ATV

Author: K.B.

  • Komisioni për Buxhet miraton fushëveprimin e tij, s’kalon kërkesa e LDK’së që të raportojnë ministrat

    Komisioni për Buxhet miraton fushëveprimin e tij, s’kalon kërkesa e LDK’së që të raportojnë ministrat

    Komisioni për Buxhet ka miratuar fushëveprimin e tij, me nëntë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa nuk ka kaluar propozimi për përfshirjen e një pike shtesë që do të obligonte ministritë të raportojnë drejtpërdrejt në këtë komision.

    Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, prezantoi fushëveprimtarinë, duke theksuar se Komisioni është funksional dhe i përhershëm dhe shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me buxhetin dhe financat.

    “Komisioni është komision funksional dhe i përhershëm. Komisioni në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me buxhetin dhe financat. Fushëveprimi i komisionit përfshin: Shqyrtimin e projektligjit vjetor për ndarjet buxhetore dhe rishikimin e tij. Shqyrtimin e projektligjeve në fushën e financave publike dhe financave në përgjithësi. Shqyrtimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Kosovës dhe bën rekomandime për Kuvendin e Republikës. Shqyrtimin e projektligjeve dhe amendamenteve të propozuara në aspektin e ndikimit buxhetor të tyre në kuadër të përgjegjësive si komision i përhershëm dhe rekomandim në komisionin përkatës funksional dhe në Kuvend. Të drejtën për të propozuar dhe hartuar projektligje. Shqyrtimin e raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës. Shqyrtimin e raporteve vjetore të institucioneve, organeve të pavarura që raportojnë në Kuvend dhe që bien në fushëveprimtarinë e komisionit. Mbikëqyrjen e zbatimit të politikave publike dhe legjislacionit në fushën e menaxhimit të financave publike, të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të borxhit publik, prokurimit publik, politikave makroekonomike fiskale si dhe ndihmës shtetëror. Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në kuadër të fushëveprimtarisë së tij. Organizimin e dëgjimeve publike. Raportim me iniciativën e komisionit ose me kërkesën e Kuvendit në mbledhje plenare për çështje nga fusha e veprimtarisë së tij; Shqyrtimin e çështjeve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore”, tha ai.

    Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, propozoi që në fushëveprim të shtohet edhe shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive, duke arsyetuar se aktualisht parashihet raportimi i qeverisë, por jo edhe i ministrive individuale.

    “Kemi këtu paraqit obligimin që vetë qeveria të raportojë këtë raport vjetor financiar në këtë komision, por jo dhe ministritë. Prandaj propozoj që të shtojmë dhe pikën: Shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive, sepse ato veç raportojnë në Ministrinë e Financave”, tha ai.

    Deputeti Valon Hoti kërkoi që të specifikohet qartë se për cilat institucione bëhet fjalë, ndërsa kryetari Haliti u shpreh se nuk e sheh të nevojshme ndryshimin, duke theksuar se praktika e deritanishme nuk ka paraqitur probleme dhe se ndryshimet mund ta komplikojnë punën e Komisionit.

    “Nuk besoj që ka nevojë të bëhën ndryshime për shkak se mund të na komplikoj punën dhe fushveprimtarin e komisionit”, tha ai.

    Propozimi i Mustafës nuk mori votat e mjaftueshme, ndërsa fushëveprimtaria e Komisionit u miratua në formën ekzistuese./EO/

  • Kupa e Kosovës: Sot luhen tri ndeshje çerekfinale, duele të nxehta

    Kupa e Kosovës: Sot luhen tri ndeshje çerekfinale, duele të nxehta

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka zyrtarizuar orarin e çerekfinaleve të Kupës së Kosovës, të cilat zhvillohen këtë javë dhe premtojnë emocion, rivalitet dhe shumë luftë në fushë. Sot (e mërkurë) luhen tri ndeshje, ndërsa njëra sfidë zhvillohet nesër (e enjte).

    Dueli i parë i ditës së mërkurë sjell përballjen Dukagjini-Feronikeli ‘74, i cili zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, nga ora 13:00. Kjo ndeshje pritet të jetë mjaft e luftuar, pasi të dy skuadrat e shohin Kupën si mundësi ideale për të kapur garat evropiane.

    Në Suharekë, po ashtu nga ora 13:00, kampioni në fuqi Ballkani pret Gjilanin në stadiumin e qytetit me bari artificial. Ky është padyshim dueli më i fortë i kësaj faze, ku vendasit kërkojnë të vazhdojnë garën për trofe, ndërsa Gjilani synon të befasojë dhe të ecë drejt trofeut shumë të vlefshëm.

    Në të njëjtën orë në Ferizaj zhvillohet edhe sfida tjetër e ditës së mërkurë, ku Ferizaj pret Vushtrrinë. Një ndeshje mes dy skuadrave ambicioze që synojnë të shfrytëzojnë Kupën për të lënë gjurmë këtë sezon, pasi çdo gabim në këtë fazë është fatal.

    Çerekfinalja e fundit luhet nesër (e enjte), më 5 mars, ku Llapi pret Malishevën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ora 13:00.

    Vlen të theksohet se në këtë fazë luhet vetëm një ndeshje dhe fituesi kalon automatikisht në gjysmëfinale.

  • Përmes rrugëve malore, shtetasi i Shqipërisë kapet duke hyrë ilegalisht në Kosovë

    Përmes rrugëve malore, shtetasi i Shqipërisë kapet duke hyrë ilegalisht në Kosovë

    Një shtetas i Shqipërisë është ndaluar në Vërmicë, pasi dyshohet se kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve malore.

    Siç theksohet në raportin e policisë, ai nuk posedonte ndonjë document me vete.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

  • Mosmarrëveshje në trafik, dy persona rrahen mes vete në Fushë Kosovë

    Mosmarrëveshje në trafik, dy persona rrahen mes vete në Fushë Kosovë

    Dy persona janë rrahur mes vete, si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion në Fushë Kosovë.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 12:50, ku të dyshuarit pas një konflikti verbal në trafik, janë përleshur fizikisht mes vete.

    Si pasojë e përleshjes, të dy personat kanë pësuar lëndime të lehta trupore, për çka kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet.

  • Paralajmërim nga Izraeli: Raketat e Iranit me rreze të lartë veprimi, mund të goditet edhe Kosova

    Paralajmërim nga Izraeli: Raketat e Iranit me rreze të lartë veprimi, mund të goditet edhe Kosova

    Lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Izraeli në Iran pritet të përshkallëzohet dhe të marrë përmasa edhe më të mëdha përpara me kërcënimet e vazhdueshme nga udhëheqësit iranianë. Një shqetësim i veçantë ka dalë në dritë ditët e fundit me pretendimet e zyrtarëve izraelitë dhe perëndimorë se raketat balistike iraniane kanë kapacitetin për të arritur objektiva thellë në Evropë.

    Në mesin e shteteve që mund të goditen nga raketat balistike iraniane është edhe Kosova e vendet e rajonit.

    Një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit paralajmëroi se aftësitë balistike të Iranit “shkojnë përtej Lindjes së Mesme”, ndërsa regjimi në Teheran u etiketua si një kërcënim në rritje për paqen botërore.

    Sipas vlerësimeve, Irani ka arsenalin më të madh dhe më të larmishëm të raketave në Lindjen e Mesme, me mijëra raketa balistike të afta të godasin objektiva shumë përtej kufijve të tij, përfshirë Izraelin dhe pjesë të Evropës Lindore.

    Grafiku i detajuar u publikua nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare si pjesë e Projektit të saj të Mbrojtjes nga Raketat.

    Harta tregon rrezet e ndikimit koncentrik që shtrihen nga 300 deri në 2,500 kilometra, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e Evropës Juglindore është brenda rrezes së mundshme.

    Ndër raketat me rreze të shkurtër veprimi, dallohen Fateh-110 dhe Shahab-1, me një rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash. Raketat me rreze të mesme veprimi, si Shahab-3 dhe Ghadr-110, mund të arrijnë deri në 2,000 kilometra, ndërsa sistemi Sejjil vlerësohet të ketë një rreze veprimi të ngjashme.

    Irani ka përmirësuar më tej aftësitë e tij ofensive duke zhvilluar raketa lundruese dhe dronë. Raketat lundruese Soumar dhe Hoveizeh vlerësohet se kanë një rreze veprimi prej më shumë se 1,300 kilometrash. Dronët e tipit Shahed-131 dhe Shahed-136 mund të operojnë në distanca prej afërsisht 900 dhe deri në 2,500 kilometrash, përkatësisht

    Sipas një infografiku të publikuar nga ministria izraelite, raketat iraniane mund të përbëjnë një kërcënim për shumë qytete evropiane. Mesdheu Lindor konsiderohet më i ekspozuari, ndërsa pjesë të Ballkanit dhe Evropës Juglindore janë brenda rrezes së projeksionit.

    Kryeqytete të tilla si Athina, Sofja, Bukureshti, Prishtina, Tirana, Beogradi dhe Sarajeva, janë brenda rrezes së treguar. Në një fushëveprim më të gjerë teorik, tregohen gjithashtu Budapesti, Vjena, Varshava dhe Bratislava. Megjithatë, një distancë më e madhe mund të zvogëlojë fizibilitetin operativ të sulmeve të mundshme.

    Tensione të mëtejshme u shkaktuan nga një sulm me dron që thuhet se goditi një bazë britanike pranë Limasolit në Qipro. Qiproja, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian tha se nuk ishte e përfshirë në konflikt pasi një dron Shahed dëmtoi një bazë ajrore britanike në bregdetin jugor të ishullit.

  • Orët e fundit para afatit, ende pa zgjidhje për presidentin

    Orët e fundit para afatit, ende pa zgjidhje për presidentin

    Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Institucionet duhet ta përmbyllin procesin deri më 5 mars, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i vjen fundi në fillim të prillit.

    Presidentja aktuale synon një mandat të dytë, ndonëse emri i saj ishte propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2021. Aktualisht, kjo parti nuk ka bërë publik ndonjë emër konkret për kandidat.

    Pavarësisht disa takimeve ndërmjet liderëve politikë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarët e Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, diskutimet për një kandidat konsensual kanë dështuar.

    Kurti zhvilloi dje takimin e tretë radhazi me Abdixhikun, por as ky takim nuk prodhoi rezultat konkret.

    “Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, por ende nuk e kemi zgjidhjen për presidentin”, deklaroi Kurti pas takimit.

    Pas këtij takimi, u mblodh edhe grupi parlamentar i LDK-së për të shqyrtuar situatën politike.

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se partia e tij nuk i konsideron të nevojshme zgjedhjet e reja në këtë fazë dhe mbetet e hapur për të kontribuar në zgjedhjen e presidentit, por vetëm përmes një marrëveshjeje politike.

    “Sot kemi dy opsione: një kandidat konsensual mes të gjitha partive politike, ose një marrëveshje politike mes VV-së dhe LDK-së”, tha Mustafa.

    Ai theksoi se shumica parlamentare ka 66 ulëse dhe pa votat e saj nuk mund të realizohet zgjedhja e presidentit.

    Sa i përket emrit të Vjosa Osmanit, Mustafa u shpreh se LDK nuk heziton të deklarohet, por theksoi se deri tani nuk ka kandidaturë zyrtare.

    “Me vetëm 15 deputetë, LDK nuk mund të sigurojë e vetme 30 nënshkrimet e nevojshme për propozim”, shtoi ai.

    I pyetur për emrin e Glauk Konjufcës, Mustafa tha se nuk ka pasur veprim zyrtar nga VV për një kandidaturë të tij.

    “Në parim po kërkojmë një kandidat konsensual mes të gjitha partive politike, një kandidat jopartiak, ose një kandidat si rezultat i një marrëveshjeje politike”, deklaroi Mustafa.

    Në një takim të mbajtur të shtunën mes Kurtit dhe Hamzës, kreu i PDK-së tha se i ka bërë ofertë kryeministrit për një president të zgjedhur nga partia e tij.

    “Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, deklaroi Kurti pas takimit.

    Hamza theksoi se nuk ka marrë pëlqimin e Kurtit për një emër të propozuar nga PDK-ja.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet fillimisht të sigurojë të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.

    Me afatin që po afrohet, mbetet të shihet nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje në momentet e fundit, apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

  • Raketa iraniane godet bazën ajrore amerikane në Katar

    Raketa iraniane godet bazën ajrore amerikane në Katar

    Katari është vënë në shënjestër të dy raketave balistike iraniane, thotë ministria e tij e mbrojtjes.

    Njëra prej këtyre raketave u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, dhe tjetra goditi bazën ajrore amerikane në Al Udaid – baza më e madhe amerikane në rajon, raporton BBC.

    Nuk ka pasur viktima, thotë Katari.

  • Plagoset efektivi i “Shqiponjave” në Dibër, çfarë ndodhi gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit?

    Plagoset efektivi i “Shqiponjave” në Dibër, çfarë ndodhi gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit?

    Një efektiv i forcave “Shqiponja” është plagosur gjatë një operacioni në qytetin e Dibrës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një operacion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim.

    40-vjeçari, Gentjan Meda dyshohet se ka rënë nga lartësia në një banesë trekatëshe gjatë tentativës për të arrestuar autorin e dyshuar.

    Shkaku nuk është përcaktuar ende saktë, por nuk përjashtohet as pista që ai mund të jetë plagosur me armë zjarri pasi janë dëgjuar edhe të shtëna.

    Ai është dërguar në spitalin Peshkopisë për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, raporton euronews.al.

    Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Fitoi 8-0 dhe më pas u shkarkua, zbulohet arsyeja tronditëse e vendimit ndaj trajnerit të njohur

    Fitoi 8-0 dhe më pas u shkarkua, zbulohet arsyeja tronditëse e vendimit ndaj trajnerit të njohur

    Flamengo ka shkarkuar në mënyrë tronditëse trajnerin e saj, Filipe Luis, pavarësisht se legjenda e klubit e drejtoi skuadrën drejt një fitoreje të thellë 8-0 ndaj Madureira vetëm disa orë më parë.

    Shkarkimi i një trajneri menjëherë pas një triumfi 11-0 në total në gjysmëfinale dukej i pashpjegueshëm për publikun. Megjithatë, detaje sensacionale të reja kanë zbuluar se pas vendimit fshihej një “tradhti” e thellë prapa skenave.

    Është raportuar se marrëdhënia u kris pasi drejtuesit e klubit zbuluan se Luís kishte zhvilluar bisedime të fshehta me grupin pronar të ish-klubit të tij, Chelsea.

    Sipas UOL, arsyeja kryesore e shkarkimit nuk lidhej vetëm me performancën në fushë, por me një thyerje serioze të besimit.

    Presidenti Luiz Eduardo Baptista, i njohur si Bap, zbuloi se trajneri kishte hyrë në negociata sekrete me BlueCo, kompania që zotëron Chelsean dhe Strasbourgun, gjatë procesit të rinovimit të kontratës së tij.

    Ky zbulim rezultoi fatal për marrëdhënien mes palëve.

    Gjatë këtyre bisedimeve, Luis thuhet se ndërpreu komunikimin me Flamengon për tre ditë. Fillimisht ai mendonte se po diskutonte për një rol te Chelsea, por më pas mësoi se pozicioni ishte në fakt për klubin francez Strasbourg.

    Pasi e kuptoi këtë, ai u rikthye në negociata me gjigantin brazilian, por dëmi ishte tashmë i pakthyeshëm.

    Presidenti Bap u ndje thellësisht i tradhtuar nga takimet e fshehta, gjë që përshpejtoi vendimin për të shkarkuar trajnerin 38-vjeçar, pavarësisht sukseseve të fundit në arenën vendase.

    Luís largohet me një bilanc mbresëlënës si trajner. Ai kaloi nga roli i lojtarit në trajner të moshave të reja, përpara se të merrte drejtimin e ekipit të parë.

    Gjatë periudhës së tij në krye, ai drejtoi 101 ndeshje, duke regjistruar 64 fitore dhe vetëm 15 humbje.

  • Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarroset të premten

    Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarroset të premten

    Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës ka bërë të ditur se janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza (Skënder) Dylhasit nga Gjakova, i rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ceremonia e rivarrimit të tij është caktuar për të premten, më 6 mars. Homazhet do të zhvillohen nga ora 12:00 deri në 13:00 në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ndërsa varrimi do të mbahet në orën 13:30 në Kompleksin Memorial në Çabrat.

    Myrteza Dylhasi, më 27 mars 1999, së bashku me babanë e tij, Skënder Dylhasin, gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinj të familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u rrëmbyen nga forcat serbe nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë.

    Komuna e Gjakovës bën thirrje për pjesëmarrje në homazhe dhe përkujtim të kujtimit të viktimave të luftës, duke nderuar kështu kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.