ATV

Author: K.B.

  • Blero ironizon: Jam i hapur për pozitën e Presidentit

    Blero ironizon: Jam i hapur për pozitën e Presidentit

    Këngëtari i njohur shqiptar, Blero, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me një deklaratë të bërë së fundmi në rrjetet sociale.

    Përmes një postimi në InstaStory, ai ka ironizuar me çështjen zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke thënë se është i hapur për këtë pozitë.

    “Jam i hapur për pozitën e Presidentit”, ka shkruar ai.

    Kjo vjen pasi këto ditë është diskutuar tejet shumë zgjedhja e Presidentit, ndonëse janë propozuar disa emra.

    Nëse vendi dështon që të finalizojë këtë proces me kohë, atëherë përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.

    Mbetet për t’u parë në vijim nëse do të ketë ndonjë vendim sa i përket kësaj.

    Për shkak të situatës kanë vijuar edhe reagimet e të famshmëve me ironi.

  • Bashkëshortja e Rooney-t shfaqet pa unazë në publik pasi futbollisti u pa së fundmi me dy gra misterioze

    Bashkëshortja e Rooney-t shfaqet pa unazë në publik pasi futbollisti u pa së fundmi me dy gra misterioze

    Coleen Rooney është shfaqur në publik pa unazën e saj të martesës, për herë të parë që kur bashkëshorti i saj Wayne Rooney u pa duke festuar me dy gra të panjohura gjatë fundjavës përpara ndarjes së çmimeve BRIT.

    Ish-futbollisti 40-vjeçar, ishte në Manchester përpara ngjarjes muzikore, ku qëndroi jashtë deri në orët e para të mëngjesit.

    Sipas raporteve, ai u pa teksa hasi në vështirësi të mbante pantallonat kur po dilte nga tualetet e një hoteli të shtrenjtë, derisa u bashkua me një grup miqsh, përfshirë këngëtarin pop Calum Scott.

    Në disa foto të siguruara nga The Sun, ai shihet duke pirë dhe “biseduar” me gratë, dhe ky moment vazhdoi për rreth dy orë, përpara se të largohej me një prej tyre. Dyshja më pas u pane duke hyrë në makina të ndara rreth orës 3:25 të mëngjesit.

    Pas fundjavës së tij të egër, bashkëshortja e ish-futbollistit, Coleen u shfaq në Cheshire të hënën pasdite, ndërsa kryente punët e ditës dhe bëri disa blerje në një dyqan.

    Ajo ishte veshur thjesht me veshje sportive dhe me një xhaketë të trashë bezhë.

    Wayne dhe Coleen janë të martuar që nga viti 2008 dhe së bashku janë prindër të katër djemve: Kai, 16 vjeç; Klay, 12 vjeç; Kit, 10 vjeç; dhe Cass, 8 vjeç.

  • Kesha ‘sulmon’ Trump për përdorimin e muzikës së saj në video ushtarake

    Kesha ‘sulmon’ Trump për përdorimin e muzikës së saj në video ushtarake

    Këngëtarja, Kesha, ka reaguar ashpër pasi Shtëpia e Bardhë publikoi në TikTok një video ku përdorej kënga e saj “Blow”, e shoqëruar me pamje të një sulmi ajror dhe mbishkrimin “Vdekshmëri”.

    Videoja u postua më 10 shkurt dhe shkaktoi menjëherë reagime në rrjet.

    Përmes një mesazhi në platformën X, artistja deklaroi se nuk e miraton në asnjë formë përdorimin e muzikës së saj për të nxitur dhunë apo për të kërcënuar me luftë, shkruan DailyMail.

    Ajo e cilësoi përmbajtjen si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat që përfaqëson, duke theksuar se dashuria gjithmonë e tejkalon urrejtjen.

    Në reagimin e saj, Kesha sulmoi edhe presidentin Donald Trump, duke e përmendur në lidhje me publikimet e fundit rreth dosjeve Epstein.

    Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se përmendja e Trump në dokumente nuk nënkupton shkelje ligjore, ndërsa ai ka mohuar çdo akuzë.

    Postimi i këngëtares ndau rrjetin mes mbështetësve dhe kritikëve: disa e nxitën të ndërmarrë hapa ligjorë për të drejtat e autorit, ndërsa të tjerë e kundërshtuan qëndrimin e saj.

  • I keni lënë rrobat në lavatriçe për shumë gjatë? Ja si ta kuptoni nëse duhet t’i lani përsëri

    I keni lënë rrobat në lavatriçe për shumë gjatë? Ja si ta kuptoni nëse duhet t’i lani përsëri

    Kur po bëni një milion gjëra njëkohësisht, është shumë e lehtë të harroni rrobat që keni futur në lavatriçe — derisa t’i gjeni të nesërmen në mëngjes.

    Në atë moment mund të keni pyetur veten se në çfarë momenti rrobat duhet të lahen sërish dhe nëse mund t’i thani thjesht pa i larë përsëri.

    Çfarë thonë ekspertët e lavanderisë mbi këtë situatë dhe çfarë duhet të bëni.

    Sa kohë mund të qëndrojnë rrobat në lavatriçe?

    Kohëzgjatja që rrobat mund të qëndrojnë në lavatriçe pa problem varet nga disa faktorë, si temperatura, materiali i rrobave dhe lloji i lavatriçes, shpjegon Anthony Sullivan, zëdhënës i OxiClean.

    “Mjediset e ngrohta dhe të lagështa krijojnë kushte ideale për shumimin e baktereve dhe mykut, kështu që një lavatriçe e mbyllur plot me rroba të lagura mund të bëhet shpejt problem,” thotë Sullivan.

    Pëlhurat më të trasha, si peshqirët, xhinset dhe bluzat sportive, mbajnë më shumë lagështi dhe kanë më shumë gjasa të zhvillojnë erë të pakëndshme. Edhe pse nuk ka rregulla strikte, zakonisht është më mirë që rrobat të lahen përsëri nëse kanë qëndruar mbi 24 orë — madje ndonjëherë edhe pas 8–12 orësh, nëse kanë marrë erë.

    Nëse bëhet fjalë vetëm për disa orë të harruara, rrobat ka të ngjarë të jenë në rregull, sipas Morgan LaLonde, menaxhere e lartë e markës Whirlpool Laundry. Megjithatë, ajo këshillon të mos e ktheni këtë në zakon.

    “Lagështia e mbetur mund të përhapet në kazan dhe në gominën e lavatriçes, duke shkaktuar erëra të vazhdueshme që transferohen edhe te ngarkesat e ardhshme të rrobave,” thotë LaLonde.

    Si ta kuptoni nëse rrobat duhen rilarë?

    Shenja kryesore? Era, thonë ekspertët — veçanërisht nëse ndjeni një aromë të ndenjur ose të thartë.

    “Era e mykut nuk është gjithmonë shumë e fortë — ndonjëherë thjesht duket paksa ‘jo e freskët’,” thotë Sullivan, duke e krahasuar me erën e një peshqiri të lagur të lënë në një çantë palestre ose në bodrum.

    Rrobat e pastra, nga ana tjetër, duhet të kenë një aromë neutrale ose lehtësisht të këndshme.

    “Këshilla ime më e mirë është t’i besoni instinktit tuaj; nëse po dyshoni për erën, zakonisht ia vlen t’i lani përsëri,” këshillon Sullivan.

    Nëse vetëm disa rroba kanë erë të pakëndshme, është më mirë të rilani gjithë ngarkesën, pasi bakteret mund të përhapen lehtësisht te pjesët e tjera.

    Edhe pse mund të tundoheni t’i fusni rrobat direkt në tharëse duke shpresuar se nxehtësia do të vrasë bakteret, LaLonde paralajmëron kundër kësaj.

    “Tharja nuk është zgjidhje përfundimtare për mykun,” shpjegon ajo. “Duhet së pari të hiqni bakteret dhe mbetjet që shkaktojnë erë, përpara se nxehtësia e tharëses ta fiksojë erën në fijet e rrobave.”

  • Gjenden mjete të pashpërthyera – një në një oborr në Rahovec, dy tjera në Gjakovë

    Gjenden mjete të pashpërthyera – një në një oborr në Rahovec, dy tjera në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë gjetur mjete të pashpërthyera në Rahovec dhe në Gjakovë.

    Në raportin policor bëhet e ditur se një person ka raportuar se gjatë pastrimit të oborrit ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes, ndërsa rasti tjetër në Gjakovë gjatë pastrimit në një objekt, një person ka hasur në dy mjete të dyshuara.

    Lexoni të plotë raportin policor:

    Rahovec /03.03.2026-08:10. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjatë pastrimit të oborrit, ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes ndërsa njësiti për deminim EOD ka tërhequr mjetin e dyshuar.

    Gjakovë/03.03.2026-09:25. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjatë pastrimit në një objekt, ka hasur në dy mjete të dyshuara. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes ndërsa njësiti për deminim i KFOR-it kanë tërhequr mjetet e dyshuara.

  • QKMF në Pejë hap orar të rregullt për caktimin e termineve për mamografi

    QKMF në Pejë hap orar të rregullt për caktimin e termineve për mamografi

    Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë ka njoftuar se caktimi i termineve për shërbimin e mamografisë do të realizohet çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten.

    Sipas njoftimit zyrtar, pacientët mund të paraqiten për caktimin e terminit në intervalin kohor nga ora 07:00 deri në ora 13:00.

    Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se të gjithë të interesuarit duhet të paraqiten në sportelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare brenda këtij orari, në mënyrë që të pajisen me termin për kryerjen e mamografisë.

    Drejtoria ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

  • Goditje e madhe financiare: Irani rrezikon të humbasë milionat nëse bojkoton Kupën e Botës

    Goditje e madhe financiare: Irani rrezikon të humbasë milionat nëse bojkoton Kupën e Botës

    Irani mund të përballet me një humbje të madhe financiare nëse vendos të bojkotojë Botërorin e këtij viti.

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një operacion të madh luftarak ndaj Iranit në orët e para të së shtunës, pasi bisedimet mbi programin bërthamor të vendit të Gjirit dështuan.

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, u vra në një sulm ajror mbi zyrën e tij në Teheran mbrëmjen e së shtunës. Irani më pas nisi sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane dhe izraelite në rajonin perëndimor të Lindjes së Mesme.

    Pas tre muajsh, Irani pritet të udhëtojë drejt SHBA-ve për Botërorin 2026, e cila organizohet gjithashtu nga Kanada dhe Meksika.

    Skuadra e drejtuar nga Amir Ghalenoei është shortuar në Grupin G së bashku me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re.

    Në rast se Irani tërhiqet, ose merret vendim që nuk mund të garojë, rregullorja e FIFA parashikon që ai të zëvendësohet “me një alternativë të nominuar, shpesh nënkampionin direkt nga faza përkatëse ‘play-off’ ose skuadrën më të renditur që nuk është kualifikuar nga ajo konfederatë”.

    Kjo do të thotë se vendi i kualifikimit mund t’i jepet ose Emirateve të Bashkuara Arabe ose Irakut, me Irakun që ka mposhtur Emiratet e Bashkuara Arabe për të arritur në ‘play-off’-et ndërkonfederative.

    Sipas Associated Press, nëse Irani tërhiqet nga Botërori, do të humbasë të paktën 10.5 milionë dollarë, që konvertohen në rreth 9.7 milionë euro. Kjo shumë përfshin:

    9 milionë dollarë shpërblim për ekipet që nuk kalojnë fazën e grupeve (rreth 8.3 milionë euro)

    1.5 milionë dollarë për mbulimin e kostove përgatitore (rreth 1.4 milionë euro)

    Gjithashtu, mund të aplikohet një gjobë prej 321,000 dollarësh (rreth 295,000 euro) nëse Irani tërhiqet më pak se 30 ditë para fillimit të turneut.

    Kjo shumë dyfishohet në 642,000 dollarë (rreth 590,000 euro) nëse vendimi merret më shumë se 30 ditë para nisjes së kompeticionit.

  • Vdes në QKUK personi që ishte vetaksidentuar muajin e kaluar në autostradën “Ibrahim Rugova”

    Vdes në QKUK personi që ishte vetaksidentuar muajin e kaluar në autostradën “Ibrahim Rugova”

    Një person ka vdekur në në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku po trajtohej pas vetaksidentit që kishte pësuar në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti kishte ndodhur më 17 shkurt.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

    “Autostrada ‘Ibrahim Rugova’ km 10, Vërmicë/ 17.02.2026 – 14:30. Me 03.03.2026 lidhur me rastin është njoftuar nga QKUK se viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar aty, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, njofton Policia në raportin 24 oërsh.

  • Bllokohet për pesë ditë qarkullimi në rrugën “Hekurudha” në Mitrovicë

    Bllokohet për pesë ditë qarkullimi në rrugën “Hekurudha” në Mitrovicë

    Komuna e Mitrovicë ka njoftuar për bllokim të përkohshëm të qarkullimit në rrugën “Hekurudha”, për shkak të zhvillimit të punimeve infrastrukturore në këtë zonë.

    Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, bllokimi do të zbatohet nga data 4 mars deri më 8 mars 2026 dhe do të përfshijë segmentet e prekura nga ndërhyrjet.

    Segmenti në fjalë përfshin rrugën nga ura e njohur si “Ura e KFOR-it” apo “Ura e Hekurit”, e cila çon në drejtim të lagjes Bair.

    Komuna ka bërë të ditur se punimet realizohen në kuadër të projektit “Rehabilitimi i rrugës hekurudhore Linja 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë)”.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe kanë rekomanduar përdorimin e rrugëve alternative gjatë kësaj periudhe, me qëllim shmangien e vështirësive në qarkullim.

  • Gara shpejtësie në magjistralen Pejë–Prishtinë, ndëshkohen dy shoferë

    Gara shpejtësie në magjistralen Pejë–Prishtinë, ndëshkohen dy shoferë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar dy gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që po zhvillonin gara shpejtësie në magjistralen Pejë–Prishtinë.

    Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 2 mars 2026, kur patrulla policore e angazhuar në kontrollin e trafikut rrugor ka identifikuar dy drejtues automjetesh që po lëviznin me shpejtësi të tejkaluar dhe në formë gare, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion.

    Pas ndalimit të tyre dhe ndërmarrjes së veprimeve ligjore, njërit drejtues i është shqiptuar fletë-gjobë me procedim për gjykatë, ndërsa drejtuesit tjetër i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me sekuestrim të patentë shoferit për një vit.

    Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    Autoritetet kanë theksuar se shkeljet e tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe do të trajtohen me tolerancë zero.