ATV

Author: K.B.

  • Arratiset nga QKUK’ja një i burgosur, pezullohen dy zyrtarë korrektues

    Arratiset nga QKUK’ja një i burgosur, pezullohen dy zyrtarë korrektues

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është arratisur një i burgosur. Rasti ka ndodhur në orën 03:10, në QKUK.

    Ai ishte arrestuar më 24 tetor 2025 dheishte duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh për vjedhje të rëndë dhe do të lirohej më 8 qershor 2029.

    Në njoftim bëhet e ditur se ai ishte hospitalizuar më datë 16 shkurt në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë.

    Lidhur me rastin janë pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues.

    “Menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij. Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore. Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces”, thuhet në njoftim.

  • Osmani, Kurti e Maqedonci në ceremoninë e ndërrimit të komandës KFOR-it

    Osmani, Kurti e Maqedonci në ceremoninë e ndërrimit të komandës KFOR-it

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Grupin Luftarak shumëkombësh Lindje, e cila u mbajt në kampin amerikan Camp Bondsteel.

    Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti.

    Maqedonci falënderoi Kolonel Jonathan Lloyd për kontributin dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij në krye të Grupit Luftarak shumëkombësh Lindje, ndërsa i uroi suksese Kolonel Samuel Sargeant në marrjen e detyrës së re.

    Ai theksoi se partneriteti me NATO dhe misionin KFOR mbetet thelbësor për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe përparimin e saj në rrugën euroatlantike.

  • Gjashtë vjet nga vrasja e Qerim Kelmendit, familja kërkon hetim efektiv dhe llogaridhënie

    Gjashtë vjet nga vrasja e Qerim Kelmendit, familja kërkon hetim efektiv dhe llogaridhënie

    Sot, më 27 shkurt 2026, bëhen gjashtë vjet nga vrasja e qëllimshme e Heroit Qerim Kelmendi, një nga guerilët e parë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe bashkëluftëtar i Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi dhe Mujë Krasniqi.

    Familja Kelmendi vlerëson se, edhe pas më shumë se gjashtë vitesh nga nata e 27–28 shkurtit 2020, rasti mbetet i pazbardhur dhe pa rezultate konkrete hetimore. Sipas tyre, deri më sot nuk ka pasur informim zyrtar substancial që do të dëshmonte përparim real në hetime, çka sipas familjes bie ndesh me standardet e një hetimi efektiv, të pavarur dhe brenda afateve të arsyeshme.

    Familjarët theksojnë se nga përfundimi i luftës e deri në ditën e vrasjes, Qerim Kelmendi nuk ishte thirrur, ndaluar apo marrë në pyetje nga Policia apo Prokuroria për ndonjë vepër penale, duke e konsideruar këtë fakt me peshë juridike në kontekst të prezumimit të pafajësisë dhe mbrojtjes së reputacionit.

    Sa i përket trajtimit të rastit në Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, familja përmend ndryshimet e prokurorëve përgjatë viteve dhe mungesën e rezultateve të dukshme në hetim. Ata shprehin dyshimin se vrasja mund të lidhet me veprimtarinë çlirimtare të Kelmendit dhe kërkojnë që kjo pistë të trajtohet me seriozitet profesional.

    Familja Kelmendi kërkon transparencë mbi veprimet hetimore, llogaridhënie për vonesat dhe angazhim konkret për zbardhjen e plotë të rastit.

    Në fund, familjarët theksojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe paralajmërojnë se, në mungesë të rezultateve, do të kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe institucionale për dështimet e deritanishme.

  • AUV ndalon importimin e 1080 litrave vaj ulliri në Vërmicë

    AUV ndalon importimin e 1080 litrave vaj ulliri në Vërmicë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importimin e 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë, pas një kontrolli të realizuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore në Vërmicë.

    Sipas njoftimit, pas shqyrtimit të lëndës me nr. të aplikacionit PIKF297960/2026, të datës 18 shkurt, është ndaluar hyrja në Kosovë e produktit të destinuar për tregun vendor nga kompania “Euro Made 2021” nga Lushnja, Shqipëri.

    Gjatë kontrollit fizik është konstatuar se produkti nuk përmbante të dhënat e duhura në deklaracionin e mallit. Po ashtu, është vërejtur se vaji ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike dhe së bashku me mallra të tjera jo ushqimore, si detergjentë, çka rrit mundësinë e kontaminimit”, thuhet në njoftim.

  • Vlera e aseteve arrin në 3.28 miliardë euro: Ku janë të investuara kursimet e qytetarëve të Kosovës

    Vlera e aseteve arrin në 3.28 miliardë euro: Ku janë të investuara kursimet e qytetarëve të Kosovës

    Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar se vlera e përgjithshme e aseteve të tij ka arritur në 3.28 miliardë euro, duke shënuar nivelin më të lartë që nga themelimi.

    Tri miliardë e më shumë euro të mbledhura nga kontributet e punëtorëve të Kosovës sot punojnë për ta, jo në Kosovë, por në tregjet më të mëdha financiare të planetit.

    Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës raportoi se asetet e tij kanë arritur në 3.28 miliardë euro, shumica e të cilave janë investuar në aksione, fonde ndërkombëtare dhe obligacione shtetërore në tregjet e zhvilluara.

    Ky është një nga momentet më të forta të performancës së Trustit, që tregon jo vetëm rritjen e vlerës së kursimeve, por edhe varësinë e tyre nga ekonomia globale.

    Por, ku janë te investuar dhe ku po mbahen këto para?

    Ky raport analizon në detaje se ku janë të investuara këto para, cilat janë organizatat që i menaxhojnë fondet, në cilat vende operojnë ato, si dhe cili është niveli i rrezikut për secilën kategori.

    Struktura e përgjithshme e investimeve:

    Nga 3.28 miliardë euro:

    59.7% (1.96 miliard €) janë në aksione

    12.9% (424 milion €) në instrumente borxhi

    9.9% (325 milion €) në fonde multi-asete

    8.1% (267 milion €) në asete reale

    9.4% (307 milion €) në kesh dhe treg të parasë

    Kjo strukturë tregon se Trusti ka orientim kryesisht drejt rritjes afatgjatë, pasi pjesa më e madhe është në tregun global të aksioneve.

    Investimet në tregun e aksioneve (1.96 miliard €)

    Aksione pasive (ETF dhe fonde indeksuese) -1.45 miliard €

    Këto investime ndjekin indekse të mëdha botërore dhe konsiderohen më të qëndrueshme dhe me kosto më të ulët.

    Vanguard Group (SHBA) – 715,047,183 €

    Një nga menaxherët më të mëdhenj të aseteve në botë. Investimi përmes fondit global përfshin kompani si Apple, Microsoft, Nestlé, etj.

    Invesco (SHBA) – 259,188,871 €

    Përmes ETF që ndjek indeksin S&P 500.

    BlackRock / iShares (SHBA) – përmes disa ETF-ve evropiane dhe britanike

    MSCI Europe Value ETF – 128,485,240 €

    Core FTSE 100 ETF (Mbretëria e Bashkuar) – 50,578,350 €

    Listed Private Equity ETF- 26,254,295 €

    Amundi (Francë)

    MSCI Europe Quality Factor ETF – 76,591,015 €

    MSCI Japan ETF – 46,079,586 €

    UBS Group (Zvicër)

    Core SPI ETF – 32,810,999 €

    State Street Global Advisors (SHBA) përmes SPDR ETF

    European Dividend Aristocrats – 32,563,525 €

    Russell 2000 Small Cap – 32,536,530 €

    Këto fonde konsiderohen me rrezik të moderuar, pasi ndjekin tregje të gjera dhe janë të diversifikuara.

    Aksione aktive- 384 milion €

    Këtu menaxherët përzgjedhin kompani specifike me synim tejkalimin e tregut.

    Nordea (Finlandë) – 109,992,426 €

    Schroders (Mbretëria e Bashkuar)

    Global Equity Alpha – 93,851,276 €

    Sustainable Growth – 89,520,548 €

    JPMorgan Chase (SHBA) – 91,245,917 €

    Dihet se rreziku këtu është më i lartë se fondet pasive, sepse performanca varet nga strategjia e menaxherit.

    Aksione tematike- 121 milion €

    Investime në sektorë specifikë, që mund të jenë më të paqëndrueshme.

    **BNP Paribas – Healthcare Innovators – 30,321,054 €

    **State Street Global Advisors – Oil & Gas ETF – 28,449,173 €

    **VanEck – Defense ETF- 19,653,695 €

    Future of Defence ETF – 17,281,441 €

    Edhe këto fonde janë më të rrezikshme sepse varen nga sektorë specifikë si energjia apo mbrojtja.

    Instrumente borxhi dhe stabilitet

    Obligacione të Kosovës – 139,449,356 €

    Obligacione të Austrisë – 31,826,544 €

    Obligacione të Francës -30,907,378 €

    Obligacione të Italisë – 30,023,720 €

    Vanguard Eurozone Government Bond ETF – 27,898,760 €

    Këto konsiderohen investime me rrezik më të ulët krahasuar me aksionet.

    Multi-asete. 325 milion €

    Schroder ISF Global Multi Asset Balanced -121,150,458 €

    Nordea Stable Return Fund – 80,432,802 €

    BlackRock Global Allocation – 69,323,426 €

    Allianz Dynamic Multi Asset – 54,560,369 €

    Këto fonde kombinojnë aksione dhe obligacione për të balancuar rrezikun.

    Asete reale, 267 milion €

    Investime në infrastrukturë dhe pasuri të paluajtshme përmes ETF-ve amerikane si:

    iShares US Infrastructure – 107,420,437 €

    Global X US Infrastructure – 79,552,464 €

    Global X Data Center & Digital Infrastructure – 42,541,862 €

    Janë investime të lidhura me ekonomi reale, por ndikohen nga normat e interesit dhe ciklet ekonomike.

    Likuiditet dhe para të gatshme

    Amundi Smart Overnight Return ETF – 152,754,906 €

    Amundi Euro Liquidity – 138,730,060 €

    Depozita bankare – 164,313,515 €

    Kesh në banka – 16,258,308 €

    Këto shërbejnë për stabilitet dhe reagim të shpejtë ndaj tregut.

    Shumica e parave të pensioneve të qytetarëve të Kosovës janë të investuara në tregjet e SHBA-së dhe Evropës përmes fondeve gjigante ndërkombëtare. Ekspozimi më i madh është ndaj ekonomisë amerikane. Rreth 60% janë në aksione, që do të thotë se fondi është i orientuar drejt rritjes afatgjatë dhe mund të ketë luhatje në periudha krize globale.

    Një pjesë e investimeve janë në sektorë më të rrezikshëm si energjia dhe industria e mbrojtjes, ndërsa rreth një e treta e portofolit është në instrumente më të sigurta si obligacionet dhe depozitat bankare.

    Trusti i Kosovës nuk i mban paratë në Kosovë, por i investon në tregjet financiare ndërkombëtare për të rritur vlerën e tyre në afatgjatë. Struktura aktuale tregon një strategji të balancuar mes rritjes dhe stabilitetit, por me dominim të qartë të tregut të aksioneve.

    Kjo nënkupton se pensionet e ardhshme të qytetarëve varen drejtpërdrejt nga performanca e ekonomisë globale.

    Sipas të dhënave zyrtare të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, viti 2025 ka shënuar një performancë të rëndësishme pozitive në investime, me kthim bruto nga investimet prej rreth 312 milionë euro deri më 24 dhjetor 2025. ‎

    Kjo është shifra e fitimit që Trusti ka arritur vetëm nga performanca e aseteve të tij, dhe është rreth 68 milionë euro më e lartë se kthimi në vitin 2024, kur ai kishte qenë rreth 244 milionë euro. ‎Ky rezultat konfirmon se pensionet e kosovarëve kanë sjellë rritje të vlerës së kursimeve edhe gjatë vitit 2025, duke kontribuar në rritjen e totalit të mjeteve të menaxhuara dhe duke rritur besueshmërinë e sistemit të pensioneve./Monitor/

  • Shukri Buja propozon që Jakup Krasniqi të zgjidhet president: Personalitet atdhetar, mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare

    Shukri Buja propozon që Jakup Krasniqi të zgjidhet president: Personalitet atdhetar, mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare

    Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës, ka komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke propozuar Jakup Krasniqin për këtë pozitë. Buja ka thënë se Krasniqi është një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale.

    Buja në postimin e tij, ka thënë edhe se zgjedhja e Krasniqit si president do të ishte ‘’verdikt i qartë politik i popullit’’ të Kosovës, dhe se, do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, që tregon qartë se cili është qëndrimi i këtij populli për udhëheqësit e luftës së tij çlirimtare.

    Tutje, ai ka deklaruar edhe se, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ‘’mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë’’. Buja ka deklaruar edhe se, edhe Lista Guxo dhe në veçanti Vjosa Osmani ‘’do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve.’’

    Postimi:

    Të nderuar qytetarë të Kosovës!

    Të nderuar Kryetarë të subjekteve politike parlamentare!

    Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale.

    Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm.

    Prandaj po paraqes një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.

    Kjo është një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë.

    Janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara.

    Sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë.

    Propozimi im, i dalë nga zemra dhe mendja, natyrisht do të ishte ish-Presidenti Hashim Thaçi.

    Por duke njohur qëndrimet e LVV-së, të z. Kurti, të znj. Osmani dhe të koalicionit qeverisës, e kuptoj se kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme.

    Megjithatë, ky qëndrim refuzues nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për një personalitet tjetër të luftës, një figurë për të cilën askush nuk mund të thotë se ka përkrahur Dhomat e Specializuara, që nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk është figurë përçarëse.

    Propozimi im është i qartë: Z. Jakup Krasniqi.

    Një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale.

    Një njeri që sot ndodhet në burg, por nuk është i dënuar.

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë prezumimin e pafajësisë, dhe rregullon edhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme.

    PDK dhe AAK nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë.

    LDK mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë.

    Lista Guxo dhe në veçanti znj. Osmani do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve.

    Zgjedhja e z. Jakup Krasniqi si President nga deputetët e Kuvendit do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës.

    Do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, që tregon qartë se cili është qëndrimi i këtij populli për udhëheqësit e luftës së tij çlirimtare.

    Ky është moment historik për përgjegjësi!

    Me respekt,

    Sh. Buja

  • Dënimi me 15 vjet i kosovarit në Beograd, Syla: Serbia po tenton ta njollosë luftën e UÇK-së

    Dënimi me 15 vjet i kosovarit në Beograd, Syla: Serbia po tenton ta njollosë luftën e UÇK-së

    Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar për Klan Kosova se besojnë në pafajësinë e bashkëluftëtarit Gjelosh Krasniqi, i cili është dënuar me 15 vjet burgim në mungesë nga Gjykata e Beogradit.

    Ai tha se pretendimet e akuzat që ia drejton shteti serb janë të pabaza dhe të pavërteta.

    Sipas Sylës, kjo nuk është diçka e re, duke e ditur që Serbia vazhdimisht tenton ta njollosë luftën e pastër të UÇK-së.

    Ai theksoi se Gjelosh Krasniqi, përveç që vetë doli në mbrojtje të vendit në kohën më të vështirë, është edhe vëllai i dëshmorit, Gjergj Krasniqi.

    “Lufta jonë ka qenë e drejtë. UÇK-ja nuk ka bërë krime. Jemi krenarë me çdo luftëtar të UÇK-së. Me luftën speciale të Serbisë jemi duke u ballafaquar çdo ditë prej ditës së çlirimit të Kosovës”, u shpreh Syla.

  • Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Daçiq me infeksion në dy mushkëritë, Vuçiq: Jam i shqetësuar për gjendjen e tij, prisnim përmirësime

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot në Astana se është “shumë i shqetësuar” për gjendjen shëndetësore të ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili është i shtruar në spital në Beograd për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

    Vuçiç u tha gazetarëve nga Serbia që po e shoqërojnë gjatë vizitës së tij në Kazakistan se është “në kontakt të vazhdueshëm” me ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Lonçar në lidhje me gjendjen shëndetësore të Daçiçit, shkruan Beta.

    “Sonte, sapo të kthehem në Beograd, do të shkoj në spital. Nuk ka ndryshime, gjendja është e qëndrueshme dhe kjo është mirë nga njëra anë, por prisnim ndryshime më të mira dhe më të shpejta”, tha ai.

    Ndihmësdrejtori i Klinikës për Pulmonologji të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Spasoje Popeviç, i cili është përgjegjës për trajtimin e Daçiçit, tha këtë mëngjes se gjendja e Daçiçit “nuk ka ndryshuar, për momentin është e qëndrueshme”, se ai “e kaloi natën i qetë” dhe se “masat intensive të trajtimit po vazhdojnë”.

    Të mërkurën, Daçiç u shtrua në Klinikën e Pulmonologjisë të Qendrës Klinike të Serbisë në gjendje të rëndë dhe u vu në ventilator për shkak të inflamacionit të të dy mushkërive.

  • Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova përfiton mbi 10 milionë dollarë nga “Pandemic Fund”

    Kosova ka përfituar mbi 10 milionë dollarë nga raundi i tretë i financimit të Pandemic Fund, një mekanizëm global që mbështet vendet në forcimin e kapaciteteve për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive.

    Kjo është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Më 12 shkurt 2026, Bordi Drejtues i Pandemic Fund ndau gjithsej 499.6 milionë dollarë për 20 projekte në mbarë botën, duke mobilizuar mbi 4 miliardë dollarë financim shtesë nga partnerë të ndryshëm. Kosova është një nga vendet përfituese përmes projektit MAKE READY”, shkroi Vitia në Facebook.

  • 30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Zhelko Jagodiqit dhe Mihajllo Mihajlloviqit.

    Kjo masë u mor në seancën e mbajtur në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit Zef Prendrecaj.

    Dy shtetasit serbë, u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Prishtinës për tjetërsim prone dhe vepra të tjera penale.

    Ata dyshohet se tentuan të shesin një pronë 2 milionëshe në Veternik.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se pas një hetimi disamujor, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M dhe Z.J. për dyshimin e kryerjes së mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtës së rreme.

    Në njoftim u tha se ky hetim lidhet me një pronë në Veternik me sipërfaqe 56 ari, ndërsa nga dyshuarit janë sekuestruar veturë, para, dokumente dhe telefona celularë.

    “Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.