ATV

Author: K.B.

  • Masat ndaj Kosovës, BE: Lirimi i 205 milionë eurove varet nga kontratat IPA

    Masat ndaj Kosovës, BE: Lirimi i 205 milionë eurove varet nga kontratat IPA

    Në dhjetor 2025, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen njoftoi qëllimin për të hequr të gjitha masat e mbetura ndaj Kosovës deri në fund të janarit.

    Lidhur me këtë, Telegrafi ka pyetur BE-në se deri ku ka arritur procesi për heqjen e tërësishme të masave të mbetura.

    BE-ja, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka thënë se pas përfundimit të procedurave të brendshme, Komisioni mund të vazhdojë tani me lëshimin e 205 milionë eurove të mbetura si asistencë financiare.

    Sipas tyre, kjo do të bëhet pasi të përfundojë nënshkrimi i kontratave për asistencën financiare të planifikuar nën programet IPA 2021 dhe 2022.

    “Lëshimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte nën programet vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte nën Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, thuhet në përgjigje.

    Tutje theksohet se Komisioni dhe Shërbimi i Jashtëm Evropian do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe një vizitë të ardhshme të Komisionerit Kos”.

    “ Nga ana e saj, Kosova pritet të intensifikojë zbatimin e reformave shumë të nevojshme lidhur me BE-në dhe të avancojë në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja do të vazhdojë të ndjekë dhe të vlerësojë situatën shumë nga afër”, thuhet në përgjigje.

    Masat ndëshkuese të BE-së u vendosën ndaj Kosovës në qershor të vitit të 2023 pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

  • Kërcënimi nga Irani: Nëse sulmohet ambasada jonë në Bejrut, godasim ambasadat izraelite nëpër botë

    Kërcënimi nga Irani: Nëse sulmohet ambasada jonë në Bejrut, godasim ambasadat izraelite nëpër botë

    Tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë rritur ndjeshëm pas një deklarate nga zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë, të cilët paralajmëruan për një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë dhe të zgjeruar, në rast të një sulmi ndaj misionit diplomatik iranian në Bejrut. Paralajmërimi u bë publik nga zëdhënësi i Forcave të Armatosura iraniane, Gjenerali i Brigadës Abolfazl Shekarchi, dhe u raportua nga agjencia gjysmëzyrtare Tasnim News Agency.

    Sipas Shekarchiut, çdo veprim ushtarak nga ana e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit kundër ambasadës së Iranit në kryeqytetin e Libanit do të konsiderohet një akt i hapur agresioni dhe do të pasohet me masa të ashpra reciproke. Ai theksoi se përgjigjja iraniane nuk do të kufizohet vetëm në rajon, por mund të shtrihet ndaj ambasadave izraelite në vende të ndryshme të botës.

    “Çdo sulm ndaj përfaqësisë sonë diplomatike do të përballet me një reagim vendimtar. Objektivat izraelite, përfshirë ambasadat e tyre, do të jenë në shënjestër, nëse ndodh një akt i tillë”, citohet të ketë deklaruar ai. Kjo deklaratë shihet si një sinjal i qartë për përshkallëzim të mundshëm, në një moment kur situata e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë.

    Ambasadat dhe misionet diplomatike mbrohen nga konventa ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila ndalon çdo sulm apo cenim të tyre. Një përplasje e tillë do të përbënte jo vetëm shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, por edhe rrezik për përhapjen e konfliktit përtej kufijve rajonalë.

    Deklarata e fundit vjen në sfondin e përshkallëzimit të retorikës dhe incidenteve të shumta që kanë përfshirë aktorë të lidhur me të dyja palët në rajon. Bejruti, si një pikë kyçe ku ndërthuren interesa të ndryshme gjeopolitike, konsiderohet veçanërisht i ndjeshëm ndaj çdo zhvillimi ushtarak apo diplomatik.

    Deri tani, autoritetet izraelite nuk kanë bërë një reagim zyrtar ndaj paralajmërimit të Teheranit. Megjithatë, analistët e sigurisë paralajmërojnë se çdo lëvizje kundër objekteve diplomatike do të sillte pasoja të paparashikueshme dhe do të rriste rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.

    Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje situatën, ndërsa thirrjet për vetëpërmbajtje dhe dialog diplomatik janë shtuar. Në një rajon të mbushur me tensione të vazhdueshme, çdo incident i ri mund të shërbejë si shkëndijë për një krizë më të gjerë me ndikim global.

  • “Na kanë mbetur më pak se 30 orë”, Haxhiu thotë se data 5 mars është data e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti

    “Na kanë mbetur më pak se 30 orë”, Haxhiu thotë se data 5 mars është data e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se data 5 mars është data e fundit kur duhet të përmbyllet procesi i zgjedhjes së presidentit.

    Haxhiu ka thënë se kjo e bën edhe më të vështirë situatën, meqë kanë mbetur më pak se 30 orë për një gjë të tillë.

    Ajo ka thënë se nuk mund të thërrasë seancë për zgjedhjen e presidentit, derisa nuk propozohen dy kandidatë për president.

    “Bazuar në nenin 36, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati i fundit është data 5 mars 2026, pra nesër, aktualisht kemi më pak se 30 orë deri në këtë afat, çka e bën situatën më urgjente”, ka deklaruar Haxhiu, duke kërkuar propozimin edhe të një kandidati.

  • Hoti pasi VV kandidoi Konjufcën për President: Skenari i njëjtë si i vitit 2020 për interesa meskine politike

    Hoti pasi VV kandidoi Konjufcën për President: Skenari i njëjtë si i vitit 2020 për interesa meskine politike

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi kanidat partiak për President, Glauk Konjufca.

    Hoti tha se historia po përsëritet dhe ky është skenari i njëjtë me vitin 2020, ku LVV prishi koalicionin me LDK-në, thotë ai.

    Ai tha se qytetarët po e kuptojnë se sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike.

    Postimi i plotë i Hotit:

    Sot, historia po përsëritet.

    Në vitin 2020, ishte vetë Kurti ai që rrëzoi qeverinë që e udhëhiqte duke e shtyer prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Sot, me veprime të njëanshme pa asnjë lloj marrëveshje politike, e me një kandidat për President që nuk i ka votat e mjaftueshme, Kurti sërish po e rrëzon qeverinë që e udhëheq dhe po shkakton zgjedhje të reja. Kjo sjellje nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve, por bëhet vetëm për kalkulime politike.

    Sot, qytetarët po e kuptojnë qartë se, sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike.

    Skenari i Kurtit është i njëjtë si gjithmone: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje.

    Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, ka nevojë për konsensus për çështje madhore dhe për stabilitet institucional.

    Çështje madhore janë të gjitha ato çështje që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, siç është zgjedhje e Presidentit.

    Faturën e veprimeve të papërgjegjshme e paguajnë qytetarët dhe gjithë shteti i Kosovës.

  • Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Strategjia e Kurtit për president, vetëvrasje politike

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Strategjia e Kurtit për president, vetëvrasje politike

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përpjekje për të zhvendosur fajin te opozita lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar strategjinë e tij si “vetëvrasje politike”.

    Hasani, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Kurti dëshiron të krijojë momentumin për zgjedhje të reja, me shpresë t’i rrisë votat për dallim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Krejt përpjekja e tij është me zhvendosur, me shpresë se i rrit votat, këtë shpresë ai e ka që i rrit votat. Unë jam i bindur që politikisht është vetëvrasje kjo që po do me e bërë, sepse nuk ka, nuk mund të ndodhë ajo. Veçanërisht jo për faktin që edhe zonja Osmani tash është e qartë që i takon një bindjeje tjetër politike. Dhe përpjekja e tij është me zhvendosur fajin, me thënë që unë desha, të tjerët s’po duan dhe me luajtur rolin e viktimës”, thotë ai.

    Sipas tij, edhe takimet me opozitën për presidentin janë “fiktive” dhe shërbejnë më shumë për konsum publik sesa për arritjen e një marrëveshjeje reale.

    Ai thekson se synimi i Kurtit është një kandidat me profil të theksuar partiak, duke përmendur figura si Glauk Konjufca apo Albulena Haxhiu.

    Hasani shkon edhe më tej, duke i cilësuar këta si “militantë të thekur të vijës personaliste” të Kurtit, duke paralajmëruar për rrezik të thellimit të tendencave autokratike nëse posti i presidentit politizohet në këtë formë.

    “Unë besoj që ai e ka synim kryesor dikë të profilit, s’po di unë, si po, profilit të Glaukut ose të Albulenës, këtyre që janë, që janë të dëshmuar, janë militantë të thekur të vijës personaliste të synimeve të qarta autokratike të zotit Kurti”, shton Hasani.

    Ai e sheh të pamundur që Kurti ta kandidojë për presidente Vjosa Osmanin. Sa i përket raporteve mes Kurtit dhe presidentes aktuale Vjosa Osmani, Hasani thotë se përçarja mes tyre ka nisur më herët dhe lidhet me raportin e protagonizmit politik. Sipas tij, Osmani ka qenë kryesisht lojaliste, por në momentet kur ka tentuar të krijojë profil të pavarur politik përballë Kurtit, është perceptuar si e pabesë nga ai.

    “Shumë e thjeshtë, shumë e thjeshtë. Zonja Osmani në pjesën dërrmuese ka qenë lojale, por në momentet kur ajo ka besuar dhe shpresuar që mund ta dobësojë zotin Kurti, i ka treguar dhëmbët, është munduar me treguar dhe ajo është arsyeja që është domethënë është krijuar si person i pabesë për të, për zotin Kurti… Jo, s’ka lidhje. Ajo më herët ka filluar çarja mes tyre, domethënë. Nuk besoj që është, s’ka logjikë me qenë ajo, domethënë, s’është ajo. Është çështje, domethënë, raportit të protagonizmit që ajo ka provuar me e krijuar karshi personit të Kurtit”, thekson ai.

    Ndërkohë, i pyetur për një kandidaturë të mundshme të tij për postin e presidentit, Hasani e përjashtoi kategorikisht një gjë të tillë.

    “As në mendje s’më ka shkuar kurrë për atë çështje. Asnjëherë. Pse duhet një post, ai është post politik domethënë që duhet forcat politike me e zgjedhur. As në mendje, s’është, domethënë është gjëja më… as në mendje, domethënë… Asnjëherë, asnjëherë”, përfundon ai./KosovaPress

  • Haxhiu: Kosova ka emra që mund të propozohen për President

    Haxhiu: Kosova ka emra që mund të propozohen për President

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu përmes një conference për media ka folur për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke thënë se seanca nuk mund të thirret pa pasur të paktën dy kandidatë për këtë post.

    Haxhiu ka ftuar deputetët që deri më tani nuk kanë dhënë nëshkrimin e tyre, që siç u shpreh ajo, të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë këtë mundësi.

    “Në këtë moment, kërkohet maturi, përgjegjësi nga të gjitha palët”, u shpreh kryeparlamentarja.

    Ajo gjithashtu u shpreh se mendon që Kosova ka emra që mund të propozohen për postin e Presidentit.

    “Unë mendoj që Kosova ka emra që mund të propozohet për këtë post, prandaj është e rëndësishme që deputetët ta ushtrojnë këtë të drejtë”, tha Haxhiu.

  • LVV-ja, konferencë për media në orën 19:00

    LVV-ja, konferencë për media në orën 19:00

    Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për media në orën 19:00.

    Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Ajo tha se konferenca do të mbahet nga shefja e GP të LVV-së, Arbërie Nagavci.

    Ndonëse nuk u bë e ditur tema e konferencës, parashihet se do të flitet për çështjen e Presidentit.

    LVV-ja pak orë më parë, njoftoi se ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për President të vendit.

    Partitë tjera opozitare të Kuvendit nuk kanë dalë me emra, por kanë kritikuar veprimin e LVV-së, duke e konsideruar si akt që çon drejt zgjedhjeve të reja.

  • Haxhiu: Deri tash vetëm një kandidat për president, nuk mund të thërras seancë

    Haxhiu: Deri tash vetëm një kandidat për president, nuk mund të thërras seancë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se deri më tani ka pranuar vetëm një kandidaturë për president.

    Haxhiu ka thënë se kandidatura është propozuar nga 30 deputetë, ku i nominuar është Glauk Konjufca.

    “Procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që në proces duhet të jenë së paku dy kandidatë. Procesi i votimit nuk mund të fillojë pa u përmbushur ky kusht themelor”, ka thënë ajo në konferencën për media.

  • Gjenden mbetje mortore pas rifillimit të gërmimeve te “Përzhina” në Rahovec

    Gjenden mbetje mortore pas rifillimit të gërmimeve te “Përzhina” në Rahovec

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore te lokacioni i njohur si “Përzhina” në Rahovec si dhe janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Sipas njoftimit, nuk dihet numri i saktë i personave dhe identiteti i tyre nga mbetjet mortore të cilat janë gjetur sot por këto informacione do të mund të konfirmohen pas analizave forenzike.

    “Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”, thuhet në njoftim.

    Në këtë lokacion rifilluan gërmimet pasi u ndërprenë në dhjetor të vitit të kaluar si pasojë e motit.

    “Gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore. Për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht”, thuhet tutje në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë gërmimeve treditore në Përzhin të Rahovecit u gjetën eshtrat e dy personave të cilët dyshohet se janë zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Në këtë lokacion, ku më herët patën bërë kërkime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës e të UNMIK-ut, dyshimet ishin se ndodhen mbetje mortore të tetë viktimave.

    Gjatë 2025-s, gërmime u kryen në 33 lokacione e janë gjetur mbetje mortore të 22 individëve. Procesi pritet të vazhdojë më 2026.

    Nga lufta e fundit në Kosovë (1998-1999), të zhdukur janë edhe 1 mijë e 577 persona.

  • Tre të arrestuar në Kosovë në operacionin ndërkombëtar kundër krimit kibernetik

    Tre të arrestuar në Kosovë në operacionin ndërkombëtar kundër krimit kibernetik

    Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar se tre persona janë arrestuar në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL.

    Operacioni në vendin tonë është zhvilluar më 3 mars 2026 nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj. Personat e ndaluar për 48 orë janë A.R., A.K. dhe R.H., të dyshuar për “hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “vjedhje identiteti dhe kredencialesh”.

    Sipas hetimeve, të dyshuarit gjatë periudhës 2023–2025 kanë përdorur njohuritë teknologjike për të siguruar në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale dhe financiare, të cilat më pas janë publikuar në platformën online LEAKBASE.IO për shitje dhe përfitim material.

    Në cilësinë e provave, autoritetet kanë sekuestruar 3 laptopë, 5 shtëpiza kompjuteri, 6 telefona mobilë dhe 2 pajisje memorizuese.

    Operacioni ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar policor OP LEAK, i koordinuar njëkohësisht në shtete si SHBA, Britani e Madhe, Australi, Gjermani, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.

    Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rikujtojnë përkushtimin e tyre në luftën ndaj krimit kibernetik dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.