ATV

Author: K.B.

  • Prattipati takon ministrat Krasniqi e Murati, flasin për forcimin e bashkëpunimit me ShBA-në

    Prattipati takon ministrat Krasniqi e Murati, flasin për forcimin e bashkëpunimit me ShBA-në

    E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar gjatë ditës së sotme me dy ministra të qeverisë Kurti 3.

    Siç u theksua në dy njoftime të ndara nga kjo ambasadë në Facebook, Prattipati është takuat me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për të diskutuar “forcimin e bashkëpunimit ShBA-Kosovë dhe mbështetjen e qeverisjes lokale që u shërben të gjitha komuniteteve”.

    “Institucionet përfaqësuese dhe pjesëmarrja aktive janë themeli i stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë në rajon”, u tha në postimin e Ambasadës.

    Në ndërkohë, faqja zyrtare e Ambasadës amerikane në Prishtinë njoftoi edhe për një takim të Prattipatit me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për, siç u tha, të diskutuar prioritetet e ardhshme të investimeve të Kosovës dhe projektet kryesore të zhvillimit.

    “Me avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, ShBA mirëpret zgjerimin e mundësive për kompanitë amerikane dhe një angazhim më të fortë tregtar që avancon interesat e përbashkëta ekonomike”, bëri me dije Ambasada në njoftimin në Facebook.

  • Gjykata ndryshon kushtet e lirimit me kusht për Smakajn, Kilajn, Fazliun e Kuçin

    Gjykata ndryshon kushtet e lirimit me kusht për Smakajn, Kilajn, Fazliun e Kuçin

    Në çështjen gjyqesore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, u mor vendim që për katër të fundit të ndryshohen kushtet e lirimit me kusht.

    Sipas gjyqtarit të vetëm, Christoph Gosnell, palët kishin bërë kërkesë që të ndryshohet kushti i vendosur sa i përket kontaktit me bashkë të akuzuarit dhe diskutimin e çështjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Atyre iu lejua që brenda hapësirave të DhSK-së t’iu lejohet të kenë komunikim mes vete dhe të diskutojnë për çështjen, por duke pasur parasysh që çështje konfidenciale nuk duhet të diskutohen në hapësira publike

    Megjithatë, gjyqtari tha se të gjitha kushtet e vendosura mbeten në fuqi jashtë hapësirave të DhSK-së.

    Gjykimi pritet të vazhdojë edhe nesër me dëshminë e dëshmitarit Koen Herlaar.

  • Një litër naftë 1 euro e 35 cent, Berjani: S’ka vend për panik, Kosova ka derivate

    Një litër naftë 1 euro e 35 cent, Berjani: S’ka vend për panik, Kosova ka derivate

    Me të nis sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit, ajo që u ndje në Kosovë ishte edhe çmimi i derivateve, por që kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë për Ekonomia Online se nuk ka vend për panik dhe se Kosova ka mjaftueshëm derivate.

    Berjani në përgjigje me shkrim tha se çmimet në Kosovë janë stabile, ku këtu i referohet që një litër naftë nga 1 euro e 23 cent, tani kushton 1 euro e 35 cent.

    “Sot, çmimet sillen përafërsisht: Dizeli nga 1.23 € deri në 1.35 € për litër, Benzina nga 1.24 € deri në 1.34 € për litër. Çmimet e derivateve tash e tre muaj kanë qenë stabile. Nuk ka pasur lëvizje në bursë,” deklaroi Berjani.

    Ai shtoi se lufta në Iran, rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje të prodhimit, si dhe situata në Ngushticën e Hormuzit një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale.

    “Çdo problem në atë korridor reflektohet në tregjet ndërkombëtare dhe natyrisht reflekton edhe te ne në Kosovë. Nëpër këtë korridor kanë kaluar me qindra anije në ditë, ndërsa tani nuk kalojnë më shumë se katër apo pesë në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe,” tha ai.

    Megjithatë, Berjani siguron qytetarët se nuk ka arsye për panik.

    “Qytetarët nuk kanë nevojë për panik, sepse derivate në Kosovë ka mjaftueshëm. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje paqeje dhe të stabilizohet tregu i naftës në mbarë globin. Qytetarët tanë aktualisht po furnizohen me çmime më të lira në rajon,” shtoi Berjani.

    Transporti detar përmes ngushticës, e cila transporton një të pestën e naftës së konsumuar globalisht, si dhe sasi të mëdha gazi, është ndalur pothuajse plotësisht për shkak të sulmeve iraniane ndaj cisternave të naftës në rajon.

  • “Çdo sukses është për ju”, Elijona shkon tek varri i nënës dhe motrës

    “Çdo sukses është për ju”, Elijona shkon tek varri i nënës dhe motrës

    Pak ditë pas përfundimit të Big Brother VIP Kosova 4, Elijona ka shkuar tek varrezat, vendi ku prehen nëna dhe motra e saj të cilat vdiqën tragjikisht pak vjet më parë pas një aksidenti në Kroaci.

    Suksesin e fituar përgjatë qëndrimit brenda shtëpisë, Elijona ua dedikoi dy më të dashurave të saj, duke shkruar: “Shpresoj që nga lart po më shihni dhe jam duke iu bërë krenare”.

    “Çdo sukses është për ju. Ju dua përjetë, mami dhe motra ime”, thuhet tutje në fotografinë të cilën banorja e ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram.

    Për këtë histori të dhimbshme, Elijona ka folur disa herë edhe në BBVK.

  • Tragjike: Humb jetën një 10-vjeçar në Tetovë, ra nga ballkoni i banesës

    Tragjike: Humb jetën një 10-vjeçar në Tetovë, ra nga ballkoni i banesës

    Një 10-vjeçar nga Tetova ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i banesës ku jetonte.

    Ngjarja tragjike sipas Portalb.mk, është raportuar sot rreth orës 09:25, ndërsa fëmija është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës nga prindërit, pasi janë njoftuar nga një fqinj.

    Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi është dërguar për autopsi.

    “Sot (03.03.2026) në orën 09:25, Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë mori njoftim se një djalë 10-vjeçar nga Tetova i ndjerë është sjellë në Spitalin Klinik të Tetovës. Sipas njoftimit, fëmija, i cili kishte probleme shëndetësore, ka rënë nga ballkoni i apartamentit ku jetonte në Tetovë, dhe prindërit e tij janë njoftuar për incidentin nga një fqinj, pas së cilës e kanë dërguar në spital”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

  • Policia në Gjakovë kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për kanosje dhe sulm

    Policia në Gjakovë kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për kanosje dhe sulm

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë – Sektori i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar.

    Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari dyshohet se më 12 tetor 2025, në një qendër tregtare në Gjakovë, ka kryer veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm”.

    Pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është arritur të zbulohet.

    Me qëllim të avancimit të procedurës hetimore, Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët që, nëse posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e bashkangjitur, të kontaktojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose përmes adresës elektronike zyrtare [email protected].

    Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Dhoma e Tregtisë e shqetësuar për krizën në Lindjen e Mesme: Mund të rrisë inflacionin, të pezullohen disa taksa

    Dhoma e Tregtisë e shqetësuar për krizën në Lindjen e Mesme: Mund të rrisë inflacionin, të pezullohen disa taksa

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, ‘’të cilat tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në vendin tonë’’.

    Në komunikatën e DHTIK, i bëhet thirrje gjitha institucioneve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

    ‘’DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Komunikata:

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në vendin tonë.

    Duke e parë se kriza po zgjerohet, rreziku i ndikimit negativ tek një numër i madh i sektorëve ekonomikë dhe i rëndimit të mëtejmë të kostos së jetesës dhe shportës së qytetarëve është i madh.

    Meqenëse Kosova importon 100% të karburanteve dhe të njëjtat kanë një përdorim të gjerë në ekonomi, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke prekur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë.

    Kjo situatë do të rris kostot e prodhimit për bizneset vendëse, zvogëlon konkurrueshmërinë, ulë potencialin për eksport, i cili edhe ashtu është goditur rëndë nga rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimit i energjisë që u bë në mënyrë të padrejtë.

    Kriza mund të ndikoj edhe në rritje të inflacionit.

    Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu të strukturuar dhe të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

    DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor.

    Dhoma është e gatshme që të ofrojë kontributin e saj në tejkalimin e kësaj situate.

  • Sonte ndodh “hënë e përgjakur” – një pamje që nuk do ta shohim deri në vitin 2028

    Sonte ndodh “hënë e përgjakur” – një pamje që nuk do ta shohim deri në vitin 2028

    Sonte, më 3 mars, në qiell do të ndodhë një eklips total hënor, i njohur edhe si “hënë e përgjakur”.

    Gjatë këtij fenomeni, Hëna merr një nuancë të kuqe të errët ose portokalli sepse Toka bllokon përkohësisht një pjesë të dritës së Diellit që Hëna normalisht reflekton. Ky është gjithashtu eklipsi i fundit total deri në vitin 2028, shkruan N1 Sarajevë.

    Pse Hëna merr një ngjyrë të kuqe?

    Një eklips total hënor mund të ndodhë vetëm gjatë një Hëne të plotë, kur Toka rreshtohet saktësisht midis Diellit dhe Hënës. Efekti i “hënës së përgjakur” ndodh kur hija e plotë e Tokës, ose umbra, mbulon plotësisht Hënën.

    Megjithatë, një pjesë e dritës së Diellit kalon nëpër atmosferën e Tokës. Gjatësitë më të shkurtra të valëve, siç është drita blu, shpërndahen, ndërsa gjatësitë më të gjata të valëve, siç janë e kuqja dhe portokallia, arrijnë në Hënë dhe ndriçojnë sipërfaqen e saj. Sa më shumë pluhur dhe grimca në atmosferë, aq më intensive është nuanca e kuqe.

    Ku do të jetë e dukshme?

    Ky fenomen astronomik nuk do të jetë i dukshëm nga Evropa dhe Afrika. Kushtet më të mira të shikimit do të jenë në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, pjesë të Azisë Lindore, rajonin e Paqësorit dhe Australinë. Faza e eklipsit total do të zgjasë pak më pak se një orë, ndërsa shkëlqimi i kuqërremtë do të zgjasë edhe më shumë.

    Kur është mundësia tjetër?

    Edhe pse do të duhet të presim për një tjetër eklips total, eklipset e pjesshme hënore ndodhin më shpesh. Ato ndodhin kur Hëna është e plotë, por Toka nuk është plotësisht e rreshtuar midis saj dhe Diellit. Eklipsi i pjesshëm tjetër pritet në fund të gushtit të këtij viti dhe, ndryshe nga ai i sonte, do të jetë i dukshëm nga Evropa. Nuk kërkohen instrumente të posaçme për ta vëzhguar atë – thjesht dilni jashtë dhe shikoni lart në qiellin e natës.

  • Shefi i NATO-s mbërrin në Shkup, do të takohet me krerët shtetëror

    Shefi i NATO-s mbërrin në Shkup, do të takohet me krerët shtetëror

    Ministri i Mbrojtjes i RMV-së Vlado Misajlovski priti në aeroportin e Shkupit Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në vend.

    “Është nder të mirëpresim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. Në kohë sfidash serioze të sigurisë, është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, shkroi Misajlovski në Facebook.

    Nga aeroporti i Shkupit, Rutte dhe delegacioni i tij u nisën për në Vilën në Vodno, ku do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

    Sekretari i Përgjithshëm do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni në Zyrën e Presidentit, e më pas do të ketë takim kokë më kokë dhe takim plenar të delegacioneve të RMV-së dhe të NATO-s. Është planifikuar gjithashtu konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidentja Siljanovska-Davkova dhe Rutte.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takohet gjithashtu me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, pas së cilës do t’u drejtohet deputetëve në Kuvend.

    Rutte do të vizitojë gjithashtu kazermën Ilinden, ku do të marrë pjesë në prezantimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (LPBG) të Ushtrisë dhe disa nga pajisjet e kësaj njësie.

    Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Sashko Lafçiski, gjeneralë në Ushtri dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes.

    Kjo është vizita e parë e Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.

  • Mbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” ku vdiqën dy persona

    Mbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” ku vdiqën dy persona

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën janë mbrojtur në heshtje gjashtë të akuzuarit për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” më 2007, ku kishin mbetur të vdekur dy persona.

    Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Paraprakisht, në këtë seancë gjykatësi Alban Ajvazi, bëri të ditur se ka pranur nja parashtresë nga prokurori i rastit, Armend Hamiti, që të lexohen disa deklarata të dëshmitarëve dhe propozime për administrim të provave.

    Këtë propozim të prokurorit, mbrojtja nuk e kundërshtoi, andaj u pajtuan që provat e paraqitura nga Prokuroria të konsiderohen të lexuara.

    Ndërkaq, sa i përket provave që ndërlidhen me dy të akuzuarit tjerë në këtë rast Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të cilët veçse janë dënuar, prokurori Hamiti kërkoi që të veçohen nga shkresat e lëndës dhe të mos trajtohen në këtë çështje penale.

    Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

    Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.