjence të mësuara të bashkëpunojnë në një fushë ku aleancat kanë rëndësi vetëm në një masë të caktuar.

    Amerikanët e kishin ndjekur udhëheqësin për muaj të tërë, një figurë që i kishte kufizuar paraqitjet e tij në minimum për arsye shëndetësore dhe sigurie. Ai e dinte se ishte në krye të listës “të hartuar” nga Donald Trump dhe Bibi Netanyahu. Në Teheran, ata gjithmonë thoshin se ai ishte i sigurt, në një strehë të sigurt, i mbrojtur nga kontrolle të përpikta për të parandaluar më të keqen. Përveç se mburoja ishte thyer.

    SHBA-të mblodhën informacione mbi një takim të udhëheqësve të lartë brenda Beit E Rahbari, kompleksit në kryeqytet që përfaqëson një lloj qendre strategjike. Prandaj, ata nuk kishin nevojë ta kërkonin atë kush e di se ku; ai nuk ishte fshehur në një shpellë në shpatin e një mali, apo edhe në një apartament anonim. Pasi konfirmuan (ose pothuajse konfirmuan) praninë e tij, ata ia kaluan informacionin IDF-së, një përmbysje e asaj që ndodhi në janar 2020, kur izraelitët gjurmuan lëvizjet e fundit të Qasem Soleimani, kreut të Divizionit Qods të Pasdaran. Ky model më pas lejoi një dron amerikan ta eliminonte atë pranë aeroportit të Bagdadit, Irak. Ajo vrasje precize, përsëri e urdhëruar nga Donald Trump, u konfirmua gjithashtu.

    Procesi u përsërit të shtunën në mëngjes me hapjen e “dritares së mundësisë”. Ishte e mundur të shënjestrohej Khamenei dhe një mori zyrtarësh të lartë u mblodhën për një samit lufte. Midis të pranishmëve ishin Ministri i Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh, komandanti i Pasdaran Mohammad Pakpour, Shefi i Shtabit Abdolrahim Mousav, këshilltari dhe ish-admirali Ali Shamkhani, shefi i Divizionit Hapësinor Sayed Mousavi, zëvendësi i Ministrisë së Inteligjencës Mohammad Shirazi dhe figura të tjera kyçe.

    Nuk përjashtohet mundësia që spiunët të kenë mbajtur nën vëzhgim udhëheqësit kryesorë me shpresën për të arritur në “kokën”: agjencitë e inteligjencës mund të kenë një fat të mirë, por ato gjithashtu duhet ta bashkojnë me durim enigmën.

    Kombinimi i faktorëve lejoi sulmin shkatërrues.

    Aeroplanët luftarakë u nisën nga një bazë izraelite rreth orës 6:00 të mëngjesit, të pajisur me armë me rreze të gjatë veprimi. Disa orë më vonë, filloi veprimi përfundimtar: të paktën 30 bomba goditën kompleksin.

    Sipas New York Times, oficerët ishin brenda një ndërtese ndërsa Udhëheqësi ishte në një krah nëntokësor, por jo në bunkerin më të thellë. Dhe bombardimi nuk la shpëtim për shumicën e të pranishmëve, të përfshirë nga shpërthimet dhe shembja e një pjese të strukturës. Dëmi ishte qartë i dukshëm në fotot satelitore të publikuara më pas nga Tel Avivi.

    Autoritetet iraniane fillimisht pretenduan se Khamenei ishte i sigurt, pastaj folën për kontakt të ndërprerë, por premtuan se do t’i drejtohej kombit. Realiteti ishte krejt ndryshe: Udhëheqësi ishte vrarë, së bashku me një numër të konsiderueshëm zyrtarësh. Disa kishin zëvendësuar kolegë të eliminuar, përsëri nga izraelitët, gjatë konfliktit në qershor.

    Zbulimet e gazetave përfaqësojnë një grimcë të së vërtetës. Detaje dhe versione të mëtejshme do të dalin në pah, dhe lajmet do të qarkullojnë për të mbrojtur burimet dhe taktikat. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se ekziston një rrugë e qartë në këtë garë: Izraeli dhe SHBA-të kanë shkelur rrjetin e sigurisë së kundërshtarit të tyre, dhe e kanë bërë këtë në kohë të ndryshme. Me bipera të shndërruar në eksplozivë kundër Hezbollahut. Me vrasjen e sekretarit të fraksionit libanez, Hassan Nasrallah, i cili “arriti” në strehën e tij në thellësitë e Bejrutit. Me prerjen e kokës së hierarkisë ushtarake iraniane në verë. Këto ngjarje u paraprinë nga një seri po aq e gjatë eliminimesh të zyrtarëve dhe shkencëtarëve.

    Sukseset i atribuohen pranisë së agjentëve në terren, përdorimit të inteligjencës artificiale, ndihmës së bashkëpunëtorëve të gatshëm të tradhtojnë për hakmarrje ose para, rolit të teknologjisë dhe aftësisë së burrave dhe grave që kanë luftuar prej kohësh në një duel të mundimshëm. Një rezultat edhe më domethënës sepse ata u përballën me Iranin, një vend i mësuar me kospiracion” dhe intrigë, një regjim i pajisur me një aparat sigurie shumëplanësh dhe agresiv. Megjithatë, vitet e fundit, represioni dhe sistemi i kontrollit kanë dobësuar forcën, por kanë krijuar edhe çarje që armiku i ka shfrytëzuar në kohën e duhur./CorriereDellaSera

  • Vdes një person në një pompë të derivateve në Pejë, policia del në vendngjarje

    Vdes një person në një pompë të derivateve në Pejë, policia del në vendngjarje

    Një person ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në qytetin e Pejës.

    Viktima dyshohet se ka vdekur papritmas në vendin e tij të punës në një pompë të derivateve në rrugën “Papa Klimenti”.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi.

    Ai bëri të ditur se policia është njoftuar nga emergjenca e qytetit për një person pa shenja jete.

    Gashi tha se i njëjti u gjet në pompë të derivateve, derisa nuk dha më shumë detaje tjera.

    “Njësitet kompetente janë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rastin”, tha ai.