ATV

Author: K.B.

  • Deputeti i PDK-së thotë se do të votojë pro Andin Hotit për president, por ka një kusht

    Deputeti i PDK-së thotë se do të votojë pro Andin Hotit për president, por ka një kusht

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka reaguar ndaj raportimeve se Andin Hoti mund të jetë kandidat i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e presidentit.

    Në një prononcim për Insajderin, Hasani tha se do ta votonte Hotin nëse grupi i PDK’së do të qëndronte në sallë.

    “Po e votoj Andin Hotin, nëse grupi parlamentar i PDK’së rrinë në sallë, përndryshe jo”, u shpreh Hasani për Insajderin.

  • Mediat iraniane: Shtyhet funerali shtetëror për Khamenein

    Mediat iraniane: Shtyhet funerali shtetëror për Khamenein

    Funerali shtetëror për Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është shtyrë, sipas raportimeve në mediat shtetërore iraniane.

    Ceremonia triditore ishte planifikuar të fillonte më vonë sot, ndërsa imazhe në rrjetet sociale tregonin përgatitjet për organizimin e saj, siç transmeton BBC.

    Megjithatë, raportet sugjerojnë se organizatorët kanë deklaruar se ceremonia do të shtyhet derisa të sigurohet infrastruktura e nevojshme.

    Nuk është njoftuar ende një datë e re për zhvillimin e ceremonisë.

  • Ndërron jetë ish-kryetari i Komunës së Kumanovës, Bajram Sulejmani

    Ndërron jetë ish-kryetari i Komunës së Kumanovës, Bajram Sulejmani

    Ka ndërruar jetë ish-kryetari i Komunës së Kumanovës, Bajram Sulejmani, i cili ishte në krye të komunës nga viti 1989 deri në vitin 1991.

    Kreu aktual i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i shprehu ngushëllime familjes Sulejmani.

    “Me respektin më të madh, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së ish-kryetarit të komunës së Kumanovës, z. Bajram Sulejmani. Z. Sulejmani ishte një edukator, profesor, gazetar dhe publicist i shquar. Gjatë karrierës së tij të pasur, ai punoi si mësues në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, pastaj si gazetar në radiostacionin lokal, dhe në periudhën nga viti 1989 deri në vitin 1991 shërbeu si kryetar i Kuvendit të Komunës së Kumanovës”.

    “Nga viti 2005 deri në vitin 2018, ai ishte themelues dhe drejtor i Dhomës Rajonale të Zejtarëve. Qyteti ynë do t’i kujtojë përpjekjet e tij dhe rezultatet e arritura në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale dhe bashkësisë shoqërore. Në emër të qytetarëve të Komunës së Kumanovës dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllime të sinqerta dhe të thella familjes Sulejmani, me mirënjohje për veprën e tij të rëndësishme shoqërore”, shkroi Maksim Dimitrievski.

  • Epopeja e UÇK-së, Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë solemne

    Epopeja e UÇK-së, Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë solemne

    Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë solemne.

    Seanca do të mbahet në nderim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Seanca do të mbahet me fillim në orën 10:00.

  • Eksperti i kriminalistikës: Në 16 vite si pjesë e IHK-së, asnjëherë s’kam dhënë dëshmi për mikropika

    Eksperti i kriminalistikës: Në 16 vite si pjesë e IHK-së, asnjëherë s’kam dhënë dëshmi për mikropika

    Eksperti Koen Herlaar pohoi se në 16 vite përvojë pune si pjesë e Institutit Kriminalistik të Holandës i ka kryer 24 akt-ekpertiza dhe se asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për mikropikat.

    Këtë deklarim ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Isni Kilajt përmes avokatit, Joe Holmes i cili u fokusua tek ekspertiza e dëshmitarit në analizimin e mikropikave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Holmes nisi pyetjet për dëshmitarin pas mbrojtjes së Bashkim Smakajt.

    Përpara kësaj, Koen Herlaar, tha se ka përpiluar ekspertiza për gjykatës holandez, e që rrjedhimisht raportet e tij janë bërë pjesë e dokumentacionit gjyqësor. Por, ai tha se nuk i është kërkuar asnjëherë që të jep dëshmi me gojë për këto raporte.

    “Nuk më është kërkuar asnjëherë që të jap dëshmi me gojë. Nuk është normale që të jap unë dëshmi për akt-ekspertizat e mia. Pra, nuk është diçka standarde në sistemin penal të Holandës”, tha ai.

    Herlaar megjithatë shtoi se ka dhënë dëshmi për punën e tij në përgjithësi në një seancë për themelin e çështjes, si dhe në një seancë paraprake por jo në sallën e gjyqit. Ai shpjegoi se hera e fundit ka ndodhur kur një gjyqtar hetues ka dashur që të informohet për punën e tij. Por, sipas tij, asnjëra prej këtyre rasteve nuk kishte të bënte për mikropikat.

    Pas kësaj, seanca kaloi në sesion privat për publikun për të diskutuar informacione të cilat janë konfidenciale.

  • Ja si do të duken kartëmonedhat e reja në Zvicër

    Ja si do të duken kartëmonedhat e reja në Zvicër

    Banka Kombëtare Zvicerane ka prezantuar sot serinë e saj më të fundit të kartëmonedhave zcerane të frangave.

    Në përzgjedhjen e kartëmonedhave është marrë parasysh edhe mendimi i publikut.

    Prandaj, u krye një sondazh i opinionit publik, i cili përbënte 50 për qind të vlerësimit. Sipas SNB-së, mbi 100,000 njerëz morën pjesë në këtë sondazh.

    Çdo kartëmonedhë përshkruan një lartësi të ndryshme mbidetare në Zvicër.
    Gjashtë kartëmonedhat u disenjuara nga Fabienne Kilchör dhe Sebastién Fasel në ngjyra pastel.

    Kartëmonedhat e reja zvicerane do të dalin në qarkullim nga viti 2031.

  • Orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, LVV-ja do të mblidhet në ora 13:00

    Orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, LVV-ja do të mblidhet në ora 13:00

    Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet edhe njëherë tjetër sot për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së një kandidati për postin e presidentit.

    Ilir Kërçeli, deputet i LVV-së ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie do të mblidhet nga ora 13:00 për të diskutuar çështjen e presidentit.

    “Në ora 13:00 kemi mbledhje, kemi me diskutu për çështjen e presidentit”, ka thënë Kërçeli.

    Ndërkaq, në lidhje me emrat e propozuar deputeti i VV-së, Enver Haliti, ka bërë të ditur se nuk ka akoma asgjë konkrete.

    Ai nuk ka pranuar të përgjigjet as për përzgjedhjen e Glauk Konjufcës, emri i të cilit është lakuar në media ditëve të fundit.

  • Çfarë po ndodhë me gjurin e Mbappes? Ekspertët mjekësorë tregojnë a duhet të operohet

    Çfarë po ndodhë me gjurin e Mbappes? Ekspertët mjekësorë tregojnë a duhet të operohet

    Sipas The Athletic, dy ekspertë të respektuar mjekësorë kanë dhënë opinionet e tyre mbi lëndimin e gjurit të majtë të Kylian Mbappe dhe mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale.

    Juan Ayala, ish-president i Shoqatës Spanjolle të Traumatologjisë Sportive dhe kreu i njësisë së gjurit në Spitalin San Rafael në Madrid, tha se kirurgjia nuk është e nevojshme në shumicën e rasteve.

    “Në shumicën e rasteve, kirurgjia nuk është e nevojshme. Nëse është një dëmtim i gradës së parë (më pak i rëndë), që është një tërheqje ligamentore, ose një dëmtim i gradës së dytë, që është një këputje e pjesshme, kirurgjia zakonisht nuk kryhet. Përdoret trajtimi konservativ”.

    “Një pushim minimal prej tre javësh kërkohet për një tërheqje të gradës së parë dhe gjashtë javë për gradën e dytë. Megjithatë, nëse lojtari ka vazhduar të luajë, këto dëmtime kanë tendencë të bëhen kronike dhe të përkeqësojnë parashikimin”.

    “Nëse nuk shërohet si duhet, mund të mbetet e paqëndrueshme dhe të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale”.

    Diego Garcia-German, kirurg ortoped dhe mjek i ekipit të Spanjës për Lojërat Olimpike Dimërore, ndau një pikëpamje të ngjashme.

    “Nëse Mbappe ka vazhduar të luajë, ka shumë gjasa që të ketë një dëmtim të gradës së ulët. Mund të ndodhë që dëmtimi të mos ketë shëruar si duhet ose të mos po përgjigjet ndaj trajtimit konservativ”.

    “Nëse nuk shërohet vetvetiu, kirurgjia gjithmonë mund të jetë një opsion. Por kirurgjia nuk është e zakonshme për dëmtime të gradës së ulët”.

    “Ky dëmtim ka të ngjarë të jetë një dëmtim i gradës së ulët që po i shkakton më shumë probleme se zakonisht. Nga jashtë, përshtypja ime është se shkalla e dëmtimit nuk e ka penguar të vazhdojë të luajë, dhe tani ndoshta ka pak dhimbje”.

    “Nëse mendojmë se duhet të shërohet vetvetiu, sepse po trajtohet konservativisht, duhet t’i japim kohë që të zgjidhet”, përfundoi ai.

  • Rrahmani: Kurti po synon eleminimin politik të Vjosa Osmanit – ose zgjedhje, ose rrëshqasim në diktaturë

    Rrahmani: Kurti po synon eleminimin politik të Vjosa Osmanit – ose zgjedhje, ose rrëshqasim në diktaturë

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka reaguar lidhur me situatën aktuale për presidentin.

    Rrahmani ka thënë se VV-ja dhe Kurti po synojnë eleminimin politik të Vjosa Osmanit.

    Ai deklaroi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ose Kosova të rrëshqasë në diktaturë.

    Postimi:

    Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë eliminimin politik të Presidentes Vjosa Osmani dhe mbajnë qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare, vendi, shoqëria dhe demokracia janë në rrezik serioz.

    Sot kemi vetëm dy rrugë:

    Ose shkojmë në zgjedhje të reja dhe ia kthejmë vendimin qytetarit,

    Ose heshtim dhe lejojmë që vendi të rrëshqasë drejt një autoritarizmi të plotë, me prirje drejt një diktature.

  • Dje u kërkua ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij, i dyshuari në Gjakovë vetëdorëzohet në Polici

    Dje u kërkua ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij, i dyshuari në Gjakovë vetëdorëzohet në Polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në një person është vetëdorëzuar në polici në Gjakovë, pasi që i njëjti ishte në kërkim.

    Për të dyshuarin, policia dje kërkoi bashkëpunim me qytetarët për gjetjen e tij, përcjell Express.

    Postimi:

    Vetëdorëzohet personi i dyshuar në kërkim

    Gjakovë, 4 mars 2026

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me datën 3 mars 2026, ka publikuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, ku i njëjti sot, me datën 4 mars 2026, është vetëdorëzuar në Polici.

    Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme policore, me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.