ATV

Author: K.B.

  • Apple prezanton iPad Air me çipin më të fuqishëm M4

    Apple prezanton iPad Air me çipin më të fuqishëm M4

    Apple ka prezantuar versionin e ri të iPad Air, duke e përmirësuar ndjeshëm performancën me çipin e ri M4.

    Modeli i ri ruan dizajnin e njohur, por sjell përmirësime të rëndësishme për përdoruesit që kërkojnë fuqi dhe shpejtësi më të madhe.

    Përveç çipit M4, iPad Air tani vjen me 12 GB RAM, opsione ruajtjeje deri në 1 TB dhe përmirësime në lidhshmëri me Wi‑Fi 7, Bluetooth dhe Thread.

    Ekrani LCD mbetet i njëjtë si më parë, ndërsa kamerat janë 12 MP, duke garantuar video dhe foto cilësore.

    iPad Air M4 do të jetë në treg nga 4 marsi dhe në dyqane nga 11 marsi, me çmimin fillestar prej 599 dollarë (516 euro) për modelin 11 inç dhe 799 dollarë (689 euro) për versionin 13 inç.

    Ekspertët e teknologjisë theksojnë se ky model synon përdoruesit e avancuar, studentët dhe profesionistët që kërkojnë një tablet të fuqishëm për punë dhe argëtim.

  • Sa njerëz kanë vdekur në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit?

    Sa njerëz kanë vdekur në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit?

    Që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, Irani ka pësuar numrin më të lartë të viktimave, tregojnë statistikat.

    Që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin, 787 persona janë vrarë në këtë vend, ndërsa mijëra janë plagosur. Këto janë shifrat e fundit të përditësuara dje, dhe shifra është ende më e lartë.

    Pas Iranit, Libani ka pësuar më shumë viktima – 40. 246 persona janë plagosur në këtë vend.

    Në Izrael, 11 persona kanë vdekur deri më tani, ndërsa mijëra janë plagosur. Kur bëhet fjalë për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, gjashtë ushtarë janë vrarë dhe 18 janë plagosur.

    Shumë vende të tjera në rajon kanë pësuar gjithashtu dëme në infrastrukturë dhe viktima që nga fillimi i luftës, si Iraku, Kuvajti, Jordania, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

    Rastësisht, Katari ishte shënjestra e dy raketave balistike iraniane këtë mëngjes, njoftoi ministria e mbrojtjes e vendit.

    Njëra nga këto raketa u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, dhe tjetra goditi bazën ajrore amerikane në Al Udaid – baza më e madhe amerikane në rajon.

    Nuk pati viktima, tha Katari.

  • Pasagjerët e bllokuar në Dubai paguajnë deri në 200 mijë euro për fluturime private

    Pasagjerët e bllokuar në Dubai paguajnë deri në 200 mijë euro për fluturime private

    Një pjesë e pasagjerëve të bllokuar në Dubai paguan deri në 200 mijë euro për fluturime private.

    Dhjetëra mijëra pasagjerë janë bllokuar për shkak të luftës që përfshin Iranin dhe që është përhapur në rajonin e Gjirit.

    Megjithatë, disa udhëtarë më të pasur po arrijnë të largohen duke paguar shuma të mëdha për fluturime private luksoze drejt Evropës, përmes aeroporteve që konsiderohen të sigurta nga sulmet iraniane, shkruan forbes.

    Kërkesa për fluturime “charter” ka shpërthyer, ku disa njerëz paguajnë deri në 200 mijë euro për këto fluturime, pasi aeroportet kryesore në Dubaj, Abu Dabi dhe Doha në Katar u mbyllën pas fillimit të konfliktit fundjavën e kaluar.

    Udhëtarët po përpiqen të evakuohen nga Dubai – një qytet tradicionalisht i lidhur me sigurinë dhe luksin – duke udhëtuar me tokë deri në Muskat të Omanit (rreth katër orë me makinë) ose deri në Riad të Arabisë Saudite (më shumë se dhjetë orë).

    Prej aty, ata hipin në disa fluturime komerciale ose charter, të cilat tani kushtojnë shumë më shtrenjtë se zakonisht.

    Ekspertët thonë se çmimet e larta reflektojnë mungesën e aeroplanëve të disponueshëm dhe rreziqet e operimit në kushtet aktuale, jo thjesht spekulime të tregut.

  • El Mencho varroset në një arkivol të artë, funerali i tij në Meksikë nën masa të forta sigurie

    El Mencho varroset në një arkivol të artë, funerali i tij në Meksikë nën masa të forta sigurie

    Varrimi i udhëheqësit të kartelit Jalisco New Generation Cartel, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u zhvillua të hënën në masa të forta sigurie dhe nën një atmosferë të theksuar sekreti në shtetin perëndimor meksikan të Jalisco-s.

    Sipas një zyrtari federal, ceremonia mortore u mbajt në një varrezë në Zapopan, periferi e qytetit Guadalajara, por autoritetet refuzuan të konfirmojnë zyrtarisht vendndodhjen, duke përmendur arsye sigurie. Zona ishte e rrethuar nga prani e shtuar ushtarake, ndërsa arkivoli i artë i Oseguera Cervantes ishte i rrethuar nga kurora të mëdha me lule.

    Dhjetëra persona morën pjesë në procesion, shumë prej tyre me çadra të zeza pavarësisht motit me diell. Një grup muzikor luajti muzikë tradicionale “banda”, ndërsa disa nga kurorat mbanin simbolin e një gjeli, një referencë ndaj nofkës së tij “Zoti i Gjelave”.

    “El Mencho” u vra pak më shumë se një javë më parë gjatë një operacioni të ushtrisë meksikane për kapjen e tij. Sipas certifikatës së vdekjes, të cituar nga Associated Press, ai humbi jetën nga plagë të shumta me armë zjarri në gjoks, bark dhe këmbë. Ministri i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, deklaroi se ai dhe dy truprojat e tij u plagosën rëndë në një shkëmbim zjarri pranë një rezidence në Tapalpa dhe vdiqën gjatë transportimit për në spital.

    Trupi u dërgua në Mexico City për autopsi dhe më pas iu dorëzua familjes. Autoritetet theksuan se varrimi ishte planifikuar, sipas praktikave të zakonshme në rastet e vdekjeve të dhunshme, për të lejuar mbledhjen e provave të mëtejshme mjeko-ligjore nëse do të jetë e nevojshme.

    Vdekja e liderit të kartelit ka shkaktuar një valë dhune në rreth 20 shtete të Meksikës. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 70 persona kanë humbur jetën në operacionin ushtarak dhe në aktet hakmarrëse që pasuan. Qeveria ka bërë të ditur se operacionet e sigurisë vazhdojnë, me synim goditjen e figurave të tjera të larta të kartelit.

    Në Meksikë, varrimet e bosëve të drogës shpesh mbulohen nga misteri dhe simbolika, duke ushqyer një imazh mitik mes mbështetësve të tyre. Brenda pak orësh nga vdekja e tij, këngë të tipit “narko-corridos” u kompozuan për të përkujtuar figurën e tij.

    Varrimi i “El Mencho”-s, i shoqëruar nga masa të rrepta sigurie dhe heshtje institucionale mbi detajet, i shtohet një tradite të gjatë dhe të errët në historinë e karteleve meksikane.

    Raketa iraniane godet bazën ajrore amerikane në Katar
    Read more

  • Nëntë vjet nga protesta gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt

    Nëntë vjet nga protesta gjithëpopullore për lirimin e Haradinajt

    Para nëntë vjetësh në Prishtinë u mbajt protesta gjithëpopullore kundër mbajtjes peng të Ramush Haradinajt në Francë.

    Protesta ishte thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lider i së cilës është Haradinaj, ndërsa u përkrah edhe nga partitë tjera opozitare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

    Kryeministri i tanishëm Haradinaj ishte ndaluar më 4 janar 2017 nga policia franceze, për shkak të fletarrestit nga Serbia për kinse krime lufte, gjë e cila çoi në protesta të mëdha në të gjitha qytetet shqiptare dhe qytetet e mëdha evropiane.

    Haradinaj u lirua nga gjykata franceze e Colmar, më 27 prill 2017./kp

  • Autoriteti i Konkurrencës pezullon nga puna inspektoren hetuese

    Autoriteti i Konkurrencës pezullon nga puna inspektoren hetuese

    Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka pezulluar përkohësisht nga puna Gresa Latifin, e cila ka shërbyer si inspektore hetuese në Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.

    Këtë vendim e ka quajtur të padrejtë dhe tendencioz Latifi, e cila ka thënë se pezullimi i është bërë për shkak të ngritjes së zërit kundër disa çështjeve që ajo i ka cilësuar shkelje, e për çka u është drejtuar edhe organeve të drejtësisë.

    “Gjatë këtyre dy viteve i kam pas 13 masa disiplinore, ndoshta dikush jashtë mundet me thonë se çfarë shkelje paska bo brenda kjo, vlen të theksohet se të gjitha këto masa i kam të fitume, kjo tregon që ato kanë qenë të qëllimshme pa bazë ligjore dhe pa prova. pezullimi im që u bë mediatik nuk është pezullimi i vetëm, për periudhën e njëjtë kohore jam pezulluar dy herë nga vendi i punës, që do të thotë e kam edhe një paraprak, ndaj tij kam ushtruar ankesë në komisionin e pavarur mbikëqyrës, i cili është në procedura dhe pe pres vendimin i cili besoj do të kthehet në favorin tim”, ka thënë Latifi.

    Latifi ka kritikuar institucionin se e kanë përjashtuar nga një rast i rëndësishëm hetimor në të cilën ka qenë anëtare e grupit punues për më shumë se dy vite.

    “Në media unë jam nxjerr si zyrtarja joprofesionale, pra ku është profesionalizmi këtu nëse unë thirri për kthim të ligjshmërisë brenda institucionit dhe kërkoj ligjshmëri brenda saj, po ashtu njoftoj bordin për parregullsitë dhe paligjshmëritë që janë duke ndodh brenda”, ka shtuar ajo.

    Ndërkohë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pretendon se inspektorja Latifi gjatë ushtrimit të detyrës së saj ka pasur sjellje joprofesionale.

    “Sipas kërkesës për fillimin e procedurës disiplinore, ajo në vazhdimësi ka sjellje të papërshtatshme, konfrontuese, mungesë të respektimit të hierarkisë dhe ka përmbajtje të papërshtatshme në komunikimet zyrtare, ku sjelljet dhe komunikimet brenda institucionit karakterizohen nga: gjuhë, sjellje e tone provokuese dhe joprofesionale gjatë orarit të punës, krijon insinuata dhe shpif akuza të pabazuara ndaj kolegëve, autoritetit drejtues dhe vendimmarrjes institucionale, cenim të rendit administrativ dhe disiplinës në institucion si dhe tejkalim i kompetencave funksionale dhe mosrespektim i vendimeve dhe hierarkisë organizative”, thuhet në përgjigjeje të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

    Në vendimin që e posedon RTK, thuhet se Latifi pezullohet nga puna deri më 4 mars të këtij viti, për çka ajo nuk ka të drejtë ankese.

  • Irani do të mbajë ceremoni lamtumire treditore për Ajatollah Khamenein

    Irani do të mbajë ceremoni lamtumire treditore për Ajatollah Khamenein

    Vendi i lutjeve Imam Khomeini Mosalla në Teheran do të presë mbështetës të udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një ceremoni treditore që nga nata e së mërkurës, sipas mediave shtetërore.

    Njoftimi vjen ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja vazhdojnë të nisin sulme ajrore ndaj Iranit, përfshirë Teheranin, raporton CNN.

    Izraeli të mërkurën tha se nisi atë që e përshkroi si një “valë të gjerë” të re sulmesh kundër Iranit, duke synuar vendet e lëshimit, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturë të tjera.

  • Tragjike: 10 vjeçari shqiptar humb jetën në Itali

    Tragjike: 10 vjeçari shqiptar humb jetën në Itali

    Një 10 vjeçar me origjinë shqiptare ka vdekur para disa ditësh në Itali.

    Ngjarja tragjike ndodhi para disa ditësh në Foggia, raportojnë mediat italiane.

    Alessio thuhet se teksa po luante, goditi me kokë murin e një shatërvani në sheshin e qytetit.

    Ai fillimisht humbi ndjenjat, pësoi arrest dhe më pas, sipas mjekëve, humbi dhe jetën.

    Sipas mediave italiane, mjekët ishin përpjekur për 45 minuta që ta shpëtonin vogëlushin, por pa sukses.

  • Punimet ndërpresin përkohësisht trafikun në rrugën Gjakovë-Klinë

    Punimet ndërpresin përkohësisht trafikun në rrugën Gjakovë-Klinë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se në kuadër të punimeve në projektin e zgjerimit të Rrugës Nacionale N9, segmenti Kijevë–Dollc (LOT-4), do të realizohet riparimi i gropës pranë Urës nr. 7 në vendin e njohur si Kalaja e Dollcit.

    Bëhet e ditur se për shkak të zhvillimit të punimeve, sot do të bëhet ndërprerja e përkohshme e qarkullimit të trafikut nga udhëkryqi Gjakovë-Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik.

    “Ndërprerja e trafikut do të realizohet në intervalin kohor:Nga ora 08:00, deri në përfundimin e riparimit (sanimit) të gropës, por jo më gjatë se 48 orë”.

    “Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për shqetësimet e mundshme gjatë kësaj periudhe”, thuhet në një njoftim të kësaj ministrie.

  • Gjykimi për pengim të drejtësisë, sot vijon dëshmia e Koen Herlaar

    Gjykimi për pengim të drejtësisë, sot vijon dëshmia e Koen Herlaar

    Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar do të vazhdojë edhe sot në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – për pengim të drejtësisë.

    Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dëshminë e tij mëngjesin e djeshëm. Ai është dëshmitari i dytë i ftuar nga ZPS-së në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.

    Dëshmitari holandez është dëgjuar pjesërisht në seancë private.

    Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon kërkoi nga trupi gjykues që ta detyrojë dëshmitarin holandez, Koen Herlaar që të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

    Mbrojtja e Thaçit ka reaguar, lidhur me siç tha ajo refuzimin e dëshmitarit për tu përgjigjur në pyetjet për shkak të konfidencialitetit. Sipas saj, ky dëshmitar i ftuar nga ZPS nuk ka dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi.

    Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

    Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

    Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

    Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, iu kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.